Monday, December 12, 2011

Intelektualë apo shqytarë

Kur prishet karakteri zbehet inteligjenca – thotë një fjalë e urtë. Mirë, po ç’lidhje ka inteligjenca me prishjen e karakterit do të thotë ndonjë lexues; historia na jep plot shembuj njerëzish pa karakter, por inteligjentë e të talentuar. Sipas meje ka lidhje dhe, përpara se ta argumentoj, po e bëj të qartë se e kam fjalën kryesisht për inteligjencën e asaj kategorie që quhen intelektualë të shekullit XX – XXI dhe, po ashtu, se nuk kam parasysh jetën e tyre private, madje as atë që Kanti e quan “përdorimi privat i arsyes”, kur kjo është thjesht në shërbim të profesionit të ngushtë të individit, por karakterin dhe inteligjencën të shprehur në veprat/aktet e tyre publike, në “përdorimin publik të arsyes” pra.
Idealisht rolin e intelektualit - nëse do t’i referohesha metaforës së famshme të Platonit, asaj të shpellës, - do ta krahasoja me atë të atij të burgosurin që çlirohet nga zinxhirët, që nuk e lenë të shohë veçse hijet e projektuara në mur të dritës së diellit që i bije nga prapa,  që arrin të kthehet drejt kësaj drite me trup dhe me mendje dhe, pasi e njeh atë nëpërmjet atij procesi, që Platoni e quan konvertim, kthehet t’ua kumtojë të tjerëve, që kanë mbetur të lidhur, me qëllim çlirimin e tyre. Më duket se edhe kur flitet për pavarësi të intelektualit, duhet të kuptojmë pikërisht atë se ai, nëpërmjet konvertimit, bëhet i pavarur nga këta zinxhirë,  dhe “varet” tek drita që ai ka parë, çka, pa metafora, do të  thotë tek vizioni i tij për botën, parimet, vlerat, idetë, iealet, të vërtetat në të cilat beson, dhe vepra e tij publike duhet ta marrë inspirimin pikërisht tek kjo dritë. Thënien në fjalë e intepretoj kështu pra: se kur inspirimi nuk vjen nga kjo dritë por nga motive të ulta atëhere inteligjenca do të flasë më shumë për terrin e hijeve të shpellës sesa për dritën.


Është tmerrësisht zhgënjyese kur sheh se si, megjithëse roli çlirues i njeriut të ditur është kultivuar qysh prej kohëve të Sokratit e Platonit, në këtë vendin tonë, edhe njëzet vjet pas rënies së diktaturës, sheh një kategori që, megjithëse e quajnë veten intelektualë, punojnë me përkushtim të paparë për t’i mbajtur njerëzit të lidhur me zinxhirë, të dënuar vetëm për të parë hijet e kokës së tyre të projektuara në murin përballë. Së fundmi e përjetova këtë zhgënjim, që s’është i pari, duke lexuar reagimet e disa të ashtuquajturve intelektualë ndaj shkrimit tim “Kadare Rama – memuaristika si operacion plastik.” Në shkrim ngrita shqetësimin për një fenomen tejet të rëndë që po ndodh jo thjesht në letrat shqipe, por në kulturën e kësaj periudhe: atë se pushtetparaja dhe videokracia, si dy anë të së njëjtës medalje, po uzurpojnë dhe banalizojnë me paturpësi çdo gjë, deri edhe altarin e librit, duke bërë që libra jo vetëm të mbushur me gënjeshtra, çka mjafton për t’i skualifikuar, por edhe libra shumë të dobët nga pikpamja e punës së derdhur, përsa i përket kulturës së autorit si thellësi e mendimit e gjykimit, strukturës, stilit, të suspensit, koherencës së veprës etj., në sajë të kulturës së manipulim simulimit, të promovuar nga pushteti i videokracisë, po prezantohen si kryevepra duke thelluar krizën e vlerave morale intelektuale që po kalon shoqëria shqiptare. E bëra pa pretenduar se argumentet e mija ishin të padebatueshme, por i bindur, megjithatë se hyrja me çizmet banale të pushtetit deri edhe tek altari i librit të vërtetë ishte shprehje e një shqetësimi që e kam dëgjuar të ngrihet gjatë Panairit të fundit nga shumë njerëz të intelektit në shoqërinë tonë. U përpoqa të argumentoj në këtë kontekst se libra të tillë, si shprehje e kulturës së manipulim simulimit në funksion të pushtetit jo të vërtetës, nuk e ndihmojnë njeriun shqiptar të zhvillojë personalitetin e vet, por i ofrojnë modele se si të bëhet shpejt e shpejt personazh “i suksesshëm” duke vrarë personin dhe të vërtetën brenda vetes e, më keq akoma, duke u bërë rob e vegël e pushtetit.


Ajo që më bëri përshtypje ishte se ndërsa një numër jo i vogël, për të mos thënë i madh lexuesish më dhanë të drejtë, personalisht apo nëpërmjet komenteve në internet, në mediat tona askush nuk e trajtoi thelbin e problemit që ngrita, madje disa të ashtuquajtur intelektualë të videokracisë dhe të mediokracisë të majtë e të djathtë, u rreshtuan duke më sulmuar në mbrojtje të këtyre librave në një mënyrë të tillë që më kujtuan edhe një herë thënien se kur prishet karakteri zbehet inteligjenca. Shkrimet ishin tejet të dobët, më keq se librat për të cilët bëja fjalë, dhe dobësinë e tyre nuk ke si i shpjegon ndryshe veçse me faktin se autorët nuk i ka shtyrë interesi për të thelluar, nëpërmjet debatit e dialogut të sinqertë, njohjen e problemeve që ngrija, por nevoja/detyrimi për të mbrojtur punën e ulët si shqytarë të mbretit, që i bën të mos reshtin së na thëni se sa i bukur është kostumi i tij, ndërkohë që ai është cullak. Në këto kushte arsyetimi intelektual, apo “përdorimi publik i arsyes”, dhuntia më sipërore e njeriut, arriti të katandiset tek disa deri në lehje “qeni roje” të padronit.


  Si ilustrim më elokuent i shndërrimit të intelektualit në shqytar e kostumveshës të padronit do të zgjidhja reagimin e Dr. Ardian Klosit. “Fatosi sheh Edi Ramën në pasqyrë dhe kupton dështimin e tij si politikan, si shkrimtar, si njeri në jetë… prandaj reagon kështu”, shkruante doktori i shkencave, duke provuar se inteligjenca e tij nuk ka kuptuar pikërisht thelbin e asaj që kam ngritur: se, fatkeqësisht, për t’u bërë “i suksesshëm” në Shqipëri duhet o të kapësh pushtetin politik, o të bëhesh shërbëtori i tij, dhe se ky nuk është sukses, por dështim. Si përgjigje mund t’i thoja se etika që mundohem të respektoj në jetë do të më bënte që, sikur të më shfaqej në ëndërr vetja sikur isha autori i asaj që i ka bërë Tiranës Edi Rama këta 10 vjet do të isha zgjuar i llahtarisur e do të ndjeja çlirim të madh që jam në ëndërr. Po ashtu, ajo s’do të më lejonte kurrsesi, si shkrimtar gazetar që, për të arritur “suksesin” e veprës time, në vend se të punoja pa pushim mbi libra e letra, të kapja pushtetin politik e në sajë të këtij të uzurpoja edhe artin, letërsinë e ç’të mundja, aq më tepër duke tradhëtuar të vërtetat e mija. Kurse si botues (edhe i Edi Ramës e Klosit), po të më kishte rënë për të redaktuar një libër si Kurbani, jo vetëm nuk do t’i kisha thënë ok. botimit, siç ka bërë doktor Klosi, por do t’i kisha thënë autorit se përveçse që ka nevojë për një tjetër Edi Ramë që të jetë vërtethënës, nga pikpamja e strukturimit, e koherencës stilistikore, të zhanrit e të mendimit – që të bëhet pra libër, ka nevojnë të paktën për dy vjet punë të tjera, sepse kështu është ende në një gjendje që mund të quhet diarre e Edi Ramës sepse s’bën vaki që një “program politik”, siç e quan Klosi librin, të shkruhet në stilin e një përroi psiqik me fjali të gjata një faqe. Mirëpo, intelektualit që e quan veten edhe ambjentalist iu dukkërka për t’u patur zili puna e Edi Ramës në Tiranë, s’arritkërka të konceptualizojë se shëmtimi i Shqipërisë që përshkruan Edi Rama e ka pamjen e vet emblematike, fizike dhe morale, në Tiranën që ndërtoi Rama me politikën “një pallat një votë” dhe arritkërka deri aty sa s’ngurrokërka që, ndonëse përkthyes e botues autorësh të shquar, të na bindë për vlerat e librit me gjuhën e një  shitësi injorant kioskash, që s’ka lexuar një libër në jetën e tij, e që, prandaj, e mat vlerën e tyre vetëm me numrin e shitjeve. Duke  huazuar, jo me shumë kënaqësi, stilin e shkrimeve të tij, që kërkojnë të godasin njeriun jo argumentat e tij, (duke e reduktuar debatin ne zili, xhelozi të individit), por përsëri pa shpifur, pa krijuar një realitet që nuk të përket - sipas parimit pështy, pështy se kështu do jemi të gjithë të pështyre – siç bën ai, do t’i thoja se një mik më këshilloi të mos merrem me këtë rast të pashpresë degradimi të intelektualit në lek-tual që personin e tij e kthen lehtësisht në personazh vrasësi me pagesë në filmin e rradhës, sepse tashmë është bërë proverbiale sjellja e këtij personazhi që, pasi në një film të mëparshëm i hipën avjonit për të marrë pjesë në një ceremoni ku ti merr ndonjë çmim ndërkombëtar, apo deklaron se librin tënd mund ta ketë zili dhe Kadareja, tani të thotë se je i dështuar, por nesër mund të të takojë e të të flasë me përzemërsi e respekt, sikur s’ka ndodhur asgjë, pasi ti duhet ta kuptosh se ky ishte shërbimi i tij në filmin e rradhës, sepse në jetë nuk ka bërë zgjedhjen e atij që kur i digjet shtëpija gjen një shtëpi modeste me qira, për të ruajtur pavarësinë e intelektualit, por, si shqytar, i kërkon strehim luksoz e pa lekë bosit të bandës.


Më thanë po ashtu, se nuk ia vlen të merresh me ata pseudointelektualë të fryrë si kacek me vetveten, që jo vetëm janë të lidhur me zinxhirët e paditurisë e të interesit material në atë shpellën e Platonit, por që, nga shrregullimet mendore të megallomanisë, nuk arrijnë të shohin veç hijen e kokës stërmadhe të vetvetes e jo më të kuptojnë se prapa tyre ka një dritë që duhet ta njohin nëse duan vërtet të analizojnë e të konceptualizojnë përtej emrave të përveçëm. Në fakt, nga pikpamja intelektuale, nga gjithë çka lexova, i vetmi argument që të nxiste të arsyetoje përtej emrave të përveçëm ishte ai i disave që pretenduan t’i veshin gënjeshtrat dhe mashtrimet e librave në fjalë me teorinë se e vërteta e një individi është gjithmonë subjektive, duke na bindur gati gati se jemi të marrë ne që kërkojmë të ballafaqojmë ato që na kanë parë sytë e dëgjuar veshët për ngjarje e akte të caktuara me atë se si i kanë treguar ato autorët në librat e tyre memuaristike e që në ndonjë rast, si atë të Ardian Vehbiut, iu referuan për këtë edhe Frojdit.  Sipas interpretimit të Frojdit nga Vehbiu, kur Edi Rama na paraqitet tek Kurbani si një personazh që s’ka lidhje me personin që njohim, që psh. për të bërat dhe të pabërat e Tiranës ua ve fajin vetëm të tjerëve, nuk gënjen, por thotë të vërtetën e tij pasi “subjekti ndikon aktivisht për t’i dhënë të shkuarës një formë narrative […] duke i modifikuar ose rimontuar disa ngjarje  […] për të rivendosur drejtpeshimin në një psikikë të plagosur nga traumat.” (A. Vehbiu, “Lubonja dhe dy faqe të gënjeshtrës”, Shekulli 22 nëntor). Dakort me subjektivitetin, por në shkrim e bëja të qartë se bëja fjalë për mashtrime të vetëdijshme, pastaj edhe kur bëhet fjalë për “modifikime” të pavdetëdijshme, autori ka duhet ta dijë se thelbi i psikoanalizës së Frojdit është bash ndërgjegjësimi i pacientit për të vërtetën e vërtetë të traumës që ka pësuar, çka nënkupton edhe çlirimin e tij nga paranojat që i shpërrallon vetes, psikoterapeutit dhe miletit për ta fshehur atë, të cilat paranoja, në fakt, nuk ia ekuilibrojnë psikën, por përkundrazi ia rëndojnë edhe më. Kurse Vehbiu, në rolin e redaktorit të librit, si një psikoanalist i keq, jo vetëm e ka nxjerrë pacientin nga studioja e tij pa e kuruar, por, duke patur parasysh se bëhet fjalë për një politikan që nesër mund të bëhet deri kryeministër, ka “harruar” se historia ka treguar se sa larg mund të na çojnë paranojat e njerëzve të traumatizuar kur këta mendojnë se kura e tyre është pushteti.


   Por, për tu kthyer tek shprehja e atyre që thonë: “mos u merr me këtë se e njohin të gjithë se cili është” unë mendoj se me ta duhet marrë jo aq duke humbur kohë me argumentet e mosargumenteve që paraqesin, por me atë që i shtyn të humbasin inteligjencën. Sepse të thuash “mos u merr me këta”, (disa shtojnë: “se do t’u dalë ndonjë hundëlesh” ) për mua është një lloj kapitullimi i njerëzve të urtë e të mençur, tejet të lodhur për shkak të përvojës së hidhur që kemi me uzurpuesit dhe shërbëtorët e tyre të pacipë që janë fenomen tejet i përhapur, madje edhe tejet i rrezikshëm. Duhet marrë, pra, me ta, jo si hundëlesh, por duke i bërë kritikën fenomenit kulturor që i ka prodhur e që po i shumon përditë; kontekstit të sistemit politik, social, ekonomik që po e stimulon këtë fenomen. Sepse, psh., nuk mund të shihet maskarada që pamë në Panair e ndarë nga fakti se protagonistë të dorës së parë të saj qenë universitete private, shumica të promovuar si vlera të mëdha, me të njëtin stil si këta libra, duke u reklamuar apo vetëreklamuar nëpërmjet videokracisë, e që, në vend se të promovojnë libra shkencorë e studime serioze, kanë ngritur një makineri të tërë shpëlarjeje trush me gazeta e televizione dhe kanë korruptuar, nga ana tjetër, me punësimin në ta, thuajse krejt elitën e vendit që duhet të reagojë.


Shenjë kapitullimi është edhe ajo e një pjese që me përçmim të thonë: “po çfarë intelektualësh janë këta, që i quajtkërke ti intelektualë, ku kanë pasur ndonjëherë karakter dhe inteligjencë këta, kanë qenë të prishur që në vezë.” Unë nuk i besoj këtij versionit të vezës. Besoj, përkundrazi, se njeriu është në një proces të vazhdueshëm rritjeje ose degradimi dhe ky proces varet shumë edhe nga kushtet sociale politike e ekonomike në të cilat ai jeton. Ardian Klosin dhe Edi Ramën psh. unë i kam njohur edhe personalisht, por edhe si botues i shkrimeve dhe i përkthimeve të tyre. E them me kompetencë se Klosi si intelektual është mjaft më i formuar dhe më i lexuar se Rama, të cilit i mungon thuajse krejtësisht aftësia vetëkritike për të strukturuar emocionet e derdhura, siç e provon edhe libri në fjalë, paçka se në faqe të tij nuk mungon talenti që autori ka shfaqur edhe në ato vite. Më kujtohet se një shqipërim të Ramës të librit të Kandinskit “Mbi shpirtëroren në art” (botime përpjekja)  plot gabime që flisnin për vakuume kulturore (jo vetëm përsa i përket gjuhës) ky e mori dhe e bëri të kuptueshëm. Kur e shoh sot në rolin e një shqytari mjeran të cilit Lubonja (por edhe vetja ka shkruara një herë), i duken të veckël, të veckël, të dështuar, përpara Ramës nuk ka se si të mos reflektoj për procesin që e ka sjellë në këtë dehrexhe. Dhe shpjegimin e gjej tek kulti i pushtetit politik në krejt truallin ku banojnë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ku kam lexuar së fundi se Akademia e Shkencave paska vënë në hyrje të godinës së saj një citat të Thaçit. Ky kult pra, i “të madhit” që identifikohet me politikanin e të gjithpushtetëshmin, është aq i kultivuar tek ne saqë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe intelektualët e pavarur, gazetarët apo aktivistët e shoqërisë civile janë “të detyruar” t’u duket vetja të vegjël, të vegjël, madje në shërbim të tyre. Tani, në kapitalizmin tonë pa demokraci, këtë kult e kemi të rënduar edhe me kultin e pasunarit, madje edhe të familjeve të mëdha. Një pjesë intelektualësh janë të detyruar ditë për ditë t’u duket vetja i vogël i vogël edhe përpara pronarit të universitetit, televizionit, gazetës, jo rrallë i lidhur bythë e brekë me bosin e politikës. Me kalimin e kohës pastaj, duke luajtur për një kohë të gjatë rolin e shqytarit, jo vetëm të mbushet mendja se me të vërtet je i vogël shumë përpara tij, por kjo mund të të çojë deri në procesin psikik të identifikimit me kalorësin të cilit i mban armët dhe vetja të të duket i madh e i rëndësishëm mu pse je pranë tij apo mu pse ekziston ai. Për tu kthyer tek teoria e vezës, Edi Rama dhe Ardian Klosi, në procesin e jetës në këtë shoqëri, sipas mendimi tim, kishin mundësi të bëheshin kontestues të kësaj kulture që personat i kthen në personazhe “të mëdhenj” e “të vegjël”, “të sukseshëm” e “të dështuar”, e që, në fakt, është “veza” nga kemi dalë të tërë. Mirpo, për shkaqe individuale por edhe përtej individuale u bënë produkt e gjenerues të mëtejshëm të saj. Një  lexues i shkrimit tim i cili duke kërkuar të thellojë tipologjinë e intelektuali që prodhon kjo kulturë, që, sipas tij, “nuk e lejon të avancoje shoqërinë tonë” shkruante se ai nuk mund të jetë i afërt as me Petron/Pietrin që “e mohon Krishtin (idealin) e tij në një moment frike dhe presioni” as me Judën, i cili, në dilemë ndërmjet "idealit" dhe "materiales", e shiti idealin kundrejt 30 asprave, por e kuptoi gabimin dhe u kthye te prifterinjtë duke u hedhur 30 monedhat në këmbë e duke u thënë se kishte dorëzuar gjak të pafajshëm. Tipologjia e këtyre tanëve, sipas tij, i përshtatet më tepër Pilatit, të cilit i interesonte më tepër pushteti se sa drejtësia, aq sa dënoi me kryqëzim dikë pa faj dhe lau duart nga "ideali". “Ashtu si Pilati kishte mungesë njohjeje dhe luciditeti ngaqë pushtet dashja nuk i'a lejonte një vullnet të tillë, po kështu edhe intelektualët tanë janë të gjymtuar në vullnet për të njohur të vërtetën.” (http://perpjekja.blogspot.com/2011/11/kadare-rama-memuaristika-si-operacion.html)


Në thelb ky kult është tregues i një kulture të trashëguar që sot, në botën demokratike,  të bën deri ekzotik pasi njeriu nuk matet atje me “i madh” dhe ”i vogël”, ai është i barabartë në dinjitet dhe përpara ligjit me të tjerët çka është thelbësorja, kurse vlerat e tjera që e dallojnë, e sekushi ka të vetat të lidhura me profesionin e vet, janë gjithsesi sekondare, e për ato ai flet me modesti e përunjësi. Nëse sot flitet për krizë të demokracisë në shoqërinë tonë, mendoj se edhe fenomeni që po trajtoj është tregues shumë domethënëse i asaj se ne nuk do të bëjmë dot përpara në demokraci pa atë ndryshim kulturor që do ta kthejë njeriun shqiptar drejt atij njeriu që ve dinjitetin dhe ndershmërinë, të vërtetën dhe ndjenjën e barazisë me të tjerët përpara “madhështisë” së pushtetit apo të parasë. Dhe kjo kërkon një tipologji tjetër intelektuali nga ai që kemi zhvilluar ne, fatkeqësisht edhe me kontributet e shquara që përmenda më sipër. Që t’i referohem edhe një herë Platonit: në “Republikën” e tij, kur propozon se në krye të politikës duhet të jenë filozofët, ai shton se këta, megjithatë, nuk duhet të qëndrojnë gjithherë në këtë detyrë pasi ata duhet t’i kthehen filozofisë që është më e epërmja gjë me të cilën duhet të merret një filozof dhe prandaj, një nga detyrat kryesore që kanë ata kur qëndrojnë në pushtet, është që të investojnë para publike që shoqëria të përgatisë filozofë të rinj. Dikush do të thotë se koha ka treguar se kjo është shumë ideale. Po, por koha ka treguar, megjithatë, edhe se sa të vlerësuar kanë mbetur ata njerëz që nuk ia kanë kushtuar jetën pushtetit apo parave individuale, por rezistencës ndaj tyre në emër të lirisë, të vërtetës, dinjitetit të të gjithëve. Në këtë pikë shumëkush do të bjerë dakort, por do të më kujtojë se, kur njeriu është gjithmonë në nevojë materiale, e humbet pasionin edhe për filozofinë edhe për të vërtetën, sepse përpara se të filozofosh duhet të hash e të ushqesh fëmijët. Unë ngulmoj se në sistemin ku jetojmë, megjithë problematikën e rëndë në këtë drejtim, si përsa i përket sistemit korruptues që kemi ndërtuar ashtu edhe trashëgimisë autoritariste së asaj kohe që fatkeqësisht duket sheshit se ka lënë hijet e veta të rënda në psikën e shoqërisë, nuk jemi si në kohën e diktaturës kur mbijetesa, deri edhe vetë jeta, ishte e varur nga bashkëpunimi me pushtetin. Sot ka shumë më tepër mundësi që të lindin intelektualë që t’i shërbejnë shoqërisë si pasqyrë që i tregon lakuriqësinë pushtetarit dhe jo si shqytarë e kostumveshës që vrasin idealin për 30 aspra e që, më keq akoma, në vend se të pendohen si Juda, kërkojnë edhe 30 aspra të tjera për ta varrosur atë për fare. Prandaj mendoj se atyre që edhe në këto kohë zgjodhën bashkëpunimin me gënjeshtrën dhe mashtrimin në dëm të së vërtetës dhe të drejtës historia do t’u veshë përgjegjësi shumë më të madhe. (Panorana, 7 dhjetor 2011)

5 comments:

Anonymous said...

kto nuk jane as shqytare kaloresish vella Fatosi po jane shqytare llustraxhinjsh

alban ENVER MALKO said...

Lubonja e lexova artikullin tuaj tek PANORAMA disa here.Disa nga artikujt tuaj jane me te vertet te bukur.Perfshire edhe kete.Komplimente.dergova nje koment,tek PANORAMA qe sma publikuan.nejse.pak opinionist ne nje artikull te shkurter ja dalin,te shprehin qarte,apo pleksin,fillozofine,moralin,njefare psikanalize dhe problemet e renda qe has sot kritika letrare,apo gazetaria.jeni goxha sintetik.disa nga artikujt tuaj kane force,prekin sentimente.kritika juaj eshte shume shpesh,reflektive dhe kostruktive.ne goditjen qe i beni korrupsionit,jeni per mendimin tim.i pa ARRITSHEM.STOIK.
Po LUBONJA.kush predikon MORALI-n,eshte ekzotik.eshte koha e oportunisteve,sharlatanve.e disidenteve falls.qe kur PARTIA i dergonte per stazh,sot thon se i dergoj per ndeshkim.persa i takon shprehjes,hapi rruge budallait.une
kam nje batute timen.
I ZGJUARI ta mendoje mire,sepse heren tjeter,i ngelet,monopati(ose arratia).ju uroj kthjelltesi.jeni nje vlere e gazetarise shqiptare.

Anonymous said...

Z.Lubonja, desha t'iu bëjë një pyetje:
A mendon se zgjidhja e këtij problemi ku ne jemi (na kanë) katandisur është se ende ne duhet të stërkeqemi, për të na ndodhur katarzisi? Po ta bëjë këtë pyetje, sepse me sa po shohë (përjetoj), nuk ka mundësi të na nxjerrë kush nga kjo ku jemi futur, përveçse nje vetëdijësim i secilit por, që edhe kjo vetëdije të vjen po nga kjo stërkeqje. Jam mirënjohës nëse do ta komentonit këtë.

p.s
Shkrimin dhe shkrimet tjera tuajat i kam lexuar dhe më tmerron një fakt, sepse ajo çfarë shkrehni Ju nëpër këto shkrime është e vërtetë. Vetë fakti që të tjerët nuk merren me atë çfarë tha, por kush e thotë është dëshpruese për shpresën.
Shëndet

Valter said...

Shkrimi juaj eshte gjithmon si shumica teper i perpikte. I lexova edhe shkrimet e Klosit dhe Vehbiut tek shekulli dhe nga njera ane me erdhi per te qeshur por ne te njejeten kohe eshte edhe per te qare kur keta djallezor intelektuale mbrojne me "mjeshterin" e tyre te fjales figuren e edi rames, nje specje te semure, te çekulibruar dhe per me teper jo njerezor per faktin qe me ate qe i ka ber ai Tiranes edhe djalli vet do ta kishte zili. Ti pakesosh ajrin nje qytetari, tja ndotesh, ti besh femijet por jo vetem pacient kronik dhe klient te rregullt te farmacive, te denosh pensionistet me arrest shtepie (Lubonja e ka shprehur me qindra here ne opinionet e Fevziut)vetem keta kryebashkiaket tane ne Shqiperi (ne durres, vlore, sarande e njejta gje) dine ta bejne, vetem nje i çmendur si edi rama. Me erdhi per te qeshur kur Klosi tha qe kishte len Gjermanin ku merrte gati 5000-6000 euro me te sotemet e perkthyer ne dojçmarka 10000-12000 marka. Kaq te ardhura si merrte as kancellari gjerman vetem nese bente ndonje pune (shiste "mall" ose ndeonje gje )tjeter. Pastaj na u kthekerka ne Shqiperi per nje rroge 50000 lek te reja domethen 10 here me pak. Per me teper kur citon edhe shume masakra te tjera natyrore qe me te drejte jane shume te verteta por qe pse ky zotri nuk u ngrit qe ne kohen e qeveris socialiste te frenonte ramen te parin. Me sa duket e paskan si zakon se edhe nje fare Artan Lame bertiste e uleriste nje dite tek Klani se po prisheshin nja tre shtepi aty afer rruges se elbasanit sa arriti dhe u be qesharak ne fund fare. Sa per ju Lubonja jeni megjithmend nga te paket intelektual shqiptare qe luftoni dhe mbroni interesat e shqiptareve. Klosi apo shume te tjer si ai jane teper te vegjel para jush pasi ajo qe te ben te madh eshte pikerisht te qenit humain apo NJEREZOR, te tjerat jane aksesor.

Rita Strakosha said...

Ne kulturen shqiptare shtypja e intelektit fillon qe tek foshnjet: keto ushqehen me dhune ne kopeshte, nuk u mesohet te perpiqen te jene sa me te pavarura ne plotesimin e nevojave te tyre. Me tej u mesohet bindja e verber ndaj autoritetit te prindit (patriarkalizem). Pastaj ne kulturen patriarkaliste, ku nenat jane pak te edukuara, kulturen e tyre ja percjellin femijeve.

Keta femije te rritur me frymen se duhet ti binden autoritetit te prindit pa diskutuar aresyen e ketij autoriteti, behen politikanet e ardhshem te nje politike arbitrare.