Friday, January 27, 2006

Mbi rikthimin e Nanos

« Ku është Fatos Nano? » Kjo ishte pyetja që u ngrit në shtyp në periudhën fill pasi u bë zyrtare humbja e PS-së. Ishte zhdukur. Thuhej se po gjezdiste nëpër vende të tjera duke kënaqur hobet që i ka pasur gjithmonë në konkurrencë me pasionin politik, duke çuditur, ndërkaq, botën me tolerancën e shqiptarëve ndaj tij. Pas afro dy muajsh befas ai u shfaq si protagonist për pak kohë duke tentuar të tërheqë fijet në prapaskenën e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste. Dha një intervistë në Zëri i Amerikës ku sulmoi Edi Ramën dhe Gramos Rucin, la mesazhin se Rama nuk ishte zgjedhja e duhur, dhe kërkoi të bëjë një marrveshje me Mejdanin - çka të gjithë e kuptuan se, tek e fundit, ishte një tentativë për të përgatitur rikthimin e tij në krye të partisë – por, pasi pa se disa nga këto fije iu këputën në dorë, ra përsëri në heshtje.
Tani, pas afro dy muajsh të tjera, kur Partia Socialiste jep shenja të qarta se është në krizë - në dukje pasi Rama nuk po di të krijojë unitet dhe ngase po e përdor PS-në më tepër për të mbrojtur aferat e tij në Bashki, por, sipas meje, për shkaqe shumë më të thella, - po flitet përsëri për rikthimin e mundshëm të Nanos, në mos si kryetar i partisë si kandidat i PS për President. Nuk mungojnë, po ashtu, zërat se ekziston një marrëveshje e fshehtë me Berishën për këtë ; çka, sipas këtyre zërave, do të siguronte vazhdimësinë e qeverisjes së Berishës, kënaqjen e ambicieve të Nanos dhe heqjen qafe të një kryetari PS-je si Rama, të pakëndshëm jo vetëm për Berishën, por edhe për një pjesë të socialistëve.
Këtë janë zëra që qarkullojnë nëpër shtyp dhe jo vetëm, për të cilat dikush mund të thotë se nuk ka pse të merremi sa kohë që nuk ka konfirmime serioze nga ana e protagonistëve për vërtetësinë e tyre. Por mendimi im është se me këto « zëra » duhet te merremi edhe thjeshtë për faktin se ndaj tyre nuk ka qëndrime të prera e të qarta nga protagonistët e politikës, jo më që ka edhe konfirmime - po të kesh parasysh deklaratën e Majkos se Nano mund të ishte kandidati socialist për Presidentin më 2007. Duhet të merremi sepse vetë mosmbajtja qëndrim ndaj çështjes së rikthimit të Nanos në krye të politikës shqiptare është shenjë e mosshëndoshjeje të politikës sepse një nga shenjat se politika shqiptare ka bërë një hap të dukshëm përpara do të ishte pikërisht nxjerrja nga axhenda e saj e çështjes së rikthmit të Nanos në krye të politikës.
E këtu le të hap një parantezë. U shpreha për kthim të Nanos në « krye » të politikës shqiptare dhe jo në politikë sepse normalisht ai duhet të ishte në politikë. Nano në fakt është deputet dhe paguhet nga paratë e taksapaguesit shqiptar për t’i shërbyer me punën e tij zonës që përfaqëson, por edhe debatit të çështjeve politike në përgjithësi. Kurse ai është zhdukur dhe çuditërisht askush nuk i kërkon hesap për këtë, më së pari në partinë e tij, por edhe nga shtypi madje edhe nga vetë mazhoranca, por trajtohet sikur kontribui i tij në politikë mund të jetë vetëm në role kryeministri, kryetari partie apo presidenti. Mjafton ky qëndrim apo, më saktë, mosqëndrim për të konstatuar se politika shqiptare nuk është aspak në gjendje të shëndoshë e demokratike e të konceptuar si shërbim dhe jo si mjet pushteti e përfitimesh personale. Sepse do të mjaftonte vetëm ky qëndrim i Nanos për ta nxjerrë atë krejtësisht jashtë politikës shqiptare e jo më që arsyet janë shumë më të mëdha e më serioze.
Arsyet janë të shumta dhe serioze si për PD edhe për PS por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Çështja e rikthimit të Nanos në krye të politikës duhet të jetë jashtë axhendës së PD-së më së pari pasi tema kryesore që e soli atë në pushtet ishte ajo e ndryshimit të moralit që përfaqësonte Nano në politikë. Sipas tërë çka ka thënë PD-ja për katrahurën e korrupsionit, Nano është politikani kryesor përgjegjës, njeriu kryesor të cilit do të duhej t’i kërkohej llogari. Nano dhe Rama në këtë aspekt ndryshojnë vetëm se njëri ka abuzuar me pushtetin qendror dhe tjetri me atë lokal prandaj favorizimi i njërit dhe lufta ndaj tjetrit e komprometojnë rëndë kredibilitetin e PD-së. Sipas deklaratave parazgjedhore të PD, Nano, në vend se me politikanë, pas fitores së PD-së, do të takohej e bisedonte me hetues e gjyqtarë. Heshtja e sotme e PD ndaj çështjes së kthimit të Nanos në rolin e protagonistit të opozitës të le të dyshosh se PD-ja kërkon të shfrytëzojë një çarje më shumë që mund të krijonte kthimi i Nanos. Pra një Nano që qëndron si kërcënim mbi Ramën, dhe një Ramë që nuk do të lejojë kurrsesi Nanon të rikthehet e të bëhet faktori i parë në politikbërjen e PS-së, do të qe në favor të PD-së sipas një logjike të vjetër të pushtetit që thotë se kur armiqtë i ke të ndarë punët e tua shkojnë mbarë. Mund të duket e suksesshme, por, sipas meje, vetëm në terma afatshkurtëra dhe jo në terma interesash afatgjata jo vetëm përsa i përket interesave të vendit. por edhe të vetë PD sepse edhe ajo edhe politika shqiptare në përgjithësi, kanë nevojë për një opozitë të fortë dhe konstruktive dhe jo për një opozitë që kthehet baraz me zero për shkak të kundërshtive të brendëshme.
Por pranimi i rikthimit të Nanos si faktori kryesor i politikbërjes është edhe më problematik për vetë opozitën. Ai vërtet mund të vendosë një harmoni që ka mungur në PS gjatë kësaj periudhe, por problemi është : harmoninë e kujt dhe në interes të kujt ? Të kthesh përgjegjësin kryesor të humbjes, atë që u bë simbol i korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe shfrytëzimit të politikës për interesa private në krye të partisë, deri duke e propozuar si President, do të thotë të mos kesh reflektuar as edhe një grimë për përgjegjësitë për të kaluarën dhe të mos kesh ndërtuar as edhe një program ndryshe për të ardhmen. Dhe gjer tani duket sheshit se kështu është. Thirrja e Nanos veçse e konfirmon edhe më fort këtë fakt.
Në komentet që bëhen sot për karierën e Angela Merkel, kançelarja e re gjermane, vihet në dukje fakti se ajo arriti ta kthejë në fitore partinë e Kohlit pikërisht sepse shtroi tezën se partia do të mund të ringrihej vetëm nëse do të kishte guximin të distancohej nga Kohli dhe ta dënonte atë. Kur ke parasysh kontributin e Kohlit për Gjermaninë dhe bëmat e Nanos ndaj Shqipërisë ky pohim bëhet edhe më domethënës.
Ndërkaq, duke e parë këtë çështje përtej optikës PD - PS mund të thuash se është shumë dëshpëruese për shoqërinë tonë nëse ajo arrin të kërkojë apo qoftë edhe të pranojë rikthimin e Nanos në krye të politikës. Kjo nënkupton refuzimin e kësaj shoqërie për të hedhur hapa përpara drejt respektit për vetveten, pasi problemi më i madh që paraqet rikthimi i Nanos në aspektin moral është se ky rikthim është vërtetim i asaj se kjo shoqëri nuk është në gjendje të dënojë protagonistët e saj të së keqes. Për njëmijë arësye, që tregojnë prapambetjen e saj, shoqëria shqiptare nuk ka dënuar dot protagonistët e saj të së keqes komuniste; ajo nuk i dënoi dot protagonistët e së keqes së 97-tës dhe një rikthim i Nanos në politikë do të ishte vërtetimi i trishtë se kjo shoqëri është ende shumë larg fitimit të sensit të moralitetit dhe të drejtësisë.
Mirëpo të thuash se kjo shoqëri nuk ka sensin e moralitetit e të drejtësisë do të thotë edhe të fyesh pa të drejtë shumë njerëz. Aq më tepër duke patur parasysh elektoratin që votoi në 3 korrik në një mënyrë të tillë që tregoi një kërkesë të fortë për ndryshim në këtë drejtim. Ndoshta kritika duhet reduktuar ndaj elitës që drejton këtë shoqëri e cila është ajo që duhet të ndërtojë e drejtojë instrumentet që e kthejnë në realitet institucional këtë kërkesë për ndryshim. (Korrieri, 25 janar 2006)


No comments: