Friday, May 31, 2013

Një kryq të madh fletës së votimit


Ndaj pyetjes “për kë sugjeron të votojmë në këto zgjedhje?” përgjigjja që më rezulton më e arsyeshmja është: Nuk duhet të mbajmë përgjegjësi as për lënien e Berishës në pushtet dhe as për sjelljen e dyshes Rama – Meta në pushtet.  Por nuk mjafton kaq, duhet të shprehet me votë edhe protesta ndaj të dyja palëve. Dhe kjo bëhet jo duke abstenuar, por duke shkuar në qendrën e votimit, duke e marrë fletën dhe duke i futur një kryq të madh asaj flete.

Nëse do t’i përmblidhja arsyet e këtij qëndrimi sa më shkurtimisht, këto do të ishin:

Berisha ka dështuar në krijimin e shtetit të së drejtës.

Ka dështuar në luftën kundër sistemit të korrupsionit, klientelizmit, të kapjes së shtetit nga krimi.

Ka dështuar në futjen e vendit në një ekonomi të qëndrueshme, me vizion afatgjatë.

Së fundi, por me shumë rëndësi: ka grumbulluar shumë pushtet, ndërkohë që e ka humbur thuajse fare kontaktin me realitetin, dhe ta lësh atë në pushtet akoma, do të thotë ta thellosh këtë të keqe.

Në këtë pikë, madje, pyetja shtrohet: A është e drejtë të thuhet “ka dështuar?” Sepse dështimi nënkupton një punë në një drejtim që nuk e arrin rezultatin e pritur. Më duket se i bën një favor të madh Berishës të besosh ende se ai i kishte seriozisht premtimet elektorale të vitit 2005, por se, për një mijë rrethana, nuk mundi t’i mbajë ato, prandaj le t’i japim një shans tjetër. Berisha dhe të tijtë na kanë mashtruar me vetëdije të plotë në vitin 2005. Synimi i tyre ka qenë kapja e sistemit që kishin ngritur socialistët dhe shfrytëzimi i tij për qëllime personale dhe të klanit. Rezultati është një përkeqësim edhe më i madh, pasi ky sistem, kështu siç është, nuk mund të bëjë veçse keq.

Pse të mos votojmë atëherë për atë që shumë e quajnë “e keqja më e vogël”, dyshja Rama – Meta?

Së pari, sepse këta nuk të lënë as shpresën më minimale se kanë për synim të ndryshojnë sistemin. Qëllimi i tyre është i qartë: rimarrja e tij nga duart e Berishës në duart e tyre. Dhe, siç e thashë, ky sistem, kështu siç është, nuk mund të prodhojë veçse të këqija njëlloj si një sëmundje që vjen e përkeqësohet kur nuk kurohet si duhet. Futja e Metës në koalicion me Ramën hoqi çdo iluzion lidhur me këtë kurim.

Së dyti, ashtu siç janë zhvilluar ngjarjet, dita-ditës po bëhet më e qartë se këto zgjedhje jo vetëm që nuk do të ndryshojnë gjë në sistemin politik ekonomik e mediatik, por do të jenë më shumë si lufta finale për eliminimin e tjetrit. Pra, nëse këta njëzet vjet kemi pasur luftën e dy copave të Partisë së Punës që kanë funksionuar me të njëjtën mendësi autoritare, përjashtuese, sot kemi arritur në një moment kur ai që fiton e përjashton përfundimisht tjetrin, duke marrë në dorë krejt sistemin dhe duke na e kthyer të plotë në pushtet Partinë e Punës. Një largim i Berishës me shumë gjasa do të ishte edhe një shkërmoqje e PD-së, që mbahet në këmbë kryesisht në sajë të favoreve të pushtetit, veçanërisht në këtë gjendje krize.

Thënë këto, tek e fundit, personalisht preferoj të bëj pjesë tek ata që mendojnë se duhet të hidhet që sot fara e gjësë së re që duhet të lindë në Shqipëri: një lëvizje apo parti që duhet të ketë në programin e saj dy gjëra kryesore:

Së pari, denoncimin e kësaj kaste të superkorruptuar e të superkriminalizuar – një arsye kjo shumë e rëndësishme për të mos votuar as njërën, as tjetrën.

Se dyti, përfaqësimin e interesave të shtresës së papërfaqësuar nga partitë e sotme, çka do të thotë se duhet të jetë një parti e majtë e që së bashku me këtë përfaqësim, do të duhet të luftojë për ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, që mungojnë krejtësisht në këtë vend.

Pra, duhet të jetë një parti që do të lindë si opozitare e vërtetë ndaj cilësdo nga të dyja që do të vijnë në pushtet pas këtyre zgjedhjeve – edhe kjo është një arsye tjetër shumë e rëndësishme që të mos votohet asnjëra.

Pyetja që mund shtrohet sot në këtë kontekst është: Fitorja e cilës palë do ta bënte më të lehtë krijimin e një partie të tillë? Edhe këtu jemi plot me kundërthënie. Një fitore e Ramës dhe Metës në disa aspekte do ta ndihmonte, pasi do të lëviznin më shumë ujëra. Po ashtu zhgënjimi i shpejtë me ta do të hiqte edhe iluzionin e fundit te pjesa që ende beson te kjo klasë politike. Por, në disa aspekte të tjera, sipas meje, do ta vononte më shumë se sa një fitore e Berishës, pasi këta do t’ia zgjasnin më shumë jetën sistemit që kanë ngritur. Një fitore e Berishës, nga ana tjetër, do ta delegjitimonte përfundimisht këtë të ashtuquajtur të majtë dhe liderët e saj Rama - Meta, do të ndihmonte për lindjen e diçkaje të re, por, nga ana tjetër, duke pasur parasysh se Berisha kontrollon edhe institucione të tjera, do të  krijonte një klimë edhe më të vështirë për lirinë.

Tek e fundit, mendoj se edhe këto kundërthënie janë një argument më shumë për t’i hequr një kryq të madh fletës së votimit si shenjë proteste dhe mosmbajtjeje përgjegjësie për sjelljen në pushtet të kësaj kaste, si dhe si thirrje për të krijuar diçka të re. (Panorama, 29 maj 2013)

7 comments:

Glen LLaçi said...

Zoti Lubonja, jeni teper i sakt kur thoni qe nuk kemi asnje pergjegjesi as per lenien e berishes ne pushtet as per ardhien e Rama-Metes. Por si qytetar nuk mund ta neglizhojme parimin e Konstitucionalistit te famshem izraelit Ahron Barak:
"If we don’t protect the democracy, democracy will not protect as..."
Me kete nuk dua te them qe ardhja e Rames gjoja ne e rrezikon me pak demokracine. Dua te them qe si qytetar duhet te levizim per nje levizje te re, te cilen ju na e keni propozuar shpesh here me shkrimet tuaja.
Prandaj personalisht propozoj krijimin e nje redaksie on-ligne te ngjashme me ate te Huffington post, por me nje parim ndryshe. ne kete redaksi mund ti lem hapsira me te medha Tre kategorive kryesore pjesmarrsish. Qytetarve te thjesht, eksperteve te fushave te ndryshme si dhe gazetareve te cilet bashke me grupin e dyt nuk gjejn hapsiren e mundshme ne mediat e kapura nga llogoret PD-PS.
Nje lloj media e tille qe quhet "mediapart" investigoi dhe demaskoi skandalet me te medha te pushtetarve ne France, si psh çeshtien beteonkurt te Sarkozis apo evazionin fiskal te ish minsitrit socialist te financave.
Sigurisht ndaj gjendies aktuale ne Shqiperi duhen levizje me konkrete, por çdo levizje modeste dhe e ndershme mund te shtyje ne ngjizjen e nje levizje me te madhe dhe qe mund ta ndihmoje shoqerine tone te dal nga bataku ku e kan lene kastat ne fuqi. Personalisht si student ne ekonomi doja te shkruaja nje shkrim ne lidhje me funksionimin e shtetit si bande dhe fasades se debatit takse e sheshte vs takse progresiste por ja qe si per mua ashtu edhe per shume te tjere ne Shtetin ton te vogel me media te panumerta nuk paska hapsire te majftueshme dhe kuptohet kur them mua besoj se e njejta gje ndodh edhe me shum te tjere.
Ja pra zoti Lubonja pervec kryqit ne fleten e votimit a mund te bejme edhe me shume se kaq?

Endri said...

Thirrjes per nje kryq fletes se votimit mund ti vihet vete nje kryq edhe me i madh. Sado fisnik ne parim efekti qe ka praktikisht kjo thirrje eshte te dobesoje te paanshmit te cilet jane ata qe ne fund te fundit vendosin zgjedhjet nese militantet e te dyja paleve i marrim si te ngjashem ne numra dhe te lere ne pushtet nje qeveri kaq te deshtuar ne kaq shume dimensione.

Edhe vete thirrja per nje levizje te re, dicka tashme e domosdoshme dhe e lavderueshme ne vetvete, nje muaj para zgjedhjeve nuk ka asnje efekt. Keto lloj organizimesh nuk behen ad-hoc por duan kohe dhe pergatitje. Levizja e Grillos ne Itali kishte shume muaj qe jo vetem ishte krijuar por ishte ne gjendje organizative te bente fushate te furishme.

Fatmiresisht edhe per vete keto zgjedhje pa alternativa ka disa opsione me te mira se kryqi per ata shume te pakenaqur nga 1 prilli. Ti jepet vota partive te tjera qe jane kategorikisht kunder Berishes e qe mendohet se e kalojne pragun, FRD ose AKZ-se. Ne kete menyre ndeshkohet dhe PS dhe mundesohet ikja e Berishes. Nese edhe per keto parti sondazhet tregojne se nuk e kalojne pragun atehere thjesht per te marre vesh numrin e te pakenaqurve mund ti jepet vota nje partie fantazme brenda koalicionit te majte prej 30 e kusur partish (partia e pensionisteve, e kucit apo e macit, sa me qesharake partia aq me mire). Ne kete menyre te pakten merret vesh sa eshte potenciali politik i te pakenaqurve, njekohesisht i behet presion ngjalave te PS-se se heren tjeter do kene probleme dhe poashtu vota kunder Berishes nuk humbet.

Anonymous said...

Ju keni te drejte kur thoni qe pritshmeria e dy subjekteve kryesore politike eshte pothuajse zero ne prag te kesaj legjislature te re, por kjo se besoj qe mjafton per popullin. Gjeo-politikat rajonale e nderkombetareve duhet ta ofroje ne perspektive variante shtetberese, e jo sherbyese vetshperblyese, historikisht ne asenc te gjenerimit te opsionit te brendshme organizativ politik. Me fjal te tjera , shqipetaret presin se cfare do i sjelle koha,si gjithmon.

Gledi said...

Zoti lubonja! mendoj se ju i keni atributet e nevojshmar per tu bere nje ze i fuqishem dhe kredibel ne opinionin publik.Ashtu si ju, edhe shum intelektual qe nuk jane te blere e manipuluar nga asnjeri krah politik , shohin nevojen emergjente per krijimin e nje dickaje te re per tju kundervene kesaj kaste ne pushtet e cila dita dites kercenon demokracine ne shqiperi.Ka gjithmon nje fillim dhe ca njerez qe besojne ne disa vlera e ideale ,ka gjithmon ca njerez qe duke mbledhur forcat mund te japin kontributin e tyre per ndryshimin e gjendjes apatike ku ka perfunduar ky vend.Te pakten te hidhet nje hap deciziv perpara ne forcimin e insitucioneve te pamvarura.....Kjo per mendimin tim eshte sfida e pare qe ka ky vend duke filluar me reformimin e sistemit gjyqsor qe perben edhe nje nga plaget me te renda te sistemit tone gjoja demokratik.E dyta nje plan afat gjate zhvillimi ekonomik konform kritereve ekologjike.Cdo vendim marrje te paraprihet nga nje debat i gjere publik e deri ne referendume lokale apo edhe kombetare.Te caktohen sektoret prioritar.te reformojme sistemin arsimor.ti kthejme hapesirat e gjelbra ne nivelet evropiane duke reduktuar ndertimet ne funksion te hapesirave te gjelbra.Te ngrihen shtabe rajonale per promovimin dhe koordinimin e turizmit neper qytetet e shqiperise,te rrisim prodhin e brendshem te produkteve ushqimore......ti japim prioritet bujqesise dhe turizmit.......te inkurajojme prodhimin e energjise se paster me panele diellore apo edhe me eolik.......te ndalojm prodhimin e teceve.......te krijohen forume te gjera qytetare per trajtimin e qeshtjeve lokale.Ti jepet prioritet aksesit te lire ne internet,pra informacioni te jete me i arritshem nga qytetari.Te futet banda e gjere neper vende publike si neper qendrat e qyteteve ne parqe etj.Te inkurajohet transporti publik.Te zgjidhen ne kohe rekord te gjitha problemet ne ruuget e ashtequajtura zone te vdekjes ne shqiperi ku jane bere shkak per shume aksidente e humbje jetesh.ne akse nacionele e rruge rurale.Te krijojme nje radiotelevizion publik te lire e te paanshem qe eshte ne funksion te qytetarit ne radhe te pare e qe te jete standart dhe shembull profesionalizmi dhe ku te mos kete hapesira komrciale.pak a shum koceptin'' grillin''te medias publike.te ndertohet nje redaksi investiguse me fonde shteterore.etj etj te ky koment bera me teper nje masturbim me endrra ne beze ne nje fare kuptimi ngaqe jemi shum larg ketyre reformave.kerkoj ndjese nqs mora persiper ti futem shume qeshtjeve konkretisht duke mos patur kompetencen e nevojshme ....por gjithsesi ishte nje zhbrazje qe doja te beja duke perdorur arsyetimin tim modest mbi ate se si e shoh une ndryshimin ne kete vend.Me njerez inelektual e vizionar si ju, dhe shum te tjere qe nuk kane aq "apeal" mediatik si puna juaj.Qe duhet te bashkohen sa me shpejt ne venien e ketyre piketave per te ardhmen e vendit.

Gledi said...

Nje tjeter ceshtje qe doja ta ndaja me ju Z.Lubonja eshte gjendja ne te cilen ndodhen mediat shqiptare.Kemi vetem televizione e gazeta qe jane ekstremisht te polarizuara e politizuara, qe i sherbejne partive politike duke lene menjane interesat e qytetareve.Qe, me ane te disinformimit apo edhe interpretimit krejt te njeanshem te fakteve nuk e ndihmojne aspak demokratizimin dhe emancipimin e shoqerise.Duke mos dashur ti hy me thelle kesaj qeshtje doja te sillja ne vemendje nje emision te ketyre diteve te fundit te gazetarit Blendi Fevziu ku kishte te ftuar ministrin Olldashi perballe Z.Artan Lame. Ne kete emision u pa nje mungese e theksuar e profesionalizmit nga ana e moderatorit qe ne nje moment te caktuar e humbi fare toruan me njerin nga te ftuarit dhe filloj ti bertiste me te madhe;pusho!pusho!mbylle gojen!Kjo gje jo vetem qe nxori ne pah nje deficence profesionale nga ana e z Fevziu por, duke pasur parasysh se kete shkarje te castit ai e pati vetem ndaj njerit nga te ftuarit, tregoj qarte njeanshmerine e tij.Kjo tregon se ne cfare niveli banal eshte media shqiptare ku gazetare te papergjegjshem e konsiderojne emisionin e tyre si bajrak ku "bejne ligjin" e mund te sillen si te duan madje edhe te fyejn ndonjerin qe su pelqen se nuk i perket krahut "te duhur" politik .Mora shembull emisionin opinion qe eshte edhe nga me te ndjekurit ne shqiperi dhe e ka njefare reputacioni te krijuar nder vite dhe mund te konsiderohet si nje lloj etaloni per ate kategori emisionesh.Fatkeqesisht dita dites po behet nje promotor i devotshem i asaj qe e ju e quani "kultura e manipulim simulimit".Eshte nje tregues i qarte se politika ne menyre direkte apo indirekte ka vendosur tentakulat e saj mbi median duke e cenuar ne menyre te dhimbshme lirine e saj, mendimin kritik te gazetarve qe fjalen e vene ne funksion te interesave publike dhe emancipimit shoqeror e kulturor.Keto pseudo-gazetare vazhdojne te mbijetojne sepse vete sistemi ka krijuar "klimen" e pershtatshme per ta dhe nje "klime" me pak te pershtatshme per gazetare e mendimtare me integritet.E vetmja kritike qe kam ndaj gazetarve profesionist e ta paanshem eshte se te ndikuar nga mardheniet nder personale me kete llojin e shemtuar te gazetareve mbyllin nje sy e nje vesh ndaj tyre dhe limitohen duke bere kritika ne pergjesi mbi fenomenin.Jam dakord qe fenomeni eshte me shume rendesi te denoncohet por cdo fenomen ka edhe pergjegjesit e saj qe nuk eshte se duhet te anashkalohen vetem e vetem se qenkan viktima te ketij sistemi e si rrjeldoj prodhojne keto fenomene.E kam fjalen edhe per ju Z.Lubonja qe ne fund te fundit jeni "i detyruar" te beni kompromiset tuaja.Kjo nuk eshte shum koherente sepse ashtu si ju denonconi kasten politike duhet te denonconi edhe kasten mediatike qe ka edhe emra te pervetshem individesh apo edhe sigla televizionesh dhe gazetash.Mos valle edhe ju "rraca e ndershme e gazetarve" keni rene ne nje fare kuptimi pre e ketij sistemi ndoshta pa vetedije te plote por te ndikuar nga emocionalitete te rendomta merdheniesh personale?Kete po e shkruaj pasi e kam te fresket ne memorie momentin ku fillove nje debat me fevziun dhe te gjithe te ftuarit tu versulen ta lesh at muhabet.Po ashtu ti vete e ke pranuar se disa gjera nuk mund thuhen ne televizion.Pra ne nuk na shqetesoka shum se kush ben cfar po me teper na pelqen te bejme teori e filozofi mbi fenomenet e nderkohe kaleruesit e ketij sistemi qe prodhon keto fenomene,ose i mbrojme ose nuk i permendim sepse kemi akoma komplekset tribale ku pjestari i fisit gezon privilegjet qe ka vetem sepse ben pjese e ketij fisi.Dua ta mbyll kete koment duke permandur me emra disa nga gazetaret, opinionistet e moderatoret qe bejne pjese ne "rrjetin" propagandistik te forcave politike ne shqiperi duke punuar kunder interesave te publikut te gjere per hater te disa oligarkeve te pameshirshem me fuqi ekonomiko-politike.

Gledi said...

blendi fevzi
artan hoxha
artur zheji
clirim peka
armand shkullaku
andi bejtja
mero baze etj etj etj

Anonymous said...

Ju kerkoni nje parti te re te ndershme. Por gjithe shoqeria shqiptare ka degraduar ne moral dhe nuk do te votonte per nje parti te ndershme. Tashme eshte hajduti qe respektohet, imitohet, votohet. Para se te dale partia e ndershme duhet te ndryshoje kultura. Nqs. ndryshon kultura atehere edhe partite e medha do te ndryshonin, dhe nuk do te kishim nevoje per nje parti te re. A mund ta ndryshojme kulturen shqiptare? Mund dhe duhet te perpiqemi ne nivel individual dhe grupi, por perfundimisht eshte ne dore te ligjeve te Darvinit nese eshte hajduteria apo ndershmeria qe prevalon.