
Ka disa që thonë se Berisha tashmë e ka humbur
pusullën dhe po shkon në mënyrë irracionale drejt humnerës duke na marrë edhe
ne me vete, sepse nuk është në gjendje më as të shohë se sa afër është ajo dhe
as se sa e thellë është. Kur e dëgjoj të flasë me pasion për projektin e
hidrocentralizimit të Shqipërisë, më duket se është vërtet kështu, por kur
kërkoj t’i hyj pak më thellë diskursit të tij më rezulton se do të ishte e
keqja më e vogël sikur të kishim të bënim thjesht me lajthitjen e një shoferi,
i cili, edhe në kohën e kulmit të tij, s’ka ditur t’i japë drejtimin e duhur
makinës së këtij vendi (mjaft të kesh parasysh piramidat). Për fat të keq,
hidrocentralizimi i sotëm i vendit më rezulton se është pasojë zinxhir e një
sistemi të ngritur, sigurisht prej njerëzish të sëmurë nga etja e panginjëshme
për pushtet e për para e që s’dinë se ç’është përgjegjësia ndaj të tjerëve, por
ai nuk më rezulton kurrsesi vepër e një njeriu të vetëm, përkundrazi, është
modeli i marrëdhënies midis biznesit dhe pushtetit që kemi ngritur e që
kurrkush nuk po jep shenja dhe shpresa se kërkon ta ndryshojë.
Pra, sipas meje, Berisha nuk beson me gjithë mend se
hidrocentralizimi i gjithë vendit nëpërmjet mbjelljes së hidrocentraleve është
një hap përpara në rrugën e duhur i Shqipërisë. Shikoni foton që po i
bashkëngjis këtij shkrimi. E kam bërë në një nga gjiret më të bukur të Jugut
tonë, atë të Bunecit, para ndonjë viti. Kur e pashë për herë të parë, nuk po
isha në gjendje të kuptoja se çfarë qe ajo si digë e madhe që kishte betonizuar
e çimentizuar një pjesë të madhe të atij plazhi. Ishte pamje krejtësisht
absurde, sepse nuk dukej as si ndërtim pallati. Pastaj u informova dhe më thanë
se ai ishte një hidrocentral. Po po, një hidrocentral! Shikojeni me vëmendje
foton. Në mes të digës duket edhe kanali nëpërmjet të cilit derdhen ujërat e
hidrocentralit direkt në det.

E pra, sado i lajthitur të jetë Doktori, nuk mund të
mos e shohë se kjo është një katastrofë për ambientin, për turizmin, për
peizazhin, për të mos thënë një çmenduri e vërtetë. Të vjen turp që je shqiptar
kur ndodhesh përpara veprave të tilla në kohën kur jetojmë, pikërisht se s’mund
të thuash kurrsesi se janë produkt i një njeriu, por se shprehin një kolerë
masive. Madje, dikush për ta mbrojtur më tha se Berisha nuk mund të dijë çdo
gjë, se nuk ia ka marrë mendja kur e ka dhënë lejen. Jo, kjo s’është e vërtetë,
Doktori mori pjesë vetë në inaugurimin e këtij hidrocentrali dhe a e dini se
për çfarë foli midis të tjerash? Për vlerat e mëdha turistike të Shqipërisë dhe
për ato që po bënte qeveria për turizmin. Unë personalisht e interpretova këtë
si shprehje të ndjenjës së fajit që ndien Kryeministri kur sheh se çfarë po
bëhet në këtë vend jo thjesht nga ai, por nga modeli për të cilin fola më lart,
i të cilit edhe ai është sa autor, aq edhe instrument i bindur. Ka nga ata që e
urrejnë Doktorin, aq sa e zhveshin atë nga çdo lloj ndjenje estetike e pale më
njerëzore dhe ia veshin atij çdo të keqe. Por unë përsëri ngulmoj se vërtet ai
ka në zemër e në mendje vetëm parullën “çdo gjë për pushtetin”, e prandaj për
këtë mund t’i thurë sot himn turizmit dhe nesër shkatërruesve të tij më të
mëdhenj, por ama jo se nuk e ka vetëdijen e masakrës që po bëhet. M’u përforcua
kjo ide kur e pashë para ca ditësh që, teksa mbronte bunkerizmimin – më falni
hidrocentralizmimin e Shqipërisë – përmendi togfjalëshin “ekonomi e
qëndrueshme”. Për mua ai e përdori këtë, meqë nga nënvetëdija i trokiti ndjenja
e fajit, pasi e di shumë mirë se vetëm “e qëndrueshme” nuk është kjo që po
bëhet në këtë vend. T’i thuash e qëndrueshme kësaj ekonomie, është sikur të
thuash për një kalë që e kanë ngrënë ujqit dhe po ia hanë kërmën e mbetur
çakejtë se po kujdesen për ta ngritur atë në këmbë. Mirëpo, kjo ndjenjë faji i
zgjat Doktorit vetëm një çast, të cilin e kapërcen shpejt e shpejt me
demagogjinë e radhës. Kështu, në diskursin e fundit, na e përshkroi procesin e
hidrocentralizimit si atë të kërpudhave që dalin pas shiut: kur po fliste me ministrat
memecë të kabinetit të tij (a e keni vënë re që s’kemi parë një mbledhje të
kabinetit nga ato që japin mediat, ku të shohim të flasë qoftë edhe një
ministër?), tha se, ndërkohë që ai fliste, mund të kishte mbaruar së ndërtuari
edhe ndonjë hidrocentral tjetër. Pastaj na njoftoi se në shtator do të mbarojë
ai i Ashtës. E bukura është se këto hidrocentrale Doktori na i përshkruan me
një retorikë që të kujton fjalimet e Hoxhës, sepse duket sikur flet për
hidrocentralet që po ia ndërton partia popullit të vet për të kryer
elektrifikimin e plotë të vendit. Hidrocentrali i Ashtës, nga sa jam i
informuar, po ndërtohet nga një kompani private austriake – për turpin publik
të austriakëve sipas meje – e cila do të prodhojë energji që do ta shesë ku të
mundë me çmimet e tregut. Mund t’ua shesë edhe shqiptarëve, nëse ata do të kenë
lekë për ta blerë. Dhe kjo do të vazhdojë ndonja 25-30 vjet dhe pastaj
hidrocentrali do t’u mbetet shqiptarëve – kuptohet se në ç’gjendje. Pra, po të
kesh parasysh impaktin e tmerrshëm ambiental që ka një vepër e tillë, e vetmja
arsye pse austriakët nuk kanë zgjedhur ta bëjnë në vendin e tyre, por e bëjnë
në Shqipëri, është sepse atje nuk i lejon kush të bëjnë gjëra të tilla, kurse
këtu kanë gjetur një qeveri gangsterësh që jeton duke grabitur qytetarët e vet
dhe që e trajton pronën e përbashkët si ta ketë bahçen e vet. Fakti është që,
nga sa di, komunat përreth nuk janë pyetur, siç e kërkon ligji dhe konventat e
një shteti demokratik, nëse e duan apo jo këtë çimentifikim të derdhjes së bukur
të Drinit. Ndërkaq, përfitimi i vetëm që kanë pasur ato, ka qenë punësimi i
banorëve të tyre. Nuk e di se sa janë paguar, por ma merr mendja se maksimumi
ndonja 200-300 euro në muaj. Dhe nuk mund të mos ngresh pyetjen: po a nuk do të
kishte qenë më mirë që këta të punonin tokën e tyre dhe jo të çimentifikonin
peizazhin përreth tyre. Ose ose, në mungesë të kësaj mundësie, a nuk do të
kishte qenë më mirë që këta të punonin si emigrantë jashtë shtetit, ku marrin
edhe më shumë dhe territori e peizazhi t’u mbetej i pastër e i bukur fëmijëve
të tyre dhe gjithë Shqipërisë, sesa të kthehen në emigrantë në vendin e tyre
për një çapë bukë? Është i njëjti arsyetim që kam bërë për fabrikat e çimentove
që janë edhe ato bash e kundërta e zhvillimit të qëndrueshëm sepse, me të
mbaruar ndërtimi i veprës, ata njerëz do të mbeten shumica edhe pa punë, edhe
pa mundësitë natyrore e peizazhore që u ofronte terreni i tyre, edhe me ndotjet
e paevitueshme që prodhojnë vepra të tilla.
Por do të thoni ju: a nuk i di Doktori këto? Për mua,
ngulmoj, kjo që po ndodh nuk duhet parë thjesht si lajthitje e Doktorit. Kush
mendon se me ikjen e doktorit do të mbarojë kjo masakër, ose gabohet, ose
kërkon të na mashtrojë. Kjo që po ndodh me ekonominë tonë, është rezultati
thuajse i pashmangshëm i një modeli biznes-politikë bazuar në shfrytëzimin
maksimal dhe pa asnjë vizion të burimeve të vendit nga një lukuni njerëzish që
kanë njëzet vjet që kafshojnë ku të munden e si të munden këtë vend vetëm për
të ushqyer vetveten. Periudha e socialistëve në pushtet ishte ajo kur shteti u
kap kryesisht nga ata që zotëronin industrinë më të madhe përfituese për
momentin: ndërtimi. Ishte kjo kryesisht që prodhoi para për shtetin, për
korrupsionin e politikanëve dhe punë për bukën e gojës së njerëzve të thjeshtë.
Burimet ekonomike të saj ishin kryesisht paratë e emigrantëve që kërkonin
ndonjë shtëpi, si dhe pastrimi i parave të pista të trafiqeve dhe korrupsionit.
Tashmë dihet se çfarë dëmi ka shkaktuar kjo industri në kuptimin e asaj që
quhet cilësi jete e qytetarëve, por dihet se ka disa vjet që kjo industri është
në krizë, ashtu sikurse edhe paratë e emigrantëve. Kjo e ka shtyrë Doktorin dhe
të tijtë të kërkojnë rrugë alternative në emër të mbijetesës së tyre politike
dhe përfitimeve të shpejta e maksimale për xhepat e tyre. E duke qenë se
industria e ndërtimit pjesërisht ishte gati me makineritë e saj, ajo ka kaluar
kryesisht në rrugë dhe hidrocentrale. Sigurisht copat më të majme i kanë
biznesmenët e lidhur me PD-në. Për rrugët merren para borxh duke na e rritur
këtë nuk dihet se sa, sepse s’kemi asnjë të dhënë të besueshme. Për
hidrocentralet kërkohen paratë e të huajve të cilët, përveç parave, të
sigurojnë edhe mbështetje politike nëpërmjet ambasadave dhe ambasadorëve.
A ka nevojë Shqipëria për energji? Mendoj se po – duke
parë se sa kemi vuajtur këta njëzet vjet. Por projekti i hidrocentralizimit nuk
synon absolutisht këtë. Po të ishte kështu, qeveria do të duhej të na paraqiste
me shifra bindëse se sa janë nevojat e shqiptarëve – duke mos harruar se një e
treta janë jashtë shtetit – dhe të zgjidhte projektin më efikas për plotësimin
e mungesave ku, sipas meje, nëse turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm do të
ishte prioritar, sikurse nuk mungon të thotë Doktori, atëherë pa dyshim që do
të preferohej ndërtimi sa për të plotësuar nevojat e vendit dhe madje, blerja
nga jashtë përpara ndërtimit të hidrocentraleve në plazhet më të bukura të
vendit.
Në fakt, me projektin e hidrocentralizimit po ndodh e
njëjta gjë ashtu si me industrinë e ndërtimit të banesave, apo ashtu si me
ndërtimin e karburanteve absurde që kanë zaptuar territore pa fund jo për shkak
të nevojave, por për shkak të përfitimit të atypëratyshëm të individëve të
papërgjegjshëm dhe të babëzitur e njëherësh të paaftë për të ndërtuar një
ekonomi vërtet të qëndrueshme. Pra, thjesht jepen leje ndërtimi hidrocentralesh
si dikur jepeshin leje ndërtimi pallatesh, mundësisht me sa më shumë kate, për
të marrë para nën dorë ndërkohë që, sipas specialistëve, studimi i eficiencës
tregon se prurjet e lumenjve, ashtu sikurse edhe tregu, s’mund ta ushqejnë dot
kurrsesi këtë oreks. Shumë hidrocentrale, po qe se do të ndërtohen, do të
mbeten gërmadha shkatërruese të ambientit, ashtu siç kanë mbetur e do të mbeten
shumë ndërtime. Mirëpo Doktori dhe të tijtë nuk duan t’ia dinë. Më mirë një
vezë sot se pula nesër mund të ngordhë, thonë ata. Pastaj po afrohen edhe
zgjedhjet që s’të lënë as të mendosh për projekte afatgjata. Kundërshtari ka
punuar sipas parullës “një pallat, një votë”; kjo sot nuk funksionon, atëherë o
burra të kalojmë në parullën “një hidrocentral, një votë”.
A ka ndonjë mënyrë për ta ndaluar këtë katrahurë?
Përshtypja ime është se pas njëzet vjetësh është rritur mjaft vetëdija se kjo
ka qenë një rrugë e gabuar zhvillimi, por fatkeqësisht së bashku me të është
rritur edhe ndjenja e pafuqisë për ta ndryshuar gjendjen, pasi i sëmuri duket i
pashpresë, prandaj dhe Doktori na jep morfinë. Në këto kushte, përfundimisht
Doktori dhe ata që e rrethojnë, duhen konsideruar si të paaftë për të ndërtuar
një ekonomi të qëndrueshme e duhet të ndërrohen, por, fatkeqësisht, nuk shoh që
opozita, si ajo e vjetra edhe kjo e reja që po lind, atje ku ka pushtet apo
influencë (si në Durrës apo Korçë p.sh.) të punojë me një tjetër model
marrëdhëniesh biznes-politikë dhe me tjetër kategori njerëzish nga ata me të
cilët po punon Doktori. Prandaj dhe zgjidhjet e opozitës së vjetër përqendrohen
te doktori i gabuar dhe jo te analiza e thellë dhe e vërtetë e sëmundjes, kurse
të kësaj së resë tek propozimi i ndoca kurave sharlataneske – ku që të dyja
s’më duken tjetër gjë, veçse variante morfine doktorësh të gabuar. Le të
shpresojmë megjithatë, “Zoti bën çudira” thonë disa – megjithëse unë
fatkeqësisht s’besoj te kjo. (Panorama 27 gusht
2012)
2 comments:
Nje ekonomist i degjuar ambjentalist, Herman Daly, e shikon problemin e zhvillimit te paqendrueshem (ne rastin e artikullit tuaj, ndertimi pa kriter i hidrocentraleve) tek natyra e kapitalizmit ku ndermarrjet punojne per fitim. Sipas tij fitimi duhet hequr nga bilanci dhe nga objektivat; ndaj shfrytezimit te burimeve natyrore dhe ndaj emetimit te ndohtjes duhen vendosur kuota; norma e rezerves bankare duhet bere 100%, pra bankat nuk duhet te japin kredi nga depozitat, sepse me kredidhenien masive po shkaktojne demtim te madh te ambjentit duke nxitur rritjen ekonomike me cdo kusht. Pra problemi i zhvillimit te qendrueshem eshte jo vetem shqiptar por tipik per gjithe sistemet perendimore.
Zoti Lubonja,
Une nuk jam ndjekes i rregullt i shkrimeve tuaja por kam pare nje pjese te mire te paraqitjeve tuaja publike (opinion) dhe gjithashtu kam lexuar me kenaqesi disa nga shkrimet tuaja ketu kryesisht lidhur me ceshtje teknike si ajo e djegies se pleherave nga italia dhe kjo e fundit me hidrocentralet.
Nuk me intereson me shume ana politike te ciles ju keni pasion ti meshoni ne pothuajse cdo paragraf por ana teknike e gjerave.
Ne kete shkrim ka shume fjali qe ju i lini evazive dhe nuk jane aspak te mbeshtetura nga ana teknike. Fjali si psh "impakti i tmerrshem ambiental", "germadha shkaterruese te ambientit" etj
Eshte e tepruar te shkosh njehere ne plazh te bunecit dhe nga nje frustrim i shkaktuar njehere nga pamja (vertet jo e kendshme) e nje hidrocentrali te zberthesh dhe hedhesh poshte ideologjine e investimeve ne kete fushe. Hidrocentralet jane nje burim i shkelqyer energjitik per vendin, mos harroni se ne akoma bazohemi ne to per energjine qe konsumojme, akoma hec-i i fierzes mban shqiperine me energji dhe me nje kosto minimale. Pra eshte nje burim fantastik energjie me kosto shume te uleta dhe me pothuajse asnje ndotje, ndryshe nga termocentralet te cilet europa i perdor shume me shume se ne sepse nuk ka burimet hidrike qe kemi ne (bashke me ndonje central berthamor por ketu nuk eshte fjala per to).
Une nuk jam ne brendesi te menyrave se si tenderohen keto investime apo si analizohen nga ana e fizibilitetit (konkretisht ne shqiperi) por perpara se te uleni dhe te shkruani per hidrocentralet mire eshte qe te konsultoheni me 1-2 inxhiniere te cilet jane te informuar ne lidhje me keto vepra. Ne kete menyre do te jeni shume here me bindes me argumentat tuaj. E dime frustracionin qe ju shkakton juve dhe neve doktori, por kjo eshte nje bajatllek qe tani nuk ngacmon me njeri.
Eshte mire qe ju kundershtoni establishmentin sepse nuk po i ben punet sic duhet ndoshta, dhe per kete mund te shkruhet me miliona fjale, por te argumentosh nga ana teknike, qofte taknologjine apo pershtatjen e saj me ambientin eshte nje risi qe shume pak veta e bejne ne artikujt e tyre.
Post a Comment