Wednesday, July 7, 2010

Autostrada Rrëshen - Mars - Kalimash


Do të pyesë lexuesi pse ky titull; ç'punë ka Marsi në këtë itinerar?  
Më në fund mu dha rasti të kaloj nëpër autostradën e famshme aq të përfolur dhe më erdhi natyrshëm ky asociacion, që pastaj, sa më shumë e mendoja, aq më i goditur më dukej.  Më erdhi nëpërmend Marsi sepse në shumë segmente të kësaj autostrade pata ndjesinë se nuk po udhëtoja në Tokën tonë, por nëpër truallin e planetit Mars, ku s'ka as gjelbërim, as pemë, as bar, por një peizazh pa jetë, vetëm me gurë minerarë apo vullkanikë në ngjyra të çuditshme. Kjo për shkak të shkatërrimit katastrofik ekologjik që ka shkaktuar ajo autostradë. Udhëtimi im zgjati deri në Fan dhe, e përsëris: ishte tronditës numri i maleve të zhveshur që më panë sytë, ku në vend të pishave dhe barit dhe bimësisë që ka ekzistuar aty, tani syri të shihte një shkreti/shëmtirë ku natyra dhe peizazhi janë vrarë në kuptimin më mizor të fjalës. E di që shumica do të qeshin me këtë vërejtje dhe do të më flasin për cilësinë e asfaltit e shpejtësinë me të cilën arrihet Kukësi. E di që një pjesë, janë edhe të sinqertë kur të flasin me entuziazëm për këtë autostradë si arritje. E di, po ashtu, që një pjesë nuk e kanë fare atë ndjenjë dhimbjeje ndaj peizazhit të vrarë edhe kur nuk janë nga ata që sytë u shohin vetëm para dhe gëzimin e udhëtimit në makina luksoze. Por, duke e ditur se edhe këta marrin si pikë referimi shpesh të huajt perëndimorë, edhe pse nuk më pëlqen kjo formë dhënieje argumentesh, po ju them se isha duke udhëtuar edhe me një të huaj, perëndimore madje, shumë më të shëtitur se unë madje, artiste madje. Dhe ajo më tha se në jetën e vet s'kishte parë një autostradë më të shëmtuar nga pikëpamja e shkatërrimit të natyrës dhe peizazhit. Dhe kjo, sipas saj, nuk lidhej thjesht me faktin se është çimentifikuar tërë ajo natyrë e më the të thashë, por sepse dukej sheshit se nuk ishte bërë asnjë studim për të ruajtur këtë natyrë e peizazh, kur ishte bërë projekti sepse - më tha gjithmonë ajo - tek ne, edhe kur bëhen autostrada të tilla, nuk pritet dhe nuk zhvishet mali kështu siç e kanë bërë këta, por preferohen më shumë gjysmë tunele, ku natyra sipër mbetet dhe pastaj, atje ku s'është e mundur, firmat janë të detyruara ta riveshin malin.

