Ka kohë që jemi dëshmitarë të ndërtimit, nga ana e propagandës së Edi Ramës, të një Shqipërie fallco, aq sa bashkëjetojmë tashmë me këtë gënjeshtër të madhe. Por ajo me të cilën nuk po mësohemi dot është spektakli i luftës së tij heroike për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë, sa herë që dikush i nxjerr përpara ndonjë copëz të saj. Me një energji të pashoqe ai e bëri këtë së fundmi edhe në emisionin Opinion përballë disa provave evidente të lidhjes me krimin që i shfaqën gazetarët Rakipllari, Lala, Hoxha, Iljazaj.
Në fakt, ajo që e dallon Edi Ramën nga rilindësit e tjerë kur ftohen në studio është se ndërsa ata, kur ballafqohen me të vërteta evidente, në përgjithësi ruajnë gjakftohtësinë dhe përpiqen të përdorin një gjuhë të drunjtë me sllogane të përgjithshme për ta kaluar situatën, pasi janë të vetëdijshëm se po gënjejnë, kryeministri nervozohet në kulm, sikur po i bëhet një shpifje e padrejtësi e madhe, dhe shpërthen në sulme kundër gazetarëve duke i fyer, denigruar, duke u thënë “nuk të njoh”, “je injorant”, “po flet broçkulla” etj. etj.
Disa thonë se ky është thjesht aktrim; se pasi del nga skena dhe zhvesh kostumin e kryeministrit, ai qesh me të afërmit e tij me aftësitë që ka treguar në luajtjen e rolit. Personalisht kam një lexim tjetër të fenomenit në fjalë. Ky lloj reagimi bën pjesë në mekanizmat psikikë të vetëmbrojtjes së njerëzve që vuajnë nga çrregullime narçizistike të personalitetit, siç është edhe Kryeministri ynë. Thelbi i këtyre mekanizmeve qëndron tek ndërtimi i një veteje fallco, një veteje glorioze, me të cilën narçizisti fsheh, mbulon veten e vërtetë, veten e tij autentike. Pra nëse, mund të flasim për aktrim në luajtjen e një roli, ky është roli i vetes fallco me të cilën Edi Rama kërkon të mbulojë veten e vërtetë, në skenën e psikikës së tij. Problemi ynë është se kemi të bëjmë me kryeministrin tonë, që ka dy dekada në politikë dhe se lufta e tij e paepur për të mbuluar veten e vërtetë gjithnjë e më shumë identifikohet me luftën për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë që ka ndërtuar. Kush çuditet se si ka mundësi që një kryeministër të ndërtojë televizionin e tij, me emrin e tij, duhet të kuptojë se, thellë thellë, për këtë e shtyn kjo nevojë e papërballueshme për të fshehur veten dhe veprën e tij autentike. Kush e sheh të sulmojë egërsisht gazetarët që i thonë disa të vërteta, që i dinë të gjithë, duhet të kuptojë se ai nuk lufton me ta, por me veten dhe veprën e tij autentike që refuzon me ngulm ta takojë për shkak të katastrofës psikike që mund t’i shkaktojë ky takim.
Mirëpo, siç thonë psikoterapeutët, sa më shumë ta refuzosh veten autentike aq më shumë ajo hedh shqelma nga qoshja e errët ku e ke futur, e të dëmton duke të disintegruar ekuilibrin psikik. Në këto kushte vetja fallco shëmbëllen gjithnjë e më shumë me një mur i cili, sa më i lartë dhe i fortë t‘i duket të sëmurit, aq më transparent e i ulët bëhet në sytë e të tjerëve, ngase të ngresh një mur të tillë është si të tentosh të vesh njëra mbi tjetrën gjëra që rrëzojnë njëra tjetrën apo ta ngresh atë me materiale që nuk ekzistojnë, dmth. me gënjeshtra.
Po e ilustroj këtë që thashë me dy fabula të ditëve të fundit ku na shfaqet një kryeministër 1 që rrëzon Edi Ramën 2.
Fabula e parë është fjalimi i tij me rastin e 100 vjetorit të Tiranës. Midis tjerash kryeministri u tregoi të pranishmëve një fabul, që nuk është hera e parë që e dëgjojmë. E kam fjalën për atë me VIP-in ndërkombëtar, “nga një vend shumë serioz”, i cili nuk dëgjonte të dilte nga salla e VIP-ave në Rinas sepse kërkonte makinë të blinduar ngaqë kishte idenë se rrrugës mund ta vrisnin apo grabisnin kriminelët e shumtë. Por, pasi kryeministri ynë i tha se mund të kthehej mbrapsh sepse qeveria nuk ofronte shërbime të tilla, ai u bind dhe u nis për në Tiranë. Kur e pa se çfarë vendi i qetë e i sigurt ishte kryeqyteti ynë VIP-i në fjalë shkoi e i kërkoi atij falje duke i thënë se ndihej në siklet, se ishte ndjerë budalla nga kërkesa që kishte bërë.
Morali i fabulës 1: Shqipëria është një vend i sigurt, por janë ca njerëz të këqij që punojnë për ta bërë vendin gogol.
Fabula e dytë është e të njëjtës ditë, ose e një dite më pas. Sipas një lajmi që u dha nga policia, në afërsi të selisë së Partisë Socialiste, që atë ditë kishte nderin të kishte brenda vetë Kryeministrin, ishte arrestuar krimineli i rrezikshëm, Vladimir Gjuta, i cili po sillej atypari i armatosur. U aludua e ai ndodhej aty pasi donte të vriste kryeministrin si hakmarje për operacionin antikrim që ai kishte nisur nëpërmjet krijimit të OFL që, veç të tjerash, kishte sekuestruar brenda një dite 600 makina të blinduara në Tiranë. Për të evituar këtë atentat, sipas disa medieve, kryemistridoli nga selia dhe nuk hipi në makinën kryeministrore, por në makinën e të vëllait e cila, qenkej më e sigurt se ajo shtetërorja dhe që, sipas opozitës duhet të ishte në listën e 600 makinave të sekuestruar nga OFL-ja sepse e blinduar.
Morali i fabulës 2: VIP-i nga një vend shumë serioz paskësh pasur të drejtë të kërkonte makinë të blinduar derisa krimi qenkesh kaq i përhpaur dhe kaq i fortë në Tiranë, dhe shteti kaq i dobët para tij.
Sigurisht të dyja janë përralla, por janë dy përralla që rrëzojnë njëra tjetrën në murin e Shqipërisë fallco që ngulmon të ndërtojë kryeministri për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë.
Ka dy rreziqe të mëdha në këtë situatë duke patur parasysh se kemi të bëjmë me kryeministrin e vendit. E para është ajo se Shqipëria e vërtetë, e mbuluar kësisoj nga Shqipëria fallco po shkon dita ditës buzë greminës, sepse ata që duhet ta shohin, u intereson të mos e shohin. E dyta, mekanizmat mbrojtës që Edi Rama po ndjen nevojën t’i forcojë dita ditës kundër kujtdo që i zbulon copëza të vetes/Shqipërisë së vërtetë po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë sepse po e shtyjnë drejt kapjen së tërë organizmave të shtetit. Ligji anti shpifje, KÇK-ja, OFL-ja, Kapja e Gjykatës Kushtetuese, heqja e Presidentit, gjyqet e panumërt që ka ngritur kundër politikanëve dhe gazetarëve opozitarë e shumëçka tjetër që ka venë e po ve në lëvizje duhen parë në këtë kontekst.
Kush mendon se ai mund të ndalet në këtë rrugë nga zëri i arësyes gabohet rëndë. Përgjigja e tij do të jetë rritja e murit transparent të vetes/Shqipërisë fallco nën slloganin: nuk keni parë gjë akoma. Se si do të mbarojë kjo histori nuk mund të parashikohet më, por e sigurt është se sa më shumë të vazhdojë aq më keq do të mbarojë. (Panorama, 17 shkurt 2020)
No comments:
Post a Comment