Wednesday, January 16, 2019

Barazlargim nga partitë apo bashkëpunim me opoziten

“Lapsi.al” ka botuar në këtë fillim viti dy shkrime të rëndësishme, jo aq për diagnostikimin e saktë të gjendjes ku e ka çuar vendin Edi Rama, çka sot duket gjë e lehtë për t’u bërë, sesa për atë se nxisin reflektim mbi alternativën e daljes prej kësaj gjendjeje – çka duket gjëja më e vështirë për t’u bërë. E kam fjalën për shkrimet me tituj “Pse PD-ja po i shtyn njerëzit drejt shtëpisë ‘400 milionëshe’ të Ramës në Surrel” (Lapsi.al), si dhe shkrimin e Andi Bushatit “Gent Cakaj, si një tender me letra false”.
Në shkrimin e parë, i cili nga stili duket edhe ai i Bushatit, pasi shtrohet pyetja se pse PD-ja nuk po vepron si në një vend demokratik, ku demonstrohet përpara institucioneve, autori thotë se kjo po ndodh për shkak se Shqipëria nuk është demokraci. Këtë e tregojnë edhe një sërë veprimesh të Ramës, “së fundi dhe mbushja e qeverisë me anonimë dhe çiliminj”, që dëshmojnë se vendi po rrëshqet drejt një pushteti personal “Ku administrata është gjunjëzuar, ku partia në pushtet është tredhur, ku ministra që shkelen si lecka nuk guxojnë të hapin gojën”. Dhe, gjithë sipas autorit, në vendet ku pushteti personalizohet në një shkallë të tillë, nuk ka më kuptim të demonstrohet para institucioneve. “Në ditët e nxehta të shkurtit ’91, turmat e revoltuara nuk u nisën drejt Kryeministrisë apo Komitetit Qendror, por drejt vilave të Bllokut […] Edhe më vonë, revolucioni ukrainas ia mësyu kështjellës së Ianukoviçit apo ai tunizian, pallateve të Ben Aliut. Pikërisht këtë imazh po kërkon të japë edhe PD-ja, që po i ysht njerëzit drejt shtëpisë private të Surrelit”.
Ajo që tërheq vëmendjen në këtë shkrim është mbështetja e demonstrimit te shtëpia e Kryeministrit, shoqëruar me një lloj distance ndaj faktit se këtë po e bën PD-ja (dhe ndoshta thjesht për imazh), por pa e delegjitimuar megjithatë protestën, meqë atë e organizon opozita.
Në shkrimin e dytë, Bushati merret ne argumentimin që i ka bërë Presidenti Meta rrëzimit të kandidaturës së Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Sipas tij, ky argumentim ka nxjerrë edhe njëherë në pah “shndërrimin e shtetit të Edi Ramës në një bordello”. Sipas tij, emërimi i Cakajt “i përngjan fiks tenderëve me letra false dhe milionave që shpërndahen me urdhër të Kryeministrit, duke shpërfillur çdo ligj dhe çdo institucion […] një provë më shumë se në ç’pikë janë telendisur institucionet shqiptare në shtetin personal të Edi Ramës, ku nuk përfillet asnjë normë tjetër përpos urdhrave të tij”. Ai e mbyll duke thënë se ”refuzimi i Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn është po aq dinjitoz, edhe historik.”
Pse i quaj të rëndësishëm këta dy artikuj. Sepse ata të nxisin të reflektosh për një çështje që mbetet ende dilemë e pazgjidhur në politikën shqiptare. Jemi përballë faktit ku shteti po merr gjithnjë e më shumë trajtat e sëmundjes psikike të Edi Ramës, duke u bërë çdo ditë e më i papërgjegjshëm, aventurier, grabitqar e i rrezikshëm dhe se, prandaj, ai duhet çliruar sa nuk është vonë nga ky i sëmurë. Kuptohet se për këtë duhen protesta popullore, pasi nuk jetojmë në një demokraci parlamentare ku funksionojnë normalisht institucione të tilla si drejtësia, parlamenti, mediat e pavarura etj. Mirëpo, mburoja më e rëndësishme e këtij regjimi ndaj protestave ka qenë akuza se ato i organizon opozita e delegjitimuar në publik nga e kaluara e saj. Kjo qasje u duk qartazi edhe në protestat e studentëve, ku një pjesë e mirë e tyre ruheshin nga identifikimi me partitë e opozitës. “Kur protestojmë, del Kryeministri dhe na thotë jeni të opozitës. Kur u themi deputetëve të opozitës largohuni, (nga protesta jonë) na thonë bëni detyrën e partisë, d.m.th. qeverisë”, deklaroi një student ditët fundit. Mos të harrojmë edhe aktet e djegieve publike të flamujve të të gjitha partive.
Rezultati është se studentët që po vazhdojnë të protestojnë po konsiderohen si një minorancë e instrumentalizuar nga opozita dhe po u futet kërbaçi kurse shumica, të baraslarguarit, ca me hir ca me pahir, kanë mbetur jashtë loje ose më saktë, në anën tjetër të barrikadës, atë të Edi Ramës.
Pse janë të rëndësishme shkrimet e Bushatit në këtë kontekst? 
Sepse duke e njohur mendimin e tij (që është edhe mendimi im) se partitë tona janë banda, interesi i vetëm i të cilave është se kush ta kalërojë sistemin oligarkik – ai nuk mban një qëndrim të baraslarguar megjithatë, ndaj opozitës dhe PS-së. Duke iu referuar shkallës së degradimit të shtetit në Edi Ramën, ai më shumë e mbështet protestën në Surrel, madje arrin dhe përshëndet haptazi firmën e Metës kundër emërimit të Cakajt. Ai pra, indirekt, vë në diskutim vendimin e “të baraslarguarve” antisistem nga partitë dhe shtron për diskutim dilemën nëse, në kushtet ku ndodhemi, duhet vazhduar të digjen të gjithë flamujt e partive në emër të një flamuri të ri, prapa të cilit të rreshtohen të gjithë të zhgënjyerit, apo flamuri i të zhgënjyerve duhet të bashkohet në një ushtri me flamujt e opozitës në emër të zbritjes nga shtiza e pushtetit të flamurit të PS-së, që po rrezikon të shkojë në hell të gjithë të tjerët?
Është një dilemë e hapur dhe jo e lehtë për t’u zgjidhur. Personalisht, i jam përgjigjur duke u shprehur se Rama duhet rrëzuar sa nuk është vonë, për të krijuar mundësitë e një dialektike ndryshimi paqësor të gjendjes në vend, sepse, në formën sesi e ka kapur shtetin dhe sesi po punon me të, hapësirat e kësaj dialektike po ngushtohen e degradohen çdo ditë me rreziqe në rritje të shkarjes drejt një konflikti të dhunshëm civil. Argumentet më të hollësishme po i lë për t’i shtjelluar në shkrimin pasardhës. (Panorama, 15 janar 2019)

No comments: