Pas publikimit nga opozita të vendimit të dënimit në Itali të vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj, pastaj të një dokumenti që sipas saj provon se maxhoranca në mënyrë të njëanshme e gati të fshehtë ka ndryshuar një nen të Kodit Penal, që pengon ekstradimin e vëllait të ministrit, si dhe të një audioje që provon se vëllai i ministrit vazhdon ende të ruajë lidhjet me krimin, Edi Rama doli më në fund, me një qëndrim ndaj gjithë këtyre akuzave.
Kryefjala e qëndrimit të tij ishte se kemi të bëjmë me akuza të montuara nga ana e opozitës, e cila po punon kundër interesit të shqiptarëve, duke i quajtur eksponentët e saj “vulëhumbur pa atdhe” dhe duke u shprehur se kjo “maskaradë destabilizuese meriton përgjigje të qartë edhe në rrafshin e ndëshkimit penal”. Për sa i përket audios, që është pika më e nxehtë e denoncimit, Rama tha se, për të marrë vendimin e tij politik, e ka çuar atë në një laborator ndërkombëtar për t’i bërë ekspertizë, ku është provuar se ajo është e rreme. Tani, sipas tij, i mbetet Prokurorisë që të vërë vulën që është kështu dhe atëhere shpifësit duhet të shkojnë në burg.
Ky deklarim i fundit rreth audios është tejet i rëndë dhe tejet i rrezikshëm. Kryeministri thotë se e paska një ekspertizë, por pa na thënë se cili është laboratori që e ka bërë dhe çfarë kredibiliteti ka ky laborator. Sepse kjo na kujton një histori të mëhershme, kur Kryeprokurorja Ina Rama kërkonte nga laboratorët e huaj të SHBA të bënin ekspertizën e plumbave të 21 janarit, sepse nuk kishin besim tek ekspertët e brendshëm që ishin nën kontrollin e ish-Kryeministrit Berisha, sepse ata vareshin nga Ministria e Brendshme. Por atëherë, kërkesa u bë publike të paktën dhe u desh një kohë të vijë përgjigja. Pyetja që ngrihen në këtë rast është: çfarë qenka ky laborator që i sillka përgjigjet brenda natës, sikur të punoka nën urdhrat e Ramës? A mund të provohet autenticiteti i audios në kushtet e këtij presioni të fortë nga ana e pushtetit, ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm nuk jep dorëheqjen? A mos kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e manipulimet e radhës të Ramës, të cilat duhet t’i provojë Prokuroria e kapur si të vërteta?
Kur ngre pyetjen se cila është më e besueshme, vërtetësia e audios apo vërtetësia e laboratorit të Ramës, e kam të vështirë të mos mendoj se më shumë gjasa ka që të kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e radhës së Ramës. E them këtë, duke pasur parasysh shumë përgënjeshtrime që ka bërë Rama me të njëjtën forcë fjalësh kur avionët e drogës i kthente në dezinfektues mushkonjash dhe tallej me opozitën, apo rastin Zagani, për të cilin mobilizuan edhe Prokurorinë që ta fusnin në burg si shpifës, ndërkohë që doli se ai thoshte të vërtetën për Tahirin dhe lidhjet e tij me trafikantët. Por e them këtë, edhe pse kohët e fundit Ramës po i del thuajse përditë nevoja për të gënjyer gjithnjë e më trashë, kombinuar kjo me nevojën për të akuzuar gjithnjë e më trashë të tjerët si gënjeshtarë dhe shpifës. Vetëm dy ditë më parë, kur doli skandali i vendimit të vëllait të Xhafajt, ai deklaroi në Torino që protestuesit atje gënjenin sepse vëllai i ministrit ishte në burg tashmë. Le të kujtojmë edhe akuzat ndaj deputetëve gjermanë, të cilëve u tha me plot gojën “gënjeshtër, gënjeshtër”, për gjëra për të cilat ata ishin shumë mirë të informuar. Dhe gjithmonë motivi i gënjeshtarëve lidhet me vullnetin e tyre të keq dhe armiqësor për të prishur imazhin e Shqipërisë. Ky është qëndrimi edhe kësaj here: akuzë totale ndaj të tjerëve, mbrojtje totale ndaj vetes, pa pranuar asnjë përgjegjësi, as politike, as morale, pale ligjore.
Cili është thelbi i këtij qëndrimi të Ramës, që po trillon përditë gënjeshtra lehtësisht të vërtetueshme si të tilla, por edhe po na fut në një qorrsokak të rrezikshëm sepse po heq çdo mundësi dialogu dhe korrigjimi të punëve të mbrapshta? Gjykoj se në thelb kemi të bëjmë me kriza që vijnë nga rëndimi i sëmundjes së tij psikike, që po manifestohet gjithnjë e më rëndë si kriza politike e vendimmarrjeve të tij të mbrapshta dhe anasjelltas.
Them kriza psikike pasi, sipas studiuesve që merren me sëmundjen e çrregullimeve të narcizizmit pervers që ka Rama, personi që e gjen të keqen gjithnjë te të tjerët, që i akuzon ata se vetëm gënjejnë kur thonë ndonjë gjë kundër tij apo punëve të tij, është në një hall të madh psikologjik. Sipas këtyre studiuesve, narcizizmi pervers, si sëmundje, manifestohet në formën e krijimit nga i sëmuri të një imazhi të rremë të vetvetes, të një “uni glorioz” – si nevojë vetëmbrojtjeje psikologjike ndaj dobësive dhe pasigurive që ka thellë vetes – dhe problemi i problemeve të tij është se ai lufton ta mbajnë në këmbë me çdo çmim këtë imazh, edhe duke gënjyer, intriguar, mashtruar, manipuluar, pasi rënia e këtij imazhi i shkakton një rënie të padurueshme psikologjike. Ndërkaq, problemi ynë është se këto kriza të imazhit të Ramës po bëhen gjithnjë e më shumë kriza politike të imazhit të Shqipërisë dhe anasjelltas. Duke qenë Kryeministër i vendit, imazhi i rremë i vetvetes që ka ngritur Rama identifikohet gjithnjë e më shumë me imazhin e rremë të Shqipërisë që propagandon se ka ndërtuar. Ai kërkon ta mbajë në këmbë me çdo kusht këtë Shqipëri të rreme, sepse kështu mban në këmbë imazhin e rremë të vetvetes. Kush cënon këtë imazh, kërcënon një rënie të dyfishtë të Edi Ramës, psikologjike, por edhe politike, sepse këto të dyja janë bërë tashmë dy anë të së njëjtës medalje – po të kesh parasysh se për të mbajtur në këmbë imazhin e rremë të vetvetes, i duhet medoemos pushteti politik që mbahet në këmbë nga imazhi i rremë i Shqipërisë.
Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, që duhet eliminuar sa nuk është vonë (në fakt ka kohë që është vonë), për dy arsye kryesore: së pari, pasi përdorimi i mjeteve të tilla si njerëzit dhe paratë e drogës dhe të krimit, propaganda në vend të punës, gënjeshtra në vend të së vërtetës do të intensifikohen për të mbajtur në këmbë imazhin e një Shqipërie të rreme, me pasojat që merren me mend; së dyti, pasi kushdo që do të kërkojë ta denoncojë e të thotë të vërtetat e kësaj Shqipërie të rreme, do të ndeshet gjithnjë e më shumë me akuzat të egra kërcënuese dhe frikësuese si ato që lëshoi Kryeministri ditën e mërkurë kur paralajmëroi se “vulëhumburit pa atdhe”, që s’po lenë gur për të prishur imazhin e Shqipërisë, do të përgjigjen së shpejti para drejtësisë (së tij)./ Panorama, 16 maj 2018)
No comments:
Post a Comment