Pa dyshim kush po ndjek zhvillimet e fundit politike shqiptare nuk mund të mos verë re se në qendër të tyre është dinamika që ka krijuar lufta kundër korrupsionit e cila mori një theks edhe më të fortë nga lajmi i freskët se Transparency International e ka renditur Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Botës.
Kjo dinamikë në jetën politike është krijuar kryesisht nga ballafaqimi i tre qëndrimeve:
së pari, qëndrimet e mazhorancës e cila ka ndërmarrë disa aksione politike ku ndër më të shënuarit janë kërkesa për heqjen e imunitetit deputetëve, disa aksione në dogana, presionet politike për të aktivizuar Prokurorinë, shembja e ndërtimeve pa leje në shkolla, si dhe futja në dietë e qeverisë dhe e parlamentarëve nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve;
së dyti, qëndrimet e opozitës PS e cila me një politikë kryesisht destruktive kundërshton thuajse gjithshka bën mazhoranca dhe nëpërmjet organit të saj Zëri i Popullit akuzon se edhe demokratët janë të korruptuar;
së treti, qëndrimet e LSI që shprehet pro nevojës së luftës kundër korrupsionit, por ngulmon se aksionet e qeverisë janë më tepër fasadë, pra se nuk ka vullnet serioz të mazhorancës për të luftuar korrupsionin.
Përballë kësaj dinamike opinioni publik mbetet ndërdyshës, dhe njëherësh edhe në pritje të zhvillimeve të mëtejshme për të vërtetuar nëse PD e ka seriozisht apo nëse kanë të drejtë socialistët që i quajnë demokratët të korruptuar e në këtë kontekst edhe LSI-stët të cilët sot për sot i konsiderojnë aksionet e PD thjesht propagandë.
Pa dyshim aksione të tilla si shkurtimi deri në përgjysmim i bodyguardëve si dhe i shpenzimeve qeveritare nuk mund të kritikohen ashtu sikurse edhe kërkesa për heqjen e imunitetit deputetëve apo dhe kërkesa që Prokuroria dhe Shiku të zgjohen madje edhe të ndryshohen. Por kuptohet se ende kërkohet diçka më tepër që njerëzit të binden se këto janë shprehje e një vullneti të mirë dhe jo të keq sikurse akuzon PS e tërthorazi edhe LSI. E, në këtë kontekst, të mos harrojmë se, sikurse është thënë shpesh nga PD në opozitë, sistemi ynë i korrupsionit apo mafja që ka kapur shtetin ka ndërtuar struktura që në një farë mënyre i ka bërë politikanët tanë të kenë dy rroga, një “modeste” që ua jep shteti si dhe rrogën e majme qu jep sistemi i korrupsionit. Me një fjalë, metaforikisht, shkurtimi i rrogës modeste nuk mjafton për të na bindur se kemi të bëjmë me diçka serioze nëse nuk shohim goditje mbi atë sistem që u jep politikanëve tanë rrogën e majme.
Në këtë pikë opinioni është ende ndërdyshës. Njihen vështirësitë e luftës kundër korrupsionit: ay është një fenomen jo vetëm i politikës, por edhe social kulturor i përhapur si një rrjet kapilar në çdo qelizë të shoqërisë dhe të ndërhysh në të është një punë që kërkon shumë mund e kohë. Nuk mund të mohoet edhe rreziku se po të tentosh ta rrëzosh sistemin e tij me një të goditur ay mund të të zerë brenda, aq më tepër kur edhe instrumente të tilla si Prokuroria apo Gjykatat apo SHISH janë të infektuar rëndë prej tij e mund të të sabotojnë. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohoet se kundër tij më së pari duhet vullnet i mirë dhe diagnistikim i saktë në mënyrë që të përcaktohen edhe terapitë e sakta si ato intensive edhe afatgjatat.
Prandaj ajo çka sot kërkon opinioni është pikërisht dhënia e shenjave bindëse të vullnetit të mirë dhe të diagnostikimit të saktë. A po duken këto? Vështirë të vesh bast për “po” apo “jo”, por disa shenja shqetësuese pro “jo”-së është mirë të thuhen sa më parë.
Shteti brenda shtetit i industrisë së ndërtimit
Nëse sot flitet për dëme të pallogaritëshme të kryera ndaj këtij vendi më së pari do të rendisja helmimin nga korrupsioni të sistemit arsimor dhe atij shëndetsor ku njerëzit në mënyrë masive ndeshin degradimin moral të shoqërisë. Por për këto dy plagë të hapura flitet shumë ashtu sikurse edhe për nevojën e funksionimit të drejtësisë kundër të korruptuarve, edhe kjo si terapi imediate. Ajo që më duket shqetësuese është se pak ose aspak flitet për një plagë tjetër që duhet të vihet edhe ajo në kategorinë e parë e që kërkon ndërhyrje urgjente sepse edhe ajo po shkakton dëme që nuk mund të riparohen ose që duan një kohë shumë të gjatë për tu riparuar. E pra nëse flitet për shtet të kapur nga mafja, që ka sjellë dëme të pallogaritëshme politike, morale, ekonomike, dëme të pallogaritëshme ekollogjike, korrupsion të paparë, nëse flitet për media gjithashtu të kapura nga mafja një nga aktorët kryesorë të këtyre dëmeve është industria e ndërtimit. Hipertrofizimi i kësaj industrie e ka futur ekonominë në një rreth vicioz moszhvillimi nëpërmjet thithjes së të tëra investimeve të shqiptarëve kryesisht në këtë industri e cila nuk është prodhuese dhe zhvilluese. E ndërkaq, si rrjedhojë e këtij hipertrofizimi, nëse sot është shkatërruar bregdeti aktor kryesor janë politikat e mbrapshta të pakontrolluara ndërtuese betonuese. Saranda dhe Durrësi janë shembulli më dramatik i këtij fenomeni. Nga zona turistike ato janë kthyer në të kundërtën e asaj që tërheq turizmin. Nëse sot flitet për shkatërrim të tokave bujqësore, ajo është përsëri aktorja kryesore, nëse flitet për shkatërrim të lumenjve aktorë kryesor janë lavatriçet pa fund në funksion të industrisë së ndërtimit. Nëse janë shkatërruar pyjet përsëri aktorë kryesorë janë sharrat e kësaj industrie. Nëse është shkatërruar pejsazhi përsëri ata janë aktori kryesor. Poende cilësia e jetës së banorëve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës, etj. është e një niveli dramatik. Zgjidhja e problemit të banimit për një pjesë (një nga të mirat e kësaj industrie) është shoqëruar me shkatërrimin e banesës së madhe: qytetit ku njerëzit banojnë. Mjafton të kesh prasysh se tiranasit thithin një ajër tre deri në dhjetë herë më të ndotur se norma dhe se fëmijët e tyre nuk kanë thuajse më asnjë vend publik ku të mund të luajnë apo të shëtiten të pashqetësuar nga agresioni i trafikut, pluhurit, tymit, zhurmës. Po ashtu, nëse janë shembur sa e sa ndërtesa historike në kryeqytet dhe qytetet kryesore aktore është përsëri industria e ndërtimit.
Më tej akoma: nëse flitet për dëme që i janë shkaktuar medias së lirë e të pavarur e më në përgjithësi mendimit kritik në Shqipëri, ndërgjegjes shoqërore, shoqërisë civile përsëri një nga aktorët kryesorë është industria e ndërtimit e cila zotëron thuajse tërësisht median private në Shqipëri dhe njëherësh ka mjetet më të forta financiare të korruptimit.
Prandaj nuk e ekzagjeron nëse thua se kjo industri ka ndërtuar një shtet të vetin të tipit totalitar brenda shtetit. Them të tipit totalitar sepse shteti totalitar kishte njëherësh nën kontroll pushtetin politik, pushtetin ekonomik si dhe pushtetin mediatik/propagandistik që punonin në shërbim të njëri tjetrit. Aq e vërtetë është kjo sa edhe pasi ka marrë përsipër reformimin e Patisë Socialiste kryebashkiaku Rama, një nga kapot e këtij shteti brenda shtetit, nuk ka hequr dorë nga Bashkia, madje, sipas zërave që qarkullojnë, do të kërkojë edhe një mandat të tretë.
Arësyeja e kësaj gjendje nuk është për shkak se ndërtuesit kanë qenë apo janë qeniet më të mbrapshta shqiptare, por sepse, sikurse dihet, paratë më të shumta të shqiptarëve, pas periudhës së piramidave, kanë rrjedhur në vend nëpërmjet kësaj industrie dhe për këtë industri. Fatkeqësisht mungesat e panumërta morale, kulturor dhe ligjore e kanë kthyer atë në një vazhduese më të sofistikuar të piramidave mashtruese, pasi edhe vlera dhe siguria e këtyre investimeve të shqiptarëve është shumë e dyshimtë. Kësaj i duhet shtuar edhe fenomeni i pastrimit të parave të pista, që kudo pastrohen më lehtë nëpërmjet kësaj industrie, çka ka bërë që kjo industri të kalojë në duar investitorësh me burim parash të dyshimta – duke bërë edhe më të madh rrezikun e lidhjes së krimit me këtë industri.
PD dhe industria e ndërtimit
E pra, fatkeqësisht, pikërisht lidhur me këtë çështje nga sa e kam ndjekur qoftë fushatën paraelektorale qoftë edhe zhvillimet pas fitores së PD nuk kam parë thuajse asgjë të rëndësishme deri më sot në programet lidhur me ndryshimin e politikave ndërtuese dhe as të luftës së korrupsionit që buron prej kësaj industrie.
Në shtypin pranë PD-së kam lexuar kohët e fundit disa herë lajm/ komentin se tani që PD-ja ka ardhur në pushtet ndërtuesit e persekutar gjatë kohës së PS-së, veçanërisht për shkak të klientelizmit korruptiv të kryebashkiakut Rama, do tu hapet punë çka do të krijojë mundësi punësimi edhe për shumë shqiptarë. Kjo u komentua edhe pas botimi të një raporti të SHISH-it në Tema që vinte në dukje dëmet që i kishte shkaktuar biznesit shqiptar klientelizmi i Ramës. Por kjo kërkesë për liberalizim nuk mund të mos të të krijojë shqetësimin e thellimit të situatës që ekziston sot kur çdo privat kontrakton me çdo ndërtues (nëpërmjet sekserëve që kryebashkiaku aktual i Tiranës u ka vënë emrin “inteligjencë e terrenit”) dhe ndërton çfarëdolloj monstruoziteti pa asnjë kontroll dhe pa asnjë plan urbanistik; ashtu si dhe shqetësimin se kjo industri mund të vihet tani në funksion të PD.
Para disa kohës hapa me interes të veçantë të lexoj një shkrim të anëtarit të KOP-t Besnik Alia sot këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane i cili fliste për dëmet e pallogaritëshme ekologjike në Shqipëri. Dramaciteti i gjendjes evidentohej qartë, por, për fat të keq, asnjë fjalë nuk pashë atje për aktorët kryesorë të dëmeve, industrinë e ndërtimit.
Po ashtu PD ka folur shumë për kompensimin që do t’i bëhet arkës së shtetit nga shkurtimi i taksave nëpërmjet eliminimit të evazionit fiskal nëpër dogana apo nëpërmjet pagesës së borxheve etj.. Por burimi që nuk kam parë të preket është pikërisht ay që normalisht duhet të ishte një nga burimet kryesor meqënëse edhe paraja e shqiptarëve ka kaluar e po kalon kryesisht nëpër industrinë e ndërtimit. Po t’i referohemi shkrimit të Richard Gibson – Shaw “Edi Rama’s Panorama – Where’s the City Plan” (Panoramat e Edi Ramës – po ku ëshët plani urvanistik?) botuar në Tirana Times rezulton se në Perëndim një ndërtues është i kënaqur kur ka një përqindje fitimi 30%, ndërkohë që, sipas tij, me kosto ndërtimi 300 euro dhe shitje 700 për metër katror përqindja e fitimit të ndërtuesve tanë është 150%. Ku shkojnë paratë e këtyre fitimeve përrallore? pyet gazetari. Po Berisha si e sheh këtë çështje? Ç’kuptim ka shtyrja e TVSH për ndërtuesit? A ka ndërmend PD dhe Berisha të vazhdojnë me modelin socialist të marrëdhënieve të shtetit me industrinë e ndërtimit? Përveç ndonjë artikulli tek-tuk shkruar prej autorësh pranë ish opozitës nuk kam parë përpjekje serioze për diagnostikim të kësaj situate dhe të vullnetit për ndryshimin e saj. Nuk shoh projekte për rivënie në një funksionim jashtë korruptiv të instituteve të tilla si ai i Urbanistikës, i Monumenteve dhe në përgjithësi nuk kam parë të bëhet presion mbi pushtetet lokale për të ndërtuar plane urbanistike për qytetet nga ekspertë që do të ishin jashtë konfliktit të interesave.
Si përfundim
Ka kohë që është ndezur drita e kuqe e alarmit për nevojën e vënies nën kontrollin e ligjit të industrisë së ndërtimit. Masakra urbane, ajo ekologjike, e trashëgimisë kulturore, e pejsazhit turistik janë shenjat e dukshme të marrëdhënieve barbare të shqiptarit me shqiptarin në këtë periudhë e po ashtu përsëritje e një historie të gjatë tragjike: asaj të shpërdorimit të këtij vendi nga një grusht aventurierësh për interesat e tyre banale. Metalurgjiku, bunkerët, superfosfati, gërdalla uzinash gjithfarëshe janë aty për të dëshmuar për këtë. Ndjeshmëria e qeverisë ndaj këtij alarmi do të ishte një nga treguesit kryesorë të fillimit të luftës së vërtetë kundër sistemit të korrupsionit e në thelb edhe të fillimit të ndryshmit të historisë tragjike te vendit tonë. (Korrieri, 23 tetor 2005)

No comments:
Post a Comment