Wednesday, August 24, 2011

Batimi djathtas dhe e majta që na duhet

Që kemi nevojë për opozitë këtë e ka thënë dhe e thotë edhe Sali Berisha i cili akuzohet vazhdimisht, – e jo vetëm nga opozita, – se synon asgjësimin e saj. Me ironi do të thoja se  fakti që maxhoranca, ndonëse realisht e injoron opozitën apo  e anatemon si përfaqësuese e “klasave të përmbysura që i kanë pas pirë gjakun popullit” përsëri teorikisht e “do”, e kërkon në Parlament, mund të quhet “arritje” e kulturës sonë demokratike. Ndërkaq duhet pranuar se anija e politikës shqiptare ka lundruar gjithnjë e batuar dhe se, së fundmi, ky batim ka shkuar shumë djathtas çka do të thotë se opozita na duhet më shumë se kurrë për ekuilibrimin e saj. E përdora ndajfoljen “djathtas” konvencionalisht, ashtu sikurse do të përdor edhe atë “majtas”, në funksion të metaforës me anije që kam përdorur, sepse sipas meje, siç do ta shpjegoj më poshtë, nëse flitet për një batim të rëndë ky vjen edhe pse ne nuk kemi një të majtë ëdhe një të djathtë, por dy të djathta që në thelb luajnë e peshojnë në të njëjtin krah.
*
Duket se edhe brenda opozitës tashmë janë bërë të ndërgjegjshëm se duhet bërë diçka që opozita të peshojë më shumë. Pyetja që shtrohet sot është se çfarë duhet bërë, si duhet bërë dhe kush mund ta bëjë.
Nëse do të përpiqemi të shohim se cila ka qenë deri tani strategjia e opozitës kundër “batimit” të anijes, mund të thuhet se karta kryesore që ka luajtur Rama dhe të tijtë ka qenë kryesisht aksioni bllokues, delegjitimues për t’i dhënë mesazhin të huajve se ata duhet të bëjnë diçka për të frenuar Sali Berishën që po uzurpon institucionet duke shkaktuar zemërimin e popullit opozitar dhe popullit në përgjithësi. Skenari i 21 janarit ishte një koncentrat i kësaj strategjie. Fakti është se nuk mbahet mend prej vitesh që të kemi pasur një rol kaq të rritur të ndërkombëtarëve, ndoshta që prej kohës së Limprehtit e të Dan Evertsit. Mirëpo duket qartë se opozita dështoi më së shumti duke luajtur këtë kartë. Sipas meje mungesa e mbështetjes së duhur opozitës i erdhi kryesisht për arsye se me aksionet e saj të shumta jashtinstitucionele, bllokuese, radikale  krijoi bindjen se është një opozite që nuk po punonte për balancimin e anijes, por se po e rrezikonte atë të mbytej fare. Ajo tregoi me këtë strategji dy gjëra: së pari, se nuk ndryshonte kulturalisht nga maxhoranca si në mendësinë e të bërit politikë ashtu edhe në strukturat e mënyrat e funksionimit si parti (psikologjia që e ka shoqëruar këtë opozicion ka qenë ajo se sa më i ashpër dhe pa kompromis të jesh me kundërshtarin aq më i besuar je e se, kush bën kompromise, është i shitur;  – thënë ndryshe psikologjia ”o me ne o kundra nesh!”); së dyti, se pikërisht për këtë nuk gëzonte mbështetjen ashtu dhe aq sa duhej në popull që aksionet e saj të merreshin seriozisht edhe nga të huajt.
*
Nëse flasim për nevojën e ndryshimeve në opozitë gjykoj se këto duhet të vijnë në emër të krijimit të një opozite që do të krijojë një bindje tjetër: se nuk do të rrezikojë mbytjen e anijes, por se synon ta ekuilibrojë atë. Nuk pretendoj me këtë shkrim të hartoj një projekt të detajuar se çfarë, sipas meje, duhet të bëjë opozita për këtë, por disa ide kryesore më duket se janë evidente.
Së pari, dihet se një nga arësyet e krijimit të imazhit të opozitës si e ngjashme me maxhorancën dhe e idesë se ajo po rrezikonte ta mbyste anijen kanë qënë pikërisht tërë ato ndryshime që bënë të dy palët për t’ua pakësuar pushtetin institucioneve të tilla si Presidenti, Prokuroria, Kolegji Zgjedhor apo KQZ-ja në favor të kontrollimit të tyre nga pushtetet e partive. Nuk do shumë mend se nëse “pesha” e këtyre institucioneve do të ishte e palidhur me « peshat” e maxhorancës apo opozitës, sipas strategjisë “o me ne o kundra nesh”, rreziqet e batimit të anijes, gjithsesi, do të ishin më të vogla. E pra, gjëja e parë që duhet të bëjë opozita është të ndërtojë aksione politike, ligjore, diplomatike që do të siguronin më së pari ligjërisht një paanshmëri të këtyre institucioneve, që do ta bënin të qartë se këta nuk i do në anën e saj të anijes, por që të rrinë në qendër si elementë kryesorë institucionalë të ruajtjes së balancës.
Një aspekt i dytë i rëndësishëm i prishjes së balancës është fakti se opozita ka përdorur edhe në lidhje me mediat dhe shoqërinë civile në tërësi të njëjtën strategji. Nuk është nevoja të zgjatem në historikun e marrëdhënieve të opozitës kur ishte në pushtet me mediat dhe shoqërinë civile që i trajtoi si “partnerë” në “biznesin” e përbashkët dhe jo si shprehje e nevojës për “counterpart”, siç konsiderohen këto në botën demokratike. Fakti që Sali Berisha, duke përdorur të njëjtat teknika të krijimit e të blerjes së këtyre me fuqinë e pushteti, sot ka arritur t’i kthejë ato në mbi 75% në favorin e tij duke bërë që ato të kthehen në bumerang për opozitën tregon se sa e gabuar ka qenë politika e ndjekur nga opozita ndaj mediave dhe shoqërisë civile. Le të mos harrojmë këtu edhe Televizionin Publik që në vizionet e opozitës – edhe pse e majtë – nuk ka figuruar veçse si projekt për ta privatizuar e për t’ia dhënë ndonjë grupi oligarkësh afër saj. Ja pse mendoj se një fushë e dytë e ndryshimit të opozitës është pikërisht ndërtimi i aksioneve të tilla politike, ligjore, diplomatike që ky pushtet i rëndësishëm të kalojë në “qendër” të anijes. E theksoj edhe një herë: në qendër, jo të ndjekë opozitën përdrejt krahut të saj siç do të donte ajo në vazhdim të së njëjtës filozofi kapjeje e mbajtjeje pushteti.
Së treti, e njëjta mendësi është aplikuar edhe ndaj të ashtuquajturit treg, jo i palidhur ky me aspektin e dytë pasi në një pjesë rastesh biznesi mediatik apo aktivitetet e së ashtuquajturave organizata të shoqërisë civile dhe interesi privat i individëve që drejtojnë këto janë e njëjta gjë. Dihet se në vend të tregut të lirë dy partitë që ndanin dy pushtetet kryesore luftuan për ndarjen e tregut në monopolet e tyre klientelare. Anija sot është batuar edhe pse fuqia klientelare e maxhorancës, veçanërisht me kapjen e Tiranës, është bërë më e madhe.  Përsëri ngulmoj se në emër të kthimit të anijes në ekuilibër opozita duhet të ndërmarrë aksion të fortë politik, ligjor, diplomatik ashtu që tregu e biznesi të ndahen nga politika. Kësisoj tregu do të mbetet, në mes të anijes, i të gjithëve kurse partitë do të lehtësohen nga klientelizmi që është faktori kryesor i rëndesës së tyre të madhe e të rrezikshme njëherësh.

*
Pyetja që shtrohet në këtë pikë është : a mund ta bëjë Edi Rama me njerëzit që ka përreth këtë, apo mos duhet ndërtuar një opozitë tjetër? E këtu vijmë tek ajo çka thashë në fillim mbi dy të djathtat. Gjykoj se, në thelb, problematika e atij që quajta « batim » i anijes ka ardhur pasi PD dhe PS kanë luftuar për të pushtuar të njëjtin vend në anije : atë të së djathtës në kuptimin si të programit politik në përgjithësi ashtu edhe të çfarë përfaqësojnë: kryesisht grupe interesi të pasuruarish nëpërmjet përdorimit abuziv të pushtetit politik. Në këtë aspekt Rama ka qenë më i drejtpërdrejtë kur ka folur për « përtej të majtës dhe të djathtës » apo për « reforma standart » ndërkohë që PD ka tentuar të mbajë si fasadë ndarëse nga PS retorikën manipulative të kujtesës « komunistë – antikomunistë » në mungesë të diferencës së interesave të vërteta, ndërkohë që, kur ka ardhur puna, ka bërë aleancë me LSI që deri dje konsiderohej krahu me prokomunist i opozitës si dhe, së fundi, nuk ngurroi të bëjë aleancë, për disa vota në Tiranë, edhe me atë që trumbetohet si trashëgimtari i Enver Hoxhës, Hysni Milloshin. Në këtë kontekst pra, ajo që i ka ndodhur Ramës e të tijve është fatkeqësia se lufta për në këtë vend në të djathtë rezultoi në favor të interesave të Sali Berishës dhe të të tijve. Fakti që ai kërkon sot thjesht e vetëm të kontestojë zgjedhjet si të vjedhura e jo të pranojë se ka humbur në lojën e dy të djathtave tregon edhe pamundësinë për të bërë reformën e domosdoshme për krijimin e një opozite vërtet të majtë evropiane shqiptare. Në këto kushte ai duket se do të synojë të korrigjojë ndryshimet kushtetuese që i hoqën Presidentit apo Prokurors së përgjithsme disa fuqi, të ndryshojë diçka në Kodin Zgjedhor e po ashtu të tregohet i hapur për bashkëpunimin me Ilir Metën çka do të thotë se do të synojë thjesht t’i tërheqë këta në anën e tij sëbashku me grupet e interesit oligarkik pranë tyre. Sipas meje ka më pak gjasa se dje ta fitojë këtë lojë në të djathtë, por, edhe nëse e fiton, vendi do të mbetet peng i së njëjtës lojë me anijen e batuar dhe  rrezikun e mbytjes së saj nga kundërveprimi i të djathtës tjetër.
Si përfundim, gjykoj se opozita për të cilën kemi nevojë është një opozitë që do të kërkojë të konsolidohet në vendin e saj në të majtën që është bosh, që do të përfaqësojë interesa të tjera nga ato që përfaqësojnë dy të djathtat që kemi sot, atë të të papërfaqësuarve, që do ta bëjë të qartë këtë përfaqësim ashtu sikurse edhe atë se nuk kërkon kapjen nga ana e vet të institucioneve të kapura sot për sot nga maxhoranca (apo të neutralizuara prej saj), por vendojen e tyre në qendër të anijes si pesha të domosdoshme për balancimin e saj. (Panorama, 27 korrik 2011)

3 comments:

Anonymous said...

Opozita e pare dhe e vetme ne demokraci eshte populli. Sepse opozite ishte Berisha me Ilir Meten, por tani jane bashke. Opozite ishte me Fatos Nanon, por tani duken bashke. Sado te shtiret kjo klase politike sikur jane te djathte kunder te majteve, shumica e shqiptareve e dine qe jane nje tufe hajdutesh qe grinden me njeri-tjetrin dhe bashkepunojne me njeri-tjetrin, sipas leverdise, ne veprimtarine e tyre kunder popullit. Dhe ata s'e kane popullin opozite, sepse populli harron dhe ju gazetaret nuk e beni punen tuaj. Per "ju gazetaret" e kam per ju, z. Lubonja, dhe ata si ju, jo ata qe thjesht lexojne lajmet qe duhet te lexojne apo shkruajne lajmet qe duhet te shkruajne per pronaret e mediave ku punojne. Ata jane punetore krahu qe thjesht bejne c'u thone.


Dhe populli s'eshte ne opozite sepse ju gazetaret prape po barazoni Ramen me Berishen, vetem per te qene te paanshem, edhe pse e dini qe ata s'jane njesoj. Aq shume doni te dukeni te paanshem, sic eshte moda, sa fusni Berishen e Ramen ne nje thes, duke lejuar qe Berishes t'i harrohen te gjitha ato qe ka bere.

Sepse asnje nuk ka bere ne Shqiperine pas komunizmit dicka qe mund te krahasohet me ate qe ka bere Berisha, sidomos ne opozite. Kujtoj grushtin e shtetit 1998, mitingjet e pafundme me shishe benzine kunder kryeministrise ne vitin 2001. Mitingjet e goditjet me gure te Socialisteve ne Bruksel, per bllokimin e zhvillimeve europiane. Mitingjet ne 2004-en para kryeministrise, duke plagosur gardistet. Bllokimi i parlamentit, qe ka bere Rama, eshte gjeja me e vogel. Pa permendur korrupsionin, vjedhjet e fondeve e padrejtesite gjyqesore, duke krijuar deme qe deri tani Berisha me duket se i ka ne shkalle me te madhe se cdo socialist (Gerdec, rruga e kombit, Piramida, gjysma e kabinetit me skandale te denoncuara me video e me prova).

Cdo socialist i ka bere bisht dhunes kur e ka sulmuar opozita. Nuk u vra njeri nga qeveria as ne 1998-en, as ne 2001-shin dhe as ne 2004-en. Madje kryeministrat socialiste dhane doreheqje, per hir te uljes se tensionit. Nuk doli njeri me komisione hetuese parlamentare qe te kujtojne gjyqet e Enverit, duke fyer me fjale banale prokuroren e presidentin, dhe as me propagande ne forme akuzash tipike te kohes se diktatures, si nejrez te stervitur per te perdorur cadra pistolete e thika me helm.

Per sa kohe qe ne i harrojme te gjitha keto, sic kemi harruar dhe Berishen ne mandatin qeverises 1992-1997, menjehere sapo Berisha del me nje deklarate te re duke buzeqeshur e duke share Ramen nga familja, apo duke mburrur arritjet e veta me hiperbola diktatori e duke e krahasuar Shqiperine me Gjermanine, per sa kohe qe harrojme 21 Janarin, firmat piramidale, 1997-en, 1998-en, 2001-shin, 2004-en, Gerdecin, pergjimet e Metes... atehere Berisha i ka te gjitha te drejtat te vazhdoje te na qeverise, dhe ai qe do te kerkoje t'i zere vendin i ka te gjitha te drejtat te jete nje tjeter Berishe.

Kjo qasje ndaj Berishes, nga ana e mediave, ka bere qe populli te mos jete opozite. Dhe po s'qe populli opozite, s'ka opozite.

Anonymous said...

E c'kuptim ka te ndryshosh me PS kur PD s'ndryshon asnjehere?

Anonymous said...

Zoti Lubonja kam vetem nje pyetje per Ju !
Si mund te jeni kaq te (pa)anshem dhe ti versuleni opozites pas gjithe ketyre ndodhive qe kane ngjare ne Shqiperi?