Wednesday, January 29, 2014

Mbi debatin për taksat



Debati mbi taksat gjatë këtij muaji nxorri në shesh disa kalçifikime njëzetvjeçare në mendësinë e shqiptarëve që, sipas meje, duhen lëvizur vendit nëse mendojmë të krijojmë një shtet dhe komunitet të aftë për të qëndruar në këmbë me këmbët e veta – çka ende nuk e kemi arritur pas 100 vjetësh krijim të shtetit shqiptar. Një tregues i këtyre kalçifikimeve, që, veç tjerash, flasin jo vetëm për trashëgiminë e izolimit, por edhe për një vazhdim të izolimit mendor të shqiptarëve nga bota, ishte mungesa ose përcipshmëria e trajtimit gjatë debatit për taksat të disa temave, që, sipas meje, do të duhet të kishin qenë në qendër të tij. Po përpiqem të përmend disa syresh.

Raporti i individit me shtetin dhe komunitetin

Ajo që ra në sy më shumë se çdo gjë gjatë debatit ishte fakti se shumica e reduktuan debatin në një çështje të vetme: se sa do të varfërohet apo pasurohet individi apo familja e tij me këtë reformë fiskale duke e reduktuar kësisoj njeriun shqiptar në atë që e quajnë “homo economicus” në trajtën më banale. Duke patur përballë një njeri të reduktuar kështu – reduktim ky që në të vërtetë ka kohë që bëhet -  palët i drejtoheshin atij vetëm për t’i prekur telat e përfitimit, - sa dhe si do t’i hyjë apo dalë prej xhepit. Mazhoranca ngulmoi në atë se shumica e shqiptarëve do të paguanin më pak, dhe prandaj do të ishin më mirë. Opozita e përgënjeshtroi këtë duke thënë se pjesa më e madhe do të varfërohej. Në këtë frymë gjatë gjithë debatit shteti apo komuniteti konsiderohej thuajse si e kundërta e interesit të qytetarit, gati gati si një grabitës i parave të tij dhe, nga ana tjetër, individët konsideroheshin si qënie që, në raport me shtetin dhe komunitetin, s’bëjnë gjë tjetër veçse gjejnë marifete për t’ua hedhur atyre. Prandaj dhe argumenti më i fortë kundër taksës progresive ishte ai se kjo rritje e taksave do të bëjë të mblidhen më pak para pasi do të rrisë prirjen e njerëzve për t’ia hedhur shtetit nëpërmjet informalitetit dhe evazionit fiskal.
Pa dyshim të gjitha këto bazohen në një të vërtetë të madhe: atë se raporti i individit shqiptar me shtetin dhe komunitetin karakterizohet nga një mosbesim i thellë çka ka ardhur kryesisht si pasojë e përvojës që kemi me shtetarët që e kanë përdorur shtetin kundër qytetarit. Ky raport me shtetin dhe komunitetin ka qenë i tillë jo vetën në komunizëm, por edhe më parë, edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve gjatë të cilëve shtetarët e kanë parë shtetin dhe komunitetin si mjet për të grabitur paranë dhe pronat publike, me fjalë të tjera edhe taksën e qytetarit. Ajo që e ka mbajtur shtetin në këmbë kanë qenë ndihmat e huaja dhe borxhet galopante. Në thelb këtu qëndron shkaku i dështimit tonë në shtetformim.
Nga pikpamja ideologjike ky dështim në kohën e sotme është lehtësuar goxha nëpërmjet mshimit të kultit të tregut dhe iniciativës private të individit, propaganduar këto jo vetëm si më të rëndësishëm sesa shteti, por edhe si e mira përballë shtetit që përfaqëson të keqen. Kjo ka bërë që taksat të konsiderohen thjesht si një barrë dhe jo si një detyrim prej të cilit rrjedhin edhe shumë të drejta që, tek e fundit, na bëjnë qytetarë të një vendi.
Ve në dukje se, edhe Adam Smith – i cili është konsideruar guruja i teorisë së tregut të lirë, kur flet për taksat tek “The Welth of Nations” (Pasuria e kombeve) thotë se “Ekonomia ka dy objektiva: së pari t’i sigurojë popullit të ardhura të bollshme mbijetese – ose më specifikisht, t’i vendosë qyteterët në kushte që të mund t’i sigurojnë këto të ardhura ; dhe, së dyti, t’i furnizojë shtetit apo komunitetit  të holla të mjaftueshme për shërbimet publike.” Prandaj gjykoj se në debatin mbi takstat duhet të ishte folur e shkruar më shumë mbi atë se shteti  apo komuniteti që duam të ndërtojmë – sepse nuk mohoet se jemi në një proces të ndryshimit të raportit tonë me ta - nuk duhet parë si armik, por si një instrument që njerëzit e kanë ndërtuar vetë për të kryer disa shërbime të rëndësishme pa të cilat jeta jonë si individë do të ishte shumë më e vështirë. E kam fjalën për atë, pra, se në diskursin mbi taksta, duhet të futej edhe ideja se taksat janë të hollat që ne paguajmë për t’i patur këto shërbime që na kthejnë nga një turmë individësh në një shoqëri; se ne do të duhej të kishim qenë prej kohësh shumë më të shqetësuar që rrogat e mësuesve në shkollat e fëmijëve tanë, të mjekëve tanë në spitalet publike, të policëve tanë, të gjyqtarëve tanë, të administratorëve tanë të ishin në nivelin e dinjitetit të kësaj pune dhe po ashtu se do të duhej të kishim qenë shumë më tepër të interesuar, por edhe të informuar për lekët që  hiqen mënjanë për të pastruar plehërat që na kanë mbytur, ndërtuar shkolla, spitale, rrugë, ura, kanalizimi, porte, kryer pyllëzime e të tjera gjëra të nevojëshme për jetën tonë të përbashkët dhe për ekonominë tonë private po ashtu.
Dhe deri këtu ky diskurs s’ka të bëjë me taksë progresive apo të sheshtë, por me rëndësinë e taksës. Sepse gjykimi im është se problemi më i madh që ka sot Shqipëria nuk është fakti se kemi taksë të sheshtë apo progresive, por fakti se kemi një ekonomi kryesisht informale që vjen edhe pse nuk kemi ndërgjegjen e mjaftueshme mbi rëndësinë e pagesës së taksës edhe ngase pushtetarët tanë nuk na e kanë kthyer taksën në shërbim, por na e kanë vjedhur.
Pra çështja e parë është: ne kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për pagesën e taksave sepse kemi nevojë të ndërtojmë dhe forcojmë shtetin tonë.

Shteti social

Kur Rama lançoi idenë e taksës progresive Berisha nuk la takim pa bërë, me botën e biznesit veçanërisht,  duke lëshuar  akuza se këta pasardhësit e bllokmenëve duan të na fusin taksën progresiste ngaqë janë këlyshët e regjimit të vjetër e marrëzirara të tilla që jam i bindur se nuk i beson as vetë, por i thotë ngaqë dikush i ka mbushur mendjen se shumica e shqiptarëve janë krejtësisht budallenj. E vërteta është se regjimi i Enver Hoxhës mburrej se tek ne nuk kishte taksa. Në fakt, taksa progresive s’ka të bëjë fare me atë regjim, përkundrazi është një taksë tipikisht e kapitalizmit, pasi ajo nënkupton ekzistencën e diferencave në të ardhura midis më të pasurve dhe më të varfërve, ndërkohë që ai regjim i bëri të gjithë të barabartë në varfërinë e tyre.
E vërteta është se taksa progresive ka një orgjinë të majtë që ka lindur (me lëvizjet socialiste) pikërisht për të zbutur kapitalizmin e egër që lulëzoi në shek XIX, për të siguruar më shumë drejtësi shoqërore, për të krijuar më shumë shanse për të gjithë.  Kjo ka sjellë konceptin e shtetit social, i cili ka lindur si një kompromis midis punëdhënësve dhe punëmarrësve veç të tjerash edhe për të evituar rreziqet e vendosjes së regjimeve komuniste. Dhe dihet se taksa progresive është aplikuar më me sukses se kudo në vende si Gjermania apo vendet nordike ku shteti është shumë më social. Ndërkaq, në debatin tonë politik, ka kohë që termi “shtet social” është zhdukur, ndërkohë që mendoj se ai duhet kthyer me forcë, paçka se ka nga ata që thonë se ne jemi Shqipëria nuk jemi Gjermania apo Suedia – a thua se ne nuk kemi të drejtë të kemi ideale.

Taksë e sheshtë apo progresive?

Vështirë të flitet për shtet social pa futur konceptin e taksës progresive, sepse, kur fitet për shtetin social një nga argumente kryesore është pikërisht nevoja që ka shoqëria që të mos i lerë pa mbrojtjen sociale të dobëtit: dmth. ata që për shumë arësye nuk ia dalin në jetë, përkohësisht apo përherësish, dhe prandaj nuk janë në gjendje t’i japin shoqërisë taksa, por marrin prej saj. Ne e dimë shumë mirë se ata që mbeten pa punë, pasi sëmuren apo për çfarëdo arsye tjetër kudo në botën e qytetëruar marrnin një shumë të mjaftueshme për të mbijetuar pasi përndryshe problemet që i krijohen shoqërisë me këta janë shumë të mëdha dhe jo vetëm morale, por edhe të natyrave të tjera psh, një pjesë mund t’i drejtohen aktivitetit kriminal i cili jo vetëm se do të krijojnë dëme ndaj të tjerëve, por edhe vetë shtetit do t’i kushtojë pasi, duke u futur në burg një njeri që kryen një krim, ai ka koston e tij për shtetin. Po ashtu është shumë e domosdoshme që ata që fitojnë pak të kenë minimumin e nevojshëm për të pasur një jetë dinjitoze.
Në këtë kontekst pyetja ngrihet: në realitetin shqiptar, ku numri i atyre që jetojnë nën nivelin e varfërisë është tejet i lartë, a nuk ka ardhur koha të flitet për taksë progresive? Ashtu sikurse e shoh unë problemin shqiptar më duket se vendi ka nevojë për më shumë solidaritet midis njerëzve, pasi kemi shkuar shumë larg në polarizimin midis të pasurve dhe të varfërve. Pra ne kemi nevojë urgjente për dy gjëra: të korigjojmë individualizmin ekstrem nëpërmjet ndërtimit të shtetit dhe komunitetit, ashtu që këta t’i ndjejmë si tanët dhe jo si armiqtë tanë: dhe për këtë kemi nevojë të paguajmë taksa, si dhe të zbusim polarizimim dhe të rrisim solidaritetin – dhe për këtë kemi nevojë që ata që kanë më shumë të mendojmë më shumë për ata që nuk kanë  - e prandaj kemi nevojë që taksat të jenë progresive.

 
Modeli i zhvillimit dhe stili i jetës

Një temë tjetër që mungoi në debatin mbi taksat dhe që përgjithësisht mungon në diskursin politik shqiptar është çështja se çfarë modeli zhvillimi kemi zgjedhur për të ndjekur dhe nëse duhet ta ndryshojmë atë apo jo. Duke qenë se Shqipëria ka shumë aberracione është vështirë të futësh atë në një model zhillimi nga ata që njihen botërisht. Megjithatë një gjë është e sigurtë: se këta njëzet vjet ne kemi diskutuar sikur të ketë një model të vetëm kapitalizmi në themel të të cilit qëndron ideja e rritjes ekonomike (GDP) si treguesi kryesor dhe i vetëm i zhvillimit.
Ndërkaq bota ka ç’prej viteve 70 që ka ngritur çështjen e “zhvillmit të qëndrueshëm” që bazohet mbi parimin se rritja ekonomike nuk mjafton; duhet të ndjekim një model zhvillimi që synon rritjen e mirëqënies së njeriut dhe të cilësisë së tij të jetës në mënyrë të qëndrueshme, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky model zhvillimi nuk synon thjesht zhvillimin  e kapitalit ekonomik, por harmonizimin e këtij zhvillimi me zhvillimin e kapitalit  njerëzor/social si dhe me riprodhimin e kapitalit natyror. Gjithë në këtë kontekst kritika ndaj modelit klasik kapitalist të GDP-së është thelluar kohët e fundit edhe përsa i përket rënies së peshës së GDP-së në raport me ato të mira që ekonomistët e lumturisë i quajnë të mirat që vijnë nga relacionet njerëzore. Ka studime që tregojnë se niveli i lumturisë në SHBA është më i ulët se ai i viteve 70 edhe pse të ardhurat ekonomike janë rritur. Dhe kjo vjen pasi kanë pësuar rënie të madhe pikërisht ato të mira që bazohen në marrëdhëniet e besimit të njeriut tek njeriu tek komuniteti ashtu sikurse tek institucionet.
Ky model zhvillimi nënkupton, si anë tjetër të medaljes, edhe ndryshimin e stilit të jetesës së njerëzve. “Homo economicus” është një tjetërsim i qënies njerëzore, një produk i kapitalizmit që e mat çdo gjë me GDP, që e ka kthyer njeriun në një rob të kulturës së konsumizmit duke e klientelizuar atë, duke i krijuar varësi nga objektet që ble pa e kuptuar se në këtë mënyrë është kthyer në një rob të konsumizmit, që punon për të blerë dhe ble për të punuar. Një ndryshim i stilit të jetës nënkupton që kënaqësia dhe lumturia në jetë të mos maten vetëm me sasinë e parave që fiton dhe të mos mendohet se këto vetëm mund të blihen, por se ka nga ato të mira që nuk blihen dot me para – miqësia psh. është një e tillë e më në përgjithësi relacionet e mira njerëzore të ndërtuara mbi ndarjen e vlerave shpirtërore, por edhe raporti me natyrën etj. etj..
Nuk ka pikë dyshimi se Shqipëria ka ndjekur modelin më të ashpër dhe më të egër të zhvillimit të bazuar vetëm mbi rritjen ekonomike, pra të GDP-së, e cila, për më tepër, ka qenë njëdimensionale dhe e orjentuar thjesht për  kah pasurimi i një pakicë duke lënë shumicën në varfëri. Si pasojë reduktimi i njeriut në “homo economicus” dhe klientelizmi i tij në vendin tonë ka arritur përmasa groteske.
Nuk ka pikë dyshimi, nga ana tjetër, se një zhvillim i qëndrueshëm dhe një rritje e cilësisë së jetës dhe një ndryshim i stilit të jetesës ka të bëjë më shumë me ruajtjen e ambjentit të relacioneve që do të thotë të hapësirave publike. Dhe një kujdes më i madh për këtë nënkupton edhe më shumë para për publiken që është hapësira par exellence të relacionimit të njerëzve, të atyre të mirave që nuk blihen me para. A ka të bëjë kjo me taksën progresive. Pa dyshim sepse rritja, mbrojtja dhe mirëmbajtja e publikes në këtë model zhvillimi dhe stil jetese padyshim rritet dhe kjo kërkon më shumë të holla që i kthehen shoqërisë e komunitetit në një formë tjetër.
Dikush mund të bëjë vërejtjen se gjithsë sa shkrova janë thjesht në nivelin ideal pa lidhje me realitetin shqiptar. Kundër argumenteve të mi ngrihen ata që thonë se bizneset tona, që janë edhe punëdhënësit më të rëndësishëm në vend, kanë nevojë të fuqizohen kurse një taksë e madhe i varros ato. Sipas meje më shumë se ky problemi është se ata që konsiderohen të pasur në Shqipëri nuk dihet se sa të pasur janë vërtet, pasi nuk kemi një regjistrim serioz pasurie, dhe se, më të shumtët, e kanë këtë pasuri të padekaruar dhe, po ashtu, të palegjitimuar mënyrën se si e kanë vënë atë. Regjistrimi dhe njohja e kësaj pasurie është një nga sfidat që ka qeveria e re sipas meje.
Gjithssesi, pa hyrë në detaje, edhe për mungesë të dhënash, mendoj se në diskursin mbi taksat nuk duhet të mungonin këta koncepte themelore të një shërndarjeje më të drejtë, të solidaritetit dhe kohezionit social që janë tejet të lidhura me shtetin social dhe taksën progresive. (Panorama, 25 dhejtor, 2013)

Sunday, January 5, 2014

Izolimi, - shkaku i prapambetjes së shqiptarëve


Intervistë dhënë gazetës Ekspress (31 dhjetor 2013)

1.Shkrimtari Rexhep Qosja në një intervistë tha se Fatos Lubonja mbështetet shumë tek studiues dhe publicistë  gjermanë, grekë, italianë, francezë, që janë miq të Serbisë, kur  flet për politikanët ose, siç tha ai, kur "bën demitizimin"  e historisë dhe politikës. Me këtë rast është përmendur shkrimi i juaj në "Sudosteuropa Mittelungen", për Ramush Haradinajn, që kishte nxitur shumë reagime? Cila është përgjigja juaj?

E ndaj prononcimin e Qoses në dy pjesë. Në të parën ai mbron të drejtën time të fjalës duke kritikuar sulmet banale që u hodhën ndaj meje në Kosovë pas shkrimit mbi Haradinajn si dhe mbron rolin e intelektualit që dekonstrukton mitet, duke u përpjekur të luftojë kësisoj kundër “pushtimit shpirtëror” dhe “manipulimit të njerëzve”. E për këtë do e falënderoja krejt sinqerisht nëse nuk do të shihja se në pjesën e dytë, në një farë mënyre, ai e zhvleftëson këtë punë pasi, sipas tij, dekonstruktimin e paskam bërë duke u bazuar në studiues  që janë miq të Serbisë.
Së pari, ve në dukje se dekonstruktimin e miteve nacional – komuniste, mbi të cilët u ndërtua ideologjia e pushtetit të Hoxhës, unë e kam ndërmarrë - me një frymë kritike, antiautoritare në emër të emancipimit, lirisë dhe të së vërtetës, - pas një pune të gjatë, më së pari me vetveten. Frymën kritike ndaj këtyre miteve e kam zhvilluar hap pas hapi  si rezultat i refleksionit mbi realitetin shqiptar duke përdorur, sigurisht, dhe filtrin e leximit të mjaft autorëve që në kohën e Hoxhës kanë qenë të ndaluar, pikërisht se të vërtetat e tyre nuk përputheshin me të vërtetat e ideologjisë në fjalë. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për autorët e historisë shqiptare, por për filozofë, psikoanalistë, historianë, shkrimtarë etj. Dua të them pra se  problemi i dekonstruktimit të miteve ka të bëjë më së pari me filozofinë e kohëve moderne dhe post-moderne (së paku që nga Niça që shpalli vdekjen e Zotit e këtej) për të arritur tek post-strukturalistët e dekonstruktivistë të tillë si Derrida apo Foucault të cilët janë marrë me problemin e madh të lidhjeve midis pushtetit dhe njohjes. E këta emra janë miq të të gjithë botës, më duket, jo vetëm të serbëve. Po ashtu kur bëhet fjalë për studimin e historisë nuk mund të mos përmend emrat e veprat e Hobsbawm, Anderson, Gellner, Bauman etj. (edhe këta miq të të gjithë botës) tek të cilët janë bazuar edhe studiuesit që janë marrë më konkretisht me Shqipërinë si Nathalie Calyer apo Oliver Schmitt psh.. Kur bëhen fjalë për historinë dhe identitetet kombëtare - që janë edhe tema jonë e nxehtë e debatit - këta nuk e shohin historinë si një kontinuitet teleologjik që zgjat në shekuj drejt një synimi të caktuar - siç na e kanë mësuar ne - por si një varg rastësish dhe diskontinuitetesh që ndërtohen sipas rrethanave. Po ashtu identitetin nuk e shohin në njëjës, por në shumës dhe jo sipas një qasjeje esencialiste; çka do të thotë se – për t’iu referuar psh. identitetit shqiptar - ata nuk e shohin shqiptarinë si një bërthamë e ngurtë e pandryshueshme qysh në krye të herës, por si konstruksion i lëvizjes nacionaliste (shqiptarizmës)  të shekullit XIX, madje në një proces ndryshimi sipas rrethanave gjeopolitike. Reaksioni kundër tyre ka ardhur pikërisht pse në thelb janë ndeshur dy metodologji. Historiografët dhe intelektualët shqiptarë më së shumti, të mbrujtur me metodologjinë e vjetër, kanë reaguar për të mbrojtur "bërthamën e ngurtë", në fakt veprën e tyre që ka përcaktuar këtë bërthamë. Mua, duke lexuar prononcimin e Qoses, më erdhi menjëherë ndërmend parathënie e librit “Historia e Shqiptarëve” e shkruar nga Oliver Schmitt, i cili, kur flet për studiuesit dhe historianët shqiptarë shkruan se këta i ndajnë studiuesit e huaj në pro dhe antishqiptarë.
Së dyti, besoj se jetojmë në një kohë kur një studiues serioz mund të jetë mik i serbëve, por edhe i shqiptarëve njëherësh, e  madje unë jam ndër ata që mendojnë se edhe shqiptarët e serbët duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre duke filluar që nga pastrimi i leximit të historisë së tyre të përbashkët nga fryma nacionaliste. Nuk besoj se sot ka studiues seriozë perëndimorë që i dedikuakan vite të jetës së tyre shkencës së historisë për t’i shërbyer një shteti kundër një tjetri. Më vjen keq të them, por Qosja ushqen kulturën e vjetër  të bazuar mbi teoritë e konspiracionit. Dhe ajo që është e hidhur në këtë pohim të Qoses është fakti se studiues e historianë të tillë, që i kanë kushtuar vite të tëra jete historisë së Shqipërisë si Oliver Schmitt apo Nathalie Clayer, për të shkruar libra aq të vyer siç janë “Në fillimet e nacionalizmit Shqiptar”, "Arbëria Venedikase" apo "Skënderbeu" në vend se sot të jenë të nderuar  e librat e tyre të bëhen pjesë e studimeve në universitetet tona janë bërë pre e sulmeve të bazuara në teori konspiracioni me rezultat mbajtjen e shqiptarëve, veçanërisht të të rinjtve, pikërisht nën atë që vetë Qosja e quan “pushtim shpirtëror” e “manipulim”.
Përsa i përket rastit Haradinaj përsëri mund të them se Carla del Ponte, psh., të cilës i jam referuar, nuk njihet kurrsesi si proserbe, përkundrazi serbët e kanë akuzuar si antiserbe duke e etiketuar edhe me fjalën “kurvë” për aktivitetin e saj në Hagë. 

2. Z. Qosja heziton të flasë për probleme madhore të Kosovës siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, për shkak të afërsisë me pushtetin aktual. Por kur është fjala për zhvillimet në Shqipëri tashmë dihet diskursi i tij prej militanti të Partisë Socialiste? Si e komentoni këtë?
Duke u nisur edhe nga përvoja në Shqipëri mund të them se kemi të bëjmë me një fenomen të njohur që e kemi kaluar të gjithë në këto demokracitë e reja që po ndërtojmë. E kam fjalën për rreshtimin e intelektualëve, gazetarëve, shoqërisë civile në një llogore apo në një tjetër të pushtetit politik - ndoshta pse thellë thellë aspirojnë edhe ata pushtetin dhe jo të vërtetën. Personalisht sa zhgënjimet e vazhdueshme me politikanët aq edhe ruajtja e vizionit tim për botën më kanë bërë të distancohem nga kjo praktikë. Mund të mbështetësh një forcë politika apo një tjetër për aq sa morali dhe vizioni yt i botës shkojnë bashkë me të përndryshe duhet dalë nga ajo llogore. Kush mbetet nuk bën më rolin e intelektualit të angazhuar, por të militantit dhe fanatikut ose, edhe më keq, të atij që ka bërë kompromise mbi moralin dhe vizionin e tij për ndonjë interes banal. Në kushte kur ndodhemi ne, si këtej edhe andej kufirit, me klasën e korruptuar politike që kemi, sa në një krah edhe në tjetrin, mendoj se ajo që kemi më së shumti nevojë është forcimi i rolit të arbitrit midis pushtetarëve politikë në formën e forcimit të drejtësisë, medieve dhe shoqërisë civile.
Përsa i përket shprehjes së opinioneve për dinamikat e brendshme ndërpartiake përtej kufirit personalisht mendoj se duhet të jemi të rezervuar pasi nga mosnjohja e mirë dhe në detaje rrezikojmë të gabojmë në gjykim apo edhe të keqpërdoremi.
3. Në prononcimet e tij, Qosja ka shfaqur shpesh konsiderata për regjimin e diktatorit Enver Hoxha...Ai ka thënë se regjimi Hoxhës  "i ka dhënë popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme". Si e komentoni këtë?
Unë bëj pjesë ndër ata që degradimin dhe të keqen që po ndodh sot në Shqipëri, që ka shkaktuar edhe mungesën e dinjitetit ndërkombëtar të Shqipërisë, e shoh kryesisht si pasojë të së djeshmes, si anën tjetër të medaljes së atij regjimi. Madje, metaforikisht, këtë që po ndodh sot e kam quajtur kalbëzim i kufomës së madhe të komunizmit. Ka një pjesë që e kanë konsideruar komunizmin tonë si periudha e modernizimit të vendit – paçka se ky ishte i një trajte shumë të ashpër. Unë në këtë pikë pajtohem me studiuesin kroat Rogic që e quan, edhe për Jugosllavinë, atë periudhë "modernizim paradoksal" që kërkonte të krijonte më një anë një modernizim në thelb të tipit borgjez e, më anë tjetër, të shkatërronte klasën borgjeze e atë të mesme dhe vlerat e saj; që kërkonte të bënte industrializimin dhe urbanizimin pa individualizmin, pronën private  dhe tregun e lirë që e sollën atë në Perëndim.  Ja psh. një nga pasojat më të rënda të komunizmit tek ne, sipas meje, ishte zhveshja e njerëzve nga personaliteti dhe nga përgjegjshmëria individuale ndaj komunitetit sepse ishte shteti që merrte përsipër edhe t’i formonte njerëzit sipas modelit të tij edhe të merrte të gjitha përgjegjësitë për komunitetin. Kjo bëri që njerëzit të mos ndërtojnë dot instrumente përgjegjësie ndaj të tjerëve, të mos dinë të krijojnë komunitet me forcat e tyre. Ana tjetër e medaljes të këtij njeriu të papërgjegjshëm ndaj të tjerëve, është pikërisht kapitalizmi që po ndërtojmë. Duke mos pasur asnjë përvojë dhe asnjë instrument ndërtimi të komunitetit, njeriu shqiptar, në mungesë të shtetit paternalist, shpërtheu në një individualizëm ekstrem, me pasoja katastrofike, pothuaj të pandreqshme për shoqërinë, e, përballë këtyre pasojave kërkon të ndërhyjë një shtet si ai i komunizmit pa e kuptuar se shteti i sotëm duhet të jetë ai vetë.
Edhe përsa i përket dinjitetit të popullit shqiptar në atë kohë mund të them se eksodi masiv i shqiptarëve në vitet 90 – 91 tregoi se ku ishin katandisur realisht shqiptarët në atë regjim. Të përdorësh fjalën “populli” për këtë grumbull individësh pa shoqëri dhe t’i japësh këtij konotacion pozitiv më duket metodë e vjetër. Vetë preferoj të përdor fjalën "shoqëria" dhe, sipas meje, Qosja gabohet kur thotë se shoqëria shqiptare e asaj kohe paska pasur dinjitet tek të huajt. Më së shumti të huajt nuk e kanë njohur atë pasi kemi qenë të izoluar nga bota dhe, kur e njohën, u zhgënjyen. Besoj se një zhgënjim i tillë u ka ndodhur edhe shumë shqiptarëve të Kosovës që kishin idealizuar Shqipërinë  e Hoxhës.
4. Bashkë më Adem Demaçin , Qosja ditëve të fundit, por edhe më herët e kanë shpallë tradhtar Ibrahim Rugovën. Cili është vlerësimi juaj për Ibrahim Rugovën  dhe pse mendoni se Demaçi dhe Qosja insistojnë në këtë temë?
Nga sa e njoh unë realitetin kosovar ashtu si në Shqipëri edhe tek ju ka dy llogore politike të ndara nga një armiqësi sa e thellë, kur është fjala për propagandën kundër njëri tjetrit, aq edhe e cekët, kur bëhet fjalë për programet politike apo ideologjike që s'kanë thuajse diferencë nga njëri tjetri (dalloj në Kosovë Vetvendosjen që më duket në llogoren e vet  të tretë me program më të dallueshëm nga dy forcat kryesore). Kjo ka bërë që të dy palët kryesore në luftë me njëra tjetrën të ngrenë edhe mitet e tyre. Kështu LDK-ja ka ngritur mitin e Rugovës kurse partitë e lindura nga UÇK-ja mitin e Adem Jasharit që mishërohen edhe me historitë e veprat monumentale që u janë ngritur këtyre. Sipas mendimit tim të dy këta mitizime janë groteske për nga stërmadhësia dhe monumentaliteti që pretendojnë të shfaqin dhe janë një fyerje sa për shijet estetike edhe për  realitetin  e asaj që ata kanë qenë, por edhe për frymën e kohës që jetojmë. E them këtë sepse në kohën e demokracisë piedestalet e larta dhe figurat heroike janë zëvendësuar me vepra shumë më tokësore, ku ndarja midis heroit dhe njeriut të thjeshtë është shumë më e padukshme. Siç e shoh unë Qosja e Demaçi kanë reaguar kundër këtij mitizimi të Rugovës – dhe me të drejtë – por sipas mendimit tim do të duhej të kishin reaguar edhe për ata monumente që ka ngritur UÇK-ja që na kujtojnë veprat e socrealizmit shqiptar. Ne kemi në Tiranë një monument të Adem Jasharit që, kur e sheh, të duket sikur  skulptori ka përdorur kallëpin e trupit të një partizani nga ata që bëheshin në kohën e Enver Hoxhës dhe i ka vënë kokën e Adem Jasharit, që edhe ajo tenton t’i shëmbëllejë skulpturave të rilindësve - duke plotësuar kësisoj tamam figurën e heronjve të nacional - komunizmit. Është e qartë se këto monumente janë ngritur në fakt në shërbim të pushteti të të gjallëve dhe flasin më shumë për ta se për të vdekurit që paraqesin.
Edhe diçka më bën përshtypje në këtë debat:  vazhdimi i matjes së punës së intelektualëve vetëm me atë që kanë bërë kundër armikut për atë që quhet "çështja kombëtare".  Sipas meje ka ardhur koha të fillojë të çmohet një tjetër tip intelektuali: ai të cilit i matet kontributi me atë çka ka bërë për shoqërinë, për kulturën, për çlirimin e njeriut shqiptar nga “armiqtë” që i kemi brenda nesh  të tillë si injoranca, prepotenca, arroganca ndaj të tjerëve, por dhe individualizmi korrupsioni; tipi i intelektualit që nuk pretendon të jetë fitimtar i të sotmes duke u bërë baba i kombit, por që është i vetëdijshëm për dimensionin e tij tragjik prej humbësi kur thotë disa të vërteta që s'i pëlqejnë shumicës apo e provokon shoqërinë me synim që t’i hapë shtigje të reja mendimi dhe njohjeje, mënyra të tjera të menduar dhe të shkuari të botës dhe të vetvetes. 

5.Shqipëria  me një traditë shtetërore 100 vjeçare ballafaqohet me probleme të tmerrshme. Bashkë me Kosovën ajo radhitet me vendet më të varfra dhe më të korruptuara të kontinentit. Pse ka kaq prapambeturi në dy shtetet shqiptare?
Sipas meje shqiptarët kanë nevojë të hulumtojnë shumë më me seriozitet shkencor shkaqet e prapambetjes së tyre. E them këtë edhe me frymën e dekonstruktimit të miteve për të cilët fola në fillim. Sepse një nga mitet historike që duhen dekonstruktuar, sipas mejë, është edhe ai shumë i përhapur mes shqiptarëve – sipas të cilit në këtë gjendje na ka lënë 500 vjet errësirë e "pushtimit osman".  Sipas meje më së pari duhet të përcaktojmë se çfarë kemi parasysh kur flasim për “prapambetjen” shqiptare. Unë shoh si shfaqjen më të dukshme të prapambetjes paaftësinë e shqiptarëve për tu ngritur mbi egoizmin individual e klanor e për të ndërtuar, pra, komunitetin. Një nga shkaqet kryesor të saj ka qenë izolimi, mungesa e kontaktit me qytetërimet e kulturat e tjera, por edhe mungesa e kontaktit mes vetit. Këtë e them se po të vesh re historitë e qytetërimeve do të konstatosh se zhvillimet e tyre më së shumti kanë qenë rezultat kontaktesh me të tjerët. Lidhur me këtë, meqë ra fjala për sundimin osman, po të vesh re atje ku kanë shkelur osmanët do të gjesh qytete dhe fshatra me ndërtime afër e afër me njëri tjetrin, kurse atje ku ka mbetur shqiptari “i pastër” edhe shtëpitë janë një këtu e një atje dhe në vend se nëpërmjet shtetit e ligjit gjithçka është rregulluar nga kanuni.
Izolimi i shqiptarëve pastaj ka pasur disa aspekte. Mund të flitet për izolim natyror, kur kemi parasysh zonat e thella ku nuk kanë arritur as rrugët dhe as osmanët dhe as kristianët. Mund të flitet për qënien e shqiptarëve një popull i vogël në numër me një gjuhë që nuk i përket një familjeje popujsh. Mos harrroni se deri në prag të Luftës së Dytë kemi qenë 90% analfabetë. Ideja se ne paskemi qenë një popull i madh e me të kaluar të ndritshme, që jo vetëm ka marrë nga qytetërimet e mëdha fqinje, por edhe u ka dhënë atyre - siç kanë predikuar akademikët tanë - sipas mejë është një nga ata mite që duhen dekonstruktuar për të njohur më mirë vetveten e në këtë rast edhe shkaqet e prapambetjes. Megjithatë, kur bëhet fjalë për izolimin, sipas meje më i rëndi dhe më fatkeqi ka qenë izolimi komunist. Sepse koha e izolimit komunist të shqiptarëve ishte koha e përparimit më të shpejtë të botës edhe për shkak të zhvillimit të mjeteve të komunikimit.

6. Shqipërisë iu refuzua kandidatura nga Bashkimi Europian. Në arsyetimet që i dëgjuam nga vendet anëtare të BE'së u kërkua që Tirana të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe në çështje që kanë të bëjnë me ekonominë e vendit?  A mendoni se Shqipëria mund ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor?
Për mua është ekzagjeruar shumë me këtë debat mbi statusin dhe ky ekzagjerim është një tregues më shumë i mosmeritimit të statusit.  Unë mendoj se duhet folur më pak për statusin dhe më shumë për çka duhet bërë që në Shqipëri të ndërtohet një shoqëri me vlera evropiane që me një frazë të vetme do ta quaja ndërtim i një shteti të së drejtës që do të thotë një shtet ku në pushtet është ligji dhe jo një mafie politike apo një tjetër me në krye padrinon e radhës.  E ne jemi shumë larg kësaj dhe bota e di këtë prandaj na refuzoi. Prandaj na duhet të punojmë për këtë dhe jo të merremi gjithë kohën me a do na jepet apo jo statusi dhe kush e ka fajin apo meritën për këtë.

7.Kohëve të fundit është përfolur  mundësia e arrestimit të ish -Kryeministrit Sali Berisha për shkak të abuzimeve me pushtetin, që më tepër vjen si një kërkesë e evropianëve. A është në gjendje shteti shqiptar ta përballojë arrestimin eventual të Berishës?
Sipas mendimit tim shteti shqiptar nuk është në gjendje pasi  së pari, Berisha, në kuptimin e politikanit që ai përfaqëson, është modeli i shumicës të politikanëve që kemi në Shqipëri dhe, se dyti, sepse ky model nuk është një çështje personi, por është produkt e njëherësh përfaqësues i një sistemi që ne kemi ngritur. Pra jo vetëm Berisha, por edhe Nano edhe Rama edhe Meta (për të përmendur ata më të njohurit) më shumë sesa diferencat kanë të përbashkët ngjashmëritë: faktin se janë përfaqësuesit e këtij sistemi oligarko - mafioz. Në një shkrim i kam krahasuar me “kukullat në skenë” fijet e të cilëve i tërheqin “oligarkët në prapaskenë.” Shteti shqiptar, ku kam parasysh edhe prokurorinë e gjykatat, është i kapur prej tyre ashtu sikurse edhe mediet e shoqëria civile prandaj zor se do të mund të ndodhte një akti i tillë. Pas zgjedhjeve, në ato dy muaj që i kishin mbetur, Berisha dhe të tijtë, në mënyrën më të turpshme, morën vendim t’i marrin publikut godinën e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve dhe ta bëjnë seli të Partisë Demokratike. Socialistët na premtuan se, kur të marrin qeverisjen, do t’ia kthejnë publikut, por sot as bëhet fjalë për këtë sepse kjo konsiderohet si një sulm antidemokratik ndaj opozitës. Jemi në një situatë pra ku të qenit politikan është garant i sigurisë dhe pandëshkueshmërisë së grabitësve. Të njëjtën mbrojtje kanë pasur edhe Nano, Rama, Meta etj. në opozitë. Prandaj, kur Edi Ramës i është dashur të justifikojë aleancën me Ilir Metën, ka deklaruar se e keqja nuk janë njerëzit, por sistemi. E njëjta logjikë mund të përdoret edhe për Berishën. Por edhe nëse Berisha përdoret si "kokë turku" për tua servirur në tepsi evropianëve dhe shqiptarëve të zemëruar pak gjë do të ndryshojë po nuk u bë një operacion i gjerë çrrënjosjeje të sistemit. Dhe për këtë do të duhej shumë më tepër që të bindeshim se po ndryshon diçka seriozisht në luftën kundër sistemit: më së pari goditja e oligarkëve të shumtë që janë brenda gjirit të Partisë Socialiste.
8..Cili është vlerësimi juaj për punën e qeverisë së re shqiptare. A ka indikacione që mund ketë ndonjë përmirësim, të ketë qeverisje normale të shtetit...?
Kam ndjesinë se disa fenomene abuzimi me pasurinë publik dhe territorin që u bënë krejtësisht skandaloze me Berishës do të frenohen. Por mbeten shumë të panjohura për të ardhmen që lidhen me atë se a mund ta ndryshojnë një sistem korruptiv ata që e kanë ngritur vetë; si do të reagojë sistemi  nëse këta vërtet duan ta ndryshojnë dhe po ashtu se sa janë shqiptarët të përgatitur për të jetuar në një sistem që nuk ushqehet nga paraja e pisët dhe krimi, por nga puna e ndershme dhe respekti ndaj ligjit.
9. Në Kosovë pothuajse është e paimagjinueshme që politikanët t'i thonë jo Ambasadë së SHBA've, ndërsa Kryeministri Edi Rama refuzoi shkatërrimin e lëndëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Bëri mirë apo bëri keq?

Më vjen keq, por keni informacionin e gabuar nëse mendoni se ishte Rama që refuzoi shkatërrimin e armëve kimike në territorin shqiptar duke u thënë “jo” amerikanëve. E vërteta është se Rama ishte i vetmi që u kishte thënë “po” amerikanëve ndërkohë që nuk ishte konsultuar me askënd, as edhe me të vetët, por kishte marrë një vendim krejt personal për t’i pranuar ato, duke ia mbajtur të fshehtë njerëzve. E vërteta është se ne e mësuam se do të na vinin armët kimike nga mediet e huaja dhe për fat u organizua shoqëria civile dhe mediet që, kësaj radhe, përballë një rreziku dhe poshtërimi të tillë, nuk panë as ngjyrat partiake. Ky reagimi i fuqishëm i njerëzve bëri që opozita, që i kishte premtuar Ambasadorit Amerikan një lloj heshtjeje, si dhe mjaft politikanë të maxhorancës, të deklaroheshin kundër në rast votimi. I gjendur përballë këtij presioni të shoqërisë dhe duke mos pasur as numrin e votave në Parlament, Rama doli e mbajti një fjalim 30 minutash në të cilin për 29 minuta ofendoi tërë ata që kishin manipuluar shqiptarët, sipas tij, kundër projektit të sjelljes së armëve kimike, dhe në minutën e fundit tha se, megjithatë, vendimi i qeverisë ishte për të thënë “jo”.
Gjithsesi ka nga ata optimistë që këtë akt e konsiderojnë si një hap përpara të Shqipërisë në kuptimin e forcimit të shoqërisë civile më një anë dhe ndjeshmërisë së pushtetarëve ndaj zërit të saj në anën tjetër, por edhe për faktin se u thamë “jo” amerikanëve duke treguar një lloj dinjiteti në rritje.
A bëmë mirë ne që i refuzuam? Sipas meje  mjaft të shikosh se nuk doli asnjë vend që t’i pranonte, se në Itali është ngritur alarmi edhe për atë se në cilin port do të kryhet kalimi nga anijet që do t’i transportojnë nga brigjet siriane për në anijen amerikane, që do të kryejë patrimin e parë, për të kuptuar se, nëse ne do t’i pranonim, do të tregonim një dobësi që do të na kushtonte shumë edhe si rrezikim që do tu krijonim njerëzve, edhe si ndotje që do t’i shkaktonim territorit, por edhe si ndotje e mëtejshme e imazhit tonë ndërkombëtar.
Intervistoi Shpend Limoni

Letër e hapur Prokurorit të Pëgjithshëm


Para disa ditsh ne u bëmë dëshmitarë të një akti veçanërisht të rëndë. E kam fjalën për vënien e tritolit në makinën e Prefektit të Vlorës, por edhe për qëndrimet që e pasuan atë.
Sikurse duhet të jeni në dijeni për këtë akt ne kemi dy versione diametralisht të kundërta. Njëri është versioni i palës së Prefektit që e lidh këtë akt me kërcënim për shkak të detyrës - më konkretisht me shembjen e Pallatit në Vlorë.
Në anën tjetër kemi versionin e opozitës e cila e konsideroi këtë akt si një inskenim nga ana e maxhorancës, për të justifikuar blindimin e pushtetarëve si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vëndi, siç është edhe debati i fundit lidhur me taksat.
Sikurse besoj, ju e kuptoni qartë që të dy këta versione  kanë përmbajtje të lartë rrezikshmërie, dhe, mesa gjykoj, duhet të jenë objekt i hetimeve dhe i ndjekjeve penale.
Nëse qëndron versioni i parë: dmth. se tritoli është vendosur në makinën e Prefektit me qëllime mafjoze, ky është një paralajmërim me përmbajtje tejet të rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Ai të bën të mendosh se krimi i organizuar guxon të godasë shumë lart dhe të kërcënojë edhe stabilitetin e shtetit nëse i preken interesat e tij. Kjo na e bën jetën të pasigurt të gjithëve sepse jep sinjalin që shteti nuk do të forcohet dot kurrë për të na mbrojtur nga krimi i organizuar.
Në rast se vendosja e tritolit është inskenuar nga pushtetarët atëhere përsëri jemi përpara një akti me rrezikshmëri të lartë që na e bën jetën të kërcënuar nga një qeveri dhe maxhorancë që nuk kurseka as veprime të tilla mafjoze për të arritur qëllimet e veta.
Ndëkaq nëse ky version i dytë është shpifje nga ana e maxhorancës - e cila, sikurse besoj se jeni në dijeni, nuk hezitoi të flasë edhe për "burime të saj të sigurta" - atëhere besoj se përsëri kemi të bëjmë me një shpifje me pasoja të rënda për shoqërinë, që, sipas gjykimit tim, nuk mund të kalojë pa ndëshkimin  e autorëve të saj.
Besoj se është e qartë zoti Kryeprokuror se sa e rëndësishme është detyra juaj ndaj vendit lidhur me hetimin dhe sqarimin deri në fund të kësaj ngjarjeje. Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërteta dhe verdiktet gjyqësore që jepen nga partitë që akuzojnë njëra tjetrën dhe që pretendojnë se versionet e tyre janë edhe verdiktet e gjyqsorit, siç ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht.
Ne kemi nevojë të ndjejmë se përtej luftës politike dhe akuzave politike kur vjen puna për akuza kriminale kemi besimin se këto do t'i vendosë një drejtësi që nuk është as në shërbim dhe as e kërcënuar nga këto parti. Ne kemi nevojë të na bashkojë e vërteta e faktit dhe drejtësia edhe kur jemi të ndarë politikisht. Sikurse e dini deri më sot për fat të keq organet e drejtësisë nuk e kanë kryer këtë funksion. Njerëzit vazhdojmë të mendojmë se drejtësinë kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin do ta bëjnë ata që do të vijnë në pushtet, të cilët, në fakt, deri më sot kanë bërë revanshin e rradhës me ndihmën aktive ose pasive të organeve të drejtësisë. Konflikti maxhorancë opozitë që provokoi interpretimi i ngjarjes i bën qytetarët e thjeshtë të përjetojnë vazhdimësinë e kësaj përvoje e ta jetojnë drejtësinë në këtë vend si një konflikt mafjozësh që janë mbi drejtësinë dhe ligjin. Pa dyshim se në raste të tilla si ky i fundit dështimi i kapjes së fajtorëve e ndihmon edhe më shumë këtë përjetim, duke e bërë të paqartë kufirin që ndan drejtësinë, politikën dhe krimin e organizuar. E kjo bën që e ardhmja  e shtetit ligjor të duket shumë larg dhe, kuptohet, bashkë me këtë edhe siguria, mirëqënia dhe liria e ne të gjithëve.
Rasti në fjalë, sipas mendimit tim, është një sfidë për ju dhe kolegët tuaj, jo vetëm për të zbuluar kriminelët e vërtetë, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një procesi pavarësimi dhe fuqizimi të  organeve tona të drejtësisë.

Me shpresë se ju dhe kolegët tuaj do të ndani këtë shqetësim.
Fatos Lubonja

 (Panorama, 18 dhjetor 2013)

Sunday, December 22, 2013

Letër e hapur Prokurorit të Përgjithshëm


 Para disa ditësh ne u bëmë dëshmitarë të një akti veçanërisht të rëndë. E kam fjalën për vënien e tritolit në makinën e prefektit të Vlorës, por edhe për qëndrimet që e pasuan atë.
Sikurse duhet të jeni në dijeni, për këtë akt ne kemi dy versione diametralisht të kundërta. Njëri është versioni i palës së prefektit, që e lidh këtë akt me kërcënim për shkak të detyrës – më konkretisht me shembjen e pallatit në Vlorë.
Në anën tjetër kemi versionin e opozitës, e cila e konsideroi këtë akt si një inskenim nga ana e maxhorancës, për të justifikuar blindimin e pushtetarëve si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, siç është edhe debati i fundit lidhur me taksat.
Sikurse besoj, ju e kuptoni qartë që të dyja këto versione kanë përmbajtje të lartë rrezikshmërie, dhe, me sa gjykoj, duhet të jenë objekt i hetimeve dhe i ndjekjeve penale.
Nëse qëndron versioni i parë: domethënë se tritoli është vendosur në makinën e prefektit me qëllime mafioze, ky është një paralajmërim me përmbajtje tejet të rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Ai të bën të mendosh se krimi i organizuar guxon të godasë shumë lart dhe të kërcënojë edhe stabilitetin e shtetit nëse preken interesat e tij. Kjo na e bën jetën të pasigurt të gjithëve, sepse jep sinjalin që shteti nuk do të forcohet dot kurrë për të na mbrojtur nga krimi i organizuar.
Në rast se vendosja e tritolit është inskenuar nga pushtetarët, atëherë përsëri jemi përpara një akti me rrezikshmëri të lartë, që na e bën jetën të kërcënuar nga një qeveri dhe maxhorancë që nuk kursyeka as veprime të tilla mafioze për të arritur qëllimet e veta.
Ndërkaq, nëse ky version i dytë është shpifje nga ana e opozitës – e cila, sikurse besoj se jeni në dijeni, nuk hezitoi të flasë edhe për “burime të saj të sigurta” -, atëherë besoj se përsëri kemi të bëjmë me një shpifje me pasoja të rënda për shoqërinë, që, sipas gjykimit tim, nuk mund të kalojë pa ndëshkimin e autorëve të saj.
Besoj se është e qartë, zoti Kryeprokuror, se sa e rëndësishme është detyra juaj ndaj vendit lidhur me hetimin dhe sqarimin deri në fund të kësaj ngjarjeje. Ne nuk mund të vazhdojmë me të vërteta dhe verdikte që jepen nga partitë që akuzojnë njëra-tjetrën dhe që pretendojnë se versionet e tyre janë apo duhet të jenë edhe vendimet e Gjyqësorit, siç ka ndodhur deri më tani, fatkeqësisht.
Ne kemi nevojë të ndiejmë se përtej luftës politike dhe akuzave politike, kur vjen puna për akuza kriminale, kemi besimin se këto do t’i vendosë një Drejtësi që nuk është as në shërbim dhe as e kërcënuar nga këto parti. Ne kemi nevojë të na bashkojë e vërteta e faktit dhe drejtësia edhe kur jemi të ndarë politikisht. Sikurse e dini, deri më sot, për fat të keq, organet e Drejtësisë nuk e kanë kryer këtë funksion. Njerëzit vazhdojnë të mendojnë se drejtësinë kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin do ta bëjnë ata që do të vijnë në pushtet, të cilët, në fakt, deri më sot kanë bërë revanshin e radhës me ndihmën aktive ose pasive të organeve të Drejtësisë. Konflikti maxhorancë-opozitë që provokoi interpretimi i ngjarjes i bën qytetarët e thjeshtë të përjetojnë vazhdimësinë e kësaj përvoje e ta jetojnë drejtësinë në këtë vend si një konflikt mafiozësh që janë mbi drejtësinë dhe ligjin. Pa dyshim se në raste të tilla si ky i fundit, dështimi i kapjes së fajtorëve e ndihmon edhe më shumë këtë përjetim, duke e bërë të paqartë kufirin që ndan drejtësinë, politikën dhe krimin e organizuar. E kjo bën që e ardhmja e shtetit ligjor të duket shumë larg dhe, kuptohet, bashkë me këtë edhe siguria, mirëqenia dhe liria e ne të gjithëve.
Rasti në fjalë, sipas mendimit tim, është një sfidë për ju dhe kolegët tuaj, jo vetëm për të zbuluar kriminelët e vërtetë, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një procesi pavarësimi dhe fuqizimi të organeve tona të Drejtësisë.

Me shpresë se ju dhe kolegët tuaj
do të ndani këtë shqetësim.
Fatos Lubonja

(Panorama, 18 dhjetor 2013)

Friday, December 13, 2013

Mbi ndërtimin dhe shembjen e pallatit të Vlorës



Çështja e pallatit të ashtu quajtur të Vlorës nuk është bërë më kot temë e ditës. Te ngritja e atij pallati reflektohen thuajse të gjitha problemet që na kanë sjellë në gjendjen kritike ku ndodhemi dhe, njëherësh, te shembja e tij edhe shumë pikëpyetje mbi zgjidhjet e tyre, veçanërisht në këtë kapërcyell pushteti, kur maxhoranca e re ka dalë me sloganin ambicioz “rilindje”. Le të shtjelloj disa nga temat e atij pallati.

Grabitja e publikes

Deti përballë pallatit ka kohë që ulërin për kapjen e shtetit nga “ata” që kontrollojnë njëherësh politikën, ekonominë, mediat, Gjyqësorin – gjithçka në këtë vend e që, duke mos qenë në gjendje të zhvillojnë një ekonomi të shëndoshë, i shfrytëzojnë institucionet e kapura për t’u pasuruar në mënyrën më të shëmtuar: duke grabitur pronën publike. Në këtë rast grabitja ka shkuar deri te grabitja e vetë detit, për t’u përdorur si truall ndërtimi të pallatit. Mjeti më i paturpshëm i grabitjes së publikes është përdorimi i institucioneve të kapura për të hartuar ligje apo për të nxjerrë vendime që kthehen në ligj, për t’i bërë kësisoj pronat e grabitura të paprekshme nesër, gjoja në emër të ligjit.

Bashkëpunimi në grabitje

Po flitet shumë për pallatin si pronë e vjehrrit të Lulzim Bashës dhe po i faturohet ndërtimi i tij pushtetit të kohës së Sali Berishës. Por, një minutë, pallati është ndërtuar në Vlorë që qysh kur s’mbahet mend është bastioni i Partisë Socialiste. Leja e ndërtimit të tij është dhënë nga një bashki socialiste. Jo thjesht kryetari, por edhe një numër njerëzish janë përgjegjës për legjitimimin e një akti të tillë grabitjeje: gjykatësit që kanë njohur prona inekzistente, juristët e Bashkisë që duhet të kontrollonin dokumentet, punonjësit e hipotekave që kanë regjistruar pronat, ndërtuesit që kanë bërë projekte mbi prona publike, noterët që kanë bërë shitjet. Por ka edhe më në këtë aspekt. Me sa jam i informuar, një pjesë nga ata që njihen sot si pronarë të ligjshëm të apartamenteve të atij pallati janë njerëz të pasur të Vlorës, që i kanë marrë apartamentet me klering, pasi kanë marrë pjesë në ndërtimin e tij duke kontribuar me betonin, pllakat, pajisjet sanitare e më the të thashë. Dhe po ta vësh re, si kategori, janë pjesa kryesore e atyre që sot quhen “të pasur” në Shqipëri. Sigurisht që ata nuk janë vetëm demokratët e Vlorës, por ta do mendja, shumica janë bashkëpunëtorë të afërt me Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin e saj. Pra pallati, ose më mirë të them ndërtimi i tij, është edhe simbol i faktit se në të vërtetë këta të fortë dhe këta abuzues nuk janë të ndarë në parti politike kur vjen puna për të grabitur pronën publike.

Shembja – fasadë apo fillim i pastrimit

Që të rrimë shtrembër dhe të flasin drejt, ky pallat superskandaloz është sivëlla edhe i shumë e shumë pallateve skandaloze të ndërtuara edhe në Tiranë, edhe në Durrës, edhe gjetkë. Pallate në breg të detit, pallate që rrënuan qendrat historike, pallate në oborre shkollash, pallate mbi fusha sporti, pallate mbi lulishte – me lejet e kryetarëve socialistë të bashkive, demokratë, lsi-stë. Pikëpyetja që ngrihet është: do të vazhdojë e keqja edhe pas shembjes së këtij pallati; a do të vazhdojë i njëjti sistem i grabitjes së publikes, ndoshta në forma të tjera, – dhe sipas meje ka kohë që grabitja e pronës publike nuk është më e përqendruar te industria e ndërtimit – apo vërtet jemi në hedhjen e një hapi pozitiv? Pati edhe një artikull në “Corriere della Sera”, që pasi përshkruante se çfarë ka ndodhur në Shqipëri këta njëzet vjet, fliste për një erë ndryshimi, por edhe ngrinte pikëpyetjen nëse kemi të bëjmë me flakë kashte.
Kritika më serioze që i bëhet shembjes së pallatit, sipas mendimit tim, janë dy. E para, se shembja po bëhet në mënyrë të paligjshme arbitrare, pa përfillur vendime gjykatash, e kjo, nëse në këtë rast mund të duket e drejtë për shumicën e njerëzve, mund t’u hapë nesër rrugë arbitrariteteve të tjera të maxhorancës. Kritika e dytë është se kemi të bëjmë me një aksion thjesht populist, mediatik dhe selektiv: pra Edi Rama me një gur po vret dy zogj. Së pari, kështu ai bën shpaguesin për tërë ata që e identifikojnë këtë pallat me kundërshtarin; së dyti, me këto aksione Rama krijon, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit, imazhin se po lufton korrupsionin. E këtu kritika i thërret kujtesës së Ramës kryebashkiak. Faktit se ai bëri disa operacione spektakolare për të fituar kredibilitet dhe imazh mediatik kombëtar dhe ndërkombëtar, por prapa tyre Tirana pësoi masakrën më të madhe urbane, madje duke u bërë shembull edhe për masakrat urbane që pësuam në qytetet e tjera – pa harruar asnjëherë se kjo është bërë me sistemin e grabitjes që përmenda në fillim.
Në këtë pikë të ngjarjes, sipas meje, shtrohen disa hipoteza që kërkojnë përgjigje. E para: a kemi të bëjmë përsëri me të njëjtën lojë shkatërrimesh për imazh të maxhorancës së radhës? (Le të kujtojmë se para tetë vjetësh edhe maxhoranca e Berishës bëri nja dy-tri shembje spektakolare: të mbikalimit te Zogu i Zi, i cili ligjërisht dukej i pashembshëm, por që ishte një gjë skandaloze që shumica e quajti të drejtë, një ndërtesë te Rruga e Elbasanit, si dhe vënien e dhëmbëve të buldozerit në një pallat në qendër të Tiranës të ndërtuar mbi rrugë.) Pra, a kemi të bëjmë në këtë rast me një projekt fasadë të Ramës që shëtitoren e Vlorës ta paraqesë si kartëvizitën e tij të suksesit, ashtu si bëri me Lanën dhe pastrimin e parkut “Rinia” e ndërkohë të tijtë do të vazhdojnë të grabisin ku të mundin, siç bënë asokohe me hapësirat publike të Tiranës? E dyta: mos vallë edhe sikur Kryeministri të ketë vullnet serioz ai nuk mund ta kryejë dot operacionin e pastrimit të Shqipërisë kështu siç është katandisur vendi, prandaj duke e ditur edhe këtë, ai bën këtë aksion imazhi? E treta: mos vallë Kryeministri do ta pësojë edhe vetë nga sistemi për të cilin fola më sipër po vazhdoi me këtë formë duke krijuar bindjen se e ka seriozisht?
Sipas meje, duke pasur parasysh se Edi Rama mbështetet mbi përvojën e tij me Tiranën – që e ka quajtur gjithmonë “histori suksesi” – më e besueshme është hipoteza e parë: fasada që tenton të “ngopë” psikologjikisht mbështetësit e të krijojë imazh pozitiv, veçanërisht te të huajt, për të legjitimuar pushtetin. Gjithsesi, unë mendoj se fasada ka rëndësinë e vet, se ajo vendos disa limite që nuk duhen kaluar më. E keqja është se duke fshehur problematikën e vërtetë strukturore të së keqes, ajo e lë atë të përparojë.

Opozita dhe konflikti permanent

Ky pallat do të duhej të shërbente si një moment reflektimi ndryshimi përgjegjshmërie ndaj publikut dhe interesit publik, por duket se kjo nuk po ndodh. Opozita po i bën një luftë shkatërrimit të pallatit, ku gati-gati ka humbur vija ndarëse midis interesit privat të kryetarit të saj dhe interesit publik që duhet të përfaqësojë një parti. Ajo po i mëshon vetëm paligjshmërisë së aksionit kundër pallatit, por në diskursin e saj nuk ka asnjë refleksion mbi vetë fenomenin që përfaqëson dukshëm ky pallat, që duhet të dënohet e korrigjohet. Nga ana tjetër, mënyra se si po e  interpreton Edi Rama: si një aksion të maxhorancës që përfaqëson të mirën kundër së keqes, pa thënë asnjë gjysmë fjale për faktin se një pallat i tillë është ndërtuar në një bastion socialist, për faktin se pallate të tilla janë ndërtuar edhe në Durrës, edhe në Tiranën e tij sipas sistemit të grabitjes që përmenda më sipër, tregon se me shumë gjasa po vazhdon i njëjti teatër: ai i konfliktit permanent të dy llogoreve, i gjysmë të vërtetave, i delegjitimimit reciprok të palëve, që ka si anë tjetër të medaljes legjitimimin reciprok. (Panorama, 11 dhjetor 2013)

Wednesday, December 4, 2013

Zemërimi i njerëzve dhe mjeshtrit e statukuosë



Tema e protestave kundër armëve kimike vazhdon të ketë një farë jehone, por duket sheshit se ajo po zbehet shpejt, veçanërisht në mediat televizive dhe shtypin e shkruar të vendit tonë dhe, ç’është më e keqja, duke u keqinterpretuar edhe kur rimerret. Protestuesit kanë heshtur tashmë. Shumica e tyre janë strukur në shtëpi apo në foletë e blogjeve të internetit, kurse organizatorët ambientalistë apo ata të AKIPI-t nuk dihet se me çfarë merren tani në zyrat e tyre të vogla. Si rëndom, skenën e opinionit publik, veçanërisht atë mediatike, e zaptuan përsëri manipuluesit e përhershëm të statukuosë: ata që natë e ditë, ditë e natë merren vetëm me akuza të ndërsjella për të na provuar se kush është më i keq Berisha apo Rama, Rama apo Berisha apo Ilir Meta.
Kur bie fjala për protestën, bie në sy se mjeshtrat e maxhorancës nuk kanë shumë qejf ta përmendin atë. Por, kur shtrëngohen, përdorin shpesh shprehjen “menaxhim i keq” që solli “panik”. Pra, me demek, të kapur në befasi nga armiqtë e popullit, që ishin “ekspertët e rrugës”, njerëzit i kapi paniku. Disa të tjerë, po nga kjo llogore, vënë në dukje faktin se sa e qetë, paqësore, ishte protesta – në sajë të ekipit të ri që na ka ardhur në pushtet. Andej nga llogorja tjetër, ndërkaq, askush nuk guxon të merret me faktin se Berishën dhe Bashën protestuesit i përzunë. Madje, disa syresh, të sigurt se s’ka asgjë tjetër përveç tyre në horizont, kanë filluar të fërkojnë duart e të thonë se edhe pak e, me këtë kryeministër që bën gafa kësisoj, atyre do t’u duhet t’u kthehen shpejt karrigeve që s’u ka dalë akoma era e korrupsionit të tyre.
Ndërkaq, janë duke u shuar edhe debatet pa fund midis tri kategorish proamerikanësh, që mbushën mediat ditët e para pas protestave: proamerikanët e maxhorancës që na thanë se ky refuzim i gabuar na prishi shumë punë dhe ishte diçka e pafalshme për ata që e nxitën, proamerikanët e opozitës që na thanë se amerikanët nuk kishin faj në këtë punë, se fajin e kishte Edi Rama që iu ofrua atyre me vullnetin e tij për të marrë ndonjë çmim apo ftesë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe proamerikanët që na thanë se ky refuzim nuk na prishi punë me amerikanët. Me mesazhin e John Kerrit për 28 Nëntorin, duket se u ftillua edhe kjo punë. Çdo gjë do të shkojë si më parë, për bukuri, ashtu siç kërkojnë edhe mjeshtrat e statukuosë. Amerikanët shohin te klasa jonë politike, si në maxhorancë edhe në opozitë, partnerë luajalë, ashtu sikurse ne shohim te SHBA mikun e madh. “Rroftë udhëheqja jonë e lavdishme!” “Rroftë miqësia shqiptaro – amerikane!” “Miqësia – garancia!” “Rrofshin festat e 28-29 Nëntorit!”.
Në këtë atmosferë festive, deputetët e të gjitha palëve aprovuan me unanimitet rezolutën e paraqitur nga llogorja djathtas, që kërkon dhënien e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian.  E meritojmë, posi nuk e meritojmë, me këta burra fantastikë që kemi në krye të vendit. U harrua edhe shumëkatëshja që na ka vjedhur deri edhe detin për të cilën akuzojnë njëri-tjetrin.
Ndërkaq, duket sikur askush nuk do t’i përmendë e analizojë fishkëllimat dhe dëbimin e Berishës, Bashës e Ilir Metës nga protestuesit dhe as zemërimin e tyre të pafund ndaj Ramës. Mjeshtrat e statukuosë na thonë: tani që ju doli paniku, kthehuni e rrini para televizioneve tona e ndiqni komedinë e trushpëlarjes që ju bëjmë ditë për ditë, duke ju treguar se kë duhet të votoni në zgjedhjet e ardhshme – koalicionin PS-LSI apo atë PD-LSI – sipas radhës gjithmonë, me rotacion, sepse jemi një vend demokratik si gjithë të tjerët. Si intermexo mund të ndiqni ndonjë takim të udhëheqësit të lavdishëm të maxhorancës me shkrimtarët dhe artistët, – kujdes, jo në Lidhjen e Shkrimtarëve as në Galerinë e Arteve, por në Kryeministri, – apo ndonjë refleksion në facebook të udhëheqësit historik të opozitës që tallet me piktorin e dështuar. Dhe për çdo rast ekstrem, si ai i armëve kimike, mos harroni se kemi Ilir Metën që i qetëson gjakrat duke u kujtuar ekstremistëve të të dy anëve të mos shkojnë shumë larg se po iu hapën petët lakrorit, s’ka qen që ta hajë më atë.
Mirëpo mua më duket se këtij lakrori i janë zbuluar petët keqas tashmë. Dhe protesta e provoi këtë. Flaka e saj hodhi një dritë, që ndriçoi disa të vërteta, që s’mund t’i fshehin dot dritat e ekraneve dhe faqet e gazetave të llogoreve. Ajo tregoi zemërimin dhe mllefin e madh që ekziston ndaj kësaj kaste në pushtet. Ata që flasin për panik, duan të gënjejnë veten. Ajo që ndodhi nuk ishte panik, sepse paniku nënkupton një situatë ku njerëzit ikin me vrap për t’i shpëtuar një rreziku. Kurse njerëzit u mblodhën, sepse ndjenë sigurisht një frikë, por edhe sepse ndjenë një  zemërim të madh. E vërteta është se ne u ndjemë të poshtëruar pa limit; dy herë të poshtëruar, shumë herë të poshtëruar – prandaj dhe të zemëruar. Në thelb, zemërimi u ngjall pasi donim të ndiheshin të barabartë në dinjitet me të gjitha shtetet e këtij rruzulli dhe me të gjithë individët e tij. Donim të ndiheshin të barabartë me norvegjezët, me turqit e të tjerë, qeveritë e të cilëve i thanë “jo” me shumë lehtësi asaj aventure, pa i shtrënguar qytetarët e tyre të dalin në protesta. Ne u ndjemë të poshtëruar, prandaj dhe të zemëruar, pse u paraqitëm, si gjithmonë, të gatshëm për t’u kthyer në kosh plehrash; por edhe pse dëgjonim të na thuhej, nga të ashtuquajturit miq apo partnerë: ju mund të keni goxha përfitime nga kjo punë, duke nënkuptuar atë që s’na e thoshin drejtpërdrejt: pse tregoheni edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë; përderisa nuk jeni në gjendje të punoni e të ndërtoni një ekonomi të shëndoshë me bujqësi e turizëm dhe agroturizëm, të jetoni thjesht dhe me nder në një vend të pastër, pse nuk e pranoni këtë ofertë që mund t’ju ndihmojë të pastroni edhe haletë tuaja që nuk jeni në gjendje t’i pastroni vetë? Shikoni si jeni katandisur dhe ulni kokën, merrini ato para dhe filloni punoni; më mirë kjo punë e ndershme me maskat e gazit në fytyrë, sesa me maska grabitësish, hajdutësh e trafikantësh – siç e keni mbushur vendin. Tek e fundit, edhe po vdiqët ca vite më parë nga kanceri apo nga ndonjë shpërthim aksidental, nuk u bë kiameti. Pse ç’e dini veten, mos pandehni se jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj vlen sa ajo e qytetarëve dhe fëmijëve amerikanë? Harruat se si jeni mbytur me gra e me fëmijë në ujërat e Adriatikut e Jonit për të shkuar të punoni si shërbëtorë. A nuk e shihni se po vriteni përditë rrugëve, ngaqë as dini t’i ndërtoni, as dini t’i ngisni makinat si njerëz normalë? A nuk e shihni se thithni në qytetet tuaja një ajër, që është njëqind herë më keq se helmet e Asadit?
Njerëzit u zemëruan pra, edhe sepse ndienin një të vërtetë në këto “argumente”, por edhe sepse jo çdokush pranon ta identifikojë veten me llumin e këtij vendi dhe, mbi të gjitha, sepse këtë racizëm e poshtërim e ndiejnë se u vjen nga kasta në pushtet, mjeshtrat e statukuosë, që prej kohësh e kanë ndarë këtë shoqëri në capak, ata, që, me demek, do të hyjnë në histori e do të pasurohen për shtatë breza dhe në shumicën idiote dhe injorante që thjesht duhet të shërbejë si masë skllevërish, që duhet të punojë për pasurimin e tyre e për të ngritur piramidën e varrit të tyre.
 E pra, problemi është se zemërimi i protestave të nëntorit duhej të mbahej gjallë për t’i kërkuar llogari kësaj kaste, që na ka sjellë në këtë gjendje ku thuajse përditë ndodhin skandale për të cilat njerëzit thonë: kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Sepse ndërkaq nuk vonuan poshtërimet e radhës, nga ato që ndodhin vetëm në Shqipëri. Paçka se jo aq të rënda sa sjellja e armëve kimike, ato janë të tilla që duhet t’i mbajnë njerëzit në rrugë. Ja shikoni kronikën e vetëm dhjetë ditëve të fundit: në burgjet tona të sigurisë së lartë të burgosurit mbajtkan brenda deri edhe kallashnikovë! Ndërkaq mjeshtrat  e statukuosë grinden se policët e kujt i kanë futur: ata të këtyre apo të atyre? Prokurorët e gjykatësit rrjepin njerëzit me shifra marramendëse të hollash për t’u dhënë fajësi apo pafajësi – aq sa sot thuhet se të vetmit milionerë të vërtetë, nga ata që kanë para dhe jo borxhe në Shqipëri, janë prokurorët e gjykatësit – dhe njerëzit janë të detyruar të dëgjojnë mjeshtrat e statukuosë se kush i ka emëruar, këta apo ata. Dhe ja një skandal mbi skandalet: jemi i vetmi vend në botë, ku edhe kompanitë ajrore bien me rënien e qeverisë. “Belle air” grabit pasagjerët (janë afro 54 000 thotë media) në mënyrën më të paturpshme duke shitur bileta edhe disa orë përpara shpalljes së falimentimit dhe njerëzit nuk dinë se çfarë të bëjnë: janë grabitur, janë poshtëruar dhe s’kanë ku kërkojnë të drejtën e tyre. As emrin nuk ia dinë pronarit apo pronarëve, sepse nuk dihet se kush politikan fshihet prapa, por edhe sepse, me shumë gjasa, kanë korruptuar tërë gazetarët me fluturime gratis, siç thuhet se kanë bërë edhe për të sjellë votuesit e atyre që qenë deri dje në pushtet. Askush nuk arrestohet si përgjegjës për këtë megavjedhje. Dëgjojmë vetëm grindjen midis mjeshtërve të statukuosë: këta që na thonë se kjo ishte kompani e atyre dhe ata që na thonë se e falimentuan këta për të ngritur kompaninë e tyre.
Nesër prisni skandalin tjetër poshtërues dhe spektaklin tjetër  me akuza midis këtyre dhe atyre.
E pra, kush ishte në protestë dhe ka mësuar ndonjë gjë prej saj – e, sipas meje, mësimi kryesor i saj ishte ai se i duhet dhënë fund nënshtrimit ndaj të keqes me shprehjen: këtë/këta meritojmë ne – duhet të nxitojë të mbledhë thëngjijtë e zemërimit që kanë mbetur ndezur të saj për t’i dhënë nismën një lëvizjeje që duhet të synojë t’i japë fund këtij poshtërimi tonë të përditshëm. (Panorama, 2 dhjetor 2013)