Friday, June 25, 2010

Futbolli dhe politika si llotosport

Lexova para disa ditësh shkrimin e Besnik Disdarit “Përse kam frikë të shkruaj për Kampionatin Botëror”. Nuk mund veçse të solidarizohem me ndjenjën e dhimbjes së gazetarit, që si pakkush e njeh sportin botëror dhe kombëtar, kur konstaton se ndërkohë që mediat tona kanë një hipertrofizim grotesk në paraqitjen e Kampionatit Botëror të futbollit nuk thuhet një fjalë për sportin tonë, për Kampionatin e Atletikës që sapo u zhvillua etj.. Por nuk mund edhe të mos ngre pyetjen: pse po ndodh kështu? Çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare? Pse kur futbolli ynë është në mjerim ne kemi emisione që ndjekin e komentojnë Kampionatin Botëror, disa herë më shumë sa edhe vetë vendet pjesëmarrëse?
Gjykoj se kemi të bëjmë me një tjetërsim të sportit si shprehje të një tjetërsimi shumë më të gjerë të njeriut shqiptar në tërësi. Çfarë është sporti në thelbin e vet? Sporti në thelbin e vet është një formë edukimi fizik e mendor më së pari, është një formë shoqërizimi e rinisë, edukimi të shpirtit të skuadrës, është një formë krijimtarie, është një formë argëtimi po ashtu, çlirimi të energjisë në mënyrë pozitive. Pra sporti i vërtetë nuk është thjesht një punë spektakli apo mall konsumi ku një numër i vogël bëjnë aktorin në skenë dhe paguhen për këtë kurse të tjerët spektatorin dhe paguajnë për këtë. Sporti i vërtetë është një edukim i shumicës ku ata që kanë më talent apo më pasion, pastaj, veçohen arrijnë e dalin në skenë, por dalin pikërisht sepse ekziston i gjithë ky edukim sportiv. Dhe vetëm ata që e kanë jetuar e ushtruar sportin kësisoj nesër mund të jenë edhe sportistë edhe spektatorë e tifozë të mirë.
Kurse në rastin në fjalë kemi të bëjmë me tjetërsimin e futbollit në spektakël konsumi dhe më keq akoma, bixhozi. Është evidente se “spektakli” ynë futbollistik tenton të imitojë atë perëndimor, veçanërisht atë italian. Nuk mund të mos vihet në dukje se fenomeni i tjetërsimit të futbollit në spektakël me yje e superyje me të cilët, nëpërmjet mediave, merremi jo vetëm me ç’ka bëjnë në fushë, por edhe se çka bëjnë në jetën private, se me kë martohen e me kë ndahen, se çfarë veshin e çfarë hanë etj. është një fenomen që na është induktuar nga shoqëria perëndimore e konsumit. Edhe llotosporti po ashtu. Por, le të vëmë në dukje diferencat e mëdha. Së pari, në Perëndim ky është një fenomen i parë gjithë ditën me sy kritik nga pjesa më e mençur e më e ditur e shoqërisë. Së dyti, kush ka pasur mundësi ta jetojë Italinë dhe Perëndimin jo thjesht nga ekranet televizive apo dhomat e hoteleve turisike ka pasur rastin të shohë edhe numrin e pafund të shesheve të lojërave e të fushave të futbollit, në shkolla e jashtë tyre, ku njerëzit merren me sport në kuptimin primar që i dhashë atij. Së treti, vërtet edhe në Itali ka abuzim me kohën televizive në televizionet që transmetojnë kampionatin, por ky kurrsesi nuk arrin nivelin e lavazhit të trurit që bëjnë mediat tona dhe, për më tepër, kurrsesi nuk arrin skizofreninë që na krijojnë mediat tona në kuptimin e ndarjes nga realiteti sepse, një vend si Italia, tek e fundit, është kampionia e botës në fuqi, është katër herë kampione e botës dhe dy herë finaliste, dhe po ashtu futbolli në Itali është gjithsesi, një industri e madhe fitimi, kurse tek ne thuajse nuk ekziston si realitet jashtë ekranit. Tek ne ekziston vetëm trushpëlarja, nëpërmjet ekranit, me futbollin ndërkombëtar. Dhe në degradimin që sjell kjo trushpëlarje nuk mund të mos bjerë në sy jo vetëm se njerëzit kanë gjithnjë e më pak kulturë sportive për ta shijuar e komentuar futbollin, por edhe se gjithnjë e më pak gjen atë që mund të quhet tifozëri në kuptimin e lidhjes me një skuadër për shkak të vlerave që ajo parqet apo të shijeve personale; pasi gjithnjë e më i madh po bëhet numri i atyre që i ndjekin ndeshjet e sportit në të famshmet bare llotosporti ku “tifozllëku” nuk lidhet as me filan skuadër as me filan lojtar, por me bastin që kanë vënë. Dhe më e tmerrshmja është se pothuajse në të gjitha emisionet e shumta të organizuara nga kanalet e ndryshme televizive jepet kuotat e basteve dhe bëhen thirrje që të vihen baste.
Në thelbin e vet kemi të bëjmë, pra, me një nga shprehjet e asaj katandisjes së njeriut shqiptar në një qenie që thuajse nuk ka emocione të tjera në jetë, përveç atyre që i jep paraja e fituar lehtë pa punë dhe pa djersë dhe të shpenzuara po kaq lehtë.
