Wednesday, October 14, 2009

Mbi dorëheqjen e Bojaxhiut dhe jo vetëm

Dorëheqja e drejtorit të KESH-it Gjergji Bojaxhi më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë ashtu sikurse edhe fakti që ajo u komentua pak. Më tërhoqi vëmendjen edhe pse, si gazetar, kam një kujtim pozitiv nga ky politikan, që besoj se vlen të tregohet. Kur qeveria Berisha vendosi të ndërtojë TEC-in në Vlorë, duke shkelur premtimet që u kishte dhënë vlonjatëve – kujtoj se ajo e mori votën me premtimin për Vlorën turistike – shkrova një shkrim kundër këtij TEC-i. Drejtori i posaemëruar Bojaxhi nuk bëri atë që bëjnë rëndom politikanët tanë, shurdhin ndaj kritikës, por kërkoi të më kontaktonte dhe të më informonte e sqaronte për shqetësimet që kisha shprehur në shkrimin tim. Pavarësisht se u ndamë duke mbetur sejcili në pozicionin e tij - për dijeni të lexuesit Bojaxhi ngulmoi të më bindë, pa më bindur, se këtu bëhej fjalë thjesht dhe vetëm për një TEC që do të ishte shumë i nevojshëm për Vlorën dhe me minimumin e ndotjes – më mbeti në mendje, si diçka pozitive, reagimi i tij ndaj kritikave të shtypit.
Duke qenë se kam ndjekur vazhdimisht me shqetësim projektet monstruoze energjitike Berisha - Ruli me TECe me qymyr e naftë, me HECe, me termocentral bërthamor e parqe industriale kam pritur me vëmendje edhe reagimet e Bojaxhiut. Kam konstatuar se, mendimi i tij i shprehur publikisht, ndonëse jo me forcën që do të duhej të tregonte, ka qenë kundër projekteve të Berishës pasi, sipas tij, Shqipëria duhet të ndërtojë aq sa ka nevojë për veten dhe jo të kthehet në shesh ndërtimi të projekteve që evropianët nuk i realizojnë dot në vendet e tyre.
Nuk pretendoj të jem një njohës i dinamikave të brendëshme të PD, për të dhënë një shpjegim sa më të saktë të dorëheqjes së Bojaxhiut por, nga ana tjetër, mendoj se kjo dorëheqje meriton të komentohet edhe vetëm mbi ato që kemi dëgjuar nëpër media. Sepse dinamikat e brendshme të partive nuk janë probleme thjeshtë të tyre, por na interesojnë të gjithëve. Mjafton të kemi parasysh komentet e shumta që kemi bërë për zhvillimet në PS.
Çfarë mund të thuhet duke u nisur nga dorëheqja e Bojaxhiut?
E para gjë që mund të thuhet është se kjo dorëheqje na jep sinjale se punët në PD-në e Berishës nuk janë në përmirësim, por në degradim përsa i përket vlerave demokratike të kësaj partie. E kur them “vlera demokratike” kjo nuk është një fjalë boshe por që përkthehet edhe në pasurinë ose jo të ideve në të mirë të punëve tona.
Nëse do t’u besojmë deklaratave publike të Bojaxhiut ai është larguar pasi e konsideron të mbaruar misionin e tij. Por nuk duhej shumë për të kuptuar se prapa kësaj deklarate lakonike fshiheshin shumë gjëra të pathëna. Ne dimë se ai ka kërkuar të konkurojë për kryetar i PD për Tiranës, por Berisha zgjodhi një njeri që dukej sheshit se u përzgjodh për besnikërinë e tij, në mos edhe përfshirjen në skandalin e Gërdecit. Dimë gjithashtu që Bojaxhi, ndonëse një nga figurat më pozitive si imazh publik i PD-së, u la në fund të listës së deputatëve duke mos u zgjedhur deputet. Pra, është e qartë se, nëse do ta lexojnë “prapa rreshtave” deklaratën e dorëheqjes së Bojaxhiut, del se ai e dha atë pasi u ndje i mënjanuar. Po pse u mënjanua dhe nga kush? Nuk kemi ndonjë shpjegim nga Berishsa apo njerëz të tjeerë afër tij, si psh. Lulzim Basha që ka qenë pak a shumë i të njëjtit profil të riu si Bojaxhi kur u thirr në PD.
Sipas mendimit tim dorëheqja e Gjergji Bojaxhiut shton një episod më shumë në një historinë e fatit të KOP dhe antarëve të tij në partinë Demokratike. Ajo vërteton edhe një herë se të rinjtë në këtë parti janë përdorur si fasadë dhe jo nevojë reale për të sjellë mendim të ri. KOP ishte një organizëm që do të orientonte plitikat; shpresohej se, duke qenë se KOP përbëhej nga të rinj të shkolluar dhe që presupozoheshin edhe me një pavarësi mendimi që ua jepte edhe arsimi, do të ishte një burim novacioni dhe kritike të brendshme në Parti. Një gjë e tillë u pa herët që s’po funksiononte kësisoj. Me kalimin e kohës këta ose janë tërhequr pa bërë asnjë luftë, sikurse është edhe rasti Bojaxhi, ose janë nënshtruar dhe janë përdorur meqënëse u ka interesuar të përdoren. Dhe një nga përdorjet më duket se është edhe ajo e pastrimit të partisë nga njerëz që, për shkak të kontributit të tyre, kishin aq autoritet sa të mos bëheshin aq servilë para Berishës sa antarët e KOP-it. Histori e njohur kjo për ata që kanë jetuar edhe kohën e Enver Hoxhës.
Ajo që vihet re gjithnjë e më shumë në PD është fakti se rritja e veshshurdhësisë ndaj kritikave që i vijnë qeverisjes së Berishës shoqërohet edhe me pastrime brenda partisë. Sot po përjetojmë një gjendje ku lideri absolut nuk ka më lidhje me popullin npëpërmjet strukturave të partisë së tij, të parlamentit, të qeverisë etj. por del e na jep sihariqe se çfarë do të bëjë me lekët tona a thua se fjala e tij është fjala e perëndisë. Këto ditë doli e na tha se lekët tona do të groposen në një tunel që, medemek, do t’u shkurtoka rrugën Elbasanasve për të ardhur në Tiranë për të punuar (kjo sipas propagandës trushpëlarëse që i bënë fjalimit të tij mediat). Unë nuk di që ndokush të ketë ngritur qoftë edhe më të voglën oponencë ndaj këtij megaprojekti. Duke iu referuar përvojës së mëparshme di që një ministër i transporteve është proceduar lidhur me një tjetër megaprojket dhe ka dalë pa lagur vetëm në sajë të gjyqsorit të korruptuar ose të trembur. Di gjithashtu se në vendin fqinj (Italia), prej të cilit ne kemi marrë thuajse vetëm gjërat më të këqija, megaprojekte të tilla janë denoncuar vazhdimisht si instrumente për të pasuruar mafjen apo një grup të vogël njerëzish ndërkohë që me të hollat e tyre do të mund të bëheshin shumë gjëra më të rëndësishme publike. Unë mendoj se ne më së pari duhet të bëjmë të mundur punësimin e të papunëve të shumtë që po rropaten në Tiranën e stërzmadhuar dhe pastaj të mendojmë ta bëjmë edhe Elbasanin një lagje të Tiranës. Pres që dikush ta thotë këtë edhe brenda PD-së qoftë edhe duke qenë në minorancë, duke patur parasysh se opozita nuk qenka kredibël. Mirëpo asgjë e tillë nuk ndodh. Ashtu si në kohën e Berishs së viteve 1992 – 1997 të gjithë të tjerët duket sikur janë strehuar në ombrellën e përfitimeve apo rehatisë së tyre personale duke ia lënë të gjitha përgjegjësitë liderit absolut dha klaneve që pasurohen nëpërmjet tij.
Kundër këtij argumenti dikush do të mund të sillte faktin se Berisha ka pranuar të hyjë në koalicion me LSI çka flet për hapje ndaj ideve të tjerëve. Sipas mendimit tim kjo mbetet të provohet sepse ka shumë shenja që flasin për një zhuvelizim të shpejtë të partisë së Ilir Metës. Ç’kam parasysh me këtë? A keni dëgjuar ndonjëherë që kryetari i Partisë Agrare, që mori votat e socialistëve dhe pastaj u bë ministër i ekologjisë së Berishës, të ngrinte zërin për projektet anti bujqësi, anti agroturizëm dhe anti ekologji të Berishës? Këtë kam parasysh. Vetë fakti që Prifti i LSI, nga i cili varet KESH, zgjedh (sipas shtypit) të heqë (ose të mos mbrojë) një njeri si Bojaxhiu nuk flet në të mirë të LSI. Është shumë më i besueshëm varianti se KESH është “dhuruar” si një nga llokmat që i jepet LSI-së për të mbyllur gojën. Në fakt nuk dimë asgjë për idetë e Prifti dhe të LSI për projektet e Berishës që e reduktojnë Shqipërinë në një viktimë politikash neokoloniale që kudo në botën progresiste evropiane denoncohen, veçanërisht nga partitë e majta. Një gjë është e sigurt: ashtu sikurse Berisha në 2005 edhe LSI më 2009 nuk ka marrë mandat për ta shndrruar Shqipërinë në një neolkoloni.
Dorëheqja e Bojaxhiut tingëllon trishtueshëm si rritje e mëtejshme e arrogancës së një klase politike që po shkëputet gjithnjë e më shumë nga hallet e njerëzve. (Korrieri, 11 tetor 2009)

2 comments:

Anonymous said...

Ju uronj suksese, suksese, suksese dhe shume shendet, per cmimin e marre ne Poloni. Shteti shqiptar do te emanciponte veten duke Ju akorduar nje cmim prestigjoz te formatit te tuaj. Qofsha i gabuar po une nuk di a keni nje cmim Shqiptar.

Gzimi

fjorent said...

Llokma e pare LSI ishte Kesh. Llokma e dyte ATSH ne te cilen shkoi Artur Zheji.

A do te kemi se shpejti nje shkrim edhe per koleget tuaj qe u shiten Z. Lubonja e qe duhet te jene zeri me kritik i shoqerise civile ne kete pseudodemokracine shqiptare?

Pergezime per artikullin megjithese nuk jam dakord persa i perket projektit berthamor. Shqiperia duhet te kete 1 central berthamor qe sjell siguri per rritjen e saj ekonomike ne te ardhmen ne nje bote ku energjia e paster do te jete shume e cmuar.

Jam dakord me ju per centralet me qymyr qe jane vetem projekte neokolonialiste te pranuara nga Berisha e Ruli per interesat e tyre.

Me respekt

Fjorent Rrushi