Tuesday, June 28, 2011

Partitë dhe intelektualët pranë tyre


Nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen një polemikë që u zhvillua para disa ditësh midis Ardian Klosit, Mark Markut dhe Agron Tufës që u mor dhe u rimorr në gazeta të ndryshme. Ishte diçka më shmë sesa një polemikë idesh, mund ta quash edhe një sherr i egër intelektual. Dhe në rastet e sherreve zakonisht njerëzit tek ne zgjedhin t'i evitojnë, t'u kalojnë anash, e të vazhdojnë rrugën e tyre, sipas atij mësimit: qëndroi larg sherrit se mund të hash ndonjë shqelm. Asnjëherë nuk kam qenë dakort me këtë qëndrim, por s'mund ta mohoet se jo gjithmonë mund të ndërhysh, veçanërisht kur sheh se sa shumë gjuajtje nën bark përdoren nga të dy palët, por veçanërisht kur s'di se kë të quash viktimë e kë agresor. E megjithatë nuk mund të mos tërhiqesha nga fakti se sulmet e egra personale u mpleksën në atë polemikë me disa tema mjaft principiale për shoqërinë shqiptare dhe rolin e intelektualëve në të. Tema të tilla si ajo se si ne i qasemi traumave të së kaluarës; ajo e përgjegjësive për të kaluarën, sa ato janë individuale dhe sa kolektive apo familjare; sa  ndjehemi robër të identiteteve familjare; sa në retorikat e ashpra për të kaluarën kemi hallin e drejtësisë dhe sa kjo është pretekst për një lufte asgjësuese për pushtetin e sotëm politik dhe financiar; mëkatet e politikës në paqëndrueshmërinë e vlerave  intelektuale dhe përçarjen e intelektualëve ishin disa çështje që dilnin mprehtë gjatë kësaj polemike.

Fakti se personalisht jam shprehur shpesh lidhur me këto tema dhe se rastin e Fatos Kongolit, që nxiti debatin, e shoh të ngritur keq nga Gazeta Shqiptare, (për qëllime komerciale, që, si edhe qëllimet politike, nuk janë forma më e mirë për t'iu qasur traumave të së kaluarës, sepse, kështu i thellojmë në vend se sa t'i kurojmë ato) ishin dy arsye më shumë për t'iu shmangur futjes në këtë "sherr". E megjithatë, i ndikuar fort edhe nga konteksti i krizës politike që po kalojmë, një ide më sillej vazhdimisht në kokë teksa lexoja polemikën, duke më nxitur të ndërhyj.
Një nga akuzat kryesore që protagonistët e debatit i ngrenë njëri tjetrit është se bëjnë pjesë në dy tarafe intelektualësh të lidhur me dy pushtete: njëri pushteti i maxhorancës me në krye Sali Berishën dhe tjetri ai i lidhur me pushtetin e Edi Ramës si kryetar bashkie, por edhe si vazhdimësi e atyre tetë vjetëve kur socialistët ishin në krye të pushtetit qendror.
Besoj se nuk shtoj ndonjë gjë të re po qe se do të them se këto dy akuza të ndërsjellta përmbajnë shumë të vërtetë brenda. Madje besoj se nuk do të ma kundërshtojnë as të dy palët në debat. Me këtë që thashë nuk dua t'i hyj as temës së klientelizmit të partive dhe as një akuze, që e shoh të qarkullojë shumë në komentet mbi këtë polemikë në internet, sipas së cilës, meqë këta janë të lidhur me pushtetet, nuk janë intelektualë të vërtetë apo të besueshëm, se një intelektual i vërtetë qëndron larg pushtetit, pasi ai të korrupton, se një intelektual duhet të jetë kritik ndaj pushtetit dhe jo shërbyes ndaj tij, pasi kjo është detyra e tij si intelektual. Personalisht, nisur edhe nga përvoja personale e zhgënjimit me të dy krahët, ndjehem afër kësaj kritike, por jam i hapur ndaj idesë se nuk ekziston vetëm ky model. Intelektualë të lidhur me një parti të majtë apo të djathtë, që angazhohen jo vetëm në mbështetje, por edhe duke punuar në institucione shtetërore duke përfaqësur këto parti, apo të propozuar nga këto parti si deputetë, ka gjithandej dhe janë të rëndësishëm. Këta janë nganjëherë edhe më publikët, thuaj po deshe edhe më me influencë në publik, ata që mbajnë edhe më shumë qëndrime në çështje të caktuara. Shtoj këtu se intelektuali nuk është vetëm një qënie me tru, por edhe me zemër edhe me kujtesë emocionale, me ndjenja miqësie,  e, po ashtu, se nuk jeton vetëm me ajër, por ka nevojë edhe ai për ato që quhen nevoja materiale, ka edhe ai famije për të mbajtur.
Thënë tërë këto, dua të ve në dukje, megjithatë, se protagonistët e debatit, si shkrimtarë, studiues, përkthyes, kritikë letrarë,  gazetarë bëjnë pjesë në një kategori si të thuash më speciale se ata që quhen militantë. Nëse këta të fundit e mbështesin një parti duke venë në lojë më shumë entuziazmin dhe zemrën,  jo rrallë edhe interesat materiale, intelektualët presupozohet të venë shumë më tepër në shërbim besueshmërinë e një mendjeje të kultivuar, që ka më të zhvilluar mendimin kritik, që ka më shumë dije etj., etj. e që, prandaj, mendohet se janë edhe shumë më të gatshëm sesa militantët të ndeshen me pushtetarët për hir të interesit publik, emrit të tyre, veprës së tyre, largpamësisë etj., apo në respekt të asaj thënies së Raymond Aronit sipas së cilës: "Kompromise për interesa mund të bëhen, por jo për vizionin e botës."
E këtu më duhet të them se ajo që më duket tejet shqetësuese në kategorinë e intelektualve tanë që mbështesin partitë - e këtu po kaloj përtej tre emrave të debatit në fjalë - është mungesa e qëndrimeve kritike ndaj partive që mbështesin. Personalisht nuk kujtoj në dymbëdhjetë vjetët që Edi Rama është në pushtet një kritikë të vetme publike që të ketë bërë një kategori intelektualësh si Ardian Klosi ndaj tij, qoftë përsa i përket dëmeve të pakthyeshme që ai ka bërë në Tiranë me monumentet e kulturës, me Tiranën historike, me hapësirat publike e të gjelbërta - edhepse ndonjë si Klosi është një aktivist i mbrojtjes së këtyre, - qoftë për personalizimin e institucioneve që ka drejtuar,  qoftë për bashkpunimin me oligarkë të dyshimtë, qoftë për shumë dështime si kryetar i Partisë Socialiste. Kam parë vetëm një mbështetje totale, dhe jo rrallë mbrojtje totale sa herë që ky është kritikuar për ndonjë gjë. Po ashtu, nuk di që në këta gjashtë shtatë vjet që Berisha është në pushtet të kem lexuar apo dëgjuar qoftë edhe një kritikë të Tufës apo Markut (ky i fundit që kur është bërë deputet) ndaj qoftë edhe ndonjë aspekti të politikave të Berishës, ndaj qëndrimit të tij kapës ndaj institucioneve të tjera (boll të shikosh TVSH), ndaj projekteve të tij për të sjellë fabrika çimentoje e hidrocentralë bërthamorë, ndaj shumë premtimeve të pambajtura ndër të cilët ai mbi luftën ndaj sistemit të korrupsionit, (apo edhe ai për dëmshpërblimin e ish të burgosurve politikë, meqë kjo polemikë nisi rreth kësaj teme), për bashkëpunime pa princip me cilindo që deri dje e ka akuzuar për korrupsion, për Gërdecin etj. Po përmend këtu kritika që ua kam bërë vetë të dy palëve, me të cilat një pjesë e tyre mund të mos jenë dakort, por nuk besoj, kurrsesi, që ata të mos kenë asnjë mendim kritik për liderin dhe partinë që mbështesin. Jam plotësisht i bindur se me veten e tyre apo me miqtë e tyre të ngushtë kanë qëndrime kritike. Po ashtu, nuk se kërkoj që këto kritika t'i bëjnë nga pozitat e një gazetari të pavarur i cili mund të jetë edhe shumë i ashpër deri edhe provokator e denonciator. Përkundrazi, i mendoj më të moderuara, me frymë pozitive  e mirëdashëse, por publike dhe me dinjitetin e intelektualit që nuk ka komplekse inferioriteti ndaj pushtetarit e që i imponohet këtij me forcën e argumentit. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh me këtë kategori. Sigurisht shkakun duhet ta gjejmë më së pari tek liderët politikë të cilët nuk e honepsin kritikën, që marrëdhëniet me intelektualët i ndërtojnë në raporte vertikale epror - vartës dhe jo në raporte hrizontale midis të barabartësh. Vetëm në prag zgjedhjesh apo daljeje në opozitë ky vertikalitet ka prirjen të lëvizë. Atëhere mund të shohësh politikanë të ulur nëpër kafenera në biseda të barabartësh me intelektualët, por, kur hyjnë në zyrën e pushtetit, këta sikur tjetërsohen menjëherë. Por, nga ana tjetër, s'mund të mos bjerë në sy se intelektualët e kësaj kategorie e pranojnë këtë tjetërsim dhe rolin që u caktojnë liderët në pushtet me shumë lehtësi. Duket sikur frika se mos humbasin dashurinë e besimin e liderit apo të grupit me të cilin identifikohen e bashkë me të edhe punën apo privilegjet e përfitimet i bën këta të heshtin ndaj të metave që shohin tek lideri apo tek grupi që ai drejton. Kësisoj, ndoshta edhe pse nuk janë asnjëherë të sigurt se e gëzojnë deri në fund këtë besim e dashuri, në më të shpeshtën i shohim ta venë aftësinë e tyre intelektuale në funksion të sulmeve ndaj  kundërshtarit duke e nxitur edhe më konfliktualitetin shkatërrues në vend se të jenë zëri i ftohtë kritik e ndërtues i dialogut.
Nuk është nevoja ta them se sa e dobishme do të kishte qenë për vetë këta lider apo për vetë këto parti sikur intelektualët që njihen si mbështetës të tyre të kishin mbajtur në kohën e duhur qëndrim kritik për një, dy, tre çështje të caktuara. Sigurisht edhe mund ta kishin parë veten të flakur tej, apo të mënjanuar apo në situatën e të papunit. Ka shembuj në të dy partitë të kësaj. Por ama, nga sa di, edhe këta (fatkeqësisht të pakët) nuk kanë mbetur pa bukën e gojës dhe as janë futur në burg si në kohën e komunizmit. Në polemikën në fjalë u shkrua shumë për përgjegjësitë e intelektualëve, nënshtrimin i tyre, shërbimin ndaj regjimit të kaluar. Por le të mos harrojmë se në atë kohë mundësia e zgjedhjes, që është në një masë të madhe sinonim i lirisë, dhe liria, nga ana e saj, matëse e përgjegjësisë, ka qenë shumë herë më e vogël sesa sot.   E megjithatë shoqëria jonë e ashtuquajtur "e lirë" ka njëzet vjet që po kalon një periudhë të mbushur, me korrupsion me padrejtësi, me kriminalitet, me pasiguri jete me varfëri, me shkatërrim territori, me ikje truri. Në momentin politik që po kalojmë po kemi një polarizim të tejskajshëm, një konfliktualitet që e ka bllokuar, madje po e dëmton rëndë, jetën tonë shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, imazhin tonë, të ardhmen tonë evropiane. Cila është përgjegjësia e intelektualve për këto? Cili është roli i intelektualëve pranë partive e liderve në këtë konflikt? Po preferoj ta mbyll këtë shkrim nëpërmjet këtyre pyetjeve duke e lënë kësisoj të hapur. (Panorama, 25 qershor 2011)

5 comments:

Feniks said...

Me pelqen ky meditim intelektual.Ky ka kohe qe eshte nje fakt i ditur tashme.Megjithate egziston shpresa per Shqiperine z.Lubonja-intelektualet e vertete jane ata studente shqiptare qe kane studiuar dhe jetuar ne Europe.Shume prej tyre jane kthyer dhe trajtuar si te fundit e klases nga injorantet dhe pseudointelektualet shqiptare dhe jane rikthyer prape ne vendet nga ku kishin ardhur.Shume prej tyre duan akoma te kthehen.Egzistojne levizje te percara por nuk po bashkohen per te krijuar ate partine e trete qe do te "shpetonte" Shqiperine dhe do realizonte Brain Gain.Zgjidhja e problemeve te Shqiperise mendoj se nuk do vije kurre nga brenda.Mendohuni kur do ta krijoni Ju z.Lubonja kete parti dhe njehere e pergjithmone te merrni pergjegjesine e veprimit dhe jo vetem te ligjerimit si i vetmi intelektual me bosht dhe principe morale?Ne na keni ne krahun tuaj,ka ardhur koha qe deshira e re e rinise shqiptare te shfrytezohet dhe kaosi te rregullohet.

Anja said...

...edhe une jam e dyta pas Feniks, e gatshme per te bere diçka, se shumeçka ne kete vend eshte e pandreqshme dhe si rrjedhim, e papranueshme! Edhe une bej pjese ne ate "armate" te rinjsh, qe jane kthyer ne Shqiperi per te punuar e jetuar, por jo per te vjedhur e angarisur kafeneve te mbingarkuara dhe te paprecedente ne Europe. Asgje nuk me mban ne kete vend, me duket sikur me shtyn perseri drejt ikjes, se kush iken eshte nje ferre me pak ne "kembet" e pushtetit, te mberthyera me çizme te hekurta. Por ikja nuk i ben mire as atij qe iken dhe as atij qe e le te ike, prandaj ka ardhur koha qe edhe ne te rinjte te çelim Pranveren ballkanike,po, po ne kemi nevoje per kete stine ndryshimesh; dimri i amullt dhe i ftohte ka ngrire e mpire rrenjet e nje gjenerate te tere. Ju z.Lubonja mund te beheni fari yne, sepse "la lumière" ndriçon gjithmone mendjen dhe mendimet tuaja. Mos na lini ne deshperimin e erret te nje toke plot diell!

Anonymous said...

Edhe pse kane kaluar mbi 20 vjet mbas Diktatures se eger te Enver Hoxhes akoma kane ngelur ne politike nuancat dhe pasojat e diktatures. Po te degjoni me vemndje fjalorin qe perdoret ne politiken dhe menyrat e sjelljes dhe komunikimit pozite opozite te le shume per te dershiruar me kohen ne te cilen jetojme. Po ashtu edhe zhvillimi intelektual ka veshtersi te shkulet nje here e mire nga nuancat e se kaluares. Eshte shume interesant dhe per tu adhuruar brezi deri tek mosha 30 vjecare. Ky brez eshte i fresket dhe i pa prektur nga e kalauara dhe ka nje shans per gjalleruar jeten politike kulturore dhe pse jo ekonomine katastrofale te vendit. Pra e ardhmja i takon te rinjeve shqipetar dhe jo me ketyre politikane apo intelektuale qe koha i ka parakluar dhe lene mbrapa.

Feniks said...

Mbase mund te me quani fatalist por me te vertete keshtu si po shkojne gjerat me ekuilibra te brishte dhe me nje shoqeri pa vlera e ardhmja nuk do te jete ashtu si e kishim imagjinuar.Mbase dhe pse keta politikane te sotem kane kapur gjithe menyrat e perfitimit dhe investimit dhe me fuqine e tyre ekonomike dhe kriminale do te kontrrollojne akoma per shume kohe dhe ata qe do te vijne prandaj e shpreha mendimin per kete partine e trete.Me nje plan organizimi dhe parashikimi dicka mund te behet.Megjithate kjo shoqeri e tille nga e cila vijne keta politikane mund dhe te sjelle pengesa ne cdo rruge drejt vlerave europiane e megjithate mjafton nje hap dhe sidomos bindja dhe pergjegjshmeria per te bere nje beteje mendore sic thote Branko Merxhani.Nuk do ishte e veshtire duke pare batakun e zi dhe mungesen e cdo lloj programi nga keto parti.

Anonymous said...

Nje realitet shembelltyra e se cilit konvertohet shume bukur te fjalet teper e goditura te zotit Lubonja.Edhe un konstatoj rendesine e nje force te 3-te alternative ne vend e perbere nga elemente konstruktiviste dhe ithtare te denje te interesit te kombit dhe fytyres tone europiane mbi te cilen zor se do gjejme ndonje gervishje,ose te pakten jo kaq te paftyre sac gjejme aktualisht.Ajo cka nevoje vendi eshte "REVOLUTION",fenomen ky i shtrire kryesishte ne kontekstin politik,ne menyre qe Meritokracia te jete drita jone udherrefyese e daljes nga nje tunel i gjate i erret ne muret e te cilit here shkruhet DIKTATURE,KOMUNIZEM dhe here te tjera me pafytyresi DEMOKRACI.Ndoshta sot kemi vetem nje "Lubonja",por neser fenomeni "Lubonja"do shpertheje duke na imponuar thjesht nje "hapje sysh te porsalinduri"drejt nje realiteti me konstruktivist dhe pluralist.