Monday, October 24, 2011

Një propozim për skifterët dhe pëllumbat


Të gjithë e kanë sot më të qartë se kurrë diagnozën e “sëmundjes” shqiptare: konfliktualiteti i egër, mungesa e aftësisë për dialog e bashkëpunim midis palëve politike e ka bllokuar Shqipërinë duke e mbajtur jashtë aspiratave europiane. Dhe me këtë nuk duhet të kuptojmë një shprehje retorike, por ekzistencën në vend të një situate të rëndë lufte civile pa armë, që në terma politikë mund të artikulohet si paaftësi për të ndërtuar shtetin ligjor, ai që ka kohë që përkthehet edhe si traumë e tejzgjatur psikologjike e krejt shoqërisë. Është një sëmundje që rezulton endemike në virulencën e vet shkatërruese, pasi nuk e gjen në shtete të tjera europiane, të cilave u është refuzuar statusi i kandidatit për arsye të tjera, por jo për këtë sëmundje.

Fatkeqësisht, “injeksionet” që bën Europa herë pas here duken krejt të pafuqishme ndaj kësaj virulence. Të nesërmen e raportit, në vend të refleksionit për përgjegjësitë e veta, filloi beteja e radhës për gjetjen e fajtorit. Mjeshtrit tanë të konfliktualitetit, sikur raporti t’u kishte hyrë në njërin vesh e t’u kishte dalë në tjetrin, u aktivizuan menjëherë për të ruajtur gjallë klimën në të cilën ata ndjehen si peshku në ujë. Europianët u lodhën së përsërituri se “raporti i progresit” është një “instrument” që klasa politike duhet ta përdorë për të ndërtuar bashkëpunimin e nëpërmjet tij një shoqëri më të mirë e një jetë më të mirë për çdo shqiptar, mjeshtrit tanë e morën dhe e përdorën si çekiç për të goditur njëri-tjetrin në kokë e për ta shkatërruar edhe më shoqërinë e jetën e shqiptarëve.
Nuk synoj me këtë shkrim të zgjatem mbi shkaqet e kësaj lufte civile pa armë dhe as për pasojat. Do të përsërisja gjëra që i kam stërthënë. E reja e këtij momenti është se ndoshta ky dënim që erdhi nga Europa sikur e bëri edhe më të qartë e më të thekshme nevojën për ta vënë gishtin te kjo plagë. Pra, pa u zgjatur në shprehjen e dëshpërimit, më duket se gjithsesi ndjehet se të gjithë janë tejet të lodhur nga shkatërrimi që po na sjell kjo luftë civile pa armë. E njohin edhe protagonistët efektin e saj në shoqëri. Mjaft të kujtoj se Lulzim Basha e impostoi fushatën elektorale jo te sulmet mbi kundërshtarin, por te premtimet për bashkëpunim. Në këtë kontekst dua të bëj thjesht një propozim që ka të bëjë me ndërtimin e një instrumenti ligjor që do të mund të na ndihmonte për të dalë nga rrethi vicioz: konfliktualitet shkatërrim – shkatërrim konfliktualitet e për të hyrë në një fazë ku konflikti politik, si instrument i rëndësishëm i dialektikës së zhvillimit, të menaxhohet e të sjellë dialog e ndërtim. Propozimi që kam është ai i një instrumenti ligjor që lidhet me ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të cilin po flitet kaq shumë. Nuk është një propozim/terapi që po e shpik nga vetja; është i mbështetur në përvoja botërore. Ka të bëjë me përvojat e ndryshimit të sistemeve zgjedhore, ashtu që ata t’u përgjigjen problemeve që ka nxjerrë realiteti politik i një shoqërie. Me fjalë të tjera, në idenë se sistemet elektorale nuk janë vetëm instrumente për të ndërtuar maxhoranca qeverisëse, por mund të shërbejnë shumë mirë edhe si mjete për menaxhimin e konflikteve në një shoqëri. Më konkretisht, propozimi im në thelb ka të bëjë me atë se si ta ndryshojmë sistemin tonë zgjedhor jo për qëllimet që e kemi ndryshuar deri më sot, që kanë qenë gjetja e mënyrave për t’ia “futur” kundërshtarit, por për qëllimin që ai të ndikojë të zgjedhim “kafshë politike” më të buta, më racionale, që, tek e fundit, do të ndryshojnë edhe klimën e xhunglës sonë.
Midis përvojave që kanë rezultuar të suksesshme për menaxhimin e konflikteve janë edhe ato të atyre vendeve që kanë përdorur për këtë sistemet elektorale. Sistemi elektoral i aplikuar me sukses në këtë rast është ai sipas të cilit zgjedhësi ka mundësi të votojë jo vetëm për listën e partisë që ai ka për zemër, por i jepet mundësia dhe fuqia të shprehë në fletën e votimit edhe preferenca për emrat në listën e partisë/ve kundërshtare, duke venë p.sh. një kryq apo një numër pikësh në emrat që atyre që i rezultojnë më të preferuar. Në këtë mënyrë, vota e tij ndikon për të zgjedhur jo vetëm të vetët, por, indirekt, edhe kandidatët kundërshtarë. Është më se e qartë se nëse zgjedhësi do të kishte mundësi t’u vinte pikë disa emrave në listën e partisë kundërshtare me partinë që ai voton, që pastaj do të numërohen për t’ia shtuar apo pakësuar atyre peshën elektorale, do të zgjidhte figurat më të pranueshme për të. Dhe, pa dyshim, këta do të jenë ata që nga përvoja epo edhe nga vetë fushata elektorale, i kanë treguar atij se janë ata më pak konfliktualët ndaj partisë që zgjedhësi ka për zemër, që kanë treguar më shumë moderacion, më shumë hapje ndaj kundërshtarit, më shumë sens vetëkritik etj. Në këtë mënyrë do të ndryshonin shumë shpejt dy gjëra: do të ndryshonte përzgjedhja e kandidatëve të të dyja partive në favor të kësaj tipologjie politikani, do të ndryshonin edhe vetë kandidatët sepse do të përdornin, si gjatë fushatave elektorale, edhe gjatë gjithë aktivitetit të tyre katërvjeçar, një gjuhë më të përmbajtur më bashkëpunuese e më konstruktive.
Ky është propozimi. Kuptohet, këtu po flas në parim, jo për teknikalitetet e ndryshimit të sistemit elektoral mbi bazën e këtij parimi që u takon ekspertëve t’i kryejnë pas një studimi edhe të përvojave të të tjerëve. Kuptohet po ashtu se ky instrument nuk do të ishte i mjaftueshëm për ndryshimin e klimës konfliktuale në Shqipëri, por jam i sigurt që një operacion i tillë do të ndikonte mjaft në ndryshimin i klimës vetëshkatërruese që po përjetojmë. Ai do të reflektohej po ashtu në sjelljen e të gjithë shoqërisë, duke filluar që nga militantët e gazetarët e llogoreve që sillen si mercenarë në dy ushtritë e luftës civile që edhe natën flenë me armë në krah e deri te njerëzit e thjeshtë. Ai ka avantazhin se bëhet shumë shpejt, sepse mjafton një ndryshim në ligj, dhe duket i pakontestueshëm nga pretendimi se është në favor të njërës palë. Vështirësitë që ka janë vetëm ato që lidhen me faktin se fleta e votimit do të ishte pak më e ndërlikuar, por kjo nuk më duket e pakapërcyeshme, si dhe faktin (kryesor) se “pala” që nuk do ta pëlqente e refuzonte do të ishte ajo e skifterëve në të dy krahët, që do të duhet ose të ndryshojnë natyrë e të kthehen në pëllumba, dhe kjo ka vështirësitë e veta, ose t’ua lënë vendin pëllumbave të vërtetë. Por, edhe kjo nuk është e pamundur, veçanërisht duke parë se presioni i nevojës që ka vendi për dialog dhe bashkëpunim po bëhet dita-ditës më i madh jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga shoqëria shqiptare. (Panorama, 21 tetor 2011)

3 comments:

Anonymous said...

Ketu nuk realizohet as me e thjeshta, votuesi i nje pale politike te zgjedhe midis disa kandidatesh te po kesaj pale sic eshte sistemi psh ne Greqi. Keshtu listat qe bejne kryetaret e partive do vareshin nga elektorati ne nje mase te madhe
Stefani

Anonymous said...

Zgjidhja me radikale, dhe afatgjate, e konfliktualitetit dhe mungeses se shtetit ligjor mund te ishte decentralizimi. Shqiperia mund te organizohet si federate e disa kantoneve, njesoj si Zvicra.
Decentralizimi duhet te pasqyrohet dhe ne sistemin gjyqesor, me futjen e jurise si institucion gjykimi.

Korrupsioni dhe abuzimet jane me te veshtira sa me i vogel te jete shteti. Gjithashtu drejtesia e ka me te veshtire te abuzoje ne nje sistem me juri.

Anonymous said...

Mbreme ne Opinion keni shkaterruar (me te drejte) plotesisht Henri Cilin. JU jeni ai qe me ben te ndihem krenar qe jam shqiptar.
E.