“Qeveria teknike
është kusht i patjetërsueshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme
dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të reformës së vërtetë në drejtësi, sipas
përcaktimeve kushtetuese”. Ky është pak a shumë formulimi i kërkesa e
çadrës së opozitës. Ndërkaq ky formulim shoqërohet edhe me deklarata të
herëpashershme të Bashës që i drejtohet Ramës duke i thënë: “E vetmja
alternative është ikja jote dhe e banditëve të tu me para të pista”
Nuk do shumë mend për të kuptuar se ka
një mospërputhje në këto dy prononcime. Thënë ndryshe duket se treni i pozitës
kërkon të ecën mbi dy palë shina. Njëra është ajo e “qeverisë teknike” që presupozon
kushte për garë të barabartë zgjedhore midis opozitës dhe “Ramës e banditëve të
tij”, por që nuk e përjashton Ramën&Co nga politika. Sipas këtij opsioni ai
edhe mund të fitojë e të qëndrojë në pushtet. Por, sipas shinës së dytë, Rama
është në krye të një bande me kriminelë, dhe alternative e vetme është që këta të
largohen njëherë e mirë nga politika dhe të përgjigjen përpara drejtësisë,
sepse një bandë kriminelësh s’mund
të quhet opozitë.
Atëherë çfarë synojnë realisht
demokratët?
Po t’i referohesha precedentëve historikë
qeveria teknike më kujton më së shumti vitin 97 kur kjo ishte një kërkesë e
opozitës që më së shumti e shihte si hapi i parë i lëshimit të pushtetit nga
ana e Berishës. Ishte “pika” ku opozita kërkonte të mbështeste levën për të
rrëzuar në fakt Berishën dhe njëherësh për të treguar përpara ndërkombëtarëve
se këtë kërkonte ta bënte në mënyrë institucionale, me zgjedhje, jo me dhunë.
Në fakt u bë një qeveri e “pajtimit kombëtar” që e zhyti vendin në kaos e që
vetëm pajtim nuk bëri, as zgjedhje të ndershme s’mund të kishte në ato kushte,
por pushteti i kaloi opozitës pas zgjedhjeve.
Duke pasur parasysh se protesta e
opozitës aktuale nuk e ka dimensionin dramatik që krijoi rënia e piramidave,
mund të them se i ngjet më shumë protestës së vitit 2010 kur PS në opozitë asaj
kohe u fut në një grevë urie në një çadër mu përballë kryeministrisë për të
kontestuar manipulim të zgjedhjeve me parullën “o hap kutitë o ik”. “Pika” e
saj për të mbështetur levën ishte e drejta për të hapur kutitë e votimit që,
nëse do të hapeshin mund të provonin shkelje çka do të çonte në zgjedhje të
reja e rrëzimin e Berishës.
Në protestën e sotme është qeveria
teknike “pika” ku opozita kërkon të mbështesë levën për të përmbysur Ramën. Edhe
përdorim i termit “Republika e dytë” apo Republika e re” nga protestuesit
nënkupton përmbysje, një
riformatim institucional. Por ky fillim kërkohet duke u përdorur mjete që çojnë
tek zgjedhjet.
Jemi pra në një lojë ku një këmbë opozita
e mban në terren institucional një tjetër në terren jashtëinstitucional. Në
thelbin e vet ky dualizëm kontradiktor buron nga fakti se këta 25 vjet politika
jonë ka operuar me një strategji të dyfishtë. Më një anë ajo ka përqafuar, në
bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndërtimin e shtetit të institucioneve
demokratike, por, më anë tjetër, këta institucione i ka përdorur thjesht si
fasadë institucionale prapa të cilës ka punuar në forma jashtëinstitucionale
nëpërmjet luftës midis klaneve të forta që synojnë të kontrollojnë të gjitha
pushtetet edhe ekonomike edhe ekzekutive edhe mediatike, vjedhjes apo blerjes
së votës, bashkëpunimit me krimin, korrupsionit, kientelizmit etj. Ky dualizëm është pranuar si një
situatë tranzicioni ku ajo që e quajta “fasadë institucionale” është
konsideruar si një kornizë që pak nga pak do të kthehej në një strukturë
gjithjë e më formësuese e shtrënguese. Por ky tranzicion tashmë mund të quhet
sëmundje kronike që së fundi po kalon në një krize të rëndë degjenerative me
rrezik rënien e fasadës.
Në një vend ku ekziston shteti
institucional i së drejtës një kryebandit në krye të banditëve dhe kriminelëve
nuk do të mund të ngjitej në krye të qeverisë. Por edhe sikur kjo të ndodhte,
ngaqë lidhjet kriminale nuk do të ishin të njohura, apo sepse do t’i vendoste
këto më vonë, kur këto të
mësoheshin do të vihej në lëvizje drejtësia dhe këta do të arrestoheshin. Sikur
të mos mjaftonte kaq do të vihej në lëvizje protesta e ndihmuara edhe nga
mediet. Pra po të ishim në këtë nivelin protesta më e llogjikëshme e opozitës
do të ishte ajo që do t’i nxirrte njerëzit tak çadra dhe, e mbështetur mbi një
numër akuzash të drejtuara në Prokurori, do t’i thoshte kryeministrit dhe të
tijve: ose jepni dorëheqjen që prokuroria dhe gjykatat të jenë të pandikuara
nga pushteti juaj kur t’ju hetojnë dhe gjykojnë, ose ne nuk lëvizim që këtej.
Opozita mund të ndalte edhe këtu, mirëpo
ajo s’ka ndalur pasi ne jemi edhe më keq. Drejtësia jonë as nuk mund të
imagjinohet të veprojë ndaj shkeljeve të ligjit nga Kryeministrat dhe ministrat
e tyre dhe aq më pak të hetojë për lidhje të tyre me njerëz që janë marrë në
Perëndim me trafiqe droge e prostitucion e që sot janë në pushtet e Parlament.
Prandaj, në këto kushte, ajo ka kaluar njërën këmbë në terren
jashtëinstitucional, bojkoton Parlamentin, kërkon qeveria teknike që është
barazi me deklarim gjendjeje të jashtëzakonshme, destabilizuese.
Sikurse dihet krizën e 2010-ës për të na
nxjerrë nga gjendja e jashtëzakonshme ndërhynë ndërkombëtare në favor të
qeverisë së asaj kohe. Rezultati ishte ruajtja e fasadës ndërkohë që prapa saj
vazhdoi intensifikimi i punës jashtëinstitucionale. Edi Rama arriti ta përmbysë
pushtetin e Berishës me zgjedhje pas tre vjetësh, (siç del duke u mbështetur
fort edhe tek puna prapa fasadës e krimit e njëherësh duke bashkëpunuar me një
forcë si ajo e Metës që e njeh mirë këtë lloj loje të dyfishtë.) Por ajo çka
bëri nuk ishte puna për të ndërtuar shtetin e institucioneve kundër “shtetit”
prapa fasadës. Përkundrazi e
intensifikoi maksimalisht punën prapa fasadës me kanabizim të ekonomisë,
me bashkëpunim me kriminelë, me blerje e mbyllje mafioze mediesh kundërshtare e
njëherësh duke bashkëpunuar apo
manipuluar ndërkombëtarët për të ruajtur fasadën, siç është edhe propaganda me
reformën në drejtësi. Ajo që kërkon opozita sot është pikërisht demaskimi dhe
shkatërrimi i kësaj pune me
pretendimin se zgjedhjet nuk mund të jenë fasadë e këtij aktiviteti kriminal si
dhe dhe me premtimin e ndërtimit i një strukture shtetërore që të garantojë se
nuk do të ketë punë prapa fasadës. Denoncimi qëndron, premtimi mbetet për
shqiptarët një gjë që ju kujton skenarë mashtrimi të njohur tashmë.
Megjithatë situata nuk është një
përsëritje e skenarit të vitit 2010 kur ndërhynë ndërkombëtarët për të ruajtur
fasadën. Gjendja është shumë më e rëndë sepse brenda tre muajsh ne rrezikojmë
të na bjerë thuajse krejt fasada. Sipas ndryshimeve kushtetuese rrezikojmë të
mbetemi pa institucionet e drejtësisë sepse, ndërsa e vjetra po vdes, e reja ka
lindur e vdekur, sikurse po duket qartë me zhvillimet e fundit. Ne rrezikojmë
të mbetemi edhe pa President që është edhe ai pjesë e fasadës, edhe pa zgjedhje
që janë edhe ato pjesë e fasadës, ashtu sikurse edhe pa Parlament dhe pa
qeveri. Këtë rënie të fasadës e ndihmon shumë edhe fakti se ndërkombëtarët nuk
kanë më autoritetin që kanë pasur për ta rivendosur atë sepse kanë neglizhuar
në mënyrë dramatike të shohin e luftojnë punën e mbrapshtë që bëhet pas saj nga
qeveritë me të cilat janë bërë gjithmonë aleate. Dhe rënie e fasadës do të
thotë dalje lakuriq ose nën pushtetin e krimit ose në kaos.
Situata kërkon urgjentisht një pakt
politik sa më të gjerë për të dalë nga ky rrezik, por, njëherësh, një pakt që
të mos jetë përsëritje e atyre që na kanë sjellë në këtë gjendje. (Panorama,
9 mars 2017)
No comments:
Post a Comment