Përgjigjja e Brukselit se
projektligji special “Fusha” për teatrin duhet ndryshuar për t’i hapur rrugën
një gare konkurrentësh iu paraqit publikut në mediat tona kryesisht si lajm. Pati
disa komente që vunë në dukje paturpësinë e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt në
kthesat e tyre 180 gradësh. Shkroi Andi Bushati një artikull ku paralajmëroi se
kjo s’do të thotë fare se teatri ka shpëtuar, por mendoj se ky lajm meritonte të
komentohej shumë më tepër sesa kaq. Madje, të bëhej çështje e çështjeve nga
opozita, që thjesht u mjaftua ta quajë një fitore të saj.
Pse e them këtë?
Sikurse dihet, projektligji për
teatrin është kundërshtuar nga shumë palë në Shqipëri. E kanë kundërshtuar vetë
aktorët, e kanë kundërshtuar intelektualë me emër, pjesë e shoqërisë civile, e
ka kundërshtuar opozita dhe, më në fund, e kundërshtoi me nëntë pika edhe vetë
Presidenti. Argumentet ishin të shumta, që nga nevoja për të ruajtur trashëgiminë
kulturore në zhdukje e deri te denoncimi i shkeljeve flagrante të ligjeve të
vendit me qëllim grabitjen e pronës publike në favor të klientëve të qeverisë.
Po çfarë ndodhi? Ndaj gjithë këtyre kundërshtimeve shumë argumentëshe, Edi
Rama, kryebashkiaku socialist Veliaj, ministrat dhe deputetët rreth tyre (me përjashtim
të Pandeli Majkos) reaguan me mospërfilljen dhe arrogancën më të madhe. Sakaq,
ndaj tentativës për vjedhje nëpërmjet këtij ligji, një organ që pretendon se është
rezultat i Reformës në Drejtësi, Prokuroria, u soll edhe ajo me mospërfillje
ekstreme. Pra, u desh një ndërhyrje e Brukselit që të ndalonte këtë akt “korrupsioni
të pastër” – sikundër thuhet se e ka cilësuar (jo publikisht) edhe një diplomat
i lartë, mbështetës i qeverisë.
Mirëpo, pikërisht për sa thashë më
sipër, ky fakt meriton shumë më tepër sesa komentet e pakta që janë bërë. Sepse
kjo që ndodhi ishte testi më i mirë për të provuar se në Shqipërinë e të
ashtuquajturve rilindës nuk funksionojnë, as minimalisht, ato institucione të
sistemit politik të quajtur demokraci parlamentare me “check and balance” e me
drejtësi të pavarur e me media të pavarura, por thjesht një banditizëm njëpartiak.
Ky test provoi se i vetmi institucion që funksionuaka për të korrigjuar e
kontrolluar maxhorancën shqiptare qenkan ndërkombëtarët. Por a mund të quhet
kjo demokraci? Kurrsesi jo. Ndoshta mund të quhet ndërkombëtarokraci.
Po çfarë tiparesh ka kjo ndërkombëtarokracia
jonë, që, për hir të së vërtetës, ia gjen fytyrën edhe tjetërkund, por që në këtë
palo shtetin tonë ka marrë trajtat më qesharake dhe më të përçudnuara?
Së pari, do të thosha se ndërkombëtarokracia
jonë është pasja e një qeverie që, si një fëmijë i keq, i trembet dhe i nënshtrohet
të fortit jashtë (ndërkombëtarit perëndimor) dhe vjedh, fyen e poshtëron ata që
i ka poshtë (qytetarët e vendit të vet), të cilëve s’u mbetet tjetër veçse të
qahen e të ankohen si fëmijë te prindërit se po i rreh vëllai i madh. Me këtë
sjellje sadomazokiste, që kreu i rilindësve e rrezaton në formë sëmundjeje të rëndë
psikike, vetëm demokraci nuk mund të ndërtohet.
Por problemi nuk mbaron këtu. Përtej
emocioneve, çështja që shtrohet është nëse ndërkombëtarokracia mund të
funksionojë si garantuese e ligjit. Kurrsesi jo. Për këtë do të lipsej një
ndryshim themelor kushtetute që do të duhej ta kthente Shqipërinë nga shtet
sovran në një protektorat të Brukselit. Përndryshe, ajo funksionon vetëm in
extremis, së
pari, kur zullumi i fëmijës së keq i kalon kufijtë kombëtarë dhe, së dyti, për
sa kohë që fëmija i keq ka nevojë për ndërkombëtarët perëndimorë, sepse mund të
vijë një moment kur, nëse sheh se ata nuk e duan më, mund të prishet me ta dhe
të gjejë ndërkombëtarë të tjerë.
Një problem tjetër është se, po
ta shohësh thellë-thellë, ndërkombëtarokracinë nuk se e kanë instaluar ndërkombëtarët
në Shqipëri, paçka se shumë prej tyre kanë treguar se u pëlqen fort ky lloj
pushteti pervers. Atë e kanë instaluar fëmijët e këqij. Janë ata që i kanë dhënë
pushtet të pamasë ambasadorëve Lu, Vllahutinit të Brukselit e më the të thashë.
Por kujdes, siç e kam thënë edhe më herët, raporti që ata kanë ndërtuar me ta
nuk është ai i një fëmije të bindur dhe të sinqertë, por ai i fëmijës së keq që
i mashtron ata sipas parimit: Nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët,
apo, edhe më keq akoma: korruptoji ata. Kjo e bën edhe më të vështirë
funksionimin e sistemit ndërkombëtarokrat si garantues i respektimit të ligjit
në një vend. Edhe vetë përgjigja e Komisionit të Brukselit për projektligjin e
Teatrit e provon këtë:
“Komisioni mirëpret angazhimin
e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special me qëllim futjen e një
thirrjeje për tender të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit
Kombëtar, ku çdo kompani private mund të aplikojë me një projekt."
Kjo përgjigje i ka gëzuar disa që luftojnë për mbrojtjen e
Teatrit. Opozitën madje e ka bërë të këndojë fitore. Por, sipas meje, gabohen.
Ajo duhet parë si provë e çfarë po them, ndërsa gëzimi se në çfarë gjendje
infantilizmi na ka reduktuar ndërkombëtarokracia. Sepse, vërtet Komisioni është
shprehur kundër atij projektligji, por nuk ka kërkuar aspak të thellohet se si
ka mundësi që një qeveri, që kërkon të na bëjë pjesë e shteteve të së drejtës,
arrin të hartojë këtë lloj ligji dhe aq më pak të kuptojë se nga vjen përçmimi
që ka treguar qeveria ndaj shqiptarëve, që kanë kundërshtuar këtë projektligj.
(Nuk po merrem këtu me faktin se nuk ka treguar as ndjeshmërinë më të vogël
ndaj asaj që në një vend europian do të ishte një skandal i paimagjinueshëm:
shkatërrimi i një monumenti kulture). Për mua, kjo përgjigje është njëlloj
sikur, mbasi të kesh në dorë një provë flagrante se njerëzit me të cilët ke të
bësh janë vjedhës të paskrupullt e të revoltohesh e të kërkosh që të merret
drejtësia me ta, të ulesh në marrëveshje me ta që t’i bindësh të gjejnë një mënyrë
vjedhjeje një çikë më delikate. D.m.th të jesh bashkëpunëtor me ta.
Si përfundim, ashtu sikurse
projektligji për Teatrin nxori zhveshur në mënyrën më skandaloze se çfarë
sistemi korrupsioni mbretëron në Shqipëri, ndryshimi i qëndrimit të qeverisë për
shkak të këshillës delikate të Brukselit (për të ruajtur sadopak faqen) nxori
zhveshur në mënyrë po aq skandaloze se çfarë sistemi politik kemi ndërtuar në
Shqipëri, (edhe me ndihmën ndërkombëtare). Prandaj, gjykoj se kjo histori duhet
të shërbente për të ndërgjegjësuar jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët
e pakorruptuar, se Shqipëria në vend të demokracisë po sundohet nga kjo ndërkombëtarokraci
që po minon përditë demokracinë, duke i lënë shqiptarët në gjendje infantile
dhe nën mëshirën e një bande të paskrupullt hajdutësh sadomazokistë të përkrahur nga burokratë të korruptuar në Bruksel. (Panorama,
18 shtator 2018)
No comments:
Post a Comment