Nuk mund të besosh se
prokurorët e procesit Tahiri janë aq të dobët profesionalisht sa të ngrenë
akuza aq të rënda me prova aq të dobëta, apo se u ka shpëtuar "shpërdorimi
i detyrës", që nuk ishte përfshirë në aktakuzën e tyre. Të gjitha
arsyetimet të çojnë në idenë se ata kanë ngritur një akuzë me mungesë të
dukshme provash sepse i janë shmangur hetimit serioz të rastit Tahiri, pasi ky
do të çonte tek e vërteta se ish ministri i brendshëm është vetëm një hallkë e
zinxhirit të krimit të kanabizimit të vendit për të cilin duhej hetuar.
Procesi Tahiri ka pasur aq
vëmendje jo për vërtetimin nëse qytetari Saimir Tahiri ka qenë pjesëtar i një
grupi kriminal, por për vërtetimin e akuzës së ngritur nga opozita, si dhe
mediet kombëtare dhe ndërkombëtare, se Edi Rama dhe organizata e tij kanë ndërtuar
një aleancë me krimin ku një nga provat është fakti se kanë emëruar në postin e
ministrit të brendshëm një njeri të lidhur me krimin i cili, me veprimet dhe
mosveprimet e tij, ka nxitur kanabizimin e Shqipërisë me synim përdorjen e
parave të drogës për të mbajtur në pushtet organizatën. Pikërisht hetimit se
Tahiri dhe shefat kryesorë të PS-së jo thjesht kanë ditur, por edhe kanë
projektuar këtë aktivitet kriminal, i janë larguar prokurorët edhe pse indiciet
kanë qenë të shumta. Mjafton të kesh parasysh përqeshjet e Ramës dhe Tahirit
ndaj opozitës kur kjo akuzonte për avionë që transportonin drogë, sulmin e egër
që iu bënë oficerit të policisë Dritan Zagani, kur ky, në gjurmimet e tij,
arriti të gjejë se trafikantët, duke përdorur makinën e paprekshme të
ministrit, hynin e dilnin jashtë Shqipërisë. emërimin e drejtorëve të policisë
që sot ndodhen në arrati, e mjaft fakte të tjera që koincidojnë me faktin e
fakteve: shtimin dramatik të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në të gjithë
vendin. Po ashtu, këto indicie nuk mund të shihen pa lidhje me faktet se njerëz
me aktivitet kriminale janë vënë ngado në poste kyçe nga organizata. Këtë e vërtetojnë
përgjimet që implikojnë kryetarin e bashkisë së Durrësit me grupe kriminale, përgjimet
e Dibrës, zbulimet e njëpasnjëshme që po bën opozita të kryetarëve të bashkive me të kaluar kriminale,
mbushjen e kryeqytetit me leje ndërtimi për kulla e pallate super lluksoze që
ulërasin për pastrim parash të pista. Të gjitha këto duhet të bënin që
prokuroria ta trajtonte Tahirin jo thjesht si një person i lidhur me një grup të
vogël kriminal, por si eksponent i një organizate tejet të rrezikshme kriminale
që ka kapur shtetin.
Kapakun e mbulimit, në
vend se të hetimit, të kësaj të vërtete ia vuri vendimi i gjykatës. Ajo na tha
se Tahiri vërtet ka bërë shpërdorim me pasoja kanabizimin, por nga neglizhenca
apo pakujdesia, jo me dashje, duke i dhënë 5 vjet që përfundoi në 3,5 vjet me
kusht, pra në asnjë ditë burg. Mirëpo ky vendim bije në kundërshtim me faktin që
e dinë të gjithë se ka pasur prova të shumta që ish ministri ka qenë i lajmëruar
dhe paralajmëruar për kanabizimin e vendit, madje edhe për aktivitetin e kushërinjve
të tij trafikantë, por se ai jo vetëm s'ka marrë asnjë masë, por ka venë nën
akuzë denoncuesit dhe oficerët e policisë (si Zagani) që janë marrë me hetimin.
Le të mos harrojmë gjithashtu se në përgjimet e trafikantëve flitet qartazi se
një pjesë e parave që do të merrte prej tyre atij i duheshin për fushatat
elektorale të organizatës. Gjykata jo vetëm që i ka anashkaluar këto, duke e
konsideruar shpërdorimin si pa dashje, por u kufizua tek shifra 5 vjet, tavani
i dënimit që lejon aplikimin e nenit 59, që parashikon dënimin me kusht duke
"harruar", madje, se neni 59 aplikohet kur i pandehuri tregon pendesë
për krimin që ka kryer dhe jo kur, përkundrazi, akuzon me agresivitet se po e dënojnë
duke qene i pafajshëm. Shtoj se sipas gazetarëve që kanë ndjekur precedentët e
dënimit të trafikantëve të thjeshtë, megjithë dobësinë e akuzave të prokurorisë,
Tahiri mund të mos dënohej si pjesëmarrës apo kryetar një grupi kriminal, por
nuk do të mund t'i shpëtonte akuzës për trafikim.
Nga gjithë sa thashë më
duket se del qartë që Tahiri ka gëzuar një mbrojte të fortë nga organizata -
disa thonë falë provave shantazhuese që ka, të tjerë se kjo nuk i intereson
organizatës. Edhe kjo mbetet për tu hetuar nga një tjetër drejtësi.
***
Duke iu referuar procesit
Tahiri dy gjëra mund të thuhen lidhur me të shumëpërfolurën Reformë në Drejtësi.
Së pari, prokurorët që
kanë kaluar vetingun e që u vunë atje nga kryeprokurorja që ka kaluar vetingun
Arta Marku, si dhe gjyqtarët që dhanë vendimin janë prova më e gjallë e faktit
se Reforma në Drejtësi është përdorur nga Rama për të kapur drejtësinë në
mbrojtje të aktivitetit të organizatës së tij si dhe për të shantazhuar kundërshtarët.
Së dyti, procesi Tahiri
rrëzoi mitin e shumëpërhapur ndër shqiptarët se tashmë drejtësinë në Shqipëri e
kanë marrë në dorë amerikanët që do t'i pastrojnë politikanët e korruptuar e të
lidhur me krimin.
Për të gjithë ata që i dëgjojnë
kambanat e këtij procesi mund të them se nëse shqiptarët e rënë në gjunjë nga
pushteti i organizatës nuk ngrihen të veprojnë vetë dhe shpejt për frenimin e
saj, nesër shpëtimi prej saj do të ketë një kosto shumë më të madhe për të
gjithë. Edhe për ndërkombëtarët.
(Panorama, 23 shtator, 2019)
No comments:
Post a Comment