Tuesday, February 21, 2006

Lubonja: Arti i vërtetë është kombëtar dhe ndërkombëtar njëherësh


Lubonja, një zgjidhje e papritur në Kosovë për lidershipin e ri "Post - Rugova". Kandidati për president është zgjedhur Fatmir Sejdiaj, një profesor i të drejtës me një profil të ulët politik. Një kandidaturë dukshëm e mbështetur dhe nga ndërkombëtarët dhe e sponsorizuar prej tyre. Do të thotë se në Kosovë për ndërkombëtarët duket se "shkon" një profil i dobët politik në krahasim me lider të tille historikë si Rugova?

Ju e cilësoni Rugovën “lider historik” dhe pa dyshim kështu është nëse do të kemi parasysh se ai ka qenë për 15 vjet violinë e parë e Kosovës. Por kjo nuk do të thotë se tingujt që ka nxjerrë kanë qenë gjithmonë të fortë e të këndshëm. Pavarësisht nga fjalët e mëdha që ne shqiptarët kemi zakon të themi pas vdekjes - që të bëjnë të mendosh se ajo thënia “vdis që të të dua” lidhet më shumë me atë se i vdekur nuk je më rrezik për mua - e po ashtu faktit se vdekja dhe varrimi i Rugovës ishin vërtet, ashtu sikurse është komentuar në shtyp, një shërbim i fundit që i bëri ai çështjes së Kosovës, nuk mund të thuhet se Rugova ka qenë një udhëheqës i zoti e aktiv. Nga kontaktet që kam pasur në Kosovë, nga çfarë kam lexuar dhe kam parë mua më rezulton se ndaj tij ka pasur shumë pakënaqësi për mefshtësi. Të mos harrojmë se UÇK-ja lindi dhe u rrit dhe kontribuoi në çlirimin e Kosovës edhe duke akuzuar Rugovën për mefshtësi. Edhe fakti që ai nuk diti t’i qaset thuajse fare Shqipërisë nuk i bën nder si politikan. Për mua ka qenë gjithnjë intrigues fakti se pse Rugova gëzonte mbështejen më të madhe të shqiptarëve, madje edhe pas takimit të përfolur me Millosheviçin mu në kohën kur Nato bombardonte Serbinë. Aq sa ndonjëherë kam menduar se karizma e Rugovës më shumë se gjithshka i dedikohet faktit se më shumë nuk ka bërë se ka bërë sepse politikanët shqiptarë që “bëjnë” më shumë se të mira bëjnë të këqija. Por nuk është thjesht kjo. Eshtë edhe karakteri patriarkal i shoqërisë kosovare që e ruan të parin e vendit derisa vdes edhe dobësia e partive të tjera e ndoshta edhe më shumë se kaq.
Në këtë kontekst më duket se çështja nuk duhet shtruar sikur Perëndimi ka nevojë për një “profil të ulët” ngase pati telashe me Rugovën. Sipas meje, zgjedhja e Sejdiajt që duket me profil të ulët pasi është një emër që nuk ka dalë në pah si emra të tjerë të politikës shqiptare është, para së gjithash, një çështje shqiptarësh. Edhe kur u zgjodh Rugova, me sa mbaj mend, u tha se i ngeci LDKja në dorë sepse të tjerë, më me emër, ose u tutën ta marrin kryesinë e saj ose nuk donin njëri tjetrin.

Tregues të rinj të publikuar nga burime zyrtare së fundmi kane rrëfyer se problemi i ndotjes në Tiranë, jo vetem nuk zvogëlohet, por po rritet. Ndërkohë lëvizja ambientaliste duket ende anemike në Shqipëri. Lubonja, si e shpjegoni një shproporcionin mes problemeve aq te mëdha ekologjike dhe në rritje dhe një levizjeje ambientaliste anemike?

Shkaqet janë më shumë se një do të thoja. Do t’i ndaja në dy llojesh: ato të injorancës dhe ato të manipulimit të cilët janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin si dy anë të së njëjtës medalje.
Kur bëhet fjalë për lëvizje ambjentaliste të vërtetë – dhe jo për OJQ të sponsorizuara nga perëndimorët dhe as për ndonjë pseudolëvizje të vënë në lëvizje nga ndonjë biznesmen për hesapet e veta – duhet të kemi parasysh një ndjeshmëri të popullsisë e cila organizohet vetë për të mbrojtur interesat e veta. Ky është edhe kuptimi i vërtetë i shoqërisë civile që tek ne mungon e në këtë kontekst edhe lëvizja ambjentaliste.
Tek shkaqet e injorancës kam parasysh mosndjeshmërinë e njerëzve sa dhe si duhet lidhur me rrezikshmërinë e ndotjeve (e jo vetëm të ajrit, por edhe të detit, por edhe të lumenjve, edhe të tokës) që vjen nga fakti se dëmi nuk është një gjë e dukshe në mënyrë të menjëherëshme si psh. dëmi i tërmeteve apo përmbytjeve, por diçka që vjen më padukshmrisht dhe më ngadalë prandaj kërkon më shumë informim, më shumë imagjinatë dhe dije dhe mendje kritike.
Të gjitha këto mungojnë për fat të keq për shumë arësye por edhe sepse ndikon for shkaku tjetër, ai që e quajta i manipulimit të njerëzve. Si mund të jetë ndryshe kur një pjesë e mirë e pushtetit politik, mediatik dhe financiar sot është në duart e shkaktarëve kryesorë të kësaj katastrofe ekologjike? E kam fjalën për industrinë e ndërtimit e cila është ajo që me ndërtimet jashtë çdo përvoje normale urbane dhe jashtë respektimit të çdo nevoje për gjelbërim e për ajër e për numër të caktuar banorësh për km katror po helmon qytetet. Eshtë po ashtu ajo që po shkatërron pyjet, që po shkatërron lumenjtë, që po shkatërron bregdetin. E pra kjo industri, për fat të keq, ka në dorë edhe pushtetin mediatik edhe financiar edhe atë politik. Tirana është shembulli më dramatik i kësaj situate. Por edhe gjetkë vazhdon e njëjta dramë. Ajo që është bërë në Sarandë, Durrës, Velipojë nuk i ka shërbyer as turizmit, as rritjes së cilësisë së jetës të banorëve vendas, i ka shërbyer vetëm një kategorie individësh që përbëjnë një pjesë shumë të vogël të popullsisë që kanë grumbulluar nëpërmjet industrisë së ndërtimit paranë e shqiptarëve.. Dhe, duke patur, siç thashë, tre pushtetet këta kanë bërë çmos që ta fshehin të vërtetën e ndotjes të shpëlajnë trutë e shqiptarëve të cilët ende nuk e kanë marrë vesh se megandërtesa si ato që ndërtohen në Tiranë psh. nuk i ndërton kush në botë për banim veçse për më të varfërit e në vendet më katrahurë.
Në këtë kontekst drama e Ibsenit Armiku i Populit është dy herë e vërtetë edhe në kuptimin metaforë edhe si ngjarje e përshkruar. Doktor Stokmani i informoi njerëzit e qytetit të tij se ujësjellësi që donin të ndërtonte një kompani private e lidhur me pushtetin ishte i dëmshëm sepse uji nuk qe i mirë. Mirëpo këta arritë t’i manipulojnë njerëzit nëpërmjet pshtetit mediatik e financiar dhe t’i bëjnë të shkojnë t’i thyejnë xhamat e shtëpisë me gurë e ta shpallin armik.



Kur është hera e fundit qe keni vënë kembën në një premiere të Teatrit Kombetar në Tiranë Lubonja dhe cili është gjykimi juaj mbi një debat të hapur fort në shtypin shqiptar për venien e theksit dhe inkurajimin e dramës shqipe në teatrin kombëtar në Shqipëri?

Për herë të fundit kam parë një shfaqje të vënë në skenë nga Arben Kumbaro, por jo në skenën e Teatrit Kombëtar; në një sallë të Estradës. Ishte me temën shqiptare të trafikimit të femrave dhe fëmijëve dhe më pëlqeu.
Në Teatrin Kombëtar për herë të fundit kam qenë në rolin e aktorit në një shfaqje Ajsberg që organizoi Artur Çani për mbrojtjen e ndërtesës nga një projekt i kryetarit të bashkisë (i cili qe edhe ai aktor në skenë sëbashku me ministrin e athershëm të kulturës) që synonte ndërtimin atje të një 25 katëshi. Ngjarja ka vite çka tregon se kam kohë që nuk e ndjek teatrin tonë. Por jo për faktin se atje mungon drama shqiptare.
Çështja e vënies së theksit në kombëtaren është një çështje delikate dhe shumëplanëshe do të thoja. Mbi kombëtaren e vuri theksin edhe regjimi i Hoxhës dhe rezultoi në krijimin e një kulture autarkike që e izoloi Shqipërinë. Ne kohën paskomuniste, siç na ka ndodhur edhe në fusha të tjera, kaluam në ekstremin tjetër, në vënien e theksit tek ndërkombëtarja, por sipas mendimi tim gjithë duke mbetur të izoluar. Megjithëse kemi mundësi të lexojmë apo të shohim filma apo drama e të dëgjojmë muzikë pa kufizim përsëri kemi mbetur autistë e vetreferencialë si në më të humburën e provincave. Shkaku në thelb ka të bëjë me dallimin midis kulturës së vërtetë dhe kulturës së kiçit, të imitimit dallim që, tek e fundit, ka të bëjë me ekzistencën apo jo në vend të krijuesve të vërtetë me ndjeshmëri, individualitet e personalitet të vetin. Sipas mendimitr tim, që e kam shprehur dhe gjetkë, kultura që u zhvillua në komunizëm nuk e lejonte krijimin e kësaj kategorie krijuesish, (por edhe njerëzish në përgjithësis) prandaj ishte shterpë prandaj dhe nuk polli dot një kulturë që t’i përgjigjej kohës kur jetojmë. Dhe kjo nuk shprehet vetëm në dramaturgji. Dramaturgjia është edhe më e vështirë sepse është një art kolektiv, ku pra nuk mjafton talenti i një individi për të bërë një shfaqje të mirë, por duhet një kolektiv i tërë dhe po ashtu kërkon edhe më shumë të holla.
Që t’i bije shkurt kësaj teme, që është shumë e gjerë, mendimi im është se më shumë sesa vënia e theksit tek drama shqipe ne na duhet të vemë theksin tek nevoja e një kulture tjetër që do të na bënte ta interpretonim e kuptonim shumë më me thellësi dramën e huaj, duke gjetur atje thelbin tonë, e, njëherësh, që do të na bënte të gjenim dramat tona të vërteta në shoqëri e t’i shkruanim e pastaj t’i vinim ato me art në skenë. Arti i vërtetë është kombëtar dhe ndërkombëtar njëherësh. (Standart, Rubrika "Perpjekja", 4 shkurt 2006)

No comments: