Friday, April 24, 2020

Disa pyetje për juristët e Presidentit

Juristët e Presidentit Meta, të cilët para disa kohësh kanë kthyer mbrapsht, me argumentime mjaft të detajuara dhe bindëse, një pjesë të mirë ligjesh të hartuara nga juristët rilindës, nuk u shfaqën kësaj here kur Presidenti miratoi ndryshimet në Kodin Penal të aprovuara në situatë të jashtëzakonshme, megjithë kritikat e shumta për këtë edhe nga Avokati i Popullit.
Shpjegimi politik që na erdhi është se jemi në gjendje të jashtëzakonshme, që kërkon një pozicion sa më të përgjegjshëm ndaj qeverisë; shpjegimi juridik: se maxhoranca i mori parasysh vërejtjet e Presidentit lidhur me këto amendamente. Por ne nuk mund të kemi kujtesë aq të shkurtër, sa të harrojmë se në fazën e parë të kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, Meta i bëri karshillëk të hapur Ramës. Po ashtu, ne dimë se procedura kërkon që ligjet t’i shkojnë Presidentit pasi aprovohen nga Parlamenti, kurse në këtë rast Presidenti u soll sikur të ishte këshilltar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndoshta e kam gabim, kur bashkohem me ata që mendojnë se (edhe) miratimi kësisoj i këtyre ndryshimeve në Kodin Penal na çon te dyshimet e përfolura për një pakt jotransparent Rama–Meta, por gjithsesi, do të doja t’u drejtoja disa pyetje juristëve të Presidentit me shpresë se do të m’i davarisnin këto dyshime.
Kodit Penal i janë shtuar dy nene: ai 242/1 dhe ai 89/b). Për sqarim të lexuesit, neni 242 i Kodit Penal ka të bëjë me mosbindjen ndaj urdhrit të ligjshëm të Policisë, kurse neni 242/1 është për: “Moszbatimin e masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”. Neni 89 ka të bëjë me plagosjen me dashje, ndërsa 89/b ka të bëjë me “Përhapjen e sëmundjeve infektive”.

Një vërejtje është se, nga sa e njoh Kodin Penal, fraksionet zakonisht kanë një lidhje organike me nenin që ka po atë numër bazë, kurse këto fraksione më duken pak si një trup i futur jo në vendin e duhur. Por nuk është kjo më e rëndësishmja. E vura në dukje, sepse për mua kjo flet për ngutshmëri dhe mungesë profesionalizmi, ndërkohë që Kodet Penale nuk janë gjëra që bëhen sot për nesër, por dokumente që mbeten e flasin për seriozitetin e një shteti.
Por le të kaloj te problemet kryesore që shoh tek këto amendamente.
Në paragrafin e parë të nenit 242/1 thuhet: “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.
Kushdo që ka një minimum arsyeje, nënkupton se në “aktet ligjore apo nënligjore […] në funksion të gjendjes së epidemisë” duhet të hyjnë edhe karantina, edhe ndalimi i ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme e shumë të tjera si këto. Mirëpo, ligjvënësit tanë nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë shtuar një paragraf të dytë që thotë:
“Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vjet”.

I pyes juristët e Presidencës: Pse duhet veçuar aktiviteti tregtar në këtë nen? Ka edhe aktivitete të tjera që nuk lidhen me tregtinë, që mund të vënë në rrezik jetët e njerëzve në një gjendje epidemie: p.sh. kur dikush mund të bëjë një festë ditëlindjeje dhe të mbledhë të gjithë miqtë, të organizojë një ndeshje futbolli, të bëjë një meshë apo predikim në xhami, të vazhdojë të mbajë hapur një aktivitet jofitimprurës etj., si këto? Megjithatë, edhe kjo vërejtje mbetet tek ato, që për mua tregojnë mungesë serioziteti. Ajo që më godet për qëllimshmëri të mbrapshtë dhe antiligjore është ballafaqimi i këtyre dy paragrafëve me paragrafin e tretë, ku kanë futur karantinimin:
“Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet”.
Dy gjëra vihen re kur bën këtë ballafaqim:
Së pari, a nuk kemi këtu një kontradiktë brenda të njëjtit ligj? Imagjinoni një person që ka dalë nga shtëpia për të hedhur plehrat jashtë orës që i ka përcaktuar Policia për të dalë nga shtëpia. Për këtë krim, të parashikuar nga i njëjti nen 242/1, ai mund të dënohet me dy mënyra të ndryshme. Nëse gjyqtari vlerëson se karantinimi hyn në aktet ligjore dhe joligjore, duhet ta pyesë personin nëse ndaj tij është marrë më parë një masë administrative. Nëse përgjigjja është “jo”, duhet ta lërë të lirë dhe nëse është “po”, duhet t’i përcaktojë një masë dënimi nga gjobë, deri në 6 muaj burg. Kurse, nëse i referohet pjesës së fundit të ligjit, duhet ta dënojë direkt nga 2 deri në 3 vjet, pa pasur nevojë të dijë nëse ka marrë ndonjë masë administrative.
Së dyti: vini re mungesën e proporcionalitetit. Gjynahqarit, që kapet duke hedhur plehrat në kazanin e bashkisë jashtë orarit, i fillon dënimi minimal atje ku i mbaron maksimali (2 vjet) një personi apo grupi personash, të cilët hapin kundër një akti ligjor që ka të bëjë me epideminë restorantin apo kinemanë, duke rrezikuar jetën e shumë njerëzve.
Por ka edhe më keq për sa i përket mungesës së proporcionalitetit te këto amendamente.

Në paragrafin e parë të 89/b thuhet: “Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes, apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet”.
Vini re: gjynahqari që ka hedhur në kazanin e bashkisë plehrat në orën e gabuar, mund të marrë gati të njëjtin dënim (2-3 vjet) me një person që vë në jetë planin makabër për të infektuar një grup njerëzish në një restorant, kinema a ku di unë (2–5 vjet).

Presidenti dhe juristët e tij kanë të drejtë kur na thonë se kanë miratuar një ligj (atë 89/b) në norma europiane për sa i përket masës së dënimit për krimin e përhapjes së epidemisë me dashje. Po ku qëndron lepuri në këtë histori, që Presidenti nuk e përmend? Sipas meje, kjo paçavure juridike është bërë për të futur sa më shpejt në Kodin Penal atë pjesën e nenit 242/1, që dënon nga 2 deri në 3 vjet qytetarët që dalin pa lejen e Policisë nga arresti shtëpiak i imponuar pa asnjë vendim gjykate, i cili, sipas meje, është edhe në shkelje të Kushtetutës. Mos harroni se një mendje e sëmurë rilindëse propozoi që ky dënim të shkonte deri në 15 vjet. Edhe kërkesa e Shqipërisë për dalje nga detyrimet që i përcakton Këshilli i Europës, për mua ka të bëjë me ligje, akte ligjore e nënligjore kësisoj, që po miratohen duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme.
Uroj që juristët e Presidentit të më bindin se kam gabuar, por deri tani vazhdoj të mendoj se këto vërejtje që bëra nuk vijnë nga mungesa e profesionalitetit në mbrojtje të Kushtetutës, por nga vullnete politike jotransparente ndaj publikut. (Panorama, 24 prill 2020)

Wednesday, April 22, 2020

Covid 19 - rreziku i menaxhimit të epidemisë me propagandë

Krahasimi që kam përdorur për të përshkruar momentin ku ndodhemi me epideminë Covid 19, është ai i kalimit të anijes sonë përmes Shillës dhe Karridbës, ku më një anë ajo rrezikon të përplaset me rrezikun e Shillës (epidemia), kurse më anë tjetër, duke u ruajtur prej saj, të përplaset me Karridbën (rrënimi ekonomik). Por nëse do t’i paraqisja me animacion këta dy shkëmbinj, nuk do t’i paraqisja si të ngurtë, por si të gjallë, që lëvizin, që dalin apo tërhiqen, shkurtohen apo zgjaten, zvogëlohen apo zmadhohen duke u bërë, kësisoj, edhe më të rrezikshëm. Kjo e bën edhe më të vështirë detyrën e kapitanerisë, çka më së pari do të thotë: të arrijë të dallojë mirë jo vetëm pamjet e mbiujshme e të nënujshme të këtyre shkëmbinjve, por edhe lëvizjet e tyre.
***
A duhet të hapemi, sa duhet të hapemi, si duhet të hapemi, kur duhet të hapemi, janë pikëpyetjet që ngrihen sot, duke pasur parasysh se “rreziku ekonomi” po na afrohet e bëhet gjithnjë e më i madh. Por, që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve duhet të dimë nëse e kemi rrugën të lirë në krahun tjetër ku qëndron kërcënueshëm rreziku epidemi.
E këtu vijmë në një nga problemet më të mëdha që paraqit, sipas meje, menaxhimi që po i bëhet krizës së pandemisë në Shqipëri, si pasojë e metodës së qeverisjes që ka aplikuar Edi Rama në këtë vend: ajo, sipas së cilës propaganda synon të mbulojë, manipulojë realitetin.
Në një shkrim të mëparshëm jam shprehur kundër përdorimit të fjalës “luftë” dhe të fjalëve “tradhtarë”, “armiq”, “sabotatorë” për arsyet që lidhen sa me klimën psikologjike që kjo gjuhë mund të krijojë në raportet e shqiptarëve me njëri- tjetrin e të shtetit me njerëzit, aq edhe në emër të kalimit të kësaj krize nëpërmjet metodave të ndërgjegjësimit e përgjegjësimit dhe jo të frikësimit.
Por kjo fjalë, e përdorur aq shumë nga propaganda komuniste, që synonte unitetin e popullit rreth partisë, paraqet edhe rreziqe të tjera, që lidhen pikërisht me mbulimin e së vërtetës nëpërmjet mbytjes së zërave ndryshe, me pasojat që i dimë.
Një deputet rilindës, që, për ironi, ka pasur profesionin gazetar, na e paraqiti Ramën në këtë “luftë”, si një Odise që jo vetëm u ka dyllosur veshët shokëve të tij rilindës, por ka dyllosur edhe veshët e vet për të mos dëgjuar zërat e “sirenave” që kërkojnë t’i tërheqin në rrugën e gabuar. Me fjalët të tjera, mesazhi është se në gjendje lufte zërat opozitarë kritikë janë jo vetëm të panevojshëm, por edhe të dëmshëm. (Ky shkrim mua më kujtoi një fakt që tregojnë historianët: arriti një pikë gjatë Luftës II kur një pjesë gjeneralësh nuk guxonin t’i thoshin Hitlerit se sa çelik prodhonin SHBA-të, e heshtnin, por kishte edhe një pjesë që i thoshin me patos atë që donte të dëgjonte.)
Problemi është se kur në të gjithë botën flitet për gabime të shumta, duke filluar që nga OBSH, te qeveri shtetesh, pushtete lokale, e këshillime ekspertësh- për shkak se u gjendën përballë një krize të papritur e me shumë të panjohura- Edi Rama dhe Këshilli i tij Teknik na thonë se nuk kanë bërë asnjë gabim. Ky, sipas meje, është një qëndrim ku nevoja për të fituar luftën virtuale të propagandës mund të na çojë në mos shikimin real të gjendjes, që do të thotë në rrezikun e përplasjes rëndë të anijes jo vetëm me njërën, por me të dyja rreziqet kryesore.
Po e ilustroj këtë vetëm me një shembull që vjen nga vendi fqinj, Italia, së cilës i kemi kopjuar edhe termin “Këshilli Teknik”:
Sot, në Itali ka një debat të hapur mbi atë se ku ka gabuar Lombardia, që pati atë numër aq të madh njerëzish të infektuar e të vdekur, duke sjellë, si krahasim, rastin e Venetos, ku këta numra janë shumë më të reduktuar.
Sipas një virologu që bën pjesë në Këshillin Teknik të Venetos, suksesi i tyre shpjegohet me faktin se ata nuk dëgjuan këshillat dhe udhëzimet që erdhën nga Këshilli Teknik i qeverisë qendrore, i cili, në fazën e parë, nuk rekomandonte tamponimin në një masë sa më të gjerë të popullsisë. Në Veneto, ata e aplikuan tamponimin masiv (për çka gati u linçuan në fillim) dhe u rezultoi se kishte një numër shumë të madh personash të infektuar jo simptomatikë, të cilët, gjithsesi, paraqisnin rrezik për infektimin e të tjerëve. Duke u nisur nga kjo, morën masa për izolimin e këtyre nga pjesa e painfektuar. Kurse Lombardia nuk e bëri një gjë të tillë, por vazhdoi me tamponimin selektiv të rekomanduar në atë kohë. (Këtë shembull po e jap jo aq për të shpjeguar diferencën, sesa për të evidentuar se të gjithë flasin për gabime.)
* * *
Për t’u kthyer te vendi ynë: para disa ditësh, një i ri që u plagos nga Policia, kur u çua në spital për plagën rezultoi i infektuar me Covid-19. E njëjta gjë ka ndodhur me dy vetë që pësuan aksident me motor. Sikur të mos u kishin ndodhur këto ngjarje, ata do të kishin vazhduar të infektonin njerëz. Rastet në fjalë tregojnë qartë se ne nuk kemi asnjë ide të përafërt se sa e kemi numrin e të infektuarve asimptomatikë apo me simptoma të lehta dhe ky është një rrezik i madh potencial. 
Tashmë, të gjithë thonë se për të evituar këtë rrezik, duhen bërë sa më shumë tamponë dhe sa më shumë teste të gjakut, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një strategji hapjeje. Mirëpo, Edi Rama dhe specialistët e Këshillit Teknik të qeverisë po bëjnë një vesh të shurdhër ndaj kësaj thirrjeje, sepse kanë vendosur t’i dyllosin ata. Vështirë të mendosh se kjo dyllosje ka të bëjë me atë se janë të bindur se e tyrja është rruga e vetme e duhur. Shkaqet kam frikë se janë të tjera. 
I pari që të vjen në mendje është se nuk ka tamponë dhe teste; ose nuk ka personel mjaftueshëm. Deri këtu e marrim me mend edhe pa na e thënë. Por ka një akuzë edhe më të rëndë: qeveria ka frikë të bëjë tamponime në masë pasi kërkon të kontrollojë numrin e të infektuarve e të të vdekurve nga Covid-19, pasi nuk ka mjaftueshëm shtretër të terapisë intensive e si rrugëdalje ka zgjedhur ta mbulojë këtë realitet me propagandën se gjithçka po shkon mirë. Se ku mund të na çojë një metodë e tillë menaxhimi, që nesër mund të na diktojë edhe hapjen pa njohur gjendjen e vërtetë të përhapjes së virusit,- por të mbuluar me propagandën e fitores ndaj “luftës” dhe “armiqve”- merret me mend lehtë. (Panorama, 20 prill 2020)

Friday, April 10, 2020

Lettera agli amici italiani

Cari amici italiani,
mentre in quasi tutti i media italiani si glorificava il gesto albanese dei trenta medici ed infermieri portati dal loro Primo Ministro, Edi Rama, in Italia - considerato come “la lezione albanese” (all’Europa), “un miracolo di Dio” - nei social media albanesi, invece, circolava questa battuta:
“IMPORTANTE ANNUNCIO DEL MINISTERO DELLA SALUTE:
per la mancanza dei termometri nelle farmacie, a causa della crisi del coronavirus, il Ministero della Salute avvisa: 
se sospettate di avere temperatura procedete come segue: prendete tre semi di mais, metteteli nel retto, se saltano fuori a breve come popcorn, avvisate immediatamente il numero di emergenza 127.”
È una battuta tra le tante che circolano e che a molti ricorda l’umorismo nero durante il regime comunista anche perché l’atmosfera che regna oggi in Albania ha molto il sapore di quel tempo.

Vivendo tra l’Albania e l’Italia, visto che da circa 20 anni sono parte di una famiglia italo-albanese e avendo forti legami affettivi ed umani con il vostro fantastico paese, capisco le emozioni che ha suscitato tra gli italiani il gesto del nostro Primo Ministro, come anche l’interesse politico italiano che c’era dietro, ma vi invito ad approfondire il significato e lo scopo di questo gesto considerandolo anche dal punto di vista degli albanesi che vivono in Albania.
Secondo recenti dati dell’ONU sull’Indice della felicità, l’Albania di Edi Rama è il tredicesimo paese più corrotto nel mondo. Secondo Gallup 2017, il 56% degli albanesi vuole lasciare il paese. Se continua questo trend, l’Albania, che con la caduta del comunismo ha perso 1 milione di abitanti (rimanendo  circa 2,8 milioni di abitanti), nel 2100 rimarrà con solo 512.000 persone (anche questo secondo ultimi dati ONU).

Tutto questo perché l'Albania rappresenta l'esempio più drammatico fra i paesi ex comunisti che hanno subito un rapido passaggio dalla dittatura comunista al capitalismo selvaggio dove, in un breve tempo, pochi oligarchi - qui in gran parte esponenti del crimine organizzato - hanno sequestrato lo Stato, rendendo le sue istituzioni nient'altro che strumenti per espandere il loro potere economico lasciando la maggior parte della popolazione in estrema povertà.
Edi Rama, come gestore degli interessi di questi pochi, sta portando il paese verso un sistema sempre più autoritario con spazi democratici sempre più ridotti. Dopo aver derubato i voti delle elezioni del 2017 con l'aiuto del crimine organizzato (confermato dalle intercettazioni della magistratura pubblicate anche nel quotidiano tedesco Bild), ha spinto l'opposizione a lasciare il parlamento dichiarando che non poteva più servire da facciata democratica a un Narco – Stato definito da The Independent “La Colombia di Europa”. Il governo locale è al 100% nelle mani del suo unico partito al potere. L'ingresso in Parlamento negli ultimi anni di trafficanti e assassini è un fenomeno che neanche si poteva immaginare negli anni ’90. I media nazionali e locali sono quasi tutti controllati dall'oligarchia che lo circonda. La magistratura e il sistema giudiziario sono completamente asserviti al potere. 


Di tutto ciò il pubblico italiano sembra poco informato visto che la Repubblica ha presentato Rama come uno che ha pulito Tirana “dal degrado”, “dalla malavita”. Per noi qui questo è raccontare favole agli italiani che devono sapere che gran parte dell'attività criminale del narco-traffico albanese, che ricicla i soldi tramite le costruzioni nella costa e nel capitale, si svolge in Italia. Paradossalmente le critiche vengono dalla politica e dai media di paesi molto più lontani mentre la politica italiana e i media più importanti dimostrano di avere un debole per tali personaggi il che, in fondo, secondo me, e anche segno di disprezzo per gli albanesi. Perché dico questo? Perché il modo in cui è stato presentato questo gesto, mettendo in luce la figura di Edi Rama e non il sacrificio di un popolo, a molti in Albania ha fatto ricordare il modo in cui in Italia veniva ricevuto Gheddafi qualche anno fa, facendoci così sentire trattati come membri di una tribù guidata da un capotribù e non persone che aspirano a vivere in una reale democrazia. Lo dico perché non posso immaginare che voi accettereste nel vostro paese un Parlamento monopartitico, o che tutti i sindaci d'Italia fossero dello stesso colore.
Anche l’emergenza sanitaria del coronavirus in Albania è gestita con i metodi di un regime. Usando Edi Rama il linguaggio del vecchio regime, la parola d’ordine adesso è: “Siamo in guerra e chi non segue le regole è un nemico, un traditore, un sabotatore”. Una settimana prima del “miracolo di Dio” verso gli italiani, ha diffuso tramite il suo Facebook un video che mostrava la polizia algerina massacrare i manifestanti con i manganelli ma facendolo passare come un video realizzato in Spagna dove i poliziotti portavano con la forza le persone dentro casa avertendoci che avremmo ricevuto lo stesso trattamento se non avessimo rispettato gli orari di chiusura imposti. Anche l’isolamento non ha precedenti in Europa. Solo un membro della famiglia può uscire di casa e solo un'ora nella fascia oraria dalle 5:30AM alle 13:00PM e deve ottenere per questa uscita l'autorizzazione della polizia 24 ore prima. Nemmeno con i cani si può uscire. Nel frattempo le indennità di disoccupazione fornite dal governo albanese rappresentano solo un terzo dell'aiuto fornito invece dal nuovo, due volte più piccolo, Stato di Kosovo, (60 milioni contro 170 milioni).
Dopo la patina di legittimità che ha ricevuto in Italia, visto che anche Corriere della Sera ha apprezzato il suo metodo di gestire la quarantena, Rama ha mandato al Parlamento un ammendamento del  Codice Penale dove si prevede una condanna dalla multa fino a 15 anni di prigione per quelli che violano la quarantena, il che risulta un record mondiale.




Cari amici,
Come voi in Italia anche noi in Albania, stiamo attraversando un periodo in cui, come direbbe il vostro filosofo Giorgio Agamben, ci appare lo spettro dell'”uomo nudo”; dell’uomo ridotto ad essere biologico che pensa solo a sopravvivere. In questo momento ci siamo tutti privati di molti diritti fondamentali, siamo quasi svestiti da quelle dimensioni che ci rendono esseri umani, quella politica, quella sociale quella religiosa, avendo il Parlamento vuoto, i luoghi di assembramento vuoti, le chiese e le moschee vuote, le scuole e le università vuote. L'essere umano ridotto a questo è molto fragile di fronte a tutti coloro che sono assetati di dominio e sopraffazione. Io temo, e non sono il solo, che alcuni metodi repressivi della gestione dell’emergenza sanitaria rimangano anche quando l’emergenza sanitaria non ci sarà più. E i paesi più a rischio sono quelli più poveri di anticorpi democratici come l’Albania.
Io non apprezzo affatto questa Unione Europa che ha fallito nel mostrare il senso più profondo della sua esistenza in questo momento. Le dure controversie intraeuropee che ha suscitato questa drammatica situazione, e che vi hanno spinto alla ricerca di gesti simbolici di amicizia e sollievo altrove,  hanno le loro origini in questa Europa che purtroppo è anche opera della classe politica italiana. Ma detto questo, insieme alla riflessione su un’Europa da ricostruire, penso che gli aiuti che vengono da regimi che opprimono il loro popolo vi devono far riflettere di più sulle vere intenzioni di questi “nobili” gesti, se siano davvero nobili o se non siano, invece, operazioni mirate a coprire la miseria e il maltrattamento dei loro cittadini con la propaganda; se non sono gesti fatti per guadagnare appoggio e legittimità dal governo italiano per poter continuare a regnare indisturbati a casa propria. 


Inizio aprile, 2020

Un sincero affettuoso saluto da Tirana
Fatos Lubonja





Fatos Lubonja, ex-prigioniero politico, scrittore, giornalista. Nel 1994 ha fondato la rivista trimestrale “Perpjekja” (“Sforzo”), - un sforzo di introdurre lo spirito critico nella cultura albanese.
E’ autore di diversi libri di literatura e sagistica di cui due pubblicati in Italia. Ha ricevuto diversi premi in Italia e nel mondo tra cui il Premio Moravia per la literatura nell 2002.


Monday, March 30, 2020

Pse nuk bindi intervista e Grenellit



Dëgjova me vëmendje mbrëmjen e së premtes intervistën e Grenellit në T7 me gazetarin Berat Buzhala ku ai shpjegoi dorën amerikane në rrëzimin e qeverisë  Kurti. 
Sipas Grenellit shkaku ishte mos heqja e taksës pa kushte që, sipas tij, Kurti ia kishte premtuar përpara zgjedhjeve “duke e parë drejt në sy”. Arsyeja pse amerikanët ngulmuan kaq shumë që taksa të hiqet ishte sepse zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe ekonomike është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi, se kjo është në të mirë të popullit të Kosovës që po dëmtohet ekonomikisht si dhe në interesin e biznesit amerikan që kërkon të investojë në Kosovë.
Përsa i përket ndryshimit të kufijve Grenelli përsëriti pak a shumë deklaratën e bërë, së bashku me ambasadorin Kosnett dhe Palmerin, se ai nuk ka parë ndonjë plan sekret për të cilin flitet madje u shpreh se ai vetë është kundër idesë së ndryshimit të kufijve. 
Këto deklarime u interpretuan si mjaftueshëm bindëse  për Buzhalën dhe ata që kryen largimin e qeverisë Kurti, për të hequr dyshimin se dora amerikane u shty që t’i hapej rruga marrëveshjes për ndryshimin e kufijve dhe, më në përgjithësi,  dyshimin se Grenelli na e fshehu se ku fle lepuri? Gjykoj se për këtë do ishte dashur të  dëgjonim përgjigjet rreth disa pyetjeve/temave që munguan në atë intervistë. 
Tema e parë është ajo e ngutit: Pra, pse ky ngut për të rrëzuar një qeveri në kohën e pandemisë? Kaq të paduruar qenkan investitorët amerikanë për të investuar dollarët e tyre në Kosovë në kohë pandemie kur në të gjithë botën ekonomia po sakrifikohet për shëndetin? Po ende, edhe pse Grenelli e paska kaq merak interesin ekonomik të popullit të Kosovës, braktisjen e vendit, siç e theksoi, a nuk do të ishte më mirë që amerikanët të tregonin pak më durim duke pasur parasysh se po kthejnë në pushtet pikërisht ata që i kanë bërë të ikin kosovarët?
Tema e dytë munguese ishte se çfarë mendon Grenelli për reciprocitetin serb që kërkon Kurti, për fushatën që po bën Serbia për çnjohjen e Kosovës, sepse, tek e fundit, taksa u vu pikërisht për të parandaluar këtë fushatë dhe planin e promovuar nga Thaçi për ndarjen e Kosovës?
Dhe këtu vijmë tek pyetja ndoshta më e rëndësishme që mungoi. Si do ta interpretonte Grenelli faktin se administrata amerikane ka deklaruar se nuk e përjashton korigjimin e kufirit nëse shqiptarët dhe serbët do të arrinin një marrëveshje, - çka nuk e ka thënë vetëm ish bosi i tij Boltoni, por edhe kolegu i tij Palmer jo më larg se më 18 shkurt 2020? Pra, Grenelli duhej pyetur se ku e kanë burimin këto qëndrime amerikane, aq më tepër kur aleatët kryesorë evropianë të SHBA janë shprehur haptazi se janë kundër edhe sikur ta duan të dy palët. Them se ai do të na bindte më mirë sikur të na thoshte se e di që ka qarkulluar kjo ide, se edhe administrata amerikane e ka menduar si mundësi, por se tani kanë ndryshuar mendim duke na shtjelluar, mundësisht, edhe arësyet pse kanë ndryshuar mendim. 
Pra, lidhur me intervistën, mund të them se ajo nuk e hoqi dyshimin se projekti i ndryshimit të kufijve vazhdon të jetë i vlefshëm për administratën amerikane, (qoftë edhe pse, për këtë, nuk mjafton që Grenelli të thotë “unë jam kundër”) por, nga ana tjetër, ajo na përforcoi bindjen se Grenelli e mbajti të fshehur arësyen e ngutit amerikan për të rrëzuar një qeveri në kohë pandemie. 
Si përfundim, shpjegimi i amerikanit Grenell se e rrëzuan qeverinë në kohë pandemie për hallin e popullit shqiptar është po aq i pabesueshëm sa edhe shpjegimi i shqiptarëve që thonë se Kurti duhej larguar se po na prishte me amerikanët. Në këtë histori amerikani Grenell është po aq i (keq)përdorur nga shqiptarët sa ç’i ka (keq)përdorur ai shqiptarët për qëllimet e administratës amerikane. Se cilët janë këto qëllimet do të bëhet më e qartë në kohën në vazhdim, por meqënëse kemi mbetur me dyshime, do të thoja se i pari që të vjen në mendje është se Grenelli dhe Vuçiçi nuk duan Kurtin, por Thaçin në bisedimet mes tyre.
Sa për atë se cilat ishin qëllimet e shqiptarëve që rrëzuan qeverinë në kohë pandemie nuk ka nevojë të ngresh dyshime sepse ato janë të qarta. Janë të shkruara thuajse në çdo faqe të historisë sonë, si këtej kufirit nga Shqipëria edhe andej kufirit nga Kosova. (Panorama, 28 mars 2020)


Perëndimi po mban në këmbë narko-shtetin shqiptar


Në pranverën e vitit 2019, partitë opozitare shqiptare u larguan nga parlamenti. Bashkëpunimi mes krimit të organizuar dhe Partisë Socialiste në pushtet gjatë zgjedhjeve ishte i qartë. Ato deklaruan se nuk donin të ishin më fasada demokratike e një narko-shteti. ‘The Independent’ e quajti Shqipërinë ‘Kolumbia e Europës’. Protestat dhe mosbindja civile duhej të kishin alarmuar opinionin publik në vend dhe politikanët perëndimorë. Por Brukseli e dënoi opozitën dhe mbështeti qartësisht qeverinë. Argumenti kryesor: Ju keni bërë progres drejt standardeve tona, prandaj nuk duhet të dilni nga parlamenti. Dhe tani edhe Holanda po bie dakord që BE të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Përse kjo mbështetje për qeverinë autokratike dhe të korruptuar të Shqipërisë, e cila bashkëpunon gjithnjë e më shumë me krimin e organizuar? Sepse Bashkimi Europian dhe SHBA preferojnë ‘stabilitetin’ përpara demokracisë. Është edhe rreziku i rritjes së ndikimit rus ose turk në rajon. Për SHBA është e rëndësishme që qeveria shqiptare pranoi një grup muxhahedinësh iranianë si refugjatë. Megjithatë shkaku kryesor i ndihmës qëndron diku tjetër. 
Tranzicioni nga vendet komuniste drejt modelit perëndimor u bazua në dy paradigma sempliste: ‘fundi i historisë’ i Fukujamës dhe ‘vendet e përçara’ të Hantingtonit. Elitat pro perëndimore në vendet lindore (në kontrast me mentalitetin lindor të popujve të tyre dhe për këtë “vende të përçara” sipas Hantigtonit) duhej të udhëhiqnin  popullin e tyre drejt ‘Tokës së premetuar’ që Perëndimi e kishte arritur tashmë (Fukujama). Ky i ashtuquajtur ‘tranzicion’ do të sillte zgjerimin e Perëndimit sipas një modeli që do të pushtonte botën.
Udhëheqësit e popullit 
Elitat politike perëndimore do të mbikëqyrnin vendet e Europës Lindore në këtë tranzicion. Elitat lindore – nën legjitimimin e tyre – do të shërbenin si udhërrëfyese të popujve të tyre. Ato do të garonin se kush do t’i plotësonte më mirë kërkesat e Perëndimit. Disa vende tani janë pjesë e BE. Ballkani Perëndimor, pjesa e fundit e karvanit, thuhet se po zhvillohet në mënyrë inkurajuese. 
Në realitet, me Trumpin, Brexitin dhe lëvizjet sovraniste në vendet e BE, Perëndimi tregon se nuk e ka arritur tokën e premtuar. Me zhvillimet autokratike në Hungari dhe Poloni, dhe me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dhomën e pritjes; perspektiva është edhe më e zymtë.
Ekonomia shqiptare ka qenë gjithmonë e dobët, informale dhe kriminale - por në vitet e fundit po financohet gjithmonë e më shumë nga krimi i organizuar. Shpërthimi masiv i ndërtimeve në Tiranë nuk është tjetër veçse pastrim parash nga të ardhurat e krimit të organizuar shqiptar në Europë. Politika shqiptare i ka promovuar gjithmonë e më shumë këto interesa. Ajo është bërë gjithmonë e më autokratike, me demokraci të kufizuar. Trafikantët dhe vrasësit kanë arritur të futen në Parlament, të zgjidhen edhe kryebashkiakë në shumë qytete, gjë që nuk do të ishte kurrsesi e mundur në vitet ’90.
Shumë shqiptarë kanë braktisur vendin në vitet e fundit. Sipas agjencisë kërkimore Gallup (2017), 56 përqind e njerëzve duan të emigrojnë. Në vitin 2100, Shqipëria që ka tani 2.87 milionë banorë, do mbetet vetëm me 512 mijë.
Përparim? 
Shqipëria nuk është në një tranzicion drejt anëtarësimit në BE. Në vend po stabilizohet gjithmonë e më shumë një  narko regjim autoritar. Po pse euroburokratët këmbëngulin se Shqipëria ka bërë përparim? Shkaku duhet kërkuar tek neo-liberizmi që u aplikua në Perëndim, si dhe në vende si Shqipëria, dhe që  dështoi. Dallimi mes vendeve perëndimore dhe lindore qëndron tek shtrirja e kësaj sëmundjeje dhe tek sistemet e tyre imunitare. Në Perëndim, neo-liberalizmi dhe globalizmi kanë pjellë ‘post-demokracinë’ (Colin Crouch), në të cilën politikanët janë administratorë të thjeshtë të interesave ekonomike të disave, me shumicën e mbetur pa përfaqësim politik. Vende si Shqipëria janë shembulli më dramatik i kësaj post-demokracie. Aty diktatura kaloi direkt në një post-demokraci, pa e provuar demokracinë. Ata ‘pak’ në Shqipëri janë kryesisht eksponentë të krimit të organizuar që kanë kapur shtetin, duke i bërë institucionet e tij asgjë më shumë sesa vegla për zgjerimin e fuqisë së tyre ekonomike.
Mbështetja e SHBA dhe BE për narko-shtetin shqiptar buron nga refuzimi i tyre për të pranuar dështimin e neoliberizmit dhe globalizimit si në vendet e tyre edhe përsa i përket projektit të bashkimit evropian. Ata duan të ruajnë mitin e tranzicionit sipas të cilit vende si Shqipëria janë ‘të ndryshme’ për shkak të kaluarës së tyre komuniste; se ata do t’i kapërcejnë këto dallime me ndihmën e BE. Euroburokratët, njësoj si elitat e korruptuara të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë të vazhdojnë narrativën e vjetëruar të tranzicionit për të ruajtur pushtetin e tyre. Ato e paralajmërojnë publikun për lëvizjet populiste të majta dhe të djathta (apo për vendet që konsiderohen armike gjeopolitikisht si Rusia). Por është vetë BE dhe SHBA që kanë ngritur post-demokracinë – me fytyrë njerëzore apo çnjerëzore - në Europë.(Shkrim i botuar në të përditëshmen e njohur holandeze, "Volkskrant”, 24 mars, 2020).



Sunday, March 22, 2020

Një reflektim mbi videon algjeriane të Kryeministrit


Ankthi që kërkon armik

Publikimi nga Edi Rama i një videoje protestash në Algjeri, ku pamjet e një tufe policësh të egërsuar që godasin njerëzit nëpër rrugë me shkopinj gome, na i shiti sikur ishin pamje ku policia spanjolle po largonte nga rruga qytetarët, për shkak të rrezikut të korona virusit, nuk është gafë. Kush e mendon kështu nuk është thelluar fare në kuptimin e këtij akti të kryeministrit tonë. Kjo “gafë” flet shumë më tepër se një gafë, nëse me këtë fjalë kuptojmë një lapsus, një rrëshqitje pa dashje në një gabim. Ai flet për rrezikun ku mund të na çojë patologjia antidemokratike e kryeministrit tonë në kushtet ekstreme ku ndodhemi. Nuk ka dyshim se një njeri dhe politikan normal i një vendi demokratik, sikur t’i dërgonin këtë video duke i thënë: “shiko se ç’po bëjnë spanjollët për shkak të korona virusit” së pari do të çuditej, së dyti do të kërkonte të sigurohej se si ka mundësi që policia e një vendi si Spanja mund t’i mësyjë  kësisoj njerëzit paqësorë, vetëm pse kanë dalë në rrugë apo shkuar në dyqan jashtë orarit të përcaktuar dhe, më në fund, edhe sikur t’i konfirmonin se  është e vërtetë, do të thoshte se kjo është një çmenduri që nuk do të ndodhë kurrë në vendin tim dhe do ta hidhte videon në koshin e plehrave të celularit. 
Fakti që Kryeministri ynë e nxori këtë video në publik, për tu thënë qytetarëve shikoni se çfarë ju pret po nuk respektuat urdhrat e mia, jo  vetëm tregon se Edi Rama nuk hyn në këtë kategori njerëzish e politikanësh, por tregon edhe se është shumë, po shumë i rrezikshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që jemi të detyruar të jetojmë.

Ne po përjetojmë një situatë që ka prodhuar një gjendje të veçantë psikologjike: atë ku tjetrin nuk e shikojmë më si më parë: d.m.th. si njeriun e afërm, mikun, komshiun e mirë, mësuesin e fëmijëve, shitësin e sjellshëm, por si një rrezik për jetën tonë, të cilit duhet t’i rrimë larg. Pyetja që ngrihet është: sa larg mund ta çojmë këtë qëndrim larg ndaj njëri tjetrit pa humbur humanizmin? Është e qartë se me njerëzit e afërt, megjithëse rrimë larg, arrijmë të shkëmbejmë afeksionin dhe kujdesin, shpresën se kjo ndarje do të jetë e shkurtër, madje se nuk është një ndarje, por një solidaritet ndryshe, thuaj po deshe përgjegjësi. Por bashkëqytetarëve me të cilët ndeshemi në rrugë apo në radhën e dyqanit e kemi më të vështirë t’ua komunikojmë këto ndjenja solidariteti ndryshe, me ta jemi shumë më të gatshëm të nervozohemi kur dikush nuk ruan distancën apo kur shikojmë të rinj që nuk e çajnë kokën dhe rrinë bashkë sikur asgjë nuk ka ndodhur. E pra, është kollaj në këtë situatë që tjetrin që sillet kështu ta shohim si armik. Aq më tepër kur dëgjon Kryeministrin tonë të thotë një dy se jemi në luftë, e se ata që sillen kështu janë tradhtarë. Ka një problem të madh në këtë metaforë që e bën sipas meje të papërshtatshme në situatën që po përjetojmë. Në luftë ushtarët e armikut ne i presim të na vijnë nga jashtë të na bombardojnë me aeroplanë e topa apo të na vrasin me pushkë e mitraloza dhe i luftojmë po me këta mjete. Nuk është ky krahasimi i duhur për gjendjen ku ndodhemi. Nuk është krahasimi i duhur edhe sikur të themi se jemi si në gjendjen e atyre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë që rrinin të fshehur nëpër strehime të ndryshme me tensionin se mund të vinin t’i gjenin e me veshët tek radioja për të kuptuar se kur do të mbaronte Lufta – siç më ka ardhur të bëj krahasimin duke komunikuar me një mike. Nuk i shkon as krahasimi, ndoshta më i përafërt, sikur virusin ta krahasojmë me atë terroristin kamikaz, që futet tinëz midis nesh me eksploziv në brez që të shpërthejnë papritur e të na vrasë.  Nuk janë këta krahasimet e duhura sepse në rastin tonë “ushtarët” e armikut, agjenti i Gestapos, terroristi, jemi ne vetë për njëri-tjetrin. Ne na duhet t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit duke ruajtur distancën, por duke ruajtur edhe dashurinë, miqësinë, mirëkuptimin dhe jo duke e parë njëri tjetrin si armik. Nëse mund të quhet luftë kjo është një luftë me ankthin brenda nesh i gjeneruar nga një armik i padukshëm e i kudondoshëm. Rrezikun më i madh që paraqet ky ankth nga e padukshmja është që, për tu çliruar prej tij, ta kthejmë në frikë ndaj një armiku të dukshëm me iluzionin se po ta eliminojmë atë, do të shpëtojmë. Dhe kjo rrezikon të na kthejë shumë lehtë në bisha të gatshëm për të goditur njëri-tjetrin. Videoja që na ofroi Kryeministri ishte ilustrimi më i mirë i kësaj. Kryeministri ynë tregoi se është në këtë gjendje ankthi që kërkon një armik për t’u çliruar, aq më tepër duke pasur parasysh se edhe pa korona virusin gjysmën e shqiptarëve i konsideronte si armiq e tradhtarë. Nuk është vështirë të imagjinosh se, në situata që mund të vijnë duke u rënduar, bashkëqytetarët tanë policët, që janë edhe ata nën trysninë e ankthit nga armiku i padukshëm, të humbasin ekuilibrin e, me një urdhër të kryeministrit nga Surreli, të kthehen në bisha ndaj sivëllezërve të tyre. Dhe ky është një rrezik i madh sepse në kushtet e deprimimit e izolimit ku ndodhemi, që rrit ankthin, e që parashikohet të zgjasë duke u rritur, dhuna mund t’i çojë edhe në agresivitet të dëshpëruar me pasoja të paparashikueshme. Që të mos ndodhë kjo, njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për sa më shumë dhënie shprese, kuraje, dashurie, solidariteti, sakrifice, kujdesi, mbështetjeje, inkurajimi, durimi dhe për sa më pak ndjenja negative siç janë ato që ngjallin kërcënimet e dhuna ndaj njëri tjetrit. (Panorama 22 mars 2020)

Thursday, March 5, 2020

Albin Kurti, ne dhe amerikanët


Albin Kurti ka shansin historik të hapë një epokë të re në kulturën e qeverisjes së shqiptarëve. Midis së tjerash, kjo do të duket edhe në mënyrën sesi do të sillet me presionin amerikan për heqjen tërësisht të taksës ndaj Serbisë nga ana e Kosovës.
Këtë shkrim nuk e kam nisur thjesht nga çështja e heqjes apo jo, plotësisht apo pjesërisht, së taksës ndaj Serbisë. Më ka shtyrë ta shkruaj nevoja e reagimit ndaj mënyrës arrogante, me të cilën i ngarkuari nga Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ishambasadori në Gjermani, Grenell, kërcënoi qeverinë e sapokrijuar të Albin Kurtit. Më ka shtyrë edhe më tepër aversioni i akumuluar ndër vite ndaj politikanëve shqiptarë që e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre, duke u bërë shërbyes të bindur e hipokritë të të fuqishmëve, për të abuzuar pastaj në mënyrën më të keqe me popullin e tyre. Albin Kurti ka shumë kundërshtarë në konfliktin që ka krijuar, por ata kryesorët nuk janë as amerikanët si Grenell, Pompeo apo Trump dhe as serbët si Vuçiç e Daçiç, por kategoria e shqiptarëve që përmenda dhe kultura dominante që ata kanë përçuar ndër shqiptarë. Janë sjelljet dhe qëndrimet e tyre, si në Kosovë edhe në Shqipëri, që kanë bërë që shqiptarët të mbeten infantilë, të mos zhvillojnë dot mendimin kritik dhe bashkë me të edhe personalitetin, dinjitetin dhe ndjenjën e lirisë të vetes dhe bashkësisë, së cilës i përkasin. Ideja se çdo kërkesë amerikane duhet zbatuar pa u vënë në diskutim, madje as në dyshim, e ka folenë në trutë e shqiptarëve dhe jo të amerikanëve. Edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve.
Po hedh këtu disa teza se pse për t’u rritur duhet të çlirohemi nga disa paradigma që i bëjnë shqiptarët të sillen kështu ndaj SHBA.
Së pari: shqiptarët e Kosovës (por edhe të Shqipërisë) duhet të çlirohen nga paradigma, sipas së cilës pa amerikanët nuk do të kishim Kosovën, prandaj duhet t’u jemi përherë mirënjohës deri në nënshtrim. Për këtë le të kthehemi pak në origjinën e kësaj paradigme: bombardimet e NATO-s, e të shtrojmë pyetjen: pse bombarduan amerikanët për interesin tonë apo për interesin e tyre? Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane. Ndër opinionet më të përhapura është ai se nëpërmjet këtyre bombardimeve justifikohej ekzistenca e NATO-s edhe pas Luftës së Ftohtë, që sipas marrëveshjes (së pashkruar) me Gorbaçovin, do të shkrihej me shkrirjen e Traktatit të Varshavës, pasi kishte lindur pikërisht për t’iu kundërvënë këtij. Ndërkaq, intelektuali më i rëndësishëm amerikan, Naom Chomsky, duke cituar një burim tepër serioz, librin e zyrtarit të lartë të administratës amerikane, John Norris, “Collision Course – NATO, Rusia and Kosova” (Kursi i përplasjes, NATO, Rusia dhe Kosova) me parathënie të Strobe Talbot, nënsekretar i Departamentit të Shtetit për Europën Lindore, jep një tjetër version. Chomsky thotë se, sipas Norris, të cilin Strobe Tablod në parathënie e quan njeriu më i informuar mbi atë se si mendonte në atë kohë administrata e Clinton, bombardimet nuk u kryen për shqiptarët e Kosovës, por pasi Millosheviçi nuk po pranonte ende reformat ekonomiko-sociale që kërkonte Perëndimi për ta futur Serbinë në sferën e influencës së vet. Fakti që amerikanët nuk kanë ndërhyrë në mbështetje të popujve të tjerë që luftojnë për pavarësi dhe shtetin e tyre, siç është rasti i kurdëve, madje i kanë lënë ata edhe në baltë, siç ndodhi së fundi me vendimin e Trumpit, është një nga provat e shumta se amerikanët venë në radhë të parë interesat e tyre.
Pra, nëse do të pranojmë se amerikanët kanë bombarduar për interesat e tyre, konkluzioni i parë që duhet të nxjerrim është se, ndonëse në këtë rast përfituan edhe shqiptarët, për çka duhet t’u jemi mirënjohës, nuk ka pse ta shohim veten vetëm si mirënjohës kurse amerikanët t’i shohim vetëm si mirëbërës. Le të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës i paguan edhe me jetët e tyre interesat amerikane pasi në 10 000 shqiptarët e vrarë, 8000 janë pas bombardimeve, kurse amerikanët nuk kanë humbur asnjë ushtar.
Së dyti: duhet të çlirohemi nga paradigma se amerikanët mendojnë gjithnjë në interesin e shqiptarëve dhe se çdo veprim i tyre është në anën e frontit të së mirës kundër fronti të së keqes. Fakti që në 1999 u përputhën interesat e tyre me të shqiptarëve nuk është provë e mjaftueshme se sa herë që ata u kërkojnë ndonjë gjë shqiptarëve e bëjnë për interesin e të dyja palëve. Pa shkuar në shembuj të shumtë nëpër botë, po përmend një rast që e kemi provuar në Shqipëri: presioni i ambasadorit amerikan Arvizu për të sjellë armët kimike siriane në Shqipëri.
Së treti, shqiptarët vuajnë shumë nga paradigma se po iu kundërvure SHBA-ve, ata të rrëzojnë nga pushteti. Historia tregon se jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Venezuela është një nga rastet e fundit. Po ashtu, obligimet që kemi ndaj aleancës së NATO-s nuk duhen barazuar me thënien peqe-lepe çdo kërkese amerikane sepse nuk është kjo sjellja e aleatëve të tjerë shumë më të vjetër e shumë më të pjekur të SHBA-ve. Për të mos përmendur rastin e Turqisë, që mban qëndrime haptazi antiamerikane duke mbetur në aleancën e NATO-s.
Le të kthehemi tani në rastin konkret:
Në rastin e qeverisë “Kurti” nuk kemi të bëjmë me ndonjë qeveri që bën politika antiamerikane, përkundrazi. Atëherë si ta shpjegojmë kërcënimin arrogant të Grenell-it? Duke iu referuar sa thashë më sipër, së pari them se ngulmimi amerikan për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit Kosovë – Serbi duhet parë si interes amerikan. Së dyti, ai duhet vënë në peshoren e dyshimit nëse është në përputhje apo bie ndesh jo vetëm me interesat e shqiptarëve, por edhe të një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme të konfliktit shqiptaroserb. Një zgjidhje e tillë e shpejtë, siç kërkon ta imponojnë njerëzit e Trumpit, do të ishte një ‘jozgjidhje’ me pasoja, siç ishte edhe ideja e ndryshimit të kufijve. Nuk dua të hyj në spekulime se cilat mund të jenë interesat amerikane në këtë rast, por nuk mund të rri pa ngritur dyshime, aq më tepër se deri dje ka pasur dyshime të forta se projekti i ndryshimit të kufijve, që u kundërshtua nga partnerët europianë, vinte nga SHBA. Aq më të mëdha bëhen këta dyshime duke pasur parasysh se shumë aksione të Trump-it janë vënë në diskutim, por edhe në akuzë nga demokratët dhe mediat amerikane. Aq më tepër po të kesh parasysh se njeriu i ngarkuar për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Grenell, është cilësuar nga “New York Times” si “i shquar” për ndërhyrje “jodiplomatike” edhe në Gjermani, ndërkohë që “Washington Post” ka ngritur dyshime serioze për mbështetje nga ana e tij, kundrejt pagesës, të autokratëve të korruptuar.
Por shqetësimin dhe dyshimin më të madh unë e ngre duke u nisur nga fakti se qeveria e Albin Kurtit është, ndoshta, shpresa e fundit që u ka mbetur shqiptarëve të Kosovës për t’u qeverisur nga njerëz që i shërbejnë popullit të tyre dhe jo që e nëpërkëmbin atë. Prandaj, nga amerikanët e mirë do të duhet të prisnim mbështetjen e kësaj qeverie për mbajtjen e premtimeve për çlirimin nga shteti i kapur, për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Kurse çka ra në sy në mënyrën më dramatike ishte fakti se i dërguari i Trump-it e injoroi krejtësisht këtë interes madhor shqiptar dhe u duk i gatshëm ta rrëzojë qeverinë “Kurti” vetëm pse nuk iu bind plotësisht një interesi të dyshimtë amerikan. (Panorama, 4 mars 2021)