Tuesday, September 6, 2005

Kur djepi dhe varri janë pranë e pranë

Një poezi alegorike, autori (frëng) i së cilës nuk më kujtohet, tregon historinë e një burimthi të vogël që lind pranë një liqeni “në një qoshe midis dy gurësh”. Kupa e tij fillon e mbushet me ujë e merr, pastaj, të tatëpjetën me gëzimin që ka dalë nga terri i nëntokës duke thurur, tashmë si përrua, mijëra projekte për të ardhmen; duke ëndëruar se kushedi pas disa gjarpërimesh do të bashkohet me ujra të tjerë e do të shndërrohet në një lumë që do të çajë mes malesh e do të vadisë lugina e fusha. Mirëpo, mbaron fabula, gjigandi i ardhshëm vdes i porsalindur, sepse pas dy tre kthesash përfundon në liqenin e madh “që e gëlltit”. Kështu ndodh kur djepi dhe varri janë pranë e pranë.
Mu kujtua për asociacion idesh kjo poezi duke lexuar në shtyp lajmin mbi fillimin e projekti të bashkëpunimit të partisë së posalindur LSI me PS-në që paska nisur tashmë të konkretizohet në një komunë të Pogradecit me bekimin edhe të Kryetarit të LSI Meta.
Nuk e di sa i vërtetë është ky lajm, por qoftë ose jo i vërtetë ay është i vendosur bukur mirë në atmosferën që mbretëron në kampin e ashtuquajtur të majtë pas humbjes së zgjedhjeve dhe flet për një fenomen që vlen të komentohet.
Duke ndjekur në shtypin shqiptar të pas zgjedhjeve si deklaratat e politikanëve të PS ashtu edhe shumicën e analizave që trajtojnë reformimin e PS, ajo çka të bije në sy është një ngut i madh, një padurim i madh i “së majtës” për tu rikthyer në pushtet. Çështja që dominon shtypin është ajo se si do të duhej të ndryshonte kreu i PS që “e majta” të bashkohet e të fitojë sa më parë zgjedhjet e ardhshme. Ka dhjetra variante që propozohen me ngut nga politikanë, nga analistë të jashtëm e të brendshëm në PS. Lehtësia me të cilën trajtohet ky problem vihet re më së pari në mënyrën se si analizohet humbja. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm nanoistët që e konsiderojnë thjeshtë si një aksident. Kam parasyh edhe ata që e trajtojnë sikur të ishte thjesht përgjegjësia e disa gabimeve taktike të Nanos, e disa tekave të tij që e përçanë të majtën, e disa gjetjeve jo aq të goditura elektorale. Ka ndonjë që u shton këtyre edhe luftën e pamjaftueshme kundër korrupsionit, por duket sheshit se e thotë për demagogji, sepse as nuk i dhemb dhe as nuk ndjen përgjegjësi personale për këtë dhe as i shkon ndërmend se lufta kundër korrupsionit kërkon të kundërtën e ngutit për pushtet: një pastrim goxha të thellë të partive që dolën nga pushteti, që do të nënkuptonte një “kurim” të gjatë në opozitë .
Këtë ngut sikur e thekson edhe më shumë thirrja për të vënë në krye të PS Edi Ramën, një njeri që e ka karakterizuar vetëm nguti për pushtet, që la artin pa na lënë ndonjë vepër që të mbahet mend për tu bërë ministër i kulturës, la ministrinë e kulturës pas një viti, po kështu, për tu bërë kryebashk dhe ka dy vjet që kërkon të lërë Bashkinë, pa mbaruar as premtimin e parë, atë të planit urbanistik, për tu bërë kryetar qeverie duke provuar se më shumë se për çdo lloj projekti gjakon vetëm projektin e një pushteti gjithnjë e më të pakufizuar vetiak, duke ilustruar par exellence kulturën e vjetër të pushtetit në Shqipëri.
Ndërkaq, ajo çka bije në sy është se sa pak shtrohet çështja se si të fitojmë mbi të keqen që na ka lënë në derë PS-ja duke nënkuptuar me këtë jo vetëm luftën kundër sistemit të korrupsionit, por edhe reformimin e vërtetë të së majtës, krijimin e një kulture alternative politike nga ajo që ka lënë trashëgim Nano; se ay që quhet “degradim i Nanos” nuk është gjë tjetër veçse një nga simptomat e degradimit të së ashtuquajturës “e majtë”, por edhe më gjerë, e krejt klasës politike; se Nanua në fakt është modeli kulturor që ka promovuar PS-ja këto tetë vjet, një mënyrë tejet e përhapur e të qënit politikan, e të bërit politikë. Nuk shtrohet asfare çështja se si do të mundet kjo e majtë e reformuar të bëjë opozitë konstruktive sepse çështjet kryesore që kemi për të përballuar sot nuk janë vetëm punë e PD-së dhe partive rrotull saj apo vetëm e Berishës. Nuk di të ketë dalë nga radhët e PS, por edhe nga e majta rreth saj, ideja se pastrimi i sistemit kërkon edhe dhënien fund sistemit të pandëshkueshmërisë dhe se dikush duhet të japë edhe llogari nga PS-istët përpara drejtësisë për abuzimet me pushtetin. Për fat të keq edhe nga LSI, që luftën kundër korrupsionit e kishte një nga pikat bazë të programit të saj, nuk dëgjohet ndonjë zë, në këtë aspekt, por vetëm shqetësimi se si mund të bashkohemi me të majtën për t’ia rimarrë pushtetin Berishës. Po ende, askush nuk bën hesap të shtrojë pyetjen: po sikur Berisha ta ketë me tërë mend luftën kundër korrupsionit? Po sikur Berisha ta ketë seriozisht aksionin politik ndaj prokurorisë me synim hapjen e proceseve kundër një pjese të të korruptuarve të PS-së. Po sikur Berisha ta ketë me tërë mend luftën kundër konfliktit të interesave? A duhet mbështetur ai në këtë rast apo duhet trajtuar si armiku në llogoren tjetër, ngase problemi i vetëm është se si të bashkohemi që t’ia marrim atij përsëri pushtetin?
Mjafton të ikë Nano, të bëhet mbi PS një “visual action” i tipit të lyerjes së fasadave dhe ja u bë reformimi dhe përsëri jemi gati për pushtet. Kjo duket se është filozofia, ajo e padurimit – mëkati i të tërë mëkateve sipas Kafkës. Pjesë e këtij nguti e padurimi është edhe lajmi se LSI është e gatshme të futet në koalicioin e majtë. Ilir Meta i lau hesapet me armikun e tij personal, e detyroi të ikë, tani mund t’i hapet rruga drejt pushtetit, mund edhe ta marrë PS. Por edhe mund të bëjë ndonjë marrëveshje me Nanon – thotë ndonjë tjetër – duke ndjerë se po ia merr Rama apo Gjinushi shansin për të shtënë në dorë të majtën. Tek e fundit e mer se merr PS shans më të madh sesa të bashkohet me PS nuk ka sepse me Berishën nuk i del gjë as atij dhe as të tijve – përfundon dikush tjetër.
Përgjithësisht deri në këtë nivel kanë mbetur shumica e analizave të këtyre zgjedhjeve nga politika pranë të majtës duke përfshirë edhe një pjesë gazetarësh që më shumë sesa hallin e vendit kanë atë se si të bëjnë lojën e njërit apo tjetrit klan të cilit i përkasin. Gjithshka llogaritet sikur të bëhej fjalë për një ndeshje diletantësh shahu kur sapo mbaron njëra lojë fillon tjetra duke i rivënë gurët menjëherë të tërë në këmbë.
Askush nuk e shtron problemin se punët e mira dhe të rëndësishme kërkojnë dashuri të madhe dhe durim të madh, - dhe krijimi i një partie të vërtet të majtë është një nga këto punë; se më shumë shans se kushdo tjetër për ta krijuar këtë iu dha Ilir Metës dhe disa prej djemve që e mbështetën mu sepse guxuan të shkëputen nga PS-ja dhe nga pushteti si qëllim në vetvete duke premtuar rikthim të moralitetit në politikë dhe rikthim vlerash të së majtës. Duket sikur të gjithë nxitojnë ta hedhin burimin e posalindur në varrin e liqenit/kënetë të politikës së vjetër shqiptare.
Kjo afërsi e djepit me varrin ndodh sepse në Shqipëri është krijuar tashmë tradita se profesioni që mund të arrihet më shpejt pa qenë nevoja të bëhesh diçka duke investuar intelektualisht dhe moralisht është ay i politikanit. Mjafton të bësh dy tre artikuj apo më keq akoma mjafton të kesh bërë ndonjë lek e t’i afrohesh ndonjë lideri dhe nuk ke nevojë: brenda një kohe shumë të shkurtër e sheh veten në faqet e gazetave dhe VIP i politikës.
Po ashtu tradita e këtyre viteve na thotë se për të ardhur në pushtet nuk duhet ndonjë punë e madhe, mjafton të presësh gabimet e atyre që janë tashmë në pushtet. Shtoi kësaj edhe traditën e trajtimit të elektoratit si një tufë debilësh që manipulohen lehtë.
Ndërkaq rezultati i këtyre zgjedhjeve dha mësimin se kjo traditë është në krizë të thellë dhe duhet të mbarojë. Se ka ardhur koha të ndërgjegjësohemi se politika është ndër profesionet më të vështira, se ajo nuk mund të jetë thjesht aftësi kalkulimi votash e interesash, as gjetje marifetesh e hilesh e paresh në funksion të marrjes së pushteti për ta përdorur këtë pastaj për përfitime personale; përkundrazi ajo është kultivim me koherencë morale dhe intelektuale idesh, pasionesh, emocionesh që ndahen me të tjerët në përpjekjen për tu vënë në jetë , është kerkesë për emancipim, ajo është dhënie përgjigje ndaj pyetjeve dhe halleve që shqetësojnë elektoratin; ajo është mbi të gjitha një përgjegjësi e madhe ndaj atyre që të kanë dhënë votën, por edhe ndaj atyre që të kanë votuar kundra, por edhe ndaj brezave që do të vijnë më pas. (Korrieri, 1 Shtator 2005)


No comments: