Në shkrimin paraardhës, të titulluar “Në pamundësi të hetimit gjithëpërfshirës”, duke u nisur nga fakti se, në gjendje krizash, si kjo që ka shpërthyer, krijohen kushte për reflektim më të thellë, pasi ndjehet nevoja që ato të mos përsëriten, hidhja propozimin (jo për herë të parë) e ndëshkimit të liderëve të të dyja partive si nevojë ndryshimi të politikave të mbrapshta që e kanë bllokuar vendin. E thosha këtë duke iu referuar mundësive ligjore e morale që implikon për këtë 21 janari, por duke pasur parasysh edhe të kaluarën e tyre, edhe rreziqet që na kanosen prej tyre në të ardhmen. Reagimet (po ashtu të njohura) ishin disa llojesh. Kategoria e militantëve e të rreshtuarve mbronte liderin e vet duke fajësuar ekskluzivisht tjetrin apo duke pretenduar se, përderisa këta janë më të votuarit, s’kemi pse t’i heqim dhe se prandaj gjithçka përcaktohet nga vota. Një kategori tjetër e pranon problemin, por jo zgjidhjen e propozuar. Sipas tyre, asgjë nuk ndryshon me ndryshimin e liderit/liderëve, pasi do të vijnë të tjerë që do të sillen po si ata. Këta sjellin, madje, edhe shembuj të më të rinjve, si këtu edhe në Kosovë, që sillen po njëlloj, me kult të individit në vend të institucionit. Janë më në fund edhe ata të shumtë që të thonë: “Mirë e ke ti, por këta janë bërë gjithnjë e më të fuqishëm e prandaj s’guxon kush t’i sfidojë”. Disa syresh theksojnë jo vetëm kultin e tyre të individit në rritje, por edhe monopolet dhe oligopolet e fuqishme të vendit, si dhe mediat e tyre, madje edhe ndërkombëtarët që, tek e fundit, me këta po operojnë.Duke pranuar idenë se “këta” janë sot gjithnjë e më të fuqishëm për shumë nga arsyet e përmendura, e se prandaj nuk është e lehtë ajo që propozoj, unë gjykoj se, po për këto arsye, paradoksalisht, ata janë edhe më të dobët se kurrë e prandaj puna edhe mund të bëhet e mundshme. Kjo jo vetëm sepse dëmet e tyre dhe vetëdija e këtyre dëmeve, me gjithë punën e madhe dizinformuese që bëjnë mediat që i mbështesin, është më e madhe se kurrë ndër njerëzit, por edhe sepse një politikë e tillë, që synon të dobësojë deri shkatërrojë tjetrin, ka rezultuar shkatërruese edhe për ata vetë. Pa dyshim, qëndron argumenti i atyre që thonë se kjo nuk është punë ndërrimi liderësh, por kulture. Por, kur them se duhen ndryshuar liderët, nuk kam parasysh thjesht personat Berisha dhe Rama, por “rolin” që kanë luajtur këta individë dhe ata më afër tyre në “dramën” e imponuar nga “regjisori”, siç do ta quaja metaforikisht kulturën dominuese, veçanërisht te militantët dhe sistemin e tërë politik ekonomik që i qëndron prapa, më i kriminalizuar se kurrë. Ndëshkimi i tyre si liderë, pra, nuk duhet kuptuar si ndëshkim dy personash, por si ndëshkim edhe me kuptim simbolik, kulturor të një modeli lideri dhe i një mendësie bërjeje politikë që na ka çuar e rrezikon ende të na çojë deri në vrasje të njëri-tjetrit. E këtu më duhet të shtoj se, në këtë ndëshkim, karakteristikat individuale të tyre nuk duhen injoruar. Jo të gjithë aktorët janë të gatshëm ta luajnë rolin prej protagonisti që luan Berisha apo Rama në këtë dramë. Ata kanë karakteristika të tilla individuale që një “regjisor tjetër” në një “pjesë tjetër teatrale” nuk do t’i zgjidhte për protagonistë. Dhe unë mendoj se e kemi mundësinë e një regjisori tjetër dhe të aktorëve të tjerë protagonistë. Pa metafora, duke mos mohuar argumentet e atyre që janë pesimiste për të ardhmen, unë ngulmoj se ka, megjithatë, jo pak të dhëna që tregojnë se kjo shoqëri është pjekur aq sa t’i duket normal një tjetër antropologji lideri nga ajo e Berishës dhe Ramës që, sipas gjykimit tim, janë mjaft simetrikë me njëri-tjetrin, paçka se të rreshtuarit me socialistët e gjykojnë Ramën ndryshe nga Berisha, duke thënë se ky s’ka vrarë, kurse ai ka vrarë, apo duke thënë se atë nuk e kemi provuar, këtë e kemi provuar. Këtu po hap një parantezë ndaj kësaj vërejtjeje. Gjykimi im është se Ramën e kemi provuar jo pak për të parë se ai, edhe në nivele jogjithëpushtetshmërie (si ministër i Kulturës dhe si kryebashkiak) ka treguar një shkallë të frikshme personalizimi të institucionit, mospërfilljeje ndaj ligjit, korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin, ashtu sikurse edhe një shkallë të frikshme prirjeje për të kontrolluar dhe “vrarë” çdo zë të lirë që ekziston në këtë vend. Sa vetëm budallenjtë apo ata që kërkojnë ta përdorin për të zgjidhur hesapet e tyre personale mund të besojnë se në rolin e të gjithëpushtetshmit, ky do të vepronte ndryshe. Kujtoj po ashtu se ai e çoi PS një hap prapa edhe duke eliminuar një traditë që tentoi të vendoste me Fatos Nanon; atë të largimit të liderit në rast humbjeje, duke u bërë kështu edhe më simetrik me Berishën.Për t’u kthyer përsëri te tema e pjekurimit: unë gjykoj se ka tregues jo të paktë dhe jo të parëndësishëm se kjo shoqëri është pjekur deri në atë shkallë sa të pranojë lider me tjetër antropologji.Së pari, do të sillja faktin se kjo shoqëri ka vuajtur aq gjatë nga kjo “dramë politike” e konfliktit permanent dhe nga këta aktorë politikë, sa prej kohësh ka zhvilluar vetëdijen për një lider tjetërsoj. Në fakt, kjo është një krizë e stërpërsëritur, që në thelbin e vet mund të përkufizohet kështu: lufta e egër për pushtet e dy partive me mendësi autoritare dhe me liderë autoritarë për shkak të së cilës në vend se të kemi dialog dhe një dialektikë të kundërtash që sjellin zhvillim, kemi një refuzim total të ndërsjellë të të dyja palëve që nuk e lënë të arsyeshmen, e së bashku me këtë edhe shoqërinë, të hedhë hapa përpara, përkundrazi, e mban të bllokuar. Po ashtu, kjo mendësi autoritare totalitare nuk bllokon vetëm dialogun dhe dialektikën, por edhe instrumentet që duhet ta çojnë atë përpara, që janë institucionet. Ngulmoj se ky është një mendim i gjithëpërhapur sot ndër shqiptarët dhe tentativat për t’ia veshur fajin vetëm njërës palë, siç bëjnë partitë dhe propagandistët e tyre, nuk janë aspak bindëse si për shqiptarët, edhe për ndërkombëtarët që ndjekin proceset në vend. Prandaj ndëshkimi duhet të jetë dykrahësh. Kujtoj, po ashtu, se kjo nevojë nuk është e re. Ajo është shprehur, madje duke pasur mbështetje të fortë popullore e ndërkombëtare, edhe në kohën kur Erion Veliaj krijoi lëvizjen “Mjaft” që, në thelb, me bekimin edhe të ndërkombëtarëve, synonte largimin e Nanos dhe Berishës si përfaqësues të frymës së vjetër. Sot vëmë re se njerëzit në Partinë Socialiste janë po ata, madje se edhe vetë Nano po kthehet me shpresat që të bëhet President, pasi përvoja e socialistëve e ka nxjerrë më demokrat se Ramën. Nëse Velinë dhe të vetët, që u bënë protagonistë në politikë pikërisht në sajë të kësaj lëvizjeje, nuk i shqetëson më ky fakt, pasi u “thithën” nga sistemi që denonconin apo se nuk ishin ashtu dhe aq të sinqertë në lëvizjen e tyre, kjo nuk do të thotë se motivet për t’i thënë “mjaft” klasës së vjetër politike nëpërmjet ndryshimit të lidershipit të saj janë shuar. Ato janë bërë edhe më akute madje.Së dyti, edhe vlerësimi pozitiv që i bëhet nga një numër i madh shqiptarësh natyrës më tolerante, më të hapur ndaj kritikës dhe më të gatshme për të dhënë dorëheqjen të Fatos Nanos, tregon se vetëdija e epërsisë së një lideri ndryshe ekziston te shqiptarët. Po përmend gjithashtu faktin se Lulzim Basha e impostoi fushatën e tij elektorale duke luajtur rolin e një lideri të hapur, jo urrejtës, madje duke evituar edhe Berishën, çka tregon se sondazhet e kompanive që i kanë organizuar fushatën elektorale i kanë folur për papëlqimin nga shumica e shqiptarëve të këtij lloj lideri.Së treti, një pjesë e mirë e shqiptarëve janë sot tejet të informuar për çka ndodh në botën demokratike. Shumë syresh i dëgjon të bëjnë krahasime me këto vende edhe përsa i përket faktit se liderët e partive apo qeverive ndryshojnë vazhdimisht në këto vende duke prodhuar zhvillim më të shpejtë dhe demokraci më të madhe. Është e vërtetë se ne, në këtë aspekt, kemi imituar më shumë rastet e Italisë apo Greqisë, me të cilët kulturalisht jemi edhe më afër, ku liderët partiakë nuk ndryshojnë aq shpesh, por përsëri shqiptarët kanë parë se këta, gjithsesi, tregojnë se dinë të ndajnë pushtet me të tjerët, se dinë të dialogojnë, të bëjnë autokritikë, të njohin aspekte pozitive te kundërshtari, se luftën e bëjnë parlamentare dhe jo me gurë në rrugë dhe, mbi të gjitha, se i respektojnë institucionet e tjera duke filluar nga ai i votës së lirë.E vetmja gjë që e vështirëson jashtë mase propozimin tim, pra, nuk është vetëdija e shqiptarëve, por pafuqia e tyre për ta kthyer në akt këtë vetëdije. Dhe kjo kryesisht për shkak të faktit se rreth këtyre dy liderëve janë mbështjellë interesat e shumicës së atyre që sot diktojnë direkt apo indirekt opinionin në Shqipëri, shumë prej të cilëve u intereson kjo luftë e egër midis të dy palëve jashtë kontrollit të institucioneve, pasi kështu interesat personale i mbrojnë në sajë të lidhjes e besnikërisë ndaj liderit, apo pse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk janë në gjendje të bëjnë punë tjetër veçse atë të mercenarit në njërën apo tjetrën ushtri, pa qenë në gjendje të kuptojnë se në terma afatgjata ajo është edhe kundër interesave të tyre. Por edhe për këtë arsye, mendoj se tragjedia e 21 janarit duhet trajtuar edhe nën dritën e ndërgjegjësimit për nevojën e ndëshkimit të liderit jashtë e përmbi-institucional nëse nuk duam që tragjedi të tjera, ndoshta edhe më të rënda se 21 janari, të na e diktojnë këtë ndryshim.
Thursday, February 2, 2012
Pse pa Berishën dhe pa Edi Ramën
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
3 comments:
Me referendume popullore mund te ndryshohen shume gjera. Kushtetuta, kodi zgjedhor. Referendumi mund te behet edhe nga shoqata te palidhura me partite politike. Me gjithe keto probleme qe ka politika shqiptare cuditem qe nuk eshte perdorur me shpesh ky mjet.
Ne vendet perendimore kur rreth nje problemi popullsia eshte e ndare fort ne dy kampe, dhe problemi eshte jetik, i drejtohen referendumit.
Le te behet referendum per kodin zgjedhor, kushtetuten, sidomos per nenet te cilat i japin pushtet te madh kryetarit te partise mbi deputetet dhe kryeministrit mbi parlamentin.
Nje Referendum eshte pa fuqi, n.q.s. jo te gjitha palet politike per te cilat behet fjale, jane dakord qe ky te behet (mesa di une, ndoshta ka edhe perjashtime). Ne kete rast do te ishte naive te mendohej qe pala e maxhorances aktuale nuk do ta bojkotonte nje perpjekje te tille te popullit per tu cliruar nga ky arrest i pergjithshem i inteligjences, mundesive per te krijuar qualitete normale jetese, vlerave themelore njerezore etj etj. Eshte ky arrest qe ka aspiruar kjo maxhorance, pasi vetem ne kushte tilla eshte e lehte te behesh vete zot e shkop i gjithckaje ne vend, pa pasur pengesa te tjera per te perdorur kete shoqeri "te lidhur" per interesa vetjake, te felliqura qofte finanziare apo psiqike ne pangopshmerine per pushtet...
I hodha nje sy kushtetutes. Ndryshimi i kushtetutes ne fakt nuk behet dot me referendum pa nismen e nje grupi deputetesh. Kurse shfuqizimi i nje ligji, pervec kushtetutes, mund te behet me referendum te iniciuar nga 50,000 shtetas. 50,000 shtetas mund ti drejtohen dhe presidentit per referendum per nje ceshtje te nje rendesie te vecante. I bie qe Kodi Zgjedhor mund te shfuqizohet me referendum. Ose 50,000 shtetas i kerkojne presidentit qe te behet referendum per dispozita te vecanta te Kodit Zgjedhor.
Gjithsesi mundesite qenkan shume te kufizuara.
Post a Comment