Thursday, February 15, 2007

Pushteti politik, kulturor e ekonomik është ndarë dhe alternuar midis ish komunistëve dhe ish spiunëve të komunizmit

Dy ish krerët e shërbimit sekret kanë replikuar me njëri tjetrin madje duke lëshuar akuza të rënda. Si e gjykoni ju këtë dalje të tyre që ngjan me një poker spiunësh?

Për mua qe e pabesueshme kur dëgjova dy ish drejtuesit e SHIK, njëri demokrat dhe tjetri socialist, të na bënin një pasqyrë aq të ndryshme të gjendjes. Klosi tha se ka pasur gjithsejt 5000 dosje (ndërkohë që sipas tij numri i bashkëpunëtorëve ka qenë 20-25000) dhe kanë mbetur 300 kurse Gazidede tha se ka pasur rreth 120000 bashkëpunëtorë dhe se ka lënë në institucion rreth 30 – 40 mijë dosje të pashkatërruara, pasi të tjerat i ka djegur Ruçi. Problemi është se kush do të na e ndajë të vërtetën? Në rastin konkret: kush do të na e ndajë të vërtetën e krimit të shkatërrimit të dosjeve? Kam përshtypjen se do të mbetet i pazbuluar dhe i pandëshkuar pasi ne nuk kemi ndarës në mes të dy palëve që përfaqëson Klosi dhe Gazidede, nuk kemi mbi të gjitha drejtësi, por edhe shtyp e media që të mos jetë nën sundimin/manipulimin e këtyre dy palëve. A është e drejtë kur e quani këtë një “poker”? Karakteristikë e kësaj loje është bllofi, loja me të panjohurën dhe kartat e fshehura. Por do të shtoja se pokeri ka edhe një elegancë kurse në këtë pokerin tonë ka edhe shumë paturpësi edhe një mosrespekt të rregullave të kësaj loje.
Një pyetje lind: pse u deshën 16 vjet që të thuhej shqeto një e vërtetë kaq e thjeshtë: se në kohën e ministrit të fundit të brendshëm të Partisë së Punës Gramoz Ruci janë asgjësuar nëntëdhjetë përqind e dosjeve të Sigurimit të Shtetit? Janë asgjësuar pra dosjet e të ndjekurve/përpunuarve për agjitacion e propagandë dhe arratisje si dhe dosjet e agjentëve që kanë punuar për këto ndjekje/përpunime. Besoj kjo mbulon edhe rekrutuesit, të famshmit operativë, që sot kërkush nuk i përmend.
Çuditërisht askush nuk po shqetësohet për këtë akt që nuk ka ndodhur në asnjë vend të Lindjes. Asnjë shqetësim nuk sheh të shprehet për këtë shkatërrim të paprecedent të dokumentacionit nga arkivat e një shteti. Shkatërrime të tilla mund të ketë pasur në kohët që s’mbahen mend, në periudhat e dyndjeve barbare ndoshta, por që nga Mesjeta e këtej zor se do të gjesh akte të tilla në Evropë. Ndërkaq gazetat vazhdojnë të mbushen me emrat apo pseudonimet e tre katër ministrave që na paskan qenë agjentë të sigurimit. Kuptohet qartë se i tërë shqetësimi i politikës sonë është si të bjerë qeveria (për disa) dhe si të mbahet (për disa të tjerë), kurse përtej kësaj duket sikur nuk ka interes tjetër. Ndërkaq përmasa e krimit të kryer, është shumë e madhe. Shifra e bashkëpunëtërëve me pseudonim le të imagjinosh shkallën e paimagjinueshme të survejimit. Por ne duket se nuk do të mund të lexojmë romanet që ata kanë shkruar. Sot nuk mund t’ia provojmë shumëkujt të keqen që ka bërë, por as nuk mund t’i gjejmë justifikimin pse mund të jetë shtrënguar ta bëjë këtë të keqe.
Ky krim ka përmasa që e tejkalojnë interesin e brezit që është gjallë. Ka edhe arsye të mira për të mos i hapur dosjet sot, përtej arësyeve që lidhen me papjekurinë e klasës politike apo synimin e tyre për të manipuluar nëpërmjet dosjeve. Adam Michniku nuk ka dashur as ta shohë dosjen e tij duke mos dashur të prishë atë ekuilibër shpirtëror që kishte me njerëzit e vet të njohur. Por krimi i shkatërrimit të dosjeve nuk falet. Ai është edhe një krim ndaj brezave që do të vijnë, ndaj atyre që do të duan të kuptojnë se si ka qenë ajo kohë, të njohin se nga kanë dalë. Është një krim ndaj kujtesës historike që është më e madhe dhe më e rëndësishme sesa ajo e individit apo e një brezi.
Kuptohet se arësyet pse Sigurimi ka vendosur asgjësimin e tyre lidhen me trembjen e rënies që po ndodhte. Kemi të bëjmë me zhdukje të gjurmëve të krimit. Por bëhet më dramatik fakti se pse Partia Demokratike nuk e denoncoi me forcë këtë krim? Sot më tepër se kurrë merr forcë akuza e ngritur prej kohësh se një numër i madh i deputetëve të PD në atë kohë kanë qenë ish bashkëpunëtorë të Sigurimit. Kjo ve në dyshim vërtetësinë e asaj lëvizjeje apo të liderëve të saj, qëllimet e mira po ashtu. Dy shefat e SHIKut që pamë në skenë sipas meje vetëm sa hapën disa letra të kësaj loje pokeri të pandershëm që ka luajtur e po luan politika në kurriz të një publiku që, ashtu si dje, nuk e prek dot të vërtetën, por edhe kur e prek mbetet i pafuqishëm për të vepruar.


Në miratimin e rezolutës që dënon krimet e komunizmit opozita nuk mori pjesë. A është kjo shenjë që tregon pamundësinë e ndarjes së tyre nga komunizmi?

Përgjigjen ndaj kësaj pyetje më vjen ta trajtoj si vazhdim të asaj që thashë më sipër. Po të ndjekësh me vëmendje akuzat që i bëjnë të dy palët njëra tjetrës na del se tek ne gjatë këtij tranzicioni pushteti politik, kulturor e financiar është ndarë dhe alternuar midis ish komunistëve dhe ish spiunëve të komunizmit. E, sipas meje, ka mjaft të vërtetë në këtë gjë. A mund të ishte ndryshe? Nuk e di, por s’jam aspak i lumtur që është kështu. Të dy palëve kjo përkatësi në komunizëm u ka krijuar një raport shumë ambig me të kaluarën, një raport që i pengon të kenë një ballafaqim të hapur e të drejtpërdrejtë me krimet e komunizmit, përkundrazi sejcila ka një zonë të errët të cilën nuk e nxjerr dot në dritë e që e pengon të zbresë deri në themelet e së keqes. Kjo situatë bën që më një anë krimet e komunizmit të trajtohen retorikisht si një e keqe e madhe kurse, pastaj, kur vjen puna për tu marrë me faktet e tij tragjike del se nuk ka fajtorë veç Enver Hoxhës. Madje mund të dalë edhe se regjimi ka qenë aq njerëzor saqë Sigurimi internonte spiunët e vet dhe merrte në mbrojtje kundërshtarët e regjimit që këta të punonin të qetë kundër tij - siç na e interpretoi shumica e gazetarëve tanë të nderuar historinë e internimit të familjes Rrapi pas ankesës së Kadaresë. Të dy palët politike pra, thellë thellë, kanë një raport dashuri urrejtje që i bën të mos ndahen dot nga njëri tjetri pasi i bashkon barku i së kaluarës që i ka pjellë. E nëse ka ndonjë gjë që i tremben si shejtani thimjamit kjo është e vërteta e asaj kohe që i mban sa afër edhe larg njëri tjetrit. Ndërkohë që kanë një dashuri që i lidh kanë edhe urrejtjen që i ndan e cila sot shfaqet kryesisht në luftën për pushtet politik midis tyre. Edhe krimet e komunizmit u trajtuan në këtë kontekst. Bëhet një lojë sikur pala që vjen do të bëjë namin kur të vijë në pushtet përsa i përket dënimit të krimeve për të cilat akuzohet pala tjetër, por pastaj rezulton se politika më e mirë është deklarimi se të gjithë kemi qenë “bashkvuajtës dhe bashkfajtorë”. Kështu ndodhi më 1992, kështu ndodhi në 1997, kështu duket se po ndodh edhe me dënimin e korrupsionit. Origjina është atje thellë në regjimin e vjetër. Për mua gjëja më e vërtetë që ka thënë Sali Berisha është pikërisht kjo thënie në prag të zgjedhjeve të 92-shit. Ajo ishte një thënie që i vuri kapakun krimeve të komunizmit duke i lënë ata brenda nesh.
Përfundimisht mendimi im është se kjo elitë nuk mund të dënojë sinqerisht krimet e komunizmit sepse ka një lidhje me komunizmin si lidhja me barkun nga ka nxjerë kokën. Le t’ju jap një shembull shumë kuptimplotë si u soll kjo elitë me burgun e Burrelit. Pati një mendim në fillim që ky të bëhej muzeum i krimeve të komunizmit. Dhe normalisht ai duhet të ishte bërë jo në mënyrën mjerane siç i kanë bërë tre dhoma të tij, por i tëri, sepse aty për 45 vjet u mbajtën mbyllur të burgosurit politikë më të rëndësishëm të vendit. Sejcili mund të kishte aty qoshkun e vet të fotografive dhe të historisë së tij. Ai duhet të ishte bërë një vend pelegrinazhi për të rinjtë. Dhe do të ishte bërë sikur në pushtet të kishin ardhur antikomunistë të vërtetë. Por çfarë ndodhi? Shumë shpejt atë e kthyen në burg për ordinerët siç është edhe sot a thua se Shqipëria ishte mangut për hekur e beton për të ngritur një burg tjetër. Në fakt Shqipëria ishte mangut për të njohur e kuptuar e nderuar fatet e njerëzve që u dergjën në atë vend qysh pas Luftës së II. Por kjo nuk u interesonte trashëgimtarëve të komunizmit. Ripërdorimi i burgut të Burrelit për të mbajtur të burgosurit ordinerë ishte një profanim i tij sipas meje, ishte një akt që në një farë mënyre simbolikisht tregoi vazhdimësinë e pushtetit të komunistëve. Shumica e ish të burgosurve politikë që njoh nuk identifikohen dot me këtë elitë dhe as me Shqipërinë që ka ndërtuar ajo.


Ekziston mundësia që Edi Rama të mos kandidojë në Tiranë. Mendoni se është një hap që mund t’i shpëtojë karrierën politike apo një mundësi konsolidimi?

Problem i madh i Ramës politikan, por edhe i Ramës artist do të thoja, është të qënit një radikal fals. Le të shpjegohem: Në përgjithësi ka një kontradiktë të madhe midis intelektualit qoftë ky shkrimtar apo artist (flas për të vërtetët dhe jo për ata të shumtit tek ne që meritojnë parashtesën pseudo) dhe politikanit mu pse të parët i karakterizon radikaliteti kurse të dytët moderacioni. Janë dy regjistra mendimi dhe aktiviteti vështirësisht të pajtueshëm. Megjithatë ka momente historike kur politika ka nevojë për radikalitet dhe jep shanse për këtë. Rama hyri në politikë me imazhin e radikalit, të atij që synonte të emanciponte politikën shqiptare. Më kujtohet se në një takim për kafe që pata me të në fillim fare kur u bë MInistër i Kulturës erdhi pa makinë dhe pa bodyguard për të dhënë shembullin e një politikani ndryshe që makinën dhe bodyguardin e përdor vetëm në oraret zyrtare. Mirëpo kjo fazë qe shumë e shkurtër sepse ishte falso, fasadë. Thellë tij qëndronte një person i etur për pushtet në mënyrën më shqiptare, por edhe i gatshëm që për këtë pushtet të bënte kompromise nga më të mbrapshtat. Kështu nga një politikan që premtoi të ndryshojë botën shqiptare ai shpejt e shpejt mori trajtat e atij që iu përshtat asaj duke u rrekur të kurojë gjithsesi fasadën e atij që premtonte ndryshime emancipuese. Në thelbin e kësaj përshtatjeje sipas meje qëndronte frika: frika nga mafja me të cilën filloi të bashkëpunojë si dhe frika nga humbja e pushtetit. Mirëpo shpesh edhe në politikë për të fituar të ardhmen është e nevojëshme të humbasësh të tashmen e për këtë duhet një guxim i madh. Një ndryshim i PS në kuptimin e ndarjes nga mafja/krimi me synim krijimin e një identiteti tjetër dhe përfaqësimin e një tjetër fashe të elektoratit kërkon radikalizëm sot. Mirëpo, sikurse e thashë, Rama është një radikal fals sepse ai ka tmerr të humbasë të tashmen. Prandaj do të vazhdojë me fasada prapa të cilave do të ruhet e njëjta strukturë mafjoze dhe të njëjtat interesa. Pashë para disa kohësh në televizion se në krye të FRESHit kishte vënë një vajzë shumë të bukur 18 vjeçare e cila, ama, nuk ishte në gjendje të shpjegonte as pse familja e saj kishte ndryshuar mbiemrin nga Gjini në një tjetër, që nuk dinte pra as punët e shtëpisë së vet e jo më të vendit. Si mund të vihet një fëmijë në krye të një organizate që presupozohet se do të duhet të jetë mjedisi ku do të fermentojnë idetë e reja dhe kulturë tjetër. Ky nuk është radikalizëm, por shrregullim narçizizist i personalitetit të kryetarit i një shkalle të rëndë. PS ka nevojë për njerëz të rinj me ide dhe kurajo të madhe demokratike që të dinë të ndalin edhe narcizizmin e kryetarit e jo për adhurues të tij të verbër.
Duke pasur këtë gjykim për të them se qëndrimin si kandidat për Bashki ose ikjen prej andej Rama e kalkulon vetëm në plan personal e të klaneve që e mbështesin dhe jo në planin e një vizioni për reformimin e PS. Në kontekstin e nevojës radikale për të cilën fola ai duhet të kishte ikur me kohë nga Bashkia për të reformuar PS. Kurse në kontekstin e tij të ngushtë them se ikja dhe ndejtja janë të mbarsura me dy frikëra që nuk di se si do mund t’i përballojë e se cila do të fitojë. (Rubrika Përpjekja, Standart, 4 tetor 2006)

Sunday, February 11, 2007

Dobësitë e fushatës së Olldashit

Pika kulminante e fushatës eletorale në Tiranë deri më tani, sipas meje, mbrriti me denoncimin që bëri kandidati Olldashi dy ditë më parë mbi pasojat dramatike që i ka sjellë qytetit shkellja e regullores së urbanistikës. Sipas Olldashit sëbashku me 3 milion e 500 mijë metra katrorë ndërtime të kryera gjatë gjashtë vjetëve, sipas regullores së urbanistikës të miratuar nga socialistët, (që sigurisht është hartuar duke patur parasysh rregullore qytetesh normale) Tiranës do të duhej t’i ishin shtuar, minimalisht, 210 mijë metra katrorë gjelbërim rrotull pallateve, 210 mijë metra katrorë ndërtim të parqeve të gjelbëruara, 280 mijë metra katror rrugë dhe shëtitore, 1 milion e 220 mijë metra katrorë park periferik. Po ashtu do të duhej të ishin ndërtuar 40 çerdhe të reja, 40 kopështe, 20 shkolla tetëvjeçare, 10 shkolla të mesme, 70 mijë metra katrorë terren sportiv publik. Të gjitha këto nuk janë bërë dhe ç’është më e keqja nuk ka terren ku të bëhen sepse ky është zënë nga ndërtimet. Diferenca midis qytetit që duhet të ishte dhe atij që ka dalë është diferenca midis një qyteti normal dhe një qyteti të çmendurish.
Kjo goditje e Olldashit, mu pse ishte momenti më i fortë i fushatës së tij, zbuloi, sipas meje, edhe dobësinë më të madhe të kësaj fushate. Paradoksalisht pika e saj e dobët është ajo që duket pika e saj e fortë: përqendrimi i goditjes mbi Edi Ramën dhe korrupsionin e tij. Pa dyshim Edi Rama ka përgjegjësinë më të madhe morale, intelektuale dhe ligjore për këtë krim ndaj qytetit. Por ky krim nuk është bërë nga Edi Rama vetëm. Ky krim është bërë nga një “bandë” shumë më e madhe e më e shtrirë në numër e profesione. Kryebashkiaku nuk është as inxhinieri arkitekt që ka projektuar shëmtirat që ngrihen përditë, as inxhinieri konstruktor që i ka përllogaritur, as investuesi, as pronari i truajve që ka bërë kontratën me ndërtuesit dhe as i vetmi që i ka miratur në KRT. E kam fjalën se përbindëshi që ka bërë këtë shkatërrim dhe që po e fut qytetin në kolaps është një shumëkëmbësh tentakulat e të cilit do të duhet t’i shohim edhe tek shumçka tjetër përveç duarve të gjata të Edi Ramës nëse duam vërtet ta luftojmë atë. Ato duhet t’i shohim edhe tek ish pushtetarët qendrorë socialistë si Nano që në vend se të kontrollonin Ramën e përdorën sistemin e tij për vete, edhe tek mediat që ia kanë fshehur publikut këtë gjendje sepse shumica e pronarëve të tyre janë ndërtues, edhe tek sistemi i drjetësisë i kapur prej tij e me rradhë. E kam fjalën, pra, se ky shkatërrim - që është një pjesë e shkatërrmit që i është bërë e po i bëhet tërë vendit – është rezultat i një sistemi që punon mbrapsht sepse punon në interesat e një pakice të papërgjegjëshme, ashtu sikurse punonte mbapsh edhe sistemi komunist, në thelb, po për të njëjtat arësye.
Problemi është se duke e fokusuar të gjithë të keqen e kësaj gjendjeje tek Rama e duke mos folur për sistemin mund të arrihet fare mirë eliminimi i Ramës, por jo i sistemit shkatërrues të qytetit. Fakti që e njëjta masakër urbane ka ndodhur në thelb edhe me bashkiakët paraardhës edhe në qytetet të tjera, edhe atje ku qeveris PD-ja tregon se e keqja është shumë më e madhe sesa Rama. Mungesa e denoncimit të sistemit me të tërë tentakulat e veta e fuqinë e vet është sipas meje një nga pikat më të dobëta të Olldashit. Si është e mundur që askush prej ndërtuesve psh. nuk figuron krahas Ramës në listën e të akuzuarve, por përkundrazi këta miklohen e mbahen afër nga kandidati? Nuk mundet që ndërtuesit të lajnë duart nga kjo mesele. Madje, sipas disa deklaratave të Ramës, ndërtuesit, me pangopshmërinë e tyre, kanë përçudnuar edhe lejet e ndërtimit të dhëna nga ai kurse qeveria, ku ka bërë pjesë deri dje Olldashi, si dhe policia ndërtimore e varur nga kjo qeveri, kanë heshtur ndaj shkeljeve të ndërtuesve. Përveç pastrimit të ndonjë shkolle dhe shembjes së Zogut të Zi asgjë thelbësore nuk u bë në qytet gjatë kësaj kohe duke bërë që këto akte të duken më shumë si fasada. Sot kundërshtarët e PD, po edhe ata që kanë interes thjesht të fitojnë socilistët, madje edhe një pjesë politikanësh socialistë, nuk është se flasin mirë për të tyrin, por deklamojnë rrezikun se demokratët do të shfrytëzojnë në mënyrë edhe më barbare dhe më të papërgjegjëshme sistemin e korrupsionit që ngritën socialistët po të marrin në dorë edhe pushtetin lokal.
Dobësia e dytë e fushatës së Oldashit është mungesa e përcaktimit të prioritetit në projektin që i paraqet publikut. Dhe kjo sipas meje nuk është pa lidhje me mungesën e denoncimit të sistemit në tërësinë e vet. Gjendja katstrofike që përshkroi Olldashi me shifra e që ne e shohim me sy e me veshë e me këmbë e me mushkëri përditë, nuk mund të mos verë prioritet të prioriteteve frenimin e kësaj masakre dhe marrjen në dorë të kontrollit të territorit. Premtimi nga Olldashi i planit urbanistik për gjashtë muaj dhe ideja e zhvillimit policentrik të qytetit është shpresëdhënës pikërisht në këtë kontekst. Por, duke marrë parasysh situatën që përshkroi kandidati, ta do mendja se ky plan urbanistik do të duhet të hartohet duke synuar nevojën e normalizimit të qytetit duke parashikuar ndërtime kopshtesh, shkollash, parqesh, lulishtesh, fushash sporti etj. E kjo do të thotë se projekti i Olldashit do të duhet ta verë theksin tek nevoja e një frenimi të ndërtimeve deri në hartimin e këtij plani sepse plani do të duhet të parashikojë edhe shembje ndërtesash që janë ngritur mbi rrugë e mbi sheshe publike, edhe shtetëzim e dëmshpërblim të banorëve përreth duke i dhënë sipërfaqe banimi në këto ndërtesa. edhe kompensim pronarësh në truajsh ku nuk janë kryer ende ndërtime të larta në mënyrë që ato të shndrrohen në parqe e lulishte e të tjera gjëra si këto. Mirëpo ndërkaq sot në Tiranë thuhet se ka 150 firma ndërtimi që vazhdojnë të ngrenë pallate banimi dhe jo shkolla, as kopështe, as lulishte e asgjë nga ato që përmendi Olldashi si mungesa. Në periferi të Tiranës në Dajt dhe në zona të tjera ku drejtojnë demokratë nën shembullin e Ramës punohet edhe më keq se ai në dëm të gjelbërimit. Duke patur parasysh këtë problematikë dhe këtë prioritet të prioriteteve lind pyetja: si është e mundur që njëkohësisht u flitet viktimave për masakrën që kanë pësuar edhe ekzekutuesve materialë të saj, ndërtuesve, u premtohen lehtësira në vazhdimin e masakërs? Duke patur parasysh pasqyrën dramatike që paraqiti Olldashi pyetja shtrohet: Çfarë do të ndërtojnë më këta ndërtues në këtë qytet të stërpopulluar me beton? Ku do të ndërtojnë këta? Po ashtu: të mos harrojmë se plani francez i kryebashkiakut parashikon ndërtimin e tetë qendrave të biznesit me nga njëzetepesë kate sejcila e jo vetëm kaq, por edhe shumë ndërtime të tjera të larta që do t’i rrisin edhe më shifrat katastrofike që na dha Oldashi në dëm të gjelbërimit, parqeve e lulishteve. Ai në fakt është plani i kolapsit përfundimtar, i dëbimit përfundimtar të Tiranasve nga qyteti i tyre për në rrethinat apo për në çmendinë. Përse nuk flitet më për rishikimin e planit francez, në kuadër të planit tërësor të qytetit siç u fol në fillim nga demokratët, por konsiderohet i mirëqënë edhe nga ky kandidat? Projekti Olldashi nuk i jep përgjigje këtyre kontradiktave.
Në retorikat e të dy kandidatëve gjen shumë pika të përbashkëta. Të dy kandidatët premtojnë planin urbanistik, zonat e gjelbëra, rrugët që duhet të mbarojnë së shtruari, kopshtet, çerdhet, shkollat. Të dy palët flasin për frymëmarrjen e qytetit, për pastrimin nga plehërat e nga ndotja e ajrit si dhe të tjera gjëra si këto që i interesojnë shumicës së votuesve. Por, fatkeqësisht, të dy palët nuk tregojnë se nga i kanë marrë të hollat për fushatën e tyre. Deri më tani përvoja ka treguar se fushtatat elektorale kanë qenë koha e të mbjellave të sitemit të korrupsionit kurse masakra urbane që na paraqiti Olldashi të korrat e saj. Çështja e kësaj fushate mund të shtrohet edhe kështu: na thoni nga i keni marrë të hollat e fushatës t’ju themi se cilët jeni dhe çfarë do të bëni në të vërtetë. (Korrieri, 10 shkurt 2007)

Wednesday, February 7, 2007

Tirana dhe ndërtesat e komunizmit

Duke parashtruar projektin e tij të rikandidimit për Tiranën, kryetari i aktual i bashkisë Rama tha midis të tjerash diçka që, sipas meje, duhet të tërhiqte vëmendjen edhe të publikut, edhe të kundërshtarit. Problemi që kemi ne - tha Rama - janë ndërtimet e kohës së Hoxhës, të cilët janë të shëmtuara dhe janë bërë edhe më të shëmtuara me shtesat e ndryshme, por po të punojmë mbi to me ngjyrën, Tirana do të bëhet qyteti më turistik në Ballkan.

Ky pohim më duket se flet për një vizion krejt jashtë realitetit dhe problematikës së kryeqytetit e që ve në dyshim edhe ndonjë ide të projektit që mund të dukej pozitive.

Në dy aspekte më duket shqetësuese kjo ide. Së pari, mungesa e vetëdijes së kandidatit për të tretën herë se problemi që ka sot kryeqyteti nuk janë ndërtesat e Hoxhës, por e kundërta: ndërtesat e reja, shumica të ndërkallura midis ndërtimeve të komunizmit. Është e vërtetë se shumica e ndërtesave të komunizmit nuk kanë vlera arkitektonike dhe se shtesat e mballomat e ndryshme i kanë bërë edhe më të shëmtuara, por gjithsesi shumica e tyre janë ndërtuar me një koncept urbanistik shumë më të shëndoshë sesa ai që po përdoret sot. Në ndërtimet e komunizmit është ruajtur, të paktën, raporti ndërtim-gjelbërim si dhe dendësia e banorëve për kilometër katrorë. Ato jo vetëm nuk kanë lartësira të mëdha, por në mes të tyre janë projektuar edhe parqe e lulishte, edhe fusha sporti, edhe çerdhe e kopshte e shkolla. Kurse me ndërtesat e sotme si pyka të larta të futura mes tyre, shpesh mu atje ku ka pasur lulishte apo fusha sportive, (që duhet thënë se pararendëset i kanë në shembullin më të keq të komunizmit, tek ndërtesat me punë vullnetare) janë shkatërruar këto hapësira publike aq të domosdoshme duke ndikuar jashtëzakonisht, jo vetëm në uljen e funksionalitetit e të cilësisë së jetës së banorëve, por edhe estetikisht. Pra, edhe nga pikëpamja estetike si grup ndërtesash apo blloqe banimi, megjithë mungesën e vlerave arkitektonike, një pjesë e ndërtimeve të komunizmit qëndronin më mirë siç ishin sesa ajo çka ka dalë nga kombinimi i tyre me ndërtimet që janë kryer sot në Tiranë. Kjo edhe sepse ndërtimet e ndërkallura mes ndërtesave të vjetra nuk janë projektuar duke kërkuar vlera arkitektonike, por ashtu që t'iu përshtaten truajve të nxjerrë si sheshe ndërtimi nga sekserët e Bashkisë pa marrë parasysh se çfarë ka përreth dhe çfarë do të ketë, sepse pa plan urbanistik. Ato janë projektuar e kanë marrë atë formë që kanë vetëm me pikësynimin që të nxjerrin sipërfaqen maksimale të banimit me qëllim fitimin maksimal nëpërmjet shitjes së tyre. Edhe në rastet kur ndonjë prej këtyre ndërtimeve ka njëfarë vlere në vetvete - siç mund të jetë Torre Drini - ato janë vendosur krejtësisht jashtë kontekstit përreth, duke e shëmtuar atë. Pra edhe kur flitet për estetikën jashtë funksionalitetit - çka në arkitekturë nuk ndahen - kemi të bëjmë me një përkeqësim në raport edhe me komunizmin. Me një konceptim urban normal blloqet e ndërtesave të komunizmit duhet të konsideroheshin si zona të mbyllura arkitektonikisht. Ato ose do të duhej të shembeshin krejtësisht në blloqe të caktuara dhe atje të projektohej e ndërtohej diçka e re ose - çka më duket më e arsyeshmja - do të duhej të restauroheshin e të rivlerësoheshin, duke kuruar edhe zonat publike midis tyre. Një gjë e tillë psh. është bërë me ndërtesat e komunizmit në Berlinin lindor me shumë sukses. Kurse ne nuk kemi bërë as njërën, as tjetrën. Ne thjeshtë kemi mbivendosur dy shëmtira njëra mbi tjetrën duke e bërë Tiranën dy herë të shëmtuar.

Së dyti, është shqetësues vizioni që ka kryetari për bërjen e qytetit tërheqës për turistët nëpërmjet lyerjes së ndërtesave të komunizmit. Kudo në botë një qytet është tërheqës për turistët, kur ai ka veçantinë e vet e cila lidhet më së pari me historinë e vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit. Tiranës këto kanë ardhur duke iu pakësuar dita-ditës edhe në sajë të punës shkatërruese që ka bërë kryetari aktual. Aq e vërtetë është kjo saqë nëse në dy fushatat paraardhëse është folur për ruajtjen e tyre (në të parën Rama hodhi idenë e kthimit të qendrës historike në identitet, kurse kundërshtari Mustafaj foli gjatë për ruajtjen e shtëpive të vjetra të Tiranës, kurse në të dytën kandidati kundërshtar i Ramës, Ngjela, i mëshoi shumë shkatërrimeve të vlerave historike) në këtë fushatë të tretë të Ramës dhe Olldashit nuk flitet fare për ruajtjen e vlerave historike që kanë mbetur. Një qytet, përveç pasurisë arkitektonike që lidhet me historinë e tij, mundet të jetë turistik edhe për kulturën që mbart brenda, ku, mbi të gjitha, kam parasysh muzeumet e ndryshme si ato etnografike, arkeologjike e me radhë apo muzeume të artit të këtij vendi. Edhe në këtë aspekt Tirana është qyteti më joturistik në Ballkan. Ishte domethënës fakti që ndërkohë që studentë e pedagogë të Universitetit të Tiranës, me në krye Rektorin, protestuan disa ditë më parë kundër një projekti që parashikon prishjen e Muzeumit të Shkencave të Natyrës, të dy kandidatët mbajtën heshtje varri ndaj kësaj proteste. E pra bëhet fjalë për një ndër muzeumet e pakta që i kanë mbetur kryeqytetit, ku gjendet flora dhe fauna e Shqipërisë. Por duket se përbindëshi katërkëmbësh shkatërrues i qytetit që ka funksionuar këto 15 vjet: sekser - pronar - Bashki - ndërtues, e ka planifikuar shkatërrimin e tij, cilido qoftë kryetari i ardhshëm.

Mërëpo, duke i dikur këto, Rama kërkon të na mbushë mendjen se qyteti do të bëhet i veçantë dhe më turistiku i Ballkanit në sajë të ngjyrave që do t'u veshë ai ndërtesave të kohës së Hoxhës. Megjithëse bir skulptori, ai harron, ose bën sikur harron, se arkitektura është një art që afrohet më shumë me skulpturën sesa me pikturën, që flet me format e volumet e ndërtesave, me raportet dhe dritëhijet midis tyre, me materialin me të cilin ndërtohen më shumë sesa me ngjyrën me të cilën lyhen ato. E këto, siç e thashë më sipër, janë në gjendje katastrofike. Nuk gjen një grup ndërtesash në Tiranës që të qëndrojë mirë estetikisht. Qyteti edhe estetikisht, pra, është bërë më i shëmtuar sesa çka qenë edhe në kohën e Hoxhës. Për shembull e gjithë zona e asaj që quhej Tirana e Re e ndërtuar kryesisht në kohën e komunizmit jo vetëm është bërë e pabanueshme nga pikëpamja e funksionalitetit, por edhe estetikisht është një shëmtirë. Poende, ne e kemi provuar tashmë lyerjen e qendrës dhe s'kemi parë ndonjë sukses turistik, megjithë mobilizimin propagandistik të kryetarit në botë me artistë dhe intelektualë të vënë në shërbim të tij. Për këtë do të duhet që kryetari të bëhet edhe më i famshëm nga ç'është bërë, aq i famshëm si artist, saqë e tërë bota të vijë në Tiranë për të parë ngjyrat e tij dhe të grupit rreth tij. Por fatkeqësisht ai ka marrë përsipër të drejtojë Partinë Socialiste dhe vështirë se problemet e shumta që ka ajo parti do t'i lenë kohën, qetësinë dhe frymëzimin e duhur për të arritur këtë nivel të lartë artistik. Aq më tepër po të kemi parasysh se ky art i tij është në luftë me natyrën sepse shirat dhe dielli i kanë përvjellur tashmë ngjyrat e qendrës. Jo vetëm kaq, por sipas mendimit tim, kjo puna e lyerjes së ndërtesave të Hoxhës me ngjyra-ngjyra mund të jetë e suksesshme në ndonjë bllok, por lyerja e tërë qytetit ashtu e karikaturizon qytetin. Madje-madje një turist serioz dhe i kulturuar edhe kur bëhet fjalë për ndërtesat e komunizmit do të ishte i interesuar t'i shihte ato në identitetin e tyre të asaj kohe dhe jo të karikaturizuara sipas shijeve të një njeriu që kërkon të bëjë njëkohësisht edhe artistin edhe kryetarin e Bashkisë edhe kryetarin e Qeverisë.

Në fakt Tirana është dhe do të mbetet një qytet shumë më pak turistik jo vetëm në raport me shumicën e qyteteve të Ballkanit, por edhe më pak se shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Ajo është më pak turistike sesa Gjirokastra, Berati, Korça Shkodra, Durrësi, Kruja, Elbasani mu pse i është shkatërruar historia dhe kultura që ka trashëguar nga dyndjet e vazhdueshme të barbarëve injorantë që e kanë pushtuar atë ndër të cilët, fatkeqësisht, bën pjesë edhe kryetari në fjalë. Ndoshta ajo mund të tërhiqte vëmendjen e specialistëve të urbanistikës me shëmtinë e saj, për ta treguar si shembull fatal se si mund të zhvillohet një qytet në një shoqëri të mbetur në izolim kulturor dhe të paaftë për të ndërtuar shtet edhe demokraci njëherësh. Sa për turistët kryetari duhet t'i harrojë. Turisti nuk mund të mendohet veçse si një këmbësor që shëtit me aparat në dorë në qytet kurse Tirana është një qytet ku qytetari nuk mund të ecë dot më në këmbë për shkak të kaosit urban, trafikut të çmendur, pluhurit, plehrave e kutërbimin e tyre e mungesës dramatike të zonave të gjelbra. Qytetari tiranas kur del jashtë nxiton të kthehet në shtëpi ose të futet në kafene se s'ka ku të rrijë tjetër e jo të kundrojë ngjyrat e kryetarit. Prandaj projekti për Tiranën do të ishte mirë të fillonte nga një ide e thjeshtë: si ta bëjmë qytetin tonë për ne qytetarët e saj pak më të ecshëm më këmbë që kështu edhe të mund të shijonim ndonjë bukuri të saj. (Gazeta Korrieri, e Marte, 06 Shkurt 2007)

Monday, January 29, 2007

Harmonia midis komuniteteve tona fetare duhet ndërtuar në konteks të ri

Ditët e fundit është shfaqur sërisht çështja e vajzave myslimane në shkollë. Madje njëra prej tyre në Durrës rrezikon të mbetet jashtë fakultetit. Si e shikoni këtë çështje dhe a mendoni se është i drejtë ndalimi i veshjes fetare në shkolla?

Çështja e shamisë apo e vellos së myslimanëve është një nga më të debatuarat këto ditë në Evropë dhe nuk di nëse Rektorit të Universitetit të Durrësit i ka ardhur frymëzimi prej debatit përtej Adriatikut apo i ka lindur spontanisht në brigjet e tij të Durrësit. E them këtë sepse, po do t’i referohemi debatit që bëhet sot në Evropë lidhur me këtë çështje, qëndrimi i tij do të kualifikohej si kompatibël vetëm me qëndrimet e ekstremit të djathtë ndërkohë që Shqipëria ka një kontekst krejt tjetër. Por para se të kalojmë në kontekstin shqiptar le të shohim disa nga kundërthëniet që paraqet sot në botë çështja e vënies së shamisë apo vellos për të ilustruar se nuk është një çështje kaq e thjeshtë dhe se kompleksiteti i konteksteve duhet të na bëjë të jemi shumë më të përgjegjshëm edhe kur flasim për këtë çështje e jo më kur ndërmarrim veprime si ai i Rektorit të Universitetit të Durrësit. Njëri prej këtyre konteksteve ka të bëjë me raportin e myslimanëve me perëndimorët në Evropë. Sot, veçanërisht pas 11 shtatorit, vihet re se vënia e shamisë apo e vellove është shtuar edhe pse pikërisht vënia e tyre, si simbole, shihet si çështje mbrojtjeje identiteti dhe krenarie. Ndërkaq perëndimorët nga ana e tyre ndahen përgjithësisht në dy kampe në këtë debat: në kampin e atyre (kryesisht të majtë) të cilët mbështesin lejimin e mbajtes së shamive apo vellove si një kondicion i ri i Perëndimit që, tek e fundit, ka të bëjë me çuarjen më tej të multikulturalizmit, si dhe në kampin (konservativ i djathtë) që kërkon të gjejë forma kufizimi duke i mshuar idesë së nevojës që këta t’i adoptohen vendeve ku kanë ardhur të punojnë e jetojnë. Kuptohet, ndërkaq, se debati midis të dy palëve ka sfumaturat e veta me qëndrime më radikale e më të moderuara dhe, në këtë aspekt, shkolla, duke u parë si një vend i rëndësishëm edukimi dhe kulturimi, merr një rëndësi të veçantë. Por në tërësi mbizotërn ideja se mbajtja e shamisë është një e drejtë e pamohueshme.
Ndërkaq është vënë re shtimi i vënies së shamisë sot edhe në botën arabe. Këtu kemi një kontekst tjetër që lidhet edhe me të parin, por që, sipas analistëve, ka të bëjë edhe me një realitet në ato vende arabe të ashtuquajtur laikë ku në përgjithësi ka regjime autoritare dhe të korruptuara (e që pëlqehen më shumë nga perëndimi pse konsiderohen si më properëndimorë), por ku feja shihet nga popullsia atje edhe si një formë kundërvënieje ndaj këtyre regjimeve. Psh. sot vihet re një shtim i shamisë në Egjypt ndërkohë që gratë myslimane kanë fituar atje të drejtën e votës që më 1927, pra edhe përpara Francës dhe Italisë.
Por vënia e shamisë apo vellos duhet parë edhe si çështje që ka të bëjë me emancipimin e gruas, pra se sa tek vënia e shamisë apo vellos kemi të bëjmë me vullnetin e lirë të grave dhe sa kemi të bëjmë me një kulturë që gruan e sheh në funksion të burrit dhe mbajtjen e shamisë apo vellos si shenjë e një shoqërie thellësisht patriarkale e konservatore. Besoj se ky problem u përket të tre konteksteve që përmenda më sipër edhe perëndimorit edhe arabit, por edhe shqiptarit.
Përveç kësaj debati në Evropë zvillohet edhe lidhur me llojin e mbulesës që përdoret: shamia që mbulon vetëm flokët apo vellot që arrijnë të mbulojnë tërë trupin e të lenë vetëm sytë. Personalisht zgjedhjen e shamisë e respektoj dhe nuk më krijon asnjë problem kurse velloja e zezë që zbulon vetëm sytë më krijon një vështirësi që ma bën të papranueshëm komunikimin me një qënie njerëzore që më paraqitet asisoj. Por që nga ky refuzim dhe deri tek imponimi i heqjes së saj me detyrim përsëri ka një hendek që duhet vlerësuar sipas kontekstit.
Për t’u kthyer në kontekstin shqiptar: Mbi të gjitha duhet të kemi parasysh se tek ne nuk bëhet fjalë për një “agresion” emigrantësh të huajsh që po na vijnë dhe po na sjellin vlera të tjera. Bëhet fjalë për një situatë shqiptarësh paskomunistë të cilët me lejimin e fesë edhe si nevojë besimi, identiteti, përkatësie, spiritualiteti kanë filluar të praktikojnë fetë, kryesisht ato tradicionale, por edhe të tjera. Është një fenomen pra i ndryshëm në këtë aspekte nga ai i Evropës, ku myslimani shihet si i huaji që sipas disave duhet pranuar ashtu siç është kurse sipas disa të tjerëve duhet asimiluar. Në këtë kontekstin tonë, sipas mendimit tim, akti i rektorit të Universitetit të Durrësit është një akt që nuk mund të quhet as intolerancë, sepse toleranca nënkupton një më të fuqishëm pse më i shumtë në numër apo pse ka pushtetin që toleron një të ndryshëm më të pakët e më të papushtetshëm. Kurse shqiptarët myslimanë janë pjesë e këtij populli madje tradicionalisht janë shumica. Kemi të bëjmë pra me një akt që mund të konsidereohet remineshencë e komunizmit kur shteti i të fuqishmëve kishte përcaktuar ideologjinë e tij dhe e impononte atë me dhunë. Dhe aspak me një shtet laik apo shkollë laike siç pretendon rektori i Durrësit. Sikurse e kam shtjelluar edhe më herët në faqet e kësaj rubrike me shtet laik duhet të kuptojmë një formë organizimi të shoqërisë që ka lindur pikërisht nga nevoja e mbrojtjes të të gjithë komuniteteve të ndryshme në një shoqëri duke respektuar autonominë e tyre, një shtet, pra, që, ruan një neutralitet të rreptë përsa i përket çështjeve ideologjike dhe fetare. Kurse në rastin e detyrimit të vajzës myslimane me heqjen e shamisë nuk kemi asgjë laike në këtë kuptim, kemi përkundrazi mungesë neutraliteti dhe imponim me detyrim të një botkuptimi të rektorit, që, për fat të keq, nuk është vetëm i rektorit. Dyshoj shumë se ky rektor nuk do të donte të kishte as të zinj dhe as homoseksualë në universitetin e tij. Pra, sipas meje, rasti në fjalë është shenjë se ajo që ne e kemi ekzaltuar aq shumë: toleranca apo harmonia fetare, është një retorikë boshe sepse në thelb ne jemi një shoqëri intolerante. Arësyet janë të qarta: vijmë nga një periudhë e gjatë shoqërie komuniste që ka synuar eliminimin e diversiteteve në shoqëri duke patur në sfond të ideologjisë së saj edhe nacionalizmin i cili, edhe ai, për rrethanat historike të Shqipërisë, u ngrit si një ideologji që i kundërvihej diversiteteve fetare. Në kontekstin post komunist dhe post nacionalist ku jetojmë “Feja e shqiptari është shqiptaria” që Hoxha e çoi në ekstrem duke eliminuar krejtësisht fetë, edhe pse mit i rëndësishëm i nacionalizmit shqiptar, duhet riparë në kontekstin e shtetit laik që shtjellova e që është e kundërta e shtetit ideologjik. Pra ky qëndrim i rektorit nxjerr në pah faktin se në kushtet e rilindjes së feve në vendin tonë harmonia fetare duhet parë si e kërcënuar, si një “harmoni” që më shumë e mban ende në këmbë prirja dominante e shqiptarëve drejt modeleve evropian të shoqërisë konsumiste – si dhe mungesa historikisht e konflikteve fetare - sesa një thellim në këto fe dhe në dialgun midis tyre dhe në hapjen ndaj tyre. Akti i rektorit na tregon gjithashtu se duhet të mendojmë që sot, sa nuk është vonë, se harmonia midis komuniteteve tona fetare është diçka për të cilën duhet të punohet vazhdimisht në çdo brez.
Në funksion të kësaj harmonie dua të përsëris edhe një herë idenë se nëse kemi ndonjë gjë që mund t’i japim Evropës jo vetëm si vlerë, por edhe si mundësi për të bërë politikë është pikërisht bashkjetesa e komuniteteve tona fetare në harmoni për shkaqe tona specifike historike. Kush pretendon se ne duhet të diskriminojmë fenë myslimane për shkak se duke u vetëshpallur të krishterë mund të pranohemi më lehtë në Evropë sipas meje gabon. Ky gabim, tek i cili, sipas meje, e ka rrënjën edhe qëndrimi i rektorit të Durrësit, vjen se, për fat të keq, gjatë kohës së komunizmit, edhe si rrjedhojë e një nacionalizmi të vonuar e të përdorur për qëllime pushteti, elita jonë e asaj kohe ka kryer një manipulim nacionalist të historisë duke i paraqitur 500 vjetët që ne kemi jetuar me Turqinë sikur të kemi qenë 500 vjet në luftë me ta, ndërkohë që ky është një lexim me syze nacional – komuniste i një historie krejt tjetër. Madje nëse do të kërkojmë rrënjët historike të harmonisë sonë fetare, sipas meje, këto duhet t’i gjejmë jo tek intoleranca nacionaliste e komuniste e shekullit paraardhës, por tek bashkjetesa për pesë shekuj në perandorinë otomane e cila njihet historikisht si një perendori që ka treguar një tolerancë fetare të admirueshme. Le të kujtoj psh. se ebrejtë sefarditë kanë pasur një jetë shumë më të mirë në myslimanët sesa vëllezërit e tyre ashkenazë në Evropën e krishterë. (Historia na tregon se nga mesi i shekullit të dhjetë “kryeministër” i Kalifatit u emërua kryetari i komunitetit ebraik të Kordovës: ndërkohë që një peshkop i krishterë ishte “ministër i jashtëm”.) Rreth vitit 1454 një rabin me origjinë franceze i shkruante bashkëfetarëve të tij një letër që u bë e famshme : “Ua them unë, Turqia është një vend i begatë ku, nëse do të dëshironi, do të gjeni rehati… A nuk është më mirë të jetojmë nën sundimin e myslimanëve sesa të të krishterëve? Këtu çdo njeri mund të ketë jetën e tij të paqme nën hijen e vreshtës dhe të fikut të tij. Këtu askush nuk do t’u pengojë të mbani ornamentet më të bukura ndërsa në vendet e krishtera nuk guxoni t’i vishni fëmijët tuaj me të kuqe apo blu, ngjyra që ne i duam aq shumë, nga frika se mund t’i godasin dhe fyejnë, e jeni të detyruar të rrini të veshur në mënyrë të mjerë me ngjyra të errëta…” Është shumjë interesante kjo dëshmi sot kur flitet për veshjen.
Këto ngjyra të historisë së asaj kohe e bote ku shqiptarët kanë bërë pjesë për pesë shekuj janë “fshirë” dhe “ripikturuar” nga kujtesa për një arësye shumë të thjeshtë: sepse nacionalizmi dhe komunizmi i trajtonte turqit si armiq. Ky qëndrim arkaik vazhdon sot të dëmtojë e të kërcënojë edhe harmonin e jetës së komuniteteve tona fetare që siç thashë duhet parë në kontekst krej të ri.


Gjatë kësaj jave në shtyp është zhvilluar një debat i ashpër mes Kadaresë dhe Paskal Milos. Një konflikt në distancë midis një historiani dhe një shkrimtari. Si e gjykoni një përplasje të tillë?

Sipas meje polemika konfliktuale midis Kadaresë dhe Milos duhet parë jo thjesht si një grindje midis dy personash të njohur, por si një polemikë tek e cila do të gjejmë një model tipik qasjeje ndaj të kaluarës prej ish pjesëtarëve të inteligjencies së asaj kohe. Megjithëse duket sikur ka një ndarje shumë të thellë midis të dyve, po ta shohim me sy më të qetë, do të gjejmë se, në thelb, ka edhe shumë të përbashkëta. E përbashkëta më e madhe që gjej është se që të dy e dënojnë të kaluarën komuniste, por nuk thonë asnjë fjalë për përgjegjësitë e tyre në këtë të kaluar. E kam fjalën për përgjegjësinë morale dhe intelektuale që duhet të ndjejë cilido për atë që ka bërë apo që nuk ka bërë si intelektual dhe si detyrë intelektuali në atë regjim. Pa mllefe, si nevojë katarsisi e shoqërisë. Kurse ata të dy më një anë akuzojnë njëri tjetrin për atë që kanë bërë në të kaluarën dhe që të dy mohojnë totalisht, nga ana tjetër, akuzat që i thonë njëri tjetrit. Problemi është se ky nuk mund të quhet debat i mirë intelektual dhe nuk është as bindës e aq më pak në shërbim të katarsisit. Është më shumë një ballafaqim force në stilin e vjetër. Është pikërisht kjo mosndjerje e së kaluarës edhe si përgjegjësi e tyre që e bën sipas meje Milon të përmendë Enver Hoxhën në dritë pozitive siç bëri në Pezë dhe Kadarenë nga ana tjetër ta akuzojë për këtë pa bërë as më të voglin reflektim për monumentet që i ka ngritur Enver Hoxhës dhe përgjegjësisë që ka edhe ai për ngritjen e kultit të diktatorit. Thellë thellë mua më duket se ata mendojnë se pa atë të kaluar ata nuk do të ishin ata që janë dhe prandaj e shajnë apo lëvdojnë Hoxhën sa për të larë gojën.
Një tipar tjetër që nxjerr ky debat sipas meje është një lexim i skajshëm selektiv i historisë dhe veprës personale në shërbim të glorifikimit të vetes nga ana e shumë intelektualëve tanë, që ka arritur kulmin tek Kadareja, e që Milo e nxjerr në pah në polemikën e tij. Kadareja, sikur njerëzit të mos jenë gjallë dhe të mos t’ia kenë parasysh veprat, por edhe privilegjet e panumërta që ka gëzuar deri në fund, shfaqet si dikush që nuk ka qen këtu në atë kohë. Ka shkruar së fundi një parathënie për dy poetë të pushkatuar nga regjimi ku nuk gjen asnjë rresht refleksion për faktin që ai nuk ishte mik me poetët, por me akuzuesit e tyre, as edhe për përgjegjësitë që kishte edhe ai sepse ekspertimi dhe dënimi i poetëve është bërë pikërisht duke patur parasysh modelet e poezisë që kishte bërë ai dhe shumë si ai. Në këtë aspekt i jap të drejtë Milos i cili ndryshe nga shumë pjesëtarë të inteligjencies së asaj kohe që mendojnë, si ai, rreth falsifikimit të jetës dhe veprës së tij nga Kadareja, nuk e thonë, madje një pjesë edhe i kanë shërbyer këtij falsifikimi. Por edhe këtu përsëri duhet vënë në dukje fakti se këtë Milo e bëri sepse u sulmua personalisht dhe jo pse parimisht i duket se si historian ka për detyrë të mos lejojë falsifikime të historisë.
Kurse përsa i përket versionit të Kadaresë për Mehmet Shehun i cili sipas tij qënka vrarë kurse Milo e ka paraqitur si të vetëvrarë duke falsifikuar edhe letrën që ka lënë Shehu, apo se Milo paguhet me paratë e Enver Hoxhës për ato që thotë këtu jemi në një zëvendësim të realitetit me fiksionin që nuk do të qe aspak i dëmshëm sikur këto të mos i thoshte Kadareja, por mu pse i thotë Kadareja e mu pse jetojmë në një shoqëri ku mbretëron injoranca dhe idolatria duhen përgënjeshtruar më fort nga ata njerëz të cilëve u ka mbetur ende sadopak respekt për të vërtetën në këtë vend.

Presidenti nuk miratoi kërkesën e shumicës për të shkarkuar Sollakun duke thelluar hendekun midis tij dhe të djathtëve. Në këto kushte a mund të funksionojë shteti në mënyrë normale?

Shteti mund të funksionojë fare mirë sikur Presidenti i mbështetur në ligj dhe Kushtetutë të mos miratojë, duke ushtruar kompetencat e tij, një ligji të mazhorancës. Problemi është se sipas meje edhe Presidenti ashtu sikurse edhe mazhoranca ashtu sikurse edhe Sollaku e aplikojnë ligjin në mënyrë selektive duke e zhvleftësuar atë e duke bërë më të rëndësishëm sesa ligji lojën e forcës dhe të arbitraritetit e të interesave personale. E në këtë rast shteti ligjor nuk funksionon dot në mënyrë normale, por zëvendësohet nga shteti i klaneve dhe interesave të tyre.
(Rubrika Përpjekja, Standart, 21 tetor 2006)

Saturday, January 27, 2007

Mbi personin dhe personazhin Kadare

Në konferencën e tij të famshme “Puna intelektuale si profesion (apo vokacion)” Max Weber thotë: “në fushën e aktivitetit intelektual mund të thuhet se është “personalitet” vetëm ai që i shërben thjesht dhe pastërtisht objektit të tij. Nuk mund të jetë “personalitet” ai që, si një tregëtar, nxjerr në skenë, sëbashku me objektin të cilit duhet t’i dedikohet, edhe veten e tij.”
Kuptimi i asaj që thotë Weberi është se shpesh ndodh që suksesi në aktivitetin e tij e bën një intelektual të dalë në skenë/treg sëbashku me objektin/veprën e tij, madje mund të ndodhë që ky, si subjekt, të bëhet më i rëndësishëm sesa vetë objekti/vepra vetë. Këtu e ka origjinën edhe thënia e famshme e Bernard Show: “Nobelit mund t’i fal që shpiku dinamitin, por jo çmimin.” Sepse nganjëherë rendja për çmimin apo vetë çmimi mund ta bëjnë një shkrimtar të priret të bëhet më i rëndësishëm sesa vepra e tij duke tjetërsuar kësisoj edhe veprimtarinë e tij.
Nuk mund të mos më rivinte ndërmend thënia e Max Weberit teksa ndiqja në shtypin shqiptar qëndrimin e Kadaresë, por mbi të gjitha qëndrimet që ka mbajtur një pjesë e mirë e elitës së djeshme dhe të sotme shqiptare pas botimit në Gazeta Shqiptare të fakteve lidhur me rolin e shkrimtarit në internimin e familjes Rrapi, që tregojnë se ky jo vetëm nuk ka qenë disident, por ka qenë aq i lidhur dhe organik me regjimin saqë ky e ka pasur në rradhën e të privilegjuarve specialë.
Nëse do të ndjekim kurbën e një artisti apo shkrimtari nga ata që mund të meritojnë epitetin “i njohur” do të vemë re se deri në një farë pike një krijues veprash intelektuale i intereson publikut vetëm për veprën e tij. Mirëpo pastaj mund të vijë një moment kur fillon që më shumë sesa ajo që ai shkruan, bën e thotë të vlejë ajo se kush e shkruan, kush e bën e kush e thotë. Ky është momenti kur shkrimtari apo artisti fillon e kthehet në personazh duke rrezikuar të bëhet, si të thuash, tregëtari i vetvetes dhe të fillojë të reshtë së qëni një person. Dashur pa dashur, pra, ai rrezikon të bëhet rob i figurës që është apo që i kanë veshur të tjerët dhe fillon të kujdeset më shumë për imazhin e kësaj vetje sesa për veprat dhe punën e tij. Ai fillon e bën kështu vetveten objekt të aktivitetit të tij dhe fillon e sillet sikur vetë ekzistenca e tij të jetë një kryevepër. Ai e ngre veten (apo e ngrenë) në një piedestal dhe kjo shpjegon edhe një ton moralizues e përmbi të gjithë që ai mban ndaj atyre që i sheh poshtë. Kemi të bëjmë me narçizizmin e intelektualit që mund të mos hyjë domosdoshmërisht në kontradiktë me veprën e tij, por edhe mund të hyjë sepse kurimi i aspektit të vetes mund të pengojë kurimin e veprës e të së vërtetës – jo vetëm, por mund ta deformojë veprën dhe të vërtetën. Besoj se kur flasim për rastin Kadare mund të themi se kemi të bëjmë me një rast kur qartazi kurimi i aspektit të vetes ka hyrë në kontradiktë të thellë me veprën e jetën e tij. Kujdesi për figurën e tij, veçanërisht për të rritur famën e mundësisht për të marrë Nobelin, e ka futur në procesin e krijimit të një personazhi Kadare që gjithnjë e më pak ka të bëjë me personin Kadare, por as edhe me veprën e tij. Kemi të bëjmë me një proces shpërndërrimi degjenerativ që ka avancuar në kohë ku hyn edhe rishkruaja e një pjese të veprës së vet për t’ia përshatur kohëve të tjera. Në fillim të rënies së komunizmit, kur flet për veprat e tij në librin “Ftesë në studio”, Kadare thotë: "Të gjitha këto vepra janë të shtresëzuara në ndërgjegjen time në gjëndje të dyfishtë: ashtu siç janë, dmth në pamjen e tyre të tanishme, dhe ashtu siç duhet të ishin. Fantazmat e tyre më rrinë ngaherë në sy në orët e pasdites së vonë në studion ziplot. [...] Për t'i nxjerrë nga terri me atë fytyrë që doja, mungonin ato dhjetëra mijëra qeliza që u vranë gjatë përplasjes. " Është një pohim, që stonon kur shikon sot shkrimtarin të deklarojë poshtë e lart në Shqipëri, por më shumë nëpër botë, bash të kundërtën: se regjimi nuk e ka penguar të bëjë letërsi të lirë, se vepra e tij është produkt i lirisë së tij të brendshme, se veprat e tij janë ato që do të kishin qenë edhe sikur të mos ishte diktatura e, më anë tjetër, t’i rishkruajë ato.
Kemi të bëjmë me një rast tipik për të cilin flet Weberi, kur shkrimtari vihet mbi veprën e tij dhe kuron më shumë imazhin që kërkon të krijojë sesa të vërtetën e tij e të një vepre. Kadareja në këtë aspekt ka shkuar shumë larg sepse këtë imazh e ka larguar si pakkush nga e vërteta. Pakkush si ai ka punuar me vetëdije për të na e humbur personin Kadare dhe për të krijuar personashin Kadare. Mjafton të kesh prasysh fallsifikimin me Pashallarët e Kuq kur një poezi të cenzuruar mu pse tejkalonte tonet glorifikuese për diktatorin dhe ato linçuese për armiqtë e këtij, tentoi, nëpërmjet një libri intervistë, të na e paraqesë si vepër disidente të shkatërruar nga diktatura dhe nuk ngurroi t’i japë okejin e botimit këtij libri falso në Francë edhe pasi në Shqipëri poezia u gjet dhe rezultonte një elozh për diktatorin dhe diktaturën e proletariatit. Dhe e keqja është se me këtë “punë’ të tij të udhëhequr nga pamja e vetes me sytë e personazhit që ka gatuar dhe që e kanë gatuar të tjerët ka humbur sensin kritik e të realitetit. Kjo shfaqet midis të tjerash edhe në faktin se ato që shkruan e thotë në më të shpeshtën e herëve janë të një mediokriteti që vjen në rënie proporcionale me madhësinë e gërmave me të cilat ia botojnë fjalët në faqet e shtypit shqiptar. Një tjetër e keqe e madhe e kësaj pune të mbrapshtë në nivel social e kulturor është se me këtë lloj pune ka krijuar një model që e imitojnë shumë sot në Shqipëri duke prodhuar pseudokulturë.
Por ajo që sipas mendimit tim është më problematike për Shqipërinë nuk është thjesht roli i Kadaresë në krijimin e personazhit të tij. Më problematik është fakti se ky shpërndërrim degjenerativ i personit në një personazh krejt tjetër nuk mund të krijohet pa kontributin e të tjerëve edhe se fakti që Kadare ka shkuar aq larg në këtë shpërndërrim është njëkohësisht edhe pasqyrë e shoqërisë ku jetojmë, veçanërisht e elitës intelektuale. Është e vërtetë se aktiviteti intelektual duke qenë edhe ai një industri, jep edhe ai kontributin për kthimin e autorit në personzazh me tërë ato inisiativa e çmime, intervista mbi çdo lloj argumenti që jep autori, fotografi etj. apo aktivitete që organizohen për të promovuar veprat duke promovuar figurën e autorit. Është i njohur po ashtu fakti se njeriu i thjeshtë ka nevojë të madhe për identifikim e mund të kuptohet në këtë rast fakti i krijimit të një raporti të personalizuar midis autorit dhe publikut të tij apo edhe përdorimi i Kadaresë si nevojë identitare veçanërisht tek shqiptarët e frustruar jashtë shtetit. Këto shihen si rreziqe kudo në botë për autorët që mund të humbasin kështu sensin e realitetit dhe sensin kritik. Por ama ka një limit që nuk duhet të kalohet apo tjekalohet. E kur flitet për përgjegjësitë e kapërcimit të këtij limiti që çojnë në humbjen e sensit të realitetit e të sensit kritik këto duhen ndarë midis autorëve që nuk dinë t’i rezistojnë seduksionit të suksesit që i transformon në objekte; industrisë kulturore që ka nevojë për simbole për arësye komerciale dhe një publiku që kërkon instrumente identifikimi pasi i mungon fryma kritike dhe indentiteti. Rasti Kadare i ka tejkluar tërë limitet mu pse të tre aktorët që nuk duhet të lejojnë të kalohet ky limit që ndan të vërtetën nga manipulimi, personin nga personazhi: - autori, industria kulturore dhe fryma kritike e publikut, - janë në nivelet më të ulëta.
Dhe kjo mund të ketë pasoja shumë të dëmshme për një shoqëri. Kjo u vu re në mënyrën më dramatike se si e trajtoi një shtresë e gjerë e elitës së sotme rastin e denoncuar nga Paskal Milo lidhur me një ngjarje që tregon se çfarë niveli dhune dhe nëpërkëmbjeje të njeriut ka ushtruar regjimi i kaluar e që ka si protagonist vetë Kadarenë si njeri i atij regjimi pasi deputet dhe shkrimtari i parë i regjimit. Shkrimtari monument kulture as nuk denjoi të japë përgjigje sqaruese për rastin. Por kjo mund të jetë edhe e kuptueshme. Më i pakuptueshme është kur një numër i madh intelektualësh me një pandjeshmëri skandaloze ndaj dramës së një familjeje që u internua vetëm për të lënë të qetë Kadarenë, me përjashtim ndoshta vetëm të Andi Bejtes që shkroi shkrimin “A është ky një nga krimet e komunizmit?”, kërkuan të mos flitet për këto gjëra të Kadaresë sepse ai “është më i lexuari në Perëndim” thotë njëri, “ka detyruar Thaçin të firmosë Rambujenë” ia fut kot tjetri, “sepse na ka frymëzuar kur ishim të rinj” thotë një i tretë e me rradhë. Është e qartë se tek këta njerëz cënohet një ikonë, por edhe një alibi e së kaluarës së tyre, por edhe një shtyllë e pushtetit kulturor të një elite të vjetër, mirëpo, më anë tjetër, këta kanë shkuar shumë larg, sepse kanë dhënë një shembull ekstrem mungese sensi kritik e intelektual, por edhe të një mosndjeshmërie ndaj të dobëtëve pa të cilët shoqëria zor se do të mund të shkojë përpara. Sa kontraston kjo ftese e intelektualëve tanë për idolatri ndaj patriarkut që duhet respektuar e nderuar çfarëdo që të ketë bërë e që bën, mundësisht pa i prekur asnjë qime, me debatin që hapi Gunter Grassi në Gjermani i cili me vetëdije kërkoi të nxjerrë në pah personin atje ku të tjerët shihnin personazhin.
Një shoqëri që nuk ka apo nuk zhvillon sensin kritik mbetet në një stad foshnjor duke përsëritur e ripërsritur pa fund të njëjtët gabime. E po të flasim për përgjegjësinë e mospasjes apo të humbjes së sensit kritik e të realitetit në një shoqëri kjo bije shumë më tepër tek ata që i dedikohen rolit të intelektualit sesa tek të tjerët, mu pse sensi kritik ndaj realitetit, e para së gjithash ndaj vetvetes, duhet të jetë conditio sine qua non e kësaj lloj pune. Në fakt duhet të presim që ndaj suksesit që e kthen atë në ikonë të jetë pikërisht autori ai që thotë i pari “mjaft” sepse kush i dedikohet një profesioni si ky nuk duhet të jetë simbol i asgjëje tjetër përveç se i seriozitetit të veprës së tij. Rolet simbolike i takojnë tjetërkujt, psh udhëheqësve politikë apo fetarë; jo atyre që e kanë letërsinë apo artin arësyen e ekzistencës së tyre profesionale. Por, kur një autor, për njëmijë arësye nuk e bën dot këtë, por kërkon të luajë role që, po t’i referohemi Weberit, e depersonalizojnë, atëhere është roli i të tjerëve që ta mbajnë këtë qëndrimi kritik për t’i dhënë personalitet shoqërisë dhe veçanërisht intelektualëve të saj. Sepse sensi kritik është kusht themelor i integritetit të jetës së njerëzve që i dedikohen profesionit të intelektit. (Korrieri, 23 tetor 2006)

Monday, January 22, 2007

Operacioni i hapjes së dosjeve dhe kirurgët kasapë

Gjatë kësaj jave në skenën politike është rikthyer si temë ditë hapja e dosjeve të ish-sigurimit. Si e shikoni këtë inisiativë të re të politikës shqiptare dhe si duhet bërë një veprim i tillë?

Inisiativa ishte nisur për dënimin e krimeve të komunizmit dhe, sipas meje, reduktimi i një çështjeje të tillë kaq të rëndësishme në çështjen nëse duhen hapur apo nuk duhen hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit është një mëkat i ri i politikës, por edhe i gazetarisë, ndaj kësaj çështjeje. Sepse çështja e dënimit të krimeve të komunizmit është shumë më e madhe e më e rëndësishme sesa çështja nëse duhen hapur apo jo dosjet. Çështja e dosjeve dhe e bashkëpunëtorëve të Sigurimit duhet parë si pjesë e kësaj çështjeje shumë më të gjerë e më të thellë. Në thelbin e vet kjo çështja ka të bëjë me ndërgjegjësimin sa më të thellë e sa më të plotë të shoqërisë për atë sistem, për atë mënyrë të menduari e të vepruari politik, për atë lloj raporti të individit me pushtetin për atë degradim që i sjell qënies njerëzore një regjim që shtyp liritë – e të gjitha këto me synimin që ato të mos harrohen kurrë që të mos përsëriten kurrë. E shoqëruar kjo, pa dyshim, edhe me kultivimin e respektit për tërë ata që i kanë bërë rezistencë atij regjimi duke dhënë shembullin moral të mospajtimit me të keqen ashtu sikurse edhe dënimin e atyre që janë bërë vegla të së keqes. Reduktimi i gjithë kësaj problematike në batutat e politikanëve që sulmuan njëri tjetrin me pseudonimet e tyre siç ndodhi në parlament dhe pastaj me sfidat retorike që i hedhin njëri tjetrit “hajt t’i hapim që të shohim se kush jeni ju dhe kush jemi ne” – të gjitha këto në funksion të luftës së tyre aktuale për pushtet – si dhe reduktimi në shtyp i gjithë problematikës vetëm në këtë çështje për mua është një fyerje ndaj gjithë atyre që kanë përjetur seriozisht tragjedinë e atij sistemi. Është fyerje po ashtu për inteligjencën njerëzore që kërkon të kuptojë e të mësojë e të racionalizojë.
Ja pse siç e shihni po vonoj t’ju jap përgjigjen direkte për atë që kërkoni, sepse edhe në pyetjet tuaja reflektohet ky reduktim i gjithë çështjes në atë të dosjeve. Nuk mund ta mohoj se një çështje e tillë ka tërheqjen e vet të veçantë gazetareske pasi ka të bëjë me diçka të fshehtë që duam ta mësojmë, me diçka që e dimë, por nuk e dimë, me diçka që fshihet prapa shumë njerëzve të njohur e që ndoshta do të shpjegonte më mirë shumë nga sjelljet e tyre. Pa dyshim pra në këtë kontekst çështja e dosjeve përbën një lloj skupi gazetaresk, por detyrën e shypit e shoh edhe si detyrën e atij që kërkon të shohë përtej dhe më thellë skupit.
Për t’i dhënë një përgjigje më direkte pyetjes suaj: inisiativën e politikanëve tanë të së djathtës për tu marrë me dënimin e krimeve të komunizmit e shoh si një inisiativë të mirë, por që në rastin në fjalë rezultoi e dështuar mu sepse çështja e shpallur u reduktua në gjetjen e një mjeti për të sulmuar dhe diskredituar kundërsharët politikë. Besoj se kjo insiativë lindi nga festimi i Pezës ku e ashtuquajtura e majtë, nisur nga një pragmatizëm elektoral, por edhe nga një shterpësi kreative e së tashmes për shak të korruptimit moral, tentoi të mbledhë të rinjtë sëbashku me veteranët rreth kësaj feste të Luftës Nacional - Çlirimitare, që ka qenë festë e komunistëve, dhe nuk hezitoi, për të mikluar elektoratin që ende ka nostalgji për Enver Hoxhën, të përmendë atje pozitivisht edhe emrin e diktatorit të urryer. Pa dyshim kjo duhet dënuar dhe pa dyshim socialistët kanë përgjegjësi të madhe që për tetë vjet që ishin në pushtet kryen një reabilitim të butë të diktaturës dhe të figurave të diktaturës dhe lanë në heshtje shumë nga krimet e komunizmit. Por mënyra se si u trajtua në Parlament nga deputetët inisiatorë qe shumë e cekët – në vend të analizës së kësaj çështjeve atje dëgjuam pamflete të vonuara antikomuniste ku sejcili sikur kërkonte të provonte se sa e urrente komunizmin e duke nënkuptuar me këtë se komunistët ishin ata që kishin në krahun e opozitës së asaj salle. Nuk dëgjova askënd që të kishte përgatitur një analizë serioze se çfarë kanë bërë e nuk kanë bërë socialistët gjatë këtyre tetë vjetëve për të shpjeguar pse ne sot mund të themi se jemi larg dekomunistizimit të Shqipërisë. Edhe propozimet për dekomunistizimin qenë shumë të pakta e të cekëta. Ndërkaq, ndaj këtyre pamfleteve pamë deputetin socialist ish kryeredaktorin e Zëri i Popullit Dokle të mbajë një fjalim që filloi me gjoja shprehjen e ndjenjave të sinqerta dënuese për atë regjim, por që s’vonoi dhe nxorri helmin duke filluar të rendisë pseudonime personash që kanë qarkulluar në shtypin tonë e që thuhet se i korespondojnë figurave demokrate. Nënteksti ishte i qartë: mbylleni gojën e mos na akuzoni si komunistë sepse shumë nga ju kanë qenë spiunët e komunizmit. Duke nisur që këtu për mua çështja degjeneroi në sherr retorikash midis këtyre dy kampeve, pa asnjë tentativë thellimi që, sipas meje, pati një nga pikat e veta kulminante momentin kur Berisha u tha socialistëve: në 91-shin rrëzova nga pushteti baballarët tuaj kurse më 2005-sën ju rrëzova ju duke bërë kështu një thjeshtëzim bardhë e zi maksimalist të çështjes e duke harruar se ai vetë i pari dhe shumica e atyre që kishte në krah më 91-shin qenë komunistë, madje një pjesë edhe bij komunistësh, dhe po ashtu se në 2005-sën situata dhe problematika që e solli në pushtet ka qenë shumë më komplekse sesa ndarja komunistë antikomunistë.

Ky hap, d.m.th hapja e dosjeve a mund të jetë një lëvizje pozitive për Shqipërinë apo do të shkaktojë një tjetër kaos social dhe politik në vend. Pra a duhet të bëhet një ndarje e dosjeve që mund t'i nënshtrohen publikimit?

Hapja e dosjeve nuk mund të jetë një akt që mund të gjykohet i ndarë nga konteksti se kur bëhet, pse bëhet dhe kush e bën. Varësisht nga ky kntekst mund të gjykohet nëse kjo mund të jetë një lëvizje pozitive apo negative. Shkëputur nga konteksti është vështirë të gjykohet. Parimisht dhe idealisht mund të thuhet fare mirë se kjo duhet bërë dhe sipas meje duhet bërë për të gjithë dhe jo vetëm për politikanët apo figurat publike. Pse e them këtë? Sepse nëse flasim për katarsis duhet të nënkuptojmë një katarsis të të gjithë shoqërisë në mënyrë kapilare. Pra, ajo që do të qe ideale të bëhej do të ishte që cilido të kishte të drejtën të shkonte në arkivë dhe të shfletonte dosjen e tij ku të gjente se cilët janë shkaktarët e tragjedisë së tij. Është një e drejtë e rëndësishme e njeriut sipas meje. Është thënë shpesh se dosjet duhen hapur për poltikanët dhe sigurisht ka një arësye më shumë që njerëzit publikë të njihen më mirë nga publiku pa ua hequr atyre, megjithatë, të drejtën për tu zgjedhur apo për të zgjedhur sepse edhe kjo do të ishte një shkelje. (Aq më tepër po të kemi parasysh se ne e kishim një ligj lustracioni që parashkonte moszgjedhjen në poste të larta të ish bashkëpunëtorëve deri në vitin 2002 me sa mbaj mend, me të cilin punoi Bezhani.) Pra, do të ishte po ashtu shkelje e të drejtave të njeriut edhe heqja e të drejtës së njerëzve të thjeshtë për të ditur se cilët kanë qenë “njerëzit e thjeshtë” që u kanë shkaktuar atyre tragjedinë.
Duke vazhduar të flas idealisht pra do të thoja se ky proces nuk duhet parë si një mënyrë për të kapur e linçuar në shyp persona të caktuar publikë e për t’i asgjësuar ata si persona, por si një mundësi që do të na jepej në nivele shoqërore edhe familiare për tu thelluar në atë tragjedi, për tu pastruar moralisht, pa përjashtuar denoncimin publik për ata që meritojnë të denoncohen.
E këtu vijmë tek realiteti që ka të bëjë me çka thashë në fillim: tek konteksti se kur kryhet, pse kryhet dhe kush e kryen një akt të caktuar. Psh., a mund të bijem ne dakort që hapjen e dosjeve të ish spiunëve ta kryejnë vetë ish spiunët apo ish rekrutuesit e tyre. Besoj se jo. A është e përshtatshme që ato të hapen në një kohë kur kemi një klimë politike tejet të acaruar dhe kur po kërkojmë të dimë nëpërmjet komisionesh hetimore se cilët politikanë kanë vjedhur e sa kanë vjedhur. Besoj se nuk është e përshtatshme. A është mirë që hapja e dosjeve të kryhet për të asgjësuar selektivisht kundërshtarët politikë dhe jo për të vendosur drejtësinë? Edhe kjo besoj se e ka përgjigjen të qartë “jo”. E pra mua më duket se ky është konteksti ynë. Këtë e provon edhe fakti se tani po na thuhet më qartë se kurrë më parë fakti se tek dosjet gjatë kësaj periudhe ka pasur ndërhyrje pastrimi e selektimi. A nuk do të ishte më mirë të marrim ata që kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e tyre dhe t’i akuzojmë e dënojmë? Pse nuk e kanë bërë këtë socialistët që po e denoncojnë me forcë këtë pastrim?
Shkurt, po të përdor një figurë që e kam përdorur edhe herë tjetër kjo puna e hapjes së dosjeve është njëlloj sikur të kesh të bësh me një trup të sëmurë që duhet operuar, por që nga ana tjetër që të kryhet operacioni duhet që trupi të ketë ca parametra shëndeti që të mos rrezikohet më keq dhe, po ashtu, që kirurgu duhet të jetë kirurg dhe jo kasap. Mua më rezulton se kemi një trup të dobët dhe jemi në dorë kasapësh. Dhe ajo që më shqetëson në këtë diskutim veçanërisht është se kjo elitë politike dhe kulturore sikur ka një strategji të vetëdijshme apo të pavetëdijshme që nëpërmjet trajtimit prej kasapësh të kësaj çështjeje ta shtyjë sa më shumë operacionin e hapjes së vërtetë të dosjeve.


Edi Rama ka mbushur një vit në drejtimin e Partisë Socialiste. Si do ta gjykonit ju këtë periudhë për socialistët dhe a mendoni se është bërë ndonjë hap në reformimin e PS-së.

Po të vini re fjalimet e Ramës do të konstatoni se ai gjithnjë e më shumë, kur flet për mazhorancën, përdor termin “pushtues”. Me fjalë të tjera ardhjen e PD në pushtet ai e konsideron një pushtim nga të huajt dhe tërë energjitë e veta e të të vetëve tenton t’i shpenzojë për të çliruar vendin nga ky pushtim. Jemi pra në një retorikë lufte dhe shpirti i luftës është revolucioni dhe mobilizmi i luftëtarëve dhe jo reformimi. Retorikat anti Berishë po ta vini re kanë arritur kulmin edhe pse, për ta thelluar edhe më këtë shpirt mobilizimi, rritet gjihtnjë e më shumë rreziku i armikut. Po të kemi parasysh situatat e luftës ato, pra, kërkojnë bashkimin e sa më shumë njerëzve kundër armikut. Po t’i referohemi madje Konferencës së Pezës, që socialistët e festuan së fundi, parrulla e saj ka qenë bashkimi pa dallim feje, krahine, dhe ideje kundër armikut të përbashkët (nën udhëheqjen e Partisë Komuniste). Mua më duket se Rama po punon në këtë frymë lufte për të bashkuar nën udhëheqjen e socialistëve tërë kundërshtarët e Berishës duke i kërkuar këta ku të mundë pa dallim feje, krahine dhe ideje. Që nga veteranët pleq të luftës deri tek të rinj neoliberalë duke kaluar nëpër partinë e Ilir Metës që u nda me bujë nga PS-ja me premtimin e një të majte ndryshe duke përfshirë edhe deputetë të PD-së mundësisht. Edhe ideologjikisht kërkon të bashkojë idetë e majta të barazisë me çdo lloj iniciative të lirë të reklamuar nga neoliberistët. (Së fundi e pashë në një televizion privat të flasë kundër televizionit publik e të gloirifikojë iniciativa si ato të pronarit të atij televizioni pa u bërë merak fare se disa minuta më parë kishte shpalosur ide të majta. )
Dua të them pra se në këto kushte lufte apo rezistence të ethëshme e që nuk pret kundër armikut është vështirë të flitet për reformë. Reforma apo më shqip ri formimi i një force politike kërkon më së pari ndarjen, pastrimin, ndryshimin e shumë gjërave. Është një punë që do kohë dhe gjendje paqeje. Sipas meje reformimi kryesor do të duhej të kryehej në dy drejtime: së pari pastrimi i partisë nga të korruptuarit dhe, së dyti, ndryshimi i përbërjes së partinë në atë mënyrë që ajo të mos përfaqësojë më shtresat e më të pasuruarve nëpërmjet korrupsionit, por ato shtresa që duhet të përfaqësojë një parti e majtë. Mirëpo kjo është objektivisht e pamundur të bëhet nga ata që janë vetë për tu pastruar. Ata detyrë të parë imediate kanë mbrojtjen e vetes dhe të interesave të tyre. Prandaj sipas meje, tamam pamundësia e reformimit bën që ky të zëvendësohet me bashkimin në luftë kundër armikut, nën një lider luftarak dhe shpresa e vetme të mbetet që armiku të bëhet sa më i keq e që lideri të bëhet sa më i fortë. E siç kuptohet kjo vetëm reformë nuk sjell. Pasojat e ushqimit të kësaj fryme lufte për vendin janë një polarizim dhe konfliktualitet ekstrem i barsur me rreziqe të mëdha. (Rubrika Përpjekja, Standart, 14 tetor 1006

Friday, January 19, 2007

Mbi krimet e komunizmit

Gjatë ditëve të debatit parlamentar mbi krimet e komunizmit tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen fjala e deputetit Ngjela, i cili, me një shpërthim krenarie që e gjen tek shumë ish të burgosur politikë, e quajti fyes qëndrimin e atyre që i trajtojnë ish të persekutuarit e komunizmit si viktima duke kërkuar të konsiderohen fitimtarë që meritojnë shpërblimin e fitimtarëve dhe jo mëshirën e ishkomunistëve. Ishte një reagim që preku më shumë se këdo sedrën e ish të persekutuarve, që vuri po ashtu në dukje se sa pak deputetë ish të burgosur politikë ka në atë sallë Parlamenti, (me sa di vetëm Ngjela). Por, nga ana tjetër, ky reagim si dhe kjo mungesë deputetësh ish të burgosur politikë, nuk mund të mos ringrinte tek shumëkush, qoftë ish i persekutuar qoftë jo, pikëpyetjen dramatike që mbetet: a ishin të persekutuarit e komunizmit viktima apo kundërshtarë që më në fund fituan?
Nuk ka dyshim se historia e regjimeve komuniste edhe në vendet si ky i yni ku ata kanë qenë më të egrit nuk mund të mos jetë edhe histori e qëndresës ndaj komunizmit. Nuk kanë munguar aktet kundra tij. Nuk ka munguar rezistenca kundër tij qoftë edhe vetëm me fjalë apo arratisje nga vendi, qoftë edhe vetëm duke mos pranuar bashkëpunimin me të. Në burgje kam ndeshur njerëz me një kurajo vërtet të jashtzakonshme që pranonin të dënoheshin e të ridënoheshin, që të mos humbin dinjitetin qoftë edhe thjeshtë sepse prisnin atë ditë kur regjimi do të binte e donin që ajo t’i gjente fitimtarë, së paku moralisht. Nuk është e gabuar pra t’i quash edhe fitimtarë ish të persekutuarit.
Mirëpo po të thellohesh përtej ndjenjës së mirë zemërngrohëse që shkaktoi ky reagim i Ngjelës e që të sjell ndërmend shumë akte pak të njohura e shumë pak të kujtuara e nderuara nga shoqëria jonë, do të vemë re se, nëse bëhet fjalë që shoqëria jonë të ndërgjegjësohet për krimet e komunizmit dhe njëherësh t’i dënojë këto krime, ky lloj qëndrimi prej kundërshtari fitimatar i bën një lehtësim të madh krimeve dhe dënimit të atij regjimi.
Çfarë kam parasysh me këtë? Debati nëse të persekutuarit nga komunizmi kanë qenë viktima apo kundërsharë të çon në dallimet që teoricienët e politikës bëjnë midis atyre regjimeve që quhen diktatoriale, apo tiranike dhe atyre regjimeve që kanë merituar epitetin “totalitare” siç quhen nazizmi dhe komunizmin. Cili është dallimi midis një diktature apo tiranie si ato që ka pasur shumë në botë dhe këtyre dy diktaturave që i quajmë totalitare? Ose, pse nazizmi dhe komunizmi, kur përmenden në historinë e njerëzimit, kanë damkën më të zezë?
Kur flitet për totalitarizmin ai karakterizohet si një fenomen historik kompleks përkufizimi dhe studimi i të cilit ndeshet me mjaft vështirësi. Megjithatë tashmë janë përcaktuar disa karakteristika të fenomenit totalitar të tilla si ekzistenca e një partie të vetme që ka monopolin e aktivitetit politik; ekzistenca e një ideologjie me autoritet absolut, që bëhet e vërteta zyrtare e shtetit; propaganda dhe shpëlarja e truve (por edhe dënimi) në emër të kësaj ideollogjie; kontrolli nga shteti i aktiviteteve ekonomike dhe profesionale; kulti i diktatorit; terrori policor e ideologjik. Karakteristika të tilla mund t’i gjesh edhe nëpër diktatura apo tirani të ndryshme, por vështirë t’i gjesh së bashku. Por nuk janë vetëm këto të tëra së bashku që e dallojnë totalitarizmin. Atëhere, çfarë e dallon totalitarizmin? Po t’i referohemi Hannah Arendt njërës prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX që është marrë me këtë temë, dhe posaçërisht librit të saj “Origjinat e totalitarizmit”, një nga dallimet thelbësore të totalitarizmit sipas saj ka të bëjë mu me temën e të persektuarve të këtyre regjimeve. E pra, sipas Hannah Arendt, një nga dallimet më të rëndësishme midis regjimeve diktatoriale apo tiranike dhe regjimeve totalitare ka të bëjë me rolin që marrin në regjimet totalitare dënimet e të pafajshmëve. Sipas saj në diktaturat apo regjimiet e ashtuquajtura tiranike ka shtypje, ka goditje, ka vrasje, ka survejime, etj., por këto drejtohet ndaj atyre që dalin kundër. Kurse në regjimet totalitare goditja shtrihet edhe kundër atyre që nuk synojnë të dalin kundër me fjalë të tjera edhe ndaj të pafajshmëve. Është pikërisht kjo që i bën këta regjime edhe më monstruozë. Mjafton të kesh parasysh Holokaustin që shfaroste ebrejtë e pafajshëm deri edhe fëmijët, mjafton të kesh parasysh në regjimin tonë qindra mijëra familjet e internuara pa gjyq, fëmijët e lindur dhe rritur në internime, ata që damkoseshin si familje armiku e që u kufizoheshin të drejtat jo vetëm kur kishin prindërit të dënuar, por edhe kur kishin të dënuar kushërinjtë e parë apo edhe të dytë.
Totalitarizmi pra nuk ka pasur vetëm kundërshtarë, por edhe shumë viktima që kanë qenë të pafajshëm edhe në raport me ligjet e tij çnjerëzore. Madje totalitarizmi ishte një makinë monstruoze që synonte të pastronte shoqërinë deri edhe nga mundësia e ekzistencës së kundërshtarëve. E në këtë proces ai krijonte viktima pa fund që pa dyshim e kanë tejkaluar numrin e kundërshtarëve e jo vetëm, por edhe që shpesh i kanë kthyer edhe këta në viktima. Ky dimension i totalitarizmit nuk duhet harruar kurrë nëse duam të kuptojmë sa më thellë e të dënojmë sa më drejt krimet e komunizmit. Ky dallim e shenjon atë regjim me më të keqen. Është pikërisht ky dimension që e bën atë regjim dhe ndërtuesit e tij fajtorë në mënyrën më të pafalëshme. Të godasësh një kundërshar vetëm pse ai mendon dhe vepron ndryshe kjo është pa dyshim një dhunim lirie, të privosh lirinë një kundërshtari vetëm pse ai ka qenë dënuar një herë si kundërshtar, kjo është një mungesë edhe më e madhe lirie, t’i ridënosh edhe duke qenë në burg e keqja thellohet, por të arrish deri t’u privosh lirinë dhe të drejtat qënieve që sapo kanë lindur kjo është monstruoze. Dënimi i të pafajshmëve, posaçërisht i fëmijëve, dhunimi, poshtërimi i tyre është nga ata krime të komunizmit që nuk duhet ta lerë ndërgjegjen e autorëve të atyre krimeve kurrë të qetë, por edhe ndërgjegjen tonë shoqërore, fatkeqësisht të fjetur e në amnezi, nuk duhet ta lerë të gjejë kurrë prehje së dënuari e denoncuari ato krime. (Korrieri, 17 tetor 2006)