Kur Parlamenti Evropian aprovoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen në vitin 2010, në Tiranë kjo u festua si rrallë ndonjëherë. Dekori kryesor i festës u vendos në sheshin qëndror "Skënderbej", dëshmitar i ngjarjeve më të mëdha në historinë e vendit. Kolonat e rënda të fasadës së Pallatit të Kulturës gurin themeltar të të cilit e ka vendosur Hrushovi në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist, u mbuluan me pankarta gjigante. Ngjyra e tyre ishte në blunë e flamurit evropian që jo rastësisht përkon me ngjyrën e flamurit të Partisë Demokratike në pushtet, themeluar më 1990 si kurorëzim i protestave studentore që, mes tjerash, lëshuan edhe thirrjen: "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Në pankartën e madhe në qendër të fasadës, krahas yjeve të verdhë të Bashkimit Evropian ishte disenjuar shqiponja e zezë e flamurit shqiptar, flamuri i SHBA, aleati i madh, si dhe shkruhej me gërma të mëdha të bardha: “Pa viza në Evropë”. Nëpër flamujt e tjerë, që mbulonin krej fasadën gjigante të Pallatit, shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Evropës dhe kohët e fluturimit përdrejt tyre duke transmetuar idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Madrid, Athinë, Zyrih e me radhë. Në të gjithë vendin u hodhën fishekzjarre, u mbajtën koncerte që shoqëronin fjalime të zjarrta politike. Kryeministri Berisha e quajti ngjarjen më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut - heroi kombëtar që, në mitologjinë nacionaliste shqiptare, të ripërpunuar në kohën e nacional-komunizmit të Enver Hoxhës sipas një konceptimi teleologjik dhe një qasjeje thellësisht esencialiste përsa i përket identitetit kombëtar, luftoi me osmanët në Shek XV për çlirimin e atdheut e që, pas rënies së komunizmit është ri-ripërpunuar edhe si hero i besimit se shqiptarët always already (ngaherë e tashmë) kanë qenë/janë evropianë, kurse pesëqind vjet pjesë e Perandorisë Osmane apo 50 vjet komunizëm kanë qenë thjesht aksidente në historinë e tyre.Shqipëria e madhe evropianeKy mitizim i Evropës, i filluar nga levizja nacional romantike në kapërcyell të shekujve XIX - XX, kur Shqipëria u bë shtet i pavarur (1912-1913), me ndihmën veçanërisht të Austro Hungarisëe dhe Italisë, i ndërprerë për gjatë gjysëm shekulli nga diktatura nacional - komuniste, dhe i rivitalizuar pas viteve 90, është shoqëruar gjatë këtyre njëzet vjetëve postkomunizëm edhe me një aspiratë tjetër që shqiptarët e formulojnë me shprehjen: "zgjidhja e çështjes kombëtare". Me këtë ata kuptojnë pavarësimin e Kosovës në kuadër të dizintegrimit të Jugosllavisë dhe bashkimin e saj në shtetin mëmë të cilit do t'i bashkohet edhe një pjesë e FYROM-it (Maqedonisë), ajo perëndimore, banuar kryesisht me shqiptarë. Ndonëse elitat në pushtet e shprehin me doreza këtë aspiratë dhe, veçanërisht në deklarimet për ndërkombëtarët, flasin për respektim të kufijve, brenda përbrenda hapësirave shqiptare bashkimi konsiderohet si hap i mëtejshëm i paevitueshëm i historisë së tyre që ata vazhdojnë ta konceptojnë si një rrugë metafizikisht të determinuar.Në Shqipëri dhe Kosovë refuzohet të përdoret fjala kombësi ("nationality" në anglisht) për të shprehur përkatësinë në shtetin komb shqiptar, maqedonas, apo atë kosovar që sapo ka nisur si projekt. Në vend të saj përdoret fjala shtetësi (citizenship) ndërkohë që kombësi përdoret për të gjithë shqiptarët në rajon, për të treguar përkatësinë etnolinguistike, gjakun, që, sipas tyre, ka qenë dhe është po ai qysh në kohën e ilirëve dhe është më i rëndësishëm sesa shtetësia. Në Kosovë, por edhe në Shqipëri, janë të pakët ata që besojnë në projektin që simbolizon flamuri me gjashtë yje i Kosovës sipas të cilit kjo mund të bëhet një shtet - komb multietnik që do t'i bënte serbët dhe etnintë e tjera që banojnë atje, krahas maxhorancës shqiptare, të vetëquheshin kosovarë përsa i përket kombësisë (nacionality). Mbi 80 % e shqiptarëve të Kosovës përgjigjen ne çdo survey se janë pro Shqipërisë etnike. Sipas sondazheve të Gallupit (2010) janë mbi 60% shqiptarët e Shqipërisë që mbështesin idenë e kësaj Shqipërie, ku një pjesë nuk hezitojnë të fusin edhe pretendimin për Çamërinë, rajon i Epirit në Greqi i banuar deri në Luftën e Dytë kryesisht nga shqiptarë të cilët pësuan një spastrim etnik nga grekët pasi u akuzuan si bashkëpunëtorë me gjermanët.Paradoksalisht, projekti i integrimit të shqiptarëve në BE-në e krijuar pikërisht si pasojë e tragjedisë së shkaktuar nga projektet nacionaliste evropiane dhe projekti nacionalist i "Zgjidhjes së çështjes kombëtare" nuk trajtohen në diskursin dominant brendashqiptar si në kontradiktë me njëri tjetrin. Përkundrazi këta trajtohen si dy projekte që, ndonëse për një kohë mund të ecin paralelisht, tek e fundit do të konvergojnë. Sipas zgjidhjes më të reklamuar të këtij diskursi futja në bashkimin Evropian do t'i bëjë të panevojshëm kufijtë dhe atëhere shqiptarët në të tre shtetet ku jetojnë do të mund të bashkojnë interesat e tyre në atë që disa ideologë të bashkimit e quajnë "Shqipëria natyrore" - duke evituar të përdorin termin "Shqipëria e madhe" për shkak të konotacionit negativ që ka ky term në Ballkan. Po ashtu në këtë diskurs bëhen pak përpjekje për ta trajtuar integrimin në Evropë të shqiptarëve si përpjekje për ndërtimin në Ballkan të një kulture postnacionaliste në frymën e kulturës që u zhvillua në Evropën e pas Luftës së Dytë midis vendeve ndërluftuese. Ai më shumë e trajton atë si një lidhje me Evropën mike, ndërkohë që me fqinjët armiq historikë, serbët, maqedonasit, malazezët, apo me grekët duket sikur do të vazhdohet të jetohet me ndjenjat e vjetra të armiqësisë dhe mosbesimit.Me shpatë në dorëMbështetja që ka dhënë shumica e shteteve evropiane për çlirimin e Kosovës më 1999 si dhe për njohjen pavarësisë së saj, e lehtëson jo pak këtë diskurs. Por ambiguiteti i tij i ka rrënjët edhe në të kaluarën e trashëguar, ashtu sikurse edhe me kontekstin gjeopolitikë në rajon e më gjerë. Le të mos harrojmë se edhe nacional - komunizmi. ideologjia e sundimit të Enver Hoxhës, bashkoi glorifikimin nacionalist të historisë së shqiptarëve që e "kanë çarë rrugë e historisë me shpatë në dorë" me Shqipërinë si "kështjellë e vetme e marksizëm leninizmit në Evropë" në një sinkretizëm ideologjish teorikisht kontradiktore. Sot në një farë kuptimi mund të thuhet se elita e sotme politike, trashëguese e të njëjtave metoda të menduari, gjithë duke ruajtur degën nacionaliste të asaj ideologjie, e ka zëvendësuar atë komuniste me mitizimin e evropianizimit, duke ndërtuar si ideologji pushteti nacional - evropianizmin, ku ndërsa nacionalizmi shihet si themeli i patundshëm i sigurt identitetdhënës, evropianizmi si idelogjia që përcakton "të ardhmen e ndritur" për kombin shqiptar.Por nuk është vetëm bota shqipare që punon sipas kësaj ideologjie binare. Ku më shumë e ku më pak edhe të gjitha vendet e Ballkanit funksionojnë po kështu. Po ashtu rritja e lëvizjeve nacionaliste kudo në Evropën e pasur si pasojë e globalizmit, rrezikut të emigracionit si dhe krizës së fundit ekonomike e lehtësojnë jo pak ambiguitetin e këtij diskursi nacional evropianist në Ballkan. Për Shqipërinë mund të theksohet si më i veçantë fakti se, për shkak të së kaluarës që e mbajti të izoluar nga Perëndimi dhe Lindja deri në 1990, vuan më shumë nga mpirja e mendimi kritik dhe, për pasojë edhe nga mungesa thuajse e plotë e problematizimit të diskursit nacional - evropianist.Ndërkaq, gjatë këtyre njëzet vjetëve realiteti social ekonmik si në Shqipëri edhe në Kosovë po ndeshet me jo pak probleme të akumuluara që e bëjnë shoqërinë të jetojë një lloj skicofrenie midis realitetit tejet të vështirë social ekonomik dhe premtimeve të diskursit nacional - evropianist.Takimi më globalizimin e ka kthyer vendin gjithnjë e më shumë në një hapësirë ekonomike të hapur për investime e që, në kushtet e varfërisë dhe prapambetjes, po përkthehet në shtitblerje të vendit nga kapitali i huaj.Klasa e korruptuar politike në pushtet e ka kthyer politikën gjithnjë e më shumë në menaxhim të bizneseve të veta duke bërë që efektet e kapitalizmit dhe globalizmit të rëndohen edhe më.Ekonomia informale - për të mos thënë kriminale - që filloi të zhvillohet pas rënies së komunizmit, edhe si pasojë e paaftësisë së vendit të rrënuar ekonomikisht për të përballuar kompeticionin në tregun e lirë global, ka kapur gjithnjë e më shumë krejt strukturat e shtetit.Në këto kushte ka vazhduar ikja e njerëzve jashtë vendit në emigrim për të mbijetuar. Shqipëria 3-4 milion banorëshe ka thuajse 1 milion banorë të saj jashtë kurse Kosova ka një shifër rreth gjysëm milioni që është edhe kjo një e katërta e popullsisë së saj.Projekti i integrimit evropian i cili veç të tjerash, edhe nëpërmjet prezencës aktive perëndimore, i ka mshuar vazhdimisht, përveç arritjes së standarteve demokratike edhe kapërcimit të urrejtjeve të vjetra nacionale në rajon, dialogut, multikulturalizmit ka qenë themelor për të ruajtur deri më sot ekuilibrin në këtë skicofreni, për të mos lejuar që pushteti të kalojë në rrjedha ekstremiste ku më të mundëshmet janë ato nacionaliste autoritare. Ndonëse, sikurse thashë më lart, shumica e shqiptarëve në Kosovë gjakojnë Shqipërinë etnike janë të pakët ata që duken të gatshëm të bëjnë luftë për këtë: shumica e mendojnë se kjo do të bëhet me aprovimin e Evropës apo të SHBA-ve. Po ashtu, kur bëhet fjalë për vështirësitë e mëdha social ekonomike apo për krimin e organizuar apo standartet e ulta demokratike, këto, në diskursin dominanat, nuk artikulohen si probleme që kërkojnë riformulime radikale. Ato më së shumti konsiderohen si vështirësi të tranzicionit drejt Evropës dhe për kapërcimin e tyre ngulmohet në reformat që do të ndërtonin shtetin e së drejtës sipas modelit evropian. Po ashtu thuajse askush nuk guxon të verë në diskutim mitin e tregut apo mitin e rritjes me të cilët identifikohet Perëndimi.Ha shqipMitizizmi me frymën e së kaluarës i integrimit evropian më një anë dhe rëndësia pragmatiste që që ka ky mit për ekuilibrat në rajon janë shkaqet më të rëndësishme se pse në diskursin dominant shqiptar flitet aq pak, për të mos thënë asfare, për krizën që po kalon sot Evropa, veçanërisht në termat e rrezikut që paraqet kjo krizë për shpërbërjen e projektit të Bashkimit Evropian. Këtë heshtje e ndihmon edhe fakti se Shqipëria, përsa i përket gjendjes ekonomike, mbijeton në një stad varfërie me një ekonomi tejet informale çka ndikon që ajo të mos ketë sensorët e duhur për ta matur krizën ekonomike në vend. Qeveria, duke manipuluar edhe me shifrat e rritjes, ashtu si deri vonë qeveria Greke, spekulon duke thënë se vendi nuk po njeh krizën që po njohin vendet e tjera evropiane.Kush ndjek politikën shqiptare do të shohë se, njëlloj si në vitet 90, ndeshja më e madhe midis maxhorancës dhe opozitës është e përqendruar mbi akuzat dhe kundërakuzat se kush është fajtori që Shqipëria nuk po arrin standartet evropiane që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, se pse nuk po merr dot statusin e vendit kandidat ashtu si fqinjët.Megjithatë, përtej këtij diskursi që dominon mediat, nuk mund të mos konstatosh se pasiguria e së ardhmes dhe frika e një kolapsi janë përhapur jo pak në vend sëbashku me pakënaqësinë në rritje ndaj kastës të ashtuquajtur reformatore në pushtet, të mbështetur nga Perëndimi, duke bërë që retorika e saj evropianiste të tingëllojë gjithnjë e më shumë si një demagogji. Edhepse ende në minorance, janë shtuar zërat që, duke parashikuar mossuksesin e projektit të integrimit në Evropë, qoftë në formën e dështimit të tij në tërësi përfshi dhe vdekjen e Euros, qoftë në formën e refuzimit të shqiptarëve për një kohë të gjatë, nuk e shohin fatin e shqiptarëve të lidhur ekskluzivisht me integrimin evropian dhe tentojnë ta prishin ekuilibrin e deritanishëm të diskursit nacional - evropianist. Zërat më të fuqishëm vijnë nga Lëvizja Vetvendosja e Kosovës e cila ka 16% konsensus në zgjedhjet e fundit në Kosovë me një rrezatim edhe tek të rinjë e Shqipërisë. Të rinjët e Vetvendosjes, që kanë organizuar edhe aksione me parrullën "ha shqip" duke prishur ushqime të sjella nga Serbia, ndoshta pa e ditur se një parrullë të ngjashme e ka përdorur Musolini, shprehen hapur kundër efekteve të globalizimit si dhe kundër kastët së korruptuar në pushtet, të cilës i bashkojnë edhe protektorët ndërkombëtarëve të cilët i akuzojën se, në funksion të interesave të kapitalit që përfaqësojnë, kanë një aleancë me klasën politike në pushtet si dhe me atë serbe. Ata kanë lështuar projektin e mbrojtjes së interesave kombëtare nëpërmjet bashkimit kombëtar të cilit i japin përparësi ndaj Bashkimit Evropian. Ndërkaq në Shqipëri ka lindur partia Aleanca Kuq e Zi e cila ka si qëllim final të vetin bashkimin e të gjithë shqiptarëve nën flamurin kuq e zi të Shqipërisë. Me aksionet e saj ajo nxit urrejtje nacionale, duke folur për rrezikun grek, apo duke sulmuar martesat e shqiptarëve me sllavë në FYROM (Maqedoni), dhe në programin e saj imediat ekonomik ka bashkimin e ekonomisë shqiptare me atë të Kosovës duke hequr të gjitha barrierat doganore si ato që ekzistojme me Greqinë apo shtetet e tjera fqinje.Nuk mungojnë zërat se prapa këtyre lëvizjeve qëndrojnë edhe financime nga Turqia erdoganiste e cila, e frustruar nga mospranimi i gjatë në Bashkimin Evropian, po kërkon gjithnjë e më shumë të krijojë hapesirat e veta gjeopolitike veçanërisht në ato vende të ish perendorisë Osmane ku mbizotëron popullsia muslimane, si Shqipëria e Kosova apo Bosnja. Ky projekt synon të fitojë brenda përbrenda vendit edhe mbështetjen e pjesës muslimane të popoullsitë që gjatë njëqind vjetëve të dominimit të projektit laik nacional - evropianist pastaj nacional - komunist dhe përsëri nacional - evropianist (që në dekadën e fundit, veçanërisht pas 11 Shgtatorit jo rrallë merr edhe tipare nacional - kristiane) është ndjerë e frustruar për shkak të demonizimit orientalist që i është bërë fesë së saj islame dhe më në përgjithësi trashëgimisë së saj të lidhur me Turqinë.Ajo që mungon krejtësisht në vend si përgjigje e krizës, qoftë edhe në nivelin embrional, është një lëvizje si ajo Syriza në Greqinë - e majtë përsa i përket qasjes ndaj efekteve të krizës dhe shkaqeve që e kanë prodhuar atë dhe antinacionaliste njëherësh. Shkaqet e kësaj mungese janë kryesisht pesha e rëndë e ideologjisë komuniste të së kaluarës më një anë dhe përqafimi me frymën e asaj të kaluare i neoliberimit dhe globalizmit më anë tjetër.Si përfundim,Duke patur parasysh kontekstin që skicova deri këtu një dështim i projektit të bashkimit Evropian - dalja e Greqisë nga zona euro do të ishte sinjali dramatik i këtij dështimi - do ta gjente rajonin, veçanërisht hapësirat shqiptare, me një humbje shikimi përsa i përket drejtimit të ecjes, duke krijuar një pasiguri të jashtëzakonshme. Në kërkim të sigurisë gjasat më të mëdha janë që vendet e Ballkanit t'i bashkojnë degës nacionaliste të diskursit nacional - evropianist të elitës reformatore në pushtet një komponente tjetër në vend të evropianizmit e cila do të kërkohet duke rivitalizuar aleancat e vjetra si dhe ato me bazë fetare. Është e vështirë të parashikosh se sa larg mund të shkonte një kthim i tillë prapa në kontekstin e ri të krijuar pas luftrave që përgjakën vendet e ish Jugosllavisë dhe pas lidhjes së interesave ekonomike midis vendeve të rajonit që kanë krijuar investimet e shumta veçanërisht nga Evropa. Megjithatë, një Evropë e shteteve nacionale që braktisin projektin Evropian do ta shikonte vetveten në pasqyrë në pamjen saj më karikatureske, por edhe më dramatike, pikërisht në Ballkan. (Panorama, 19 dhjetor 2012)* Ky shkrim është botuar në nëntor në gjuhën angleze me titullin “The Eurozone Crisis and Tirana” (Kriza e Eurozonës dhe Tirana) në revistën “Aspen Review” një periodik i Aspen Institute, Pragë.
Thursday, December 20, 2012
Shqiptarët dhe nacional - evropianizmi
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
2 comments:
Ka ndonje link per artikullin ne anglisht?
Kam dy mospajtime me kete shkrim.
1. Iniciativa 'Blej Shqip' apo sic e quan z.Lubonja ha shqip nga Levizja Vetevendosje ka per qellim sensibilizim e popullates per te blere produkte vendore per ta ndihmuar ekonomine vendore si dhe per ta vetedisuar popullaten se me keto para qe ne po i shpenzojme per ti konsumuar produktet serbe ata po na luftojne. Ndoshta edhe Musolini ka pas nje iniciative te tille e qe per fat te keq z.Lubonja po tenton te jep ne konatacion negativ me lidhjen e ktyre iniciativave mirpo une jam deshmitare qe edhe ne vendin time te adaptuar ne perendim keto iniciatva egzisitojne dhe kan qene shume te intesifikuara gjate kohes se recesionit. Pra mendoj qe iniciativa 'Blej Shqip' edhe shume me e peraferte me keto iniciativate evropiane se sa ato te diktatoreve, medoj qe kjo qe shkruani ju z.Lubonja edhe kunder produktive dhe jo reale.
2. Financimi i LVV nga Erdogani, une si nje aktivist ka qe 3 vite qe paguaj antarsine ne menyre vullnetare kurre nuk kam ndegjuar se kjo levizje po financohen nga Turqia, pra pyetja eshe shume s thjeshte, A ke ti fakte per kete? Mendoj qe eshte nje genjeshter e pastert sa i perket kesoj dhe gjithashtu sa i perket projektit Turk per remekembjen e saj ne Ballkan ata nuk kan nevoj per LVV apo AK ata i kane te "medhenjt" per kete, vetem shiqojeni sa kompani turke operojne ne Kosove prej qe ka ardhur Thaci ne pushtet, medoj qe ia keni fut kot, dhe demantoj o fakte o kerkim falje.
Cdo t'mire
Post a Comment