Sunday, November 25, 2012

Era e hajdutërisë


Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm
ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë. Po pse e quan “era”? – do të thoni ju - hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi; dhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë; mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.

Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.

Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).

Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.

Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.

Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.

Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.

“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.

Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.

Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.

“Lubonja?”.
“Po, Lubonja, Fatos”
“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”
“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”
“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”.
Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.
Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, pastaj më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë:
“Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”
“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.

E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.


Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur.
“Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”.
Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha:
“Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.

Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët.
Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo  më tha:
“Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.

Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.

“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.

“Mund të bëni reklamim”.

“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.

U ula menjëherë të shkruaj:

“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.

E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.
Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.


* * *

Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme. Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.

Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë. Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi. E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke  gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.

Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë. (Panorama, 24 nëntor, 2012)

Friday, November 16, 2012

Pse kemi vetëm parti “të djathta”

Me gjithë përpjekjet që bën Berisha për të na paraqitur si një përjashtim në botë përsa i përket moskrizës, kush ka sy në ballë dhe mendjen të paturbulluar nga ankthi i pushtetit dhe parasë, e konstaton mjaft lehtë gjendjen e vështirë të vendit. A nuk ishte edhe paaftësia e qeverisë për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë konform ligjit një shenjë e krizës?
Në fakt, Shqipëria ka mjaft situata të ngjashme apo të përbashkëta me dy vendet kryesore fqinje në krizë, Italinë dhe Greqinë, prej të cilave mund të themi se kemi imituar edhe shumëçka nga sistemi politiko-ekonomik. Mbi të gjitha, kemi të përbashkët faktin se kriza jonë nuk është thjesht e vetëm krizë ekonomike, por edhe krizë e besimit në klasën politike që e ka qeverisur vendin këta njëzet vjet. Me fjalë të tjera, si për opinionin e gjerë andej edhe këtë këtej, në thelb të krizës qëndron fakti se këto vende janë qeverisur nga një kastë politike ekonomike dhe mediatike që ka abuzuar me pushtetin për t’u pasuruar për vete duke lënë të tjerët në mjerim e së fundi edhe në pasiguri jetese.
Ndërkaq, Shqipëria ka edhe mjaft ndryshime nga këto vende. Njëri prej tyre, që tërheq vëmendjen veçanërisht dhe meriton një analizë të gjerë, është fakti që në Greqi dhe në Itali, si rezultat i këtij zhgënjimi të thellë, kanë lindur parti të fuqishme të majta që udhëheqin në sondazhe: Syriza në Greqi është partia e parë në sondazh dhe po ashtu në Itali lëvizja “Cinque Stelle” (Pesë Yjet) është bërë kërcënimi numër një i të gjithë kastës. Kurse në Shqipëri kanë lindur dy parti të reja, që janë, që të dyja, të djathta.
Si ta shpjegojmë këtë ndryshim?
Fillimisht duhet thënë se kriza, normalisht, duhej të provokonte reagimin/lindjen e forcave të majta, sepse është e majta ajo që përfaqëson interesat e atyre që pësojnë më shumë se kushdo nga kriza: shtresat më të brishta të shoqërisë. Dikush, duke iu referuar historisë, mund të thotë se edhe fashizmi, dhe nazizmi, si lëvizje të djathta, ka lindur si rezultat i krisës. Por kujtoj se përsa i përket sistemit ekonomik, fashizmi dhe nazizmi ishin kundër kapitalizmit që prodhoi krizën. Erza Paund e dashuroi aq shumë fashizmin e Musolinit mu pse ishte kundër usuria-s (fajdexhinjve kapitalistë); ideologjia e Hitlerit ishte nacional – socializmi.

Për të shpjeguar shkakun – ose më saktë një nga shkaqet kryesore, sipas meje, të ndryshimit tonë me Greqinë apo Italinë përsa i përket lindjes së partive të reja në kohë krize – më duket me vend të them dy fjalë për lëvizjen e Pepe Grillos në Itali, sepse, sipas mendimit tim, realiteti italian, edhe pse shumë më i sofistikuar sesa i yni, është mjaft i ngjashëm me sistemin tonë – sigurisht, në mënyrë të tillë që ne mund të quhemi një kopje e thjeshtëzuar, banale e tij.
Në Itali ka njëzet vjet që dominojnë dy parti kryesore. Ka dominuar Berluskoni i alternuar nga Partia Demokratike, baza e së cilës është ish-Partia Komuniste, e cila, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qeverisur, megjithatë, shumë provinca e komuna të rëndësishme të vendit. Pas njëzet vjetësh në pushtet këto dy parti kanë arritur minimumin e pikëve në sondazhe dhe, sipas disa zërave të fundit, ato po nxitojnë për në prag të zgjedhjeve të ndryshojnë ligjin elektoral, sepse përndryshe, sikurse tha Schifani, një nga eksponentët e partisë së Berluskonit, Grillo mund të shkojë nga 30% te 80%.

Ç’është lëvizja e Grillos që ka arritur në një kohë të shkurtër një sukses kaq galopant? Së pari duhet vënë në dukje se Grillo e ka krijuar lëvizjen e tij në internet. Madje ai akuzon të gjitha mediat se janë “teatrino” e kastës politike. (A nuk ju tingëllon kjo shumë e ngjashme me mediat tona?) – duke i bojkotuar ato. Ai është kundër pushteteve të forta – të bankave dhe pasunarëve, akuzon rrjetin e sistemit politik italian (si qendrën e majtë edhe atë të djathtë) si një rrjet korrupsioni të paparë, kërkon të ndryshojë partitokracinë në favor të një demokracie më pjesëmarrëse, ka qëndrime të forta ekologjiste. Por, pa u zgjatur më tej në programin e tij, mund të them se, pavarësisht nëse janë dakord me të apo jo përsa i përket programit, shumica e italianëve bien dakord se Grillo ka një konsensus kaq të madh për shkak se ai shpreh nevojën e shkatërrimit të sistemit ekzistues në Itali, të kalbur e të korruptuar deri në palcë si dhe të kastës politike që e ka ngritur këtë sistem. Sistemi dhe njerëzit e tij, sipas Grillos, janë dy anë të së njëjtës medalje, prandaj lëvizja “Pesë Yjet” synon kandidimin e njerëzve të rinj që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të vjetër. Pra, janë të shumtë ata që thonë sot se, qoftë edhe vetëm me shkatërrim, Grillo do t’i bënte një shërbim të madh Italisë sepse, pas tij do të lindte diçka e re. E njëjta gjë thuhet, në thelb, edhe për Syrizën në Greqi. Të rinjtë grekë të Athinës e Selanikut, që mbështesnin Syrizën në zgjedhjet e fundit, mbyllnin në shtëpi prindërit që të mos shkonin të votonin për partitë tradicionale të kastës. Për këtë kastë fliste edhe lajmi i arrestimit të gazetarit grek që denoncoi kontot e saj bankare jashtë vendit.

Analiza se pse në Shqipëri, me gjithë krizën e rëndë, kanë lindur dy parti të djathta dhe asnjë e majtë, meriton një debat që e tejkalon hapësirën e një shkrimi të tillë. Unë, megjithatë, dua të theksoj një aspekt të këtij fenomeni që më duket shumë i rëndësishëm. Them se partitë që po kërkojnë të sfidojnë sot PD-në dhe PS-në janë të djathta sepse liderët e tyre nuk duan të ndryshojnë apo shkatërrojnë sistemin, por thjesht të bëhen pjesë e tij apo të mbeten në të me një emblemë tjetër. Si e argumentoj këtë? Më së pari le të them se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “sistem” në Shqipëri. Thjesht dhe qartë atë që kupton edhe Grillo në Itali: politika në shërbim të ekonomisë së fitimit të kastës; politika e kapur gjithnjë e më shumë nga mafia, gazetaria po në shërbim të këtij grupi/kaste, çka në Shqipëri ka marrë trajta shumë herë më të shëmtuara dhe abuzive, por edhe më falimentare. Po ç’lidhje ka e djathta me këtë sistem? Ka, sepse fasada ideologjike që e ndihmoi ngritjen e këtij sistemi ishte e djathtë në kuptimin e kultit të privatizimit si zgjidhje e çdo problemi nëpërmjet privatizimit apo nëpërmjet idesë së zhvillimit si çimentifikim që nëpërkëmbi çdo lloj kujdesi për ambientin dhe cilësinë e jetës. Nuk dua të them me këtë se ne kemi parti vërtet të djathta, absolutisht jo. Në Shqipëri s’ka të majtë dhe të djathtë, por vetëm pasunarë që kanë kapur parti dhe shtetin, dhe të varfër që s’kanë as parti, as shtet në krah të tyre. Desha të them se këta që kanë parti dhe gazeta, dhe televizione, dhe shtetin, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja, LSI-ja etj., e kanë përdorur ideologjinë e djathtë, që ka në bazë të vet lirinë maksimale të sipërmarrjes, interesin e privatit që kështu prodhon më shumë, për të ndërtuar sistemin e grabitjes së shqiptarëve dhe se, nga ana tjetër, nëse duam të godasim vërtet sistemin dhe kastën që e ka ngritur atë, kjo mund të bëhet sot nga një parti e majtë, që duhet të kërkojë të vendosë më shumë kontroll të shoqërisë/publikut mbi këto interesa – pa harruar, sigurisht, se edhe ajo mund ta përdorë të majtën si fasadë. Kurse parti të djathta, aq më tepër njerëzish që deri dje kanë qenë pjesë e kastës, premtojnë shumë pak në këtë aspekt, sepse në to ndjehet “investimi” i atyre që punojnë sipas të njëjtit sistem.

Po të vësh re kritikat që bëhen nga dy partitë e reja sot për gjendjen ku është katandisur vendi, ato përqendrohen tek individi Sali Berisha dhe individi Edi Rama, kryesisht tek autoritarizmi dhe korrupsioni i tyre, por s’gjen, ama, asnjë tentativë serioze për t’u marrë me tërë atë sistem politik, mediatik, ekonomik që këta individë udhëheqin dhe i shërbejnë njëkohësisht dhe veçanërisht me protagonistët e tjerë të kastës, në skenë apo prapaskenë. Kështu, po t’i heqësh disa fraza për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, programit të Bamir Topit nuk i mbetet veçse denoncimi dhe sharjet për Berishën dhe Ramën si autoritarë. Asnjë depërtim më thellë në rrjetin e interesave abuzive që Berisha e trashëgoi nga socialistët, e jo më ndonjë propozim mbi ndryshimin e këtij sistemi. Kreshnik Spahiu, po ashtu, bën ndonjë denoncim më shumë për disa pasoja, thekson më së shumti tradhtitë e Berishës se i ka dhënë grekut detin, tund flamurin, por asnjë analizë të sistemit politik, ekonomik, mediatik që e ka futur vendin në një ekonomi piramidale dhe aq më
pak ndonjë propozim se si mund të dilet prej tij. Për të përmendur vetëm një shembull: Sot pritet me ankth që “shpëtimi” t’i vijë Shqipërisë nga shitja e Albpetrolit. Edhe ish-të burgosurit politikë aty e kanë shpresën e dëmshpërblimit. Por askush nga këta që përmenda nuk përmend se aksionisti kryesor i shoqërisë që kërkon të na shpëtojë të gjithëve i ka Albpetrolit, që s’e ka blerë akoma, d.m.th. shtetit, rreth 100 milionë dollarë borxh dhe që askush nuk ia kërkon. Apo që u ka borxh disa azerbajxhanasve ndonja 70 milionë të tjerë dhe që – sipas një shkrimi të Baton Haxhiut – për turp të gazetarisë nuk u dha nga asnjë media shqiptare, pasi gazetarët, sipas thashethemeve, “u blenë”. A kanë para, apo kanë borxhe këta njerëz? Nuk e dimë. Kush do t’i paguajë ato? As këtë nuk e dimë. Si i kanë vënë paratë pasunarët tanë që blejnë për të sponsorizuar një fondacion të gruas së Kryeministrit një pikturë 100 000 dollarë? Çfarë taksash paguajnë këta? Po shteti ç’ka bërë dhe çfarë bën? Po ky Bamir Topi që deri dje ka qenë kryetar i shtetit, a mund të jetë jashtë këtij rrjeti? Po ky Spahiu që ka qenë zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka shumë pyetje që ngrihen e që po t’u kapësh fillin, të çojnë në rrjetin e sistemit për të cilin flas, që po bëhet mortja jonë, e që këto parti, ndryshe nga ato që përmenda në Greqi apo Itali, nuk e prekin fare.

Lexova në një lajm të fundit se Edi Rama i PS ka deklaruar se do ta çlirojë arsimin nga politika, duke nënkuptuar me këtë çlirimin nga Berishën. Por problemi thelbësor, sipas meje, nuk është ky. Problemi thelbësor është çlirimi i politikës, edhe i Edi Ramës vetë, nga sistemi të cilit i shërben ai dhe politika e tij, dhe që, si gjarpri që kafshon bishtin, edhe e udhëheq njëkohësisht. Përndryshe, çlirimi nga Berisha, të cilit sot po i këndohet aq shumë, dhe jo pa arsye, ashtu si ai nga Berluskoni që ndodhi më në fund në Itali, do të rezultojë një çlirim i rremë. (Panorama, 14 nentor 2012)

Friday, November 2, 2012

Konteksti i grevës së urisë


Greva e urisë së ish-të burgosurve politikë ka qenë dhe mbetet një nga ngjarjet më të debatuara kohët e fundit. Ajo ka hapur shumë tema të mprehta sociale ekonomike, politike, të lidhura sa me të kaluarën, edhe me të tashmen, sa me forcat politike, edhe me shoqërinë civile dhe që e tejkalojnë “hallin” e atyre që u futën në grevë. Në fakt, ajo ishte një test, do të thosha, për tërë shoqërinë me në krye politikën, për të provuar se sa ka reflektuar ajo për të kaluarën komuniste, se sa është në gjendje ajo të zgjidhë problemet, se sa është në gjendje të dialogojë, negociojë etj., dhe rezultatet e këtij testi na nxorën keq, shumë keq.

Në këtë shkrim nuk mund të shteroj tërë problematikën që ngacmoi ajo grevë, por më duket e domosdoshme të shtjelloj më së pari kontekstin social ekonomik të grevës.

Nuk gjej mënyrë më të mirë për ta shtjelluar këtë kontekst sesa rrëfimi i tri bisedave që kam pasur këto ditë midis bisedave të shumta që bëjmë të gjithë përditë me ata që takojmë.


Biseda e parë:

Një i njohur, teksa pinim kafe, më tregoi se po i ndërtonin pa leje atje ku ai ka pronën, në një lagje të Tiranës. “Shkova të ankohem dhe e di çfarë më thanë? – Shiko, ne atë zonën ia kemi lënë partisë çame. Shih se mos gjesh ndonjë nga ata që ta rregullosh këtë punë, se për besë vështirë e ke ndryshe”.


Biseda e dytë:
Duke i treguar një të njohuri historinë e parë, ai më tregoi një tjetër: “Një mikut tim i vdiq i ati, më tha. Aty zbuloi se puna e një vendi varri ishte problem i madh. Duhet të paguaje – nën dorë kuptohet. I thanë: Shiko, varrezat i ka LSI-ja, prandaj shih mos njeh ndonjë nga ata të LSI-së”.


Biseda e tretë:
Teksa ndalova në një dyqan për të blerë një mall, shitësi më njohu dhe më tha:

- Zoti Lubonja, kam një hall. A mund të më ndihmosh?

- Çfarë halli ke? – i thashë.

- Kam gruan pa punë, është mësuese.

- Mësuese për çfarë?

- Pedagogji.

- Çfarë të thonë?

- Më kanë kërkuar para. Një vend pune për gruan time kushton nga 3 deri në 5000 euro.

- Kush t’i ka kërkuar, – i thashë, – me shpresën se do të më pasuronte listën e partive. Por kësaj here përgjigja ishte: “Sekseri”.


Ja, këto janë bisedat që zhvillojnë përditë njerëzit nëpër tryeza. Dhe të mos harrojmë se ato përbëjnë sfondin e atyre lajmeve skandaloze që flasin për shitje korruptive të pronave publike, për interesa milionëshe, për tenderë të anuluar e për tenderë mashtrues, e me radhë e me radhë – që i faturohen, mbi të gjitha, partisë më të madhe në pushtet.
Është imazhi i një vendi ku partitë janë kthyer në banda që kanë ndarë territorin e po e shqyejnë ku të mundin e sa të mundin, madje me një uri edhe më të madhe, pasi tani kanë mbetur copërat e fundit.
Është imazhi i një shoqërie të polarizuar ekstremisht, kur një pjesë e vogël, duke abuzuar me pushtetin, kanë vënë pasuri të mëdha, kurse pjesa tjetër e sheh veten të margjinalizuar dhe shpresëfikur.

Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë nuk mund të shihet e shkëputur nga kjo gjendje e përgjithshme e njerëzve. Ata njerëz, një pjesë e të cilëve përfaqësojnë kategorinë më të pafat të të pafatëve që u kaloi një pjesë e jetës nëpër kampe, burgjet e komunizmit, zgjodhën grevën e urisë si mjetin e fundit të presionit dhe të protestës. Por nuk mund të thuash kurrsesi se ata përfaqësojnë vetveten. Ata përfaqësojnë një zhgënjimi më të madh.

“Zhgënjimi qenka më i rëndë se shtypja, – më tha një ish-bashkëvuajtës që s’ishte në grevë, por që ndiente gjer në kockë shpërfilljen e pushtetit dhe të shoqërisë, – sepse shtypja, tek e fundit, tregon edhe respekt, tregon se ti je, të llogarisin, kurse ky injorim është më i rëndë”.

Unë gjykoj se ky është konteksti në të cilin duhej parë greva e urisë së ish-të burgosurve politikë. Ai i humbjes thuajse totale të besimit te politika. Përpara tetë vjetësh, duke trajtuar çështjen e ish-të burgosurve politikë në prag të zgjedhjeve që i dhanë fitoren, Sali Berisha, midis të tjerave, ngrinte pyetjen:
“Ku shkuan me mijëra e qindra hektarë tokë që ata krijuan me mundin dhe djersën e tyre? Që të gjitha gëzohen sot nga fermerë, por për hir të së vërtetës, i përkisnin shoqërisë së konformuar, dhe jo asaj të shtypur, jo asaj të persekutuar. Duke e parë edhe në këtë kontekst, nuk mund të pranojmë që këto pasuri kombëtare që u krijuan, të gëzohen nga ky komb pa njohur borxhin që ka ndaj atyre motrave dhe vëllezërve që u përdorën si argatët më të keqpaguar në historinë e kontinentit….

…Le ta marrim kënetën e Maliqit, kënetën e Tërbufit, kënetën e Thumanës etj.; secila prej tyre është mbi një miliard dollarë vlerë. Nuk po përmend dhjetëra vepra të tjera të mëdha që kanë ndërtuar, por vetëm këto këneta të shndërruara në tokë buke, kanë sot dhe në çdo kohë një miliard dollarë vlerë…

…Jam i vetëdijshëm se për dy apo tre vjet nuk mund të shlyhet kjo faturë, por jam i vetëdijshëm se në një vend që vidhen 600 milionë euro në vit në taksa nga 27 VIP-a, pa cenuar askënd, brenda një afati kohor të shkurtër mund të ndahet shoqëria shqiptare tërësisht nga pasojat e kalvarit më të egër që Europa e pasluftës ka njohur, sepse asnjë komb nuk ka pasur një luftë klasore vrastare si kombi shqiptar…”.

Perceptimi pas tetë vjetësh është se 27 VIP-at mund të jenë bërë 54, se 600 milionët mund të jenë bërë 1 miliard e 200 milionë, dhe se të nëpërkëmburit sot janë më të shumtë e më të poshtëruar po ashtu. Ka arritur puna deri aty sa disa sot shtrojnë pyetjen: Po pse për të bërë 55 njerëz miliarderë qenka rrezuar ai sistem?

Në vend që të reflektonte thellë për këtë gjendje që e nxori edhe më në pah greva e urisë së ish-të burgosurve, Sali Berisha dhe politikanët rreth tij përdorën një taktikë të njohur: “Nëse do të zgjidhësh një problem, sajo një armik”. Se ku përfundon kur për zgjidhjen e problemeve sajohet armiku, i jashtëm apo i brendshëm, na e ka mësuar përvoja e regjimit të Enver Hoxhës. (Panorama, 27 tetor 2012)

Tuesday, October 23, 2012

Mbi telenovelën Hoxha - Kadare



A i ke ndjekur puntatat e telenovelës ‘Kacafytje në Frontin Demokratik: kryetarja Nexhmije Hoxha krihet me nënkryetarin Ismail Kadare për peshqeshe dhe favore të asaj kohe’?” -  ishte një e-mail që mora nga një e njohur.
Nuk i kisha ndjekur për shkak të impenjimeve të tjera, por u futa nëpër internet t’i kërkoja.
E para gjë që më erdhi të them pasi “pashë” disa “puntata” ishte: vërtet kjo histori merituaka të quhet telenovelë. Madje, në kuptimin më negativ që ka marrë kjo fjalë për shkak të atyre subjekteve që synojnë ta mbajnë mendjen e telespektatorit të ngrehur në suspens thashethemesh e gjërash të kota, të bardhë e zisë banale, me të mirin dhe të keqin që ndërrojnë role, të superficalitetit të trajtimit që nuk të shtyn të mendosh e që, mbi të gjitha, nuk tenton ta fusë spektatorin brenda përjetimeve të veta, por pikërisht ta mbajnë jashtë tyre. Në telenovelën tonë jepeshin variante se si ishte dhuruar apo marrë dorëshkrimi, disa rreshtoheshin me Nexhmije Hoxhën, disa me Kadarenë, tregoheshin përgjigje arrogante të shkrimtarit ndaj gazetarëve, kurse ajo që mungonte dramatikisht ishte përpjekja për të kuptuar atë kohë, kompleksitetin dhe dramacitetin e saj. Dhe nëse protagonistët e ish-Frontit Demokratik mund të justifikohen për këtë, pasi janë peng të asaj kohe dhe asaj kulture, kjo nuk u lejohet gazetarëve të kohës që jetojmë.

Këto shënime morën nxitje nga ky zhgënjim që na bën ne, që kemi jetuar atë kohë, të ndiejmë si detyrë ta sjellim atë ashtu siç ka qenë, dhe jo ashtu siç gatuhet në këto telenovela banale.


Mbi librin

Kush do ta lexojë sot librin “Dimri i vetmisë së madhe”, i ribotuar pastaj si “Dimri i madh”, do të shohë se është një libër i turpshëm përsa u përket elozheve që i bëhen diktatorit dhe falsifikimit që i bëhet së vërtetës historike të prishjes me Bashkimin Sovjetik, e cila, nga një akt që solli varfërimin, izolimin dhe skllavërimin e mëtejshëm të shqiptarëve, për qëllimet e pushtetit të një klike kriminale, trajtohet si një akt i lartë i bërë në emër të lirisë dhe pavarësisë së atdheut dhe besnikërisë ndaj marksizëm-leninizmit. Të tjerat, duke përfshirë edhe talentin e derdhur, edhe vlerësimet e shtypit perëndimor për Shqipërinë që si Davidi sfidonte Goliadhin, janë detaje që mbushin këtë turp. Vetë Kadareja e ka cilësuar pak a shumë me fjalët mallkimi dhe bekimi i tij. Mallkimi sepse ka shkruar ato që ka shkruar; bekimi sepse, ndoshta, po të mos kishte qenë kjo vepër që u përgatit për të promovuar Shqipërinë socialiste dhe diktatorin Hoxha në Perëndim, shkrimtari edhe mund të kishte rënë në vitin 1973 viktimë e luftës kundër liberalizmit dhe të kishte përfunduar keq.

E vërteta është se ky libër u shkrua në kohën e të ashtuquajturit liberalizëm, kur Enver Hoxha kishte lëshuar në fjalimin e Matit dhe takimin me Agim Meron një numër kritikash ndaj kuadrove të vjetra që nuk e kuptonin rininë duke lëshuar pe edhe për do eksperimente në art, letërsi e muzikë, që pastaj i dënoi me fushatën e famshme kundër liberalizmit. Në këtë frymë, edhe libri “Dimri i vetmisë së madhe” propagandonte vijën e partisë përsa i përket luftës kundër revizionizmit, i shërbente kultit të Enver Hoxhës dhe paraqiste një Shqipëri kartolinë – ku varfëria dhe mungesa e lirisë as që duken në horizont – dhe kishte edhe pasazhe ku flitej për ndonjë kuadër të vjetër koçixoxist apo për djemtë e Broduejit. Në fushatën kundër liberalizmit, që nisi tamam në kohën kur sapo ishte botuar libri, këto u konsideruan si devijime liberale. Nga sa kujtoj, në atë kohë u tha edhe se një nga arsyet pse u sulmua libri ishte mëria e disa udhëheqësve të tjerë xhelozë pse për Enver Hoxhën libri kishte 80 faqe, kurse për Mehmet Shehun, p.sh. kishte vetëm një gjysmë faqe apo për Hysni Kapon vetëm një paragraf. Kështu, libri u kritikua në gazetën “Zëri i Rinisë”, por ndërkohë duket se shkruesit, ose ata që i nxitnin ata, nuk e dinin se libri kishte kaluar kapitull më kapitull në duart e Ramiz Alisë, i cili, pas shumë gjasash, ia kishte kaluar edhe Enver Hoxhës. Këtë fakt e di nga im atë, Todi Lubonja, mik me Kadarenë dhe me Ramiz Alinë, i cili, kur i thashë një ditë pranvere përpara Plenumit IV (1973) se flitej se do ta “hante” edhe Kadareja për shkak të “Dimrit”, m’u përgjigj: “Nuk do t’i ndodhë asgjë, sepse librin e ka lexuar kapitull më kapitull Enver Hoxha, ngaqë duhet t’ia ketë dhënë Ramizi”. Që librin e ka kaluar kapitull më kapitull nëpër duar Ramiz Alia përpara se të botohet, këtë ma ka pohuar në një rast edhe ky vetë pas viteve ‘90. Dukej qartë se shkrimtari, me nuhatjen e tij ndaj pushtetit, e dinte mirë se në dorë të kujt varej fati apo fatkeqësia e të tjerëve, çka e vërtetoi edhe ajo që ndodhi më pas. E vërteta është se Enver Hoxha e mbrojti pasi atij i duhej talenti i shkrimtarit për t’i shërbyer si propagandues i figurës dhe veprës së tij në Perëndim, kurse, përsa u përket “çikërrimave” si ato që acaronin brenda vendit besnikët e tij më fanatikë (shih për “çikërrimat” intervistën që dha Agim Mero te “Shekulli” me këtë rast), ai kishte armën e tij të bekuar, Sigurimin e Shtetit. Megjithatë, libri u pastrua edhe nga do “çikërrima” të tilla dhe u ribotua pas një apo dy vjetësh me titullin “Dimri i madh”, duke ia hequr edhe fjalën “vetmi”, sepse ne, sipas propagandës, nuk ishim vetëm, por kishim me vete revolucionarët e vërtetë të të gjithë botës.

Pra, krijimi i këtij libri është një histori e shëmtuar, do të thosha, bashkëpunimi regjim – shkrimtar, ndoshta e rrallë në të gjitha diktaturat e Lindjes, kur ke parasysh jo vetëm çfarë është shkruar, por edhe kalimin kapitull më kapitull të dorëshkrimit në duart e Ramiz Alisë apo ndihmën e madhe që i ka dhënë Nexhmije Hoxha vetë për të konsultuar arkivat e Komitetit Qendror, që sipas saj, ishte edhe motivi se pse ia dhuroi shkrimtari. Megjithatë, sipas meje, nuk ishte ky motivi i vërtetë.


Mbi dhurimin e dorëshkrimit

Kush e ka jetuar atë kohë, nuk e ka vështirë të besojë se dorëshkrimi është dhuruar e nuk është marrë me përdhunë, siç pretendon shkrimtari. Nga ana tjetër, ne që e kemi jetuar atë kohë, nuk e kemi po ashtu të vështirë të kuptojmë se dhurimi nuk ka qenë një akt i sinqertë, por një akt servilizmi dhe frike, që ishte mënyrë jetese e njerëzve në atë kohë, veçanërisht e atyre që synonin të bënin karrierë apo të ruanin postet dhe statusin që gëzonin. Të mos harrojmë se në ato vite pakkush mendonte se ai regjim do të binte ndonjëherë. Koha kur thotë Nexhmije Hoxha se i është dhuruar dorëshkrimi (1975), është koha e terrorit, kur njerëzit po arrestoheshin dhe po çoheshin në gjyqe e dënoheshin me pushkatim pa qenë aspak fajtorë. E tregon edhe dënimi i Pashallarëve të Kuq që, kush e lexon sot, e gjen të një zelli revolucionar të skajshëm dhe me një mburrje të Enver Hoxhës të paparë. Por, humori i keq i diktatorit, i turbulluar si nga krimet e shumta, edhe nga paranojat pas një infarkti që e kishte mbajtur në koma për disa ditë, mund t’i çonte njerëzit në burg e deri në pushkatim për pako gjë.

Ne kemi dy versione të përkundërta lidhur me posedimin e dorëshkrimit nga Nexhmije Hoxha. Ata që e kanë jetuar atë kohë e kujtojnë se vizita është bërë në kohën e liberalizmit dhe ka qenë një vizitë kortezie, që synonte mbajtjen afër të shkrimtarit, dhe jo një vizitë shantazhi e grabitjeje, dhe se Nexhmije Hoxha madje i ka kërkuar t’ia kthejnë vizitën për të cilën Kadareja ka shkruar gjerë e gjatë me superlativa për diktatorin. Dimë po ashtu që Agim Mero, i cili ka qenë së bashku me Nexhmije Hoxhën, thotë se kanë qenë aty për ta uruar për futjen në Parti dhe se nuk kanë dalë nga shtëpia e tij me dorëshkrim. Dhe kjo është logjike, sepse, sikur të donte të të merrte ndonjë gjë diktatori, nuk të dërgonte gruan, por të dërgonte ndonjë nga ata të vetët, dhe po të kishte ardhur puna deri aty, libri nuk e shihte dritën e botimit. Aq më tepër që në vitin 1971, kur është bërë vizita e vetme e gruas së diktatorit, libri ende s’ishte botuar. Është shumë e besueshme, prandaj, që Kadareja, i frikësuar se mund të humbte përkrahjen e diktatorit në ato vite kur ai po pushkatonte edhe njerëzit më të afërt, për të treguar edhe një herë besnikërinë e tij, ka kryer këtë akt dhurimi. Të paktën shumë herë më e besueshme se sa skenari që na tregon ai se i paska shkuar Nexhmija në shtëpi dhe ia paska marrë gati përdhunisht me njerëzit e saj që dinin edhe se ku e mbante ky. (Shih për disa numra te “Shekulli” shtator-tetor 2012).

Prandaj, sipas meje, kemi të bëjmë me një akt dhurimi – që s’bën përjashtim në dhuratat e shumta që i blatoheshin “shokut Enver” asokohe – që meriton të analizohet për të kuptuar atë regjim, si dhe për të kuptuar edhe marrëdhëniet e njerëzve në përgjithësi dhe të intelektualëve e krijuesve të asaj kohe në veçanti me figurën që e kishin ngritur në kult.
 

Morali i kësaj historie

Ajo që bie në sy në telenovelën tonë janë disa momente që meritojnë reflektim. Bie në sy fakti se Nexhmije Hoxha po luan deri në fund rolin e njeriut që po tradhtohet nga një ish-bashkëpunëtor dhe mik i dashur i familjes, i cili vetëm të mira paska pasur prej saj dhe që po tregon karakterin e tij prej njeriu shpirtvogël, por që megjithatë, Nobelin e meriton (a thua se shpirti i vogël dhe shkrimtari i madh të mos kenë ndonjë lidhje me njëri-tjetrin). Bie po ashtu në sy roli i mundimshëm që ka kohë që kërkon të luajë Kadareja sikur nuk ka qenë shkrimtari i zgjedhur i diktatorit, por një kundërshtar i diktaturës, e cila i paska hyrë deri me përdhunë në shtëpi për t’i marrë dorëshkrimin e romanit. Bie në sy heshtja e tërë atyre intelektualëve të asaj kohe që kanë qenë kolegë të Kadaresë, që e dinë shumë mirë se cila është e vërteta, por që nuk prononcohen. Që të tria janë shenja të një shoqërie që vazhdon të jetojë në një hipokrizi dhe gënjeshtër të madhe, që ta kujton jo pak atë kohë.

Njeriu pyet: Si ka mundësi që zonja Hoxha nuk paska reflektuar asnjë çast mbi marrëdhëniet njerëzore që kishte imponuar ai regjim: të një hipokrizie, frike dhe mosbesimi të njeriut te njeriu, për të cilën i shoqi punonte sistematikisht? A ka harruar Nexhmije Hoxha se me gjithë dashurinë e madhe që tregonin anëtarët e Byrosë Politike ndaj burrit të saj, tek e fundit ai i çoi shumicën e tyre në plumb? A e ka harruar Nexhmije Hoxha se njerëzit detyroheshin të divorconin e të mohonin deri familjarët e tyre për të shpëtuar lëkurën? A mos mendon ajo se këta donin më shumë partinë dhe shokun Enver, sesa familjen e tyre? A mendon ajo se do t’i kishte thënë Kadareja këto fjalë tani për të dhe të shoqin sikur të mos kishte qenë e gjitha një hipokrizi? Pse atëherë pretendon të mbajë një dorëshkrim që pa dyshim i është dhuruar si një akt hipokrizie dhe frike? Le të mbajë fotokopjen dhe le të mendojë ca më shumë për gënjeshtrën e madhe historike që është shkruar aty, e cila, edhe ajo, është diktuar përdhunisht nga i shoqi i saj. Nëse Nexhmije Hoxha dje ka qenë e verbuar nga pushteti dhe sot beson se Enver Hoxhën e kanë dashur vërtet jo vetëm Kadareja, por edhe vetë ata që para pushkatimit bërtisnin “rroftë Enver Hoxha”, ne s’na falet që të mos i shohim këto akte si kulmin e deformimit që i ka bërë njeriut ai regjim mizor.

Nuk na ndihmon aspak për të kuptuar atë kohë. Përkundrazi, na konfondon, edhe shkrimtari Kadare, i cili prej kohësh na thotë se ka qenë i lirë në diktaturë dhe bile se ka qenë kundër regjimit që në fillim fare.  Mirëpo përpjekja e tij për të na vërtetuar këtë kur ndeshet me faktet (edhe si ato që nxori Nexhmije Hoxha për të së fundi) na ngjan si ajo e dikujt që kërkon të arnojë një xhaketë të kalbur keqas, së cilës sapo i vë dorën në një anë për ta qepur, shqepet në anën tjetër. Sepse kush lexon 80 faqet që i dedikohen Enver Hoxhës në atë kohë, do të thotë se dhënia e një dorëshkrimi dhuratë nuk është asgjë përpara ngritjes së monumentit që i ka bërë diktatorit me atë libër. Mirë se dorëshkrimi i qenka marrë me përdhunë, po ato që janë shkruar në atë dorëshkrim (e shumëkund tjetër në veprën e tij) si janë shkruar, me përdhunë? – pyesin lexuesit. Po anëtar të PPSH, po deputet dhe pastaj edhe nënkryetar të Frontit Demokratik me përdhunë e bënë?

Na e shtojnë edhe më konfuzionin edhe ata që na thonë se këto ishin kompromiset që ka bërë shkrimtari për të bërë disidencë, apo se disidencë ishte edhe t’i këndoje diktatorit me varg të lirë, dhe jo varg me rimë. Na e shton edhe heshtja e shumë intelektualëve të djeshëm që nuk thonë të vërtetën e kësaj historie, edhe pse e dinë shumë mirë atë, ndonëse e shohin se Kadareja po shkon shumë larg me akuza paranojake ndaj njerëzve që nuk konformohen me “të vërtetat” e tij. Madje ka nga ata që të thonë se s’duhen thënë këto që të mos e dëmtojmë Kadarenë për çmimin “Nobel”, a thua se ky çmim qenka më i rëndësishëm edhe se e vërteta.


Mbi gjyqin
Juristët të thonë se ishte barra e akuzuesit (në këtë rast Kadaresë) të provonte se dorëshkrimi i ishte marrë dhe nuk e kishte dhuruar, dhe jo barra e të akuzuarit (në këtë rast e N. Hoxhës) të provonte se ky send i ishte dhuruar. Sepse kësaj i thonë që nesër të të vijnë në shtëpi dhe të kërkojnë të provosh se nuk i ke vjedhur sendet që ke aty. Po ashtu ata thonë se një send që posedohet prej një kohe që i kalon dhjetë vjet pa u denoncuar, konsiderohet si posedim i parashkruar.

Sidoqoftë, di të them se vendimi i gjykatësit mban shumë erë nga pikëpamja juridike dhe duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë se kultura e gatuar nga vetë Enver e Nexhmije Hoxha, kur gjykatësit vendosnin në emër të më të fortit dhe të pushtetshmit për fatet e njerëzve dhe jo në emër të së drejtës, ashtu siç u kthye kundër këtyre sot, mund të kthehet nesër edhe kundër kujtdo që s’është me më të fortin. Kush ankohet sot për gjyqet që i fiton Sali Berisha në sajë të pushtetit që ka, duhet ta hetonte mirë edhe këtë vendim dhe, sipas meje, ta denonconte edhe këtë gjyqtar, i cili, kam shumë frikë se, po të kishte qenë në një regjim si ai i Enver Hoxhs, do të kishte dhënë dënime si ato të asaj kohe me dëshmitarë dhe akuza të rreme. Ky vendim gjyqësor mua më tingëllon si një akt frikësimi për të gjithë ata që luftojnë që e drejta të jetë sovrane dhe që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit. Ky gjyqtar u thotë njerëzve: bëhuni me pushtetin që të mos keni telashe edhe me mua. Ai dhe tërë kjo histori tregon se ne nuk kemi mësuar nga e kaluara, prandaj dhe se siç vazhdojmë të kultivojmë modelin e intelektualit apo të gjyqtarit që kërkon të bëjë karrierë nëpërmjet lidhjes dhe shërbimeve ndaj pushtetit, do të vazhdojmë edhe të pësojmë dhunën dhe padrejtësinë që sjell kjo kulturë.  (Panorama, 19 tetor 2012)

Sunday, October 14, 2012

SKËNDERBEU I KËRKIMIT SHKENCOR



Intervistë me Oliver Jens Schmitt
Intervistoi Fatos Lubonja

Fragmente nga intervista e Oliver Schmitt botuar në Perpjekja 28-29 botuar në Panorama më 8 tetor me titullin manipulues "Oliver Shmitt: Lufta e Skënderbeut, hakmarrje personale " ndonëse autori që në filliim të  përgjigjes së tij mbi motivet e Skënderbeut thotë: "Para së gjithash, deri në kohët e fundit nuk kemi pasur asnjë dokument mbi motivet personale të Skënderbeut, që, sikurse e kam theksuar që në fillim, nuk i japin, megjithatë, një shpjegim njëmotivësh kryengritjes."

[ ...]

F. L. - Libri juaj ka sjellë diçka të re mbi motivin e kryengritjes së Skënderbeut. Bazuar në një dokument të gjetur rishtas, ju hidhni tezën se motivi fillestar i kryengritjes ka qenë gjakmarrja, pasi sulltani i ka vrarë të atin dhe Skënderbeu është bërë shtyrësi i vrasjes së birit të Muratit, Çelebiut, princit trashëgimtar, ndonse kjo vendoset në kontekstin e një periudhe kur zotërit e Arbërisë kalonin sa me turqit aq edhe me Venedikun, Mbretërinë e Napolit dhe papatin. Disa pyetje lindin duke u përqendruar veçanërisht tek ky moment:
Së pari: a mjafton një dokument i vetëm për të hedhur këtë tezë?
Së dyti: ju hidhni hipotezën se Skënderbeu mund të ketë bashkëpunuar për realizimin e planit të tij me gruan e Sulltan Muratit, Marën, e cila mund të ketë pasur motiv hakmarrjen pasi ky i ka qërruar dy vëllezërit ose edhe me vetë Mehmetin, i cili mendohet se mund të ketë qenë edhe ai pjestar i komplotit. Ndërkaq, në libër duket sikur është specifika e gjakmarrjes që e bën Skënderbeun më të papajtueshëm me turqit se zotërit e tjerë arbër. Por sipas hipotezës që hidhni ju, a nuk mund të mendohet se Skënderbeu dhe Mehmeti nuk ka pse të kishin një urrejtje kaq të madhe, duke pas qenë të lidhur shumë ngushtë me vrasësit e princit trashëgimtar.
Së treti: si shpjegohet që për një vrasje kaq të bujshme si ajo e Çelebiut nuk ka dokumente ose interpretime nga historianët, duke përfshirë edhe ata turq, ndërkohë që Mehmeti i II (Ngadhënjimtari) është një figurë shumë e njohur. A ka pasur një version si të thuash zyrtar për vrasjen e Çelebiut në atë kohë?
Së katërti; ju thoni se Murati kishte aq besim sa e çoi Skënderbeun subash në Krujë, pra për të mbajtur zap edhe të atin që bënte herë pas here kryengritje. Në këto kushte, a mund të mendohet se Skënderbeu, i rritur nën hijen dhe favoret e sulltanit, do të prekej kaq fort nga vrasja e të atit, që sipas jush mund të ketë ndodhur pasi i ati, Ivani, ka kurdisur përsëri një nga „ato të tijat“.

O. Sch. - Para së gjithash, deri në kohët e fundit nuk kemi pasur asnjë dokument mbi motivet personale të Skënderbeut, që, sikurse e kam theksuar që në fillim, nuk i japin, megjithatë, një shpjegim njëmotivësh kryengritjes. Deri tani është marrë thjesht me mend se motivi i tij kryesor ishte patriotizmi. Por burimet që e mbështetin këtë teori mungojnë, pa harruar pastaj se, kjo teori projekton kategoritë moderne në Mesjetën e Hershme. Sigurisht, ne do të kishim dëshiruar një numër më të madh dokumentesh, por unë mendoj se dokumenti në fjalë është shumë i besueshëm. Le ta shpjegoj në detaje, hap pas hapi, atë që quhet „kritika e burimit“ (Quellenkritik). Para së gjithash, duhet të shqyrtojmë gjininë e tekstit dhe besueshmërinë e tij. Ai i përket një lloj burimi që quhen „dispacci“ apo raporte diplomatike të ambasadorëve të përhershëm, që janë përdorur gjerësisht nga historianët që kanë studiuar Italinë e Rilindjes. Ishte dinastia Sforza që vendosi sistemin e ambasadorëve të përhershëm në oborre të rëndësishme - duke zëvendësuar kështu sistemin e vjetër të ambasadorëve që dërgoheshin për misione të kufizuara në kohë. Për këtë, Sforzat rekrutuan njerëz të mirëarsimuar, analistë të përgatitur. Nëse ju do të lexoni jo vetëm një raportim, por krejt serinë, bëhet i qartë niveli i lartë i analizës dhe i përpikmërisë së këtyre shërbimeve diplomatike. Ky është një communis opinio i kërkimit shkencor historik - ka një duzinë „dispacces“ që kanë të bëjnë me Skënderbeun, të botuara që prej 1940-ës, vlerën e të cilëve askush nuk e ka vënë në dyshim. Ky vështrim i përgjithshëm sigurisht nuk e përjashton se, këta ambasadorë të kenë bërë edhe gabime në parashtrimin e fakteve. Në fakt, dokumenti në fjalë na jep informacion mbi politikën italiane dhe na përshkruan audiencën e ambasadorit të Skënderbeut në Romë. Skënderbeu quhet në këtë kontekst një „infidel“ (i pafe), një e dhënë kjo që u korrigjua nga i njëjti ambasador disa ditë më vonë në një raport të dytë, që e plotësoi të parin. Kjo e bën të qartë se diplomatët milanezë u përpoqën të marrin informacione të tjera mbi Skënderbeun dhe korrigjuan pjesën e gabuar të raportit të parë - Skënderbeu ishte një i krishterë, jo një „i pafe“, por ata nuk e korrigjuan përshkrimin  e pritjes në përgjithësi, që përmban dy pjesë: motivin e Skënderbeut dhe një parashtrim të përgatitjeve detare të osmanëve.
Për të gjykuar vlerën e burimit duhet patur parasysh edhe situata politike e atij momenti: Konstandinopoli kishte rënë disa muaj më parë dhe Papa Nikolla V po përpiqej dëshpërimisht të organizonte rezistencën kundër përparimit osman. Në këtë moment, një ambasador nga Shqipëria kërkon ndihmë dhe thekson se zotëria i tij nuk po lufton për fenë e krishterë, por për „odio privato“. Thjesht, nuk ka arsye pse diplomatët milanezë ta kenë sajuar një histori të tillë. Do të kishte qenë shumë më e lehtë që ata të kishin raportuar për një princ ballkanas që po kërkonte ndihmë në një luftë fetare kundër Perandorisë Osmane myslimane, argument ky që do t'i vinte shumë për shtat edhe ideve politike të papës dhe klimës politike në Italinë e asaj kohë. Ambasadorët e Skënderbeut duhet ta kenë kuptuar se pozicioni i tij ishte disi i pavolitshëm, sepse Papa sigurisht do të ishte më i gatshëm të mbështette një princ të krishterë që e paraqiste veten si kampion të Krishtërimit kundër Islamit, sesa një fisnik që ishte përfshirë në një konflikt personal me sulltanin dhe ambasadorët e të cilit theksonin se feja nuk luante ndonjë rol në këtë ndeshje. Nuk është për t'u habitur që Skënderbeu ndërroi shumë shpejt strategji dhe u përpoq të sigurojë ndihmë si kampion i një lufte fetare, ide kjo që u zhvillua një vit më vonë nga Papa Kaliksti III. Prandaj mendoj se, një analizë e dokumentit dhe e kontekstit të tij shpie në përfundimin se, ambasadorët milanezë thjesht kanë raportuar çfarë dëgjuan nga ambasadori i Skënderbeut. Ata s'kishin pse ta ndryshonin parashtrimin e tij që ishte mjaft i mirëinformuar edhe përsa i përket strategjisë detare të Mehmetit. Dhe s'është se ata kanë përçuar thashetheme sepse kanë qenë vetë dëshmitarë të audiencës.

Marrëdhënia midis Skënderbeut dhe Mehmetit është vërtet një nga gjërat më të ndërlikuara në biografinë e Gjergj Kastriotit. Në libër jam përpjekur ta bëj të qartë kufirin midis provës burimore dhe hipotezës. Aty dallimi metodologjik midis një baze tërësore dokumentare dhe indicieve është shumë i qartë. Problemi ynë kryesor është mungesa e burimeve mbi zhvillimet politike në oborrin osman. Kronikanët osmanë nuk japin narrativa të pavarura dhe kritike mbi faktet politike. Ata vazhdojnë traditën e vjetër të biografisë orientale në shërbim të dinastive sunduese; nuk shkruajnë mbi jetën e rretheve brenda oborrit osman, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për rastet kur ka vend për vërejtje kritike. Vrasja e princit Aladin Ali Çelebi nuk përmendet në këto kronika, gjë që flet shumë. Kuptohet se Mehmeti II nuk dëshironte ta kujtonte vëllain e tij më të madh, birin e përzgjedhur të Muratit II. Historiografi osman Neshri ka vënë në dukje thjesht se „në këtë vit (1443) i biri i Sulltan Muratit, princi Aladin, vdiq.“ (Shih përmbledhjen e burimeve të përkthyera nga: Colin Imber: The Crusade of Varna, 1443 -1445. Aldershot 2006, p. 183). Kjo heshtje është shumë domethënëse nëse kemi parasysh se, Murati II la amanet që të varrosej pranë Aladinit. Pa vrasjen e Aladinit, Mehmeti nuk do të ishte bërë kurrë sundimtar i perandorisë. Nga burimet që kemi dimë pra, këto gjëra: se princi i kurorës u vra në qershor 1443; se Skënderbeu ishte i përfshirë në këtë vrasje; se Barleti e quan Mehmetin „vrasës të të vëllait“; dhe se Mehmeti nuk  e kultivoi kujtimin e vëllait të vdekur. Është e drejtë të shtrojmë pyetjen se si ishte e mundur një vrasje e tillë, ndërkohë që Aladini po komandonte një ushtri në Anadoll. Ja pse unë u përpoqa të identifikoja personat që mund të kishin patur një motiv dhe njëherësh pushtet politik për të eliminuar princin e kurorës. Kam frikë se nuk do të jemi kurrë në gjendje ta rindërtojmë këtë vrasje në të gjitha detajet e saj sepse as vetë Murati II nuk mundi ta gjejë vrasësin apo vrasësen apo, tek e fundit, nuk kishte dëshirë apo nuk qe i aftë ta dënonte atë. Ajo që kam ekspozuar në librin tim është një shpjegim i bazuar mbi aspektin e motiveve dhe atë të mundësive për të vepruar. Burime të reja sigurisht do të lejojnë shpjegime të tjera, por kam frikë se provat do të mbeten të pakta.
Përsa i përket marrëdhënieve të Skënderbeut me Mehmetin, nga përshkrimet e Barletit mund të deduktojmë së paku përshtypjet e klimës midis tyre; nuk ka dyshim për faktin se ata kanë pasur marrëdhënie të afërta, se janë njohur me njëri-tjetrin, ndoshta edhe e kanë respektuar njëri-tjetrin. Ishte bash kjo njohje e mendësisë osmane që e bëri Skënderbeun të mos pranonte ofertën për vasalitet - ofertë që despoti serb George Branković e pranoi më 1444, e që nuk e shpëtoi principatën e tij nga aneksimi i saj përfundimtar në perandori, më 1459.

Skënderbeu dhe i ati duket se kanë ruajtur një marrëdhënie të fortë me njëri-tjetrin edhe gjatë kohës kur Skënderbeu ishte larg vendit të tij të lindjes. Ambasadori i Skënderbeut është mjaft i qartë kur përshkruan vdekjen e Ivanit dhe reagimin e Skënderbeut. „Odio privato“ mund të përkthehet si hakmarrje.

F. L. - Në dokumentin tuaj aq të debatuar thuhet se Skënderbeu ishte „një i pafé“, duke nënkuptuar me këtë fenë islame. Ky dokument, por edhe vetë jeta dhe konteksti, lenë të kuptohet se nuk mund të ishte as feja e të parëve motivi kryesor i kryengritjes. Lind pyetja: sikur të mos ishte ky dokument që flet për vrasjen e të atit, a mbetet se Skënderbeu mund të ketë pasur motiv thelbësor thjesht ruajtjen dhe zgjerimin e zotërimeve në një hapësirë që ende nuk ishte përcaktuar se kujt do t'i përkiste?

O. Sch. - Ndoshta për shkak të emrit të tij turk, Skënderbeu u konsiderua në fillim se ishte një „i pafe“, interpretim ky që u korrigjua shpejt (shih përgjigjen time më lart). Dokumenti në fjalë sigurisht nuk shpjegon rebelimin - shkaqet e tij ishin shumë më komplekse. Por ai na jep një provë të rëndësishme mbi pyetjen pse Skënderbeu, një oficer i suksesshëm në ushtrinë osmane, vendosi të revoltohet kundër Sulltanit, hap ky që nuk e kishte ndërmarrë thuasje asnjë ish i krishterë i konvertuar në Islam. Në librin tim jam përpjekur të analizoj edhe arsyet social-ekonomike të kryengritjes, duke ndjekur kryesisht studime shqiptare mbi osmanët. Edhe një herë duhet bërë dallimi midis një motivi personal dhe arsyeve më të përgjithshme të kryengritjes, që kryesisht janë të lidhura me refuzimin e një pjese të rëndësishme të shoqërisë së Arbërit për të pranuar sistemin fiskal osman, drejtësinë osmane si dhe sundimin direkt osman në çifliqet familjare në zonat rurale dhe malore.

F. L. - Një pikë tjetër e kontestuar e librit tuaj është emri Ivan për të atin e Skënderbeut, çka ka bërë t'ju akuzojnë deri edhe se jeni pjesë e një konspiracioni për t'u „marrë“ shqiptarëve Skënderbeun e për t'ua „dhënë“ serbëve. Ju e thoni qartë e bindshëm se dallimi etnik nuk ka qenë i rëndësishëm në atë periudhë. Po ashtu nga libri juaj del qartë se ato që mund t i quajmë urrejtje dhe diferenca midis shqiptarëve dhe serbëve kanë lindur shumë më vonë si rezultat i nacionalizmave serbe e shqiptare. Por siç e provojnë edhe reagimet e ashpra ideologjike dhe politike ndaj jush, kjo çështje që ka të bëjë krejtësisht me historinë si shkencë, nuk është aspak e tillë mes shumicës së shqiptarëve edhe në ditët e sotme. Në libër (botimin shqip) vemë re se ekziston edhe emri Gjon, i cili është emri që kanë mësuar shqiptarët për emrin e të atit dhe të birit të Skënderbeut. Po ashtu, në libër ju flisni edhe për ekzistencën e emrave shqiptarë dhe serbë si të dallueshëm nga njëri-tjetri dhe për ekzistencën e etnive të ndryshme. Ndërkaq, Ivanit nuk i përcaktohet etnia. Si e shpjegoni këtë, sepse mund të thuhet se është presioni i nacionalizmit shqiptar që e ka lënë Skënderbeun pa një përkatësi etnike duke cënuar kështu edhe shkencën?

O. Sch. - Në burimet mesjetare gjen një spektër të gjerë formash të ndryshme të emrit të pagëzimit të krishterë Johannes. Për këtë mjaft të hidhni një sy në regjistrat e taksave venedikase dhe veçanërisht ato osmane: emrat Gjin, Gjon, Jani, Jovan dhe Ivan i gjen në zonat nga Himara në Shkodër dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Njerëzit regjistroheshin në versionin që ata u jepnin autoriteteve venedikase dhe osmane, të cilët nuk kishin interes të ndryshonin emrat personalë. Atyre nuk u interesonte etniciteti, por taksat. Së dyti, ndonëse nuk mund të deduktojmë nga një emër personal gjuhën që ka folur ky person apo identitetin e tij/saj, mundemi, megjithatë, të vërejmë zonat e ndryshme të ndikimeve kulturore. Për shembull, nuk gjejmë thuajse fare emra sllavë në jug të Lumit Bunë, ndërkohë që numri i tyre rritet në zonën e Mbishkodrës; ka shumë më tepër emra grekë në jug sesa në veri. Emra sllavë dhe shqiptarë dhe forma mikste gjenden më shpesh në Rrafshin e Dukagjinit sesa në Shqipërinë Qendrore. Arsyet janë krejt të qarta: ndikimi i Kishës Bizantine Ortodokse në jug, i Patriarkanës së Pejës në veri dhe i arqipeshkëpisë së Ohrit në Lindje. Atje ku këto zona kulturore/kishtare mbivendosen, si në luginën e Shkumbinit, mund të gjehet mozaiku më i pasur me emra personalë, shqiptarë, grekë, sllavë si dhe emra të krishterë jo etnikë (p.sh. Nikolla). Në zonat e përziera që ndodheshin në Kosovën e sotme dhe në Maqedoninë perëndimore, disa persona etiketoheshin në mënyrë eksplicite si shqiptarë, në kuptimin ose shqipfolës ose si dikush që vinte nga Arbëria. Kur një princ aranitas u shfaq përpara Papa Paulit II më 1469 ai foli shqip, greqisht, sllavisht (ndoshta një dialekt maqedono - bullgar) dhe italisht. Të paktën, në nivelin e fisnikërisë ishte mjaft e përhapur njohja e gjuhëve rajonale të folura si dhe të shkruara (si latinishtja, greqishtja). Përsa i përket përcaktimit të identitetit unë kam përdorur letrat e vetë Skënderbeut - identiteti i tij politik është i qartë (zot i Shqipërisë) dhe në disa letra që ai i ka drejtuar Venedikut dhe papës e quan veten të krishterë. Përsa i përket vetëperceptimit të tij etnik, sot për sot nuk kemi dokumente. Dimë vetëm se si perceptoheshin Kastriotët nga të tjerët: për murgjit serbë të manastirit të Hilandarit (kulla shqiptare e Hilandarit e dhuruar nga Ivan Kastrioti) ishin shqiptarë, kurse nga kronikani Muzaki, si serbë. Por duhet, megjithatë, të jemi shumë të kujdesshëm kur i interpretojmë këta terma: ata mund të tregojnë edhe një origjinë gjeografike (nga Arbëria, një zone në kufi me Serbinë). Edhe se çfarë donte të thoshte Muzaki me „serb nga natyra“ nuk është shumë e qartë.

 [...]

F. L. - Në historiografinë shqiptare me frymë nacionaliste, periudha e Skënderbeut konsiderohet si „koha në prag të pushtimit“ apo e rezistencës ndaj pushtuesit osman dhe pastaj e gjithë periudha pesëqind vjeçare osmane është quajtur si „pushtim“ prej të cilit shqiptarët më në fund çlirohen më 1912. Në librin tuaj ju e bëni të qartë se sa e vështirë është të flitet për pushtim, kur që në shekullin e XV shohim se një pjesë e pushtuesve ishin arbër të konvertuar në myslimanë apo se si arbërit e Beratit ishin kundër çlirimit të qytetit të tyre nga Skënderbeu. Nën këndvështrimin tuaj, a i shkon termi pushtim kësaj periudhe 500 vjeçare apo çfarë do t’i shkonte më saktë?

- Akuza tjetër që ju bëhet është mohimi i motivit të lirisë për kryengritjen. Kuptohet qartë se kritikët bëjnë atë që ju e quani „prapaprojektim i identiteteve moderne etnike në Mesjetë“ e në këtë kontekst, edhe i lirisë kombëtare. Por, nëse mund të flitet për liri nga libri juaj del qartë se kjo është „krenaria“ e malësorëve që nuk donin t'u paguanin taksa zotërinjve të fushave dhe të luftonin në ushtritë e tyre. D.m.th. liria e maleve, siç e quani ju, që vazhdoi deri në 1912. Por, kjo liri ndryshe mund të quhet edhe izolim dhe kjo ngre çështjen se, duke qenë kjo pjesa më e prapambetur e Shqipërisë, e sunduar nga Kanuni, shkojmë te problemi tjetër i debatueshëm i rolit të Perandorisë Osmane në këto treva. Në historiografinë nacional - komuniste shqiptare ajo konsiderohet si prurëse e prapambetjes. Cili është roli i kësaj perandorie në këto treva sipas jush?

O. Sch. - Përpara se t'i përgjigjem kësaj pyetjeje ndoshta na duhet të vemë në dukje se termi pushtim  mbulon në shqip një spektër semantik interesant sepse mund të përkthehet me „conquest“ dhe me „occupation“. Në fakt shumë historianë tradicionalë ballkanas përdorin termin „occupation“ për të përcaktuar sundimin osman. Termi „conquest“ është më i përshtatshëm për të përshkruar periudhën e parë osmane, e cila në shumë krahina të Ballkanit, veçanërisht në Shqipërinë veriore dhe qendrore u karakterizua nga dhuna dhe luftime që vazhduan me ndërprerje dhe me zona gjeografike për disa dekada. Termi „pushtim“ (occupation) nuk përdoret më në historiografinë ndërkombëtare kur flitet për Perandorinë Osmane. Natyra e sundimit osman megjithatë është e hapur për debat: imazhi shumë i errët i përshkruar nga historianët ballkanas kontraston shumë me një interpretim jashtëzakonisht pozitiv që japin kryesisht historianët turq dhe disa historianë osmanistë perëndimorë. Siç ka thënë historiani i famshëm gjerman Thomas Nipperdey, historia nuk është kurrë bardhë e zi, ajo është gri, në një pafundësi variantesh të grisë. Kjo është edhe një pjesë e përgjigjes ndaj pyetjes tuaj shumë të komplikuar mbi trashëgiminë osmane të cilës, në fakt, nuk mund t'i përgjigjesh me pak fjalë. Është e rëndësishme të specifikohet se për cilën periudhë të sundimit osman po flasim, për cilën krahinë, për cilin grup social/kultutor: Periudha e pushtimit (conquest) në shekullin e 15-të pati zona rezistence të fortë vetëm në veriun katolik dhe në male, kurse qendrat ortodokse në jug vazhduan mënyrën e tyre të jetës tradicionale, së paku deri në gjysmën e dytë të shekullit 16, kur filloi procesi i gjatë dhe i ngadalshëm i islamizimit. Intensiteti i islamizimit dhe ritmi i tij ndryshonte nga krahina në krahinë, zhvillimi i tij ishte ndryshe në zonat urbane e ndryshe në ato malore. Nëse lexoni përshkrimin e Evlija Çelebiut të qyteteve si Elbasani, në mesin e shekullit 17, keni përshtypjen e një kulture në lulëzim; por pjesa më e madhe e shekullit 19, megjithatë, u shenjua nga një rezistencë e fortë e shqiptarëve myslimanë ndaj reformave të Tanzimatit. Këto janë vetëm pak rradhë që mund të orientojnë për një interpretim të sundimit osman.

Një dimension tjetër i rëndësishëm në analizimin e sundimit osman është ai i krahasimit të rastit shqiptar me atë të krahinave të tjera të Ballkanit, si dhe të zonave që kanë qenë nën sundimin hasburgas dhe venedikas.
Sot, interpretimi i trashëgimisë osmane në Shqipëri varet shumë edhe nga këndvështrimet konfesionale dhe ideologjke, ku bie në sy se besimtarët myslimanë dhe katolikë kanë vështrime të ndryshme, ashtu sikurse kemi dhe partizanët e identitetit kombëtar të krijuar nga Rilindja, që kanë gjykimin e tyre ndaj Islamit. Diskursi i sotëm mbi identitetin shqiptar na i tregon qartë këto interpretime të ndryshme.

F. L. - Në këtë kontekst a pajtoheni me tezat e Eduard Saidit mbi vështrimin orientalist të Perandorisë Osmane, që më në hollësi i gjejmë për Ballkanin në librin e  Maria Todorovës?

O. Sch. - Unë pajtohem me atë se ekzistojnë diskurse negative në median perëndimore mbi Ballkanin, por nuk pajtohem me atë se Ballkani është thjesht një „krijim“ i „Perëndimit të keq“. Do të ishte interesant të analizoheshin pikpamjet e Todorovës mbi Perëndimin. Ashtu si në rastin e Saidit, dekonstruktimi i „Lindjes“ (apo i Ballkanit) nuk i shmanget dot rrezikut të konstruktimit të Perëndimit i cili, i paraqitur në formë monolitike, është një koncept mjaft problematik. Edhe Todorova u akuzua kështu për „oksidentalizëm“. Po ashtu, ajo nuk shpjegon se cila kategori analitike do të zëvendësonte Ballkanin si një strukturë çështjesh shkencore (jo si një entitet ontologjik). Përgjigja nuk mund të jetë zëvendësimi i analizës së Ballkanit me shtetin kombëtar apo me kombin, sepse që të dy këta janë konstruksione të vona. Debatet shkencore vitet e fundit e kanë mprehur vetëdijen se krahinat historike janë instrumente orientuese; por në rastin e Ballkanit s'mund të mohohet se më shumë se 1500 vjet sundim bizantin dhe osman, me ndikim ortodoks dhe mysliman, e kanë shenjuar thellësisht krahinën dhe se është legjitime të studiohen, për shembull, kultura materiale apo muzika, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel rajonal. Libri i Todorovës ishte shumë i rëndësishëm kur Bullgaria (dhe Rumania) kërkonte të hynte në BE dhe i duhej të hiqte qafe klishetë negative „ballkanike“.

F. L. - Në libër ju thoni se „deri më sot nuk vihet në dyshim në studimet shqiptare prapa projektimi i identiteteve moderne etnike në Mesjetë, nuk përfillen aspak teoritë moderne për krijimin e kombeve“; flisni për mbetje në „modelet e vjetra të të menduarit“. Ju jeni shprehur se kjo i dedikohet 50 vjetëve mbisundim të ideologjisë nacional-komuniste dhe vazhdimit të pushtetit të elitës që ka farkuar këtë ideologji. A vuan historiografia evropiane perëndimore nga simptoma të ngjashme. Nëse po, cilat janë ideologjitë që ndikojnë sot në shkrimin e historisë në Evropë?

O. Sch. - Sot, një pjesë e historiografisë evropiane përpiqet të ndërtojë një histori të përbashkët: kulturat e kujtesës të sponsorizuara nga shtetet dhe qeveritë, vendimet e parlamenteve rreth çështjeve historike (për shembull, genocidi në Armeni) më një anë, po i tërheqin historianët që t'u shërbejnë synimeve të qeverive dhe, nga  ana tjetër, po e ngushtojnë kërkimin shkencor historik. Ekziston gjithmonë rreziku që politika të vendosë mbi historinë dhe kjo tendencë ekziston jo vetëm në shtetet autoritare si Rusia, por kudo ku politikanët përpiqen të imponojnë ideologjinë e tyre me ligj apo me rezoluta parlamentare. Një fenomen tjetër që u vu në dukje në kongresin botëror të historianëve në Amsterdam (nga Prof. Marina Cattaruzza, Universiteti i Bernës) është ekzistenca e një tensioni midis moralit politik dhe kërkimit shkencor. Kjo është e vërtetë, mjaft të kesh parasysh proceset dhe strategjitë e autoviktimizimit që janë të lidhura ngushtë me besimin se grupet që kanë qenë viktima nuk mund t'u bëjnë keq të tjerëve.

F. L. - Në librin tuaj, mes tjerash parakaloni shkurtimisht mesazhet dhe domethëniet kryesore që ka marrë figura e Skënderbeut, nëpërmjet asaj që Eric Hobsbawm e quan „invented tradition“, përgjatë periudhave të tilla si ajo që konsiderohet si Rilindja shqiptare (1878-1912), periudha e parë e shtetit të pavarur shqiptar (1912-1939), dhe periudha e nacional-komunizmit (1944-1990). Për këtë të fundit vini në dukje se krahas ruajtjes së vazhdimësisë ajo ka luajtur një rol edhe më përçudnues ndaj të vërtetës shkencore mbi Skënderbeun. Në periudhën paskomuniste, në këtë traditë ka tentativa për ta quajtur periudhën e tij si periudha e të kaluarës së artë (kur ishim pjesë e Evropës), në të cilën po rikthehemi më në fund dhe Skënderbeu është interpretuar deri edhe si pararendës i NATO-s. Cili do të ishte komenti juaj mbi këto „krijime“ të reja.

O. Sch. - Aktualisht politikanët shqiptarë e përdorin shpesh Skënderbeun jo vetëm si një simbol të NATO-s dhe integrimit në BE, por edhe për politikat e brendëshme psh., në fushatat elektorale gjatë vizitave shtetërore (veçanërisht në Vatikan) apo kur shpallin lajmin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Debati mbi Skënderbeun që prej vitit 2008 u nxit nga politikanë që e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin politikisht Skënderbeun dhe përpiqen të forcojnë imazhin e tyre duke e krahasuar veten me të - shembulli më i mirënjohur i këtij instrumentalizimi të historisë është kryeministri aktual Sali Berisha.


Shenim: Pyetjet i janë drejtuar autorit në shqip; përgjigjet i ka dhënë në anglisht.
I përktheu Fatos Lubonja