Intervistë dhënë gazetarit Aristir Lumezi (Panorama,
31 gusht 2012)
Zoti Lubonja, një shqetësim juaji i
shprehur përmes një shkrimi në gazetën Panorama për ndërtimin pa kriter në të
gjithë Shqipërinë të HEC-eve, gjeti një reagim nga kryeministri Berisha gjatë
mbledhjes së qeverisë. Si u ndjetë ndaj këtij reagimi?
(qesh)… nga e dinit ju se reagimi i
Kryeministrit kishte të bënte me shkrimin tim, sepse ai thotë "një
eksponent i opozitës", unë nuk jam eksponent i opozitës; thotë për
titullin "hidrocentralizimi i Berishës", ndërkohë që titulli i
shkrimit tim ishte "Hidrocentralizimi i Shqipërisë"…
Por tema e trajtuar është juaja..
Po, tema është imja. Dhe, pa humor,
besoj se reagimi ishte bash ndaj shkrimi tim. E prita me trishtim. Pavarësisht
nga gjuha që përdor unë si gazetar, që më lejohet të përdor edhe satirën, apo
ironinë dhe provokimin, thelbi i artikullit meritonte një përgjigje serioze,
institucionale, dhe jo përgjigje plot me insinuata dhe sulme ndaj personit. E
para gjë që dua të them është se unë ka shumë kohë që e ngre këtë shqetësim.
Thelbi i shkrimit tim ishte që në Shqipëri nuk ka një vizion zhvillimi të
qëndrueshëm afatgjatë, por interesa klientelare biznesesh të tipit “kafsho dhe
ik” që kanë kapur dhe komandojnë politikën me pasoja katastrofike për
territorin. Këtë e kam denoncuar
në mënyrë të vazhdueshme edhe gjatë kohës që në pushtet ishin socialistët. Në
atë kohë e kam vënë veçanërisht theksin tek industria e ndërtimit që shkatërroi
shumçka në bregdetin tonë, në qytetet tona, në tokat tona të bukës me pasoja që
sot i sheh kushdo. I kujtoj kryeministrit që edhe ai vetë kur ishte në opozitë,
e sulmonte këtë industri të Edi Ramës, si industria e pastrimit të parave të pista.
Unë them se po aplikohet me lejet për HEC-et i njëjti model falimentar i lejeve
të ndërtimit, po kalohet nga politika “një pallat një votë” në “një HEC një
votë”, apo “një fabrikë çimentoje një votë”. Meqë më cilëson si eksponent i
opozitës, unë do t'i përgjigjesha Kryeministrit se do të isha shumë i kënaqur
sikur opozita të fliste me gjuhën që flas unë, por fatkeqësisht nuk është
kështu.
Mendoni se ka një handikap mes
prioritetit për turizmin dhe zhvillimit industrial në zonat turistike?

Unë nuk them se nuk kemi nevojë për
energji, por se, nëse ke prioritet turizmin, nuk mund të ndërtosh HEC mbi
gjiret më të bukura të bregdetit shqiptar, apo deltat e lumenjve apo në Lurë si
kanë bërë këta, se Shqipëria ka nevojë për energji, por me masë, sipas nevojave
që kanë shqiptarët dhe jo ta kthesh vendin në një platformë HEC-esh që do të
prodhojnë energji që do të shitet në të gjithë Ballkanin e më gjerë e që
rrezikon të na çimentojë territorin. HEC-i i Ashtës psh. që përmendte Berisha
do t'i shesë Keshit për 35 vjet energji. Unë ngre pyetjen: cili është përfitimi
nëse ne e blejmë energjinë nga jashtë apo e blejmë nga austriakët e Ashtës dhe,
edhe nëse ka ndonjë përfitim, a ia vlen ky në krahasim me humbjet ambjentale,
pejsazhike, turistike, etj që sjell ky çimentifikim. Shikoni këtë foton që
tregon pamjen nga Vau i Dejës për në Shkodër çfarë mrekullie pejsazhike është.
Kjo deltë është kthyer në një kanal çimentoje sot nga HEC-i i
austro-berishistëve. Atje ka pasur ngjala me një sasi të tillë sa thuhej se
vendasit ia jepnin derrave. Ka pasur trofta. Ato janë zhdukur. A nuk është krim
ky? Unë kam këtu një letër që Qendra Ekolëvizja e Xhemal Matos i ka drejtuar
Kryeministrit dhe tërë autoriteteve mbi pasojat mjedisore të HEC-eve që po ua
jap me lutjen që ta botoni bashkë me këtë intervistë. Pasi të lexosh edhe atë
mund të ngresh edhe një herë pyetjen: përse këta austriakët nuk ndërtojnë HEC-e
në Austri për t'ua shitur botës, por i ndërtojnë në Ashtë, Devoll e ku di unë?
Por zoti Berisha ju akuzon si
antiglobalist
Dihet se një nga problemet e mëdha që ka
nxjerrë globalizmi sot në botë është mungesa e institucioneve globale që të
kontrollojnë ekspansionin e pakontrolluar të kapitalit. Vende si Shqipëria janë
të predispozuar për të qenë viktima kryesore të këtij ekspansioni; sepse janë
vende ku nuk ka politikanë që përfaqësojnë realisht interesat e shumicës, ka
pak reagim qytetar, shoqëri civile, medie të ndershme. Kështu kryeministri ynë
ia jep terrenin tonë pa kontroll ekonomisë globale, madje duke nxjerrë edhe një
parrullë "Shqipëria një euro". Ju kujtoj se pak kohë më parë i ftoi
italianët për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri ndërkohë që po në
atë kohë Niki Ventola, guvernatori i Pulias, deklaroi se qeveria italiane vetëm
me ushtri mund ta ndërtonte një central bërthamor në Pulia. Pra shikoni se
çfarë diference. I them po ashtu Kryeministrit se sipas studimeve del se, nëse
të gjithë duhet të jetojnë në standartet e SHBA, siç aspirojmë, do të duhen 5
planete përsa i përket burimeve. Kjo e ka vënë botën në alarm lidhur me atë se
çfarë po bëjmë ne me planetin, e të kërkojë ndryshime rrënjësore të zhvillimit
në emër të mbrojtjes së planetit. Kjo duhet të na bëjë ne të ndjehemi të
përgjegjshëm për këtë planetin tonë të vogël, Shqipërinë, me të cilin kemi lidhur
jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Ti skartosh këto shqetësime duke përdorur në
mënyrë mistifikuese fjalën "antiglobalist" këtë mund ta hanë
injorantët, por kam përshtypjen se Kryemistri e ka humbur kontaktin me
njerëzit.
Megjithatë shoqëria civile duket se
është inegzistente, por si gjykoni edhe mungesën e një reagimi të fortë nga
opozita, e cila e ka detyrim dhe për shkak të votës që ka marrë nga qytetarët
për të bërë oponencën e qeverisë në interes të publikut?
Kjo pyetje meriton të ndalemi në dy
çështje. Së pari, për fat të keq, siç tregon edhe reagimi i Kryeministrit ndaj
meje, në Shqipëri klasa politike ka krijuar një bipolarizim llogoresh, duke
futur dhe mediat në këtë lojë, sipas mendësisë staliniste “ose me mua, ose
kundër meje” sipas të cilit po nuk je me Berishën je me Ramën dhe e kundërta e
duke e asgjësuar edhe shqërinë civile si kundërpart i pushtetit. Unë jam një
njeri i shoqërisë civile, i shtypit, që kam mbrojtur disa tema të caktuara të
cilave mendoj se i qëndroj dhe do t'i qëndroj koherent kushdo që të jetë në
pushtet. Kurse Kryeministri në vend se të merret me argumentet kërkon të më
deligjitimojë si pjesë e armikut të tij. Për fat të keq këtë ka bërë opozita me
mua edhe kur kritikoja ndërtimet në Tiranë, bregdet e gjetkë.
Këta kanë harruar se ne jetojmë në
demokraci që do të thotë: ekzistenca e shumë palëve, shumë ideve, shumë
pushteteve (jo vetëm një apo dy) dhe mbi të gjitha ekzistencë e "check and
balance" e sundimit të ligjit/së drejtës ndaj të cilit të gjithë janë të
barabartë. Këta duan ta reduktojnë demokracinë në alternim i pushtetit të Sali
Berishës dhe Edi Ramës si dy kryetarë bandash që s'pyesin as për drejtësi as
për opinion publik. Nëse nuk ekziston drejtësia, media e pavarur, shoqëria
civile atëherë llogorizimi në dy ushtri që kërkojnë të asgjësojnë njëra tjetrën
do të çojë tek eleminimi përfundimtar i njërit dhe në një regjim putinist - siç
po ndodh.
Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës?
Lidhur me heshtjen e opozitës unë
ngulmoj se ajo që trajtoj s'ka të bëjë thjesht me emrat Rama-Berisha, por është
çështje sistemi, i marrëdhënies biznes - politikë që kemi ndërtuar dhe se
opozita eviton të merret me këtë së pari pasi është ndërtuesja e këtij sistemi,
e dyta sepse është peng e tij dhe e protagonistëve të tij. Shikoni se ç'ndodh në
Durrës, në Vlorë, në Korçë ku qeveris opozita, shikoni Tiranën e Edi Ramës -
është e njëjta praktikë ekonomie të paqëndrueshme shkatërruese të territorit,
të trashëgimisë kulturore etj.. Prandaj akuza e kryeministrit se unë punoj për
llogari të Edi Ramës, tenton të manipulojë ato mendje militantësh sipas të
cilëve nëse je kundër kryeministrit, je me Edi Ramën. Unë i kam rezistuar dhe
do t'i rezistoj këtij manipulimi që kërkon të na imponojë një realitet sipas të
cilit nuk kemi asnjë shpresë tjetër veçse të punojmë për njërën bandë apo për
tjetrën. Me këtë rast dua t'i tërheq vëmendjen kryeministrit, dhe jo vetëm
atij, në faktin se në të gjitha ato vende që janë në një lloj krize të
besueshmërisë ndaj kastës politike në pushtet dhe opozitë, si Greqia, Italia,
Spanja, do të vesh re sot një rritje të jashtëzakonshme të atyre që kontestojnë
tërësisht këtë kastë duke mbështetur forca të tjera. Në Greqi është Syriza,
partia që ka marrë më shumë vota se edhe vetë PASOK-u, në Itali është lëvizja e
Pepe Grillos që, sipas sondazheve, ka shkuar në 20%, në Spanjë janë të
indinjuarit, lëvizje transversale që kritikon tërë klasën politike, që
mbështeten në masën 80% nga opinioni publik. Sot më tepër se kurrë ndjehet edhe
në Shqipëri nevoja për këto forca të reja.
Ju keni qenë edhe kundër lëvizjes
importimit të plehrave. Kërkesa juaj për referendum u shty deri në bllokim të
saj për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa kryeministri po bëhet gati të
verë në lëvizje të gjithë institucionet për të nisur me shpejtësi një referendum
për imunitetin. Shikoni në këtë rast një standart të dyfishtë?
Për fat të keq ky fakt është treguesi më
elokuent i asaj që kryeministri nuk arrin dot më as ta ruajë formalisht
aparencën e funksionimit të institucioneve që, me ligj, duhet të jenë të
pavarur, jashtë diktatit të tij. KQZ-ja bëri të gjitha manovrat e mundëshme për
ta shtyrë referendumin tonë në kalendat greke, kurse sot Kryeminstri flet sikur
ta ketë Restanin apo zëvendësin e tij në xhep. Meqë ra fjala edhe kritika jonë
për plehrat është në koherencë me çka them për HEC-et, pra që nuk po bëjmë
ekonomi të qëndrueshme për vendin, por ekonomi për interesa të një pakice
të papërgjegjëshme, për të mos thënë kriminale. Po ju bëj unë një pyetje juve?
Ku janë baronët e drogës sot, të cilët kryeministri i kishte të skeduar? Jo
vetëm që në burg nuk kanë hyrë, por kam përshtypjen se një pjesë e mirë kanë
ndërruar kostumet dhe e kanë bërë blu!
A është momenti për një rotacion dhe a
vjen zgjidhja pas saj?
Unë jam i mendimit që kjo qeveri duhet
ndëshkuar sepse ka dështuar dhe po i del situata gjithnjë e më shumë jashtë
kontrollit. Nuk po kontrollohen dot më as zjarret e le më kriminaliteti që
është bërë i frikshëm. Ndoshta Kryeministri takon vetëm njerëz të kënaqur dhe
xhepaplot, por mua më rezulton se pasiguria e së ardhmes dhe pyetja gjithë
frikë: "Ku po i rrisim fëmijët?" po pushton një pjesë gjithnjë e më
të madhe të shoqërisë. Ndërkaq jam shumë i vetëdijshëm se duhet një projekt i
besueshëm nesër, që të mos ndërrojmë vetëm shoferin e makinës, ndërkohë që
makina vazhdon të ecë drejt humnerës. E kam thënë edhe në shkrimin e
fundit dhe e përsëris që, për fat
të keq, nuk shohim projekte bindëse nga opozita e vjetër dhe opozita e re që të
ndryshojë rrugën e kësaj makine. Në këtë aspekt mendimi im është se duhet
kushtëzuar fort opozita për të ndërtuar një projekt të tillë, duhet bërë luftë
politike që nesër, nëse ikën kjo qeveri, të mos përsëritet e njëjta situatë me
pasoja të njëjta.
Si mund të bëhet ky kushtëzimi?
Kjo
është e vështirë kur ke parasysh se opinioni bombardohet nga mediat që të
votojë për fitoren e njërit apo për humbjen e tjetrit dhe jo një projekt bindës
ndryshimi. Opozita ka deklaruar se do t'i anullojë konçesionet e HEC-eve. Kjo
jep vetëm pak shpresë sepse s'mund të harrosh se edhe Berisha bëri propozime të
tilla ndaj projekteve të opozitës dhe nuk i mbajti pasi fjalët në opozitë bëhen për të
mashtruar popullin, por veprat në pushtet pastaj bëhen për ata që të kanë
paguar fushatën elektorale sipas modelit klientelar e korruptiv për të cilin po
flas. Prandaj unë kam ngulmuar se duhet sulmuar sistemi në thelbin e vet dhe se
figurat përgjegjëse për këtë sistem duhet të ikin nga skena politike duke
përfshirë edhe Ramën, se duhet të dalin njerëz të rinj që nuk janë peng i
lidhjeve të vjetra dhe i të njëjtit model. Mirëpo kjo, realisht, duket e
pamundur pasi është bërë manipulimi llogorizues prapa këtyre liderëve, por edhe
sepse duket sikur s'ke ku t'i gjesh njerëzit e rinj në këtë këtë realitet ku e keqja në mënyrë
kapilare prek çdo njeri. Unë nuk bëhem dot as mbështetës i AK e cila më duket
sikur kërkon t'i mbulojë me një flamur kuq e zi tërë këto probleme që ka vendi,
apo t'i transferojë në Greqi apo tek ruajtja e gjakut shqiptar të pastër. Çdo
ndryshim është ndryshim thotë një fjalë e urtë. Ndoshta një kombinim aleancash
bashkë me rritjen e ndjeshmërisë me thellimin e krizës, mund të na sjellë
ndryshim pozitiv. Por duhet të kemi parasysh se ndryshimi i një ekonomie, që
për mua është në koma, mbetet tejet problematik sepse, dashur pa dashur, ai
mund të këpusë edhe tubat e fundit që e mbajnë të sëmurin në jetë. Por ndoshta
është më mirë kështu sesa ky ngulmim terapeutik për ta mbajtur të sëmurin
gjallë në gjendje kome.
Fund i intervistës
Letra e EkoLevizjes drejtuar Kyeministrit
DREJTUAR: Kryeministrisë
Ministrisë së Mjedisit
Këshillit Kombëtar të Ujërave
Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës
Këshillit Europian
Komisionit Europian
OBJEKTI: Mbi pasojat mjedisore të ndërtimit të
hidrocentraleve
I nderuar Z./Zj.,
Rrjedhat ujore mund te konsiderohet
pasuria natyrore me e madhe per Shqiperin. Qeveria shqiptare ka vendosur si
objektiv të shfrytëzojë
ekstremisht lumenjte me ndërtimin e HEC-eve për
prodhimin e energjisë elektrike. Përpos 108 hidrocentraleve të vjetër që kanë
qenë në funksionim që përpara viteve 90, në periudhën 2007-2011 janë dhënë 120
konçencione për ndërtim HEC-esh dhe numri i pergjitheshem i licensave te reja
per hidrocentrale te vegjel i kalon
400 h/c-et. Ky numur i madh i H/C-ve, i vendosur vetem ne 7 lumenjte
kryesore te vendit tregon se kjo veprimtari perben nje shfrytezim te deformuar te ketyre burimeve
natyrore.
Ne e vleresojme prodhimin e energjise nga hidrocentralet si nje
energji e paster dhe me ndikime më të vogëla në mjedis, në krahasim me
energjinë e prodhuar nga termocentralet,
por ndikimi kumulativ i ketyre h/c-eve, ne teresine e
tyre do jete mjafte i larte si per mjedisin dhe ekonomine
Ndikimet e priteshme do te jene:
Ne ujin e pijshem, ujitjet, rezervate,
industrit, etj.), te cilat ndodhen ne pjesen e poshteme te rrjedhes
Punimet hidro-teknike te nevojshme si (iga,
vepra e marrjes, kanalet e rrjedhjes së ujit,
tunelet, linjat e tubacioneve, godina e centralit, etj),
prekin
parametrat baze jetesor te gjallesave qe rriten ne to, ne teresi do te perbejne nje ndikim mjedisor
mjafte te larte ne biodiversitetin
e ketyre ekosistemeve te medhenj
Ekonomia e peshkut ne keto ekosisteme demtohet mjafte
rende (vecanereshisht peshqit migrues si njala dhe trofta). Kujtojme se para
viteve ’90 ne lumenjte tane ekonomia e peshkut nxirte mbi 1100 kv peshk ne vit
dhe punësonte shume njerëz.
Do të ketë pakësim të prurjeve të lumenjve poshtë HEC-eve dhe për
pasojë humbje dhe varfërim të tokave në grykat dhe brigjet e lumenjve poshtë
HEC-eve (psh. në Lezhë janë humbur 42 ha tokë për shkak të ndërtimit të
HEC-it),
Kjo merr më shumë rëndësi në kushtet e ndryshimeve klimatike që do
të rrisin thatësirat në periudhën e verës dhe nuk tregon nje maxhim te integruar te
burimeve ujore duke përfshirë natyrën dhe përdoruesit, ne menyre qe te maksimizoje rezultatin
ekonomik dhe mireqenien shoqerore ne nje menyre te barabarte, pa kompromentuar
qendrueshmerine e ekosistemeve jetesore.
Për
arësyet e sipërpërmendura kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të bëhet
një vlerësim strategjik mjedisor i strategjisë energjitike të prodhimit të
hidroenergjisë, sikurse kërkon dhe ligji nr. 8990, datë 23.1.2003 “Për
vlerësimin e ndikimit në mjedis “.
Sugjerojmë
vëmendje të veçantë ndaj basenit të Vjosës, ndër lumenjtë kryesorë të vendit.
Sugjerojmë
që vlerësimi strategjik mjedisor të përfshijë:
a. një përshkrim të
gjendjes aktuale të biodiversitetit në basenet e lumenjve;
b. ndikimet e mundshme
negative ne mjedis të HEC-eve të reja, duke përfshirë ndikimet ne
biodiversitet, toke, uje, peisazh;
c. masat e parashikuara
për të shmangur, apo zbutur sa më shumë të jetë e mundur pasojat e ndikimeve ne
mjedis të HEC-eve;
d. parashikimin e masave për monitorimin e ndikimeve ne mjedis të
HEC-eve;
Në pritje të përgjigjes suaj,
Me nderime,
Qendra e Grupimit “Ekolëvizja”