Monday, July 7, 2008

Kriza e një “zhvillimi” të paqëndrueshëm

Dëgjova me vëmendje të veçantë deklaratën e para dy tre ditëve të kryetarit të shoqatës së ndërtuesve Shkëlqim Bumçi lidhur me vështirësitë që ka ndërtimi, rrezikun e falimentimit të firmave ndërtuese dhe kërkesën që i bëhej qeverisë për të ndërhyrë. Mbeta i habitur se sa pak jehonë gjeti kjo deklaratë. Ndoshta ajo pati kaq pak jehonë sepse ne jemi një popull që të keqes nuk duam t’i dalim përpara, por urojmë që ajo të na vijë sipas asaj shprehejs sonë popullore: “Në kokë e në gropë”. Më kujtohet se deri kur erdhi kriza e falimentimit të piramidave financiare askush nuk donte ta besonte se ajo po vinte.
Bumçi i lidhi vështirësitë kryesisht me rritjen e çmimeve të hekurit, të karburantit dhe e vuri theksin tek kompanitë e ndërtimit të rrugëve publike, ndonëse nuk e mohoi se këto “vështirësi” prekin edhe kompanitë e tjera të ndërtimit. Sipas meje vështirësitë janë më të gjera dhe lidhen, po ashtu, me shumë shkaqe të tjera ndër të cilat edhe me mungesën e vizioneve dhe planeve afatgjata strategjike të qeverive tona, krizën botërore të rritjes së çmimeve të karburantit hekurit etj., por edhe me krizën që ka përfshirë sektorin e ndërtimit këtu dhe në gjithë botën.
Deklarata e Bumçit më kujtoi intervistën e një analisti spanjoll që komentonte rezultatin e zgjedhjeve në Spanjë dhe sfidat e reja që e presin Zapateron e rizgjedhur. Sipas analistit sfida më e madhe që e pret Zapateron është ajo ekonomike. Shkaku: sepse ekonomia spanjolle, që njihet për bumin e saj, ka filluar rënien. Dhe shkaku i kësaj rënieje ka ardhur ngase rritja është realizuar kryesisht në sajë të industrisë së ndërtimeve kombinuar me atë të turizmit. Tani kërkesa ka rënë shumë. Ka një numër të madh apartametesh të pashitur. Ajo çka duhet të bëjë Zapatero, sipas analistit, është pikërisht t’i hapë një udhë të re ekonomisë duke e transferuar/transformuar këtë industri të ndërtimit në diçka tjetër. Me fjalë të tjera ata që kanë investuar deri dje në ndërtim dhe prodhimin e tërë asksesorëve të tij duhet t’i investojnë paratë e tyre gjetkë dhe sfida e qeverisë është t’i japë drejtim kësaj pune.
Më tërhoqi vëmendjen ky moment i analizës së spanjollit, pasi kishte lidhje me realitetin shqiptar. Personalisht kam kohë që ngre shqetësimin përsa i përket investimeve të parasë së shqiptarëve kryesisht në industrinë e ndërtimit e cila, duke patur parasysh edhe aksesorët e vet, që ne nuk i prodhojmë, por i importojmë, ka qenë industria që ka mbajtur gjallë për mirë dhe për keq ekonominë e vendit. Them për mirë në kuptimin e punësimit, të shpërndarjes së parasë dhe të zgjidhjes së problemit të strehimit. Them për keq duke patur parasysh shfrytëzimin e egër, barbar dhe pa vizion që i ka bërë kjo industri burimeve tona natyrore që vende vende, veçanërisht, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarancë ka shkaktuar katastrofa urbane, ekologjike kulturore të pakthyeshme. Them për keq edhe pse, duke e parë nga pikpamja e zhvillimeve afatgjata ose “të qëndrueshme” siç mbiquhet sot një zhvillim i shëndoshë, kjo ka krijuar një ekonomi që vetëm konsumon, nuk prodhon, prandaj e destinuar të futet në krizë.
Sipas meje deklarata e Bumçit kishte brenda farën e paralajmërimit të kësaj krize dhe të qëndrosh indiferent ndaj saj më duket të mbash një qëndrim vetvrasës. Sot më duket se nuk shtrohet më çështja se qytete të tilla si Tirana, Durrësi janë bërë qytete të pabanueshëm sepse nuk ke ku të marrësh frymë, se nuk ke ku parkon makinat, se nuk ke ku ecën më këmbë. Sot nuk ka më kuptim të thuash se arkitekti dhe ndërtuesi, kur projektojnë e ndërtojnë, nuk duhet të mendojë vetëm për ata që banojnë brenda ndërtesës që ngrenë dhe as vetëm për lekët që do të fitojnë sot, por edhe për “klientin” jashtë, për peisazhin qe i marrin atij e vlerën që i ulin apo i ngrenë një qyteti të tërë me atë që bëjnë, pasi duke jetuar në shëmtirë shtypesh e mbushesh me negativitet të cilit kërkon pastaj t’i ikësh. Sot më duket se nuk ka më kuptim as edhe të thuash, siç më shkruante një mik para disa ditësh: “Ky shkatërrim, kjo ndotje çmendurisht e ambientit, uzurpim total i çdo sipërfaqeje, në gjuhën e ambientalistëve te sotëm, quhet “bombë paqësore”, sepse është me veprim të ngadaltë. Dhe, çfare ndryshimi ka midis një vrasësi që të vret në çast ,dhe këtyre që ta marin jetën gradualisht?”
Nuk ka kuptim kjo sepse tashmë ky është një realitet gati i pazhbëshëm, ndonëse gjithnjë ka vend për atë shprehjen “nuk është kurrë tepër vonë.” Por sot kam frikë se nuk kemi të bëjmë vetëm me bombën me veprim të ngadaltë, por se në deklaratën e Bumçit ndjehej rreziku i bombës që mund të shpërthejë shpejt. Ne nuk kemi studime për këtë zhvillim kaotik e të paqëndryeshëm që ka sjellë industria e ndërtimit. As vetë shoqata nuk ka bërë të tilla. Ajo më shumë është marrë me mbrotjen e interesve imediate të ndërtuesve që nuk kanë pasur aq shumë nevojë për këtë sepse shumica e tyre janë edhe pronarë mediash. Por që, duke parë realitetin përreth, thjeshtë dhe vetëm me perceptim arrin në përfundimin se faza e atij “zhvillimi” që lidhej kryesisht me ndërtimin është duke marrë fund në mos pastë hyrë tashmë në krizë kjo më duket evidente. Mjafton të kesh parasysh një gjë: Ne po vazhdojmë të ndërtojmë qendra biznesi pa numër. Por me çfarë logjike ekonomike ndërtohen këto, me një fjalë sa i përgjigjen nevojave, apo asaj që, me gjuhën e tregut, quhet “kërkesë”? Dikush thotë se përdersa ka kush i blen nuk ka problem. Por a është vërtet kështu: a ka më kush i blen dhe, së dyti, ne duhet të dimë se nga vjen kjo kërkesë, sepse, nëse kjo është kërkese e trafikantëve të drogës për të pastruar para siç deklaronte dikur, kur ishte në opozitë, kryeministri ynë Sali Berisha, kjo nuk është kërkesë normale tregu, kjo është thjesht një mënyrë për të shplarë paranë, por nuk siguron vazhdimësi ekonomike. Ajo punon thejshtë në funksion të vetvetes. Jo vetëm, por tërë këto qendra biznesi po bëjnë edhe një dëm tjetër të madh. Nuk është puna vetëm se këto po zaptojnë hapësira jetike gjelbërimi, se po lenë pa punë njëra tjetrën, por këto po u heqin banorëve edhe ato pak mundësi që kanë për të dhënë me qira shtëpitë e tyre. E njëjta gjë më duket se mund të thuhet edhe për aparatmentet që po ndërtohen. Thuhet se një përqindje e vogël njerëzish zotëron deri edhe mbi dhjetë të tilla që rrinë bosh. Me fjalë të tjera perceptimi që kam, i pabazuar siç thashë në studime serioze sepse ne na mungon ende regjistrimi i popullsisë e jo më i pasurisë, - dhe ndoshta jo rastësisht, - është se ne kemi krijuar një pasuri fiktive, të cilës po ia ulim vlerën dita ditës duke shtuar çimentifikimin e që, po të duam nesër ta shesim do të ketë shumë herë më pak vlerë nga sa na e mer mendja sepse nuk na e blen kush, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk mund ta mirëmbajmë dot e aq më pak të prodhojmë pasuri të re prej saj. Se kemi të bëjmë, pra, me një zhvillim të paqëndryeshëm që ka arritur pikën e tij të krizës së paqëndryeshmërisë. Po të kesh parasysh atë që ka ndodhur në plazhin e Durrësit më duket evident ky konstatim. Vlera ekonomike e atij plazhi nuk është rritur, por është duke u pakësuar dita ditës që atje ndërtohet. Duket sheshit se atje ndërtimi nuk është më një mjet që funksionon për prodhuar të mira për të gjithë, por në të mirë të vetvetes ndoshta edhe thjeshtë ngase nuk gjen rrugëdalje tjetër investimi.
Kështu e lexova unë deklaratën e kreut të shoqatës së ndërtuesve i cili, ndoshta, nuk kishte këtë qëllim, por të mbronte edhe një herë interesa imediate ndërtuesish. Qytetarët e thjeshtë janë të pafuqishëm, për ta ndalur këtë zhvillim të paqëndrueshëm ngase të painformuar dhe të papërfaqësuar. Por, duke përsëritur edhe një herë thënien “nuk është kurrë tepër vonë”, them se në të mirë të tyre pushtetarët tanë qendrorë dhe lokalë, si dhe ndërtuesit më të përgjegjshëm, që nuk kanë ditur e dashur t’i japin deri më sot një rrugë të qëndrueshme këtij zhvillimi të paqëndrueshëm, nëse e lexojnë edhe ata kështu, do të kenë ende edhe pak kohë për të evituar një krizë të re të rëndë ekonomike që na kanoset. (Korrieri, 30 qershor 2008)




1 comment:

Anonymous said...

Zoti Lubonja, shpresoj te shkruani dicka dhe per projektin "Tirana Rocks".

http://img293.imageshack.us/img293/7851/tiranarocksjz4.jpg