ose Putini dhe dyshja Berisha-Rama
Në një faqe interneti gjeta shkrimin tim “Ku po na çon marëveshja PD - PS” (Korrieri, 24 prill 2008) me titull të ndryshuar: “Po shkojmë drejt një kapitalizmi autoritar të tipit Putin” (www.peshkupauje.com). Ky ndryshim kishte shkaktuar një debat midis disa komentuesve, nëse ishte apo jo ky konkluzioni i shkrimit.
Në fakt shkrimin e kam mbyllur me një parashikim kontradiktor. Pasi them: “Kësisoj e ardhmja duket drejt një kapitalizmi autoritar të tipit Putin ku s’përjashtohet edhe mbetja nesër e një partie të vetme të madhe që siguron 70 - 80 përqind të votave.” shtoj dhe se: “ndryshe nga në Rusi, ajo që mund ta hedhë shumë shpejt në erë këtë ëndërr të keqe të putinëve tanë është fakti se ekonomia e ngritur nga oligarkët tanë është shumë e brishtë, shumë aventureske dhe spekulative për të hedhur themele të qëndrueshme të një kapitalizmi autoritar”. Duhet ta pranoj se ideja vetëm sa është skicuar dhe lexuesit kanë të drejtë të ngatërrohen. Po përpiqem me këtë shkrim të sqaroj më mirë se çfarë kam dashur të them.
Më së pari le të shpjegoj se çfarë kam parasysh me “kapitalizmin autoritar të tipit Putin”. Në një intervistë të Gorbaçovit të para do kohësh dhënë gazetës italiane La Republica, i pyetur për qëndrimin e tij ndaj Putinit, Gorbaçovi tregohej kritik ndaj Perëndimit duke e akuzuar këtë se në kohën e Jelcinit kishte qenë shumë më i kënaqur me Rusinë sesa në kohën e Putinit, të cilin e akuzon vazhdimisht për autoritarizëm dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Por, sipas Gorbaçovit, në kohën e Jelcinit Rusia ishte e dobët ngase kishte shpërthyer fenomeni i grabitjes së pasurisë publike ruse nga oligarkët që kishin privatizuar gjithçka. Sipas tij Putin po rivendoste autoritetin e Shtetit duke shkatërruar pushtetin informal të oligarkëve, që, veç të tjerash, po i transferonin paratë jashtë shtetit. Pra, sipas tij Putini po ringrinte në këmbë Rusinë dhe Perëndimi duhet të ishte i kënaqur me këtë, pasi një Rusi e shëndoshë ishte edhe në të mirë të Perëndimit.
Nga sa kam mundur të njoh fenomenin Putin më rezulton se ai gëzon vërtet një autoritet në Rusi për të cilin duket se kanë ndikuar jo vetëm kultura politike ruse e lidhur me historinë e pushtetit të pakufishëm të carëve (pa dyshim edhe kjo), por edhe çfarë thotë Gorbaçovi: rimëkëmbja ekonomike e lidhur me një kontroll shumë më të madh nga ana e shtetit të ekonomisë informale e të abuzimeve të oligarkëve. Për të realizuar këtë rivendosje të autoriteti të shtetit Putin duket se është mbështetur në tri këmbë: Së pari, Putini po shfrytëzon idenë e ringritjes së asaj kohe kur Rusia (edhe si BRSS) ka qenë superfuqi - këmba ideologjike. Së dyti strukturat politike: Putini si njeri i ish KGB duket se ka ruajtur rrjetin e kësaj strukture të fuqishme që, për më tepër, ka lidhje organike me ideologjinë që përmenda më sipër. Së treti, ringritja ekonomike: Rusia ka burime të mëdha natyrore, mbi të gjitha gazin. Kontrolli i kësaj pasurie, që në kohën e oligarkëve kalonte më së shumti në xhepat e tyre pa paguar as taksa, i ka dhënë asaj mundësi të rimëkëmbet ekonomikisht duke siguruar një mirëqëne dhe zhvillim më të madh për rusët në përgjithësi.
Këtë sistem politologu amerikan Azar Gat në një artikull të botuar në “Foreign Affairs” (korrik/gusht 2007) e quan “kapitalizëm autoritarist”. Një kapitalizëm, pra, ku vendoset një aleancë midis elitës politike, industrialistëve dhe ushtarakëve mbi bazën e një ideologjie nacionaliste. Pak a shumë të njëjtën gjë ai sheh edhe në Kinë, duke mos e përjashtuar mundësinë që këto vende të mbeten kështu për një kohë të gjatë, pra pa kaluar doemos e shpejt e shpejt në liberaldemokraci.
Tani le të kthehem tek ballafaqimi i këtij procesi rus me çka ka ndodhur e po ndodh në Shqipërinë postkomuniste. E para gjë që mund të them është ngjashmëria e Shqipërisë me periudhën e Jelcinit. Nano i shëmbëllen më shumë Jelcinit jo thjeshtë për faktin se është pijanec, por për faktin se periudha socialiste e Nanos ka qenë periudha e kulmit të lulëzimit të pakontrolluar të oligarkëve. Nuk mund të mohohet se Berisha erdhi në pushtet me premtimin se do të vinte nën kontroll oligarkët, “dukët e krimit”, “klanin e Zemunit”. Sipas meje nuk gabojmë po të themi se Berisha erdhi edhe me ëndrrën e fshehtë që të bëhej një Putin në kuptimin që përshkrova më lart. Pyetja sot shtrohet: a u bë dot një Putin, a ka perspektivë të bëhet një Putin apo mos vallë do të bëhet Rama një Putin? Mjafton Gërdeci për të arritur në konkluzionin se Berisha nuk është bërë dot një Putin, se oligarkët, - tani një pjesë të lidhur më shumë me PD, - vazhdojnë të jenë më të fortë se shteti. Po atëhere pse analizën mbi marrëveshjen PD - PS e kam konsideruar si rrugë të mundëshme drejt Putinit, por edhe jo? Le të shpjegohem.
Ajo çka kam dashur të them është se kjo marrëveshje është: së pari, shenjë e monopolizimit të pushtetit nga këto dy parti, çka përputhet me tipare karakteriale të Berishës dhe Ramës për të grumbulluar tërë pushtetin në duart e tyre: së dyti, duke patur parasysh se të dy përfaqësojnë interesa oligarkësh, shpesh të njëjtët, kjo marrëveshje është edhe shenjë se interesi i oligarkëve politikanë dhe politikanëve oligarkë të të dy krahëve sot është të sigurojnë pasurinë që kanë vënë e të ndajnë me mirëkuptim pushtetin dhe paranë e nesërme, e jo të akuzojnë njëri tjetrin për korrupsion; së treti, se me eliminimin e njërit ka shumë gjasa që partia e tjetrit të mbetur në pushtet të bëhet shumë e fuqishme edhe pasi me këtë kod zgjedhur është gati eliminuar mundësia që parti të tjera t’u rrezikojnë pushtetin. Kështu mund të arrijmë në një parti të gjithpushtetshme si ajo e Putinit në Rusi që sundon thuajse e pashqetësuar. Megjithatë nxitoj të shtoj se kjo mund të jetë veçse një ëndërr e shkurtër sepse ne nuk mund të ndërtojmë një kapitalizëm autoritar si ai i Putinit. Pse?
Së pari, e mbi të gjitha, sepse, siç them në shkrimin para këtij “ekonomia e ngritur nga oligarkët tanë është shumë e brishtë, shumë aventureske dhe spekulative për të hedhur themele të qëndrueshme të një kapitalizmi autoritar”. Putini e ka rritur realisht mirëqënien ekonomike. Oligarkët rusë prodhojnë realisht, nxjerrin gaz e naftë së paku. Kanë kështu një pushtet ekonomik, e për rrjedhojë politik, shumë më të qëndrueshëm dhe shumë më formal. Kurse oligarkia jonë në më të shumtën pasurohet në sajë spekulimesh, trafiqesh, informaliteti dhe grabitjeje të publikes, pa prodhuar gjë dhe kjo e bën pushtetin e saj ekonomik e politik shumë më të paqëndrueshëm. Po ashtu kapitalizmit tonë i mungon ideologjia, një besim dhe një vizion përbashkues qoftë edhe nacionalist dhe i mungojnë edhe strukturat të tilla politike të organizuara dhe disiplinuara nën këtë frymë si ish KGB- ja e Putinit.
Shqipëria e Sali Berishës dhe Edi Ramës sot po vazhdon kapitalizmin anarkik, të informalitetit Në kapitalizmin anarkist shteti e ligji nuk kanë kontroll as mbi territorin as mbi ekonominë, përkundrazi ata punojnë thjeshtë në interesa të oligarkëve që kanë kapur shtetin duke e mbajtur atë qëllimisht të dobët. Gërdeci e ilustroi këtë më së miri. Kemi të bëjmë pra më shumë me një pushtet njerëzish pa vizion afatgjatë, pa frymëzim kolektiv në atë që bëjnë dhe pa mbështetjen e qëndrueshme të një ekonomie të ligjshme. Kjo i bën të jenë më shumë një bandë që jeton me plaçkitje të përditëshme, e që njerëzve u premton liberal-demokracinë për komoditetin e vet të brendshëm e të jashtëm.
Diçka e ngjashme me përshkrimin që i bën Putinit në Rusi opozita. Kasparovi e akuzon atë se edhe ai është i korruptuar se po majm vetëm oligarkët e tij dhe se në emër të interesave të këtyre dhunon të drejtat e njeriut midis të tjerash edhe lirinë e shtypit. Edhe në qoftë kështu përsëri nuk mohohet se atje këta oligarkë KGB-istë prodhojnë, jo vetëm grabisin dhe duket se edhe paguajnë taksa në emër të një Rusie të fuqishme edhe ushtarakisht. Prandaj mendoj se nuk është e gabuar që ai rus të quhet kapitalizëm autoritar përballë kapitalizmit tonë anarkist e informal. Por kapitalizmi autoritar dhe kapitalizmi anarkist nuk ndahen në çdo gjë. Një nga të përbashkëtat është se ata mund të jenë që të dy burime pushtetesh të rrezikshëm për liritë ndoshta me ndryshimin se ky i dyti është më pak i qëndrueshëm e më pak jetëgjatë për shkaqet që u përpoqa të shpjegoj. Sot, duke përjashtuar një pakicë njerëzish që kanë më të shtrenjtë lirinë sesa xhepin pjesa më e madhe e shqiptarëve do ta pranonte, megjthatë, një kapitalizëm autoritar të tipit Putin përpara këtij që kemi.
Por nuk mund të mos ngrihen disa dilema duke ballafaquar këta dy lloje kapitalizmash. Dilema të tilla si: a mund të kalohet më lehtë në liberal-demokraci nga kapitalizmi autoritar apo nga ai anarkik? Mos vallë kapitalizmi anarkik ka si rrugë të tij drejt liberal-demokracisë kapitalizmin autoritar? Apo mos vallë ne na duhet një forcë njerëzish të rinj, me një besim të ri dhe një organizim i ri që t’i luftojë të dy këta rreziqe në emër të lirisë dhe demokracisë? Personalisht mendoj se duhet të luftojmë për këtë të tretën.
Friday, May 2, 2008
Kapitalizmi autoritar dhe kapitalizmi anarkist
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
1 comment:
Kapitalizmi autoritar eshte bere se fundmi popullor nga sukseset ekonomike te disa vendeve kyce qe e aplikojne kete sistem: Rusia dhe Kina. Ne Rusi Putin dhe klika e ish-agjenteve te KGB-se rreth tij fitojne popullaritet ndersa zberthejne dalengadale edhe ato pak mekanizma qe mund te sjellin qofte edhe ndryshim gradual te sistemit qe ai ka ngritur e po ngre. Popullariteti ne Rusi i Putin si simbol i sistemit kapitalist autoritar vjen nga dy burime: stabiliteti politik dhe nga mireqenia e rritur kryesisht ne saje te nxjerrjes se resurseve natyrore energjitike, naftes dhe gazit, si dhe rritjes se cmimit te ketyre lloj resurseve ne tregun boteror.
Megjithate per te cituar artikullin e "Foreign Affairs" te permendur dhe tek blog-u i Fatos Lubonjes, niveli i korrupsionit ne Rusine e sotme eshte me i madh krahasuar me ate te periudhes se Jelcinit. Kjo eshte e vetekuptueshme pasi tashme rrethi i oligarkeve rreth Putinit ka pushtet te pacenuar nga asgje dhe askush.
Nese gjykojme pak me ne perspektive kapitalizmi autoritarist ka shume efekte negative afatgjata qofte ekonomikisht ashtu dhe politikisht. Ne radhe te pare korrupsioni galopant dhe varesia gati totale e ekonomise nga burimet energjitike e kane shnderruar ekonomine ruse ne nje monokulture te paafte per te konkuruar ne produkte me teknologji te larte. Poashtu niveli i ulet i konkurences qe sjell korrupsioni jane helm per fuqine inovative te nje vendi dhe per nderrmarrjet e vogla dhe te mesme te cilat perbejne nje nga shtyllat me te rendesishme te demokracive liberale.
Politikisht "kapitalizmi autoritarist" eshte akoma me i demshem se ekonomikisht. Nje kapitalizem autoritarist popullor i subvencionuar nga cmimet e larta te naftes e gazit si ai rus legjitimizon idene se shkelja e lirive dhe te drejtave te njeriut e korrupsioni jane akoma menyra te suksesshme per te qeverisur nje vend. Kjo mendesi lejon rikthimin pa shume mund te sistemeve totalitare.
Per me teper, gjate kapitalizmit autoritarist kalimi ne nje sistem liberal behet shume me i veshtire sesa c'do te mund te behej ky kalim nga nje sistem kapitalist anarkik. Kjo sepse ndersa gjate kapitalizmit autoritar kalimi nga nje sistem ne tjetrin do te varej vetem nga "emancipimi" i klases se oligarkeve ne pushtet, nje sistem kapitalist anarkik lejon te pakten teorikisht ngritjen e nje force alternative (te trete, te katert apo te peste) me potencial te larte per te ndryshuar sistemin.
Ne Shqiperi, kushtet per te krijuar dhe financuar kete lloj force te trete ekzistojne. Ndersa per Rusine subvencionimi i kapitalizmit autoritar vjen nga cmimet e larta te naftes dhe gazit kapitalizmi anarkik shqiptar subvencionohet per mendimin tim nga remitencat e emigranteve dhe vete procesi i emigracionit (pra largimi i shume te rinjve e te rejave vitale nga vendi duke zbutur problemet sociale etj).
Ndryshimi i marredhenieve te suvencioneve ka shume gjasa te ndryshoje dhe sistemin ne Shqiperi. Subvencionimi nga remitencat ka gjasa te zhvillohet ne dy kahe te ndryshme. Njeri kah do te ishte zvogelimi gradual i remitencave pra praktikisht heqja e subvencioneve. Kjo menyre eshte problematike pasi natyrisht rrit varferine ne Shqiperi dhe ne kete menyre rrit edhe shanset per ndryshime populiste si psh. kalimi ne kapitalizem autoritar. Kahu i dyte do te ishte qe remitencat te beheshin politike. Pra emigrantet qe dergojne remitenca te behen te ndergjegjshem per forcen politike te remitencave te tyre dhe te kerkojne ne menyra te ndryshme me teper ndikim politik. Ndikimi politik mund te vije nepermjet fitimit te te drejtes se votes per emigrantet dhe financimit nga ta te partive politike qe mbrojne interesat e tyre. Nese kemi parasysh qe pjesa me e madhe e emigranteve shqiptare jane ne vendet fqinje (Greqi e Itali) e lidhja e tyre me Shqiperine mund te ushqehet per nje kohe te gjate del qe remitencat nuk do te zvogelohen shpejt. Pra mbetet menyra e dyte (remitencat shoqerohen me ndikim politik) qe sidoqofte nuk mund te ndodhe vetvetiu por kerkon agjente shoqerore per tu nisur si proces.
Post a Comment