Wednesday, February 1, 2006

Perpjekja - Interviste me Standart

Sot, të enjten më 19 janar gazetat kishin një histori tronditëse: Babë e bir marrin divorcin në gjykatën e Beratit me shkak sherrin të njejtën grua. Historia e koklavitur mund të zdridhet pak a shumë kështu: Djali është në emigracion merr fjalë se nusja e tij shkonte në shtrat me babain dhe kur kthehet kërkon divorcin. Nga ana tjetër nënë e djalit, për të njëjten arsye kërkon divorcin nga burri i saj, me akuzën se e reja e djali shkonte me burrin e vet. Brenda dhe jashtë fabulës konkrete Lubonja, a mendoni se familja shqiptare po i nënshtrohet një problematike të re që lidhet me emigracionin apo thjesht po dalin në sipërfaqe pjesë më të mëdha të aisbergut të familjes shqiptare?

Mbi këtë ngjarje mund të bëhen shumë komente që lidhen dhe nuk lidhen me institucionin e familjes. I pari koment që do të bëja është: së paku çështja ka përfunduar në gjyq civil me shpallje divorci dhe jo në ndonjë gjyq penal për vrasje me thikë apo me kazëm prapa koke të babës nga i biri apo të birit nga baba apo ndonjë varianti tjetër vrasjeje.
Komenti i dytë është se ngjarje të tilla jo domosdoshmërisht reflektojnë kriza të ngjashme. Ngjarje të tilla ndodhin gjithandej e mund të kenë njëqind shkaqe të ndryshme të mosfunksionimit të mardhënieve midis çifteve. Raste të tilla i gjejmë edhe në telenovelat hollivudiane të tipit Beautifull psh. Edhe brenda vendit çdo rast duhet parë në veçansinë e vet, ku gjithsesi duhet thënë se kemi të bëjmë me një dramë të fortë sepse kemi të bëjmë me shkelje tabush nga më të lashtat e më të fuqishmet.
Po të vijë puna për përgjithësime nisur nga ky rast do të thoja se duke patur parasysh kontekstin shqiptar qasja ndaj kësaj ngjarje nuk mund të jetë e tipit të filmave holllivudianë. Në kontekstin shqiptar fakti që nusja shkon me vjehrrin psh. mund të të çojë më afër idesë se kemi të bëjmë me një familje të mbyllur me strukturë patriarkale ku mungon liria e individit se përndryshe një grua që e ka burrin larg për një kohë të gjatë e nuk reziston dot, apo e ka humbur dashurinë për të, normalisht, për të plotësuar nevojat e veta seksuale apo afektive, mund të gjente dikë tjetër jashtë familjes. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vjehrrin e saj që, gjithë sipas kësaj llogjike, duket se ka gjetur rrugën më të lehtë për të kënaqur epshet e tij seksuale duke ushtruar autoritetin që i jep në familje një strukturë e tillë. E këto janë fenomene që ndodhin pikërisht më shumë në kësi strukturash të mbyllura, me ndrydhje seksuale për thellimin e së cilës ndikon edhe i famshmi kod i nderit. Në këto kontekst dy variantet që shtroni ju nuk përjashtojnë njëri tjetrin. Kemi të bëjmë sipas meje me takimin e institucionit të familjes patriarkale me fenomenin e emigracionit e në përgjithësi të hapjes së Shqipërisë ndaj botës. E njëjta gjë që mund të thuhet edhe për fenomenin e trafikimit të femrave për t’i hedhur në tregun e prostitucionit. Edhe aty vërehet mendësia patriarkale maçoiste e trajtimit të gruas si mall që blihet dhe shitet nga burrat, e vendosur, tashmë, në kontekstin e hapjes ndaj Perëndimit dhe ekonomisë së tregut. Nuk ka kontradiktë, kemi të bëjmë me një formë të adoptimt në kushte të reja të një strukture të vjetër.
Tjetër çështje, shumë më e gjerë për trajtim, është ajo nëse po ndryshon dhe si dhe sa po ndryshon familja shqiptare pas rënies së komunizmit me hapjen, edhe nëpërmjet emigracionit, ndaj Perëndimit ku, krahas lirisë shumë më të madhe seksuale dhe krahas një tjetër personaliteti të gruas, gjejmë edhe forma shumë më të larmishme të krijimit të çifteve e të martesave.

Na ra në duar numri 22 i Përpjekjes, revistës që e drejtuar ju dhe që e boton Qendra Përpjekja. Lajmi i mirë është se "Përpjekja" po vazhdon dhe nga ana tjetër në fokus keni problemin e gjuhës. Një pyetje: a ndan edhe Lubonja idenë se "shqipja është dialekt i imponuar politikisht nga regjimi komunist me kongresin e 72"?

Ky numër i Përpjekjes nuk merret me këtë çështje megjithatë me sa kujtoj nuk ka munguar edhe trajtimi i kësaj teme tek Përpjekja. Me dy fjalë mendimi im për këtë çështje është ky: Përgjithësisht gjuhët standarte janë krijuar me vendime politike dhe shpesh duke u ushtruar vullneti i më të fortit dhe po ashtu në kontekste centralizimi pushteti dhe unifikimi. Shqipëria këtë proces e kreu shumë vonë sepse e vonuar ka qenë edhe në procesin e kombformimit. Për fat të keq e kreu në një formë shumë të egër dhe të dhunshme sepse në një nga diktaturat më të egra të kohës. Krijimi i gjuhës standart apo zyrtare ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta kudo ku ky ka ndodhur, varet nga këndvështrimi. Nevoja për të pasur një gjuhë me të cilën të merren vesh sa më shumë njerëz ka çuar deri në idenë e krijimit të një gjuhe të të gjithëve si Esperantoja psh. Kujtoj me këtë rast edhe mitin e lashtë të kullës ës Babilonisë sipas të cilit njerëzit flisnin të njëjtën gjuhë, por ngase treguan ambicie duke dashur të ngrihen në lartësinë e Zotit ai i ndëshkoi duke i bërë me shumë gjuhë që të mos merren vesh me njëri tjetrin, e kështu nuk e ngritën dot kullën e cila u shemb. Krijimi i një gjuhe të përbashkët kombëtare sigurisht është shoqëruar edhe me krijimin e një identiteti të përbashkët për tërë ata që ndanin një gjuhë. Nga ana tjetë sa më shumë që piqeshin shoqëritë që krijuan gjuhët kombëtare apo standarte, sa më demokratike e tolerante bëheshin ato aq më shumë filluan të kuptojnë se humbja e dialekteve ishte një humbje e madhe kulturore, se komunikimi më i mirë nuk vendoset nëpërmjet njesimit, por nëpërmjet ruajtjes së diversitetit të mjeteve shprehëse gjithashtu. Ky është vlerësimi i përgjithshëm i sotëm në botën postmoderne lidhur me asgjësimin e dialekteve – gjë që në Francë psh. ka ndodhur në mënyrë dramatike. Për Shqipërinë ka qenë një humbje e madhe kulturore sepse gegërishtja ishte gjuha e gjysmës së shqiptarëve, gjuhë e një tradite të lashtë, por edhe gjuhë e autorëve të shquar të shekullit XX. Edhe më i keq është fakti se komunizmi e luftoi këtë gjuhë politikisht. Po të keni parasysh edhe e demonizoi duke e bërë në filmat e Kinostucios edhe gjuhë të armikut. Shpesh perzonazhet e kulakut të spiunit të fashzmit apo të priftit raksionar që mbante lidhje me diversantët flisnin gegërisht. Ky është një krimi i madh që i është bërë jo vetëm kulturës shqiptare, por edhe tërë atyre shqiptarëve që si gjuhë të nënës kanë pasur gegërishten.
Në kushtet e sotme, në pamundësi për tu kthyer prapa dhe për ta zgjidhur ndryshe, në mënyrë demokratike dhe konsensuale, problemin e krijimit të një gjuhe ztandarte apo zyrtare, mendoj se një nga detyrat e kulturës shqiptare është që, gjithë duke ruajtur e zhvilluar standartin, të përpiqet të rabilitojë e kultivojë gegërishten dhe jo vetëm, por edhe tërë ato dialekte të krahinave të ndryshme që përbëjnë një pasuri kulturore të paçmueshme.

Përfundoi vizitën në Tiranë presidenti i Kongresit të Autoriteteve lokale të Këshillit të Europës, i cili erdhi edhe për të trajtuar konfliktin pushtet lokal- pushtet qëndror, të ashtuquajturin Zogu i zi, pak a shumë me atributet e një "arbitri". A ju duket paradoks Lubonja që ndërkohë që tendohet të rritet autonomia lokale në fakt për të arbitruar një çështje të tillë kalohet në nivel ndërkombëtar?

Pyetja juaj është retorike, e ka brenda përgjigjen. Është një temë që e kam trajtuar më shumë se një herë. Kemi të bëjmë me një ngjarje që tregon mjerimin e institucioneve tona në përgjithësi: veçanërisht atyre që duhet të jenë arbitrit e vendit Prokuroria dhe Gjyqsori, por jo vetëm, edhe të politikanëve shqiptarë, edhe të medias shqiptare edhe të biznesit shqiptar e me rradhë. Shkurt është një ngjarje që na zhvleftëson të gjithëve dhe që, më anë tjetër, evropianëve u shërben si test shumë i mirë për të parë se sa përpara jemi në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Aq më qesharake bëhet puna kur shikon se “arbitrat” që vijnë të na arbitrojnë ndeshjen flasin si orakulli i Delfit me një gjuhë që mund të interpretohet edhe kështu edhe ashtu. Ligjet qënkan shkelur, por nuk janë ligje të mira. Dhe s’kanë si flasin ndryshe sepse na trajtojnë si fëmijë që nuk jemi rritur ende, prandaj dhe pa arritur ende moshën kur jemi të përgjegjshëm për aktet tona e prandaj duhet të përgjigjemi përpara ligjit. Fëmijët nuk ndëshkohen, vetëm këshillohen.
Gjithashtu, në këtë kontekst, mund të them se, ndoshta pse ka dashur tu ikë përegjigjeve konkrete, ose pse nuk e njeh realitetin shqiptar kjo çështje u trajtua nga “arbitri” që erdhi në mënyrë shumë teorike. Kurse një nga avantazhet e decentralizimit është pikërisht se problemet zgjidhen nga ata që janë në vend e i njohin ato më konkretisht e më mirë. Trajtimi i deklaratës së tij la shijen sikur të keqen e kemi nga ligjet dhe se po rregulluam ligjet çdo gjë do të shkojë vaj. Ky është një iluzion ashtu sikurse është iluzion se sherret tona mund të na i zgjidhin të huajt. Problemi ynë më i madh nuk kanë qenë ligjet e këqija, por nëpërkëmbja e ligjit, vënia e pushtetit të personit mbi pushtetin e ligjit. Edhe problemi i policisë ndërtimore nuk ka qenë pasja e mbikompetencave, por mospunimi i saj për shkak të bllokimit të ligjit nga sistemi i korrupsionit që, pa dyshim, ka pas kapur edhe ndërtimoren. Si mund të shpjegohen ndryshe tërë ato ndërtime pa leje për të cilat është ankuar deri edhe vetë kryebashkiaku? Nuk mohoet se shumë ligje janë bërë keq duke krijuar përplasje ose boshllëqe, herë nga paaftësia e herë nga qëllimi i mbrapshtë. Mjafton të kujtosh ligjet që lejuan manipulimin elektoral të Dushkut, por ngulmoj se në rastin tonë e keqja më e madhe ka ardhur nga vullnetet e mbrashta dhe jo nga ligjet e këqija.Tani shoh edhe disa që kanë qenë idhtarë të idesë që ligji nuk duhet shkelur në asnjë rast që e quajnë arrogancë madje edhe padrejtësi zbatimin e ligjit në rastin e Zogut të Zi sepse ky qënka i keq sepse kështu tha De Siati. Kjo është shumë shqetësuese. Unë nuk di të ketë ligj të përsosur, por di se sa kohë që ai është ligj duhet zbatuar veçanërisht në një vend, siç e thashë, ku sëmundja krysore ka qenë mosbatimi i ligjit.
Ashtu sikundër është po ashtu e vërtetë se çdo ligj nuk është tjetër veçse një instrument që varet se si e përdor. Është diçka si bisturi i kirurgut i cili mund të përdoret për të bërë operacione të shkëlqyera, por mund edhe të përdoret si thikë për të vrarë. Një polic ndërtimor mund ta përdorë ligjin për të marrë rryshfet mund ta përdorë edhe për të mbrojtur territorin në emër të intreresave të komuniteti. Një politikan mund ta përdorë atë për të shkatërruar kundërsharin, por edhe për të ndërtuar shtetin ligjor. Për këtë ndikon mbi të gjitha, moraliteti, vullneti dhe profesionalizmi i atyre që e përdorin atë. (Standart, 21 janar 2006)

No comments: