Friday, June 29, 2018

Fevziu, Vllahutin dhe Progres Raporti

Para fillimit të Kampionatit Botëror në korridoret mediatike gëluan komentet mbi ikjen e mundshme  të Fevziut nga Klani me argumentin se ky televizion ka degraduar në cilësinë e programeve të veta, çka e bënte Fevziun të mos ndjehej mirë në atë ambient. E vërteta është se ky argument nuk bindi kërkend. Sikur ai të mos ishte thënë fare filloi thashethemnaja : « A do të ikë vërtet apo jo; pse po ikën, ku e ka hallin ? » Fakti që vetë Fevziu u kujdes ta bënte publike « dilemën » e tij e ushqeu edhe më shumë këtë thashethemnajë. Më cinikët thanë se kjo ishte një formë shantazhi ndaj Frangajt për të rritur rrogën.  Të tjerë se Fevziu nuk e bënte për lekë, por për influencë, pasi Rama, ndryshe nga Berisha, tashmë nuk mban asnjë lidhje me të, por të gjitha « problemet » i zgjidh me Frangajn dhe Zamirin. Disa thanë se e bënte thjesht për protagonizëm. Nuk mungoi teza se kjo mund të jetë shenjë deliri në rritje e Fevzos ashtu sikurse ajo se ai po nxiton të braktisë anijen e Sandrit dhe Zamirit pasi ka parandjerë furtunën që do t’i fundosë oligarkët dhe, në këtë rast, u fol edhe për një shitje të mundshme të shtëpisë në Rolling Hills.
Nuk i rreshtova këto teza për tu marrë me to dhe Fevziun, por për të venë në dukje se zurnaja e tyre mbuloi heshtjen rreth argumentit mbi degradimin e Klanit, zëvendësoi mungesën e kërkimit të shkaqeve të degradimit nga Fevziu si dhe të përgjegjësisë që kemi të gjithë ne që kemi punuar në Klan për këtë degradim. Edhe kur u morr vesh se Fevziu i kishte dhënë fund dilemës, duke mbetur në Klan, askush nuk ngriti pyetjen nëse ai kishte nënshkruar ndonjë kontratë me Frangajn për përmirësimin e programeve apo kishte bërë thjesht kontratë page. Pastaj filloi Kampionati Botëror dhe ne filluam të merremi me atë se cili është   më i mirë Ronaldo apo Messi.
Nuk do të isha ulur as unë të shkruaja këtë shkrim sikur të mos më kishte ngacmuar në fillim një lajm dhe pastaj një intervistë e zonjës Vllahutin për Lapsi.al. Lajmi qe ai se Edi Rama ka përgatitur një projektligj sipas të cilit, për të përmirësuar cilësinë e televizioneve private, do të rriste taksat tona. Kurse intervista e zonjës Vllahutin më tërhoqi vëmendjen pasi thoshte se ky projektligj i dukej « i pazakontë », « i çuditshëm » po t’i referoheshe praktikave evropiane. https://lapsi.al/2018/06/21/vlahutin-per-lapsi-al-tv-te-private-nuk-mund-te-financohen-me-parate-e-taksapaguesve/
Nuk mund të mos i lidhja këto dy lajme me rastin Fevziu dhe të mos i rikthehesha edhe një herë një çështje thelbësore : atë nëse Shqipëria e Ramës ka bërë progres, siç thotë raporti i BE-së që zonja Vllahutin përfaqëson në Tiranë, apo jemi futur në një rrugë « të pazakontë » e « të çuditshme » që e ilustron edhe projektligji në fjalë.
***
Të gjithë e pranojnë se një nga treguesit kryesorë të progresit është ecuria e medieve. Çfarë do të thoshte për këtë debati i munguar mbi ikjen e Fevziut ? Besoj se, përtej arsyeve që mund ta kenë shtyrë Fevziun, shumica e teleshikueseve dhe gazetarëve pajtohen me pohimin mbi degradimin e Klanit që nuk është thjesht dhe vetëm problem i programeve të argëtimit, ku e vuri theksin Fevziu, por mbi të gjitha i cilësisë dhe vërtetësisë së lajmeve, i mungesës së investigimit, i debatit politik gjithnjë e më fals e shterp, ku peshën kryesore e ka vetë programi i Fevziut. Me fjalë të tjera i misionit që duhet të ketë një medie.
Po cili është shkaku? Kjo është çështja. Sepse vetëm kur dimë shkakun mund të gjejmë edhe terapinë. Fevziu i bishtnoi kësaj pyetjeje, sepse, sipas meje, përgjigja nuk i intereson, jo pse nuk e di. Ashtu turbull ai përçoi idenë se fajtori i këtij regresi ishte ekskluzivisht pronari Frangaj, por pa na e shpjeguar se çfarë ka ndodhur: kemi të bëjmë thjesht e vetëm me individin Frangaj apo me një sistem mediatik të ngritur në Shqipëri të destinuar të degjenerojë. 
Në këtë pikë të shkrimit më duhet të ve në dukje se tash e mbrapa kur flas për Klanin kam parasysh edhe Top Chanellin si televizion kombëtar, por edhe mediet në tërësi.
***
Për të kuptuar shkakun e degradimit do të na duhet patjetër ta kthejmë kokën prapa sepse vetë termi degradim nënkupton një gjendje në raport me një të kaluar. E pra, dua t’i kujtoj publikut (dhe në mënyrë të veçantë politikanëve ligjbërës, pronarëve, kolegëve gazetarë dhe zonjës Vllahutin) se ka ekzistuar një kohë kur gjëra si këto, ku na duket gjithnjë e më normale që Klan të varet vetëm nga Sandri, apo që kryeministri Rama të ulet me Sandrin dhe të hartojë një ligj për t’i dhënë atij lekë nga paratë publike, nuk na dukeshin aspak normale. Madje mund të them se as në ëndrrat më të këqija të asaj kohe nuk e kemi imagjinuar se Sandri dhe keqpërdorimi i pushtetit mediatik prej tij dhe Rama e keqpërdorimi i pushteti politik prej tij mund të arrinin deri në këtë pikë.
E kam fjalën për kohën kur kolegët perëndimorë vinin e na mësonin se si të evitohej që mediet të keqpërdoreshin. Le të kujtoj vetëm disa gjëra që sot duken si mbetje arkeologjike. Një nga mësimet kryesore ka qenë ai se politikat editoriale në media duhet t’i hartonte një bord i përbërë nga njerëz të fushës me kompetencë dhe integritet ;  se prej tyre varej cilësia që do ta bënte një medie më të suksesshme në treg duke i sjellë fitime edhe pronarëve të tyre. Dhe kujtoj se nga fundi i viteve 90 dhe fillimi i mileniumit të ri ka pasur borde të tilla. Por, në vend se këta të inkurajoheshin e forcoheshin nën shenjën e progresit, erdhën duke u eliminuar nën shenjën e regresit.  Nëse Klani do të kishte pasur një bord të tillë dhe jo vetëm Sandrin dhe Fevziun, do të kishte tjetër cilësi të programeve dhe tjetër etikë gezetareske.
Po kujtoj gjithashtu se në vitet në fjalë u propozua edhe një projektligj kundër konfliktit të interesit që duhej të ndalonte një pronar gazete apo televizioni të zotëronte edhe biznese që mund ta shtynin të tjetërsonte natyrën e veçantë që ka biznesi mediatik; shërbimin ndaj publikut. Por edhe ky projektligj nuk u bë asnjëherë ligj sepse pronarëve dhe politikanëve, por edhe disa gazetarëve nuk u interesoi dhe zhdukën edhe debatin për të. Përsëri them se sikur Sandri e Fevziu të mos kishin filluar të merreshin me ndërtime e privatizime dhe kthime pronash, por vetëm me Klanin, vërtet do të kishin pasur më pak para e prona, por shoqëria nëpërmjet Klanit do të kishte pasur tjetër cilësi informimi, formimi dhe argëtimi.
Le të shkojmë më tej. Kujtoj gjithashtu se na ishte një kohë kur, për të pakësuar mundësinë që një pronar i vetëm të keqpërdorte median e tij, ne kishim një ligj, të sugjeruar nga përvojat e vendeve demokratike, që u impononte  televizioneve kombëtare tre aksionerë. Dhe kështu lindi Klani. Sigurisht ky ligj nuk siguronte pavarësi perfekte, por ishte më garantues. Po ja, gjithmonë në emër të regresit, erdhi një ditë kur Sandri i hoqi qafe me ndihmën e pushtetit të Berishës dy pronarët e tjerë, që fatkeqësisht ishin me humbësin Nano. Gjithsesi, megjithëse i lidhur ngushtë me Sandrin, Berisha nuk e ndryshoi këtë ligj dhe Sandri u detyrua ta ndajë Klanin me familjarët e tij. Derisa i erdhi rilindësi Rama me të cilin rilindi lidhjet e vjetra dhe ndryshoi ligjin duke bërë që një pronar i të vetëm të mund ta ketë plotësisht në dorë televizionin kombëtar.  Dhe jo vetëm por, në 2016 Gjykata Kushtetuese  i dha të drejtë Sandrit që edhe ABC ta ketë 100% të vetën dhe jo vetëm 40% siç e kishte më parë. 
Po ne gazetarët ç’bëmë përpara këtyre hapave që na ngushtonin qartazi lirinë e shprehjes? Pako gjë për të mos thënë asgjë, për të mos thënë se një pjesë u bënë edhe aktorë në mbështetjen e keqbërësve. 
Pra, kjo historia e projektligjit që i jep Sandrit para të tjera publike, që të shërbejë si megafon i qeverisë, nuk është një rrufe në qiell të kaltërt siç i qënka dukur zonjës Vllahutin, e cila, edhe kur arriti më në fund të shprehte një mosaprovim ndaj një projektligji që ka hartuar Rama, nxitoi ta trajtojë atë si një lapsus që Ministria e Financave e paska korrigjuar në kohë. Jo dhe jo. Këtu s’kemi të bëjmë me një gjë « të pazakontë », por me zakonin e mbrapshtë të procesit të shkallëshkallshëm regresiv të keqpërdorjes së medieve për kapjen e shtetit nga oligarkia. Një zakon që nuk do të ishte bërë dot kurrë i tillë vetëm nga babëzia e Sandrit pa dorën e ligjbërësve keqbërës të politikës dhe pa bashkëpunimin direkt apo indirekt të të gjithë neve që punojmë në media; një zakon që është i lidhur me shumë mbrapështira të tjera që po bën qeverisja që zonja Vllahutin mbështet; një zakon që ka sjellë vetëm një progres: rritjen e xhepave dhe rritjen e pushtetit të atyre që hartojnë këto ligje dhe varfërimin dhe nënshtrimin progresiv të të tjerëve. (Panorama, 26 qershor 2018) 


No comments: