Monday, November 23, 2009

Gazetarë apo topçinj llogoresh

Ka kohë që shoqërisë sonë i imponohet një politikë llogoresh ku mediat janë artileri kryesore e palëve në konflikt. Kjo politikë i ka shtrënguar gazetarët të strehoen o në njërën o në tjetrën llogore e të punojnë atje si grykorë topash nën urdhërat e gjeneralëve të betejës. Përndryshe mund të mbeten në mes të fushëbetejës e të hanë predhat e të dy palëve ose të dalin jashtë loje. Kjo gjendje ka bërë që, dora dorës, gazetarëve t'u bëhet gati i natyrshëm motivimi i punës në funksion të interestit të një pjese (partie) dhe jo në funksion të interesit publik. Është ky lloj motivimi që e ka drejtuar gazetarinë sonë kah gjysëm të vërtetat që synojnë të hedhin poshtë gjysëm të vërtetat e palës tjetër, duke na dhënë kështu një "dopio gënjeshtër", sikurse thotë Travaglio. Ky lloj motivimi e ka çuar gazetarinë më shumë kah manipulimi se sa njohja e së vërtetës, disinformacioni se sa informacioni, diskreditimi se sa investigimi, personalizimi se sa principshmëria. Sepse gazetari i llogores nuk e vështron betejën nga lart me një vështrim mbi të dy palët. Ai është pjesë e miopisë së llogores; si kali i karroces ai sheh vetëm në një drejtim. Madje kam përshtypjen se një pjesë janë aq të deformuar profesionalisht dhe aq të dembelosur nga rehatia e llogores sa nuk bëjnë më dot gazetari ndryshe dhe as i intereson kjo.
Adam Michniku në dekalogun e tij të gazetarit thotë: "duhet të besosh vetëm një Zot, të Vërtetën; po besove zota të tjerë do të ndëshkohesh me mosbesim." Gazetarit të llogores nuk i intereson zoti i së Vërtetës sepse ka zgjedhur Lopën e Artë të padronit. Atij nuk i intereson publiku i gjerë, por manipulimi i tij në emër të interesave të këtij padroni. Sjellja e tij shëmbëllen me atë të një kallauzi të cilit, kur dikush i kërkon rrugën për të dalë nga ku ka humbur ai, në vend se t'i tregojë shtegun më të mirë, me synim që ta shpëtojë, i tregon një shteg ku e presin shokët e tij banditë për ta grabitur.
Për këtë gjendje të medias dhe për nevojën e ndryshimi të saj kam shkruar në tre shkrime rradhazi, i fundit ndër të cilët "Liri e mdiave apo liri e shprehjes" (Korrieri 12 nëntor 2009). Nuk ka qenë çudi për mua të shoh topçinjtë e llogoreve të hedhin predha mbi këtë shkrim. Besoj se ia vlen një polemikë principiale me ta për hir të kthjellimit të problematikës.
Duke aplikuar teknikat e gazetarisë së gjysëm të vërtetave, në replikën ndaj shkrimit tim, Mero Baze e shpërndërron krejtësisht kuptimin e tij. Duke u marrë vetëm me pjesën ku përmendet Tema, ku them se edhe kjo, si gjithë mediat e tjera, nuk mund të mbahet qoftë edhe një ditë pa një prapavijë politike dhe ekonomike, paraqet sikur halli im qenkej ai i Sali Berishës: se si të mbyllet gazeta e tij Tema. Një gazetare e News 24, Alba Malltezi, e prekur pse them se ky televizon është artileri e vendosur në llogoret e PS, thotë se qenkam pjesë e llogores së Berishës sepse punoj tek Klan. Mustafa Nano mbyll sytë ndaj tërë problematikës së tre shkrimeve, që në fakt e njeh prej kohësh, dhe më akuzon se merrem me gjëra personale, jo me ide, duke iu referuar asaj pjese të shkrimit ku unë, bash për ilustrim të ideve të mija, ngre pikëpyetje lidhur me motivimet që e kanë shtyrë Temën të tradhëtojë llogoren e Berishës e të hyjë në llogoren e Ramës .
Këta gazetarë bëjnë sikur harrojnë se punën që e konsideroj kryesore, shkrimin, unë e kam si gazetar tek Korrieri që është një gazetë aspak miqësore me Berishën, pëkundrazi, nëse do të përdor metaforën e llogoreve, është në atë të tyren. Baze "harron" edhe më shumë: faktin se një pjesë jo të vogël të shkrimeve të mia, madje deri atë të parafundit, i ka ribotuar në Tema (gjithmonë me teknikën e gjysëm të vërtetave) dhe se, sikur vërtet të kisha synim goditjen e Temës nuk do ta lejoja t'i botonte ato. Ai harron edhe shkrimin tim të para disa vjetësh “Pse u shit – ble gazeta Tema (Korrieri, 1 nëntor 2005) ku, mes të tjerash, shkruaj: “gazeta Tema, e njohur si gazetë opozitare në ballë të luftës kundër korrupsionit të qeverisë nanoiste dhe kryebashkisë socialiste, u shit nga drejtori dhe njëherësh pronari Mero Baze me një shifër shumë të majme [...] duke rënë bash në duart e një pronari i cili është akuzuar nga ish opozita se, në afera korruptive me kryebashkiakun socialist Rama, ka zgjeruar pronën e tij [...]. Mesazhi që merr publiku nga kjo shitblerje është vërtet shqetësues [...]: i famshmi sistem i korrupsionit, i cili ka kapur shtetin dhe mediat, vazhdon punën e tij të kapjes.” Madje Baze harron edhe se, kur e shiti Temën, deklaroi se e bëri këtë sepse ajo nuk mbahej dot dhe nuk donte që publiku të mendonte se ajo po mbahej nga favorizimet që ai po merrte nga pushteti.
Edhe gazetarja e News 24, pronarët e të cilës nuk dihet me saktësi se cilët janë, por thuhet se janë biznese italiane të Puglias, "harron" se kam denoncuar vazhdimisht jo vetëm nga Korrieri, por edhe nga TVKlan, aferat e qeverisë Berisha me bizneset italiane (Shih Opinion të Fevziut apo lexo ndër tjera "Kryeministër apo kapo i Camorras shqiptare" (Korrieri, 5 qershor 2008); "Të keqen e Fazlliçit, po vijnë berluskonianët" (Korrieri, 30 tetor 2008). "Superfuqi apo koloni" (Korrieri, 4 nëntor 2008) ndërkohë që median e saj sikur nuk e kam parë ndonjëherë të thotë një fjalë për politikat neokoloniale italiane që synojnë të shndërrojnë Shqipërinë në koshin e plehërave të Italisë. Mirëpo, një nga karakteristikat kryesore të gazetarit të gjysëm të vërtetave, është bash harresa.
Me këto nuk dua të pretendoj se vetë i kam thënë të gjitha të vërtetat e tokës mbi mediat. Kur kam denoncuar "regjimin mediatik" të ngritur nga socialistët dhe të kalëruar nga Berisha nuk kam bërë gazetari investigative të tillë që të zbulojë rrënjët e çdo televizioni dhe gazete duke përmendur me emra të gjithë pronarët dhe duke treguar të gjitha lejet e ndërtimit, të gjithë tenderat e të gjitha shitblerjet që i lidhin me politikanët e ndryshëm qysh kur filloi historia e tyre. (Jam i bindur se herët ose vonë dikush do ta bëjë këtë). Por e kam bërë të qartë, besoj, se flas për të gjitha mediat si sistem dhe jo për një palë e se nuk jam i motivuar nga interesat e bizneseve të një pale. Po ashtu, përderisa punoj në këto media nuk pretendoj të jem jashtë sistemit. Por besoj se brenda hapësirave gjithnjë e më të ngushta që lejon ky sistem, e kam denoncuar - edhe me kosto goxha të rëndë ndonjëherë - deformimin e rëndë që kanë mediat shqiptare si pjesë e sistemit të korrupsionit e s’kam reshtur së foluri për nevojën e ndryshimit të tij.
Sipas gjykimit tim çështja në thelb është shumë e thjeshtë: nuk mund të ketë demokraci pa ndarje të pushteteve dhe, kur themi "ndarje e pushteteve", kemi parasysh ndarjen e legjislativit, ekzekutivit, gjyqsorit dhe mediatikut. Kurse ne nuk e kemi këtë ndarje. Deri tani kemi vetëm ndarjen e partisë së Enver Hoxhës në dy parti që bëjnë çmos të kthehen në origjinë duke u bashkuar në një kokë, çka, sikurse e kam shprehur edhe tjetër herë, na rrezikon kalimin në një regjim alla Putin.
Dikush do të thotë se sot rrezikun kryesor, në kontekstin e rrezikut Putin, që sapo përmenda, e paraqet mazhoranca që po tenton t'i marrë nën kontroll të gjitha pushtet. Edhe unë jam i këtij mendimi, por ka dy forma kritikash që mund t'i bëhen kësaj mazhorance: njëra në emër të interesave të të gjithë publikut dhe tjetra në emër të interesave të llogores tjetër; njëra në emër të ndarjes së pushtetit mediatik, tjetra në emër të kapjes së pushtetit mediatik. Fatkeqësisht është fare i pakët numri i gazetarëve që refuzojnë të futen në llogoret e partive. E tregoi edhe qëndrimi ndaj shkrimit tim: po nuk u fute në llogoren tonë je në llogoren armike. Ndërkohë që, sipas mendimit tim, vetëm një refuzim i llogoreve do të mund t'i jepte medias dinjitetin e pushtetit të katërt.
Me këtë nuk dua të them kurrsesi se një gazetar nuk duhet të mbajë qëndrime pro një pale apo një tjetre. Por, siç e thashë më lart, gjithnjë duke patur parasysh interesin e publikut, jo të palës që e paguan, duke ruajtur një koherencë në qëndrimet që ka mbajtur, pa harruar përvojën dhe duke patur parasysh kontekstin. Sipas gjykimit tim ajo për çfarë ka dëshpërimisht nevojë publiku sot, pas përvojës shumëvjeçare që kemi, është një media e besueshme, jo një media llogoresh. Vini re. Edhe për rrezikun e një epidemie gripi, publiku nuk di më se kë të besojë sepse edhe për këtë mediat e gjysëm të vërtetave thonë të kundërtën: një palë se ka rrezik epidemie po të grumbullohemi dhe një palë se ky alarm hidhet që të mos demostrojmë.
Ose le të marrim diçka shumë më të rëndësishme: e keni vënë re se sa për zemër e ka Rama fjalën e përdorur fillimisht nga Mero Baze "familja" për të bërë opozitë. Ia ka mësuar edhe Erjon Velisë. E përdori edhe Bare në mitingun e fundit. I gjithë faji për këtë që po na ndodh, tentojnë të na thonë, është i një familjeje të vetme. Madje i një emri të vetëm. Nëse opozitës edhe mund t’i lejohet kjo, nuk mund t’u lejohet kurrsesi gazetarëve që pretendojnë se janë të pavarur. Ky është një reduksionizëm i qëllimtë i gazetarisë së gjysëm të vërtetave dhe sipas meje shumë i rrezikshëm. E kam shkruar dhe e përsëris: e keqja shqiptare nuk mund të reduktohet në një emër apo një familje, qoftë ky Berisha apo Rama. Po kur ishte Nano kryeministër, po kur ishte Meta, Majko çfarë ka ndodhur? E njëjta gjë që po ndodh sot. Prandaj për mua ata janë thjesht dhe vetëm instrumente të një sistemi të ngritur ku bën pjesë edhe media dhe kushdo që të vijë në pushtet, po nuk u ndryshua ky sistem, do të sillet pak a shumë si këta. Kurse ta reduktosh të keqen ashtu siç e reduktojnë gazetarët e llogoreve do të thotë t'i shërbesh ruajtjes së sistemit në emër të kalërimit të tij nga llogorja ku ti bën pjesë.
E keqja ku kemi ngecur ka rrënjë shumë më të thella dhe shumë më komplekse dhe gjetja e rrugëve për daljen prej saj kërkon të tjerë kallauzë me tjetër vështrim dhe deontologji nga ajo e topçinjve të llogores. (Korrieri, 23 Nëntor)

14 comments:

Elia said...

Fatos,

si jeni? Jam perpjekur t'ju kontaktoj disa here po pa sukses. Ketu ne blog, keni adresen time te e-mail-it. Ju lutem me kontaktoni juve.
Falemnderit!
Elia Botka

lavdrim said...

I nderuari Lubonja,
jam nje gazetar ne nje trashe qe luftoj me aq sa mundem per idete e mia te liberale te djathta, qe nuk jane pale me idete e padronit, por shkruaj ne gazeten e padronit, me thuaj ku ta gjej gazeten tjeter jashte transhese?
Ju lutem me keni prekur ne seder, por jam i vetedijshem se ka llogore e trashe te ndryshme te nje "lufte" ose kauze te drejte dhe nje te gabuar, prandaj semplifikimi i grykave funkionon ne filipiken tuaj kundra panigjerikeve, por kur panegjerike dhe filipiken jane ne te njejtin gazetar si i behet?

kam shume dilema duke qene nje gazetar i ri, por shoh se nuk eshte "implikimi" ne llogore qe ben qe gjerat jo vetm ne media, por edhe jashte saj ne shoqeri kane humbjen e ideve...
nuk kemi ide, s'kemi fe, natyrisht qe do jemi per dhe...

pune te mbare...

Anonymous said...

Fatos Bobi shume shkrim i bukur. Duke pare qe ky shkrim vjen fill mbas shkrimeve emocionale "amatore" te atyre qe permendeni Ju, une mendoj qe nuk eshte vetem llogorja ne te cilen keto e ato rreshtohen. Kjo sigurisht eshte shume domethenese. Une mendoj perseri e thene cope se ka te beje me miresine e keqadashesine e brendeshme te cdo individi po e po , po ka te beje dhe me formimin intelektual dhe profesional nga njera ane dhe nga ana tjeter eshte kenaqsia e duelit ne nje lige se ciles nuk i perkasin. Nuk i perkasin se gazetarine e kane kthyer ne komerc e emocione te castit. Nuk kane kultivim qytetar dhe dominohen nga xhelozia. Atehere le ta mbyll ashtu sic thote Frojdi: u rreka te gjej ne kete shkrim nje gabim jo qe jo, po dhe nje fshehje sofizme apo nje shigjete cinike, ironike apo sarkastike, por jo, nuk gjeta. ( Duke menduar dhe lexuar gjithmone si gazetaret driteshkurter) Ky eshte nje shkrim jo vetem i bukur nga ana estetike por ne rradhe te pare ky eshte nje shkrim model i qytetarit Fatos Lubonja.

Pihoni said...

“Think of the press as a great keyboard on which the government can play.” - Joseph Goebbels

Anonymous said...

"O me mua o kunder meje"- eshte nje postulat jo-demokratik dhe abuziv qe tregon qarte "konflikt interesin" te ketyre gazetareve qe permendi intelektuali Lubonja.

Kete thenie e permenden edhe Tolstoi ne nje nga veprat e tij, si nje thenie jo-paqesore.

Glen Llaçi said...

Me kete shkrim megjithese zoti Lubonja i ve pikat mbi i rreth disa problemeve kyce te medias, mendoj se do ta ashpersoje me teper sulmin ndaj tij. Kjo per faktin se e ka vene gishtin ne qender te plages dhe se gazetare te te njejtit profil me te ka gjithmone e me pak. duke pare komentet ne blog te shkrimit "liri e mediave apo liri e shprehjes" ku Lubonjen e akuzonin si pro partise ne pushtet apo thjesht si te rreshtuar kunder Rames e pashe te arsyeshme qe te lija nje koment ne te cilin paraqita disa nga shkrimet e Tije ku ai shkruante per interes te publikut dhe kritikonte kasten politike pa dallim. Por nuk e dija qe paska patur shkrime kundra tije edhe ne median e shkruar. Pra druhem se periudha e heshties ndaj zerave te pavarura ne media, po zevendesohet pak nga pake me ashpersim te dy kampeve ku sulmohete kampi kundershtar dhe cdo gazetare i pavarur i cili nuk behet pale me nje nga keto "llogoret". Dhe duke pare qe shteti nuk e merre persiper rolin e tij rregullues, e vetmia zgjidhje mbetet qe publiku te piqet ne gjykimin e tije ndaj situates politiko-shoqerore dhe ti imponoje pak nga pake standarte te duhura mediave. E di qe ndonjeri do thote qe kjo eshte e pamudur, une do ti pergjigjesha qe ky eshte nje debat tjeter nese publiku mund ti imponohet a jo mediave. Gjithesesi le ta nisim duke u treguar me te kujdesshmen nga ato qe na servirin mediat dhe gjysem steriotipet apo gjysem te vertetat e disa prej tyre.
G.LL

emiliano said...

jam shume dakort me konceptin e llogores po si ti ndaj lexuesi e qytetari i thjesht llogoret.ne nje shoqeri qe ka denigruar ne mosbesim e shtirje epidemike esht e veshtire te kuptosh kujt llogore i perket kush.a ka mundesi te me thuash nje gje i nderuari z.lubonja.kur do marri fund kjo ballo me maska?

altin bogdani said...

zoti lubonja;ju keni shume te drejte me shkrimin tuaj qe eshte koherent me dinamiken e zhvillimit tengjarjevene ne tegjithestrukturen epolitikes shqiptare,perfshi ketu edhe median si pushtet i pavarur,qe ne te vertete nuk eshte i tille por i njehesuar me pushtetet e tjera,qe dhe ju e keni trajtuar me shume elegance,dhe ketu qendron gjithe problematika,qe nje pjese emire e gazetareve qe pretendojne se jane te pavarur jane instrumenta te kesaj politike ne menyre te pavetedjshme apo te vetedijshme per te mbeshtetur kete simbioze te krijuar nga qarqe te erreta per te krijuar nje sistem central duke njehesuar te gjithe pushtetet ne nje te vetem,dhe une mendoj se eshte shume e veshtire per te prishur kete lloj strukture sepse keta qe e kane ngritur kane investuar miliarda euro per te mbajtur ne kembe kete sistem te felliqur me struktura nouminale marksiste.pavaresisht se ketu na flitet per instalim te demokracise kjo nuk eshte e tille,per shkak se ketu nuk jane injektuar akoma filozofite empirike,dhe ato kantiane,qe jane baza e ndetimit te nje strukture vertet demokratike,do te perdor dy personazhe te viktor hygo guinpllenin dhe auroren si metafore,ku vete hyoja bukurine e ka njehesuar me verberine ose me sakte i ka bere pjese te nje integraleje,qedhe vete kjo bukuri e ralle qe na pershkruan hygoja te mos kete aftesine perceptuale per te pare monstren e krijuar te guinpllenit por thjesht te jete e sugjestionuar nga tonalitetet e aplikuara prej tij,prandaj ketu kemi te bejme me nj simbioze te perkryer te bashke ekzistences te se mires dhe te keqes se bashku,dhe kjo i shkon shume per shtat situates te krijuar nga guinpllenet e medias shqiptare,ju ndoqa dhe mbreme ne debatin ne top chanal ku ju denonconit kete lloj strukture,por nje pjese e tyre nuk e pranojne se jane vet individet qe kane injektuar kete strukture,dhe une mendoj qe te luftohet kjo strukture dhe tendertohen institucione te pavarura dhe te decentralizuara ne rastin konkret ne institucionin mediatik qe eshte pushtet i katert,keta guinpllene duhet ti japin drit aurores qe te jete e afte te perceptoje monstrualitetin e aplikuar nga sistemi medio- politik ingritur me baze sundimi si ne kohen principatave mesjetare te aplikuara nga nikolo makiaveli.

fjorent said...

Z Lubonja,

emri Familja ketu ka nje kuptim edhe me te madh. Nuk ka ka te beje vetem me emrin Berisha ose Rama ose Nano.

Ne nje film kryeveper si Kumbari (Il Padrino - Godfather) Familja eshte epiqendra dhe kupola nga e cila dalin urdherat qe sklleverit dhe te paguarit vinin ne jete.

Edhe ketu tek ne me pare Nano kishte Familjen e tij, sot te zevendesuar nga Berisha me familjen e tij dhe mbase neser Rama me Familjen e tij Qellimisht me F te madhe).

Prandaj Rama e ka gjetur me se miri emrin Familja per te pasqyruar jo nje familje e nje njeri te thjeshte por sistemin politiko-shoqeror shqiptar.

Edhe shkrimet tuaja Z Lubonja cojne ne konkluzionin se Familja eshte e keqja e shoqerise shqiptare qe bazuar ende ne kodin e nderit e te klanit e te kapoklanit nuk mund te organizohej ne menyre tjeter pervecse duke u bazuar tek Familja qe shperndan ndere e favore e qe kerkon respekt per te cuar perpara punet e saj. "Since my business does not conflict with yours" thoshte Don Korleone ne filmin Kumbari.

Edhe Shqiperia eshte nje Familje e madhe me nje Don Korleone qe mbase nderrohet me kalimin e kohes por qe vazhdon te njejten politike derisa ata qe jane poshte ta kuptojne se ne kete menyre do te mbeten skllever te perjetshem ne sherbim te mafiozit te rradhes.

Sikur shqiptaret te shikonin Kumbarin dhe Gepardin (Il Gattopardo) do te mund te kuptonin shume te verteta per gjendjen ne te cilen ndodhet vendi i tyre dhe do ta hiqnin me ne fund ate sens viktimizmi neverites qe kane duke ja u hedhur fajin gjithmone nje pale te trete per cdo deshtim qe ata kane ne historine e tyre.

Fjorent Rrushi

Glen Llaçi said...

Sapo pashe ne interrnet emisionin "Shqip" dhe me pelqeu debati qe u zhvillua. ne nje pjese te diskutimit ju permendet edhe Beppe Grillon, nuk e di, por a do ishte nje opsion i mundshem teknika e Grillos duke perdorur rrjetin? Me kuptoni qarte me kete nuk dua te them banalizim i informacionit. Mendoje se mund te behet dicka ku publikut me ane te rrjetit mund ti vijne informacione te paaneshme, por edhe sakta e serioze.
Ah doja te specifikoja edhe dicka ne lidhje me argumentin e z Mustafa Nano, per problemin e Mediave qe kane edhe ato te nejtin problem me ne, ne lidhje me media ose te pozicionuara ose te varura nga pronare te fuqishem. kjo nuk eshte e sakte sepse edhe ne Francen e Sarkozise qe permendi Nano, nuk behet fjale per regjim mediatik sepse aty ka media te pavarura dhe mund te them edhe me profil te larte profesional. Ne shkrimet e "Le Monde" ke artikuj te shkruara nga profesore Universitetesh te njohur. Ndersa per sa i perket SHBA-se nuk mund te them qe e njohe gjendien, por kam pershtypien se M Nano e ka pare realitetin e atjeshem vetem nga nje kendveshtrim. Urime edhe nje here z Lubonja dhe mesa shohe une ne blog nuk jane te paket ata qe ndajne te njejtat ide dhe aspirata me ju.

Anonymous said...

Per mua te japesh mendim per Lubonjen nuk eshte fort e lehte pasi tek ai gjen edhe penen e mendimin briliant e theres ashtu edhe per fat te keq inatin proverbial, tendenciozitetin dhe fiksacionin tipik ballkanas.E mira e ketij shkrimi eshte se duket qarte qe Lubonjes i kane djegur fort shkrimet e kolegeve, dhe po perpqiqet te kuptoje e deri diku te justifikoje pozicionin e tij. Edhe Lubonja vete smund ta mohoje se ai e ka vendosur veten qartesisht ne nje llogore qe nuk eshte domosdoshmerisht pro berishes por qe eshte qartesisht kunder Rames dhe per mua ketu qendron edhe difekti i tij i shkrimit te mesiperm sipas meje.Shumecka lubonja shkruan ketu ka karakter "self referencial" dhe ben mire qe vertet ti ndjeke keshillat dhe filozofimet e tij qe jua drejton te tjereve. Per mua eshte nje shenje dobesie e Lubonjes tendencioziteti qe ai tregon ndaj rames kudo e ne cdo rast. Ai e di fort mire se nese linja e tij "filozofike" (qe shkon pak a shume Berisha eshte i keq dhe ne ja njohim mire bemat por Rama eshte ca me i keq dhe rreziku i vertet per ne) do ti binte ndesh Berishes dhe co. ai nuk do te kishte hapesiren e duhur ne Klan dhe mediat ne rritje proqeveritare. Ai e di fort mire se me te bemat e pabemat e tij Lubonja ne fakt indirekt (apo direkt) ka ndihmuar ne mbajtjen ne pushtet dhe fuqizimin e rrezikshem te klanit Berisha. Kjo eshte si puna e traut qe na ka zene brenda dhe lubonjes qe merret me fijen e flokut.

ragipi said...

Tung zoti lubonja
me analizat e nje gazetari vertet te pavarur je duke atakuar vertete ate njeanshmerin qe po e bejne keta gazetaret dhe analistet qe here behen ne anen e Berishes e here te Rames dhe ju po mundoheni ta mbroni dhe ta kulturoni ate te mesmin se cka do te behet nese nuk te mbron asnjera pale pra vaj halli per gazetaret e vertete te pavarur. Ju po beni nje pune te madhe si analist sidomos ne emisionet e Klanit qe po te mos ishi aty emisionet do te ishin te varfura. Pse sepse njeher that se pse kam ardhur ketu te besh debate me disa qe vertet nuk dinin kurgja por mos te ishi e ti demaskoni ato budallakinat e tyre nje pjes e ndegjusve do te mendonin se e kan mire. Pra patjeter duhet te jeni edhe me shum neper debate dhe shkrime sepse vajhalli nese e kan ne dor keta here te nje partie e here te asaj partie pra ju lumte dhe pune te mbare ne demaskimin e ktyre te pavarurve te rrejshem qe po te iu lexojsh shkrimet e tyre here i gjen majtas e here djathtas pra kurre ta mbroj interesi e vertete te keti populli te vujtun. Tung Ragipi londer

Anonymous said...

I nderuar zoti Lubonja
Mendoj se do ishte mire te mos binit neper gracka gazetareske qe perfundojne sic thote populli
".. e lagu s'e lagu".Detyra juaj eshte te paraqisni realitetin nen prizmin tuaj. Nqs ai prizm eshte i veshur me ngjyre politike ai eshte i njollosur per jete. Lexuesit e ketyre artikujve nuk kane kohe as nerva te kontrollojne vertesine e fakteve qe parashtroni ju. Nqs akuzoheni ne menyre te padrejte atehere duhet te beni shkrime qe vertetojne te kunderten. Mendoj se kjo eshte mbrojtja juaj me e mire.
Megjithate ju beni si te doni, por mendoj se shkrime te tilla qe bertasin "... s'eshte e vertete!" duken shkrime qaramanesh e askush s'ka nge te ndjeke konfliktet tuaja. Paraqisni opinionin tuaj mbi ceshtjet ne fjale. Nese u goditet, merreni si burre. Mos shkruani me shkrime te tilla shfajesuese. Jane humbje kohe per lexuesin.
Nga nje adhurues.

Gjinisht said...

Doja t'ju senjalizoje kete shkrim

http://tiranacalling.wordpress.com/2009/12/13/ashpersimi-kerkimi-dhe-ekstremizimi-i-klases-as-ne-qiell-e-as-ne-toke/

qe ne nje fare menyre vazhdon e zhvillon idene e Lubonjes.

Dite te mbare