Friday, October 2, 2009

Demagogjia me vizat

Dendësia me të cilën e gjen të përdorur në retorikën politike dhe mediatike shqiptare fjalën “viza”, premtimin dhe angazhimin për “të udhëtuar pa viza” në Evropë, “heqjen e vizave” është aq shurdhuese dhe aq konsensuale njëherësh saqë pakkush ndalet për ta parë me sy kritik nga frika se mos po bën ndonjë blasfemi. Edhe opozita, kur i referohet këtyre premtimeve, mjaftohet të verë në dukje se perëndimorët janë të pakënaqur nga mazhoranca dhe prandaj nuk do të na i heqin vizat, por nuk thellohet të kritikojë trukun dhe manipulimin që, sipas meje, qëndron prapa saj.
Në fakt një retorikë e tillë e kthen përmbys problematikën që lidhet me heqjen e vizave. Çfarë dua të them me këtë? Heqja e vizave, me mënyrën se si shtrohet, dhe me dendësinë me të cilën përmendet, sëbashku me fjalën “integrim”, të le të kuptosh qartazi se është vendosur në themelin e politikave të Partisë Demokratike. Kurse në të vërtetë ajo do të duhej të ishte jo në themelet, por në rrjedhojat, duhet të ishte fryt, si të thuash, dhe jo rrënjë e pemës së përparimit të vendit. Në qendër të premtimeve dhe angazhimeve të partisë në pushtet do të duhet të ishin premtimet për rritjen e cilësisë së jetën që do ta bënin Shqipërinë një vend normal, me një cilësi jete të afërt qoftë edhe me vendet më të varfra evropiane. Arritja e këtyre standarteve do të bënte që të vinte natyrshëm edhe heqja e vizave edhe kandidimi e pastaj hyrja në BE. Kurse ne shohim një situatë të përmbysur ku flitet thuajse më shumë për heqjen e vizave sesa për nevojën e ndryshimit të realitetit të vendit.
A është kjo përmbysje një gabim i pavetëdijshëm. Sipas meje është një gjë e qëllimshme. “Evropa” ka kohë që në demagogjinë e politikanëve tanë ka zëvendësuar “komunizmin” për të cilin, me humor, thuhej në atë kohë se ishte si horizonti të cilit sa më shumë i afroheshim aq më shumë largohej. Edhe politikanët e sotëm sa më shumë ua bëjnë të vështirë jetën shqiptarëve në vendin e tyre, aq më shumë u premtojnë për ikjen nga vendi i tyre për në Evropën e cila, në fakt, me këto politika, largohet nuk afrohet. Dendësia e përdorimit të premtimit dhe angazhimit për “heqjen e vizave” bazohet, pra, jo në sukseset, por në ndjenjën dhe nevojën e shqiptarëve për ta lënë këtë vend e për të shkuar në Evropë sepse këtu nuk jetohet, sepse këtu jeta është shumë e vështirë, sepse nuk ka punë, sepse nuk ke dinjitet etj. Shqiptarët ëndërrojnë të shkojnë jashtë sepse në Shqipëri janë pa punë ose paguhen mjerueshëm; shqiptarët ëndërrojnë të lëvizin pa viza sepse kështu do të mund të shkojnë të kurohen jashtë meqë sistemi ynë shëndetsor është katastrofë, shqiptarët ëndërrojnë të shkollohen jashtë pasi në shkollat tona fëmijët debilizohen; shqiptarët ëndërrojnë të lëvizin pa viza që të bëjnë turizëm sepse detrat tona po mbushen dita ditës me fekale. Dinakërisht pra, duke qenë të vetëdijshëm se kjo është gjendja, politikanët tanë më një anë premtojnë heqjen e vizave, si rrugë shpëtimi nga kjo gjendje dhe, nga ana tjetër, heqjen e vizave duan ta shesin si arrite standartesh normale jetese në Shqipëri.
Edhe më shqetësuese bëhet kjo demagogji kur ke parasysh se, për realizimin e këtij premtimi, politikanët shqiptarë janë shumë të angazhaur edhe me perëndimorët. Shqetësimi qëndron në atë se tashmë ka shenja të qarta se perëndimorët edhe mund të na i heqin vizat, veçanërisht me ngulmimin e italianëve, por kjo heqje vizash duket se nuk jepet si shpërblim për arritjet, por si shpërblim i politikave të qeverisë sonë që po u lejon perëndimorëve mundësinë e shfrytëzimit të territorit shqiptar në një mënyrë të tillë siç janë shfrytëzuar vendet e botës së tretë. Megjithë miopinë e qëllimtë të mediave, megjithë komprometimin e opozitës, nga vetë burime perëndimore dita ditës po del se konçesionet që kryeministri Berisha dhe ministri Ruli u kanë dhënë kompanive perëndimore, kryesisht italiane dhe austriake, për ndërtime tecesh, hecesh, fabrikash çimentoje, parqesh industriale, parqesh energjitike janë jo vetëm me kushte skllavëruese për shqiptarët, por janë edhe një largim i mëtejshëm i Shqipërisë nga Evropa, po të kemi parasysh se vetë Evropa sot po fillon të kryejë revolucionin e tretë industrial që ka në qendër të vet ruajtjen e ambjentit. Dhe kur ke parasysh se ndaj vizionit të integrimit të vendeve si Shqipëria në Evrope ka edhe shumë dyshime mes vetë perëndimorëve nuk mund të mos të të rritet shqetësimi se ky hendek i thelluar nesër mund të bëhet edhe shkaku i refuzimit të hyrjes së Shqipërisë në Evropë ose, në rast hyrjeje, si përdorimi i saj si koshi i plehërave të Evropës.
Të hysh në Evropë “pa viza” do të thotë të ngushtosh diferencën që kemi në vendin tonë në krahasim me Evropën dhe jo t’i bësh shqiptarët të ëndërrojnë të shkojnë në Evropë pasi “ky vend nuk bëhet”. (Korrieri, 30 shtator 2009)

6 comments:

Elia said...

Z. Lubonja,

sigurisht qe te jetosh ne Shqiperi eshte shume e veshtire.Dhe problemi i pare qe shtrohet ne nje vend te prapambetur si i joni, sic thoni edhe ju, eshte padyshim ai i papunesise, dhe kjo eshte e vertete megjithese jemi nje vend duke u ndertuar apo per t’u ndertuar . Pra,dua te them se kemi shume per te punuar.
Me beri te mendohem artikulli juaj, sepse pesonalisht, jam duke ndjekur studimet pasunivesitare jashte dhe se shpejti, do te me afrohet dita per te kerkuar pune. Dhe kete pune mund ta kerkoj edhe ne Shqiperi, jo vetem jashte shtetit.
Njerez te ndryshem me thone se me diplomen e huaj qe kam, mund fare mire te gjej pune ne banke apo ne universitetet tona. Madje edhe doktoratura nuk eshte domosdoshmerisht e nevojshme.( Ne fakt, une po studioj e kam studiuar mbi ekonomine e dijes, mbi globalizimin dhe shoqerite sociale. Me duken se keto jane tema kaq te largeta nga realiteti jone.) Per mua, problemi i nje punesimi dinjitoz mbetet i hapur.
Por ketu ne vendin tone ka edhe probleme te tjera si ato shume te rendesishme, te shendetesise dhe te arsimit. Per kete te dytin, une do te permendja nje ane tjeter te shfaqjes se mjerimit tone ne arsim: varferine e librarive e te biblotekes sone. Eshte e pamundur te gjesh libra te ndryshem te te njejtit autor e kjo vlen per shume autore te rendesishem e ne fusha te ndryshme te dijes. Pyes veten, si ja bejne studentet per te mbrojtur temen e diplomes apo kush ndjek doktoratura, per te bere kerkim shkencor?
Librat jane te nevojshem per te ruajtur dijen e marre, per ta pasuruar ate por edhe per t’u kenaqur shpirterisht. Duhet te flasim apo jo per kenaqesite shpirterore qe na ofron ky vend?Me duket edhe kjo eshte nje teme e rendesishme.Duhet te flasim per te lexuarit, per te paret e filamve, per te dugjuarit e muzikes? Per kenaqesite qe te fal fotografia artistike apo piktura? Per kenaqesite qe te falin idealet? Por ama per idealet qe perpiqen te arrihen nga klasa politike. Per dashurine. Duhet te flasim apo jo per dashurine? Per dashurine midis njerezve. Per dashurine midis nje burri e nje gruaje. Duam vertet ne shqiptaret? Duam mire?Apo ka vend vetem per dashuri kompasionale,per te dashur njeriun si te tille pa pretenduar asgje me shume. Me duket se ne keto fusha kemi mangesi te paperballueshme.
Keto jane problemet qe mua me shqetesojne. Mendoj se keto probleme e te tjera jane per t’u diskutuar gjere.

Me duket qe premtimi i politikaneve per heqjen e visave eshte ne thelb, nje thirrje per ndihme drejtuar vendeve te komunitetit europian.Eshte nje pranim nga ana jone se nuk dime ta permirsojme vendin tone. Une nuk do t’i ndaja politikanet nga pjesa tjeter e popullit sepse te gjithe ne jemi fryt i te njejtes kulture.Te gjithe ne duhet te prodhojme vlere ne kete vend. Sigurisht, mund te pretendonim me shume fat ne politike - sepse politika eshte e rendesishme dhe sepse mund te pretendohet qe me politike te merret ajka e shoqerise - por behet fjale vetem per fat, asgje me shume.

Pershendetje e falenderime!
Elia Botka

Anonymous said...

Dicka tjeter qe me shqeteson eshte ai i impaktit qe do te kete shoqeria jone pas heqies se vizave, impakt i cili duhet pare ne menyren dinamike gje qe sic thuhet ne shkrim e majta jone as e analizon fare (meqenese e majta i sheh problemet shoqerore ne menyre dinamike) problemi eshte se ne castin qe do liberalizohen vizat dhe nje pjese e konsiderueshme e shqiptareve do te levizi neper europe lirshem. A do te kete kjo nje impakt pozitiv per vizionin e tyre ndaj shoqerise dhe shtetit, apo ky do te jete nje rast per tu shfrytezuar me ndo1 punesim ne te zeze apo per te bere pushime te shpenzueshme pa asimiluar asgje nga kultura dhe mendesia europiane? A do ta feshitizojme ne Europen dhe ta shohim shqiperine me te erret? Pra kjo etape do ta zgjoje ndergjegjen tone qytetare per te qene me kerkues ndaj politikes dhe vetes? kam frike se ky do te jete nje hap nga i cili nuk do te perfitojme ato gjera qe na nevoiten me te vertete. Dhe per kete e kan treguar faktet. Sa politikane dhe zyrtare kemi qe kan dalur apo jane shkolluar jashte Shqiperise? A i kane sjellur ato ndo1 ndryshim realitetit dhe mendesise tone? JO perkundrazi jane bere pale me mendesine dhe realitetin e vjeter. Keshtu pra mendoj me teper qe heqia e regjimit te vizave eshte nje sfide. Sfide te cilen nuk e kemi nisur sic duhet. A mos eshte casti qe shoqeria te diskutoje nese eshte gati per kete sfide apo jo?
Glen LLACI

lavdrim said...

eshte nje nga shkrimet me te bukura qe kam lexuar per "vizat", e them pa asnje fare kompleksiteti. Ideja se po te futemi ne Be (dhe jo evrope qe eshte dicka tjeter)do te na cliroje nga korrupsioni, nga komunizmi mendor, nga vandalizmi i perkryer qe kemi, atehere kemi gabuar rruge...
\
lubonja e sheh me kenaqi kur tha se shqiptaret po presin sa te hapen dyert e vizave dhe te gjithe shqiptaret do te ikin me te katerta nga shqiperia, sepse ketu nuk jetohet prej poltikaneve, pre pluhurit, prej plehare kimike dhe atyre biologjike...
kemi fat qe na kujtohet nganjere ckemi qene, cjemi dhe cafre do te jemi, pa perkufizuar sami frasherin, kuptohet.

faleminderit,
sinqerisht

Anonymous said...

I nderuar z. Lubonja,

une jam shume dakord me analizen e ceshjes se vizave qe shtroni ju. Faktikisht hyraj ne Evrope eshte reduktuar prej shume kohesh thjesht ne nje ceshtej vizash, mundesije per levizur lirisht pa nevojen e rradheve te gjata neper ambasada dhe dinjitetin e neperkembur individual....spese ndosha ate kombetar kemi kohe qe e kemi humbur.

Une nuk besoj se heqja e vizave ne kete menyre sic premtohet prej politikaneve, thjesht duke premtuar data apo afate kohore, me fillimin e ketij apo atij viti kalendarik ka per te shenuar nje moment te vertete ndryshimi per cilesine e jetes se shqiptareve. Ne thjesht do te kemi nje mundesi per te ikur dhe per te patur nje jete larg vendit tone.

Anonymous said...

liberalizimi i vizave do jete faza e fundit e emigracionit .Do vazhdojme dhe 20-vjete te tjera tranzicion dhe mbas kesaj ishalla plotesohet lutja e E.CABEJT :o zot beje te fryne ererat centripete ne kete vend sepse ka 2000 vjet qe fryne erera centrifuge e shqiptaret largohen dhe largohen ..pak a shume
sidoqofte liberalizimi mund te na shpetoj nga kriza qe po na qarkon cdo dite,

Anonymous said...

Ndoshta hyrja ne BE do na japi mundesine te gjithve te shohim se jemi unik ne faktin qe mashtrimin,turpin,mediokritetin e degjenerimin e vlersojme serjozisht si themel te lumturise dhe suksesit,
unik ne faktin ku ndershmeria vlersohet si budallallek e naivitet.
Eshte e tepert te them se sa te paditur e te pandershem na drejtojne e ulen ne karrike te rendesishme.sano