Para pak ditësh më ra në dorë një fjalim/shkrim i parazgjedhjeve i Edi Ramës ku kryetari i PS shtjellonte vizionin e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”. Të them të drejtën më befasoi sepse konstatova se nuk do t’i hiqja asnjë presje mjaft gjërave që thoshte. Në qendër të fjalim/shkrimit ishte ideja se klasa jonë politike është e mbushur me “zanatçinj të gënjeshtrës të cilët me pushtetin s'dinë të bëjnë thuajse kurrgjë tjetër përveç hyzmetit të interesave të tyre.” Lideri i PS thoshte se kudo ku ka shkuar nëpër Shqipëri, në Veri a Jug, në zona të ashtuquajtura të majta apo të djathta, ka takuar gra e burra që kërkojnë të shpëtojnë nga politika e zanatçinjve të gënjeshtrës. Njerëzve, thoshte kryetari i PS, po u lëviz toka nën këmbë nga kufizimi i përditshëm i mundësive për të jetuar, qytetari s'mbaron dot një punë pa dhënë rryshfet, çmimet rriten ndërkohë që bie fuqia blerëse, shërbimet publike degradojnë nën “thithjen e përditshme të tentakulave të korrupsionit në shkolla, spitale, gjykata, hipoteka e çfarëdo zyrash të tjera”. Gjithë sipas tij, shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme ndjejnë t'u shtrëngohet përditë litari në fyt. Ata, pavarësisht nëse janë socialistë a demokratë, kuptojnë përditë e më qartë domosdoshmërinë për të dalë nga llogoret ku i kanë futur partitë “në emër të konflikteve të vjetra mes gjyshërve”. Rama kërkon, prandaj, daljen nga “vorba e kulturës komuniste ku zanatçinjtë e gënjeshtrës ziejnë tash 17 vjet çorbën e një kapitalizmi klientelist, pa konkurrencë të lirë e të ndershme.” dhe premton se PS si parti “përtej të majtës e të djathtës”, do të jetë “një qendër e re radikale që refuzon çdo paragjykim ideologjik” në emër të luftës kundër kësaj të keqje. Kurse pak më poshtë thotë: “Me një fjalë, që s'është lojë fjalësh, përtej të majtës e të djathtës është një e majtë e re, progresive dhe gjithpërfshirëse.”
Besoj se ky tekst, që e parafrazova thuajse besnikërisht sipas origjinalit, vlen të merret si pikë referimi në kontekstin e ngjarjeve të PS të këtyre ditëve, veçanërisht Kongresit të saj të Jashtëzakonshëm, për të kuptuar se ç’po ndodh atje.
Për një gjë më duket se flet qartë ky fjalim/shkrim i Ramës: se ai e njeh realitetin ku jetojmë. Vërtet, kjo është gjendja shpirtërore e shqiptarëve, ky është vlerësimi i tyre për “zanatçinjtë e gënjeshtrës”. Nuk ka premisë më të mirë për një politikan të sukseshëm sesa njohja e realitetit që kërkon të ndryshojë. Por sigurisht kjo nuk është e mjaftueshme, është vetëm premisa e parë.
Jam i bindur se sikur njerëzit të kishin besuar se fjalët që thoshte Rama në prag të zgjedhjeve do të bëheshin realitet, PS do të fitonte shumë më tepër se 64 deputetë, s’do të kishte pasur aspak nevojë për votat e LSI dhe, po ashtu, nuk do të kishte patur manipulim votash që t’ia hiqte fitoren nga duart. Madje, në kontekstin e këtij premtimi, edhe fitorja e ndonjë deputeti më shumë se PD do të kishte qenë humbje. Por humbja ndodhi, sipas meje, sepse njerëzit tashmë janë mësuar, deri në mbingojpje, me atë se të tjera gjëra dëgjojnë dhe të tjera gjëra shikojnë në veprat e zanatçinjve të gënjeshtrës. Sepse Rama ishte pjesë e akuzave që ka bërë vetë për zanatçinjtë sepse njerëzit, duke i parë veprat dhe jo duke i gjykuar fjalët, nuk e ndanë atë nga “dora” e vet. Sepse njerëzit, po ashtu, kishin dëgjuar një zanatçi tjetër të gënjeshtrës, edhe më të fortë se ai ndoshta, Berishën e vitit 2005, kur denonconte me emra dhe mbiemra baronët e drogës e bandat e Zemunit, kur premtonte zhdukjen e korrupsionit dhe panë pastaj Gërdecin. (Kurse Ramën, megjithë kritikat e tij kaq të vërteta, e premtimet radikale, nuk e panë të guxonte as të përmendë emra për t’u bërë disi më bindës.)
Por le t’i kthehemi edhe një herë fjalimit të Ramës. Problemi i parë që ngre ky fjalim është se ai thotë se kështu mendojnë socialistë e demokratë ndërkohë që, në fakt, kritikat e ashpra që ngre Rama për klasën politike i bëjnë ata që janë zhgënjyer si nga socialistët edhe nga demokratët këta 17 vjet. Kuptohet qartë se Rama, kur flet, nënkupton popullin votonjës të këtyre partive, jo udhëheqjet, se ai kërkon edhe votat e tyre, por edhe të atyre që janë kundër të dy palëve për të arritur tek partia “qendra radikale” apo “e majta e re, progresiste gjithpërfshirëse” që ai përmend. Dështimi i tij në këtë aspekt është edhe më evident. Do të thoja se pikërisht tek ky premtim për radikalizëm dhe transversalitet njëherësh qëndron gjithë kontradikta madje edhe dështimi i PS që e shfaq edhe Ramën si një zanatçi të gënjeshtrës par exellence. Duke analizuar ato që thotë Rama del se kemi të bëjmë me një kryetar partie me qëndrim kontradiktor, pasi ai kërkon të qëndrojë njëhersh edhe brenda edhe jashtë partisë që kryeson, edhe të mbajë edhe të mos mbajë përgjegjësi për atë çka bën kjo parti. Sepse, më një anë kryetari i PS është i tillë si rezultat i zgjedhjes që ka bërë mazhoranca e partisë, më anë tjetër mazhoranca e partisë akuzohet nga kryetari si e sëmurë nga korrupsioni e me rradhë. Atëhere lind pyetja: si ka mundësi që kjo parti ka zgjedhur si kryetar një mish të huaj për të? Më duket e rëndësishme të kthjellohet ky truk i përdorur në Partinë Socialiste. Një pjesë e socialistëve, ndër të cilët do të përmendja kundërshtuesin kryesor të Ramës, Ben Blushin, kanë kundërshtur qëndrimin mohues të Ramës duke u shprehur se PS ka një trashëgimi pozitive, duke përmendur kontributin pozitiv të Nanos e me rradhë. Ata kanë kërkuar një lloj koherence sepse, po të hedhim poshtë gjithshka, atëhere nuk kemi legjitimitet. Ky është një qëndrim që nënkupton moderacion, jo radikalitet. Në fakt, për te qenë koherent me idetë e tij radikale Rama do të duhej të bënte një ndër dy gjëra; ose të mohonte PS dhe të krijonte një parti të re (meqë do të qëndrojë në politikë), ose të bënte një pastrim radikal në PS me kritika të drejtëpërdrejta për zanatçinjtë e gënjeshtrës” në PS. Mirëpo ai nuk ka bërë as njërën as tjetrën. Nuk kemi parë deri tani ndonjë kritikë të brendëshme përveç asaj për Nanon me termin e përgjithshëm “politika e vjetër” ndërkohë që të gjithë ata që Rama i quan “zanatçinj të gënjeshtrës” i shohim rreth tij dhe ku, për fat të keq, edhe tërë ata që ai ka thithur si të rinj, nuk i shohim të bëjnë ndonjë kritkë, përkundrazi, kanë shenja të qarta se janë në të njëjtën hulli të të vjetërve. Për të mos folur për oligarkët që ka pasur dhe ka prapa që janë edhe ata po aty e të së njëjtës filozofi të “hyzmetit të interesave të tyre” nëpërmjet “tentakulave të korrupsionit”. Kuptohet se pastrimin radikal në PS ai nuk e bën dot se është njëlloj sikur të presë degët e pemës mbi të cilat ka qëndruar, kurse partinë e re nuk e bën dot sepse kjo është një punë e gjatë e papajtueshme me padurimin e Ramës. Rama pra, ka zgjedhur, paradoksalisht, edhe të premtojë ndryshime radikale, edhe të qëndrojë kryetar i një PS-je ku mbizotëron mazhoranca konservative e kritikuar prej tij. Si shpjegohet ky paradoks, që, pra, nuk është vetëm i Ramës, por edhe i udhëheqjes së PS në përgjithësi? Sipas meje ai shpjegohet me kulturën që e mban politikën shqiptare në “vorbën” e vjetër: atë të pushtetit për pushtet, të konfliktualitetit sipas të cilës ndaj armikut Berisha nuk ka ilaç më të mirë sesa armiku Rama, atë që të keqen e sheh gjithmonë tek tjetri, dhe sigurisht në “vorbën” e zanatit të gënjeshtrës për tu bërë hyzmet interesave vetiake. PS me në krye Ramën ka zgjedhur me vetëdije të jetë e paqartë për rrugën që po ndjek. Udhëheqja e partisë duket se ka zgjedhur jo ashtu kot heshtjen rreth problematikës që ngre fjalimi i Ramës që përmenda (që për hir të së vërtetës nuk është një konstante e fjalimeve të tij). Asaj nuk i intereson të thotë nëse po krijon një parti të re që premton ndryshime radikale brenda saj (dhe në shoqëri) duke denoncuar të kaluarën apo po mbështetet në të kaluarën e saj nanoiste. Kjo paqartësi e qëllimtë, e fshehur prapa armikut Berisha, shkon edhe né hullinë e kulturës sé vjetër ku partia identifikohet me udhëheqësin e pagabueshëm çfarëdo që ky të thotë e të bëjë. Rama dhe udhëheqëja e PS shkon kështu me idenë se paraqitja e PS edhe si parti e re, që premton ndryshime radikale e luftë pa kompromis me armikun, edhe si parti që ruan interesat e krejt të vjetërve do të ishte gënjeshtra më e suksesëshme, më “gjithpërfshirëse”. Mirëpo problemi është se këtë gënjeshtër e përdori Berisha para katër vjetësh dhe njerëzit nuk e hanë më.
Duke iu referuar edhe fjalimit të Ramës, do të thoja se ajo çka duhet të dilte si mësim i kësaj humbjeje të PS është se klasa jonë politike, që të fitojë, duhet të ndryshojë veprat jo fjalët. Në këtë kontekst problemi i sotëm i PS, që do të duhej të diskutonte Kongresi është nëse ajo do të kërkojë një gënjeshtër të re apo do të synojë të kthehet më né fund né një parti të sé vërtetë. Duket se ajo zgjodhi të parën. Në vend se të diskutojë për këtë alternativë kaq të rëndësishme ajo diskutoi për mospranim të humbjes mbasi votat i vodhi Berisha e Meta në bashkëunim me Nanon, dikutoi për arsye teknike të humbjes, për paaftësitë negociuese të kryetarit të PS, për nevojë bashkimi me Ilir Metën (që të tjerë e akuzojnë për tërë të zezat) etj. si këto. Sipas meje të gjitha këto janë variante të vazhdimësisë së gënjeshtrës. Ndoshta vetëm kur dikush diskutoi për nevojën e demokratizimit të partisë ajo iu qas sfidës së ndërtimit të një partie të së vërtetës sepse pa demokraci nuk ka as të vërtetë. Mirëpo u pa qartë se në vend të demokracisë atje triumfoi kulti i liderit të padiskutueshëm që mund të thotë e të bëjë çdo gjë e të mbetet në krye.
Si përfundim, do të thoja se Kongresi i PS tregoi se sfida e ndërtimit të një partie të së vërtetës, një sfidë kjo edhe për gjithë politikën shqiptare, është ende larg politikës dhe politikanëve tanë, e se, prandaj, do të vazhdojmë të vuajmë në “vorbën” e zanatçinjve të gënjeshtrës. (Korrieri, 1 shtator)
Friday, September 4, 2009
“Zanatçinjtë e gënjeshtrës” dhe PS
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
3 comments:
I nderuari Lubonja,
shkrimi ne pergjithesi eshte i mire, por nisja eshte pak e pakuptueshme.
Une besoj se ju beni me mire te veni nje pike e te ndaloni e te reflektoni pak. sepse kur thoni se lexuat autointervisten e Rames tek shekulli, se nuk do t'i hiqni nje presje asaj qe ai pretendon se vizioni i tij "përtej se majtes e se djathtes" dhe zanatcinj te genjestres jane klasa jone politike. jam dakort ne parim, po Rama ku eshte rama? apo nuk eshte politikan?
ju besoni se nje idete "pertej te majtes e se djathtes" e nje intelektuali separatist si Anthony Gidens, mund te'i perkthehet realitetit tone? nuk ju kuptoj tani, pasi para pak kohesh pata lexuar poshte te majte e se djathtes, ku mund nje pikeveshtrim interesant.
Komunistet sic ju e dine mire nuk thonin se ishin as te majte e as te djathte por ishin te popullit dhe cdo e gje e benin per popullin edhe pse populli ishte ai qe e pesonte. pastaj dihet ata nuk kishin nevoje per klasifikime te tilla.
genjetra eshte art dhe artitet e manipulojne me mire ate.
sinqerisht
Ju falenderoj per shkrimin, e kam lexuar me ndalesa.
Kerkimi i te vertetes duket se behet gjithmone e me i veshtire, ndoshta edhe per arsyen, se keshtu te “shperqendruar” nga shume interesa, e verteta nuk eshte me prioriteti, ajo qe duhet te prije rrugen dhe rruga vete.
Por edhe nese ndalem, i bej nje nder vetes, esëllohem dhe vendos te gjej te verteten, kerkimi perseri eshte i veshtire. Shoh qe jam e vaket dhe neutrale, dhe kjo me ben te painteresuar dhe padeshire te kerkoj, te shikoj realitetin, te marr nje qendrim, sepse kudo degjohen e shkuhen prodhimet e riprodhimet patetike dhe te merzitshme te zanatcinjve te genjeshtres.
Ama thenia e Getes qe keni cituar eshte gjithmone frymezuese, liria i leviz gjerat dhe njerezit. Ashtu eshte edhe shkrimi juaj, pervecse informues e adresues, ne mendimin tim ne perpjekje per te qene i ndershem dhe i paanshem.
Vijola G
Ju u meritoni çmimin Sakharov z. Lubonja!
Me respekt,
Liljana
Post a Comment