Së dyti, thashë "Mars" sepse, duke përshkuar atë autostradë, nuk mund të mos më binte në sy kotësia e saj nga pikëpamja e funksionalitetit. Ajo mbizotëronte në atë peizazh me male të shkretë, si një luks absurd kur ke parasysh vendin dhe nevojat e tij. Mjaft të kesh parasysh gjendjen e rrugëve në zonat e tjera të vendit, faktin se, ndërkohë që prej kryeqytetit e deri në Rrëshen, ku trafiku është tejet më i dendur, ka vetëm ca copa autostrade, ajo fillon atje ku syri të shihte një numër krejt të vogël makinash. Apo faktin se një rrugë e tillë nuk ka shkuar dot ende deri në Vlorë. Pra nuk mund të thuash kurrsesi se ajo ka qenë një prioritet i Shqipërisë. Rruga që vazhdon nga Miloti për në Rrëshen, që është sa gjysma e autostradës, do të ishte plotësisht e mjaftueshme të paktën (sipas gjykimit tim intuitiv sigurisht) edhe për njëzet vjet.
Së treti, thashë "rrugë marsiane" sepse, kush kalon nëpër atë autostradë, nuk mund të mos i bjerë në sy një gjë që e kam trajtuar edhe në një shkrim tjetër, lidhur me këtë rrugë, të titulluar "Gjethe pa trung dhe trung pa gjethe" (Korrieri, 22 qershor 2009). E kam fjalën për faktin se ajo e ka izoluar Veriun, në vend se t'i shërbejë atij. Edhe në fshatrat atje afër saj, binte në sy ky izolim; edhe për ata nuk ishte parashikuar ndonjë dalje a afërt. Të paktën nga Rrësheni në Fan, që është një distancë jo e vogël, nuk kishte asnjë dalje. Dukej sikur ajo të mos jetë bërë për njerëzit, por për një gjë (disa e quajnë"komb") abstrakte. Duke përshkuar atë, nuk mund të mos mendoje se me të hollat që janë shpenzuar aty mund të ishin hapur rrugë të vogla apo të shtroheshin rrugë të vjetra në formën e degëzimeve në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në Dukagjinin e parrugë, çka do të bënte që në trupin e Veriut të lëvizte sërish limfa e jetës e cila, në gjendjen që kemi sot, është përqendruar e po asfiksohet përditë në gjethnajën e madhe pa trung, qytet-fshatin gjigand, Tiranë-Durrësin e supershëmtuar. Nuk mund gjithashtu të mos bëje kalkulimin se sa shkolla e kopshte do të mund të ishin ndërtuar me ato të holla; sa rroga mësuesish e mjekësh do të ishin ngritur, ashtu që puna e tyre të fitonte dinjitetin e nëpërkëmbur nga varfëria; sa monumente kulture mund të ishin restauruar, sa shumëçka tjetër më prioritare mund të ishte bërë për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ja pse edhe në këtë aspekt, ajo ishte një autostradë marsiane.
Kundërargumentet kryesore që dëgjoj kur them këto që thashë më sipër, janë disa. Së pari ato patriotike: "rruga e kombit" të thonë. Besoj se nuk ia vlen të trajtohet në këtë shkrim ky argument sepse për çdo shqiptar normal, tashmë është e qartë se, që kur është krijuar Shqipëria e këtej (më duket se kjo ka filluar të vlejë edhe për Kosovën) fjala që u shkon më për shtat politikanëve tanë ka qenë e mbetet ajo, sipas së cilës, nacionalizmi është streha e fundit e horrave dhe, sipas gjykimit tim, edhe kjo rrugë, mu për ato çka thashë më sipër, por edhe për akuzat e shumta që qarkullojnë për përdorimin e saj për një superkorrupsion, është ilustrim i qartë i dashurisë së rrejshme  të politikanëve tanë për këtë vend dhe njerëzit e tij.
Një argument i dytë që dëgjoj më shpesh është se kjo do të bëjë të mundur zhvillimin e ekonomisë, kryesisht për transportin e mallrave. Por a nuk do të ishte më mirë që rruga të rritej duke u rritur prodhimi. Sepse, cilat janë këto mallra që prodhokemi ne dhe kosovarët që paskan nevojë për këtë rrugë kaq të gjerë? Malli kryesor që transportojmë ne është droga dhe ajo nuk ka nevojë për autostradë. Disa të tjerë të flasin për lumin e turistëve kosovarë, që do të vërshojnë nga ajo autostradë për të na sjellë fitime. Por a nuk do të kishte qenë më mirë (për shembull) që një pjesë e parave të autostradës të ishin shpenzuar për të hequr ujërat e zeza nga derdhja në det më së pari, për të shembur e pastruar ndërtimet pa leje që kanë shpërfytyruar shumëçka në bregdet më së dyti e të tjera e të tjera, kurse pjesa tjetër për të zgjeruar e rregulluar mirë e bukur rrugën e vjetër?  Sepse personalisht do t'u thosha turistëve kosovarë dhe jo vetëm: nëse doni të shihni Shqipërinë, zgjidhni rrugën e vjetër se do të shihni një Shqipëri shumë më të bukur edhe në kuptimin natyror, por edhe historik e kulturor. Unë në një fragment në kthim mora rrugën e vjetër, me idenë që t'i shpëtoja shëmtisë së peizazhit marsian të autostradës së re. Dhe u kënaqa shumë më tepër sesa në vajtje ndonëse, fat të keq, edhe atje nuk i shpëtova dot një shëmtie tjetër të dorës shqiptare: në shumë fragmente kishin vjedhur mbrojtëset prej alumini në krah të rrugës.
Shkurt, për ta mbyllur, udhëtimi nëpër autostradën Rrëshen-Kalimash ishte për mua një zhgënjim, një tjetër shenjë e dukshme dhe dramatike e delirit (dhe jo vetëm) të politikës sonë, që tregon se sa e shkëputur është klasa jonë politike nga hallet e vërteta të këtij vendi, por edhe nga vizioni i sotëm në botë për zhvillimin e qëndrueshëm e në harmoni me natyrën, prandaj dhe futa Marsin në itinerarin Rrëshen - Kalimash. (Panorama, 7 korrik 2010)

2 comments:

NOBLE said...

1- Cdo rruge sjell zhvillim.

