Tuesday, September 1, 2009

Liderët e perjetshëm dhe demokracia

“Në Shqipëri, ku gjithshka mbështetet mbi klane familiare apo tribale, kapua duhet të jetë mbi të gjitha dikushi, një personazh, një personalitet, kurse bindjet e tij apo mendimi i tij politik janë një gjë sekondare”. Këtë frazë e lexova në një reportazh udhëtimi të shkrimtarit polak Andrzei Stasiuk të botuar bash disa ditë para zgjedhjeve në revistën italiane “L’Espresso”. Më erdhi natyrshëm ta vendos në krye të këtij shkrimi, që synon një koment mbi çka ndodhi në PS këto ditë me Asamblenë ku u diskutua, me dyer të mbyllura për mediat, ndonëse, çuditërisht, në një restorant, qëndrimi i PS ndaj zgjedhjeve por ku, në fakt, u zhvillua akti i parë i rikonfirmimit të Ramës në krye të PS që, mesa duket, do të ketë si akt të dytë dhe përmbyllës Kongresin e Jashtëzakonshëm në fund të gushtit.
Para së gjithash duhet thënë se kush pretendonte se do të ndodhte ndryshe: pra se Edi Rama do të linte udhëheqësinë e PS dhe do të tërhiqej në punët e tij në Bashki duke i thënë edhe lamtumirë politikës më pas, e duke i hapur udhë të rinjve, ose është naiv ose nuk kupton gjë nga kultura shqiptare. Nuk mund të ndodhte kështu sepse, antropologjikisht, partitë tona janë ndërtuar në mënyrë të atillë që kapua i klanit apo i tribusë nuk e le pushtetin derisa të vdesë, ose ta zbresin me dhunë nga kali – siç ka thënë njëherë e një kohë për Berishën Namik Hoti. Vëreni se çfarë ndodh në të gjitha “klanet” apo “tributë” me të cilat është ndërtuar shoqëria jonë, që nga organizatat më të vogla joqeveritare e deri tek partia më e madhe në pushtet. Të gjithë liderët aty ku kanë qenë i ke: në krye të pushtetit. Edhe Fatos Nano, aq i mirëpërmendur për aftësitë e tij për të dhënë dorëheqje, e që mund të quhet, në një farë kuptimi, hibrid kulturor, nuk ka hequr dorë nga pretendimi për të ndejtur në politikë, madje ka luajtur edhe lojën për t’u bërë President i vendit pasi la partinë. Është e vërtetë se në Partinë Socialiste, nën kryesinë e Nanos, ka pasur më shumë demokraci se në PD, por kjo, sipas mendimit tim, ka ardhur për shkak se PS trashëgoi një barrë jo të vogël pas viteve 90: krimet e baballarëve të atyre që morën në dorë këtë parti. Këto u krijonin atyre, një lloj kompleksi, një lloj përulësie, sepse as nuk gëzonin mbështetje popullore në krye të herës. Ishin, pra, në pozitën e humbësit të pushtetit, jo të fitimtarit, çka ua pakësonte arrogancën. Nano megjithsëse në vitet e fundit deklaronte “Jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”, e trashëgoi këtë frymë përulësie dhe, në një farë mënyre, mund te thuhet se sa për antropologjinë e tij aq edhe për kushtet në të cilat u riformësua PS, ai është një hibrid ku dalloheshin, megjithatë, qartë, tiparet e liderit autoritar. Me Edi Ramën PS e ka kapërcyer kompleksin e fajit dhe është futur në hullinë e kulturës sonë të specive të pastra autoritariste, sipas antropologjisë kulturore që përmend edhe Stasiuku.
Kjo antropologji kulturore shpjegon edhe disa fenomene të tjera për të cilat po bëhet sikur po diskutohet sot në PS, por për të cilat është folur pak ose aspak përpara, siç do të duhej të kishte ndodhur në fakt. E kam fjalën për parrullën “përtej të majtës dhe të djathtës” të Edi Ramës apo edhe për “mungesën e programi” të PS që, në analizën që bënte Blushi në Asamble, theksoheshin me të madhe si shkak i humbjes së PS. Por, në fakt, nuk është se Rama nuk kishte program. Programi i Ramës ishte vetë Rama. Ai nuk kishte program sepse mendonte se vetë vetja e tij i mjaftonte PS dhe Shqipërisë, madje. Po ashtu, kjo shpjegon se pse përdorej parrulla “përtej së majtës dhe së djathtës” pasi mendimi politik i një lideri, sikurse thotë edhe Stasiuku, nuk ka shumë rëndësi, është sekondar. A nuk është kështu? Vëreni historinë e Sali Berishës që mund të konsiderohet lideri më i sukseshëm i këtij tranzicioni. Ka qenë komunist i thekur, u bë antikomunist i thekur, flet për të gjitha dhe bën atë që i dikton etja e tij për pushtet, ishte me Bushin bëhet antiamerikan po t’ia lypë pushteti, nesër mund të bëhet edhe me kinezët, mjaft që të jetë në krye, të jetë “dikushi”, “një personazh”, “ një personalitet” që të rrezatojë forcë. E për ta bërë edhe më to fortë këtë rrezatim deklaron se do të qëndrojë në politikë derisa ta thërresë Zoti. E njëjta gjë edhe për Edi Ramën. U nis si antikomunist dhe u bë kryetari i partisë ish komuniste; përqeshte veteranët dhe u bë idhulli i tyre, premtoi kthimim në identitet dhe e shpërndërroi Tiranën aq sa nuk e njeh më kush nuk e ka vizituar për disa vjet. Edhe ai, duke refuzuar largimin nga kreu i PS synon liderin e përjetshëm. Po a nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Ilir Metën. A nuk ka ndërtuar edhe ai një parti të tipit: kur themi LSI nënkuptojmë Ilir Meta dhe kur themi Ilir Meta nënkuptojmë LSI? A nuk thoshte ai deri dje se rreziku më i madh ishte Berisha e se, prandaj, bënte kompromise të pamoralëshme me Ramën kurse sot thotë është Rama më i rrezikshmi dhe bën kompromise të pamoralëshme me Berishën? Po ç’rëndësi ka kjo? Në Shqipëri s’ka rëndësi ajo çka thua, rëndësi ka që të jesh “dikushi”, të dish t’u mbushësh mendjen të tjerëve se ti je kapua, prijësi luftarak, i paepur që krijon rreth vetes klanin më të fortë. Ve bast se edhe Erion Velia, ndonëse më i riu i liderve, nuk do të japë dorëheqjen. Prijësi sipas antropologjisë sonë kulturore është patriarku; atij i lejohet gjithshka: të gënjejë, të vjedhë, të vrasë, të rrahë, të fyejë, të poshtërojë, të humbasë, të miklojë. Ai është babai ynë dhe, derisa të vdesë, do të jetë autoriteti i padiskutueshëm i klanit. Rama është humbës ndaj Berishës mu në këtë kuptim, sepse nuk arriti të ndërtojë një klan më të fortë se të atij. Ai pretendon të kthehet nesër në fitues po në këtë kuptim. Kurse ata që e përkrahin bash këtë kërkojnë prej tij, asgjë më shumë, sepse “derri” Berisha do plumb dhe Rama paraqitet si më i angazhuari për t’i dhënë plumbin. Kjo kulturë shpjegon edhe pse një i moderuar si Blushi paraqitet si i padenjë për të qenë në krye të PS dhe anatemohet vazhdimisht si instrument i Berishës sipas fjalës ”miku i armikut tim është armiku im.”
Duhet pranuar se në “familjen” socialiste “bijtë” e kanë ngritur ndonjëherë zërin, (ndonëse kohët e fundit gjithnjë e më pak), e kanë thënë ndonjë fjalë, dhe babai nuk i ka sikterisur në formën si i sikterisi Berisha pashkot me shokë në fillimet e karrierës së tij. Edhe Blushi e mbështetësit e tij nuk do të sikterisen nga Rama. Por të mos harrojmë se kjo ndodh pasi prijësi, në këtë rast, është humbës dhe i duhet mbështetja e të tjerëve. Prijësat tanë bëhen ca si demokratë kur janë në pozitë të vështirë. Prova e tyre e vërtetë është kur janë në pushtet. Ama vëth në vesh e kanë kundërshtimin që u ke bërë kur kanë qenë të dobët. Sikur prijësi të ishte fitimtar do të shihte Blushi. Pse nuk e ngrinte zërin ai përpara për mungesë programi dhe për politikën e gabuar “përtej të majtës dhe të djathtës”?
E këtu vijmë në anën tjetër të medaljes së kapos. Te gjithë mund të kërkojnë pushtet absolut, të gjithëve mund t’u duket vetja i pagabueshëm, të gjithë mund të mendojnë se janë më të aftët për të drejtuar, problemi është se sa ua lejojnë të tjerët këtë. Kush e ka lexuar me kujdes statutin e PS ve re se ai është bërë në mënyrë të atillë që prijësi të jetë autoritar, që t’i lihet gjithshka në dorë latij. Po a nuk është kjo edhe puna më e lehtë për të tjerët pasi kjo u heq përgjegjësinë? Tani dëgjojmë edhe argumentin: ia lamë Ramës në dorë gjithshka, prandaj përgjegjësinë e ka ai dhe prandaj, duhet të ikë. Sipas kësaj logjike edhe lideri që vjen do të ketë të njëjtën antropologji: do t’i lihet në dorë gjithshka dhe pastaj ai duhet të ikë po humbi ose do të bëjë ç’ti dojë palla po fitoi. Po pse logjikë është kjo? Pale këtë e argumentojnë edhe me përvoja të vendeve të huaja demokratike dhe të partive demokratike atje. Ky është një mashtrim i madh. Sa më demokratike të jetë një parti aq më pak pushtet absolut ka lideri i saj. E në ndodhtë e kundërta në ndonjë vend demokratik (kam parasysh partinë e Berluskonit në Itali psh.) kjo nuk është punë e mirë, përkundrazi.
Nga kujtimet personale nuk e harroj se kur Fatos Nano ishte në burg, në PS karriken ia linin të paprekur. Kryesia mblidhej në karriket rrotull kurse karrikja e kryetarit lihej bosh në shenjë nderimi apo adhurimi të pakushtëzuar. Kur Nano doli çuditërisht e dinte gjuhën që do të përdorete me adhuruesit e tij: u fliste si baba i gjithpushtetshëm edhe më të moshuarve se ai në parti. Brenda familjes socialiste edhe Nano – që sot e gjithë ditën celebrohet si më demokrati i liderve tanë – sillej si një kapo i gjithpushtetshëm. Vërtet nuk përdorte aq shumë agresivitetin dhe dhunën verbale, por në vend të saj kishte talljen dhe përçmimin si kënaqësi pushteti mbi vartësit e tij. Pa dyshim kjo sjellje ka anën e vet të medaljes: nënshtrimin e të tjerëve që nuk kanë kuptuar se liria dhe demokracia fitohet, nuk dhurohet, e se udhëheqës me prirje të tilla duhet të ngjallin neveri dhe jo të mbahen në krye të partisë. Dhe kjo është çështje “shijesh”, dmth. kulture. Pa ndryshuar këto shije kjo gjellë do të na duket gjithmonë e ngrënshme.
Duke shkruar këto rradhë më shoqëron një ndjenjë kotësie sepse më duket se kam tërë jetën (post-komuniste), që kur filloi ngjitja autoritariste e Berishës, që po shkruaj mbi këtë temë. Sot mund të shtrohet pyetja: a kemi bërë hapa para apo jo përdrejt ndryshimit të antropologjisë së këtij lloj lideri. Në këtë aspekt nuk mund të mohoet se përvoja historike e PS ka dhënë një kontribut pozitiv, që nuk duhet humbur dhe që na i jep një lloj kuptimi kësaj lufte. Në këtë kontekst debatet dhe kundërshtimet e Blushit dhe të kundërshtarëve të Ramës brenda PS janë një gjë pozitive, që duhet inkurajuar, përtej asaj se kush do të bëhet kryetar i PS. Problemi është se ata duhen inkurajuar jo thjesht për tu bërë kryetarë që do të sillen nesër po si Rama, por pse bëjnë rezistencë ndaj një lloj lideri që shpreh kulturën e vjetër e që vazhdon të jetë mbizotërues në jetën tonë jo vetëm politike. Kjo është e vetmja rrugë për të mbajtur sadopak frymë demokratike në një parti dhe për të emancipuar, nëpërmjet saj, edhe krejt shoqërinë. Jam i bindur se kjo është edhe e vetmja rrugë që punët e kësaj partie të shkojnë mirë dhe që punët tona në përgjithësi të mos vazhdojnë të shkojnë kaq keq sa po shkojnë ku lideri që kemi sot në kry të vendit po sillet si pronar i vetëm i tokës shqiptare. Më duhet të përsëris edhe një herë thënien e Gëtes: “Lirinë e meriton ai që shkon përditë në luftë për të”. (30 Korrik 2009)

1 comment:

Anonymous said...

I dashur Fatos i ke rene pikes. Perdreq gjynahu primordial eshte me primordial tek primordialet.
Do te desha te kisha nje kontakt tendin. Jam nje i njojturi i yt quhem Fation Cara po te le nje mail dhe nje celular do te kisha kenaqesi te "degjoheshim".
Urimet me te mira.
Fation Cara
FAR6972@IPERBOLE.BOLOGNA.IT
CELL.3355324102