Wednesday, July 4, 2012

Kronikë nga KQZ



Gjatë 27 dhe 28 qershorit, si pjesëtar i grupit nismëtar të kërkesës për referendum kundër importimit të plehërave, mora pjesë në seancat e hapura të KQZ-së që do të vendosnin për pranimin apo mospranimin e kërkesës sonë. Ishte hera e parë që e prekja nga afër këtë ambjent. Herë  të tjera e kam ndjekur nëpërmjet ekranit dhe ju siguroj se ka mjaft ndryshim.
Mendimi që erdhi duke mu kristalizuar sa më shumë qëndroja në atë sallë, i dashur lexues, ishte se ngjarja që po zhvillohej atje ishte material i mrekullueshëm për ndonjë  autor teatri, që kërkon të trajtojë dramën e këtij vendi, stadin e demokracisë apo të mosdemokracisë në të cilën ndodhemi, psikologjinë që vepron në raportin tonë me institucionet dhe pushtetin. E them këtë sepse në atë sallë ishin simbolikisht tërë aktorët kryesorë të jetës sonë. Ishte “drejtësia” e anëtarëve të famshëm të KQZ me në krye Ristanin, ishin ”ekzekutivi” e “legjislativi”, me në krye përfaqësuesit e partive politike, dmth Kosovrastin e PD dhe Gjonçaj të PS, ishte “admininstrata” e KQZ që presupozohet të bëjë punët teknike, ishte “media” që po e ndiqte dhe regjistronte atë që po ndodhte  - ishim edhe ne “populli”, thoni po të doni “shoqëria civile” që kishte çuar atje një kërkesë për referendum të mbështetur me 65 mijë firma qytetarësh.
Çfarë më bëri më shumë përshtypje atje? Më falni, harrova të them se aty ishte prezent edhe një personazh hije, që nuk mund asesi të neglizhohet në skenografinë e dramës, edhe pse nuk kishte karriken e tij. E kam fjalën për ambasadorin amerikan Arvizu personazhi, pra, që disa ditë më parë kishte denoncuar në aktivitetin “Vepro tani” mosdhënien përgjigje nga KQZ-ja kërkesës për referendum, për të cilin, kur mbrrita aty, më thanë se kishte qenë në KQZ pikërisht atë ditë në mëngjes përpara fillimit të mbledhjes sonë. Letërsia, siç e dini, është e mbushur me personazhe hije që, edhepse nuk shfaqen asnjëherë në skenë, janë protagonistë kryesorë.
Fakti që ne – populli – kishim ndjesinë se po pranoheshim të hynim në atë sallë vetëm se na kishte mbrojtur ambasadori më krijonte një ndjenjë poshtërimi dhe të them të drejtën nuk u gëzova, si disa më të rinj se unë, kur më thanë se “betejën e kemi të fituar” sepse “ambasadori ishte këtu”. Por tani le t’u tregoj shkurt disa nga episodet apo aktet kryesore të dramës.
* * *
Në hyrje “administrata” lexoi një raport që kishte të bënte me verifikimin e kërkesës sonë në të cilën, me dy fjalë, thuhej se ishin paraqitur formularë që përmbanin 65 mijë firma ndër të cilat ata kishin vënë re se kishte edhe të parregullta - firma ku kishin firmosur kryefamiljarët për gjithë familjen – por që gjithsesi nuk ndikonin që shifra e firmëtarëve të rregullt të binte nën 50 mijë. Pra raporti i administratës nënkuptonte se kishin vendosur t’i thonin pro referendumit.
Sipas mendimit të ndonjë naivi nga ne kaq mjaftonte: ne duhet të iknim në shtëpi dhe shteti në këtë rast KQZ duhet të fillonte të merrej me  përgatitjen e referendumit. Sepse, tek e fundit, edhe sipas mendimit tim gjithmonë naiv, çështja e pranimit dhe mospranimit të futjes së plehërave në Shqipëri është një çështje transversale që i përket edhe PD-istëve edhe PS-istëve, pasi unë nuk besoj kurrësesi se si palë e vetme e interesuar pro referendumit, që kërkon abrogimin e ligjit, të jenë vetëm zgjedhësit e opozitës dhe si palë kundër referenduamit të jenë zgjedhësit e maxhorancës. Mirëpo ja që shumë shpejt, kur fjalën e mori Kosovrasti i partisë së madhe që është në pushtet, atje u krijua një situatë që më bëri të më duket sikur po shihja luftën në KQZ për zgjedhjet e Tiranës se kush duhet të ishte Kryetar Bashkie, Basha apo Rama. Mos harroni asnjëherë se atje kishte me dhjetëra kamera që transmetonin live apo regjistronin për t’ia paraqitur shfaqjen pastaj popullit.
Përpara se të kthehem tek Kosovrasti më duhet të bëj edhe një retrospektivë sqaruese, i kujtoj lexuesit se, pasi “personazhi” i gjithpranishëm dhe njëherësh i padukshëm dhe i papërmendur, e quajti “të papranueshme” që KQZ nuk i jep përgjigje kërkesës së shoqërisë civile për referendum, KQZ reagoi duke thënë se ajo kishte çuar për ekspertizë një kampion formularësh me firma dhe, nga ky kampion, kishin dalë shumë firma të fallsifikuara.

* * *
E pra i dashur lexues Kosovrasti i PD-së, me tonin e tij tejet serioz dhe imponues, që donte të tregonte se pushteti i vetëm dhe i vërtetë atje ishte ai, filloi një  diskurs mbi këtë kampion që mua po më tingëllonte si inkuizicion i vërtetë. Në 140 firma ju keni thënë se kanë dalë 70% të fallsifikuara – iu drejtuar KQZ-së. Ne mendojmë se këta meritojnë të hetoen për fallsifikim kurse, sa për kërkesën për referendum, kjo duhet hedhur poshtë. Kjo ishte, me dy fjalë, pretenca që dha Kosovrasti për KQZ-në dhe për popullin nëpërmjet një tirade shumë të gjatë që tingëllonte edhe komike edhe tragjike. Pse them komikotragjike? Sepse komikja qëndron në atë se shumica e kishin të qartë se kjo ishte “loja” për t’i treguar “personazhit” se KQZ-ja është e paanëshme, se ajo, megjithë kërcënimet e partisë në pushtet, nuk pyeti dhe vendosi për referendumin. Kurse tragjikja qëndronte në atë se “popullit”, dmth. atyre që guxojnë të kërkojnë referendume si ky, iu dha mesazhi se është mirë ta kenë vëth në vesh  se edhe ekspertët tanët  i kemi dhe prisni sa të marrim edhe prokurorinë plotësisht në dorë dhe jua tregojmë ne, mjaft t’ju gjejmë ndonjë firmë të dyshimtë diku.
Pastaj e mori fjalën përfaqësuesi i përhershën i PS pranë KQZ, Gjonçaj, i cili filloi të mbrojë kërkesën tonë për referendum. Unë përsëri u ndjeva keq sepse nuk arrija të kuptoja se ç’punë kishin përfaqësuesit e dy partive atje. Ata mund të jenë atje fare mirë kur bëhet fjalë për zgjedhjet ku janë protagonistë, por në këtë rast pala e interesuar ishim ne të shoqërisë civile. Pse duhej të dilte Kosovrasti të fliste me kaq egërsi kundër tërë atyre qytetarëve që kanë firmosur për referendum kur në mes tyre ka edhe njerëz që votojnë për partinë e tij, madje jam i bindur se shumica e votuesve demokratë, po të bëhet ky referendum, do të votonin kundër sjelljes së plehërave. Pse duhej të krijohej perceptimi se kush është për referendumin është votues i PS? Pse këto dy parti duan të na imponojnë mendimin se asgjë nuk ekziston jashtë ombrellës së tyre? Sepse, ndërkaq, unë nuk mund të mos kujtoja se disa vjet më parë, kur Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ngriti një kërkesë për referendum lokal për të ndaluar shkatërrimin e Gjirit nga TEC-i,  petrolifera etj, ishte shumica e PS, në Komisionin asokohe Celibashi, që e mohoi mbajtjen e referendumit me nje truk.

* * *
I njëjti teatër interesash dypartiake, si ai midis Kosovrastit dhe Gjonçajt, u zhvillua edhe midis antarëve të KQZ ku, në katërshen e maxhorancës u vu re një krah radikal që po të kishte mundësi do të na çonte në gjyq për fallsifikim dhe një krah më i moderuar me në krye Kryetarin. Nga debati i përfaqësuesve të opozitës ne, populli, mësuam megjithatë disa gjëra mjaft interesante si psh. se vendimi për dërgimin e atij kampionit të famshëm tek ekspertët e policisë nuk ishte marrë në mënyrë kolegjiale, por vetëm nga Kryetari dhe se, po të ishte Komisioni i ndershëm, ky kampion do të duhej të ishte marrë edhe në prezencë të palës së interesuar, që ishim ne. Po ashtu u shtrua me të drejtë pyetja se, nëse administratës i kishin dalë mbi 50 mijë firma të rregullta, siç e tha edhe vetë, pse kishte pasur nevojë të dërgohej një kampion për verifikimin e firmave? Nuk mund të mos nxorrje konkluzionin se përpara se të vihej në lëvizje kjo ngjarje nga “personazhi”, ata kishin vendosur të mos e përfillnin fare kërkesën e popullit për referendum, dhe, për këtë, të shfrytëzonin kampionin e dërguar ekspertëve të policisë. Mirëpo ja që disa rrethana bënë që kësaj here rregulli të bëjë një përjashtim, por duke përforcuar rregullin, siç do ta shohim. 
Ç’është e vërteta Kryetari pati mirësinë të na e japë edhe ne, popullit, fjalën për të shpjeguar proçedurat që kishim ndjekur, por, kur unë “guxova” dhe i thashë se problemi më i madh në këtë që po ndodhte ishte kredibiliteti i institucionit që ai përfaqësonte, pasi ata kishin çuar në mënyrë të njëanëshme një kampion tek ekspertët e policisë që nuk kanë kredibilitet – ai ma ndërpreu fjalën duke më thënë se kisha dalë jashtë teme. Në fakt mua më dukej se isha tamam brenda temës sepse kisha parasysh qe edhe për plumbat e 21 janarit Prokuroria jonë nuk kishte treguar besim tek ekspertët e policisë sonë dhe i kishte çuar në SHBA.

***
Por nejse, le të vazhdojmë kronikën. Atmosfera dukej se, për hatër të “personazhit”, që, siç e thashë, s’u përmend asnjëherë aty, por ishte i gjithpranishëm, këta do ta aprovonin kërkesën për referendum.  Ndonjëri nga ne, madje, kishte merak që të mos i acaronim shumë Kryetarin se pastaj ai mund të ndrronte mendje. Popull jemi, duhet të na kuptoni. Madje ne as që kishim ndonjë avokat tonin atje, ndonjë ekspert të mirëfilltë që të na përfaqësonte, siç kishin partitë. Mos harroni, pastaj, se kemi dalë nga komunizmi kur të pandehurit nuk kishin avokat pasi ua mbronte të drejtat prokurori dhe gjykatësi.  Edhe ne pak a shumë si punë të pandehurish ishim atje, që kishin guxuar të ankoheshin tek ambasadori amerikan. Mos harroni se në kohën e Enverit këto lloj gjërash të kushtonin kokën, se të akuzonin për agjenturë apo për spiunazh. Tani disa antarë të KQZ, me në krye Kryetarin, u mjaftuan me vërejtjen në biografi se ne nuk kishim shfaqur besimin e duhur tek pavarësia e institucionit dhe ishim ankuar tjetërkund. Është hap i madh demokratik përpara ky. Askush nuk e mohon dot.
* * *
E pra, i dashur lexues, në sallë ishte krijuar një atmosferë ku u duk se ata do të kalonin për votim e do të votonin “pro”. Por Kryetari e mori fjalën dhe pasi lëshoi një sërë akuzash për ne të shoqërisë civile që kishim preferuar sulmet e pabesa dhe ato madiatike ndaj KQZ në vend të ballafaqimit të drejtpërdrejtë me ta,  duke mos më lejuar mua as t’i jap një përgjigje “të drejtpërdrejtë”, siç sapo e kishte kërkuar, për sulmet  që na adresoi, tha se Komisioni kishte nevojë për gjysëm ore konsultime.
E kështu seanca u mbyll për t’u hapur pas gjysëm ore.
Ajo që më bëri përshtypje si vëzhdues i jashtëm i vëmendshëm i asaj që ndodhi në atë gjysëm ore ishte se tre anëtarët e Komisionit, të propozuar nga opozita, nuk u futën në atë dhomën apo zyrën ku Kryetari do të bënte konsultimet. Ata, sëbashku me përfaqësuesin e PS, Gjonçaj, u shpërndanë për të pirë kafe me ne të “popullit” dhe gazetarët, kurse ata që u zhdukën nga skena, si duket për t’u konsultuar me njëri tjetrin apo me dikë tjetër, qenë katërshja   e maxhorancës sëbashku me Kosovrastin. Fakti është që ne të tjerët ishim duke pritur të gjithë në sallë kur më në fund në sallë hyri trupi gjykues i përbërë nga këta të katërt dhe Kosovrasti dhe Kryetari një vendim të papritur: se Komisioni kishte nevojë për konsultime të mëtejshme prandaj seanca e rradhës do të zhvillohej të nesërmen.
Dolëm paksa të befasuar, dhamë një deklaratë për mediat dhe po rrinim si të hutuar në daljen e KQZ, duke ngritur hamendje pas hamendjesh se çfarë mund të kishte ndodhur. Dikush thoshte se kanë marrë një urdhër të dytë nga Sali Berisha, dikush se “urdhëri” nuk u kishte ardhur nga Saliu, por nga ata biznesmenët e plehërave, dikush se kjo ishte teknika për të ngritur stekën tek grupet e interesit. Teksa rrihnim këto hipoteza e se çfarë do të ndodhte të nesërmen, aty u shfaq një skortë policie me motorra e makina. Nja dy persona civilë na thanë se duhet të largoheshim prej aty. “Çfarë ka ndodhur paska ardhur Presidenti gjë?” – pyeta një që ishte më i njohur me ato ambjente. “Jo mor, më tha, është skorta e Ristanit.” “Hm, thashë me vete, duke u kujtuar se këtij ia kanë vënë skortën, kur  e akuzoi opozita se i ka vjedhur votat. I mbrojtur kështu nga të pushtetëshmit, në një vend ku edhe skortat hiqen e vihen jo nga ligji, por nga më i forti, a mund të japë ky vendime kundër tyre?”

* * *
Ajo që ndodhi të nesërmen i dashur lexues dihet tashmë. Kosovrasti erdhi aty i paisur me argumente të forta juridike sipas të cilëve, edhe po të aprovohej kërkesa për t’u mbajtur referendumi, ky vendim do t’i çohej Gjykatës Kushtetuese dhe, gjithmonë sipas ligjit - se larg qoftë këta ligjin nuk e shkelin për gjëra kaq të vogla, por vetëm kur bëhet fjalë për të vjedhur shuma të mëdha -  ky vendim nuk mund t’i çohet Kushtetueses përpara 3 janarit 2013. Dhe meqënëse, gjithmonë sipas ligjit, - që ju kujtoj të dashur lexues, e kanë bërë vetë nuk ua ka diktuar Zoti në malin e Sinait, - një referendum nuk mund të mbahet gjashtë muaj para apo pas zgjedhjeve, i bije që edhe po e kaloi Gjykata Kushtetuese andej nga shkurti apo marsi 2013, ky referendum do të mbahet në vitin 2014.

** *
Një zgjidhje perfekte, i dashur lexues. “Personazhit” i thuhet: referendumin ta aprovuam sipas ligjit, por shiko edhe pikën e fundit të këtij paragrafi, atë për popullin. Grupeve të interesit që paguajnë politikanët me sponsorizime partie apo me para të thata në xhep u thuhet: ua shtymë edhe për ndonja dy vjet minimumi anullimin e ligjit, prandaj vazhdoni punën me plehërat dhe mendohuni mirë përpara fushatës elektorale. Sa për opozitën po jap komentin e Top-Channelit, ku  gazetari kishte nxjerrë si kryetitull se ligjvënësit e PD-së në KQZ ishin treguar edhe kësaj here më të zot se ata të PS-se për t’ua hedhur atyre. Kurse për popullin, që as gazetari i Topit s’e kishte vënë në hesap, atij iu dha mesazhi shekullor: ti gjithë jetën në plehëra dhe me plehëra ke jetuar, pse kujton se me ndihmën e një ambasadori do të na hiqje qafe? Harrove ti se të kemi detyruar të hash  bar dhe ne s’i jemi dorëzuar që s’i jemi dorëzuar armikut kur ky deshte të na hiqte nga pushteti? (Panorama, 30 qershor 2013)

5 comments:

Anonymous said...

Te importosh mbetje per riciklim, eshte si te importosh lende te pare per perpunim.Psh. mund te importosh nafte per te prodhuar plastike, por mund te importosh dhe plastike te perdorur per te prodhuar plastike. Ndohtja eshte me e larte ne rastin e pare. Nqs. ngrini argumentin se doganat tona nuk kontrollojne mire ngarkesat, atehere ky argument do te ishte i vlefshem per importimin e cdo lende te pare. Ambjentalistet nuk e kane kuptuar mire efektin ndohtes ose jo te riciklimit te mbetjeve te importuara.

Anonymous said...

Nje replike per z. Anonim,
ka nje dallim thelbesor midis lendeve te para dhe mbeturinave. Dallimi eshte se lendet e para jane te ashtequajturat "goods" pra te mira, ndersa mbeturinat jane "bads", pra te keqija. Ne pergjithesi per te parat paguan qe ti kesh, ndersa per te dytat paguan qe ti heqesh. Prandaj dhe argumenti se ndalimi i importit te plehrave nenkupton dhe ndalim te importit te lendeve te para qe juve parashtroni per te kundershtuar ambientalistet eshte i gabuar.Ky dallim eshte thelbesor ne literaturen ekonomike. Prndaj dhe preferencat e njerezve per keto "bads" ndryshojne nga prefenerencat per te mirat normale.

olssys said...

Per mua, artikulli eshte brilant. Per sa i perket ate cfare shkruhet ne artikull, ceshtja e "mbeturinave" eshte per nga rendesia, e katerta ose e pesta. Per mua problemet jane:

1. A na lejohet ne (si popull) te ushtrojme te drejten tone ne forme te drejteperdrejte per nje ceshtje? Pra a kemi ne te drejte te bejme referendum?

2. A kemi ne nje shtet ligjor? Pra KQZ a i tejkalon kompetenca kur na gjykon ne (si popull) qe te shprehemi? Nga e kane origjinen anetaret e KQZ, jane edhe ato pjese e jona (pra popullit) apo jane qenie siperane,qe ne (populli) i dukena bubrreca?

3. A ka te drejte qe nje Ambasador i cdo shteti qofte, qe vetem me "hijen" e tij te tremb nje institucion kushtetues si KQZ?

Mandej vijne te tjerat, b.f. a duhet te hyjne apo jo mbeturinat...

Ah, se harrova une jam PRO importit dhe perpunimit te mbeturinave, jam PRO zhvillimit te referendumit.

Anonymous said...

Anonimi nr. 1,

Neni i ligjit qe kerkohet te shfuqizohet lejon vetem importin e mbeturinave per riciklim. Romet po zihen neper kazanet e mbeturinave per te siguruar plastike, e cila shitet tek fabrikat e riciklimit. Pra kjo plastike konsiderohet mall qe ka nje cmim ne treg. Njesoj si plastika kerkohen kepucet e perdorura, veshjet e perdorura. Per ate qe i ka hedhur poshte keto nuk kane vlere, jane mbeturina, por per ne jane mall, qe kur importohet nuk demton askend.

Anonymous said...

Olssys,

Ke te drejte. Demokracia po gerryhet. Shkaku jane vete ekonomia e tregut dhe politikat liberale qe mundesojne shtresezimin ekstrem te popullsise ne te pasur-te varfer, dhe marrjen nen kontroll nga te paret te administrates, medias, tregut etj.

Ambasadori amerikan sado te beje propagande per demokracine, ne fakt duke qene mbrojtes i flakte i neoliberalizmit eshte indirekte mbeshtetes i gerryerjes se demokracise.

Populli, edhe sikur ti ofrohej mundesia e pakufizuar e referendumeve, duke e marre informacionin nga media e kontrolluar nga shtresa e pasur, ka nje te drejte vote formale. Te drejten e votes e kane ata qe kontrollojne informacionin (median).