Afro dhjetë ditë pasi u çlirua nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi (29 nëntor 2012) prej akuzave për krime lufte, ish komandanti i UÇK dhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri një vizitë triumfale në Shqipëri. Atij iu dedikua një seancë e Parlamentit shqiptar ku mbajti një fjalim të shkurtër; u prit nga Kryeministri Sali Berisha me shumë nderim, kurse më 10 dhjetor u dekorua nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: “Ai kurrë nuk i iku përballjeve, rezistencës, - tha Nishani - duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës të ruante të pacënuar, dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare, që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve".[1]Kryeminstri Berisha po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajsuarin, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte, "për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj". Në deklaratën e tij ai u kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë "të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.[2]Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve "nën qiellin e Bashkimit Evropian", për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor, etj.Akuzat ndaj HaradinajtIronia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të patur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinaj janë të vërteta. Pra se në vitet 1998 – 1999, dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS, njerëzit e UÇK, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serb, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai, apo njerëzit e tij, kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxorri të pafajshëm Haradinaj herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t'i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.[3] Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK, Fatmir Limajt.Atëhere si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, megjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosoves. Si t'i shpjegojmë inisiativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?Së pari kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë ne Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t'u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qënie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për Atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skicofrenike midis glorifikimint të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin madje edhe i vrasin ata - gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trush mplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë, jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan "vdekje të parakohëshme" e lehtson dhe më punën e tyre.Së dyti, mbrojtja e Haradinaj nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare pasi i delegjitimojnë shqiptarët madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)[4]Gjuha e dyfishtëNë deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të "problemit të pazgjidhur kombëtar" Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. "Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës" - i deklaroi Haradinaj një mediaje greke kohët e fundit - “Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij “etnikisht të pastër”, nuk do të ndalosh kurrë”, "unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do t’i ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian.” "Ne do shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar”.[5]Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli qytetar nderi i qytetit të Leshës ai tha: “Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur, një rrugë (është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha që lidh Shqipërinë me Kosovën) e cila na mundëson për të qenë një”.Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional - evropeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional komunizmi në diskursin nacional - evropeist që nënkupton instrumentalizimin e integrimit evropian[6]) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit evropian duke përzjerë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin post nacionalist të Bashkimit Evropian të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe evropiane. Sipas kësaj ideologjie serbët, grekët, maqedonasit, malazezët do të mbeten të njëjtët armiq që kanë qenë në të shkuarën.Po cili është Haradinaj i vërtetë? Ç'përfaqëson ai për shqiptarët; po për evropianët? - Carla Del Ponte përshkruan në librin e saj La Caccia - io e i criminali di guerra, (Feltrinelli 2008) se si Ndërkombëtarët e UNMIK-ut në vend se ta ndihmonin Trubunalin për një hetim më të thellë të çështjes Haradinaj i krijuan asaj pengesa me argumentin se politikanë si ai ishin shumë të fuqishëm në Kosovë dhe, kësisoj, dëmi që do të pësonin do të ishte më i madh sesa përfitimi sepse këta njerëz mund të destabilizonin rajonin. Ky fakt flet shumë për Haradinajn. Ai i përket atyre kafshëve politike në Shqipëri dhe Kosovë që u intereson vetëm pushteti personal dhe përfitimet që nxirren prej tij. Ai e di shumë mirë se për momentin ai nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj kur flet me evropianët ai tund flamurin me gjashtë yje të Kosovës, ndërsa kur flet me politikanët dhe bashkatdhetarët e tij shqiptarë mbështillet me flamurin kuq e zi.Ambiguiteti i EvropësEtien Balibar duke shkruar për situatën në ish Jugosllavi thotë se ajo nuk është atipike, përkundrazi është një projektim lokal i formave të konfrontimit dhe konflikteve të të gjithë Evropës që Balibar nuk heziton t'i quajë "marrëdhëniet raciale evropaine."[7] Evropa e sotme më tepër se kurrë po shfaq kontradiktën e saj të brendshme midis një Evrope të egoizmit të shteteve kombe dhe një Evrope post nacionaliste të qytetarëve, duke konfirmuar fjalët e Balibarit mbi Evropën si një "projekt politik i pazgjidhur": "Fati i identitetit të ri evropian si i tërë po luhet në Jugosllavi dhe më në përgjthësi në Ballkan. (…) Evropa duhet të pranojë se situata në Ballkan nuk është një monstruozitet në gjirin e saj (…) por një pamje dhe reflektim i vetë historisë së saj dhe duhet të ndërmarrë masa për ta përballuar dhe zgjidhur atë, çka do të thotë të verë edhe vetveten në diskutim dhe të transformojë vetveten. Vetëm atëhere Evropa do të fillojë ndoshta të bëhet e mundëshme përsëri."[8] Nëse disa vjet më parë ne mund të thonim se evropiano perëndimorët shikonin drejt të ardhmes ndërsa evropiano lindorët po shihnin drejt së kaluarët, siç po ndodhte në ish Jugosllavi, kjo nuk duket se është më e vërtetë. E ardhmja e projektit evropian nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më në krizë se gjatë këtyre kohëve. Gjuha e dyfishtë e Haradinajt dhe e politikanëve më të rëndësishëm si në Shqipëri dhe në Kosovë është, pa dyshim, edhe pasqyrim në Ballkan i mëdyshjeve dhe ambiguitetit të evropianëve përsa i përket projektit të së ardhmes së tyre.Rasti i shfajësimit të Haradinajt është shumë sinjifikativ në këtë kontekst. Dështimi i dhënies së një vendimi të drejtë ndaj tij hap një diskutim të madh jo vetëm mbi problemin e raportit të politikës me drejtësinë, dmth. mbi atë se si pushteti politik krijon pengesa ndaj drejtësisë, por edhe mbi atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare e Evropës post-nacionaliste kur ajo ka kundër interesa të ashtuquajtura kombëtare. Vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, si ajo e Hagës, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë", të kryejnë krime të tjera. Por pandëshkueshmëria e tyre, edhe si rezultat i dobësisë së kësaj Evrope të qytetarëve ndaj Evropës së shteteve kombe, është një inkurajim për ta që t'i fryjnë erërave nacionaliste në vendet e tyre dhe të mbajnë gjallë ndjenja urrejtjeje ndaj fqinjëve.Kjo pandëshkueshmëri nuk është vetëm një kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë evropian, por është edhe një kërcënim për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës brenda vetë Kosovës. Niveli i kriminalitetit është shumë i lartë në Kosovë, veçanërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Elita politike ku bën pjesë edhe Haradinaj dhe Limaj, akuzohet fort për këtë. Nuk është rastësi që Kodi i ri i Procedurës Penale i janarit 2013 e bën më të vështirë se ai që ishte më parë, madje edhe më të rrezikshme, mundësinë për të thërritur dëshmitarë.[9] Politikanët kosovarë, megjithëse kanë shtetin në duart e tyre, në vend se të bëjnë ligje që t'i mbrojnë më mirë dëshmitarët duke lehtësuar kështu përdorimin e tyre nga ana e prokurorisë, bëjnë të kundërtën. Dhe statusi i tyre si mbrojtës të bashkatdhetarëve, - paçka se Carla del Ponte shkruan se "nuk ka asgjë fisnike apo heroike në ato krime" duke ngulmuar se pandëshkueshmëria e tyre mund të shkaktojë luftra të reja, - ua bën më të lehtë hartimin e këtyre ligjeve."Racizmi triumfon kur identifikohet me shtetin, kur bëhet vetë shteti." (Foulcault). Nën qiellin e një Evrope, që resht së shikuari të ardhmen e saj si një Evropë e qytetarëve dhe kthehet mbrapsh në Evropën e egoizmave të shteteve kombe ky leksion mbetet kuptimplotë veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani.
[1]* Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e Majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl - Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj.[1] Nishani nderon Haradinajn:Mbrojti dinjitetin e luftës çlirimtare Panorama, 10 dhjetor 2012.[2] Hetimi për Carla Del Ponten. Haga: S’kemi kërkese ende nga Tirana. Nëse vjen do të shqyrtohet Panorama, 6 shkurt 2012.[3] Kosovo fights crime repression, not crime (Kosova lufton mposhtjen e krimit, jo krimin); Andrea Lorenzo Capussela, Osservatorio Balcani e Caucaso, 8 shkurt 2012; http://www.balcanicaucaso.org/eng/Regions-and-countries/Kosovo/Kosovo-fights-crime-repression-not-crime-129883/(from)/eng-newsletter[5] Haradinaj: Çështja shqiptare, e zgjidhur. Tani të përqendrohemi te Europa, Ponorama, 16 Janar 2013.[7] Etien Balibar, We, the people of Europe: Reflections on Transnational Citizenship; Princeton University Press, Princeton 2003.
Tuesday, July 23, 2013
Nën qiellin e Evropës*
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Perballe gjithe sulmeve te palogjikshme dhe krejt emocionale qe iu bene Lubonjes ne lidhje me shkrimin ne fjale doja te vecoja dike qe ishte disi jo edhe aq emocional dhe me nje vijim logjik, por me munges informacioni. E kam fjalen per komentet te cilat i keshillonin Lubonjes te heshte meqenese gjykata e kishte te dhene tashme verdiktin dhe pushtetet e tjera duke perfshire edhe te katrin duhet te heshtin...
Ne fakt eshte shume e gabuar idea qe nuk duhet te komentojme vendimet e gjykatave, harruam ne qe ne SHBA ku ka nje ndarje te qarte midis ekzekutivit dhe gjyqesorit Obama e komentoj vendimin e gjykates per lirimin e nje personi qe dyshohej se kishte vrare nje person me ngjyre per shkak te origjines.
Madje une mendoj se ne nje shtet pushtetet avancojne kur kan kete stad sa qe nje person i medias apo i ekzekutivit komenton ne menyre korrekte nje vendim te gjykates ne te cilin kemi nje kendveshtrim ndryshe.
Por gjithesesi ne jemi mesuar genjestrat e Berishes i cili thot se nuk do te komentoje kurre nje vendim gjykatash dhe nga ana tjeter i ka vene gjykatat nen kontroll. Ja pse individ te tille e kan aq te lehte te mitizohen si heronj ne shoqerin tone.
Post a Comment