Ka kohë që kjo gjendje shpirtërore e kulturore është për të vënë alarmin, por cilës kambanë t’i biesh kur sheh se edhe politika dhe mediat promovojnë të njëjtën kulturë, se ato jo vetëm nuk i shqetëson kjo situatë, por edhe e stimulojnë. Në shkrimin “Ja na erdhi Kampionati Botëror”, duke shkruar për kthimin e politikës në spektakël, në thelb kam shkruar për të njëjtin tjetërsim si atë të futbollit. Në vend që politika të jetë një dimension i çdo qytetari nga i cili të dalin pastaj politikanët e karrierës, ajo ashtu si ky lloj futbolli, është kthyer në një grup njerëzish që japin spektakël në media kurse të tjerët në spektatorë pasivë të tyre.
Dikush do të më thotë se e ekzagjeroj, sepse ne jemi mbytur deri në fyt me politikë, madje mirë që erdhi kampionati që të çlirohemi paksa prej saj. Të kuptohemi, nuk e kam fjalën për atë se sa merremi dhe as me atë se nuk thuhen mjaft gjëra që kanë të bëjnë me problemet e vërteta të vendit: ato që lidhen me korrupsionin, votën e lirë, varfërinë, papunësinë, shkollimin e spitalet që janë për ibret etj., por se si dhe ku thuhen. Problemi është se vendi ku thuhen, mënyra se si thuhen dhe, mbi të gjitha, mungesa e punës serioze bën të qartë për këdo se politikani ynë nuk i ndjen seriozisht si probleme të vërteta të vendit dhe nuk punon seriozisht për to; se fjalët që nxjerr nga goja në spektaklet mediatike janë kthyer në daulle boshe, pa përmbajtje. Shikoni lajmin e fundit: dy partitë kryesore paguajnë shifra të majme për kompani të huaja që të bëjnë promovimin e tyre jashtë. Nuk ka rëndësi puna, pra, rëndësi ka të jesh në skenë e mundësisht të marrësh nga ndërkombëtarët ndonjë reklamë të mirë për shfaqjen, që të ndikosh me këtë mbi spektatorin tuhaf shqiptar. Janë shenja të dukshme të tjetërsimit, të spektaklizmit të politikës. Sepse puna e vërtetë nuk bëhet para kamerave, bëhet në heshtje me përqendrim dhe djersë. Ndryshimi midis një filmi të vërtetë dhe Big Brodherit është se për të bërë një film të vërtetë duhet shumë punë e mund e djersë prapa kuintave, kurse aktorët e Big Brodherit futen direkt në skenë, pasi i aprovon një juri, dhe bëhen të famshëm. Dhe për ta nuk ka rëndësi shumë se çfarë thonë në skenë, mjafton të bërtasin sa më shumë, të tërheqin vëmendjen sa më shumë, të shajnë sa më shumë në mënyrë që pjesa më e madhe e më banale e shoqërisë të ndjehet e identifikuar me ta. Kështu, edhe politikanët tanë. Ndërkaq fusha e punës së politikës nuk është ekrani, por mbi të gjitha, çfarë qëndron prapa ekranit. Nuk di të jetë ulur ndonjë grup politikanësh ndërkohë që bëhej show i madh, greva në bulevard, dhe të punonte seriozisht psh. për një Kod Zgjedhor e për propozime serioze që në Shqipëri të ketë më shumë transparencë në gjithçka që ka të bëjë me res publica (gjënë publike). Edhe kjo puna e vizave që e stërfryn maxhoranca është bërë aq e rëndësishme në mendjen e njerëzve për hir të këtij spektakli, sepse heqja e vizave nuk është më e rëndësishme sesa punësimi brenda vendit psh..
Ndërkaq prapa kësaj paranoje mediatike vetëm një gjë reale ndodh: pasurimi i një numri të vogël njerëzish dhe varfërimi i shumicës, jo vetëm material. Por edhe shpirtëror e intelektual; e njëjta që ndodh me kazinotë e llotosportit në futboll, ku fitojnë vetëm grushti i menaxherëve dhe pronarëve të llotosportit.
Sipas gjykimit tim, ky tjetërsim i njeriut shqiptar nuk është një fenomen i ri, është një formë e re e shfaqjes së një kulture të vjetër të trashëguar nga komunizmi: hipokrizia, mashtrimi, simulimi, propaganda, demagogjia vazhdojnë të jenë një mënyrë jetese në shoqërinë tonë, dmth. një kulturë ndarjeje e njeriut nga realiteti i tij, nga e vërteta; një kulturë sa e politikës që ia transmeton shoqërisë aq edhe e kundërta.
Më duket e tepërt të them se politika ndryshe do të fillojë pikërisht kur ajo nga mashtrim dhe hipokrizi mediatike të kthehet e të bëhet një punë e vërtetë, serioze, që kërkon mund e djersë dhe që si kompensim nuk të jep kënaqësinë e pushtetit e famës, as të suksesit në daljet e pareshtura nëpër ekrane, por mirënjohjen e vërtetë të njerëzve. As edhe se pa një shoqëri që bart këtë kulturë ndryshe vështirë se do të kemi një politikë kësisoj. Më duket sikur po them një gjë të vjetër sa Dhjetë Urdhëresat apo si ai mësimi i urtë që thotë “bëj një të mirë dhe hidhe në det” ndaj të cilës të gjithë qeshin me qesëndi si për një gjë ideale, që s’arrihet kurrë. Por pa u thënë këto zgjerohet hendeku i mashtrimit dhe hipokrizisë, siç e tregon edhe kjo ndarje kaq e pashembullt e futbollit e politikës në ekranin e llotosportit tonë nga realiteti i politikës e futbollit tonë. (Panorama 23 qershor 20101)

2 comments:

ragipi said...

cdMbase po ju drejtoheni mire qeshtjeve te cilat populli duhet te orientohet drejt dhe drejt punes dhe vetem punes. Por po me duket zoti lubonja se sic thonte konica i madh po shkruaj por kush do ti lexoj. Por megjithate mos u dorzo dhe vijo me keto shkrime te bukura ta demaskosh keto rrenje qe siq duket kan mbete nga komunizmi per ta larguar vemendjen e njerzeve nga puna dhe pergjegjesia e klases se nalte per ta mashtruar dhe ikur nga vemendja e politikes ditore. Une jetoj ne Londer dhe cuditem se si kanalet e tera tv ne shqiperi e me pak ne kosove ne epiqender te programeve jane komentet e futbollit boteror e jo edhe hallet e njerzve. Kjo ben qe te kuptojme sene nuk kemi halle tjera pos tia bejme dertin ekipeve te futbollit te vendeve tjera qe ato edhe per vete nuk bajn aq shume zhurme sa qe bejne fansat e shqiperise bile edhe me baste etj.Cuditem edhe si politikanet bile edhe femrat VIP e politikanet bejne qe ti njohin futbollistet me mire se shtetasit e tyre bile edhe per dashuriqkat e tyre etj. Une vertt befasohem qe ne vend te lexojne disa ide perparimtare qe ky popull te shkoj vete perpara e jo tia baj hallin te tjereve shkrijn shum mund duke lexuar per ato ekipe e ata futbollist qe me ne fund ata dalin edhe po hupen fitues e ata dhe shikuesit qe debatojn iu mbushin gjepat e tyre dhe sic pati komente ketu ne londer futbollistet e tyre jan pare duke qeshur duke ardhur ne atdhe dhe kan filluar kritikat aty ne shqiperi sdihet se sa do te zgjasin analizat boshe te njerzve ne ze ne vend qe ne vend te punojne me shum bajne hallin e huaj e jo te vetin bile te kishin fole per sportin vendas por me vjeq keq per ta por me vjen mire qe si ju zoti lubonja ju bani me dije se nuk jan askund dhe sduhet te vazhdohet keshtu.tung ragipi

Glen Llaçi said...

Po shume e drejte. Dhe kulmi i trajtimit te njerezve si kavie konsumuse arriti me lajmin e fameshem (te prodhuar nga kompanite e basteve sipas mendimit tim) ku nje oktapod parashikonte ekipin fitues ndermjet Spanjes dhe Gjermanise dhe gjoja deri tani i kishte parashikuar drejte te gjitha ndeshiet e gjermanise.