Thursday, January 26, 2006

Kur do të mbarojë agjenturomania?

Një nga tiparet më të shëmtuara të politikës shqiptare gjatë këtyre 14 vjetëve tranzicion - e shfaqur më së shumti në marrdhëniet thuajse përherë konfliktuale mazhorancë - opozitë - ka qenë përdorimi i ndjenjve nacionaliste ose më saktë tendenca për manipulim në luftën politike i ndjenjve nacionaliste të shqiptarëve. E kam fjalën për retorikën e ndërtuar mbi akuzën se kundërshtari po bashkëpunon me armikun, se ai është vegël e armikut, se ajo çka bën ai i shërben armikut e që shpesh nuk mund të mos të të kujtojë të mirënjohurën shprehje “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”, që e jetuam në formën më tragjike në kohën e Hoxhës i cili, gjoja në emër të luftës me armiqtë e kudondodhur të Shqipërisë, por në fakt për interesat e veta të pushtetit, e izoloi krejtësisht Shqipërinë nga bota.
Kuptohet se armiqtë e përdorur – tani që nuk jemi më në periudhën e imperializmit dhe revizionizmit - kanë qenë më së pari armiqtë tanë historikë: serbët dhe grekët. Në periudhën kur Berisha ishte në pushtet në shtypin përkrah tij u shfaqën çuditërisht dhe jo çuditërisht disa terma të importuara nga jashtë ose të krijuara fringo, por mbi një frymë të vjetër. E kam fjalën për terma të tilla si “sllavoortodoks”, “grekosllavoortodoks” etj. me të cilat etiketoheshin kundërshtarët e pushtetit të asaj kohe. Nuk kanë munguar kundërpërgjigjet nga socialistët, veçanërisht në vitin 97, në kohën e piramidave kur, ndërkohë që pushteti e quante katrahurën që po ndodhte të inspiruar nga grekët, opozita ia faturonte gjithshka faktit se Berisha po kryente shërbimet agjenturore që i kishin ngarkuar padronët e tij serbë. Dhe fakti se e shoqja e tij kishte një origjinë përtej kufirit ishte prova më e mirë e kësaj.
Në këtë pikë të shkrimit nuk mund të mos më vijnë ndërmend fjalët e një prej kritikëve të mij i cili më ka thënë se e injoroj faktorin agjenturë në tërë atë çka ka ndodhur e ndodh në Shqipëri. Nuk mund të ve vulën se midis politikanëve tanë nuk ka nga ata që mund të jenë rekrutuar nga shërbime të huaja, por megjithatë mund të them me bindje atë që e kam thënë edhe kur ishte kriza e piramidave se as armiku më i egër i shqiptarëve nuk do të kishte patur guximin të fantazonte se mund t’i bënte aq keq Shqipërisë sa ç’i kanë bërë asaj vetë shqiptarët. Mjafton të kujtosh krimet e Enver Hoxhës, të izoluar nga krejt bota, për ta vërtetuar këtë.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se gjatë tetë vjetëve të qeverisjes socialiste simptomat e kësaj sëmundjeje janë pakësuar, besoj edhe si meritë e socialistëve që i kishin pësuar më shumë në kurriz këto akuza, por edhe për faktin se Berisha dhe partia e tij mësuan nga eksperienca se ky nacionalizëm bosh e i rrejshëm nuk ngrinte fort peshë në pikët politike, pasi shqiptarët kishin një farë imuniteti ndaj kësaj retorike, ndoshta i krijuar ky imunitet që nga koha e Hoxhës.
Nuk se kanë munguar akuza të karakeri të tillë, po të kesh parasysh ato ndaj Nanos si agjent i grekëve apo i serbëve kur takoi Millosheviçin me papijon dhe po ashtu kur janë ngritur disa tensione lidhur me zgjedhjet në Himarë, kur PD-ja është akuzuar, kësaj rradhe nga socialistët, për bashkëpunim me PPDNJ, pra se po tradhëtonte interesat kombëtare. Por lufta politike dhe akuzat kanë qenë shumë më të përqendruara në çështjet midis shqiptarëve.
Pa dyshim në këtë zbutje dhe ndryshim gjuhe ka ndikuar edhe ndryshimi i vizionit për marëdhëniet ballkanike dhe evropiane. Me një fjalë ecja përpara dhe fuqizimi i idesë se ëndrra e integrimit në Evropë nuk mund të realizohet pa dhënë shenjat e një gatishmërie për integrim rajonal.
Edhe mbarimi përgjithësisht në favor të shqiptarëve i luftës në Kosovë ka ndikuar për këtë, sikurse edhe pajtimi me faktin se armiku grek është bërë strehë dhe vend punësimi i qindra mijëra shqiptarëve.
Megjithatë, si për të provuar se mënyra e të bërit politikë duke e akuzuar kundërshtarin si agjent të armikut grek apo serb nuk është tejkaluar në Shqipëri doli rasti i ditëve të fundit kur opozita dhe jo vetëm, por edhe një pjesë e shtypit pranë saj akuzon PD-në se në fushatën e saj elektorale ka kërkur asistencë teknike nga një kompani e specializuar amerikane BG&R e cila kompani tani qënka kërkuar po për asistencë teknike nga qeveria serbe lidhur me negociatat për statusin e Kosovës. Miku i armikut tonë është armiku jonë dhe ju që kemi bashkpunuar me të jeni të dyshimtë – qe menjëherë tymnaja që u hodh në ajër. U ngrit kjo tymnajë deri nga vetë kryetari i partisë socialiste. Nga sa kam parë askujt nuk i shkoi në mend të shtrojë pyetjen se pse serbët nuk e kanë përdorur këtë silogjizëm kur kanë kërkuar asistencën e BG&R. Sepse, po të viheshim të arsyetonim nga pozitat e palës serbe me logjikën e opozitës sonë do të duhej që ata të ngrinin çështjen: si mund të kërkojmë ne asistencë nga një kompani që i ka dhënë asistencë një partie shqiptare? Madje ata duhet të ndiheshin edhe më keq se po e marrin atë kompani pas shqiptarëve. Ata më largvajtësit në fantapolitikë dhe teori konspiracioni do të thonë se kjo provon se Berisha është agjent i serbit, ashtu sikurse ka gjasë që të mos mungojnë edhe në Serbi koka të fantaksura që të akuzojnë qeverinë serbe për këtë asistencë nga BG&R.
Por ata që kanë pesë para mend në kokë dhe jetojnë me kohën kjo akuzë e lëshuar nga opozita nuk mund veçse t’i bëjë të mendojë për krizën e saj dhe krizën e politikës shqiptare në përgjithësi që paaftësinë e saj për të përballuar me përgjegjësi dhe realizëm problemet që ka krijuar vetë mundohet t’i transferojë gjetkë, që nuk po di të shkëputet nga metodat e vjetra të stërkonsumuar dhe kundërproduktive të të bërit politikë: metodat e përdorimit të çdo mjeti për të demonizuar kundërshtarin, madje në një mënyrë sa më afatkshkurtër, pa përfillur konsekuencat afatgjata; metodat trushpëlarëse manipulative që ndërtohen mbi mosrespektin për opinionin publik shqiptar, me idenë se ai mund ta hajë lehtë sapuni për djathë. Sepse edhe ata që e përdorin e dinë më mirë se kushdo se kjo akuzë nuk lindi nga qarja e hallit për statusin e Kosovës, por nga lufta e brendshme për pushtet në Tiranë. Kjo akuzë reflekton gjithashtu mungesën e një vizioni të qartë dhe koherent të opozitës mbi marrëdhëniet në rajon e më gjerë në kushtet e reja të krijuara. Madje edhe negociatave mbi statusin e Kosovës nuk i shërben kjo akuzë sepse reflekton një intolerancë ekstreme të shqiptarëve që mund t’i dëmtojë ashtu siç i dëmtoi serbët intoleranca e tyre në Rambuje psh. Aq më tepër do të thoja ajo reflekton krizën e një partie që presupozohet të ketë program identitet dhe vlera të majta, sepse këto parti janë të fundit që mund tu adresohen retorikave manipulative nacionaliste për të luftuar kundërshtarin.
Do të ishte në të mirë të të gjithëve që çështja BG&R të ishte rasti i fundit i kryerjes së luftës politike mbi manipulime me frymën nacionaliste e të agjenturomanisë të trashëguar nga Enver Hoxha. (Korrieri, 23 janar 2006)


No comments: