Sunday, November 10, 2013

Kadeli dhe kastraveci



Para disa ditësh, në gazetën “Mapo” lexova një shkrim të gazetarit Arben Vata, me titull “Kadeli dhe kastraveci… si ushqim për mediat”. Shkrimi fillonte me pohimin: “Sigurisht që nuk ka asnjë analogji që i bën bashkë deputetin socialist Gjovalin Kadeli, që (siç tha ai), për hir të interesave të elektoratit, brenda 6 muajsh iku nga PS, u bashkua me PD dhe së fundi kaloi te LSI, dhe perimes me emrin intrigues ‘kastravec’”. E kishte fjalën për kastravecin shqiptar, që së fundi nuk do të lejohet të tregtohet në Malin e Zi, sepse autoritetet atje e kanë gjetur me përqindje të lartë pesticidesh, që e bën të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.
Vata ngrinte me shqetësim pyetjen se si ka mundësi që mediat i dhanë kaq shumë rëndësi një “loje deputetësh” dhe aq pak kastravecëve me pesticide, që, kësisoj, do të vazhdojnë të helmojnë fëmijët tanë?
Shqetësim i ligjshëm, por unë, megjithatë, mbeta i zhgënjyer nga pohimi i tij që e ndante Kadelin nga kastraveci duke mos gjetur asgjë të përbashkët midis tyre. Jo, i dashur Arben, unë nuk mendoj se Kadeli dhe kastraveci nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Dhe mos të të shkojë ndër mend se dua ta shaj Kadelin “kastravec” në kuptimin që e përdorim ne këtë fjalë. Jo, jo, nuk është kaq banale lidhja që shoh midis tyre, edhe pse pohimi se paska ndërruar tri parti për hir të interesave të elektoratit, lë gojëhapur edhe më kastravecin e shqiptarëve. Jo, për mua Kadeli dhe kastraveci i helmuar kanë një lidhje qenësore, të thellë, strukturore quaje po deshe, që i bën të pandashëm nga njëri-tjetri, do të thosha dy anë të së njëjtës medalje, që, nga një këndvështrim i caktuar, më bën t’i shoh edhe të lidhur si trupin me shpirtin. Lidhja që shoh unë qëndron në faktin se kastraveci i refuzuar në Malin e Zi është produkt material i mendjes dhe shpirtit të njeriut të ri shqiptar të kapitalizmit, i të cilit Kadeli është shprehje elokuente, por sigurisht jo i vetmi, përkundrazi, një nga përfaqësuesit e panumërt të tij. Si nuk paska lidhje, i dashur Arben, midis një njeriu që, për të fituar sa më shumë para, i dynd kastravecët me pesticide, pa llogaritur mashtrimin dhe dëmin që u bën të tjerëve dhe një njeriu që dynd elektoratin e majtë e të djathtë me mashtrime po për të fituar sa më shumë para? Të gjithë ne e dimë se Kadeli nuk ka shkuar për interesat e elektoratit te PD-ja dhe nuk është kthyer te LSI-ja për këto interesa, por për të mbrojtur interesat e tij private: kështjellën e Lezhës që ka marrë me koncesion, antenat që ka instaluar atje lart, e më the, e të thashë. Të gjitha këto janë: të mira të të gjithëve që Kadeli i përdor si i do qejfi, duke dëmtuar edhe peizazhin, edhe interesin publik. Pra, i dashur Arben, nga ky këndvështrim, kastravec i helmuar nuk është vetëm perimja me emrin intrigues kastravec, por edhe çdo produkt joperimor i shpirtit të këtij njeriu të ri që kemi krijuar këta njëzet vjet. Pra, edhe ajo kështjella e Lezhës e Kadelit e kthyer në restorant, edhe ato antenat që janë vendosur aty (pyet po deshe edhe Artan Lamen e maxhorancës për këtë), edhe plazhet e mbushura me pallate e vila, edhe ai pallati në Vlorë, edhe gratacielat që po ngrihen në Tiranë, edhe fabrikat e çimentos e hidrocentralet që po mbijnë gjithandej, edhe nafta bruto që na shitet si naftë e rafinuar, edhe universitetet tona private, edhe, edhe, edhe mediat që nuk e bëjnë lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Kastravec i helmuar janë edhe partitë tona, edhe Parlamenti ynë, edhe politika jonë. Madje partitë tona e kanë në programin e tyre politik helmimin e kastravecit për të fituar sa më shumë para, që do të thotë më shumë vota, që do të thotë më shumë para, që do të thotë më shumë vota. A nuk i katërfishoi votat nga viti 2009 në vitin 2013 LSI-ja? A e sheh i dashur se me çfarë shpejtësie po klonohet njeriu i ri që i mbush kastravecët me pesticide? A e pe se si bleu vota edhe nga PS-ja tani? Më shpejt, më shumë, më larg, më lart pesticide, shkatërrime, mashtrime, poshtërsi, hile, intrigë për të fituar sa më shumë para në kurriz të të tjerëve, që të fitojmë sa më shumë vota, që të fitojmë sa më shumë para, që të fitojmë sa më shumë vota. Që të mos e bëj listën të gjatë pa fund, do të thosha se kastravec i helmuar, i dashur Arben, është edhe vetë Shqipëria jonë. A e dëgjove lajmin se Shqipëria po pret me gëzim armët kimike siriane që të shkatërrohen këtu te ne? Na duhen para, i dashur, e kupton apo jo, që të blejmë vota, që të fitojmë para, që të blejmë vota, që të fitojmë para. Po na duhet edhe mbështetja politike e partnerit strategjik amerikan që të mbyllin sytë për pesticidet e tjera. Dhe s’kanë ç’thonë shqiptarët kur e duan amerikanët, se për ta ne jo kimikate që mund të hamë, por edhe dreqin e mallkuar.
Teksa shkruaj këto rradhë më bëhet sikur i lexoj ata kritikët e mi që më ulërijnë: Sa negativ ky Lubonja, na helmon shtypin me këto artikujt e tij pesimistë dhe antishqiptarë! Si guxon e quan krejt Shqipërinë kastravec të helmuar? E ka nga burgu, nga jeta e ndyrë që ka bërë atje plot me poshtërime. Nuk po na lë as të gëzojmë maxhorancën e re që ka krijuar një klimë optimizmi e shprese në të gjithë vendin; ky njeri që na hiqet si ekspert për gjithçka, tani na doli edhe ekspert i kastravecit. Le që nuk na jep dot një zgjidhje.
Po detyra ime e parë është të gjej lidhjet, jo zgjidhjet, mor mik. Ja, unë kësaj here gjeta lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Zgjidhjen le ta gjejë Edi Rama, që të na ngjallë edhe shpresë. Mirëpo ai më duket se e ka gjetur zgjidhjen në ngritjen e normës së lejuar të pesticideve. Sa më shumë pesticide që të ngordhim Berishën – a nuk e kishin kështu parullën. Ja Berishën e ngordhën; shqiptarët ua lejuan madje për këtë edhe ngritjen e normës së pesticideve, por prapë duan ta ngrenë edhe më. Sepse maxhorancat, më fal, kastravecët, rriten më të shëndosha, më të fuqishme me pesticide. Ja, nga 84 deputetë u bënë 85 tani. E dëgjove Ramën se si tha kur e akuzuan (të vetët) se ai po voton për kryetar të Kushtetuese një që ka marrë para korrupsioni? “Nuk kemi ç’bëjmë”. Edhe gjykatat me pesticide janë të mbushura, si kastravecët. Dhe, tek e fundit, janë kastravecët që mund të na thonë – në fakt po na e thonë përditë – po s’deshët të na hani, ngordhni. “O mangi questa minestra, o salti dalla finestra”. Tani bile s’ke nevojë të hidhesh nga penxherja, si në kohën e diktaturës. Tani këta të lënë të dalësh jashtë shtetit shqiptar, atje ku pesticidet janë brenda normës, madje në disa vende duan t’i ndalojnë fare se po ngordhin bletët, dhe zhdukja e bletës, siç ka thënë Ajnshtajni, është shenjë e zhdukjes së jetës mbi tokë. Po kështu do të shtohen pesticidet te ne – do të thuash ti. Punë e madhe. A e pe atë qytetin kinez disa milionësh që ishte mbyllur për shkak të ndotjes sepse ishte bërë i pabanueshëm? Ne mund të bëhemi edhe vendi i parë në botë që mbyllet i tëri, pasi jemi me nivel pesticidesh shumë herë më të lartë se norma. Po ç’rëndësi ka? Deri atëherë këta do të kenë shitur aq shumë kastravecë me pesticide, sa do ta kenë siguruar jetën e tyre dhe të nip e stërnipërve. Kush po pyet për të tjerët. (Panorama 6 nentor 2013)

No comments: