Gjatë këtyre ditëve paszgjedhore kemi dëgjuar nga lideri i koalicionit fitues Rama disa propozime apo projekt-ide për të ardhmen. Nuk mund të mos tërheqin vëmendjen ideja e rifutjes së FMN-së si element kontrolli që duhet të bëjë një auditim, ideja e një dogane të kontrolluar nga të huajt, ideja e INSTAT-it që do të funksionojë me një lloj binjakëzimi. Së fundi, ideja e një autoriteti që do të kontrollojë gjithë çka të bëjë me financat e vendit, d.m.th. edhe Bankën Kombëtare apo ajo e një Byroje të Hetimit Kombëtar pranë Kryeministrit. Nëse do t’i analizojmë këto projekt-ide, nuk mund të mos arrijmë në konkluzionin se ato kanë një gjë të përbashkët: mosbesimin e thellë tek institucionet që kemi ngritur deri tani, veçanërisht ato që në vend se të jenë të pavarura, konsiderohen të kapura, pra jo të besueshme. Ato flasin për dështimin e ngritjes së shtetit të së drejtës që në themelet e tij. Dhe këtë askush nuk e mohon dot, se është e vërtetë. Projekt-idetë e propozuara, megjithatë, për mendimin tim, janë tejet të diskutueshme për një sërë arsyesh që po përpiqem t’i rreshtoj.Së pari, duke krijuar institucione që në një farë mënyre duket se do të funksionojnë në mënyrë paralele me institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria etj., lind pyetja se sa janë kushtetuese e sa do të hyjnë në konflikt me institucionet e akuzuara si të kapura nga Berisha?Së dyti, ngrihet pyetja se sa të huajt do të jenë efikasë, edhe po pranuan të punojnë, në një terren shqiptar të minuar nga të katër anët nga ekonomia kriminale dhe nga polarizimi ekstrem?Së treti, sa këta do të jenë vërtet të pavarur dhe sa në shërbim të maxhorancës së re, d.m.th. sa do t’i rezistojnë sistemit, i cili, sipas vetë fjalëve të Ramës, korrupton çdokënd?Së katërti, prurja e të huajve në këto vende dhe marrja prej tyre e përgjegjësisë së arbitrit, sa do t’i ndihmojë shqiptarët dhe sa do t’i vonojë në pjekurimin e tyre? Një gjë është e padiskutueshme: kërkesa për tërë këto institucione e për tërë këta të huaj është shenjë e dështimit në ngritjen e institucioneve që jo vetëm duhet të jenë të pavarura nga partitë, por edhe t’i kontrollojnë partitë. E padiskutueshme është se ne kemi një regjim bandokratik, ku bandave nuk u ka interesuar arbitri dhe prandaj jemi në këtë gjendje. Disa e kanë cilësuar këtë pohim timin si shumë radikal, por më duhet ta ripohoj se sipas meje – dhe një opinioni mjaft të përhapur – është vërtetthënës për sistemin se si funksionojmë. Mjaft t’ju kujtoj se ne do të kemi për Kryeministër një person, i cili, sipas vetë fjalëve të partnerit të tij kryesor, Ilir Metës, është i kapur nga krimi i organizuar, ne do të kemi në postin e kryetarit të Parlamentit një njeri që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, është një kryebandit me “bllok korrupsioni në dorë” që u bë shkak që aleati i tij i djeshëm, Berisha dhe zëvendësi i tij si kryetar i opozitës sot, Lulzim Basha, të kryejnë vrasje të paligjshme.Në një shtet të së drejtës, ose njëra palë do të kishte shkuar në burg për këto akuza për shkak të vërtetësisë së tyre, ose pala tjetër do të kishte shkuar në burg për shpifje. Te ne nuk ndodh as njëra, as tjetra, pasi nuk ka shtet të së drejtës. “Nëse mungon e drejta, shteti bëhet një bandë brigandësh” – tha Papa në vizitën e tij në Berlin para disa kohësh, duke cituar Shën Agostinin. Ky është realiteti i shtetit tonë. Tani ne kemi dy banditë të bërë papë që na premtojnë ndërtimin e një shteti të ri. A ka gjasë të ndodhë kjo? Për mua është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Është si të çarmatosësh ushtri që deri dje kanë bërë luftë e plaçkitje dhe t’i kthesh ushtarët e saj në bujq e punëtorë të mirë. Është si të kthesh një organizatë terroriste të mësuar të bëjë krime në organizatë politike.Pyetja që shtrohet lidhur me projekt-idetë në fjalë është: a janë ato shenja të vetëdijes së nevojës urgjente të këtij transformimi? Nuk më bën zemra të them “jo” me bindje të plotë, por më duhet të them se Ramës i duhet një akt shumë i rëndësishëm që të fitojë besimin se ka ndërruar rrugë dhe, duke u nisur nga përvoja e së djeshmes, por edhe duke marrë në analizë propozimet e fundit, sipas meje këto nuk duken shenja se synojnë “çarmatimin” e partive nga pushtetet që s’u përkasin. Sipas mendimit tim, ajo që duhet të propozojnë Edi Rama dhe Ilir Meta për të filluar çarmatimin e bandave dhe kthimin e tyre në parti, është pikërisht ngritja e institucioneve të pavarura, realisht të pavarura, që të kontrollojnë edhe partitë e tyre, edhe deputetët e tyre.Pra, ndryshimi duhet të fillojë nga mbisundimi i vullnetit politik për të pranuar arbitrin, çarmatosësin. Dhe kjo nënkupton që edhe Basha në krahun tjetër (e përdora qëllimisht Basha dhe jo Berisha), të bjerë dakord për çarmatimin, që konkretisht do të thotë qoftë ndryshime kushtetuese e ligjore, qoftë ndryshime në emërime e në struktura institucionale.Për shembull: nëse Rama ka dyshime për abuzime me financat dhe kërkon që përpara se të marrë në dorë pushtetin të verifikojë gjendjen dhe të caktojë përgjegjësit, madje edhe të kërkojë procedimin e tyre ligjor nëse rezultojnë të vërteta, është e udhës që opozita e sotme ta pranojë një gjë të tillë. A do të jetë ky auditim i huaj apo shqiptar? Më e rëndësishme nuk është kjo, por që të ketë një pranim nga të dyja palët në besueshmërinë e atij që bën auditimin. A ka një vullnet çarmatimi, që do të thotë edhe një ndryshim të gjuhës që përdorin ndaj njëra-tjetrës? Sipas meje, jo.Në fakt, pranimi duhet të ekzistojë pasi shteti ka institucione që duhet ta bëjnë këtë kontroll. Dhe këtu fillon problemi. Rama kërkon të verë të vetët. Nëse këta të fundit do të nxjerrin këto përfundime që atyre nuk u pëlqejnë, është e gatshme që të thotë se kanë vepruar nën diktatin e maxhorancës së re. Vini re se ç’ndodhi me vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Deri dje ai konsiderohej se qe nën kontrollin e Berishës. Sapo mori disa vendime që nuk i pëlqyen këtij, u akuzua menjëherë se po i shërbente Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nën dritën e kësaj problematike duhen parë edhe projekt-idetë e fundit.Duke parë ato nuk mund të mos ngrihet pyetja: prapa idesë se do të bëjmë një strukturë që funksionon më mirë, a mos qëndron synimi që të bëjmë një strukturë që e kemi ne nën kontroll dhe jo një strukturë të pavarur nga të dyja palët? Pra, për të nxjerrë jashtë loje një institucion të akuzuar si të kapur nga Berisha, ndërtohet një strukturë tjetër, në krye të së cilës emërohet një njeri i maxhorancës së re. Lexova në shtyp p.sh., se në krye të së ashtuquajturës Byro Hetimore Kombëtare që synohet të krijohet pranë Kryeministrit – sipas sugjerimit të Tony Blair – do të vihej ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Nuk mund mos të të shkojë menjëherë në mendje se ky është akuzuar disa vjet rresht si njeri që flinte mbi dosjet e korrupsionit të Edi Ramës me shokë.Është e imagjinueshme se sa do të pranohej e do të besohej nga opozita e sotme një institucion kaq delikat me në krye një person si ai, edhe pse i propozuar nga Tony Blair. Meqë ra fjala, një miku im anglez më shkruante një ditë: “Edhe Tony Blair i duhej Shqipërisë”. Pasi nami i tij në Angli, midis të majtëve veçanërisht, është tejet i keq. Por unë dyshoj se Blair po përdoret në këtë rast dhe kemi përvojë se (keq)përdorimi i të huajve ka qenë në stilin e Ramës. Projektet e grataçielave të dështuara janë ideuar në Tiranë, studiot e huaja vetëm kanë zbatuar porosinë. Në rastin në fjalë: ne problemin kryesor këta njëzet vjet kemi pasur pikërisht korrupsionin e gjeneruar nga kryeministrat – të gjithë me radhë. Tani befas po i vëmë mëlçitë ujkut në qafë, po i lëmë Kryeministrit në dorë ndjekjen e krimit të korrupsionit.Hajde këshillë që po na jep, o Tony Blair, hajde!) Nga ana tjetër mund të ngrihet me të drejtë pyetja: po ku t’i gjejmë njerëzit që pranohen nga të dyja palët? Sipas meje, njerëzit sillen si të pavarur kur hiqet trysnia dhe vullneti për instrumentalizimin e tyre dhe kur kjo shprehet edhe me garanci ligjore. Ndërtimi i institucioneve me pushtete të pavarura mbi parimin “check and balance” të besueshme nga opinioni dhe të respektuara nga të gjitha palët, është sfida kryesore që ka Shqipëria dhe klasa politike që ka ardhur në pushtet.Përndryshe, do të vazhdojë loja e delegjitimimit reciprok, ose më saktë, teatri i delegjitimimit reciprok me pasoja vazhdimin e shtetit të brigandëve, dhe jo ndërtimin e shtetit të së drejtës. Dyshimi është se pikërisht kjo do të ndodhë. Të paktën t’ua themi se ky është një teatër i bërë bajat që nuk e ndjek më kush. (Panorama, 7 gusht 2013)
Tuesday, August 27, 2013
Mbi disa projekt - ide të Ramës
Tuesday, August 20, 2013
Mbi krimin në Vlorë
Te lajmi i krimit në Vlorë më tërhoqi vëmendjen një detaj; “vrasësi iku me një fuoristradë”. M’u kujtua menjëherë për asosacion një bisedë që kisha pasur vetëm para disa ditësh me një specialist ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe krimit, i cili e njeh jo pak Shqipërinë. Duke bërë krahasim midis vendeve të tjera europiane dhe Shqipërisë, ai më tha pak a shumë këto fjalë: “Mafie dhe krim ka edhe te ne, por ka edhe antimafie dhe antikrim, kurse te ju mungon kjo e dyta. Në Itali ka mafie, por ka edhe Falcone e Borselino, këtu jo. Ky është problemi. Ja, le të marrim për shembull Rumaninë. Edhe atje ka mafie dhe krim. Ku qëndron ndryshimi? Ta them unë: në rrugët e Bukureshtit ti nuk mund të shohësh kurrsesi djem të rinj mbi makina fuoristradë BMW X5 apo X6 apo Ferrari, siç sheh këtu. Nuk ka shans të shohësh një gjë të tillë sepse edhe ai mafiozi që e ka mundësinë t’i blejë nuk e blen, se do të kapet menjëherë për shkak të makinës. Kurse këtu i sheh në mes të Bllokut të parakalojnë pa e prishur terezinë. Të bëjnë edhe karshillëk madje. Sepse nuk kanë frikë nga shteti. Ja, ky është ndryshimi”.Në fakt, në shoqëri njerëzore jetojmë të gjithë, ndryshimi qëndron në atë se si sillemi. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht krimi shëtit sheshit. Madje edhe po vret pa e prishur fare terezinë. Numri i kriminelëve, të rinj shumica, që shëtisin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona, një pjesë e mirë me makina luksoze dhe të armatosur, është shtuar aq shumë, sa nganjëherë të duket se janë në gjendje ta mbysin shoqërinë nëse ajo kërkon t’i luftojë seriozisht.A është kështu, apo e teproj? Nuk e teproj nëse konsiderojmë se këto akte që bëjnë bujë janë thjesht maja e ajsbergut, apo thjesht qelbi që del nga një pus infeksioni shumë i thellë në trupin e shoqërisë sonë. Sipas meje, ata që për një sherr banal marrin kallashnikovin dhe vrasin kë t’u dalë përpara, siç ndodhi në Vlorë, nuk se janë qytetarë normalë që për një çast humbasin mendjen. Ata janë kriminelë që jetojnë nëpërmjet krimit dhe që ndihen aq të pakërcënuar nga shteti dhe ligji, sa u shkon mendja se mund të bëjnë akte të tilla. E përsëris: janë vetëm maja e ajsbergut të krimit. Sepse edhe ata pronarët e lokalit që i kanë parë të hyjnë në lokalin e tyre me kallash në duar dhe nuk kanë ndërhyrë, madje as i kanë kallëzuar në polici, janë, në një mënyrë a në një tjetër, ose të lidhur me këta, ose të terrorizuar, sepse e dinë se çfarë i gjen. Sepse, po ashtu, nuk është rastësi që këta kriminelë janë kapur e lëshuar nga policia disa herë, derisa arritën të kryejnë këtë vrasje llahtar. Ne e dimë shumë mirë se edhe policia, në një mënyrë apo në një tjetër, ha me apo nga këta. E ripërsëris: fakti që kriminelë të tillë shëtisin kaq të patrazuar kur nuk vrasin, madje shpesh edhe pasi vrasin – siç ma përshkruante eksperti që përmenda – është shenja më evidente se ne kemi ndërtuar një sistem simbioze me krimin. Në një shkrim të paradokohshëm këtë e kam quajtur “të hash nga ujku”. Dhe po qe se duam të merremi seriozisht me luftën kundër krimit, duhet të merremi me atë që qëndron poshtë ajsbergut.Kur kërkojmë të kuptojmë se pse kemi arritur deri në këtë pikë, nuk duhet të harrojmë disa faktorë të rëndësishëm. Së pari, ne dolëm me një sistem krejtësisht të dështuar ekonomik ku, përveç emigracionit një burim kryesor mbijetese u bë edhe krimi – në formën e trafiqeve njerëzore, të drogës, prostitucionit dhe të krimeve të tjera të ndryshme. Së dyti, ne dolëm me një eksperiment që nuk mbahet mend të ketë ndodhur në historinë njerëzore: nga një sistem ekonomik ku gjithçka ishte pronë kolektive, në një sistem ku kjo pronë do të privatizohej. Edhe kjo, duke pasur parasysh edhe pikën një, u bë burim plaçkitjeje dhe pasurimi të shpejtë. Së treti, që ka të bëjë me faktorin njeri, ai sistem dështoi edhe përsa i përket kapitalit më të çmuar. Në vend të njeriut të ri që sakrifikohej për të tjerët, shoqërinë, socializmi prodhoi një njeri që pikërisht pse iu mohua çdo shprehje e interesit personal u kthye në një monstër interesi personal që e shfaqi trajtën e tij më monstruoze tek elita e re drejtuese.Për fat të kaq duhet thënë se krimi është mëkati fillestar i këtij tranzicioni që po na ndjek duke u bërë gjithnjë e më kërcënues. Dhe kërcënimi më i madh vjen ngase krimi sa më shumë që është forcuar, aq më fort e ka kapur shtetin, politikën. Dhe një politikë që jeton nëpërmjet krimit dhe për krimin, e ka vështirë të luftojë krimin. Mjafton të kesh parasysh piramidat dhe gjëmën që krijuan ato. Siç e kam thënë edhe në shkrimin “Të hash nga ujku”, krimi i organizuar dhe i çorganizuar jeton në simbiozë me shoqërinë tonë. Shikoni pallatet që janë ngritur nëpër Shqipëri. A është ulur kush të bëjë kalkulimin se si janë gjetur tërë këto para? Askush. Sepse ato para janë burimi kryesor i mbijetesës edhe për njerëzit që nuk dinë të përdorin kallashnikovin, por vetëm mistrinë dhe çekanin. Politikanët e quajnë “zhvillim”, por në fakt e kanë shumë të qartë se është krim, ndaj njeriut, ndaj territorit dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë, që e bëjnë ata për interesat e tyre personale.Kjo, pra, është klima e përgjithshme në të cilën lulëzojnë dhe shpërthejnë pastaj edhe akte si ai i Vlorës. Nuk mund të harroj se kur erdhi në pushtet PD-ja e Sali Berishës, ndër premtimet e shumta (të pambajtura) bëri edhe atë që do të ndalonte makinat me xhama të zinj. Sot ndalon makinën në semafor dhe sheh gjithnjë e më shpesh se përbri teje ka ndaluar një makinë e madhe, e re, me xhama të zinj prej nga ti nuk mund të shohësh assesi se cili është prapa. Kush ka parë shumë filma policorë, ka rrezik t’i ngjallet paranoja se prapa atij xhami dikush mund ta qëllojë e të ikë i patrazuar në rrugën e tij. Po për çfarë filmash po flas, a nuk ndodhi kështu vrasja e shoferit të njërit prej kryeprokurorëve tanë? A nuk e vranë kështu një shef policie?Si pasojë, kjo strukturë ekonomike e politike kriminale ka krijuar edhe sistemin e vet të vlerave dhe njeriun monstër të ri, ku të kesh një fuoristradë të blerë me pare droge dhe të kesh kallashnikovë në bagazhin e saj, që mund t’i përdorësh për çdo rast, nuk quhet krim, por normalitet në këtë shoqëri. Në këtë aspekt, vrasësit e Vlorës, aq sa ç’mund të konsiderohen kriminelë, mund të konsiderohen edhe viktima të kësaj shoqërie.Gjer këtu, do të më thonë kritikët e shkrimeve të mia, nuk na ke thënë ndonjë gjë të re, madje i dimë dhe vetë, a mund të na thuash ndonjë gjë se si të dalim nga kjo gjendje?Është e vërtetë se tmerri që të kap kur dëgjon një lajm të tillë si ai i Vlorës, ku një kriminel vret tre njerëz sepse motrës së shokut të tij i kanë kërkuar adresën e Facebook-ut dhe ikën i patrazuar, flet shumë më tepër nga ç’thashë më lart edhe për ekonominë dhe shtetin e kapur nga krimi, edhe për sistemin e vlerave në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, mendoj se nuk duhet të reshtim së vëni në dukje se përgjegjësia kryesore mbi këto krime bie mbi politikën jo thjesht si paaftësi, por edhe si nxitje me veprimet e tyre për veprime kriminale në shoqëri. Sepse media ka një tendencë ta trajtojë krimin e ashtuquajtur të kronikës së zezë si të palidhur me krimet e atyre me kollare dhe këmishë të bardhë. Kurse unë mendoj se ata i inkurajojnë shumë këto krime. Prandaj, ndaj pyetjes “ç’duhet bërë?”, përgjigjja për mua është e thjeshtë: duhet ndërprerë simbioza e njeriut shqiptar me krimin, ngrënia nga ujku. Si mund të bëhet kjo? Ka një hap të parë në çdo gjë, i cili t’i dikton vetë pastaj edhe hapat e tjerë. Hapi i parë është ai që politikanët që sapo kanë ardhur në pushtet dhe kanë marrë në dorë qeverinë duhet të reshtin së ngrëni me ujkun dhe për ujkun. Kjo mund të çojë në hapin e dytë, largimin nga ujqit dhe pastaj në hapin e tretë, izolimin e ujqve dhe dënimin e tyre. Pa pikë dyshimi ky ndryshim në sjelljen e tyre do të reflektohet edhe në sjelljen e atyre që janë më poshtë. Kjo është rruga e vetme. Teknikalitetet gjenden lehtë nëse ekziston ky vullnet ndryshimi.Ti po u kërkon ujqve të ndërrojnë natyrë, do të më ironizonin shumë lexues, duke ma kthyer shkrimin në rreshtat e para. Në thelb po, duhet një mutacion, një lindje e re, jo një rilindje siç e ka quajtur Rama atë që synon të bëjë. Përndryshe edhe më zi do të shkojë kronika e zezë. (Panorama, 3 gusht 2013)
Sunday, July 28, 2013
Dyshimi që duhet të ndjekë qeverinë e re
Intervista e gazetares së BBC Sarah Montague me Edi Rames ishte një leksion për gazetarinë shqiptare. Besoj se edhe për Edi Ramën. Fillimisht më erdhi të them se ishte si një gazetari e harruar, pastaj shtrova pyetjen nëse ka ekzistuar ndonjëherë tek ne kultura e një gazetarie të tillë ku gazetari pyet për të kuptuar të vërtetën dhe jo për të shërbyer apo manipuluar. Më rezulton se nuk ka ekzistuar, e, nëse mund të përdoret termi "e harruar", duhet thënë se mund të përdoret për të gjithë ata gazetarë që, jo me pak shpenzime, janë edukuar e trajnuar për t'u bërë gazetarë si Montague e BBC, por që i kanë "harruar' leksionet, më të shumtët pa i aplikuar ndonjëherë.E them këtë sepse në rolin e Montague gazetarët e llogoreve në shërbim të Edi Ramës nuk do t'i bënin atij kurrsesi pyetjet insistuese mbi bashkëpunimin me Meten, 21 janarin, përgjegjësitë e tij për korrupsionin, çfarë ka deklaruar Meta dhe çfarë ka deklaruar ai për të... sepse tashme e kanë "harruar" se mund t'i bëjnë ato pyetje. Kurse gazetarët e llogoreve pro Berishes nuk do të mund t'i bënin kurrsesi pyetje të tilla si ajo nese do të kërkonte të hidhej në gjyq Berisha për Gërdecin siç ka premtuar ai në fushatën elektorale. Diferenca e gazetarisë së Montague me tonën është si ajo midis një mjeku që kërkon të të diagnostikojë për të gjetur mjekimin e duhur dhe një xhambazi që kërkon të të vërë një diagnozë që të shesë ilaçet e padronit të tij.Pra BBC na bëri një shërbim edhe ne për të kuptuar sadopak të vërtetën e qeverisjes së ardhshme të Edi Ramës. Sipas meje pjesa me interesante e interviste ishte ajo kur Rama tha se përgjegjës për korrupsionin është sistemi, jo njerëzit; se po të marrësh një nëpunës gjerman ta futësh në administratën shqipare ai do të korruptohet ashtu sikurse një nëpunës shqiptar në administratën gjermnane do të mbetej i pakorruptuar. Gazetarja, duke i qendruar kësaj logjike, i bëri pyetjen: "dmth edhe ti qe ke hyrë në këtë sistem je korruptuar..." Dhe Rama u përgjigjegj se ai bën përjashtim që e ka provuar me administrimin e Tiranës.Që nuk është kështu e thotë Tirana vetë që ulëret nga dhimbjet dhe plagët që i ka krijuar sistemi. Madje sistemi që sundon sot ka lindur e lulëzuar bash në Tiranë më së shumti dhe veçanërisht në kohën e Edi Ramës. Por, edhe duke pranuar se Rama, sipas vetë gjykimit të tij, duke hyrë në sistem është korruptuar, nuk mund të mohoet se çështja qe ngrihet nëse është sistemi që i korrupton njerëzit apo janë njerëzit që kanë krijuar këtë sistem të korruptuar është e rëndësishme dhe meriton të trajtohet seriozish nëse duam seriozisht të dalim nga sistemi i korrupsionit. Edhe vetë bëj pjese ndër ata që kanë ngulmuar se duhet të merremi me sistemin jo me njerezit. E kam thënë këtë edhe duke iu kundërvene asaj kategorie politikanesh dhe gazetarësh që gjithë opozitarizmin e tyre e kane perqendruar tek Berisha dhe familja e tij, berishologët, që sot duken si të mbetur pa punë. E këtu nuk mund të mos vihet re një inkoherencë midis fushatës së Ramës që ishte kryesisht e përqendruar kundër personit Berisha dhe familjes së tij dhe gjuhës pas zgjedhore që flet për përgjegjësitë e sistemit jo të një personi apo të një familjeje.Gjithsesi pyetja e parë është se çfarë ka Rama parasysh kur flet për sistem, sepse ai asnjëherë nuk ka hyrë në detaje për ta zbërthyer mekanizmat e tij. Sipas gjykimit tim sistemi që ka parasysh është ai ku pushteti politik, pushteti ekonomik financiar, pushteti gjyqsor dhe pushteti mediatik, duke përfshirë edhe shoqërinë civile janë të përqendrur në të njëjtat duar oligarkësh politikanë dhe politikanësh oligarkë, ku e vetmja ndarje që krijon pak hapësira lirie dhe pavarësie është se këta janë të ndarë në dy grupe rivale. Sistemi punon si një i tërë por në fund vija e tij ndahet për të çuar ujë në dy mullinj, ku njëri është më i madh, ai i maxhorancëns, dhe tjetri është pak më i vogël, ai i opozitës. Kjo ka sjellë grabitjen dhe rrënimin e çdo gjëje publike duke përfshirë edhe shtetin i cili veç tjerash shërben për të mbajtur klientelën edhe nëpërmjet punësimit në administratë. Sistemi është edhe korruptimi i prokurorisë dhe gjykatave që nuk kanë bërë të mundur dënimin qoftë edhe të një politikani ttë korruptuar, siç e ka thënë dhe vetë Rama kur ka folur për gjyqin që shfajësoi Ilir Metën. Thënë ndryshe ai është një regjim, në thelb si ai i Hoxhës, i cili shfrytëzon egërsisht pjesën më të madhe të popullsisë, për të çuar ujë tek dy mullinjtë. Nuk të fut në burg, nuk të izolon fizikisht nga bota, por, po të mos jeshë pjesë e njërit apo tjetrit mulli, e sheh veten në të thatë. Është një sistem pra kundër meritokracisë kundër barazisë së të gjithëve përpara ligjit, ku liritë dhe të drejtat e njeriut dhunohen edhe pse jo si në kohën e Hoxhës.Nëse pranojmë se ky është sistemi, pyetja që ka shtruar Sarah Montague është kardinale. A munden këta njerëz, që kanë ngritur sistemin, që janë pasuruar dhe inkriminuar nëpërmjet këtiij sistemi, ta ndryshojnë atë? Sado të përpiqet Rama të na mbushë mendjen se është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo e kundërta, ndryshimi nuk ka se nga të fillojë veçse nga njerëzit. Unë e shoh me dyshim atë që thotë Rama se po të sjellësh një administrator gjerman ai do të korruptohet. Më me shumë gjasa ai do të ikë duke dashur të mos njolloset. Dhe në fakt ka edhe shumë shqiptarë të ndershëm që nuk pranojnë të hyjnë në politikë pikërisht pse nuk duan të njollosen. Jo vetëm por Rama kundërshtoi vetveten kur foli kështu sepse si shembuj të vetëm që dha për të luftuar korrupsionin ai dha pikërisht sjelljen e të huajve. A nuk do t'i korruptojë ata sistemi, sipas vetë fjalëve të Ramës?Personalisht besoj se sistemi dhe njerëzit nuk mund të ndahen. Sistemi dhe njerëzit janë dy faqe të së njëjtës medalje prandaj përgjegjësia e korrupsionit është e dyfishtë. Dhe kur flitet për përgjegjësi dhe ndëshkim që sjell ndryshimin në sistem dhe në njerëz nuk është vetëm çështja e futjes në burg të të korruptuareve, por edhe ajo e prishjes së strukturave të ngritura për intresat e tyre. Pra nëse do të ndryshosh strukturat e një sistemi npërmjet të cilit kanë ngrënë dhe hanë mbështetësit e tu kjo do të thotë t'u bijesh ndesh interesave të tyre. A do të mund ta bëjë Rama me Metën një gjë të tillë?Kur ngremë këtë pyetje nuk mund të mos marrim në shqyrtim edhe procesin zgjedhor, sepse edhe ai është pjesë e sistemit madje në një farë kuptimi ai hedh themelet e një pushteti dhe sistemit të tij. E kam fjalën për faktin se deri më sot e dimë se ata që mund të quhen shtyllat e sistemit, oligarklo mafjozët, janë ata që investojnë më së pari në fuahtën elektorale, janë ata që derdhin një shumë parash për t'i shumëfishuar ato pastaj kur të marrin pushtetin. E pra, në logjikën e kësaj që thashë më lart, nëse është e vërtetë, siç ka shumë të dhëna, se një pjesë e mirë e votave janë blerë ose janë dhënë mbi premtimet për të zgjidhur problemet e bizneseve private sistemi ka vazhduar të punojë po njëlloj edhe gjatë zgjedhjeve. Nëse është e vërtetë, ashtu sikurs thuhet gjthandej, se logjika e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë tek PS ka qenë e tillë që janë sakrifikuar jo pak njerëz të ndershëm për hir të njerëzve të fortë që mund të blejnë dhe akaparojnë vota, zor se këta njerëz do të ndryshojnë sistemin pasi janë atje pikërisht për t'i shërbyer atij që do të thotë vetes së tyre.Në këtë pikë nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: gjuha e ndryshuar e Ramës, i cili para zgjedhjeve akuzonte kryesisht Berishën dhe familjarët e tij dhe pas zgjedhjeve i shfajësoi direkt apo indirekt këta duke ia vënë fajin dhe përgjegjësinë sistemit a mos vallë duhet interpretuar se ai, ashtu sikurse Berisha i 2005-sës, ka synuar thtjesht e vetëm të zëvendësojë paraardhësin në krye të sistemit? Le të shohim. Sikurse kam thënë në shkrimin para këtij, të vesh bast për një gjë të tillë nuk është punë e mençur. Por inkoherencat e kryeministrit të ardhshëm në BBC, sipas meje, na dhanë sinjale të forta se qeverisjen e re Rama Meta duhet ta ndjekim me dyshim dhe vigjilencë të madhe. (Panorama 28.07.2013)
Shenja të këqija
Të vësh bast se opozita me Edi Ramën në krye do të dështojë, më duket një punë jo e mençur. Kjo do të thotë të mendosh vetëm për pushtetin tënd dhe aspak për të gjithë ata shqiptarë që nga ky dështim do të fundosen edhe më shumë se ç’janë fundosur deri më tani. Neve nuk na duhet një opozitarizëm i tillë siç paralajmëroi fushata për kryetarin e ri të PD-së. Ishte e trishtueshme të shihje se si ajo e trajtoi raportin me maxhorancën e re si të bëhej fjalë për një kampionat futbolli ku flitej thjesht e vetëm për fitoren në ndeshjen e ardhshme me skuadrën rivale. Madje, gjatë rrugës së fushatës na u tha se në Lezhë qenkan vjedhur apo blerë vota nga mafia dhe humbja i dedikohet kësaj. Po si nuk ndalën një çast, përpara se të deklarojnë këtë, të mendojnë se, edhe në qoftë kështu, këtu bëhet fjalë për një tjetër dështim të madh të qeverisë “Berisha”, sepse kjo është shenja më evidente se në kohën e Berishës mafia dhe krimi i organizuar, në vend se të luftohen, paskan lulëzuar në atë farë feje sa ia paskan dalë edhe kundër qeverisë që ka në dorë policinë e shërbimet informative, e më the të thashë. Madje qeveria është ende në punë dhe detyra e saj numër një është lufta kundër mafies dhe krimit. Ç’kuptim kanë këto fjalë, përveçse paaftësi për të luftuar krimin dhe paaftësi për të analizuar humbjen?Edhe fakti se LSI është katërfishuar duke qenë në qeveri – disa thonë më së shumti duke blerë vota – është shenjë e dështimit të politikës. Sepse atëherë dhe vetëm atëherë kur njerëzit nuk kanë pikë besimi te politika dhe janë të këputur ekonomikisht, preferojnë që midis një vote të hedhur kot fare dhe një vote që u jep një grusht të hollash, të zgjedhin këtë të dytën.Ngado që ta kapësh PD dhe Berisha në krye të saj dalin të humbur. Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të thellë të humbjes për të fituar atë që e ka humbur edhe më thellë sesa zgjedhjet; kredibilitetin te masa e madhe e njerëzve. Mirëpo shenjat nuk janë të tilla. Berisha mbajti një fjalim dorëheqjeje ku tha se mbante të gjitha përgjegjësitë, por deri më sot nuk kemi parë të artikulohet ndonjë përgjegjësi konkrete. Përkundrazi, evokohet historia e lavdishme e PD-së dhe e liderit të saj historik. Nën këtë shenjë u zhvillua edhe gara për kryetarin e ri të PD-së. Kandidatët për zëvendësin e Berishës i thurën lavde liderit historik në vend se të vinin gishtin mbi përgjegjësitë e tij dhe të premtonin se do t’i korrigjonin ato. Edhe më skandaloz ishte vetë procesi, që u denoncua deri nga vetë kandidati Olldashi. Numri i dukshëm mbi fletët e votimit të kujton një palë zgjedhje të Hitlerit, në të cilat, për të zbuluar kundërshtarët e partisë së tij, shkruhej me bojë simpatike, që të mos dukej, numri rendor në fletën e votimit, i cili pastaj zbulohej për çdo fletë që ishte kundër. Më atë rast, të paktën, ruhej në dukje parimi i fshehtësisë, kurse numri i hapur është kërcënim i hapur.Shkurt, çdo ditë që kalon po bën të qartë se në vend të analizës dhe rifillimit të një politike opozitare të vërtetë dhe bindëse, prandaj edhe konstruktive, kemi kthimin në stilin e vjetër. PD do të mbetet e varur te Berisha dhe te stili i tij i bërjes opozitë: një opozitë agresive dhe destruktive që s’pranon humbjen dhe delegjitimon gjithçka, që rigrupon forcat dhe mobilizon militantët në sajë të kultivimit të urrejtjes ndaj armikut të përbashkët dhe glorifikimit të liderit që do ta udhëheqë kundër këtij armiku në betejën e ardhshme. Nuk di të them nëse edhe militantët kërkonin këtë, pasi kjo është bërë tashmë mendësi e rrënjosur, apo duartrokisnin ashtu kot, pasi kjo është bërë pjesë e teatrit.Në fakt, na duket sikur po shohim një shfaqje teatrale që e kemi parë tashmë disa herë, ku aktorët vetëm se kanë ndërruar rolet. Një shfaqje që po bëhet, ama, gjithnjë e më e mërzitshme, më e shpëlarë dhe më e boshatisur nga spektatorët. Sepse edhe vetë luftës për pushtet për hir të pushtetit dhe parave që fitohen prej këtij teatri, i ka dalë boja fare. Dështimin e këtij teatri e provuan edhe zgjedhjet e fundit kur, tek e fundit, fitoren opozitës nuk ia siguroi lufta pa kompromis, destruktive, “ballore” (po të përmendim një fjalë të Bashës), (fatkeqësisht të gjitha të shtira, teatrale), por tërheqja e Metës në koalicion. Sipas këtij teatri, po nuk ndodhi ndonjë gjë e papritur, një opozite kësisoj do t’i duhet të presë tetë vjet degradimin e maxhorancës dhe të tërheqë në krahun e saj Ilir Metën që të rikthehet në pushtet në një vend edhe më të rrënuar e më të kapur nga krimi i organizuar dhe çorganizuar, e ku vota do të shitet/blihet me një çmim edhe më të lirë.Por ne, ashtu sikurse nuk na intereson një maxhorancë që vazhdon rrugën e së vjetrës, ashtu dhe nuk na intereson një opozitë e tillë. Një opozitë kësisoj vetëm sa do t’ia lehtësonte punën një maxhorance që do të vazhdonte të njëjtën hulli të paraardhëses.Dikush do të thotë se një analizë e vërtetë e përgjegjësive dhe gabimeve etj., do të çonte në shpërbërjen fare të PD dhe mbetjen e vendit pa opozitë përballë një maxhorance që s’është me engjëj. Ky rrezik qëndron, por ky rrezik, sipas meje, është ai që legjitimon teatrin ku vetëm ndërrohen rolet një herë në tetë apo dymbëdhjetë vjet, pa ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve. Dikush, qoftë brenda këtyre partive, qoftë jashtë, duhet të guxojë ta thyejë këtë rreth vicioz. (Panorama, 25 korrik 2013)
Tuesday, July 23, 2013
Nën qiellin e Evropës*
Afro dhjetë ditë pasi u çlirua nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi (29 nëntor 2012) prej akuzave për krime lufte, ish komandanti i UÇK dhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri një vizitë triumfale në Shqipëri. Atij iu dedikua një seancë e Parlamentit shqiptar ku mbajti një fjalim të shkurtër; u prit nga Kryeministri Sali Berisha me shumë nderim, kurse më 10 dhjetor u dekorua nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në fjalën e tij Nishani e quajti kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë i shprehte mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë më të përkushtuar të kohëve moderne: “Ai kurrë nuk i iku përballjeve, rezistencës, - tha Nishani - duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës të ruante të pacënuar, dinjitetin e një lufte rezistence, dinjitetin e një lufte çlirimtare, që ne e bëmë së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve".[1]Kryeminstri Berisha po në ato ditë bëri një deklaratë në të cilën, pasi e nderoi të shfajsuarin, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë ndërmarrjen e një hetimi të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte, "për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj". Në deklaratën e tij ai u kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë "të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”.[2]Edhe kreu i opozitës, socialisti Edi Rama, manifestoi të njëjtin respekt në pritjen që i bëri Haradinajt. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama, i cili e kishte përshëndetur çlirimin e tij nga akuzat që ditën që kjo ndodhi, tha se i shprehu atij mirënjohje për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës dhe se me të biseduan për bashkimin e shqiptarëve "nën qiellin e Bashkimit Evropian", për unifikimin e arsimit dhe sistemit doganor, etj.Akuzat ndaj HaradinajtIronia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të patur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinaj janë të vërteta. Pra se në vitet 1998 – 1999, dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS, njerëzit e UÇK, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serb, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai, apo njerëzit e tij, kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxorri të pafajshëm Haradinaj herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t'i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.[3] Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK, Fatmir Limajt.Atëhere si do ta shpjegojmë këtë glorifikim nga shqiptarët të Haradinajt në kthimin e tij nga Haga, megjithë këto fakte të tmerrshme? Si ta shpjegojmë se në Kosovë, mu pas kthimit të tij, ai u shpall si kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Kosoves. Si t'i shpjegojmë inisiativa kaq kurajoze si ajo e Berishës për të hapur hetime mbi Carla Del Ponten?Së pari kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë ne Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t'u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qënie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për Atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skicofrenike midis glorifikimint të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin madje edhe i vrasin ata - gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar. Mbajtja gjallë e këtij lavazhi trush mplekset gjithashtu me faktin shumë më prozaik se Haradinaj me shokë, meqenëse kanë në Kosovë, jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre në një rreth vicioz. Fati i dëshmitarëve që pësuan "vdekje të parakohëshme" e lehtson dhe më punën e tyre.Së dyti, mbrojtja e Haradinaj nga ana e shqiptarëve është e lidhur edhe me mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar. Akuza si ato të Carla Del Pontes duhen përgënjeshtruar dhe refuzuar pasi ato dëmtojnë çështjen kombëtare pasi i delegjitimojnë shqiptarët madje duke u dhënë të drejtë armiqve të tyre, që i akuzojnë si rrezik në rajon me idenë e bashkimit kombëtar që kohët e fundit është bërë kryefjala e retorikës politike në Shqipëri. (Në një nga fjalimet e tij të fundit kryeministri Berisha tha se është e papranueshme që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme duke nënkuptuar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë (Preshevën) dhe Maqedoninë.)[4]Gjuha e dyfishtëNë deklarimet e tij, veçanërisht ato drejtuar partnerëve dhe mediave ndërkombëtare, kur flet për çështjen e nxehtë të "problemit të pazgjidhur kombëtar" Haradinaj e paraqet veten si një politikan i moderuar. "Çështja shqiptare është zgjidhur me pavarësimin e Kosovës" - i deklaroi Haradinaj një mediaje greke kohët e fundit - “Gjithkund ekzistojnë minoritete. Nëse fillon të projektosh kufij “etnikisht të pastër”, nuk do të ndalosh kurrë”, "unë konsideroj se sot është koha e arsyes. Do t’i ftoja të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të veprojnë në drejtim të integrimit europian.” "Ne do shikojmë përpara, nuk do të merremi me gjërat që tashmë kanë kaluar”.[5]Kjo gjuhë, megjithatë, nuk e pengon atë të përdorë një tjetër gjuhë brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni ku iu dha titulli qytetar nderi i qytetit të Leshës ai tha: “Ne jemi një komb, një gjuhë, një flamur, një rrugë (është fjala për autostradën e ndërtuar nga Berisha që lidh Shqipërinë me Kosovën) e cila na mundëson për të qenë një”.Kjo gjuhë e dyfishtë është shprehje e ideologjisë dominuese të pushtetit që kanë adoptuar politikanët shqiptarë gjatë njëzet viteve të fundit. Kjo ideologji, që e kam quajtur nacional - evropeizëm (si kalim i retorikës së elitës politike shqiptare nga nacional komunizmi në diskursin nacional - evropeist që nënkupton instrumentalizimin e integrimit evropian[6]) pretendon ta zgjidhë çështjen kombëtare të bashkimit të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Ballkan nëpërmjet integrimit evropian duke përzjerë kështu vizionin nacionalist të Shqipërisë së madhe etnike me vizionin post nacionalist të Bashkimit Evropian të qytetarëve në një lloj Shqipërie të madhe evropiane. Sipas kësaj ideologjie serbët, grekët, maqedonasit, malazezët do të mbeten të njëjtët armiq që kanë qenë në të shkuarën.Po cili është Haradinaj i vërtetë? Ç'përfaqëson ai për shqiptarët; po për evropianët? - Carla Del Ponte përshkruan në librin e saj La Caccia - io e i criminali di guerra, (Feltrinelli 2008) se si Ndërkombëtarët e UNMIK-ut në vend se ta ndihmonin Trubunalin për një hetim më të thellë të çështjes Haradinaj i krijuan asaj pengesa me argumentin se politikanë si ai ishin shumë të fuqishëm në Kosovë dhe, kësisoj, dëmi që do të pësonin do të ishte më i madh sesa përfitimi sepse këta njerëz mund të destabilizonin rajonin. Ky fakt flet shumë për Haradinajn. Ai i përket atyre kafshëve politike në Shqipëri dhe Kosovë që u intereson vetëm pushteti personal dhe përfitimet që nxirren prej tij. Ai e di shumë mirë se për momentin ai nuk mund ta mbajë këtë pushtet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj kur flet me evropianët ai tund flamurin me gjashtë yje të Kosovës, ndërsa kur flet me politikanët dhe bashkatdhetarët e tij shqiptarë mbështillet me flamurin kuq e zi.Ambiguiteti i EvropësEtien Balibar duke shkruar për situatën në ish Jugosllavi thotë se ajo nuk është atipike, përkundrazi është një projektim lokal i formave të konfrontimit dhe konflikteve të të gjithë Evropës që Balibar nuk heziton t'i quajë "marrëdhëniet raciale evropaine."[7] Evropa e sotme më tepër se kurrë po shfaq kontradiktën e saj të brendshme midis një Evrope të egoizmit të shteteve kombe dhe një Evrope post nacionaliste të qytetarëve, duke konfirmuar fjalët e Balibarit mbi Evropën si një "projekt politik i pazgjidhur": "Fati i identitetit të ri evropian si i tërë po luhet në Jugosllavi dhe më në përgjthësi në Ballkan. (…) Evropa duhet të pranojë se situata në Ballkan nuk është një monstruozitet në gjirin e saj (…) por një pamje dhe reflektim i vetë historisë së saj dhe duhet të ndërmarrë masa për ta përballuar dhe zgjidhur atë, çka do të thotë të verë edhe vetveten në diskutim dhe të transformojë vetveten. Vetëm atëhere Evropa do të fillojë ndoshta të bëhet e mundëshme përsëri."[8] Nëse disa vjet më parë ne mund të thonim se evropiano perëndimorët shikonin drejt të ardhmes ndërsa evropiano lindorët po shihnin drejt së kaluarët, siç po ndodhte në ish Jugosllavi, kjo nuk duket se është më e vërtetë. E ardhmja e projektit evropian nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më në krizë se gjatë këtyre kohëve. Gjuha e dyfishtë e Haradinajt dhe e politikanëve më të rëndësishëm si në Shqipëri dhe në Kosovë është, pa dyshim, edhe pasqyrim në Ballkan i mëdyshjeve dhe ambiguitetit të evropianëve përsa i përket projektit të së ardhmes së tyre.Rasti i shfajësimit të Haradinajt është shumë sinjifikativ në këtë kontekst. Dështimi i dhënies së një vendimi të drejtë ndaj tij hap një diskutim të madh jo vetëm mbi problemin e raportit të politikës me drejtësinë, dmth. mbi atë se si pushteti politik krijon pengesa ndaj drejtësisë, por edhe mbi atë se sa mund të funksionojë normalisht një gjykatë ndërkombëtare e Evropës post-nacionaliste kur ajo ka kundër interesa të ashtuquajtura kombëtare. Vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushtetit të tyre, si ajo e Hagës, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë", të kryejnë krime të tjera. Por pandëshkueshmëria e tyre, edhe si rezultat i dobësisë së kësaj Evrope të qytetarëve ndaj Evropës së shteteve kombe, është një inkurajim për ta që t'i fryjnë erërave nacionaliste në vendet e tyre dhe të mbajnë gjallë ndjenja urrejtjeje ndaj fqinjëve.Kjo pandëshkueshmëri nuk është vetëm një kërcënim për paqen dhe integrimin e vërtetë evropian, por është edhe një kërcënim për zhvillimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës brenda vetë Kosovës. Niveli i kriminalitetit është shumë i lartë në Kosovë, veçanërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Elita politike ku bën pjesë edhe Haradinaj dhe Limaj, akuzohet fort për këtë. Nuk është rastësi që Kodi i ri i Procedurës Penale i janarit 2013 e bën më të vështirë se ai që ishte më parë, madje edhe më të rrezikshme, mundësinë për të thërritur dëshmitarë.[9] Politikanët kosovarë, megjithëse kanë shtetin në duart e tyre, në vend se të bëjnë ligje që t'i mbrojnë më mirë dëshmitarët duke lehtësuar kështu përdorimin e tyre nga ana e prokurorisë, bëjnë të kundërtën. Dhe statusi i tyre si mbrojtës të bashkatdhetarëve, - paçka se Carla del Ponte shkruan se "nuk ka asgjë fisnike apo heroike në ato krime" duke ngulmuar se pandëshkueshmëria e tyre mund të shkaktojë luftra të reja, - ua bën më të lehtë hartimin e këtyre ligjeve."Racizmi triumfon kur identifikohet me shtetin, kur bëhet vetë shteti." (Foulcault). Nën qiellin e një Evrope, që resht së shikuari të ardhmen e saj si një Evropë e qytetarëve dhe kthehet mbrapsh në Evropën e egoizmave të shteteve kombe ky leksion mbetet kuptimplotë veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani.
[1]* Ky shkrim është botuar në anglisht në numrin e Majit 2013 të revistës SUDOSTEUROPA Mittelungen që ka vënë në fokus (me kontributet e Andreas Ernst, Florian Bieber, Natasha Kandiç, Karl - Peter Schvarz, Adelheid Wolfi, Sonja Biserko, Fatos Lubonja) çështjen e çlirimit nga Gjykata për Krimet në ish Jugosllavi të Gatovinës dhe Haradinajt dhe pasojat e saj.[1] Nishani nderon Haradinajn:Mbrojti dinjitetin e luftës çlirimtare Panorama, 10 dhjetor 2012.[2] Hetimi për Carla Del Ponten. Haga: S’kemi kërkese ende nga Tirana. Nëse vjen do të shqyrtohet Panorama, 6 shkurt 2012.[3] Kosovo fights crime repression, not crime (Kosova lufton mposhtjen e krimit, jo krimin); Andrea Lorenzo Capussela, Osservatorio Balcani e Caucaso, 8 shkurt 2012; http://www.balcanicaucaso.org/eng/Regions-and-countries/Kosovo/Kosovo-fights-crime-repression-not-crime-129883/(from)/eng-newsletter[5] Haradinaj: Çështja shqiptare, e zgjidhur. Tani të përqendrohemi te Europa, Ponorama, 16 Janar 2013.[7] Etien Balibar, We, the people of Europe: Reflections on Transnational Citizenship; Princeton University Press, Princeton 2003.
Një kërkese modeste
Zgjedhjet përfunduan në një mënyrë që duket se ka lënë të kënaqur shumicën e shqiptarëve. Madje edhe shumë demokratë ndihen të lehtësuar; sikur të thonë: Më mirë që ndodhi kështu, sepse edhe vetë Saliu nuk do të dinte se çfarë do të bënte me Berishën Kryeministër.Tani PD-ja po kërkon një lider të ri, që mundësisht të vërtetojë pazëvendësueshmërinë si lider të Berishës deri në fitoren e ardhshme. PS-ja po feston fitoren me premtimet e një kryetari që thotë se politikën e bën pasi ka frikë se vdekja e gjen pa hyrë në histori dhe pa frikën se si do ta gjykojë historia, pasi atë e përcakton vetë. LSI-ja po ruan një profil më modest me një kryetar të mbiquajtur “pragmatist”, i cili duket se nuk ka probleme të tilla me vdekjen dhe historinë, por i bindur se edhe po i dolën, do të mund t’i blejë ato me pare. Ndërkombëtarët duken të kënaqur sepse nuk iu hap punë dhe mund të thonë se metoda e tyre e shtrëngimit të vidave dalëngadalë po tregohet efikase. Shumë militantë shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në shtet. Të tjerë, që rrezikojnë t’i humbasin, po përgatiten të mbrohen. Një numër – jo i vogël (thuhet) – po mbyll ndonjë vrimë me lekët e shitjes së votës duke pritur zgjedhjet lokale. Ka edhe nga ata të partisë “Kryq votës”, si puna ime, që ndihen jashtë kësaj loje e dëgjojnë premtimet me skepticizëm të thellë. Me gjasë edhe ata thonë si unë: Në një vend ku gënjeshtra është bërë rregull dhe thënia e ndonjë të vërtete vetëm përjashtim që përforcon rregullin, sigurisht nuk mund të presësh se do të mbahen premtimet, por të paktën diçka mund të bëjnë edhe këta.Në fakt, t’u thuash njerëzve se do të vendosësh kontroll mbi territorin, madje se do të prishësh ndërtimet pa leje, se do të rregullosh gjendjen e arsimit apo shëndetësisë, se do të luftosh korrupsionin, se do të mbyllësh universitetet private piramidale, se do të dëmshpërblesh ish-të burgosurit, se do t’i bësh gazetarët të lirë të shkruajnë çfarë mendojnë; se do luftosh krimin e organizuar dhe të çorganizuar e se do të vendosësh shtetin e së drejtës duke e bërë Shqipërinë të rilindë – po përmend vetëm disa nga premtimet e opozitës – sigurisht që tingëllon si një ëndërr. Aq sa fjala “Rilindje” në këtë rast mund të jetë sinonim i fjalës ëndërr. Sepse vetë fjala “Rilindje” nënkupton se dikur paskemi qenë gjallë (si shtet e shoqëri besoj se është fjala) dhe pastaj kemi vdekur. Po kur paskemi qenë ne ndonjëherë gjallë? Diku kam lexuar se ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në kohën kur shqiptarët ishin në Perandorinë Osmane, ishin të numëruar jo vetëm njerëzit, por edhe kokët e bagëtisë dhe madje viheshin gjoba për prerje pemësh pa leje. Kthimi në këtë kohë vërtet duket si ëndërr, por nuk besoj se Rama ka parasysh me “Rilindje” Perandorinë Osmane dhe as kohën e Skënderbeut, se s’jemi as të përgatitur për luftëra, le që kemi hyrë në NATO, e, larg qoftë, as atë të diktatorit injorant Ahmet Zogu apo mizorit Enver Hoxha.Pastaj, përveç të tjerash, premtimet lidhen me pyetjen se ku do të gjenden paratë. Dhe thonë se Saliu po bën gjithçka, edhe këto ditët e fundit, që shqiptarët ta kujtojnë kohën e tij siç kujtojnë mitndërtuesit kohët e arta të së shkuarës e për të riardhur pastaj në pushtet, pas tetë vjetësh, me projektin “Rimëkëmbja”.Unë, për vete, dyshoj se na presin ditë të vështira. Por megjithatë, mendoj se ka disa gjëra që duken më të thjeshta dhe më të bëshme. Për mua ato më të bëshmet lidhen me llafet që nxirren nga goja dhe publikohen nëpër media dhe gazeta.Kur shkruaj këto radhë, kam parasysh diçka që vura re në shtypin tonë para disa ditësh. Siç e thashë, kishte një lloj qetësie pas zgjedhjeve. Edi Rama mbajti një fjalim goxha të përmbajtur, bile duke treguar njëfarë respekti për kundërshtarin, duke i uruar jetë private të mbarë, që edhe pse na kujtoi thënien e Berishës se gjithçka kishte bërë e thënë për Fatos Nanon, deri edhe akuzat për vrasës, kishin qenë thjesht për efekte elektorale, gjithsesi tingëlloi disi qetësuese. E po mirë, tek e fundit, drejtësinë për çështje si Gërdeci apo 21 janari e ka në dorë Drejtësia, jo partia.Por pastaj s’kaluan më shumë se dy ditë dhe pamë disa gazeta pranë ish-opozitës, tani maxhorancë, që dolën me titullin e madh: “Do t’i marr me vete në zyrë të dyja breshkat e mia, që ua kam vënë emrat Sali dhe Fatos”. Ishte pjesë e një fjalimi që kishte mbajtur Edi Rama diku teksa festonte fitoren. Njëra nga gazetat madje kishte edhe fotografinë e breshkave. Po atë ditë pamë te “RD”-ja foton e famshme të Edi Ramës nudo me titull të madh: “Është koha për t’u veshur”.Bobo…! Filloi prapë teatri – thashë me vete. Ja për këtë lloj teatri e kam fjalën, i dashur lexues, se mund të korrigjohet. Një nga gjërat më të shëmtuara që kemi përjetuar këta 22 vjet regjim bandokratik ka qenë gjuha e urrejtjes midis bandave. Një gjuhë me pasoja katastrofike për psikologjinë e shoqërisë, mënyrën e të menduarit, raportet njerëzore, raportet me realitetin dhe të vërtetën. Po banda janë, ç’pret ti nga bandat? – do të thoni ju. Jo, ka gjëra që edhe mund të rregullohen. Kërkesa modeste që shtroj unë, si ndaj maxhorbandës dhe ndaj minorbandës, është: Me largimin e Saliut, që konsiderohej dhe akuzohej si kryekonfliktuali, a do të mund të hyjmë në një periudhë me një gjuhë më të paqtë? A do të mund të na i kursejnë këto histori me breshka dhe lakuriqësi; ato akuzat e Saliut me bllokmenë më një anë dhe botimin e fotove të Saliut me djemtë e Enverit më anën tjetër? Po shtoj edhe ndonjë gjë tjetër të vockël fare, krejtësisht të bëshme; p.sh. a mund të na e kursejnë (sh)përdorimin e fëmijëve – se Rama p.sh., një dy e akuzonte Saliun që përdorte fëmijët dhe pastaj doli me një fëmijë në krah në Vlorë? Ja, gjëra të tilla të vogla duam ne të shkretët që s’mendojmë as për Rilindje, as për historinë, as për rikthim të shpejtë në pushtet. Të na normalizojnë të paktën sadokudo gjuhën, që do të thotë shumë, se ajo ka të bëjë direkt me psikikën, dhe pastaj ndoshta, mund të fitojmë pak më shumë kthjelltësi, që do të na lejojë të merremi një çikë më seriozisht edhe me problemet reale që ka vendi. Rast pas rasti, kuptohet.Mirëpo, teksa ravgoja në këto mendime gjuhësore, më erdhi një dyshim që ma ngjallën pikërisht ato dy breshkat me emrat Sali dhe Fatos. Punë gjuhe edhe kjo. I do apo i urren Rama këto dy breshkat? Kjo është çështja, thashë me vete. Gjersa i mban e i ushqen, d.m.th. se i do. Por gjersa u ka vënë emrin e dy kundërshtarëve të tij më të urryer, duket se edhe i poshtëron e i tall përditë, deri duke i nxjerrë nga jeta private në publik. Dhe mirë që janë breshka, se po të ishte ndonjë qen nga ata Pitbull, që po përhapen frikshëm te ne, dhe të tallej me të duke i thënë Sali, nuk di ç’do të ndodhte në zyrën e Kryeministrit tonë të ardhshëm.Pra, që të mos e humbas fillin, desha të them se kjo historia e breshkave dhe e emrave të tyre më duket një metaforë domethënëse. Metafora e një dashuri-urrejtjeje të rrezikshme, i dashur lexues. E rrezikshme sepse në sajë të këtij teatri urrejtjeje të shtirë dhe dashurie të shtirë që shqiptarët e marrin seriozisht, këta rrinë në pushtet, qoftë kur janë në maxhorancë, qoftë duke bërë gjoja opozitë, pa ndryshuar as edhe gjuha. Dhe kështu ne rrezikojmë të biem përsëri pre e teatrit të gjuhës banale të urrejtjes sapo të kalojë vera dhe pushimet. Ja, kjo më bën që të kem shumë frikë se kërkesa ime modeste për pak më shumë qetësi dhe kthjelltësi mendore e gjuhësore, që të mund të merremi me problemet reale të vendit, rrezikon seriozisht të mos realizohet. Gjithsesi, le të shpresojmë. (Panorama, 11 korrik 2013)
Vota sipas filtrit të fitores Meta
Përpara zgjedhjeve kam shrehur mendimin se rezultatin e votimit do ta përcaktonin dy variable: më një anë pakënaqësia në rritje e njerëzve, që favorizonte PS dhe, më anë tjetër, mundësisa e manipulimit të votës që, sipas gjykimit tim, favorizonte PD-në. Pasi PS bëri koalicion me LSI mu forcua mendimi se kjo do të ndikonte mbi pakënaqësinë për shkak të kostos morale të këtij koalicioni. Në këto kushte, PD edhe mund ta kompensonte më lehtë me manipulim diferencën që ishte në disfavor të saj me rrezikun që në fund të zgjedhjeve të kishim dy fitues e Shqipëria të tërhiqej zvarrë në situatat e mosnjohjes së rezultatit.Siç dihet tashmë nuk ndodhi kështu. PS vërtet s'pati veçse një ngritje të lehtë në krahasim me katër vjet më parë, por PD nuk pati asnjë mundësi kompensimi me manipulim pasi pati rrjedhje të madhe. Ndërkaq, çka ishte më befasuesja, pamë ngritjen e LSI në 17 deputetë ndërkohë që kjo nuk pritej.Si mund ta lexojmë këtë rezultat të papritur edhe për opozitarët më optimistë?Që në fillim më duhet të them se kjo shpjegohet me faktin se pakënaqësia për Sali Berishën dhe partinë e tij dhe nevoja për ndëshkim ka qenë shumë e madhe. Dhe ky ndëshkim sipas meje ka qenë i trefishtë:Berisha u ndëshkua, së pari, për autoritarizmin dhe arrogancën në rritje, që u shfaq jo vetëm në kapjen e shumë institucioneve, por edhe në gjuhën e tij, në paaftësinë për të dëgjuar kritikat, me mungesën dramatike të shtetit të së drejtës në vend në favor të mbushjes së administratës me militantë arrogantë dhe abuzues.Një shkak i dytë, i lidhur pa dyshim me të parin, kanë qenë politikat e tij ekonomike: ngulmimi për të ndërtuar e mburrur rrugët, edhe kur ato nuk mbaroheshin e nuk paguheshin, çimentifikimi abuziv i vendit, vendimet për sjelljen e plehërave, universitetet skandaloze private, etj. Shkurt fakti që në thelb gjithnjë e më shumë ekonomia e vendit u kthye në shërbim ndaj përfitimeve të pak klientëve e familjarëve ndërkohë që gjendja ekonomike e njerëzve të thjeshtë sa vinte e rëndohejNjë element tjetër i pakënaqësisë ishte korrupsioni dhe klientelizmi. Premtimi i Berishës së vitit 2005 për të ndëshkur sistemin oligarko mafjoz të korrupsionit jo vetëm dështoi rëndshëm, por ai akuzohet edhe për thellim të këtij sistemi. Ngjarje të tilla si 21 Janari apo Gërdeci, që nuk gjetën drejtësi në gjykatë, u ndëshkuan me votë.Këta tre faktorë besoj se janë kryesorët që kanë ndikuar në rritjen e pakënaqësisë dhe ndëshkimin e Berishës.Megjithatë, teksa bëjmë këtë analizë mbi pakënaqësinë dhe ndëshkimin, nuk mund të mos kemi parasysh edhe një fitues të rëndësishëm në këtë zgjedhje që mund të na shërbejë edhe si filtër ku të kalojmë tre faktorët e mësipërm në mënyrë që të gjejmë peshën specifike të sejcilit. E kam fjalën për fitoren ose më saktë shpërblimin që i dha votuesi Ilir Metës. Ta donte mendja që, kur bëhet fjalë për keq-qeverisjen përsa i përket sistemit ekonomik dhe për korrupsionin, pakënaqësia e njerëzve do të duhej të kishte përfshirë edhe Ilir Metën si pjesëtar i qeverisë dhe njëherësh i akuzuar rëndshëm për korrupsion e klientelizëm. Mjafton të kesh parasysh akuzat e Ramës për "njeriun me bllok në dorë" që sollën 21 Janarin apo faktin se LSI ka qenë parti e klientelizmit par exellence. Këtu kemi një pardoks që duhet shpjeguar. Mund të ishte ndëshkuar më shumë Berisha dhe të ishte ndëshkuar ca më pak Ilir Meta, duke iu dhenë më shumë vota qoftë Partisë Socialiste qoftë edhe partive të tilla si FRD e Bamir Topit apo AK e Kreshnik Spahiut. Mirëpo kjo nuk ndodhi. LSI u rrit shumë. Si shpjegohet?Duke përdorur si filtër fitoren e Metës shpjegimi më çon tek ideja se pakënaqësia e shqiptarëve më së pari është përqendruar tek arroganca dhe autoritarizmi në rritje i Berishës. Me rritjen e kultit të tij Sali Berisha mori të gjitha përgjegjësitë duke e shkarkuar pjesërisht Ilir Metën edhe nga përgjegjësitë e veta. Sali Berisha po synonte t'i afrohej gjithnjë e më shumë një fantazme të frikshme për shqiptarët, asaj të Enver Hoxhës dhe ata e ndëshkuan për këtë. Ndaj të keqes së njeriut që kërkon pushtet absolut shqiptarët kanë më shumë imunitet, më shumë ndjeshmëri dhe instrumente për ta luftuar, ku hyn edhe pluralizmi partiak. Një pjesë e votës dhënë Ilir Metës duhet shpjeguar me atë se braktisja që i bëri Ilir Meta Sali Berishës dhe ëndrrës së tij për t'u bërë mbret i shqiptarëve i ka dhënë këtij disa pikë, madje edhe duke patur parasysh simetrikun e Berishës në krahun tjetër përsa i përket etjes për pushtet, Edi Ramën.Personalisht kam qenë i bindur se të keqen e njëshit autoritar dhe arrogant që kërkon pushtet absolut ne e kemi mundur në vitin 1990, e kemi rimundur më 1997 dhe se nuk duhej të përqendroheshim thjeshtë e vetëm këtu, por edhe tek të këqijat që nuk i kemi mundur ende e që janë pjellë e kohëve të reja. Pra se e keqja nga e cila vuajnë shqiptarët ka një emër shumë më të madh se sa emri Berisha dhe familja e tij siç ka ekzagjeruar, sipas mendimit tim, fushata e opozitës dhe mediave pranë saj, duke manipuluar edhe votuesin. Edhe vetë fakti që Sali Berisha u largua pa gjak (siç ngulmonin se do të ndodhte, edhe ditën e zgjedhjeve, kundërshtarët e tij) tregon për këtë. Pra, sipas meje, lufta kundër mbeturinave të autoritarizmit enverist që vazhdon të shfaqet në emrin Berisha (por edhe Rama e Meta etj.) do të qe dashur të shoqërurohej edhe me luftën kundër korrupsionit, klientelizmit dhe sistemit oligarko mafjoz të ndërtuar, pasi edhe vetë këta emra etjen e tyre për pushtet e mbështesin mbi këtë sistem të ri.Në këtë pikë duhet ndalur për t'i shtuar një paragraf të rëndësishëm analizës së votës. Vota tregoi se shqiptarët kanë ndëshkuar më së shumti autoritarizmin e njeriut që kërkon pushtet absolut, por shumë më pak korrupsionin dhe klientelizmin e sistemit oligarko mafjoz. Vota tregoi se ndërsa shqiptarët kishin alternativë ndaj njëshit autoritar dhe arrogant ato nuk kishin dhe nuk kanë ende asnjë alternativë ku të hedhin votën kundër këtij sistemi mafjoz. Fitorja e Ilir Metës në këtë aspekt flet shumë. Ka shumë zëra tejet të besueshëm që një pjesë të konsiderueshme të fitores befasuese të LSI e shpjegojnë me blerjen e votës, çka tregon se klientelizmi nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje. Ka po ashtu shumë zëra që tregojnë se për të luftuar Berishën dhe të fortët e tij deri edhe në polici, Partia Socialiste ka angazhuar grupe dhe familje të lidhura me krimin, çka ngre dyshime serioze për atë nëse sistemi oligarko - mafjoz është ndëshkuar me këtë votë, apo rrezikon të marrë shpërblimin e rradhës.Largimi i Berishës, pra, duhet lexuar së pari si sukses përsa i përket largimit të rrezikut të rritjes edhe më të pushtetit të tij personal dhe ngrirjes së sistemit që e mbante atë në pushtet. Por ajo duhet parë edhe si heqje e një alibije për të gjithë ata që kanë mbyllur sytë ndaj sistemit oligarko mafjoz, madje kanë bashkëpunur me të, në emër (gjoja) të luftës me Berishën autoritar dhe familjen e tij. Që nesër e prapa prova e madhe që ka përballë shoqëria jonë është lufta për të dalë nga rrënimi ekonomik e për të ndërtuar shtetin e së drejtës që s'duhet të jetë thjesht luftës kundër individit që kërkon pushtet absolut, por edhe luftë kundër sistemit oligarko mafjoz të korrupsionit dhe klientelizmit.
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Është e dyta herë që se në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm, - sipas disa mediave deri në 40...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
-
Ndërkohë që në Shqipëri flitet aq shumë për hapjen e kutive të votimit ka nisur edhe një debat tjetër i cili, edhe pse jo aq i nxehtë sa i p...



