Monday, June 22, 2009

Zgjedhjet evropiane dhe Shqipëria

Zgjedhjet për në Parlamentin Evropian që u mbajtën në vendet e BE këtë muaj kaluan ne Shqipëri thuajse pa u ndjerë - veçanërisht në kuptimin e analizimit të tyre nga këndvështrimi i një vendi që aspiron të bëhet pjesë e BE. Kam përshtypjen se do të kalonin kështu edhe sikur të mos ishim në periudhën e tam-tameve të fushatës sonë elektorale pasi ne vazhdojmë të jemi shumë të izoluar në informacion dhe në përgjithësi kulturalisht përsa i përket asaj që ndodh, në Evropë. Por fushata sikur e injoroi krejt kësaj here lajmin, duke treguar, më anë tjetër, në mënyrë edhe më groteske se, kur bëhet fjalë për Evropën, politika jonë mjaftohet me përdorimin e saj në mënyrë fetishizuese për të manipuluar publikun Të vetmet reagime që më kanë rënë në sy kanë qenë ato të shtypit pranë PD ku mbizotëron “lajmi” se meqënëse e djathta fitoi në Evropë ky është një ogur i mirë edhe për të djathtën shqiptare më 28 Qershor. Tek tuk në shtyp mund të gjeje ndonjë artikull të huaj mbi këtë temë ndër të cilët më tëhoqi vëmendjen një shkrim i një gazetari të El Mundos, ribotuar në Standart, i cili kishte si ide qendrore atë se Evropa ia besoi zgjidhjen e krizës ekonomike të djathtës. Ndërkaq vendin e analizave mbi Evropën e zenë, me germa të mëdha, parrullat elektorale mbi lëvizjen “me viza” apo “pa viza” nëpër Evropë, fatkeqësisht pa më të voglën përpjekje për t’i lidhur këto me ndonjë analizë të këtij rezultati zgjedhjesh.
Të paktën për të ditur se ku jemi dhe ku po shkojmë besoj se këto zgjedhje meritonin të diskutoheshin shumë më seriozisht sepse rezultati i tyre, fitorja thuajse gjithkund e së djathtës, nuk është pa domethënie për ne dhe të ardhmen tonë evropiane. Për të mos u zgjatur më me hyrjen, më duhet të them se, sipas gjykimit tim, për fat të keq, dëmethënia e zgjedhjeve parlamentare evropiane të këtij viti nuk është hiçasfare ogurmirë për ne, qofshim të djathtë apo të majtë, e kjo jo thjesht në kuptimin e vizave.
Përse nuk është ogurmirë? Nga të gjitha analizat serioze që i janë bërë rezultatit të zgjedhjeve evropiane rezulton se një nga shkaqet kryesore që ka përcaktuar fitoren e së djathtës është e ashtuquajtura “çështje e sigurisë”. Dhe me këtë togfjalësh nuk kuptohet tjetër, por mbrojtja e qytetarëve evropianë nga rreziku i të huajve si puna jonë. Një shprehje figurative shumë e përdorur nga gazetarët perëndimorë në analizimin e strategjisë elektorale që e çoi të djathtën në fitore është “kalërimi i frikërave” të vendasve nga të huajt. Në Itali një nga fletushkat elektorale më të turpshme që më ka rënë në dorë në prag të zgjedhjeve parlamentare ishte ajo e Lega Nord në të cilën u thuhej italianëve: “Nuk do të përfundojmë si indianët”, “Po vijnë tanët” dhe më poshtë kishte një foto me tre katër policë me pendrekë në dorë. Eshtë domethënëse që kjo parti arriti kësaj here një rezultat rekord në historikun e saj: mbi 10%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera evropiane ku ai që quhet ekstremi i djathtë, me programe të hapura raciste kundër të huajve, ka pasur një rritje të ndjeshme.
Përtej manipulimit që bëhet me këtë çështje duhet pranuar se qoftë emigracioni klandestin, qoftë ai i ligjshëm qoftë edhe futja në BE e vendeve si Rumania apo Bullgaria, me lirinë e lëvizjes që ka sjellë kjo futje, ka krijuar jo pak probleme për mirëqënien dhe sigurinë e evropianëve në vendet e tyre. Megjithatë problemi i problemeve është qasja ndaj zgjidhjes së këtyre problemeve. E, në këtë kontekst, është i njohur fakti se e majta dhe e djathta ideologjikisht kanë dy qasje të ndryshme, ndonëse kohët e fundit janë afruar shumë njëra me tjetrën duke u bërë gjithnjë e më pragmatike. Gjithsesi, dallimet mbeten. Qasja e së djathtës është më konservatore, çka do të thotë se ajo priret më shumë ta refuzojë ndryshimin që sjell emigracioni apo integrimi i vendeve të reja në Evropë, kulturalisht ajo është për asimilimin e të huajve; ajo mbështetet gjithashtu në mjetet e forcës, në dëbimin e emigrantëve klandestinë apo kufizimin e mundësive për ata legalë, Ndërkaq, krahët më ekstrme të saj kanë qasje të forta nacionaliste që po bëhen gjithnjë e më raciste. Qasja e së majtës, përkundrazi, e pranon më shumë ndryshimin në emër të progresit, kulturalisht ajo është më shumë për pranimin e diversiteteve si pasurim, thekson më shumë anët pozitive që sjell emigracioni dhe futja në BE e vendeve të tjera, i mshon më shumë mikpritjes, punësimit dhe arsimimit sesa dëbimit e kërbaçit të policisë.
Kuptohet se, duke patur parasyh këto dy qëndrime, fitorja e së djathtës merr një domëthenie negative për ata si ne që jemi vend emigrantësh, që aspirojmë të qarkullojnë lirshom në BE dhe të bëhemi sa më shpejt pjesë e saj. Çështja e sigurisë nga të huajt, si kalë beteje i politikës së djathtë perëndimore, nuk është një çështje që ka të bëjë thjesht e vetëm me emigrantët e rregullt apo klandestinë. Ajo ka të bëjë edhe me programet që e djathta ndërton mbi të ardhmen e pranimit në Evropë të shumë vendeve që nuk kanë hyrë ende. Dihet se një pjesë e mirë e së djathtës evropiane gati e ka shprehur hapur pendimin për futjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në BE dhe, në përgjithësi, në projektet e së djathtës ka shumë më tepër skepticizën ndaj projektit të zgjerimit evropian. Projektet e së djathtës evropiane e vonojnë antarësimin e vendeve të ndryshme dhe, për më tepër, një pjesë e rëndësishme e të djathtës në pushtet ka shprehu hapur refuzimin për hyrjen në BE të një vendi si Turqia.
Besoj se do të ishte miopi e madhe nga ana jonë të mos e shihnim këtë realitet e të mos kuptonim se, me fitoren e së djathtës, na shtyhen edhe më larg shpresat për një integrim në Evropë – pa përjashtuar se me zhvillimet e paparashikuara të krizës ekonomike në një perspektivë më të keqe edhe mund të na bllokohen për një kohë shumë të gjatë - dhe po ashtu se emigrantëve shqiptarë, me një fitore të së djathtës, do t’u vështirësohet jeta edhe më.
Le të vijmë tani tek kriza ekonomike dhe ideja e gazetarit të El Mundos se Evropa po ia beson të djathtës zgjidhjen e krizës. Këtu, në fakt, ka një paradoks sepse të gjithë analistët kanë arritur në përfundimin se një nga shkaqet kryesore të krizës ka qenë trajektorja neoliberiste, e djathtë pra, që mori ekonomia; “laiser faire” që solli humbjen e kontrollit të tregut nga shteti duke provuar, njëkohësisht, se tregu nuk mund të vetërregullohet, por ka nevojë për kontroll. Fakti është se reformat që po bëhen sot për të dalë nga kriza janë reforma me frymë kejnesiane, me një fjalë të majta. Pra fakti që shtete perëndimore si Anglia po nacionalizojnë banka për të dalë nga kriza apo që në SHBA Obama po shton investimet publike tregon se partitë e majta do të ishin më të favorizuara për zgjidhjen e krizës. Madje SHBA, zgjodhi një president të majtë mu për shkak të krizës dhe programi i tij shpëtues – pavarësisht nëse do t’ia dalë apo jo - është majtas. Atëhere si ka mundësi që Evropa ia beson krizën të djathtës?
Përsëri, kur të analizojmë shkaqet e kësaj zgjedhjeje – që nuk se janë një i vetëm dhe ndryshojnë nga vendi në vend – nuk mund të mos i rikthehemi edhe një herë çështjes së të huajve. Duke analizuar ngritjen e jashtëzakonshme të Lega Nord nuk mund të mos të të bjerë në sy se kjo parti, sidomos në Veri, ku ka zonën e saj më të suksesëshme, ka marrë shumë vota të punëtorëve italianë që kanë qenë vota të së majtës italiane. Shkaku është shumë i thjeshtë: një nga premtimet kryesore të Legës është se vendet e punës dhe jo vetëm, por edhe strehimi e shkollimi etj. do të jenë më së pari për italianët. Kriza ekonomike ka rritur edhe konfliktin midis punëtorëve vendas dhe punëtorëve të huaj përsa i përket vendit të punës. Një nga arritjet më të mëdha që reklamoi Lega në fushatën elektorale ishte fakti i ndalimit më në fund të klandestinëve që arrinin në ishullin e Lampeduzës nga brigjet e Afrikës Veriore ndonëse aktivistët e të drejtave të njeriut kthimin e afrikanëve në Libi, ku i fusin nëpër kampe burgje, e denoncojnë si shkelje të të drejtave. Pra ndërkohë që në SHBA, ku kemi një shoqëri emigrantësh, multikulturore, multiraciale që arriti të zgjedhë për president një të zi, zgjidhja e krizës i është lënë demokratëve që janë si të thuash qendra e majtë amerikane, në Evropë janë nacionalizmi e racizmi, në trajtën e frikës ndaj të huajve, që kanë diktuar më së shumti zgjedhjen djathtas edhe përsa i përket krizës.
Çështja e sigurisë e ka çuar edhe të majtën evropiane më djathtas. Në fakt edhe Spanja e Zapateros, që njihet si një i majtë i thekur përsa i përket disa prej temave kryesore të së majtës, ka hartuar ligje për dëbimin e klandestinëve që aktivistët e të drejtave të njeriut i quajnë të turpshme.
I gjithë ky realitet që ka sjellë në pushtet partitë e djathta në Evropë, sikurse duket qartë, nuk ka asgjë të ngjashme me realitetin shqiptar. Shqipëria nuk është një vend i kërcënuar nga emigrantët, por një vend emigrantësh. Fitorja e të djathtave në BE do të thotë vështirësi më të mëdha jetese për këta emigrantë, do të thotë edhe më pak mundësi ndihmash për në Shqipëri, do të thotë vonesë për qarkullimin e lirë në vendet e BE dhe, me siguri, do të thotë edhe vonesë për hyrjen në Evropë. Nëse mund të flitet për kërcënim të Shqipërisë kur flitet për raportin e saj me vendet e BE ai mund të vijë nga përdorimi prej tyre i Shqipërisë për politika të tipit neokolonialist që synojnë të shfrytëzojnë terrenin shqiptar për të realizuar ato projekte që nuk i realizojnë dot në vendet e tyre (e kam fjalën për parqet industriale, petroliferat, fabrikat e çimentos, termocentralet me qymyr etj.) Dhe këto (përsëri) mund të inkurajohen më shumë nga qeveritë e djathta perëndimore sesa ato të majta, pasi ato janë më të prirura për të parë çdo gjë thjeshtë në prizmin e ekspansionit të kapitalit të vendeve të tyre dhe më pak të ndjeshme ndaj problemeve të ambjentit.
Për gjithë sa thashë dhe për plot arsye të tjera që nuk shterohen dot në këtë shkrim mendoj se fitorja e së djathtës në këto zgjedhje evropiane duhet marrë shumë më seriozisht nga ç’merret në Shqipëri ku mazhoranca s’bën tjetër veçse na tund para syve premtimin iluzor të lëvizjes pa viza në Evropë kurse opozita i kundërpërgjigjet duke thënë thjeshtë e vetëm se kjo është një gënjeshtër që do të bëhej e vërtetë vetëm sikur të vijë ajo në pushtet. (Korrieri, 18 qershor 2009)

2 comments:

Anonymous said...

Tema eshte me shume vend per t'u analizuar. Vertet te habit "entuziazmi" i Berishes per ngjyrosjen me "blu" te Evropes dhe premtimin se mbas 29 qershorit edhe Shqiperia do te ngjyroset po "blu". Keto qendrime bejne pjese thjesht ne servilizmat ekstreme pa pike dinjiteti per veten dhe vendin qe perfaqsojne, qe drejtuesit tane i kane karakteristike.

Ndersa sa per rolin e te majtes apo te djathtes ne lindjen e krizes, analizat me te hollesishme, qe shkojne pertej propagandimit te se dukshmes, evidentojne se kriza u krijua pikerisht per shkak te ndikimit te shtetit ne ekonomi, e konkretisht ne kredidhenie, duke favorizuar per shkak te premisave politike dhe dhene garanci bankave per kreditimin per blerje shtepish te nenshtresave, qe faktikisht dihej qe nuk mund te kishin mundesi pagimi. Nje fare programi social ku perzihej shteti me sistemin bankar, duke bere te dukej ne front te pare kete te fundit. Origjina e kesaj fillon me drejtimin e demokrateve me Klintonin ndersa efektet dhe shperthimi qe tronditi ne forme zinxhiri gjithe boten, u shpalosen ne kohen e Bushit, duke i dhene atij gjithe kreditet per gjithshka ndodhi, madje edhe ato te pamerituara.

Anonymous said...

I Nderuari Zoti Lubonja,
keni shume te drejte kur thoni se fitorja e bindshme e se djathtes ne BE perben nje pengese tashme per antaresimin e plote te Shqiperise ne te. Por ne Gjermani per ceshtjen e Turqise mbizoteron nje fare kompromisi nga te dyja kahet partiake, psh. dhe SPD-ja dhe te blertet (Bündnis 90) jane shprehur kunder antaresimit te vendeve vijuese ne BE. Me duket se dhe formula e "pasurimit" te shoqerise gjermane nga te huajt, kryesisht me prejardhje turke, eshte nje farse dhe reduktohet vec ne aspekte folklorike si ushqimi, muzika etj. dhe nuk me kete qellim ata jane te damkur te jene ndryshe, sepse pikerisht kjo sjell nje "pasurim" te shoqerise.Pra nje turk quhet me doemos te jete musliman, te ushqehet me doner/ kebap, dhe te degjoje muzike turke qe te shkoje me kete formule.
C'ka eshte e e rendesishme per mua, qe dhe Ju e theksuat, se ne kushtet aktuale te krizes ekonomike ne Evrope, mbingarkimi i BE-se me vende qe aspirojne per antaresim, shihet besoj me shume pakenaqesi si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Pakenaqesite vitet e fundit jane shprehur me se qarti nga populistet (ekstrei i djathte) po dhe nga e majta ekstreme ne Gjermani (die Linke), megjithese keta te fundit nga programi i tyre politike ato qendrojne per integrim te te huajve dhe azilanteve.
Une i ndjek vazhdimisht mediat shqiptare dhe me ben pershtypje euforia e se djathtes teksa marrin nje vleresim per zhvillimin e vendit nga BE-ja, duke cituar vetem ato rreshta pozitive ne raportet e BE-s kundrejt Shqip. dhe duke lene jashte realitetin aktual qe ne BE eshte koha per te gjetur nje zgjidhje te problemeve te brendshmese pari dhe me pas mund te dikutohet per zgjerime te mundshme.