Friday, March 9, 2012

Për çfarë ka nevojë më shumë Tirana

(Letër e hapur Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha)


Zoti Basha,
Këto ditë mora një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së konkursit ndërkombëtar për projektin e zgjatimit të Bulevardit dhe lumit të Tiranës. Në pamundësi për t’u ndodhur në atë ceremoni, ku nuk di a do të kisha edhe mundësinë e marrjes së fjalës, më lejoni t’ju shpreh publikisht disa mendime që do të kisha dashur shumë t’i shprehja atje. Janë mendime të një qytetari të Tiranës, i angazhuar, me sa ka mundur, në mbarëvajtjen e kryeqytetit, por që i gjej edhe mes shumë bashkëqytetarësh, që bëjnë pjesë edhe ata, ashtu si unë, në kategorinë e atyre që ndjehen gjithnjë e më të zhgënjyer e më mosbesues në klasën tonë politike.
Së pari, tashmë dihet nga të gjithë, zoti Basha, se praktika e konkurseve ndërkombëtare – e futur nga paraardhësi juaj – ka një shije të hidhur për qytetarët e Tiranës. Kjo, pasi më shumë se sa për krijimin e projekteve më të mira, një praktikë e tillë ka shërbyer për të legjitimuar – duke shfrytëzuar kompleksin e inferioritetit të shqiptarëve ndaj perëndimorëve – projekte që kanë rezultuar masakruese për qytetin. E për këtë nuk janë për t’u fajësuar të huajt, por fakti se konkurset ndërkombëtare kanë shërbyer si marrje e një porosie për t’i qepur Tiranës një kostum në shërbim të një kaste që u pasurua në kurriz të shëmtimit të qytetit dhe përkeqësimit dramatik të cilësisë së jetës të qytetarëve të tij.

Personalisht mendoj se ne nuk vuajmë nga mungesa e ekspertëve, por nga mungesa e ndërgjegjes publike të politikanëve tanë, më së pari, dhe të specialistëve që punojnë për ta, më së dyti. Pra, në këtë kontekst, gjykoj se s’ka pse shpenzohen paratë e shqiptarëve të varfër edhe për ekspertë ndërkombëtarë e projekte ndërkombëtare nëse keni synim të sinqertë t’i shërbeni publikut. Por, edhe nëse gjithçka është “skicuar” tashmë nga interesa si ato që kanë qëndruar prapa paraardhësit tuaj, përsëri më duket i kotë konkursi ndërkombëtar.

Së dyti, lidhur me të parën, nga sa jam informuar, ideja juaj nënkupton hapjen e një blloku tjetër ndërtimesh të larta në Tiranë. Personalisht kam qenë i mendimit se Tirana do të ishte dashur të zhvillohej në atë zonë duke e ruajtur Tiranën historike, atë brenda Unazës dhe po ashtu rrethinat e saj në formë kurore të gjelbëruar, sa më të paprekur – kuptohet duke restauruar shumëçka. Për fat të keq, ajo që ka ndodhur në këto zona është e kundërta e kësaj: një masakër ndërtimesh me leje dhe pa leje. Ndërkaq, pas njëzet vjetësh, kjo masakër ndërtimesh ngre pyetjen për çdokënd që e sheh: a ka kalkuluar kush se sa ndërtime janë bërë në Tiranë, duke filluar që nga pallatet deri në shtëpitë dy-trekatëshe dhe se sa banorë ka Tirana? Sa nevojë ka, pra, për ndërtime të reja dhe se ku do të punësohen këta njerëz për të cilët po ndërtohet kaq shumë? Mendimi im, fatkeqësisht jo i bazuar mbi ndonjë numërim e studim serioz, por në mjaft të dhëna megjithatë, përveç atyre që na sheh syri dukshëm: tejshtrirja dhe tejdendësia e ndërtimeve, numri i stërmadh i ndërtimeve që janë të pambaruara, si dhe i atyre të mbaruarave që s’ua sheh ndonjëherë dritat ndezur, është se ndërtimet në Tiranë i tejkalojnë shumë nevojat për banim të tiranasve – pavarësisht se ka edhe njerëz të pastrehë për shkak të polarizimit etj. Kjo është pasojë e mungesës së strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm, e faktit se prej kohësh industria e ndërtimit ka punuar thjesht për të ricikluar e mbajtur veten, duke bërë, mes të tjerash, edhe riciklim parash të pista, duke krijuar një lloj zhvillimi tumoral, dhe jo një zhvillimi të shëndoshë. Atëherë, kujt i shërben ideja që të vazhdojnë ndërtimet në Tiranë? Mos vallë qarkullimit e riciklimit të parasë me të njëjtën filozofi tumorale, si dhe atyre industrive të çimentos që po bëjnë një dëm ekologjik të paparë duke i zgjatur metastazat e tumorit në krejt trupin e vendit? Kësaj pyetjeje i shtoj edhe një argument tjetër shumë të rëndësishëm: faktin se, edhe nëse për këto ndërtime gjenden blerës, grumbullimi i të gjithë popullsisë së Shqipërisë në Tiranë jo vetëm se krijon një metropol edhe më të pamenaxhueshëm se sot me problemet e mëdha të punësimit, krimit, shërbimit etj., por edhe pakëson mundësitë për të shfrytëzuar tërë burimet natyrore që ka vendi. Ngulmoj se politika zhvillimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm duhet të synonin një popullsi sa më të shpërndarë në të gjithë territorin, dhe jo këtë grumbullim të popullsisë në pellgun Tiranë-Durrës, siç stimulon edhe projekti juaj.

Së treti, duke pasur parasysh edhe gjithë sa thashë më lart, gjykoj se ju nuk mund ta bëni fakt të kryer realizimin e këtij projekti pa asnjë konsultim apo debat me qytetarët, siç ndodh rëndom në vendet demokratike, çka nuk e keni bërë përpara hapjes së këtij konkursi. Sepse pyetja që duhet t’u shtronit si kryetar Bashkie qytetarëve të Tiranës, sipas meje, duhet të ishte: për çfarë ka nevojë qyteti ynë sot: për t’u ngritur edhe një kantier tjetër çimentifikimi në veri të qytetit, apo për rikuperim dhe çlirim të hapësirave të gjelbra brenda zonave që ata banojnë, për shkolla, parqe, fusha sportive etj.? Përgjigjja ime, si qytetar i Tiranës, është se ne kemi nevojë që paratë tona publike të investohen për këtë të dytën. E në përgjithësi do të thosha se kështu mendojnë shumica e tiranasve që janë shumë mosbesues ndaj këtyre ideve të mëdha të lançuara me bujë për qëllime që kanë shkuar kundër interesave të tyre. Mirëpo ju duket sikur nuk doni t’ia dini se ç’mendojnë ata. Mos harroni se jo më shumë se disa muaj më parë ju u kritikuat se projektin e sheshit “Skënderbej” e realizuat pa u konsultuar me askënd – dhe rezultati nuk ishte aspak entuziazmues – ndërkohë që në fushatën elektorale, një nga premtimet kryesore patët konsultimin me qytetarët e Tiranës.
Me shpresë (të vakët) se këto shqetësime do të merren në konsideratë,

Fatos Lubonja

(Panorama, 8 mars 2011)

1 comment:

Anonymous said...

Shume dakord. Dhe mbi te gjitha, s'kane pse shpenzohen para per projekte qe kane shanse te mos zbatohen. Dhe pse dalin nga dy projekte per te njejtin plan? Edhe Rama, ne fillim nxori nje plan francez, pastaj nje belg. Pastaj per Parlamentin, nje here nxoren nje plan tjeter, tani nje plan tjeter. Dhe Basha tani prape me projekte 3D per te ardhmen e shqiperise, a thua se magjepset me njeri prej tyre. Dhe me e bukura eshte qe asnje nga keto projektet madheshtore 3D s'ka nisur ndonjehere. Keshtu qe Bashes i them qe me mire te ndertoje nje here me c'projekt te doje, se dhe po qeme kunder ne, s'eshte se do te na pyese, e pastaj le te na tregoje projektin, po deshi, sepse sinqerisht qe nuk magjepset me njeri me figura tre dimensionale te te ardhmes sone. Te gjitha e te vetmet "rregullime" qe kam pare une deri me sot, kane qene thjesht arnime te perkohshme. Tirana eshte si nje kalama varfanjak, me rroba me arna e me njolla; por rroba firmato, italiane, te falura nga te huajt para clirimit, te vetmet firmato ne historine e vet, dhe te mbushura gjithe arna gjate komunizmit, dhe me plot njolla te shtuara mbi arna, gjate ketyre 22 viteve te fundit.