Monday, September 24, 2012

Tirana: Pallatet aty-këtu, kancer me metastaza. Njësia nr. 8, restaurim me kujdes e dashuri


Intervistë dhënë gazetares Lorina Mixha mbi planin urbanistik të tiranës (Shqip, 21 shtator 2012)
Sipas mendimit tuaj, si duhet të projektohet plani i ri urbanistik i kryeqytetit?
Çfarë duhet të mbajnë parasysh ekspertët e urbanistikës?
Cilat janë karakteristikat që duhet të ruajë kryeqyteti dhe për çfarë ndryshimesh ka nevojë?

Dy gjëra do të vija në dukje lidhur me pyetjet tuaja:
Së pari, arkitektura dhe urbanistika qe kemi ndërtuar keto njëzet vjet flet (për të mos thënë ulëret), për njerëz që nuk dinë të harmonizojnë interesin e ngushtë personal me atë të shoqërisë, oborrin e vogël me oborrin e madh. Ajo flet për njerëz që nuk dinë të kuptojnë se  historia që përmban arkitektura e një qyteti, gjelbërimi i tij, hapësirat publike dhe pejsazhi i tij urban rrit atë që quhet “cilësi e jetës” së tyre. Nuk mund të fajësoj tërë qytetarët e Tiranës, por them se sigurisht, po të kishte ekzistuar një kulturë tjetër, horroret që janë bërë nuk do të kishin ndodhur. Por përgjegjëse kryesore, gjithsesi, mbetet një pakicë injorantësh, të babëziturish dhe manipulatorësh që, për të ndërtuar “oborrin”e tyre, kanë shkatërruar qytetin. Ajo çka kemi prodhuar është kaosi, shëmtimi, zhurma, ndotja - jo thjesht në kuptimin fizik, por edhe në kuptimin e gjendjes shpirtërore që të përçon kryeqyteti, të marrëdhënive negative njerëzore që ai stimulon. Ajo për çka ka nevojë kryeqyteti sot është para së gjithash rikuperimi i çfarë mund të rikuperohet në aspektin e këtyre dëmeve. Urbanistët duhet të bëjnë përpjekjen mbinjerëzore që të krijojnë pak “rend” në këtë kaos, pak harmoni në këtë zhurmë, pak hapësirë në këtë denduri, pak bukuri në këtë shëmtim, pak gjelbërim në këtë çimentifikim dhe jo ta vazhdojnë atë, siç kam sinjale se po duan të bëjnë.

Në këtë kontekst më duket tregues i keq çështja e Njësise 8 për të cilën po debatohet, ngase Edi Rama e ka lënë si zonë me ndërtime të ulëta për shkak të ekzistencës atje të shumë shtëpive të Tiranës së vjetër. Më vjen keq që edhe Basha për të justifikuar shfrytëzimin edhe të kësaj zone për interesa të një pakice përdor të njëjtën stratagjemë si të Ramës dikur. E quan “zhvillim të pronës” dhënien e lejeve për të ndërtuar pallate të larta aty ku ka shtëpi të ulta, të vjetra.  Atëhere pse u bë tërë ajo fushatë kundër Ramës si shkatërrues i qytetit?  Të thuash se do të ruajmë shtëpitë që janë ligjërisht historike dhe të lesh të kuptosh se në ato pranë tyre do të ndërtosh pallate të larta, kjo  të kujton pikërisht planet pjesore të Ramës që në fakt ishin krejt në kundërshtim me ligjin që rregullon raportin ndërtim gjelbërim në një zonë të tërë e që kanë krijuar shëmtimin dhe degradimin e qytetit për të cilin fola më lart, por njëkohësisth edhe varfërimin e atyre që kanë mbetur nën hijen e pallateve. Një shtëpije historike nuk mund t’i ngrihet një pallat ngjitur sepse ai e zhvleftëson dhe e mbyt atë madje jo vetëm atë por tërë bllokun me shtëpi të ulta rreth tij. Pallatet e ndërtuara aty këtu sipas pazareve të pronarëve dhe ndërtuesve që e kthyen sheshin e ndërtimit në njësinë e vetme urbane janë kanceri që u përhap me metastazat e tij nëpër tërë kryeqytetin. Tani duket se këto metastaza duan të pushtojnë edhe njësinë 8.  Për mua ajo zonë duhet restauruar dhe rikuperuar me shumë kujdes dhe dashuri dhe jo te mbytet me pallatet e shëmtuar dhe pa identitet që janë ndërtuar anë e kënd Tiranës me të vetmin interes: nxjerrjen e sa më shumë metrave katrorë për shitje.
  
Së dyti, duhet të kemi parasysh se një plan urbanistik bëhet sipas një plani strategjik zhvillimi të qytetit. Për fat të keq ndërtimet në Tiranë dhe rrethinat e saj nuk janë bërë në funksion të ndonjë strategjie zhvillimi të ndonjë industrie apo të ndonjë nevoje kësisoj, por thjesht duke manipuluar me njerëzit me idenë se duke patur një shtëpi, dy, tre, katër, në Tiranë ky do të ishte një investim i mirë e ku di unë, si dhe për të ricikluar para të pista, pasi dihet se ndërtimi është një nga format klasike të kësaj pune. Absurdi është se ndërkohë që një e treta e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar, ndërtimet e bëra në vend të krijojnë përshtypjen sikur Shqipëria të ketë ndonjë bum demografik të paparë në botë. Unë kam shkruar dhe rishkruar e folur për nevojën e njohjes së asaj se sa metër katror ndërtime kemi në Tiranë dhe rrethina për ta krahasuar me numrin e popullsisë dhe nevojën që kemi. Sepse bije menjëherë në sy se ndërtimet janë në një sasi tejet më të madhe sesa nevojat paçka se mund të ketë edhe njerëz të pastrehë ende. Askush nuk e bën këtë, sepse një grushti njerëzish nuk i intereson një transparencë e tillë. Imagjinoni që në Planin Francez parashikoheshin dhjetë  qendra biznesi - grataçiela si ajo që ka kaq vjet anës selisë së PD-së dhe s’po mbaron ende – a thua se Tirana do të bëhej si Londra apo New Yorku, kryeqendër e botës financiare në Ballkan e më gjerë.
Por edhe te mendosh se do të vijnë të gjithë shqiptarët të banojnë në kryeqytet është absurde, jo vetëm se kjo largon njerëzit nga burimet natyrore që ka vendi, por edhe pse nuk kemi krijuar mundësi që ata të kenë vende pune këtu. Kriminaliteti që kemi sot vjen edhe për shkak të krijimit të një metropoli si Tirana me papunësi të paparë.
Pra ideja ime është se plani urbanistik duhet të orientohet për kah përmirësimi i cilësisë së jetës së dëmtuar rëndë të qytetarëve të Tiranës - atje ku ata banojnë - duke bërë gjëra të thjeshta por funksionale dhe jo duke bërë show me ndërtime spektakolare apo punime e ripunime sheshesh qendrore, as duke vazhduar ndërtime që do ta rrisin edhe më popullsinë apo që do të mbesin monstra ekologjike të pabanuara. Kjo nënkupton se edhe paratë publike duhen investuar për këtë. Mirëpo problemi është se paratë që mund t’i hyjnë arkës së Bashkisë, pikërisht për shkak të papunësisë që përmenda,  janë ose nga paratë e pista të krimit ose para investimesh të huaja, siç flitet për paratë e biznesmenëve të Katarit që duan të investojnë në bulevardin e ri. Dhe këta s’kanë ndonjë interes të ristrukturojnë shtëpi apo lagje të vjetra apo të rikuperojnë hapësira të gjelbëra për banorët e kryeqytetit. Frika ime është se plani urbanistik mund të hartohet – siç ka ndodhur edhe në kohën e Ramës - i diktuar nga interesa të atilla, çka do të thotë vazhdim i masakrës që do të pasurojë pak individë dhe do të rëndojë edhe më cilësinë e jetës së qytetarëve.

1 comment:

Rita Strakosha said...

Qytetet metropol si Tirana, te shtrira ne siperfaqe te medha, kane nje problem qe do u vije ne rritje: sigurimi i transportit dhe rendit publik.Me shtrenjtimin e transportit, banoret kane interes ose te largohen drejt fshatit, ose te perqendrohen drejt qendres se qytetit. Edhe shtimi i vjedhjeve dhe vrasjeve nxit krijimin e nje qyteti te banuar dendur.

Ne kete prizem, eshte mire qe qendra e Tiranes te ndertohet dendur. Por me mire akoma do ishte sikur kjo te shoqerohej me shembjen e betonizimit ne periferi te Tiranes; zevendesimin e tij me toka bujqesore per bujqesi urbane dhe largimin e nje pjese te konsiderueshme te banoreve te Tiranes drejt zonave rurale. Keshtu Tirana do te ishte me rezistente ndaj krizave energjitike.