Po flitet dhe shkruhet
shumë këto ditë për faktin se Ben Blushi ka kërkuar kryerjen e zgjedhjeve për
kryetar në Kongresin e Partisë Socialiste që do mbahet në mars për të
respektuar statutin e Partisë. Madje ka shpallur edhe kandidaturën e tij. Kanë
dalë (pak) gazetarë që i japin të drejtë, dhe (shumë) gazetarë, drejtues dhe
militantë të PS, që kundërvihen. Në
debatet që po zhvillohen midis tyre shumica merren me argumentet se pse ka të
drejtë Blushi apo pse ka të drejtë Rama. Të parët i referohen statutit,
demokracisë në parti, faktit se kjo parti ka pasur zgjedhje në kohën e Nanos
kurse të dytët, argumentit se kjo zgjedhje është e panevojshme pasi Rama është
fitues i zgjedhjeve të mëdha.
Është mëse e qartë se
argumenti i të dytëve është shumë i dobët dhe i sforcuar sepse me të njëjtin
argument mund të pretendohej se nuk do të duhet të zgjidhej as Kryesia - nëse
fitoren ia dedikojnë të gjithë partisë, siç thuhet rëndom, dhe jo një njeriu të
vetëm. Prandaj për këdo që ka një minimum racionaliteti nuk është vështirë t'i
japë të drejtë Blushit. Më duket humbje kohe të rreshtoj argumente të tjera.
Problemi për mua është
se Blushi po shërben si një test për PS
dhe Kryetarin. Refuzimi i tij duhet të na bëjë të ngremë dy pyetje, që s'po i
shoh të ngrihen në media, përgjigja e të cilave, sipas meje, përmban një
shqetësim të madh.
Pyetja e parë
Ore, ky Edi Rama, pse nuk pranon të bëhet
zgjedhja e kryetarit, sipas statutit, ndonëse e ka fitoren të sigurt? (Sepse
edhe ata që e mbështesin Blushin pranojnë se Rama do të ishte fituesi i
sigurt.) Çfarë ndodh në mendjen e këtij njeriu, pra?
Është e rëndësishme kjo pyetje sepse përgjigja ka të
bëjë me analizimin e gjendjes mendore të liderit të PS-së. Dhe gjendja e tij
mendore nuk ka të bëjë thjesht me atë se ai është lider i PS, por sepse është edhe kryeministri
i të gjithë neve.
Në përpjekjen për të
gjetur përgjigje personalisht arrij në dy hipoteza të cilat më çojnë në
përfundime tejet shqetësuese.
Hipoteza e
parë është
ajo se Rama e konsideron veten aq absolut saqë vënia në diskutim e lidershipit
të tij e bën të ndjehet keq? Dmth., ky njeri, nuk e ka hallin se mos humbet,
por se nuk e duron dot psikologjikisht ekzistencën e njerëzve që mund të
refuzojnë atë për Ben Blushin, qofshin këta edhe një numër i vogël. Dhe kjo është
e rëndë, sepse një njeri që s’pranon të vihet në diskutim, vuan nga një delir
madhështie me rreziqe jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Kjo situatë
psikologjike më kujton një thënie të Lacanit: “Një njeri që kujton se është
mbret është i çmendur, por një mbret që kujton se është mbret është edhe më i
çmendur.”
Hipoteza e
dytë: Rama
e konsideron Partinë Socialiste si një fole nepërkash dhe nuk ka besim të hyjë
në zgjedhje për kryetar sepse mund ta presin në besë e të mos e zgjedhin. Që
ka në atë parti njerëz që janë aty jo në
sajë të Kryetarit, por në sajë të meritave të një kohe kur Kryetari s’ka qenë
aty, kjo dihet. Por që Rama të ketë kaq frikë prej tyre kjo nuk mund të
shpjegohet me realitetin e PS, por me atë se si përthyhet në psikikën e Ramës
gjendja e PS. Duket se ai gjithnjë e më pak u beson të vjetërve. Në këtë
kontekst pastrimi i PS nëpërmjet
rilindësve - gardistë të kuq të kujton kohët e fundit të Hoxhës kur ai e
lenkaçukëzoi Partinë, duke e mbushur me të rinj që nuk kishin asnjë meritë
tjetër përveçse ishin zgjedhur nga udhëheqësi për shkak të adhurimit ndaj
tij. Që edhe kjo po ndodh është e
vërtetë - duke shtuar se përveç gardistëve të kuq, që kanë mësuar përmendësh
gjuhën që duan perëndimorët të dëgjojnë për t'u treguar se PS po rinovohet
(histori kjo e vjetër sa mosha politike e Pandeli Majkos dhe Ilir Metës) -
duhen shtuar edhe gardistët e zinj të krimit e trafikimit që e përdorin Zorrën
e PS për të larë veprat e paratë e tyre të pista. Por, megjithatë, sipas kësaj hipoteze, frika ndaj të tjerëve
që mund të kenë ndonjë mendim kritik apo që mund të tregojnë një minimum
dinjiteti e personaliteti mbetet për mua irracionale.
Pra, nëse do t’i
bashkojmë të dy këto hipoteza, që, në fakt, nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën,
- si përgjigje ndaj pyetjes se pse nuk pranon Rama zgjedhje të kryetarit -
dalim në përfundimin se kemi të bëjmë më një anë me delirin e madhështisë dhe,
më anë tjetër, me maninë e persekutimit të Kryetarit si bashkimi më i
rrezikshëm për një udhëheqës, sepse një njeriu me mendje të tillë nuk mund t'i
lihet në dorë as familja e vet e jo më një parti e aq më pak i tërë shteti.
Pyetja e dytë
Por Blushi, si test, nuk
vlen vetëm për të ngritur pyetje lidhur me gjendjen mendore të Ramës. Ai vlen
si test për të ngritur pyetje edhe për gjendjen mendore të familjes socialiste
që shërben edhe si një test për gjendjen mendore - kulturore të të gjithë
shoqërisë - sepse është elita e kësaj partie që po e drejton vendin. Pyetja që
ngrihet është: si ka mundësi që ndërkohë që Kryetari jep përditë shenja të
dukshme arrogance, deliri dhe mospërfilljeje të çdo mendimi kritik, duke
arritur deri atje sa nuk pranon të bëhet zgjedhje e kryetarit, numri i atyre që
i thonë në Parti "jo, s'të lejojmë deri këtu" ka shkuar drejt zeros?
Çfarë ndodh në atë familje? Pse po zhduken njerëzit e fundit, që mendohet se
mund të kenë një mendim të vetin kritik
qoftë për demokracinë e brendshme në këtë parti, qoftë edhe për mënyrën
se si po qeveris Rama? E më gjerë: si
është e mundur që kaq shumë shqiptarë jetojnë me spektaklin e gënjeshtërt, prej
mashtruesish, të dhunshmish e mitomanësh që u ofrojnë përditë njerëz si Rama
dhe mediet e tij dhe, edhe kur i njohin si të tillë, (mjaft të kesh parasysh
premtimet elektorale) u nënshtrohen
gjithnjë e më shumë në vend se të indinjohen gjithnjë e më shumë? Këto pyetje
ndaj gjendjes mendore të PS-së janë si faqja tjetër e medaljes për të kuptuar
realitetin psikologjik dhe kulturor shqiptar.
Si përgjigje disa mbeten
tek konstatimi se ashtu si është katandisur Partia Socialiste, më një anë e
kapur nga oligarkët e mediet e Ramës, më anë tjetër me njerëz të
depersonalizuar, që s’kanë hall tjetër veç bizneset e tyre që varen nga
qeveria, me të rinj që s'mund të sigurojnë të ardhme po nuk u futën në ndonjë
parti, nuk ka shans tjetër. E megjithatë, në përgjigje të këtyre pyetjeve, unë
ngulmoj se të arrish deri atje sa të mos kesh kurajë të kërkosh zgjedhje është
diçka që e kapërcen këtë kondicion dhune strukturore që ushtron sistemi. Kjo
nuk është thjesht çështje frike nga Rama. Kjo është edhe çështje kondicioni
mendor, çështje e kulturës së raportit të njeriut me tjetrin dhe me veten. Kjo
flet për njerëz që as nuk e dinë se çdo të thotë të kesh ideale, individualitet
dhe personalitet, dinjitet dhe mendim të vetin: me një fjalë respekt për veten
që nënkupton edhe respekt për tjetrin. Kjo do të thotë që përgjegjësitë që
duhet të zhvillojë njeriu ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes me rritjen dhe
pjekurimin, t'i lesh në duar të të tjerëve; dmth., të mbetsh në gjendjen e një
fëmije të papërgjegjshëm.
Ky kondicion kulturor,
nga pikëpamja psikologjike, mua më ngjall fantazmën e asaj kohe, prej nga
vijmë, kur Enver Hoxha edhe kur po zhdukte bashkëpunëtorët e vet më të afërt me
akuza që askush nuk i besonte, madje edhe kur ishte kthyer në një kufomë të
gjallë, askush nuk guxonte të ngrihej të thoshte një gjysmë fjale për
marrëzirat dhe krimet që po bënte, jo thjesht ndaj njerëzve rrotull tij, por
ndaj krejt vendit.
Dikush do të thotë se po
e ekzagjeroj apo do të më citonte atë thënien e njohur se historia përsëritet
një herë në formë tragjedie, të dytën si farsë. Por nuk është kështu. Sigurisht
nuk jemi në kohën e kampe - burgjeve, por as nuk mund të qeshim si me një farsë
duke parë tragjeditë dhe padrejtësitë që po prodhohet ndaj shqiptarëve përditë.
Thënia se historia përsëritet herën e dytë si farsë i përket një kohë kur
mendimi njerëzor pranonte se fatet tona ishin të determinuar nga një ligjësi
historike, përtej vullnetit njerëzor. Por, që kur njeriu zbuloi se fatet e së
ardhmes së tij vareshin nga ai dhe se ai nuk varej nga asnjë lloj determinizmi
historik (për të perifrazuar Karl Poperin)
ky vështrim optimist i botës, i bazuar mbi mitin e progresit, nuk
qëndron. Historia ka treguar dhe po tregon se ajo mund të bjerë pre e tekave të
të marrëve të radhës që mund të shkaktojnë tragjedi pas tragjedie edhe pse në
forma të ndryshme e se vetëm popujt që mësojnë nga përvoja e gabimeve të së
shkuarës mund t'i evitojnë përsëritjet e këtyre tragjedive.
Ajo që po ndodh sot me
Shqipërinë, që po trajtohet si një makinë që, pasi e përdorën, deri në ezaurim,
Berisha me shokë, ia lanë në dorë Ramës me shokë, që e kanë çuar në varreza ku
po ia shesin pjesët copa copa, për t'i futur lekët në xhepat e tyre, është
tragjedi, nuk është farsë. Njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë sa
s'është vonë ndaj këtyre të marrëve. (Panorama, 2 shkurt 2016)
No comments:
Post a Comment