Friday, January 19, 2007

Mbi krimet e komunizmit

Gjatë ditëve të debatit parlamentar mbi krimet e komunizmit tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen fjala e deputetit Ngjela, i cili, me një shpërthim krenarie që e gjen tek shumë ish të burgosur politikë, e quajti fyes qëndrimin e atyre që i trajtojnë ish të persekutuarit e komunizmit si viktima duke kërkuar të konsiderohen fitimtarë që meritojnë shpërblimin e fitimtarëve dhe jo mëshirën e ishkomunistëve. Ishte një reagim që preku më shumë se këdo sedrën e ish të persekutuarve, që vuri po ashtu në dukje se sa pak deputetë ish të burgosur politikë ka në atë sallë Parlamenti, (me sa di vetëm Ngjela). Por, nga ana tjetër, ky reagim si dhe kjo mungesë deputetësh ish të burgosur politikë, nuk mund të mos ringrinte tek shumëkush, qoftë ish i persekutuar qoftë jo, pikëpyetjen dramatike që mbetet: a ishin të persekutuarit e komunizmit viktima apo kundërshtarë që më në fund fituan?
Nuk ka dyshim se historia e regjimeve komuniste edhe në vendet si ky i yni ku ata kanë qenë më të egrit nuk mund të mos jetë edhe histori e qëndresës ndaj komunizmit. Nuk kanë munguar aktet kundra tij. Nuk ka munguar rezistenca kundër tij qoftë edhe vetëm me fjalë apo arratisje nga vendi, qoftë edhe vetëm duke mos pranuar bashkëpunimin me të. Në burgje kam ndeshur njerëz me një kurajo vërtet të jashtzakonshme që pranonin të dënoheshin e të ridënoheshin, që të mos humbin dinjitetin qoftë edhe thjeshtë sepse prisnin atë ditë kur regjimi do të binte e donin që ajo t’i gjente fitimtarë, së paku moralisht. Nuk është e gabuar pra t’i quash edhe fitimtarë ish të persekutuarit.
Mirëpo po të thellohesh përtej ndjenjës së mirë zemërngrohëse që shkaktoi ky reagim i Ngjelës e që të sjell ndërmend shumë akte pak të njohura e shumë pak të kujtuara e nderuara nga shoqëria jonë, do të vemë re se, nëse bëhet fjalë që shoqëria jonë të ndërgjegjësohet për krimet e komunizmit dhe njëherësh t’i dënojë këto krime, ky lloj qëndrimi prej kundërshtari fitimatar i bën një lehtësim të madh krimeve dhe dënimit të atij regjimi.
Çfarë kam parasysh me këtë? Debati nëse të persekutuarit nga komunizmi kanë qenë viktima apo kundërsharë të çon në dallimet që teoricienët e politikës bëjnë midis atyre regjimeve që quhen diktatoriale, apo tiranike dhe atyre regjimeve që kanë merituar epitetin “totalitare” siç quhen nazizmi dhe komunizmin. Cili është dallimi midis një diktature apo tiranie si ato që ka pasur shumë në botë dhe këtyre dy diktaturave që i quajmë totalitare? Ose, pse nazizmi dhe komunizmi, kur përmenden në historinë e njerëzimit, kanë damkën më të zezë?
Kur flitet për totalitarizmin ai karakterizohet si një fenomen historik kompleks përkufizimi dhe studimi i të cilit ndeshet me mjaft vështirësi. Megjithatë tashmë janë përcaktuar disa karakteristika të fenomenit totalitar të tilla si ekzistenca e një partie të vetme që ka monopolin e aktivitetit politik; ekzistenca e një ideologjie me autoritet absolut, që bëhet e vërteta zyrtare e shtetit; propaganda dhe shpëlarja e truve (por edhe dënimi) në emër të kësaj ideollogjie; kontrolli nga shteti i aktiviteteve ekonomike dhe profesionale; kulti i diktatorit; terrori policor e ideologjik. Karakteristika të tilla mund t’i gjesh edhe nëpër diktatura apo tirani të ndryshme, por vështirë t’i gjesh së bashku. Por nuk janë vetëm këto të tëra së bashku që e dallojnë totalitarizmin. Atëhere, çfarë e dallon totalitarizmin? Po t’i referohemi Hannah Arendt njërës prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX që është marrë me këtë temë, dhe posaçërisht librit të saj “Origjinat e totalitarizmit”, një nga dallimet thelbësore të totalitarizmit sipas saj ka të bëjë mu me temën e të persektuarve të këtyre regjimeve. E pra, sipas Hannah Arendt, një nga dallimet më të rëndësishme midis regjimeve diktatoriale apo tiranike dhe regjimeve totalitare ka të bëjë me rolin që marrin në regjimet totalitare dënimet e të pafajshmëve. Sipas saj në diktaturat apo regjimiet e ashtuquajtura tiranike ka shtypje, ka goditje, ka vrasje, ka survejime, etj., por këto drejtohet ndaj atyre që dalin kundër. Kurse në regjimet totalitare goditja shtrihet edhe kundër atyre që nuk synojnë të dalin kundër me fjalë të tjera edhe ndaj të pafajshmëve. Është pikërisht kjo që i bën këta regjime edhe më monstruozë. Mjafton të kesh parasysh Holokaustin që shfaroste ebrejtë e pafajshëm deri edhe fëmijët, mjafton të kesh parasysh në regjimin tonë qindra mijëra familjet e internuara pa gjyq, fëmijët e lindur dhe rritur në internime, ata që damkoseshin si familje armiku e që u kufizoheshin të drejtat jo vetëm kur kishin prindërit të dënuar, por edhe kur kishin të dënuar kushërinjtë e parë apo edhe të dytë.
Totalitarizmi pra nuk ka pasur vetëm kundërshtarë, por edhe shumë viktima që kanë qenë të pafajshëm edhe në raport me ligjet e tij çnjerëzore. Madje totalitarizmi ishte një makinë monstruoze që synonte të pastronte shoqërinë deri edhe nga mundësia e ekzistencës së kundërshtarëve. E në këtë proces ai krijonte viktima pa fund që pa dyshim e kanë tejkaluar numrin e kundërshtarëve e jo vetëm, por edhe që shpesh i kanë kthyer edhe këta në viktima. Ky dimension i totalitarizmit nuk duhet harruar kurrë nëse duam të kuptojmë sa më thellë e të dënojmë sa më drejt krimet e komunizmit. Ky dallim e shenjon atë regjim me më të keqen. Është pikërisht ky dimension që e bën atë regjim dhe ndërtuesit e tij fajtorë në mënyrën më të pafalëshme. Të godasësh një kundërshar vetëm pse ai mendon dhe vepron ndryshe kjo është pa dyshim një dhunim lirie, të privosh lirinë një kundërshtari vetëm pse ai ka qenë dënuar një herë si kundërshtar, kjo është një mungesë edhe më e madhe lirie, t’i ridënosh edhe duke qenë në burg e keqja thellohet, por të arrish deri t’u privosh lirinë dhe të drejtat qënieve që sapo kanë lindur kjo është monstruoze. Dënimi i të pafajshmëve, posaçërisht i fëmijëve, dhunimi, poshtërimi i tyre është nga ata krime të komunizmit që nuk duhet ta lerë ndërgjegjen e autorëve të atyre krimeve kurrë të qetë, por edhe ndërgjegjen tonë shoqërore, fatkeqësisht të fjetur e në amnezi, nuk duhet ta lerë të gjejë kurrë prehje së dënuari e denoncuari ato krime. (Korrieri, 17 tetor 2006)

No comments: