Tuesday, February 26, 2019

Për ata që presin t’i shpëtojë Amerika

Para rreth dy javësh, Edi Rama lëshoi në Parlament një frazë që ngriti shumë thashetheme. Tha se Sali Berisha ishte i mërzitur, pasi kishte marrë një lajm të keq, të cilin la të kuptojë se e dinte, por nuk e thoshte dot. Të nesërmen thashethemet  u përqendruan në pyetjen drejtuar Berishës nga Taulant Balla, nëse ish-Kryeministri mund ta kalonte dot oqeanin apo jo. Kështu u shpërhap thashethemi se Sali Berishës i ishte refuzuar viza amerikane, që politikisht u interpretua se amerikanët i kishin hequr vizë Sali Berishës. Ndërkaq, ish-Kryeministri e refuzoi që të kishte kërkuar të shkonte në SHBA.
Për të hedhur dritë mbi të vërtetën, “Balkanweb” iu drejtua Departamentit të Shtetit. Prej andej erdhi përgjigjja se duhet të shikonin në një link ku gjendeshin emrat e njerëzve, të cilëve SHBA u kishte mohuar vizën për arsye korrupsioni. Kur u pa se aty nuk figuronte Sali Berisha, u tha se kishim të bënim me një nga manipulimet e shumta të Edi Ramës. Mirëpo, nuk vonoi dhe ambasada e SHBA-ve në Tiranë nxitoi të lëshonte një prononcim për “Panoramën” (ku gazetarët ose nuk kishin të drejtë pyetjeje, ose kishin frikë të bënin pyetje), në të cilën deklaroi se: “Ambasada e SHBA-ve vazhdon të ushtrojë autoritetin e vetë të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza…”, që “ambasada e SHBA-ve u ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre” sepse “i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion dhe do të vazhdojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë”.
Duhet të jesh shumë naiv për të mos dyshuar se kjo deklaratë ishte një pohim indirekt, se në frazën e thënë nga Rama kishte diçka të vërtetë, dhe, jo vetëm, por se ambasada po hiqte dorë nga diskrecioni për t’i dhënë një dorë Kryeministrit në luftën e tij politike.
Edhe në qoftë shumë largvajtës ky dyshim për t’u marrë në analizë, gjykoj se kjo deklaratë, gjithsesi, nuk duhet të kalonte pa u komentuar, pasi ngrinte shumë pikëpyetje serioze mbi rolin e ambasadës amerikane në Shqipëri.
Pikëpyetja e parë është se me çfarë tagri e merr këtë “autoritet të gjerë” ambasada, që i dhënka të drejtë vetes të luajë këtë rol paraprokurori në Shqipëri? Mesa di unë, këtë “autoritet të gjerë” nuk ia jep ligji shqiptar, aq më pak ai amerikan. Këtu bëhet fjalë për një lloj autoriteti historiko-moralo-gjeopolitik – nëse mund t’i vëmë disa mbiemra – që meriton të debatohet për sa i përket origjinës së tij, por që gjithsesi është një autoritet nga ata që fitohen nëpërmjet respektit; d.m.th. që të bën “të jesh” autoritet (to be authority), siç do të thoshte psiko-sociologu dhe humanisti i njohur amerikan, Eric From, dhe jo “të kesh “autoritet (to have authority) sepse je më i fortë, sepse ke më shumë fuqi, sepse mund të japësh e të heqësh viza etj.. E pra, ky veprim i ambasadës është nga ata që nuk të bën të fitosh respekt, përkundrazi, ta humbasësh respektin, pasi shkel disa parime të shtetit të së drejtës, për të cilat SHBA merren vazhdimisht si shembull pozitiv. Sepse pyetja e parë që i lind çdokujt, që mendon me kokën e tij dhe jo me kokën e profetëve të rremë, që shpërhapin në opinion idenë se do të na shpëtojë Amerika nga kriminelët, është se cili qenka ky organizëm që paska ngritur ambasada që provuaka se “x” person ka bërë korrupsion, prandaj nuk e meriton vizën, kurse “y” person jo? Kam dëgjuar shumë shqiptarë të ankohen për arbitraritetin me të cilin Konsullata vendos se cilit ia jep vizën e cilit jo – shoqëruar me ankesën se të paktën duhet të përcaktojnë disa kritere, që njerëzit të mos harxhojnë më kot kohën e tyre, si dhe shumën e majme prej rreth 200 dollarësh sa herë aplikojnë. Por që Konsullata punuaka për të ndërtuar lista të kandidatëve për burg në Shqipëri, të cilëve u mohon vizën, kjo e tejkalon imagjinatën sepse është kundër dy parimeve bazë të së drejtës: ai i prezumimit të pafajësisë derisa të dënon një gjykatë dhe ai i barazisë përpara ligjit. Pas deklaratës së ambasadës po qarkullojnë lloj-lloj emrash të njerëzve të prezumuar, të fajshëm nga ambasada amerikane për korrupsion nisur nga përfolja e tyre, ku secili fut armiqtë e vetë. Por bashkë me këtë listë qarkullon edhe një listë tjetër emrash, po aq të përfolur, që lëvizin lirisht në SHBA, madje disa prej tyre ishin në SHBA ditët që doli deklarata e ambasadës. Për të mos folur për faktin se kemi Kryeministrin, dora vetë, që ka shkelur ligjin amerikan me ato 80,000 dollarët e famshëm që ka paguar për të bërë një foto me Obamën dhe ambasada nuk ka pipëtirë.
Atëherë, si ta shpjegojmë këtë qëndrim të ambasadës në shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të barazisë përpara ligjit (pavarësisht se cilët janë personat në atë listë, që edhe mund ta meritojnë hetimin në Shqipëri)? Gjykoj se kemi të bëjmë me një abuzim me “autoritetin e gjerë” që u kanë dhënë shqiptarët SHBA-ve, nëpërmjet asaj shpresës se do të na shpëtojë Amerika, nëpërmjet atij servilizmit tradicional ndaj vëllait të madh (dikur sovjetik, pastaj kinez) kombinuar me bizantinizmin e politikanëve shqiptarë që, duke mos qenë të aftë të fitojnë legjitimitet brenda vendit, kërkojnë ta fitojnë këtë duke u shërbyer interesave amerikane. (Meqë ra fjala, po kujtoj se pikërisht këtë “autoritet” kërkoi të shfrytëzonte edhe ish-ambasadori Arvizu kur deshi të na sillte në Shqipëri armët kimike nga Siria).
Ky abuzim me autoritetin po shfaqet në formën e një angazhimi të tepruar të ambasadës në lojën e brendshme politike. Ç’është më e keqja, ai po i shtyn gjërat në një drejtim të gabuar sepse ndërhyrje si ato që përmenda, duke qenë kundër principeve bazë të shtetit të së drejtës, janë një shembull negativ që u jepet shqiptarëve nga një shtet demokratik. Në këtë ravë, sipas gjykimit tim, janë edhe ndërhyrjet e fundit ndaj protestave apo ndaj veprimit të opozitës për heqjen e mandateve. Edhe ato, dashje pa dashje, po ndihmojnë instalimin e një regjimi autoritar dhe arbitrar në Shqipëri. Pse mendoj kështu? Jo se nuk kam rezervat e mia për heqjen e mandateve apo edhe për përdorimin e dhunës nëpër protesta, por sepse në ndërhyrjet e ambasadës kundër dhunës apo kundër heqjes së mandateve, gjej disa mungesa që flasin shumë. Në to mungon kujtesa historike e këtyre 28 vjetëve, që ne shqiptarëve na tregon se aktori kryesor i së keqes në këtë vend kanë qenë gjithherë maxhorancat që e kanë e trajtuar opozitën jo si kundërshtar politik, por si armik që duhet eliminuar, gjë që Edi Rama e ka shtrirë edhe kundrejt cilitdo institucioni apo individi, që kundërshton politikat e tij. (Së fundi e bëri edhe kundrejt “Zërit të Amerikës”). Bashkë me këtë mungesë kujtese, së cilës i duhet shtuar edhe mungesa e kujtesës se, në vite, ambasada është gjetur shpesh duke mbështetur palën e gabuar dhe s’ka pranuar më pas asnjë përgjegjësi, në ndërhyrjet e fundit nuk gjen gjithashtu aspak vullnetin për të kuptuar se ky përshkallëzim i protestave dhe i dhunës buron nga frustrimi i popullsisë dhe opozitës nga efekti i një dhune shumë më të egër: dhuna strukturore në rritje, që shfaqet te vendimmarrjet gjithnjë e më arbitrare, të paligjshme dhe korruptive të qeverisë Rama. Në këto ndërhyrje nuk gjen asnjë fije ndjeshmërie për faktin se nuk ka më asnjë institucion shqiptar që t’i frenojë këto vendimmarrje nëpërmjet mekanizmave të check and balance, sepse janë të kapur nga qeveria. Në këto ndërhyrje nuk gjen aspak as dyshimin e vetëpërmbajtjen që duhet të ngjallin këto lloj vendimmarrjesh (boll të kujtoj skandalin e “Astirit”, që prek direkt edhe SHBA-në, si shtetin të cilit i janë falsifikuar dokumentet për të kryer një megakorrupsion), përkundrazi, ambasada shfaqet qartazi si aleate e kësaj qeverie dhe jo si një arbitër midis palëve. Dhe këtu vlen të përmendet se palët nuk janë vetëm maxhoranca dhe opozita, por edhe një popull i tërë, të cilin gjatë qeverisjes së kësaj maxhorance e ka kapluar dëshpërimi, duke e çuar në 60 % shifrën e atyre që duan të braktisin vendin.
E pra, nëse këto ndërhyrje të ambasadës mund të shpjegohen me funksionet që kanë ambasadat kudo në botë: – kurimi pranë qeverive përkatëse i interesave amerikane, – atëherë punonjësit e saj duhet të kenë ndershmërinë e njohjes së këtij konflikti interesi, që duhet t’i bëjë të përmbahen në zellin e tyre për të qenë njëherësh edhe lojtarë së bashku me qeverinë në konfliktin politik shqiptar, edhe arbitër i këtij konflikti. Përndryshe, gjykoj se shqiptarët që ende ushqejnë shpresën e rreme se do t’i shpëtojnë të huajt, duhet t’i trajtojnë, sa më shpejt, edhe burokratët e SHBA-ve ashtu si euroburokratët e Brukselit, (për të cilët kam shkruar në shkrimin paraardhës), si pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. (Panorama, 25 shkurt 2019)

Thursday, January 31, 2019

Për ata që shpresojnë te euroburokratët e BE

Kur kam rreshtuar për herë të parë shkaqet se pse ndërkombëtarët e mbështesin Reformën në Drejtësi, që dukshëm i shërbente kapjes së Drejtësisë nga Rama, në fund të rreshtit vendosa edhe idenë se një nga shkaqet mund të ishte korruptimi i tyre. Asokohe, jo vetëm shkruesit në shërbim të Ramës gati sa nuk më nxorën sytë – si mund të guxojë ky të thotë se ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE-së mund të jetë të korruptuar! -, por thuajse askush nuk e mori seriozisht këtë argument. Në fakt, kaq i fortë ka mbetur besimi i shqiptarëve te pastërtia morale dhe qëllimet e mira të ndërkombëtarëve, saqë duket se është më mirë të mos hedhësh dyshime mbi ta – edhe sikur të kesh prova – sepse ka të vërteta që përderisa askush nuk i beson, më mirë të mos i thuash fare, se të kthehen kundër. Lidhur me thënien e së vërtetës në botën e gënjeshtrave e shtirjes, Çehovi ka një tregim të mrekullueshëm të titulluar “Salla Nr.6”.
Mirëpo, sa më shumë shoh të bien argumentet që kam rreshtuar në krye për të justifikuar gabimet e ndërkombëtarëve, – të tilla si interesat gjeostrategjike, qenia të porsaardhur e disave prej ambasadorëve kombinuar me vështirësinë e njohjes së realitetit shqiptar apo keqkuptimin e të majtëve evropianë, që pandehin se rilindësit janë socialistë etj. si këta – aq më shumë në renditjen time merr peshë argumenti i korruptimit “soft” apo ”hard” të ndërkombëtarëve.
Sot po rimarr edhe njëherë guximin t’ua sjell shqiptarëve argumentin e korruptimit të euroburokratëve të BE-së. Jam i pajisur këtë herë edhe me rezultatet e një kërkimi të ”Transparency International”, të pasqyruara gjerë në numrin e dhjetorit të revistës italiane “Millenium” (Botim i së përditshmes ”Il Fatto quotidiano”), ku bien në sy titujt : “Juncker dhe sistemi që na grabit çdo vit 1000 miliardë”, “Euroburokratë që po vrasin Evropën”.
Çfarë thuhet aty? Sipas investigimit të ”Transparency International”, 50% e ishkomisionerëve europianë që u larguan nga skena politike në zgjedhjet e vitit 2014 po punojnë tani për grupe ekonomike, që janë në konflikt interesi me detyrën që ata kanë pasur si komisionerë. Po të njëjtën gjë po bëjnë edhe 30% e 171 ish-parlamentarëve, të cilëve iu desh të gjejnë një punë pas këtyre zgjedhjeve. I njëjti fenomen përfshin edhe qindra ish-zyrtarë të BE-së, që – sipas Peter Gomez, kryeredaktori i “Millenium”- shpjegon se pse me kalimin e viteve besimi në vendimet e marra nga Europa ka pësuar rënie vertikale.
Rasti më sensacional,- shkruan Sofje Basso në “Millenium”, është ai i José Manuel Barroso, paraardhësi i Jean Claude Juncker në krye të Komisionit. Ky njeri, vetëm 20 muaj pas përfundimit të mandatit të tij, pranoi të bëhej president (joekzekutiv) i filiales europiane të Goldman Sachs dhe befas u pa në vitin 2017, në rolin e lobistit të kësaj banke në takim me nënkryetarin e Komisionit, Jyrki Katanen. Ishte një episod ky që, gjithë sipas revistës, e tërboi Kelly O’Reilli, Ombutsmenin Europian.
Por kjo nuk është asgjë në krahasim me çfarë ka kombinuar Neelie Kroes, ish-komisionere për Konkurrencën dhe Axhendën Dixhitale. Sot ajo është konsulente e “Banc of America”. Ndërkaq, Bahamas Leaks (rrjedhjet e informacionit nga Bahamaja) kanë zbuluar se Kroes ka pasur interesa të padeklaruara (në kundërshtim me rregullat) në një kompani energjetike të regjistruar në offshore. Edhe Jonathan Hill, ish-komisioner për Stabilitetin Financiar në ekzekutivin e Juncker-it ka ndryshuar zanat. Që prej disa muajsh, pas votimit të Brexit, baroni anglez ka marrë pozita në disa shumëkombëshe, ndër to ajo e konsulencës për kompaninë UBS, që ofron shërbime financiare (mes të tjerash për të menaxhuar daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja) dhe në kompaninë audituese “Deloitte”.
Duke shfletuar “Millenium” mësojmë gjithashtu se një koalicion i 200 OJQ-ve të ndryshme, “Aleanca për lobimin e transparencës”, duke investiguar karrierën e shumë zyrtarëve të BE-së, ka zbuluar se nga viti 2008 deri më sot, katër drejtues të Stabilitetit Financiar janë punësuar më pas nga kompanitë që ata kanë pasur detyrë t’i kontrollonin, kurse rreth 1000 ekspertë të EMA-s, (Agjencia Europiane e Barnave), kanë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta në industritë farmaceutike që duhej të kontrollonin. Por nuk mjafton kaq. Nga 33 lobistë të regjistruar në dhjetë kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve, një e treta rezulton se ka punuar më parë për një institucion të BE-së.
Është e qartë se punësimi i tyre në këto kompani nënkupton shpërblimin për favoret që këta u kanë kryer kur kanë qenë në zyrat e BE-së, ose favoret që mund t’u kryejnë duke pasur lidhje me këto zyra. Këto korruptime “soft” vështirë se i kap ligji, por pyetja që shtrohet është nëse këto janë në përputhje me demokracinë dhe moralin e politikanit. Përgjigjen e ka dhënë prej vitesh politologu dhe sociologu amerikan Colin Crouch, i cili epokën që po kalon Perëndimi nën shenjën e neoliberizmit dhe globalizmit nuk e quan demokraci, por postdemokraci, që do të thotë se vendimmarrjet e politikanëve perëndimorë sot nuk merren në emër të interesave të popullit, por gjithnjë e më shumë në emër të interesave të lobeve të fuqishme ekonomiko-financiare. Që do të thotë se politikanët e zgjedhur nga populli nga shërbëtorë të interesit publik janë kthyer gjithnjë e më shumë në menaxherë interesash të këtyre lobeve.
Rezultati është humbja e besimit të njerëzve tek establishmenti evropian, ku përfshihen si kastat që drejtojnë politikat nacionale, ashtu edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionin Europian, në BE e në Parlamentin Europian. Kjo shpjegon rritjen e paparë të lëvizjeve antievropianiste nacionaliste në shumë vende evropiane, që kërkojnë braktisjen e projektit aq shpresëdhënës të Europës së Bashkuar.
Por le të kthehemi te konteksti shqiptar. Gjykoj se pa marrë në konsideratë rezultatet e kërkimit të “Transparecy Internatioal” apo të “Aleanca për lobimin e transparencës”, nuk mund të shpjegojmë mbështetjen e paturpshme që euroburokratët e Brukselit dhe ndonjë ambasador si ai i SHBA-ve i kanë dhënë e japin qeverisë Rama, megjithëse kjo e ka çuar nivelin e korrupsionit dhe të bashkëpunimit me krimin në nivele të papara ndonjëherë në dy dekadat e fundit. Duke pasur parasysh këto rezultate dramatike, që flasin për papërgjegjshmërinë e euroburokratëve ndaj fateve të projektit europian dhe të gjithë atyre që shpresojnë në të, më duket gjithnjë e më e besueshme teza që narkoshteti shqiptar, për të marrë mbështetje dhe legjitimitetin e BE-së, vepron me euroburokratët si një kompani interesi që bën lobim pranë tyre. (Panorama, 29 janar 2019)

Wednesday, January 16, 2019

Barazlargim nga partitë apo bashkëpunim me opoziten

“Lapsi.al” ka botuar në këtë fillim viti dy shkrime të rëndësishme, jo aq për diagnostikimin e saktë të gjendjes ku e ka çuar vendin Edi Rama, çka sot duket gjë e lehtë për t’u bërë, sesa për atë se nxisin reflektim mbi alternativën e daljes prej kësaj gjendjeje – çka duket gjëja më e vështirë për t’u bërë. E kam fjalën për shkrimet me tituj “Pse PD-ja po i shtyn njerëzit drejt shtëpisë ‘400 milionëshe’ të Ramës në Surrel” (Lapsi.al), si dhe shkrimin e Andi Bushatit “Gent Cakaj, si një tender me letra false”.
Në shkrimin e parë, i cili nga stili duket edhe ai i Bushatit, pasi shtrohet pyetja se pse PD-ja nuk po vepron si në një vend demokratik, ku demonstrohet përpara institucioneve, autori thotë se kjo po ndodh për shkak se Shqipëria nuk është demokraci. Këtë e tregojnë edhe një sërë veprimesh të Ramës, “së fundi dhe mbushja e qeverisë me anonimë dhe çiliminj”, që dëshmojnë se vendi po rrëshqet drejt një pushteti personal “Ku administrata është gjunjëzuar, ku partia në pushtet është tredhur, ku ministra që shkelen si lecka nuk guxojnë të hapin gojën”. Dhe, gjithë sipas autorit, në vendet ku pushteti personalizohet në një shkallë të tillë, nuk ka më kuptim të demonstrohet para institucioneve. “Në ditët e nxehta të shkurtit ’91, turmat e revoltuara nuk u nisën drejt Kryeministrisë apo Komitetit Qendror, por drejt vilave të Bllokut […] Edhe më vonë, revolucioni ukrainas ia mësyu kështjellës së Ianukoviçit apo ai tunizian, pallateve të Ben Aliut. Pikërisht këtë imazh po kërkon të japë edhe PD-ja, që po i ysht njerëzit drejt shtëpisë private të Surrelit”.
Ajo që tërheq vëmendjen në këtë shkrim është mbështetja e demonstrimit te shtëpia e Kryeministrit, shoqëruar me një lloj distance ndaj faktit se këtë po e bën PD-ja (dhe ndoshta thjesht për imazh), por pa e delegjitimuar megjithatë protestën, meqë atë e organizon opozita.
Në shkrimin e dytë, Bushati merret ne argumentimin që i ka bërë Presidenti Meta rrëzimit të kandidaturës së Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Sipas tij, ky argumentim ka nxjerrë edhe njëherë në pah “shndërrimin e shtetit të Edi Ramës në një bordello”. Sipas tij, emërimi i Cakajt “i përngjan fiks tenderëve me letra false dhe milionave që shpërndahen me urdhër të Kryeministrit, duke shpërfillur çdo ligj dhe çdo institucion […] një provë më shumë se në ç’pikë janë telendisur institucionet shqiptare në shtetin personal të Edi Ramës, ku nuk përfillet asnjë normë tjetër përpos urdhrave të tij”. Ai e mbyll duke thënë se ”refuzimi i Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn është po aq dinjitoz, edhe historik.”
Pse i quaj të rëndësishëm këta dy artikuj. Sepse ata të nxisin të reflektosh për një çështje që mbetet ende dilemë e pazgjidhur në politikën shqiptare. Jemi përballë faktit ku shteti po merr gjithnjë e më shumë trajtat e sëmundjes psikike të Edi Ramës, duke u bërë çdo ditë e më i papërgjegjshëm, aventurier, grabitqar e i rrezikshëm dhe se, prandaj, ai duhet çliruar sa nuk është vonë nga ky i sëmurë. Kuptohet se për këtë duhen protesta popullore, pasi nuk jetojmë në një demokraci parlamentare ku funksionojnë normalisht institucione të tilla si drejtësia, parlamenti, mediat e pavarura etj. Mirëpo, mburoja më e rëndësishme e këtij regjimi ndaj protestave ka qenë akuza se ato i organizon opozita e delegjitimuar në publik nga e kaluara e saj. Kjo qasje u duk qartazi edhe në protestat e studentëve, ku një pjesë e mirë e tyre ruheshin nga identifikimi me partitë e opozitës. “Kur protestojmë, del Kryeministri dhe na thotë jeni të opozitës. Kur u themi deputetëve të opozitës largohuni, (nga protesta jonë) na thonë bëni detyrën e partisë, d.m.th. qeverisë”, deklaroi një student ditët fundit. Mos të harrojmë edhe aktet e djegieve publike të flamujve të të gjitha partive.
Rezultati është se studentët që po vazhdojnë të protestojnë po konsiderohen si një minorancë e instrumentalizuar nga opozita dhe po u futet kërbaçi kurse shumica, të baraslarguarit, ca me hir ca me pahir, kanë mbetur jashtë loje ose më saktë, në anën tjetër të barrikadës, atë të Edi Ramës.
Pse janë të rëndësishme shkrimet e Bushatit në këtë kontekst? 
Sepse duke e njohur mendimin e tij (që është edhe mendimi im) se partitë tona janë banda, interesi i vetëm i të cilave është se kush ta kalërojë sistemin oligarkik – ai nuk mban një qëndrim të baraslarguar megjithatë, ndaj opozitës dhe PS-së. Duke iu referuar shkallës së degradimit të shtetit në Edi Ramën, ai më shumë e mbështet protestën në Surrel, madje arrin dhe përshëndet haptazi firmën e Metës kundër emërimit të Cakajt. Ai pra, indirekt, vë në diskutim vendimin e “të baraslarguarve” antisistem nga partitë dhe shtron për diskutim dilemën nëse, në kushtet ku ndodhemi, duhet vazhduar të digjen të gjithë flamujt e partive në emër të një flamuri të ri, prapa të cilit të rreshtohen të gjithë të zhgënjyerit, apo flamuri i të zhgënjyerve duhet të bashkohet në një ushtri me flamujt e opozitës në emër të zbritjes nga shtiza e pushtetit të flamurit të PS-së, që po rrezikon të shkojë në hell të gjithë të tjerët?
Është një dilemë e hapur dhe jo e lehtë për t’u zgjidhur. Personalisht, i jam përgjigjur duke u shprehur se Rama duhet rrëzuar sa nuk është vonë, për të krijuar mundësitë e një dialektike ndryshimi paqësor të gjendjes në vend, sepse, në formën sesi e ka kapur shtetin dhe sesi po punon me të, hapësirat e kësaj dialektike po ngushtohen e degradohen çdo ditë me rreziqe në rritje të shkarjes drejt një konflikti të dhunshëm civil. Argumentet më të hollësishme po i lë për t’i shtjelluar në shkrimin pasardhës. (Panorama, 15 janar 2019)

Monday, January 7, 2019

Ministra apo kuaj karroce

Me aq sa e njoh historinë, nuk më rezulton që në ndonjë vend normal të jenë ndërruar përnjëherë 8 ministra të qeverisë dhe kjo të jetë paraqitur nga kryeministri jo si shenjë krize politike, por si tregues i suksesit në punë të ministrave të shkarkuar. Në vende demokratike jo që jo, por as në ato që quhen regjime nuk kam dëgjuar të ndodhë një gjë e tillë, pa i futur regjimit epitetin “grotesk” nga prapa. Sepse me këtë logjikë i bie që i pari që do të duhej të shkarkohej për meritat e tij të mëdha duhet të ishte Kryeministri. Jo, jo, kjo mund të ndodhë vetëm në një regjim ku njeriut që është në krye i ka marrë koka erë, dmth., ka lajthitur fare dhe prandaj ministrat nuk i trajton si ministra, por si kuaj.
Dikujt mund t’i shkojë ndërmend se po heq një paralele midis Kryeministrit dhe Kaligulës, që emëroi senator kalin e tij, për t’u tallur me gjithë të tjerët. Jo, jo, nuk kisha parasysh kalin e Kaligulës, ndonëse nuk e mohoj se kam një përçmim dhe neveri të pamasë për ministrat e shkarkuar, që deri ditën e fundit në detyrë nuk reshtën së bëri keq. Krahasimi i ministrave me kuaj më erdhi kur lexova deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se shkarkimi i tyre bëhet për të shtuar shpejtësinë e karvanit, që ai të ecë edhe më shpejt, si dhe komentin e tij se, sa më shpejt ecën karvani, aq më shumë lehin qentë. Duke e menduar si të lajthitur, mendimi i parë që më erdhi ishte se lehja e qenve i jep Kryeministrit një kënaqësi të paparë dhe prandaj, që ai të mund të provojë këtë kënaqësi të parezistueshme, duhen kuaj të freskët që të shtojnë shpejtësinë e karvanit sepse këta që ishin, janë të lodhur. Do të thoni ju të dashur lexues, po Kryeministri, që duhet të konsiderohet kali më i fuqishëm i karvanit, si ka mundësi që nuk është lodhur?
Këtu më duket se duhet t’i bëj një përshkrim më të detajuar karvanit. Qeverinë duhet ta imagjinojmë si një karrocë lokomotivë që tërheq e udhëheq karvanin pas saj. Kjo karrocë vërtet tërhiqet nga kuajt, por Kryeministri nuk është kryekali, por karrocieri që ka për detyrë të fshikullojë kuajt që ata të ecin sa më shpejt, mundësisht të fluturojnë. Sepse, siç e thashë, nuk jemi në një demokraci ku Kryeministri konsiderohet i pari ndër të barabartët, apo “primus inter pares” siç i thonë latinisht, por në një regjim të lajthitur.
Por problemi ynë kryesor nuk është nëse jemi regjim apo demokraci. Problemi kryesor është: për ku po vrapon karroca me kaq shpejtësi dhe ku po na çon? Nëse do të nisemi nga fakti se karrocieri i konsideron suksese ato që ka arritur gjatë vitit 2018 dhe kërkon ta rrisë shpejtësinë e këtyre sukseseve, atëherë, duke pasur parasysh se suksesi më i madh që ka arritur gjatë vitit që sapo shkoi është rritja e shpejtësisë së vjedhjeve (me koncesione, me tendera me bashkëpunim me krimin e organizuar dhe të çorganizuar) i bie që vjedhja të jetë drejtimi për kah po shkojmë. Pra, megjithëse shpejtësia e karrocës është rritur aq shumë saqë njerëzit kanë zbritur prej karvanit dhe janë nisur për jashtë shtetit, duke ua lehtësuar peshën e tërheqjes kuajve, karrocieri nuk është i kënaqur. Ai do të vjedhë edhe më shumë, edhe më shpejt, edhe më lart. Prandaj, i duhen kuaj të freskët. Dikush do më thotë se kjo s’ka lidhje me çmendurinë, po me hajdutërinë e një tufe rrufjanësh të pacipë. Sipas meje, edhe kleptokratët kanë një pjesë racionale, me të cilën planifikojnë në detaje vjedhjet e tyre, por kanë edhe pjesën e çmendur që i bën të mos jetojnë dot pa vjedhur. Po merreni si të doni karrocierin tonë, si rrufjan të pacipë apo si të çmendur. Nuk kemi kohë t’i bëjmë diagnozën. Duhet të nxitojmë të shkëpusim karvanin tonë nga karroca e tij dhe pastaj në djall të shkojë me gjithë kuaj, se përndryshe nuk dihet se në ç’greminë do të përfundojmë. (Panorama, 5 janar 2019)



Saturday, December 22, 2018

Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

Është folur shumë, së fundi, mbi  ngjashmëritë dhe ndryshimet e protestave studentore të këtij dhjetori me protestat e mëhershme, duke filluar nga ato të viteve 90-91. Janë krahasime që vlejnë sepse duhet edhe të mësojmë edhe të motivohemi nga historia, por gjithmonë duke pasur parasysh se, sikurse thoshte Herakliti, «nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë».

Protestat dhe vitet 90-91
Meriton të ndalemi tek dy elementë të rëndësishëm që i bëjnë të ndryshme protestat e viteve 90-91 me ato të sotmet:
Së pari, në vitet 90-91 ishte vetë regjimi që, pas rënies së murit të Berlinit, u shtrëngua të bënte lëshime dhe ndryshime për të gjetur një tranzicion të butë - sepse nuk mund të mbahej dot më në këmbë - derisa arriti në pranimin e pluralizmit politik dhe të zgjedhjeve pluraliste.
Së dyti, i gjithë ky proces pati mbështetjen aktive politike e diplomatike të Perëndimit të angazhuar për të shembur sistemin komunist.
Pra, e ashtuquajtura lëvizja studentore, që sot mitizohet sikur ta ketë sjellë ajo ndryshimin, në fakt u përdor thjesht si instrument i ndryshimit të sistemit, i kalimin nga regjimi i një bande kriminale në shtetin e së drejtës. Lëvizja e përshpejtoi sadopak këtë proces, por duke qenë e mbështetur nga një prapavijë e rëndësishme politike.
Sot, po të dëgjosh kërkesat e studentëve, veçanërisht me veshët e një ndërkombëtari, ato mund të konsiderohen si protesta kundër vendimmarrjes së një qeverie demokratike që prek një grup të caktuar interesi. Madje qeveria shfaqet e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe, për këtë, kërkon dialog dhe negociata. Kështu e kanë interpretuar edhe disa  ambasadorë ndërkombëtarë në vend, sikur në Shqipëri demokracia funksionon. Pra, sot as kemi ndonjë predispozitë nga njerëzit e regjimit për të ndryshuar strukturat e pushtetit të tyre dhe as kemi ndërkombëtarë që mund ta mbështesin këtë protestë për përmbysjen e një  regjimi.

Protestat dhe viti 97
Pse ngulmoj të përdor fjalën regjim? Sepse, po ta lidhim protestën e studentëve me protestat e tjera që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vend, me skandalet e papara të korrupsionit dhe të grabitjes së pronës publike si dhe me faktin se këto bëhen në bashkëpunim me një polici, drejtësi dhe media të kapura, këto protesta - potencialisht - mund të konsiderohen si kundër regjimit të instaluar nga një pakice kriminale. Me fjalë të tjera kundër një aberracioni të rëndë të kapitalizmit dhe demokracisë që u vendos në letër më 1991. Po t’i shohim kështu, protestat po zhvillohet në një kontekst shumë më të ngjashëm me atë të fillimit të protestave të vitit 97. Edhe asokohe kishim aberracionin e idealeve  të 90 - 91-shit në një regjim ku, megjithë ekzistencën e partive opozitare, sundonte një parti e vetme që kontrollonte drejtësinë, policinë, mediat kryesore dhe, - vini re ngjashmërinë -  kontrollonte edhe ekonominë që bazohej kryesisht në piramidat financiare që vidhnin lekët e shqiptarëve, me një pjesë të të cilave paguhej edhe fushata elektorale e partisë në pushtet. Le të kujtojmë gjithashtu se ky regjim kishte edhe mbështetje ndërkombëtare. Në vitin 1996 ky regjim grabiti votat dhe shtypi lehtësisht protestën e mekur të opozitës pa ndonjë reagim kushedi të ndërkombëtarëve. Një ngjashmëri tjetër me atë kontekst është fakti se, ashtu si sot, populli ndihej i pafuqishëm të reagonte politikisht, priste ndihmën e ndërkombëtarëve apo një « deus ex machina », kurse opozita një-dy e shkonte ankohej nëpër ambasada.
Si « deus ex machina » asokohe erdhi rënia e piramidave që bëri që njerëzit të mobilizohen dhe të dalin në rrugë me thirrjen « Duam paret tona!». Opozita e përdori këtë pakënaqësi të madhe popullore për të rrëzuar qeverinë. Për këtë partia më e madhe opozitare, PS, pranoi krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, « Forumi për Demokraci », që u dha drejtim protestave. Përmasat e protestave dhe dhuna kundër tyre rritën ndjeshmërinë perëndimore duke sjellë gazetarë të huaj që u mirëinformuan se çfarë po ndodhte dhe, me botimin e shkrimit të « The Independent » : « Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim » pati një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare për regjimin.
Cili është ndryshmi më i madh me vitin 97? Dikush mund të thotë se piramidat ranë menjëherë dhe prekën një pjesë shumë më të madhe të popullsisë kurse sot fuqia e protestave është shumë më e dobët dhe reagimi i regjimit shumë më pak i dhunshëm. Këto qëndrojnë, por në funksion të krahasimit dua të ve në dukje një ndryshim tjetër që për mua mbetet thelbësor. Ndryshe nga sot asokohe nuk bëhej fjalë për « refuzim të politikës», dmth. të opozitës, siç bëhet sot nga një pjesë jo e vogël ; përkundrazi bashkëpunimi i Forumi për Demokraci me protestuesit ishte i hapur. Berisha u përpoq të akuzonte Partinë Socialiste duke kujtuar trashëgiminë e saj të keqe - ashtu siç bën sot Rama duke iu referuar të kaluarës së PD dhe LSI - por kjo nuk ngjiti pasi në atë lëvizje kishte edhe shumë ish aleatë të Berishës si dhe pasi Partia Socialiste kishte bërë ndryshime themelore si përsa i përket vizionit ashtu edhe përsa i përket udhëheqësisë së saj. Pasja e një force politike në krye të protestave të vitit 97 ishte determinuese për suksesin e saj nëse mund të quhet sukses rrëzimi i qeverisë Berisha (nuk po hyj këtu të merrem me koston e kësaj përmbysjeje) si dhe disa ndryshime pozitive që solli në vend. Me sytë e sotëm mund të thuash se ndryshimi kryesor ishte se opozita përbëhej nga politikanë që nuk ishin provuar në pushtet; premtimet e të cilëve besoheshin edhe si vepra të tyre të ardhshme, siç fatkeqësisht nuk ndodhi.

Protesta kundër sjelljes së armëve kimike
Refuzimi i partive të komprometuara në  protestën e studentëve e bën atë më të ngjashme me protestën e nëntorit 2013 kundër vendimmarrjes për sjelljen e armëve kimike. Në atë protestë, si sot, kishte edhe shumë njerëz që e kishin mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet. Por përsëri kemi disa ndryshime të rëndësishme. Vërtet vendimmarrja e Ramës fliste për rrezikun që paraqiste etja e këtij njeriu për pushtet, por ama si individ, jo si kryesuesi i regjimit oligarkik kriminal, siç është bërë sot. Protesta në fakt, nuk i prekte interesat e oligarkëve dhe krimit të organizuar, sepse askush prej tyre nuk përfitonte nga armët kimike, prandaj dhe Rama pati kundër thuajse krejt mediat e oligarkëve plus edhe aleatin e tij në koalicion LSI-në.

Protesta e kuksianëve
Duke e trajtuar protestën e studentëve si të një grupi interesi kundër sistemit oligarkik dhe të lindur jo nga nxitja e opozitës, por nga halli i qytetarëve, protesta e studentëve është më e ngjashme me protestën e Kuksianëve, paçka se më sensitive si çështje dhe jo lokale, por kombëtare.
Duke e trajtuar si të tillë ka nga ata që thonë se, duke qenë protestë ku grupet e interesit i imponohen nga poshtë vendimmarrësve kjo mund të jetë rruga më e mirë e forcimit të demokracisë. Sipas meje kjo logjikë mund të jetë frytdhënëse në një sistem ku demokracia funksionon, ku ka drejtësi dhe media të pavarura dhe zgjedhje të lira. Në një regjim, kjo nuk funksionon siç e provoi edhe protesta e kuksianëve. Ka shumë më tepër mundësi që, në kushtet e një regjimi si ky i yni, protesta të tilla të shërbejë për të kundërtën e demokracisë. Në ç’kuptim ? Në kuptimin se historia tregon se pak trazira u bëjnë mirë regjimeve antipopull pasi u shërbejnë si stërvitje për të forcuar muskujt, për të stërholluar strategjinë e sundimit, metodat e përçarjes, pikat ku duhet të ndërhyjnë për të blerë, korruptuar, frikësuar e me radhë. Lidhur me këtë mundësi krahasimi me protestën e Kukësit mbetet për tu parë në vazhdim.

Si përfundim
Do të thosha se e përbashkëta e tërë protestave që përmenda është se, në një mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, populli nëpërmjet tyre ka kërkuar të bëhet vendimmarrës për fatet e veta, pra ato kanë qenë përpjekje e tij për pushtet, dmth. demokraci. Duke i parë kështu mund të thuhet se edhe kur kanë arritur të kthejnë mbrapsht ndonjë vendimmarrje apo të rrëzojnë ndonjë qeveri ato kanë realizuar pak ose aspak përsa i përket demokracisë. Ato nuk kanë arritur t’i tregojnë vendin llojit më të keq të shqiptarëve: atyre që e kanë ndërtuar interesin e tyre në kurriz dhe kundër shumicës, jo në harmoni me të dhe në shërbim të saj. Në këtë kuptim ato kanë qenë « shanse të humbura», (siç po e profetizojnë disa edhe fatin e kësaj  lëvizjeje studentore). Por a kanë qenë vërtet shanse të humbura apo shanse të pamundura për shkak të pafuqisë së shqiptarëve për tu bashkuar për interesin dhe të ardhmen e tyre të përbashkët? Çfarë duhet bërë që këto protesta të sjellin demokraci dhe jo të ndërrojnë banditë në pushtet? Gjykoj se kjo protestë duhet t’i nxisë të gjithë për reflektim ndaj kësaj pikëpyetjeje. (Panorama, 22 dhjetor 2018)

Thursday, December 20, 2018

Pse protesta është dhe duhet të jetë politike

Një nga gjërat që bije në sy në protestën e studentëve është ngulmimi i një pjese jo të vogël për të deklaruar se protesta nuk është politike. Siç e kuptoj unë ky ngulmim vjen për t’i mbajtur të gjithë bashkë në një emërues të përbashkët që mbledh sa më shumë studentë në protesta: plotësimi i tetë pikave ndër të cilat më e rënda për qeverinë duket se është rritja e shpenzimeve për arsimin në buxhet në 5%. 
Po a mund të konsiderohet kjo një kërkesë « jo politike »? Le ta arsyetojmë. Që të ndryshosh buxhetin duke e çuar në 5% pjesën për arsimin do të thotë, minimumi,  të bësh ndryshime në politikat e investimeve të parashikuara. Ajo që bije në sy në investimet e qeverisë janë milionat që do të derdhen në rrugët e florinjta të Edi Ramës, ndër të cilat psh. 40 milion shkojnë vetëm për 2 km rrugë tek Astiri. E pra, aritmetika më e thjeshtë ekonomike ta do që nëse do të transferosh të holla tek studentët duhet t’ua heqësh këto një pjese prej këtyre rrugëve.
Mirëpo Edi Rama e ka shumë zor ta bëjë këtë pasi sistemi që ai ka zgjedhur për të qeverisur e që po e çon nga krimi në krim,  është ai i bashkëpunimit me një pakicë (që fëmijët i çon nëpër shkolla private jashtë shtetit) për të sunduar shumicën. Kjo pakicë është shumë më me vlerë për Edi Ramën sepse me atë kontrollon krejt buxhetin sipas qejfit, që pastaj e përdor për të blerë votën, për të korruptuar drejtësinë, shoqërinë civile, televizionet, por edhe për tu pasuruar reciprokisht duke futur në xhepa një pjesë të majme të parave të këtyre investimeve.
Është kaq e thjeshtë të dashur studentë. Kryeministri nuk është « me ju » dhe « për ju » në atë zyrë pasi është « me ata » dhe « për ata » me të cilët ju vjedh e grabit përditë. Siç e keni kalkuluar edhe vetë rikryerja e provimeve për së dyti për ata që ngelin i kushton shtetit një shifër tejet të vogël, por  kryeministri jua dhjetëfishoi tarifën pasi pjesën tjetër synonte ta çonte tek rrugët e florinjta prej ku të do të merrte pjesën që i duhet për partinë, për xhepat e veta dhe të ministrave e me radhë. Ai sot është vënë në hall të madh nga protestat sepse po i prishin planet e parasë që i siguron pushtetin dhe të pushtetit që i siguron paranë. Mjafton të shikosh se si i ka stërfryrë buxhetet e rrugëve të florinjta për të kuptuar se nuk ka hallin tuaj e të njerëzve, por të vjedhjeve
Protesta juaj edhe kur thoni « jo politikës » prandaj do qëndrojmë tek Ministria edhe kur thoni « po politikës »  prandaj do shkojmë tek Kryeministria është politikë. Ndryshimi është se janë dy politika të ndryshme që të çojnë në dy zgjidhje/zgjedhje të ndryshme.
Zgjidhja e parë « jo politike » është ajo që Edi Rama aplikoi  pas protestave në Kukës dhe që, për fat të keq, u aprovua nga kuksianet dhe nuk u denoncua si duhet nga opozita. Rama pranoi që kuksianet të  paguajnë më pak, por vendosi që paratë që do të merrte Kastrati të paguheshin nga gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve. Në rastin tuaj kjo zgjidhje do të thotë që, nga halli, t’ua plotësojë juve kërkesat (në një masë të caktuar) dhe paratë që kishte parashikuar nga buxheti për t’i grabitur e për t’i çuar në of-shore t’i mbledhë nëpërmjet taksash të tjera që do t’u vihen në mënyra të tjera juve dhe prindërve tuaj. Me një fjalë ajo që do t’ju jepet  me një dorë do t’ju merret me dorën tjetër  dhe ju dhe prindërit tuaj do të dilni në të njëjtën qafë mali. Kjo është zgjidhja që ju premton zgjedhja e kësaj politike « jo politike », që nuk kërkon të merret me sistemin e sundimit politik që ka ngritur Edi Rama & Co. 
Zgjedhja tjetër, e protestave « politike », nënkupton që nisur edhe nga halli juaj, të hidhni vështrimin në krejt trupin e sëmurë të Shqipërisë - siç edhe ju takon. Të ndërgjegjësoheni pra se « halli» juaj është thjesht një metastazë, siç është metastazë edhe skandali i fallcifikimeve tek tenderi i Astirit, edhe ai i rrugëve të florinjta të Edi Ramës. Dhe ju takon ta bëni këtë më shumë se kujtdo si pjesa më intelektuale e vendit. Sepse nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të shihni vetëm hallin tuaj. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente që ju të keni hall vetëm t’ju kthehen lekët dhe të mos denonconi dhe dënoni hajdutët. Nuk është e ndershme dhe as inteligjente të mos bashkoheni me protestuesit e Astirit e këdo tjetër që synon të ndalë turravrapin kriminal të këtij regjimi. 
Nëse bëni zgjedhjen e parë që ju e quani « jo politike » në fakt do të votoni për një politikë nënshtrimi ndaj këtij sistemi hajdutërie që rrezikon t’ju vendosë në anën e gabuar të barrikadës. Prandaj gjykoj se duhet të bënë zgjedhjen e dytë: të shkoni tek burimi i kacerit që e ka lënë arsimin në Shqipëri në ditë të hallit, që i ka bërë shqiptarët të kërkojnë të ikin nga sytë këmbët prej këtij vendi të bekuar për nga pasuritë dhe klima, që do t’ju ofronte të gjitha të mirat sikur të qeverisej nga njerëz të ndershëm siç kërkojmë nga ju të bëheni. Mos harroni për asnjë çast se protesta juaj u ka dhënë shpresë shumë shqiptarëve të dëshpëruar jo sepse ju do të zgjidhni hallin tuaj, por sepse tek ju ata panë të ringjallet shpresa se e mira dhe drejtësia mund të fitojnë në këtë vend se shqiptarët mund t’i japin fund një sistemi qeverisjeje të bazuar në grabitjen dhe shkatërrimin e së ardhmes së shumicës nga një pakicë kriminale. Po të luftoni edhe në emër të tyre do të bëheni shumë më shumë e mund t’i jepni udhë një procesi ndryshimi për mirë. Po të luftoni vetëm për hallin tuaj shumë shpejt do të mbeteni vetëm, nën kthetrat e së keqes. (Panorama, 13 dhjetor 2018)

Thursday, December 13, 2018

Protestat dhe regjimi Rama - Ulaj


Gjatë protestave të njerëzve tek “Astiri” , kam dëgjuar shpesh të akuzohet Rama se po bën gjëra që të kujtojnë regjimin komunist, duke pasur parasysh dhunën e ushtruar ndaj njerëzve në atë regjim (disa duke e lidhur edhe me trashëgiminë familjare të shumë prej rilindësve). Ndonjë ma ka thënë këtë ide edhe si vërejtje kur më ka dëgjuar të shprehem se ajo që po ndodh tek “Astiri” është fashizëm. Gjykoj se në këtë situatë ku njerëzit e “Astirit” janë në rrugë, kur studentët janë në protesta,- që nuk mund të mos konsiderohen si protesta kundër shkakut/sistemit që i ka nxjerrë në rrugë,- ia vlen të shtrohet pyetja se çfarë është ky sistemi ynë në mënyrë që të dimë se çfarë duhet të luftojmë dhe si ta luftojmë.
* * *
Kur Musolini ka dhënë një përkufizim se çfarë ishte fashizmi, është përgjigjur se: “Fashizmi është fuqia financiare e korporatave, mbështetur nga fuqia shtrënguese e shtetit”. Po t’i referohesh këtij përkufizimi të fashizmit, që e lidh sistemin politik me atë ekonomik (vë në dukje se kam parasysh përkufizimin e cituar të Musolini, jo fashizmin si regjim i pajisur edhe me ideologji nacionaliste, fashizmin e dallimeve raciale të Holokaustit dhe të Luftës II), vështirë të mos e vësh re se tek “Astiri” kemi të bëjmë me korporata private që përdorin forcën shtrënguese të shtetit kundër njerëzve. Së fundmi, “The Guardian”, duke iu referuar dhunës policore në Francë ndaj lëvizjes së jeleqeve të verdhë, ka botuar një artikull të famshëm të Bertold Brecht të vitit 1935 me titull “Fashizmi është fytyra e vërtetë e kapitalizmit”, të shoqëruar me foto të demonstruesve të gjakosur nga Policia. Sipas Brechtit, kapitalizmi degjeneron në fashizëm atëherë kur të pasurit kalojnë në përdorimin e dhunës së shtetit, që e kanë kapur nëpërmjet fuqisë financiare, për të mbrojtur interesat e tyre. Argumenteve të autorit të Arturo Ui, një pjesë, me të drejtë, u kundërpërgjigjen me idenë se komunizmi, për të cilin ai luftoi në emër të zhdukjes së pronës private si burim i së keqes, nuk ishte tjetër veçse një “kapitalizëm shtetëror” ku e gjithë ekonomia e vendit kishte një pronar të vetëm – nomenklaturën komuniste. Pra, kulmi i degjenerimit të kapitalizmit, si dhunë e një bande kriminale që ka kapur shtetin për interesat e veta, nuk ishte fashizmi, por komunizmi ku kishte një korporatë/pronar të vetëm.
Si do ta cilësonim sistemin tonë, që ka nxjerrë sot në rrugë studentët dhe njerëzit e “Astirit”, duke iu referuar këtyre përvojave historike, por edhe pa rënë në shkollarizëm? Le t’i referohemi skandalit “Astiri”.
Sipas burimeve të besueshme të nxjerra edhe nëpër media, e të pakundërshtuara nga i akuzuari, oligarku kryesor i përfshirë në këtë histori, quhet Bashkim Ulaj. Zotëria në fjalë ka marrë tendera pa fund edhe gjatë kohës së Berishës, edhe gjatë kohës së Ramës. Zotëria në fjalë (gjithnjë sipas mediave) po shkatërron me leje shtetërore edhe Valbonën, duke ndërtuar atje HEC-e, ai ka hapur edhe një televizion “A2”, që thuhet se është filial i “CNN”, në përurimin e të cilit mori pjesë edhe Rama vetë; ka ngritur edhe një kullë që quhet “Aba” ku ka zyrat edhe ish-shefi i opozitës Berisha, por edhe BE-ja. Sipas dokumenteve të tjera të ekspozuara edhe në emisionin “Te paekspozuarit” me titull “Rrugët e florinjta të Edi Ramës”, zotëria ka marrë nga Rama edhe një tender prej 350 milionë eurosh për një nga rrugët e florinjta. Nuk i kam rreshtuar të gjitha bizneset e tij dhe tenderat që ka marrë, por them se, për Shqipërinë e vogël, kaq mjaftojnë për t’i vënë emrin “korporatë”.
E pra, duke iu referuar dy përkufizimeve që përmenda më sipër të fashizmit dhe komunizmit, kjo lidhja Rama – Ulaj e degjeneruar në dhunë tek “Astiri” duket më shumë si fashizëm sesa si komunizëm. Por le ta thellojmë arsyetimin duke tentuar më parë të përkufizojmë edhe atë që quhet thjesht kapitalizëm e që konsiderohet si e mira përballë të këqijave si fashizmi dhe komunizmi.
Për komunistin Bertold Brecht, ata që janë kundër fashizmit, pa qenë kundër kapitalizmit, janë si njerëzit që dëshirojnë të hanë mishin e viçit, por që nuk mund të shohin me sytë e tyre gjakun e viçit të derdhur nga kasapi, prandaj ndihen të lehtësuar kur ky ua servir atë pasi i ka larë duart. Prandaj, thotë ai, pa zhdukur pronën private, si burim i të këqijave, herët apo vonë, do të na shfaqet fashizmi. Mirëpo, siç e kemi parë në kurrizin tonë, prona private e kthyer e tëra në pronë shtetërore, në emër të komunizmit, e menaxhuar nga partia- shtet prodhoi një dhunë e gjak edhe më të madh. Nisur nga këto përvoja, mund të themi se sistemi i kasapit që lan duart pasi ther viçin mund të quhet e keqja më e vogël, që ka mundur të ndërtojë deri më tani njerëzimi. Le ta quajmë ndryshe kapitalizëm me fytyrë njerëzore ku “të shfrytëzuarit” gëzojnë të drejta të organizohen në sindikata dhe të përfaqësohen nga parti politike të majta, të protestojnë, të kërkojnë politika sociale që u sigurojnë një minimum jetese të nevojshëm, arsim dhe shëndetësi falas, barazi përpara ligjit; ku promovohet arti e kultura kritike dhe mendimi ndryshe politik, ku ka zgjedhje të lira, ku prodhohen rrotacione që edhe kur rezultojnë se nuk sjellin ndryshim, përsëri i mbajnë njerëzit me shpresë.
E pra, le të përsërisim pyetjen: po ky sistemi korporata Ulaj- shteti Rama çfarë është? Nuk më duket se ia vlen të zgjatem shumë për të treguar se që nga ’91 e këtej, kasapët te ne nuk kanë bërë ndonjëherë merak të lajnë duart pasi e kanë therur viçin. Pyetja që mund të shtrohet sot është: në raport me vite më parë (kam parasysh pas vitit 1997), a kanë kasapët tanë më shumë apo më pak kujdes për të larë duart? Skandalet e fundit tregojnë se kanë më pak. Vendimmarrje si ato tek “Astiri” ku forcën e ligjit e zëvendësoi dhuna shtetërore, sikurse ndodhi edhe me prishjen e stadiumit “Qemal Stafa”, vendimmarrja për prishjen e Teatrit, për vënien e traut në autostradën e Kukësit, ashtu sikurse edhe vendosja e gjobave të reja për studentët, janë tregues të qartë se gjatë qeverisjes Rama 2, kemi një thellim të frikshëm të fashistizimin të sistemit, marrjen nën kontroll nga një parti-bandë e vetme të të gjitha “korporatave” sipas një projekti që kjo parti të kontrollojë krejt ekonominë, krejt mediat, pushtetin e drejtësisë dhe të gjithë pushtetin politik. Arroganca fashistoide e këtyre vendimmarrjeve është shenjë e dukshme e përparimit të këtij projekti.
Dhe këtu më duhet të bëj kujdes sepse po i bie në qafë më shumë se ç’duhet fashizmit ekonomik. Pse e them këtë? Sepse të ashtuquajturat korporata në sistemet fashiste gjetkë – ndër të cilët sot mund të fus edhe Kinën – kanë prodhuar edhe të mira materiale, kurse korporatat tona vetëm thithin para publike nga shteti, me të cilin bashkëpunojnë. Në këtë kuptim, ato janë më afër ndërmarrjeve shtetërore të komunizmit. Kur flitet për rrugët e florinjta të Edi Ramës, do të vëmë re se disa individë si Ulaj, Salillari etj., thjesht kanë zëvendësuar Ndërmarrjen Rruga Ura të komunizmit që funksiononte me paratë që mblidhte banda e Enver Hoxhës nga puna e skllevërve që punonin nëpër kooperativa, miniera, kampe- burgje e më the të thashë, por me ndryshimin se ndërsa në atë regjim, përveç ndërtimit të rrugëve dhe urave, një pjesë e mirë e këtyre parave publike shkonin për të mbajtur shtetin diktatorial, propagandën dhe çdo gjë publike, sot pjesa e luanit, shkon për pasurimin e korporatave private të Ulajve me shokë.
Por ngadalë, se ka edhe më. Këtij regjimi me tipare në rritje fashisto- komuniste i duhet shtuar edhe hajdutëria dhe korrupsioni i protagonistëve të tij. Vini re: për dy km rrugë të panevojshme, Edi Rama do të nxjerrë nga paratë e shqiptarëve, nga studentët dhe prindërit e tyre, 40 milionë euro, dhe, duke shkelur të gjitha ligjet e tenderimeve do t’ua japë dy-tri korporatave, ndër të cilat pjesën e luanit, d.m.th. gati gjysmën, një kompanie of-shore që na doli se paska falsifikuar dokumentet për të përfituar tenderin. Sipas gojëve të liga, prapa saj qëndron korporata Ulaj dhe këto 20 milionë eurot nuk do të shkojnë fare në asfaltin e rrugës, por direkt në konton bankare të një njeriu të panjohur të qeverisë si shpërblim për 350 milionë eurot e rrugës së florinjtë që i është dhënë. Dhe askush nuk mund ta hetojë se cili është ky njeri i qeverisë, në është Kryeministri dora vetë apo jo, as nëse falsifikatori është vërtet Ulaj, sepse në një regjim fashisto- komunist prokuroria është instrument i regjimit.
Protestat e kohëve të fundit janë reagimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i njerëzve ndaj grabitjeve kësisoj. Them “apo të pavetëdijshme” se disa deklarojnë se këto protesta nuk janë politike pa e ditur se s’mund të mos jenë të tilla. Ata që janë ngritur në protesta, si studentë, ashtu edhe njerëzit e “Astirit” apo të Shkozës duhet ta kenë të qartë se është ky regjim kasapësh me duar të përgjakura që i ka nxjerrë në rrugë dhe protesta kundër tyre, është protestë kundër vendimeve politike të këtyre kasapëve. Të thuash se këtë protesta nuk janë politike; duke i trajtuar (apo devijuar ato) në kërkesa për të marrë dëmshpërblim e shtëpive tek “Astiri” apo për të rritur përqindjen e parave që do derdhen për arsimin e studentëve, është njëlloj sikur t’u lutesh plaçkitësve që mos të të marrin gjithçka, por të të lënë diçka sa për të mbajtur frymën gjallë. Se sa mëshirë kanë këta kasapë, shikojeni tek “Astiri”. Prandaj, gjykoj se protestat e studentëve, të “Astirit” e të tjera që duhet t’i pasojnë, duhet të drejtohen kundër sistemit të grabitjes që kanë ngritur kasapët me duar të përgjakura: me thirrjen që ata të largohen nga pushteti dhe të dalin përpara drejtësisë, si dhe me kërcënimin se kushdo që mendon se mund t’i zëvendësojë për të kalëruar të njëjtin regjim me të njëjtat korporata, do të ketë një fund edhe më të keq. Në këtë kuptim, gjykoj se këto protesta duhen deklaruar si politike sa më parë, se përndryshe do të jetë vonë për të gjithë.  (Panorama, 11 dhjetor 2018)