Sunday, May 30, 2010

Greva si “provë në ngarkesë”

Greva e urisë së deputetëve dhe militantëve socialistë dhe kriza rreth saj, që ende s’ka mbaruar, e lidhur kjo edhe me ndërkombëtarët, ka dhënë disa tregues të rëndësishëm që meritojnë reflektim dhe debat përtej luftës së përditshme politiko- mediatike. Ajo ishte si një prej atyre që në mjekësi i quajnë “provë në ngarkesë”, ku organizmi apo një organ i caktuar, për t’u shqyrtuar se si funksion, vihet në kushte të jashtëzakonshme pune siç është p.sh., prova e biçikletës për zemrën. Rezultatet, pastaj, i tregojnë mjekut shumëçka, që nuk e zbulon dot në një kontroll të zakonshëm.
Ky shkrim është një sprovë për të nxjerrë disa përfundime, që mund të pasohen me të tjera në ditët në vazhdim, duke parë rezultatet e kësaj “prove në ngarkesë”.
Nëse dikush do të më pyeste për të mirat dhe të këqijat e krizës së grevës, sipas gjykimit tim do të thosha se e mira kryesore e grevës, si provë në ngarkesë, ishte se ajo shërbeu për të treguar nivelin e pjekurisë së demokracisë dhe më gjerë të shoqërisë shqiptare. Sipas gjykimit tim ajo tregoi se, megjithë abuzimet e mëdha të politikanëve tanë, ata janë gjithsesi nën një këmishë force, jashtë së cilës e kanë vështirë të dalin. E kjo këmishë force është sa opinioni publik shqiptar, tashmë shumë më i pjekur sesa dhjetë vjet më parë, ashtu edhe ndërgjegjësimi se rruga drejt ndërtimit të institucioneve demokratike evropiane nuk mund të braktiset lehtë edhe pse, në shumë pika, ajo mbetet një rrugë virtuale, paralele me rrugën reale që ndjekin politikanët tanë. Fakti që Sali Berisha nuk mbrohet me dhunë ndaj sulmeve të opozitës, por duke iu referuar ligjit dhe vendimit të gjykatave është tregues pozitiv, gjithsesi. Fakti që socialistët, megjithë formën se si bënë grevën (dhe vetë grevën si mjet proteste) dhe ndonjë parullë destruktive, nuk dolën jashtë kornizave të një proteste paqësore, është tregues pozitiv, gjithashtu. Këta janë, sipas meje, treguesit më pozitivë që u vunë re në këtë shqetësim jo të vogël që solli kjo provë në ngarkesë.
Ndërkaq, gjykoj se pretendimi i opozitës se nëpërmjet grevës u arrit “tërheqja e vëmendjes së ndërkombëtarëve” nuk mund të futet në treguesit pozitivë, (sukses e quajnë socialistët), por në treguesit negativë. Me “sukses” socialistët nënkuptojnë se ata kanë arritur t’i tërheqin vëmendjen ndërkombëtarëve për atë se sa i mbrapshtë është kundërshtari i tyre Berisha/PD, si një hap i rëndësishëm pra për të arritur të merret bekimi i tyre për t’i çelur rrugën një rotacioni të pushtetit në Shqipëri, pasi ata do të binden se ky vend me këtë gjendje e këtë Qeveri është i paqeverisshëm. Jo rastësisht pas Strasburgut, opozita erdhi me fjalën “ultimatum”, se Berishës i është dhënë nga ndërkombëtarët një afat dyjavor të mendojë për hapjen e kutive, në të kundërt ata do të veprojnë me bombardime. Që do të thotë: shqiptarëve do t’u shtyhet procesi i dhënies së vizave apo i asociim integrimit në BE. Mirëpo a mund të quhet ky sukses? Sipas optikës sime absolutisht jo. Jo vetëm pse dëmtohemi të gjithë, por sepse kjo krizë edhe në sytë e ndërkombëtarëve nuk ka një përgjegjës të vetëm, por dy dhe, nga sa jam i informuar, disa metoda të përdorura nga opozita si bojkoti dhe veçanërisht greva kanë dhënë imazhin edhe te ndërkombëtarët se, kjo opozitë është më e prirur për jashtëinstitucionalitet sesa vetë maxhoranca që ajo sulmon. Pra gjithë kjo krizë e ka rritur imazhin në sytë e ndërkombëtarëve të një vendi me klasë politike jashtëinstitucionaliste. Ai që e quajnë sukses i grevës socialistët, në këtë kontekst, do të ishte në fakt një kthim prapa në një regjim që do ta quanim “grevokraci”.
Po ashtu do të thosha se greva dhe kjo situatë në përgjithësi ka akutizuar disa sëmundje të vjetra të politikës shqiptare, duke na treguar se jemi larg “shërimit” prej tyre.
Së pari, ajo ka rritur në maksimum politikën e konfliktit në dëm të asaj të dialogut. Dhe konfliktualitet do të thotë paaftësi për të zgjidhur probleme që kanë si shkaktarë të dy palët, siç është edhe realiteti i kësaj krize dhe i kësaj politike në përgjithësi.
Së dyti, ajo ka penguar marrjen me shumë probleme serioze që ka vendi. E kam fjalën për probleme të tilla, si politikat e ndryshme ekonomike, që duhen ndjekur në këtë situatë krize që po afrohet, ato lidhur me forcimin e mëtejshëm të institucioneve që garantojnë demokracinë, luftën kundër kriminalitetit, papunësisë etj...
Së treti, ajo ka konsoliduar autoritarizmin dhe populizmin e liderëve, në dëm të një situate demokratike në dy partitë kryesore. Mjaft të kesh parasysh për këtë faktin se protagonistët e mendimit ndryshe në PS, Blushi, Islami, Bello Malaj etj. në këtë periudhë heshtën, pasi emocionet e ngritura në qiell do t’i kthenin në armiq e tradhtarë. Po ashtu, nga ana tjetër, ajo rriti kompaktësinë brenda PD rreth liderit të saj Berisha. Nesër zërat disidentë ndaj Berishës, për të cilat gjykoj se PD ka dëshpërimisht nevojë, do të bëhen edhe më të pafuqishëm.
Së katërti, ajo thelloi një prirje të dhunshme që kanë partitë më të mëdha, për të injoruar gjithçka ekziston jashtë tyre, edhe shoqërinë civile, edhe parti më të vogla, e kombinuar kjo me prirjen për t’i ndarë këto në satelitë të njërës apo tjetrës palë.
Së pesti, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat. Ato si rrallë herë, kohët e fundit u panë të rreshtuara dhe jo si informuese apo gjykuese të paanshme të këtij konflikti, duke humbur edhe më kredibilitetin dhe aftësinë për të qenë mjet i vërtetë informimi, por edhe mjet presioni në emër të interesit të gjerë publik.
Së gjashti, gjithë në kuadrin e polarizimit dhe konfliktualitetit ekstrem, kjo krizë frustroi edhe më Gjyqësorin, për sa i përket mbajtjes së gjykimeve të paanshme. Një gjyqësor që akuzohet rëndë si palë vihet, si të thuash, me shpatulla pas murit dhe minimalisht bëhet edhe më pasiv ose i dorëzohet përfundimisht idesë së qenies palë.
Gjykoj se në ditët në vazhdim, kur ethet e krizës janë fashitur, por jo shuar kurrsesi, por kur kanë mbërritur ekspertë ndërkombëtarë, për të arritur një dalje nga kriza, këta tregues negativë të grevës duhen vënë përballë atyre që i quajta treguesit e saj pozitivë, në mënyrë që të mund të arrihet jo vetëm zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin, por edhe ndërtimi i politikave afatgjata dhe largpamëse. (Panorama, 28 maj 2010)

1 comment:

kenji said...

Z. Lubonja, faleminderit për analizën e balancuar. Është mirë që Shqipëria të ketë një intelektual si ju i cili, ndërkohë që identifikon burimet e problemeve, gjithashtu nxjerr në pah gjërat pozitive të lidhura me to.