2- Cdo rruge sjell impakt mjedisor negativ, i cili nga ana tjeter kerkon nje trajtim te vecante qe te "rigjenerohet" deri ne nje fare mase; por kjo kerkon nje kohe relativisht me te gjate, pra mbetet per tu pare. Duhet theksuar ketu se ato male te c'veshura vertet krijojne nje "panorame" jo te kendshme ne syte e kalimtareve por, pjesa me e madhe e shpyllezimeve dhe demeve pergjate atij territori jane bere me kohe dhe jo gjate ndertimit te rruges.

3- Pertej retorikes se politikaneve, edhe une do te thoja se kjo rruge mund te quhet "Rruga e Kombiit", sepse nje nder prioritet qe kihet parasyshe gjate ndertimit te nje rruge eshte gjeo-strategjia e saj; Pra lidhjen e dy apo me shume hapesirave/territoreve dhe integrimin e tyre per nje zhvillim me dinamik, aq me teper kur kjo kalon tej perfitimeve ekonomike, duke mundesuar afrimin dhe komunikimin intesnsiv te nje populli te ndare nga koha/historia. Megjithate, po te flasim prap per aspektin strategjik, kjo rruge ka nje rendesi akoma me te madhe; se shpejti do te kuptojme se ajo do te jete nje arterie e fuqishme zhvillimi dhe komunikimi nga brigjet e Adriatikut duke depertuar ne zemer te gadishullit ballkanik.

4- Persa i perket abuzimeve qe mund te jene bere para/gjate/dhe pas punimeve per ndertimin e kesaj rruge edhe une ngre dyshime dhe verejtje por, qe nuk do isha dakord ta shikoja nga i njejti kend qe e ka pershkuar/pershkruar Z. Lubonja.

5- Ndoshta nganjehere, edhe pse me nje shpirt konstruktiv, ndodh qe te lekundemi midis te hedhurit drite ne zbrazetirat e erreta dhe te erresuarit te faqevete ndritura. Po e them kete duke u nisur edhe nga respekti apo besimi qe kam patur gjithnje ndaj shkrimeve te autorit, gje qe s'besoj se do lekundet edhe ne vazhdim.

Glen Llaçi said...

Rruga e kombit... Ne radhe te pare "rruga e kombit" fillon duke ndertuar nje te ardhme me te mire dhe me vizion per kombin dhe jo duke ndertuar nje autostrade pa patur parasysh fare normat elementare te ndertimit te nje vepre publike.
po ja le te supozojme se Lubonja eshte i gabuar per shkretetimin e maleve per rreth dmth qe eshte i paevitueshem dhe qe ato kan nisur te shkretohen kohe me pare. Nuk duhet harruar qe kjo qeveri ka dhene prova qe per pasurimin e pushtetareve dhe klaneve te tyre jo vetem qe kan qene te gatshem ta bejne duke keqeperdorur burimet natyrore, por duke mos kursyer as jete njerezish. Dhe duke ditur si jane ndertuar fabrikat e cimentove, banesat mbi site antike apo rrafinerite e naftes llogjikoj qe edhe kjo autostrade nuk ben ndonje perjashtim edhe pse ka mbiemrin "e kombit".
Argumenti se kjo rruge do te jete vertet nje arterie e fuqishme e qe fillon ne brigjet e Adriatikut dhe thellohet ne zemer te ballkanit eshte nje bumerang ne vetevete, sepse dashur padashur i jep te drejte shkrimit te lubonjes, sepse nese duam te ndertojme nje arterie te fuqishme duhet te shpenzojme me pak per rruge dhe me teper per linje hekurodhe sepse transportet e bera me kamione jane me pak ekologjike se sa trenat dhe ja ku i kthehemi idese qe kjo rruge eshte bere per "kombin" e Berishes dhe te tijeve duke shkaterruar "Kombin" tend Nobel, timin dhe te Lubonjes.
Gjithesesi ne metodat moderne te vleresimit te politikave publike sot ka 4 elemente qe shqyrtohen.
Imput-Procesi-Autput dhe me e rendesishma Autcoming (gje qe politikanet dhe mediat as qe e njohin ose me sakte e injorojne).
Imput eshte investimi (gje qe rezulton me abuzime). Procesi dihet se si ka qene duke kujtuar shembien e tunelit (nuk po permend sa e sa puntore te deklaruar ne sigurime shoqerore).
Autput eshte vete rruga. Dhe Autcoming ajo qe sjelle kjo veper. Deri tani ka sjellur borxh publik, pasurim te kastave dhe ajo qe Lubonja e permend shkaterrim te natyres dmth te kombit.
Epo shume mire vazhdoni ta quani me termin medioker "Rruka e Kombit", vetem se nje veper e bere per "kombin" Berishian apo Ramist nuk mund te jete njekohosisht edhe per Kombin tone.