Friday, March 29, 2013

Pa rrip sigurie

Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumë shqiptarë që ngasin makinën apo ulen në sediljen e parë të pasagjerit, veçanërisht meshkujt, refuzojnë ta venë rripin e sigurisë; u duket si zhburrërim, si përtesë, si mungesë lirie a ku di unë. Shumë syresh, madje, për të evituar atë sinjalin "pi - pi - pi...", që bëjnë makinat e reja, e kalojnë rripin mbrapa sediljes, e fusin pastaj tek ajo kllapa dhe rrinë rehat për shtatë palë qejfe.
Megjithatë unë kam bindjen se shumica  e këtyre shqiptarëve nuk do ta blenin një makinë që nuk ka rripa sigurie sepse do t’u dukej e vjetër, e dalë mode, jo evropiane, jo në përputhje me statusin që kërkojnë të kenë etj..
Ky raport që kemi me makinat e reja dhe rripat e tyre të sigurisë më duket një metaforë e mirë për të shprehur raportin tonë me shtetin e së drejtës, për të cilin një politolog i njohur thotë se demokracia ekziston vetëm një ditë, atë të zgjedhjeve, kurse tërë periudha që e pason, deri në zgjedhjet e ardhshme, është (apo duhet të jetë) shtet i së drejtës.
Paradoksalisht shqiptarët, veçanërisht shoferët tanë, edhe nuk i duan rripat e sigurisë së makinës së shtetit të së drejtës edhe nuk duan një makinë pa rripa. Këtë paradoks e ndesh shpesh sot jo vetëm duke parë sjelljen e politikanëve tanë, por edhe kur dëgjon rëndom njerëz të të thonë se ne nuk jemi të pjekur për demokraci, prandaj na duhet një juntë ushtarake, se ne nuk jemi pjekur për heqjen e dënimit me vdekje, prandaj duhet ta rikthejmë atë, se ne duhet të presin edhe tridhjetë vjet për paradën gay&lesibian etj. e ndërkaq mbi 90% deklarojnë se duan të hyjnë në "makinën" Evropë ku ekiziston rripi i sigurisë/ligjet që të mbrojnë nga pushtetet e juntave, ku nuk aplikohet dënimi me vdekje apo që garanton të drejtat e hmoseksualëve.
Pasja e një makine me rripa sigurie do të duhej të na induktonte mënçurinë për ta përdorur rripin, duke menduar se ky është fryt i një përvoje. Të mësosh nga gabimet e të tjerëve i thonë kësaj. Ne nuk e kemi këtë mënçuri. Po ashtu, pësimi i një aksidenti duhet të na bënte të kuptonim se sa i rëndësishëm është rripi dhe, paskëtaj, ta vendosnim atë. Kësaj i thonë të mësosh nga gabimet e tua. Edhe këtë ne nuk e kemi. Duhet të punojë frika ose respekti për ligjin - sugjerojnë një pjesë. Ne as këtë nuk e kemi. Kështu që, edhe pas njëzet vjetësh, po vazhdojmë të aplikojmë variantin më të keq: ndonse kemi pësuar aq e aq aksidente ngulmojmë të mos e vendosim rripin.
Kësisoj, ndërkohë që ne kemi "blerë" një makinë të kohës, kemi gjetur "kompromisin" që ta ngasim atë sikur jetojmë në një kohë tjetër, pa i përdorur rripat e saj. E kjo, pa dyshim, na ka ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta. Ja na erdhën zgjedhjet parlamentare, të shtatat që bëjmë në këta njëzet vjet. Shikoni si shkëlqen makina. Pjesëtarë të shtabeve elektorale të Tony Blairit dhe të Barack Obamës do të vijnë të organizojnë fushatat e partive tona. Shikoni pastaj delaratat e shoferëve tanë. Shpallin fitore të padiskutueshme, pa përfillur as edhe në një moment vënien në diskutim nga votuesi. Çdo humbje e konsiderojnë se mund të vijë vetëm si rezultat i veprimeve keqbërëse të kundërshtarit prandaj dhe të papranueshme dhe të panjohëshme. Sondazhet e besueshme do të duhej të ishin e vetmja pikë referimi. Por për këto as që bëhet fjalë. Vënia e arbitrit/rripave të sigurisë do të duhej të ishte garant i numërimit të saktë dhe mosvënies në diskutim të rezultatit. Por këta rripa janë prapa sediljes. Jo, jo këta tanët nuk duken sikur janë në një garë se kush të dalë i pari duke garuar në të njëjtin drejtim, me rripa sigurie shtrënguar fort. Ata shembëllejnë me shoferë që ngasin makina lluksoze në drejtime të kundërta e që po shkojnë drejt përplasjes jo vetëm pa rripa sigurie, por edhe pa mend në kokë.
Ka shumë shqiptarë që kësaj here kanë frikë se aksidenti do të jetë fatal. 
(Panorama, 29 mars 2013)

1 comment:

Unknown said...

Sa here shkoj nga Amerika ne Kosove e Shqiperi, me habite fakti se njerzit atje drejtojne makinat pa vene rripat e sigurimit, te mos flitet per mosnderimin e rregullave te komunikacionit ne teresi. The si thot mire Zoti Lubonja, ky fenomen shpreh cartazi nji mentalitet te cilit ende I mungon nje culture e nevojshme per qytetrimin modern - si ndjekesve te makinave, ashtu the drejtuesve te shtetit.