Tuesday, July 17, 2012

Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit

Një argument që sillet shpesh për të shpjeguar pse nuk funksionojnë vende si Shqipëria, që jo rrallë përkufizohen si “failed state” (shtet i dështuar), është ai që, duke iu referuar krahasimit me përvojën e vendeve demokratike, sjell në vëmendje faktin se në këto vende është vendosur më së pari ai që në anglisht i thonë “the rule of law” (sundimi i ligjit) dhe pastaj është ndërtuar demokracia; kurse në vende si i yni, pas ’90-s është vendosur më së pari demokracia (në kuptimin formal të fjalës) dhe tani duam të vendosim “the rule of law” – me dështime spektakolare. Në mënyrë të veçantë ky argument i referohet procesit që u zhvillua në Britani pas Revolucionit të quajtur “të lavdishëm” të vitit 1688, i cili imponoi kalimin nga një sistem absolutist, ku Mbreti kontrollonte ligjin dhe drejtësinë në sistemin e sundimit të ligjit. Shkaku i këtij transformimi ishte pluralizmi i krijuar me daljen e shtresave borgjeze e të tregtarëve që nuk e pranuan më drejtësinë e sunduar nga Stuartët dhe kërkuan e fituan barazi përpara ligjit. Kësisoj, ligji reshti së qeni instrument i sundimit të palës në pushtet. Sipas Daron Acemoglu dhe James Robinson, autorë të librit “Why nations faile: The origins of Power. Prosperity, and Poverty” (Pse dështojnë kombet; origjinat e pushtetit, begatisë dhe varfërisë), vendosja e sundimit të ligjit krijoi kështu në Britani një “rreth virtuoz” “institucionesh përfshirëse” që e zhvilluan më tej demokracinë duke rritur gjithnjë e më shumë grupimet sociale që fituan të drejta të barabarta me të tjerët. Ndërkaq, gjithë sipas këtyre autorëve, ka mjaft vende të tjera ku elitat që kanë përmbysur një klasë që kontrollonte ligjin, kur kanë ardhur në pushtet kanë përsëritur paraardhësit duke shkaktuar rënien e këtyre vendeve në një “rreth vicioz” “institucionesh përjashtuese” pa krijuar dot as pluralizëm të vërtetë, as ekonomi tregu të lirë, por monopole politike dhe ekonomike me pasoja si për zhvillimin e demokracisë, ashtu dhe të ekonomisë. Sipas tyre, diferencat që vëmë re sot në vende të ndryshme të botës, si përsa i përket nivelit të demokracisë, edhe përsa i përket nivelit të begatisë apo varfërisë, burojnë nga ky ndryshim thelbësor.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se mund të vendosësh pluralizmin partiak, siç ndodhi në Shqipëri pas viteve ‘90, por, kur elitat përmbysëse nuk vendosin sundimin e ligjit, por sundimin e tyre, kjo nuk sjell as demokraci, as begati, sepse një pluralizëm i vërtetë ka si kusht të ekzistencës dhe zhvillimit të vet sundimin e ligjit që i trajton palët si të barabarta përpara tij. Për rrjedhojë, një pluralizëm që s’është në gjendje të vendosë sundimin e ligjit, degjeneron në regjim, çka do të thotë edhe varfërim për shumicën.

Kemi qenë dëshmitarë se si Partia Demokratike, që erdhi në pushtet më 1992-shin, nuk u soll ndryshe, në thelb, nga elita e mëparshme në raport me sundimin e ligjit. Ajo kërkoi të kontrollojë Drejtësinë dhe ligjin për interesat e veta. Të njëjtën gjë bëri edhe Partia Socialiste nga 1997-a deri më 2005-n dhe përsëri e njëjta gjë ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë me rikthimin e PD-së në pushet. Për rrjedhojë, kemi mbi njëzet vjet që jemi i vetmi vend të Europë që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, sepse ato i dhunon pala që, sipas radhës, është në pushtet. Pasojat në nivelin ekonomik janë po ashtu të dukshme; kemi një grusht të pasurish më një anë dhe një shumicë që jeton nën nivelin e varfërisë në anën tjetër.

Pyetja megjithatë shtrohet: si të bëjmë që nga kjo lloj gjendjeje, që kurrsesi nuk mund të quhet demokraci dhe as liri – kujtoj me këtë rast thënien e Lockut, sipas së cilës, nuk mund të jemi të lirë atje ku nuk ka ligje – të kalojmë në sundim të ligjit? A mjafton të ndërtojmë ligje që përputhen me standarde demokratike,   apo duhet edhe diçka më shumë, dhe çfarë do të ishte kjo diçka më shumë?

Nuk pretendoj t’i jap përgjigje shteruese kësaj pyetjeje që përfshin shumë çështje, por, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, ngulmoj se shoqëria shqiptare ka si problem kryesor ndarjen e thellë që ekziston midis fasadës së demokracisë formale më një  anë, dhe institucioneve informale që veprojnë prapa kësaj fasade (si ai i mikut, tarafit, klanit, ryshfetit, krimit, korrupsionit, mediave të kontrolluara prej tyre etj.), më anë tjetër – dhe se ka nevojë urgjente të reflektojë mbi këtë. E, në këtë reflektim, një gjë duhet ta kemi si “nord”: se kjo ndarje vjen nga mungesa e sundimit të ligjit, e cila, në rreth vicioz, e thellon këtë ndarje.

Një pyetje e rëndësishme që vlen të shtrohet në kontekstin e kërkimit të zgjidhjes është: a ia vlen të vazhdojmë të aprovojmë ligje që u përshtaten standardeve demokratike ndërkohë që këto nuk funksionojnë? A mos vallë duhet të kthehemi mbrapsht, në një sistem më autoritar – disa p.sh. kërkojnë një juntë ushtarake, disa, duke iu referuar përvojave të shek XIX në Britani, do të kërkonin që e drejta e votës të kufizohej vetëm në ata individë që paguajnë taksa dhe zbatojnë detyrimet – apo duhet të kërkojmë rrugët tona specifike? Sipas meje, është një pyetje që ka kundërthëniet e veta, por ngulmoj se nuk mund të kthehemi prapa dhe se prandaj reflektimi do të duhej të bëhej mbi atë se si të vendosim sundimin e ligjin në kushtet e vendosjes formalisht të demokracisë në vend.

***

Për ta ilustruar po marr një debat të fundit të këtyre ditëve: atë lidhur me draftin për heqjen e imuniteteve. Që deputetët të heqin dorë nga imuniteti nuk ka dyshim se formalisht është një hap demokratik, sepse nëpërmjet një akti të tillë çohet më tej parimi i madh i barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Ndonëse opozita duket se do ta votojë, kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve, ka argumente tejet të rëndësishme për ta kundërshtuar atë. Argumenti kryesor është se, në kushtet e mungesës së sundimit të ligjit, heqja e imunitetit mund ta dëmtojë edhe më rëndë demokracinë nëpërmjet (keq)përdorimit të këtij ligji nga maxhoranca. Pra, duke qenë se jemi në një vend ku nuk sundon ligji, por ku maxhoranca sundon nëpërmjet ligjit, procedurave, vendimeve të marra nga një drejtësi e kontrolluar prej saj, ky ligj mund të kthehet në bumerang për demokracinë.

Dikush me të drejtë mund të pyesë: po pse të kenë frikë deputetët opozitarë? Nëse një deputet merr një rrogë që është krahasimisht e lartë në raport me popullsinë, ka tërë ato lehtësira dhe respekton ligjin, siç duhet ta respektojë një deputet, ai s’ka pse trembet, pasi, gjithsesi, jetojmë në një vend dhe sistem ku asnjë gjyqtar, sado vegël e maxhorancës të jetë, nuk guxon të dënojë një të pafajshëm.

Nuk ka pikë dyshimi se një pjesë i tremben fatit të bizneseve që kanë krijuar sajë atij sistemi përfitimi me rrugë të paligjshme që është ngritur gjatë këtyre njëzet vjetëve në mungesë së sundimit të ligjit. Por, ama, kur drejtësia vepron në mënyrë selektive, dëmi i ndëshkimit selektiv të fajtorëve është më i madh se sa përfitimi që vjen nga dënimi i tyre, pasi, në këtë mënyrë, rritet ndjenja e padrejtësisë në vend, ashtu sikurse edhe servilizmi dhe nënshtrimi ndaj më të fortit. Por ka edhe argumente të tjera kundër heqjes së imunitetit: Imagjinoni një deputet, i cili është i ndershëm dhe e kryen me bindje detyrën e tij të denoncimit të akteve të korrupsionit, abuzimeve etj., etj. Kur më i forti ka nën kontroll ligjin e gjykatat, atij shumë lehtë mund t’i hapen procese civile që t’ia nxijnë jetën duke trembur njëherësh të tjerët. Këto argumente na bëjnë të kujtojmë se në parim imuniteti i deputetëve është vendosur për t’i mbrojtur ata në luftën që bëjnë për mbrojtjen e interesave të atyre që përfaqësojnë dhe të ngremë pyetjen: A jemi pjekur për t’ua hequr imunitetin ndërkohë që jetojmë në një vend ku nuk sundon ligji, por ku sundohet nëpërmjet ligjit? Fakti që deputetët e maxhorancës, shumica e të cilëve, sikur të sundonte ligji do ta shihnin veten të proceduar për korrupsion e krime të tjera, i gëzohen kaq shumë heqjes së imunitetit dhe akuzojnë opozitën se ka frikë, flet vetë për këtë. Në rastin më të mirë në realitetin shqiptar të mungesës së sundimit të ligjit, heqja e imunitetit do t’i shërbejë maxhorancës për ta shitur si sukses për fitimin e statusit, por duke e lënë të paprekur sistemin e pandëshkueshmërisë për kastën e deputetëve dhe gjyqtarëve.

Sidoqoftë, me gjithë kundërshtitë që ngre ky rast që mora për ilustrim, gjykoj se nuk duhet të kthehemi prapa, ngase kështu ndoshta do të ishte më keq akoma. Një kornizë më e gjerë e demokracisë formale, gjithsesi krijon më shumë hapësira për lirinë. Një qytetar, kur e di se i ka disa të drejta të garantuara me ligj, e ka më të lehtë t’i kërkojë ato, sesa kur ato nuk ekzistojnë. Por, pa harruar asnjëherë se ligjet e mira janë ata që hartohen nisur nga nevojat që lindin në vend, dhe jo kur këta i diktojnë ndërkombëtarët.

Në rastin e ligjit në fjalë, ndoshta më shumë se kurrë duhet menduar se si debati mbi të të ndikojë në ndërgjegjësimin e nevojës urgjente të kalimit tonë nga një vend ku sundohet nëpërmjet ligjit (dhe joligjit) në një vend të sundimit të ligjit. Sikurse e thashë edhe më sipër, nuk pretendoj të shtjelloj këtu gjithçka që duhet bërë për këtë. Nuk ka pikë dyshimi se aprovimi dhe pastaj njohja e ligjeve që i shkojnë sistemit demokratik, ashtu sikurse kultura e qytetarisë, morali sipas të cilit nuk duhet t’i bëjmë tjetrit atë që nuk duan të na e bëjnë neve, edukimi që në shkollat fillore me respektin ndaj ligjit, janë elemente të domosdoshme në këtë proces. Por nuk mund të mos vë në dukje, në vazhdën edhe të çfarë kam shkruar më parë, se një nga gjërat kryesore që na mungojnë për të vendosur sundimin e ligjit është ekzistenca e pluralizmit të vërtetë në Shqipëri. Sipas përvojës angleze që përmenda duke iu referuar librit “Pse dështojnë kombet…”, që u bë edhe inspirues i këtij shkrimi, me pluralizëm të vërtetë kam parasysh se, kur u bë Revolucioni i Lavdishëm i 1688-s në Britani, ata që bënë revolucionin ishin një klasë e re me interesa të vetat, për të cilat ishin të gatshëm të luftonin. Ata, të organizuar në partinë e Vigëve, kërkuan barazinë përpara ligjit, sundimin e ligjit dhe duke pasur mbështetje të gjerë, erdhën në pushtet. Ndërkaq, kur erdhën në pushtet, me shpirtin e tyre libertar, vigët refuzuan ta kontrollonin Drejtësinë me vetëdijen se pala tjetër (Torët) do të kërkonte revansh kur t’i vinte radha. Kjo solli vendosjen e sundimit të ligjit që, në “rreth virtuoz” “institucionesh përfshirëse” u hapi rrugën lëvizjeve të mëvonshme të grupeve të tjera sociale që kërkuan dhe fituan edhe ato barazinë përpara ligjit.

Po të aplikojmë këtë skemë në gjendjen aktuale të vendit tonë, do të thosha se ajo që mungon thellësisht në Shqipëri është një palë tjetër nga pala që sundon, e tillë që të imponojë sundimin e ligjit edhe në emër të mbrojtjes së interesave të shtresës që përfaqëson. Për shkak të “institucioneve përjashtuese” që ka krijuar “rrethi vicioz” i elitave që kur vijnë në pushtet sillen si paraardhësit, opozitat tona kanë ardhur duke u tkurrur në interesat e një grupi oligarkësh e militantësh që synojnë të marrin pushtetin për të bërë atë që kanë bërë paraardhësit me ligjin. Edhe ligjet e aprovuara me bekimin e opozitës para disa vjetësh, që dobësuan pavarësinë e institucionit të Presidentit e të Drejtësisë, ishin shprehje e këtij “rrethi vicioz” “përjashtues”; edhe vetë ligji zgjedhor që hartuan para disa ditësh ishte “institucion përjashtues” për partitë më të vogla dhe për vetë zgjedhësin. Kjo ka bërë, pra, që të mungojë një opozitë që të përfaqësojë interesat e të grabiturve nga oligarkia kriminale dhe militantët mercenarë. Duhet t’u shtojmë këtyre edhe faktin se mediat tona, në vend se roje të sundimit të ligjit, janë roje dhe nxitëse të interesave të këtyre palëve, si dhe se, në një treg kaq të vështirë për kompeticionin, këtyre u duhet të mbështeten edhe te krimi i organizuar. Kjo na ka çuar në një gjendje të tillë ku, siç tha edhe ambasadori danes Jansen në intervistën e dhënë në prag të largimit nga Shqipëria: ”Kultura kriminale korruptive ka arritur një masë kritike ku edhe armiqtë ndajnë të njëjtin interes që drejtësia të mos ushtrohet, sidomos për çështje të bujshme, nga frika e efektit domino”. Në këto kushte nuk mund të mos ngremë edhe ne pyetjen që ngriti ai: “A është e mundur që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së?” – çka në thelb do të thotë: A mund të vendosin këta sundimin e ligjit, çka është baza për të zhvilluar pastaj demokracinë?

Është vështirë t’i përgjigjesh pozitivisht kësaj pyetjeje. Intervista e danezit të lë pa frymë në vërtetësinë e saj, veçanërisht kur përshkruan lehtësisë me të cilën shqiptarët, deri edhe ata që e quajnë veten elitë, bashkëjetojnë me kriminelët dhe paligjshmërinë. Por, në emër të shpresës, mendoj se pjesërisht vetëdija e pjesë më të ndershme të klasës politike ekzistuese, pjesërisht të rinjtë që nuk kanë pse tremben kur kthejnë kokën prapa për t’u organizuar në emër të përfaqësimit e mbrojtjes së interesave të të grabiturve, dhe pjesërisht konteksti ku jetojmë do të duhet të ndikojnë të hidhet një hap i guximshëm në drejtim të vendosjes së sundimit të ligjit kundër sundimit nëpërmjet ligjit dhe joligjit. Përndryshe, duhet të jemi të sigurt që sipas “rrethit vicioz” të bërë tashmë traditë, herët ose vonë do të vijnë të tjerë që, gjithë duke përmbysur këtë klasë që kemi sot, do të bëjnë siç ka bërë ajo – d.m.th. siç kanë bërë fanolistët kur përmbysën zogistët, zogistët kur përmbysën fanolistët, enveristët kur i përmbysën të dyja palët, demokratët kur përmbysën enveristët, socialistët kur përmbysën demokratët dhe prapë demokratët kur përmbysën socialistët, gjithë duke përsëritur të njëjtën maskaradë, me pasoja dramatike për demokracinë dhe begatinë e vendit. (Panorama, 16 korrik 2013)

4 comments:

Anonymous said...

kuptoj mllefet tuaja po per hir te realitetit mundohu te mos heqesh paralelizma pozite-opozite.kriminelet rrine ne pushtet.dhe akoma me citjane biles sic ja u ka kerkuar tradita me e mire ne shekuj.

Rita said...

"A mund të vendosin këta sundimin e ligjit, çka është baza për të zhvilluar pastaj demokracinë?
"

Ligji dhe shteti jane zhvillime relativisht te reja ne historine 200,000 vjecare te homo sapiensit. Vetem 6,000 vjet ka qe ekzistojne.
Ka shoqeri demokratike pa shtet dhe ligj, fshatra te vegjel ku konfliktet zgjidhen nga keshilla ad hoc. Keshtu, mund te shtojme demokracine ne Shqiperi duke e pakesuar sferen e veprimit te ligjit, ose duke i kaluar sa me shume pushtet organeve vendore. Sot legjislacioni eshte fryre pa fund, rregullon dhe imtesite me te fundit, duke shtypur lirine, rrjedhimisht dhe demokracine. Psh. nje ndryshim qe mund te demokratizoje: vepra penale te vogla mund ti kalojne per gjykim organeve vendore, apo kompetenca te tjera aktualisht te centralizuara ne ministrira. Nje organ vendor ka shume me teper pergjegjesi morale perpara popullsise lokale se nje gjykates apo nepunes diku ne nje vend te larget.

Nje pengese per demokracine ne Shqiperi eshte faktori nderkombetar. Psh. qe te pakesohet shtresezimi i shoqerise, keshtu te forcohet demokracia, duhet ndryshuar sistemi tatimor. Por bizneset e huaja, direkte dhe nepermjet ambasadave, kane shume ndikim ne politiken tatimore dhe pengojne vendosjen e taksave jo te pelqyeshme per ta.

Faktori nderkombetar ka ndikim te madh ne demokracine shqiptare dhe nepermjet borxheve qe ka dhene. Keto duhen shlyer, Shqiperia nuk mund te beje politike qe rrezikon shlyerjen e borxheve, edhe kur kjo politike do te forconte demokracine ne vend.

Glen LLaçi said...

Sundimi nepermjet ligjit dhe "Shoqeria hilacake"!
Ne fakt per te shpjeguar nje lidhje hipotetike ndermjet shtetit JO ligjor dhe shoqerise hilacake do me duhet te zgjatem goxha duke iu referuar nje emision francez. Emisioni quhet "Le jeu de la morte" (loja e vdekjes). Ne fakt emisioni bazohet ne experimentin e famshem te viteve 60 ne SHBA "experimenti i Milgramit" ku experimentohej sjellja e rreth 40 personave te cilet perpara nje monitori duhet ti bejne nje kuic nje person X dhe ti dergoje ndeshkim nepermjet nje shoku elektrik ne rast pergjigje te gabuar(personi X ne fakt eshte nje aktor qe shtiret sikur shoku elektrik fiktiv i dhemb jashtzakonisht gati ne vdekje, por qe i eksperimentuari mendon se X vuan vertet) ky lloj eksperimenti qe u be ne vitet 60 per te shpjeguar krimet e luftes se II boterore dhe sjelljen e njerezve perball autoritetit ribehet nga disa studiues franceze ne 2009-en, por kesaj radhe per te pare autoritetin e mediave. eksperimenti francez behet ne nje studio televizive ku ka publik te vertete lojtare qe bejne pyetje prezantuesja qe "urdheron" lojtaret de dergojne shokun elektrik si dhe aktori i mbyllur ne nje dhomez ku shtiret sikur merr shok elektrik. Ne fakt cdo individi dhe publikut i thuhet se emisioni eshte thjesht nje prove teknike parapergatitore dhe shuma e lekeve qe fitohet eshte fiktive.
Dy gjera impresionuese ndodhin ne eksperiment. e para perqinda e larte prej 80% individesh binden dhe e cojne eksperiencen deri ne fund dmth i bejne te gjitha pyetjet dhe shoket elektrike dmth deri ne 400 volt(voltazhi rritet ne menyre progresive nga pyetja ne pyetje).
Dhe se dyti pjesa me e madhe e te eksperimentuarve kur ndodhen perballe prezantueses (autoritetit) qe i thote te vazhdoje lojen dhe thirrjeve te forta te aktorit qe vuan shokun fillojne te bejne "hile" dmth kur bejne pyetjen dhe japin 4 opsionet ndryshojne tonin e zerit ose theksojne me forte pergjigjen e sakte ne menyre qe aktori te kuptoj pergjigjen e duhur dhe ti shpetoje shokut elektrik.
Ne fakt mua kjo e dyta me terhoqi teper vemendien, sepse shoh nje ngjashmeri te tmerrshme me shoqerine tone.
Ne ne fakt historikish perball nje shteti autoritar dhe joligjor ose i jemi bindur qorrazi pushtetit ose i kemi bere hile, por asnje here nuk i kemi thene NDAL. ne kohen e tullonave benim hile neper radhet e qumshtit apo vajgurit per te mos thene per rekordin e spiuneve te zellshem e te pazellshem apo parakalimet e 1 majit ku per te qetesuar ndergjegjen disa shmangnin radhet e para apo duartrokisnim vetem kur afrohej ndonje antar partie. pas 90es kemi vjelliet masive me justifikim se po mos villnim ne do villte ai tjetri dhe po mos e villnim energjine elektrike do ngordhnim se ftohtit lere pastaj per korrupsionin mbarshoqeror qe prezanton ne menyre tipike psikologjine hilacake e pershtatjes ndaj rregullave te me te fortit. ndoshta per kete arsye pergjat diktatures hoxhistet i shfrytezonin dhe i urrenin ne neveri spiunet se shikonin tek ata nje gjysemimazh te amplifikuar te vehtvetes dmth njeriun autoritar por edhe hilaqak ne maksimum. Jo me kot ekziston vetem ne shqip ajo shprehja e famshme: U be ai te ma hedhi mua... Ja pse edhe autoritaro-hilacak Berishen kundershtuesit nuk e perballin drejt per drejt, por pothuajse gjithmone me manyra anesore apo ne te njejten menyre si vete Berisha.
Dhe se fundmi per ta lidhur disi hiptoezen apo delirin tim me shkrimin ne fjale mendoj se ne shoqerin tone te sunduar nepermjet ligjit apo autoritarizmit na mbetet vetem vetem ti bejme balle drejt per drejte dhe shmangia ndaj autoriteti nepermjet "hiles" nuk eshte gje tjeter veçe se nje iluzion vetngushellues, por qe nuk ndihmon aspak ne ndalimin e autoritetit perkundrzi prodhon mostra aunoritar dhe hilacak qe imponojne kete model ke vartesit dhe vartesit ne vazhdim deri sa krijohet nje rreth vicioz qe ne e shajme aq shume por dashje pa dashje jemi kontribues.

Glen LLaçi said...

http://www.youtube.com/watch?v=pau7aDYrxFw&feature=share