Wednesday, November 22, 2017

Rreziqet e kalimit nga regjimi mediatik tek narkoregjimi

Gazetat dhe portalet tona ndahen kryesisht në tre seksione të mëdha lajmesh. Njëri është seksioni i politikës: çfarë bëri Rama, çfarë tha Basha, çfarë denoncoi Berisha si po sillet Ilir Meta, korrupsioni i radhës, skandali i radhës, ambasadori i radhës, etj.; tjetri është ai i kronikës së krimit dhe asaj të zezë: drogë, drogë, drogë e kapur, thuajse një vrasjeje në ditë, në familje, me tritol me kallashnikov me pistoleta, me makina, në këmbë, në shtëpi etj.; e treta janë kronikat rozë dhe ndjelljet seksuale të mbushura me bythë, cica, zogun, mënyrat e bërjes seks etj.
I trajtojmë sikur u përkasin tre botëve të ndara, por nuk është kështu. Në fakt këta tre seksione janë tre faqe të një realiteti të vetëm. Për të bërë lidhjen (do ndalem tek ajo midis kronikës së krimit të zi dhe të zezës politikë) po i referohem kohës së regjimit komunist. Ata që e kanë jetuar e dinë se në mediat e asaj kohe nuk figuronte kronika e krimit dhe ajo e zezë. Nuk flitej për vrasje, as për vjedhje, as për përdhunime apo prostituime. Mos vallë sepse nuk kishte? Jo, por sepse pretendohej se nuk kishte, sepse kronika e zezë e krimit ishte një nga pasqyrat e gjendjes reale sociale, ekonomike, kulturore të shoqërisë dhe diktatorëve nuk u pëlqente kjo, por pasqyrimi i realitetit të mrekullueshëm që ata, medemek, kishin ndërtuar.
Tani ne “fatmirësisht” e kemi kronikën e krimit. Çfarë çudirash nuk sheh, dëgjon e lexon përditë. Së fundmi më ka mbetur në mendje një lajm sipas të cilit bandat e shqiptarëve janë ato më të frikshmet në Britani, pasi nuk e kanë problem (moral) të rrëmbejnë e masakrojnë një pensionist të moshuar për vetëm 200 paund si dhe lajmi sipas të cilit  Habilajt nuk janë banda më e fortë në Vlorë, por se ka disa të tjera që janë shumë më të forta.
Një pyetje ngrihet: si ka mundësi që politikanët tanë, kur janë në pushtet, nuk i shqetëson fare ajo që i shqetësonte diktatorët dje: se kronika e zezë e krimit ishte tregues i faktit se ata nuk kanë ndërtuar më të mirën e botëve? Si ka mundësi që nuk mendojnë për asnjë çast se autorët e vrasjeve, përdhunimeve, trafikimeve, hedhjeve në erë, plaçkitjeve me maska, pa maska, nuk janë marsianë, as personazhe filmash të Hollivudit, por shqiptarë që janë rritur dhe edukuar në Shqipërinë e qeverisur prej tyre?
Sikur të ishte e vërtetë se Rilindja me në krye Kryeministrin po përpiqet vërtet të na rilindë, tek ky aspekt do të duhej të përqendrohej fort. Sepse rilindje do të thotë më së pari përpjekje për të na nxjerrë nga balta e krimit. Pra ata s’do t’i zinte gjumi kur të dëgjonin kronikën e zezë të krimit. Pale çfarë do të bënin kur t’u dilte dora vetë, ministri i tyre i brendshëm, si pjesëtar i një bande mafioze. Mirëpo çfarë ndodhi, e zeza Rilindje dhe i ziu kryeministër na dolën me tezën se kemi të bëjmë me krijime të madiave të “kazanit”, të gazetarëve që “shajnë” Shqipërinë sepse kushedi se cili armik i jashtëm i paguan.

***
Duke u nisur nga absurditeti i këtyre akuzave një pjesë gazetarësh kanë hedhur idenë se ato janë bomba tymuese që hedh kryeministri për të shmangur vëmendjen e opinionit nga skandali ku është përfshirë direkt dhe indirekt edhe vetë. Do të isha shumë i qetë po të qe kështu, por për fat të keq, mendoj se duhet të jemi shumë më të shqetësuar për veprimet e Kryeministrit ndaj mediave. Veprimi i tij ndaj mediave, ashtu sikurse edhe vendimi për të mbrojtur Sajmir Tahirin nga arrestimi, megjithë provat flagrante, tregon se Rilindësit, me në krye Ramën, janë të vendosur të ruajnë paprekshmërinë e tyre. Dhe paprekshmëria ruhet duke ruajtur pushtetin. Pyetja që shtrohet është: deri ku mund të shkojnë në këtë tentativë? Të ashtuquajturat bombat tymuese për të tërhequr vëmendjen janë shumë pak në këtë aspekt. Agresiviteti i Edi Ramës ndaj mediave dhe gazetarëve të veçantë jep shenja të qarta se ai po shkon shumë më tej. Ai po tregon se sikur të kishte pushtetin që i jepte diktatorit Hoxha sistemi njëpartiak i komunizmit, do ta kishte ndaluar fare edhe kronikën e zezë të krimit madje do t’i detyronte mediat të pasqyronin vetëm realitetin e tij.
Por fakti që nuk e bën dot këtë nuk do të thotë se jemi të imunizuar nga të këqija dhe rreziqe të tjera.
***
Përpara se të hyj tek rreziqet më duhet të ripërsëris se, ashtu siç është e gabuar ta mendojmë regjimin e djeshëm punë të një njeriu të vetëm, Enver Hoxhës, po ashtu është  gabuar ta shohim regjimin e sotëm punë të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.  Kjo do të thotë të shfajësosh shumë fajtorë që direkt dhe indirekt janë të interesuar që të mbahet në këmbë ky regjim. Pa mbështetjen e tyre ai mund të binte që nesër. Prandaj edhe rreziqet duhen parë si rreziqe që na vijnë nga i gjithë ky kontingjent.
***
Sipas gjykimit tim kjo që po ndodh me sulmin e Ramës ndaj mediave - edhe ndaj atyre që deri dje e kanë mbështetur - flet për kalimin në një fazë tjetër të regjimit. Duke përdorur terma tashmë të njohura do të thoja se po asistojmë në kalimin nga regjimi mediatik tek narkoregjimi. Me regjim mediatik kam parasysh se, duke filluar që nga viti 1997 e deri në legjislaturën e fundit Rama, klasa jonë politike, për të sunduar dhe përfituar, ka punuar kryesisht nëpërmjet lidhjes me mediat dhe oligarkët pronarë mediash. Deri disa vite më parë oligarkët pronarë mediash pasuroheshin nëpërmjet ndërtimit duke përdorur mediat, por duke thithur kryesisht paratë e emigrantëve. Me Ramën kryeministër kemi një “hop cilësor”. Paraja e madhe e krimit po merr rolin kryesor në mbajtjen në këmbë të pushtetit. Kështu psh. kullat që projektohet të ndërtohen nuk justifikohen veçse me para të pista. Banka e Shqipërisë tek raporti i politikës monetare (2017) flet për ulje të kërkesave për kredi “si pasojë e përdorimit të burimeve alternative  të financimit jashtë sistemit bankar”. Në këto kushte pronarët e mediave, pjesërisht pasi ky realitet nuk fshihet dot pasi dalin përditë zbuluar nga portalet e shumta dhe pjesërisht pasi bizneset e tyre po varen gjithnjë e më shumë nga paraja e krimit, kanë dalë në plan të dytë si instrumente pushteti. Rama provoi ta mbulojë këtë realitet të ri mediatik duke shumëfishuar mediat dhe portalet e tij. Pastaj krijoi një televizion të vetin. Duke mos mbetur i kënaqur sot po konsumon shumë shpejt një fazë që po prodhon më së shumti efekt negativ: delegjitimimi dhe denigrimi i gazetarëve që flasin për këtë realitet. Por a mund të ndalë këtu? Shenjat janë dukshëm që jo. E këtu vijmë tek rreziqet e ardhshme që, po nuk i ndalëm me kohë, mund të prodhojnë një realitet shumë më dramatik. Le të mos harrojmë se prapa Ramës tashmë nuk janë vetëm oligarkët dhe gazetarët vrasës moralë të paguar prej tyre, por edhe narkotrafikantët dhe ushtarët e tyre, vrasës fizikë. Narkoregjimi është faza e pastrimit të parave të krimit nëpërmjet çimentimit të lidhjeve  të politikës me oligarkët me kriminelët ku këta të dytët bëhen gjithnjë e më vendimtarë. Prandaj denoncimi dhe sulmi ndaj krimit si dhe investigimi ndaj tij sot përjetohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij si sulm ndaj shtyllës kryesore të regjimit. Ja pse në këtë moment vijmë në nevojën e diktatorëve të djeshëm për ta zhdukur fare nga faqet e mediave kronikën e zezë të krimit. Mirëpo kjo nuk arrihet dot në gjeopolitik ku jetojmë. Atëherë rreziku është që shumë shpejt të kalojmë në faza që i ka kaluar vende ku ka sunduar mafia siç është psh. Siçilia e viteve 80 kur Andreoti kryeministër thoshte se në Siçili nuk ekziston mafia dhe vriteshin gazetarë dhe prokurorë.
Duke perifrazuar një thënie famëkeqe të komunistëve për pushtetin do të thoja e Edi Rama & Co po japin përditë sinjalin se me krim e kanë marrë dhe me krim do ta ruajnë pushtetin.  Ndalimi i këtyre rreziqeve kërkon veprim sa nuk është vonë për shkatërrimin e narkoregjimit me kurajo, bashkim dhe largpamësi. (Panorama, 16 nëntor 2017)

No comments: