Tuesday, February 28, 2006

Procedura ekziston për t’i shërbyer demokracisë kurse demokracia nuk ekziston për t’i shërbyer procedurës

Në median shqiptare, veçanërisht të shkruar, gjen thuajse përditë deklarime në formë intervistash apo recensa librash apo artikuj në favor të Enver Hoxhës dhe të kaluarës komuniste nga protagonistë të asaj kohe apo fëmijë apo të afërm protagonistësh. E gjykoni si një shprehje demokracie dhe lirie të shprehjes apo keni një gjykim tjetër për këtë fenomen?

Përgjigjen do ta jap duke ju përmendur më së pari faktin se para disa ditësh një historian anglez u dënua në moshën 83 vjeçare me tre vjet burg në Austri për disa deklarime te tij të bëra më shumë se dhjetë vjet më parë se Holokausti nuk paskësh ekzistuar. Çfarë do të thotë kjo, po ta krahasojmë me përvojën tonë: se ne jemi më demokratë se austriakët; se diktatura jonë dhe pasojat e saj nuk janë të krahasueshme me nazizmin apo se mosreagimi ynë ndaj buthtimit të simboleve të diktaturës - sepse të tilla mund të konsiderohen disa figura si Enver Hoxha e jo vetëm – është shenjë e një sëmundjeje në vazhdim? Gjykimi im është se në rastin e Perëndimit kemi të bëjmë me një sëmundje të kuruar ndaj së cilës shoqëria ka krijuar imunitetin dmth. antikorpet që e luftojnë sa herë që kjo sëmundje kërkon të shfaqet e ta godasë. (Jo më larg se tre javë më parë skuadra e Romës u dënua të luante një ndeshje në stadium të mbyllur sepse në tribunën e stadiumit Olimpico në ndeshjen paraardhëse u varën disa parrulla me simbole naziste.) Dhe këto antikorpe janë edhe ligjet ndaluese siç është rasti i dënimit në historianit apo ky i Romës, edhe mbajtja gjallë e kujtesës historike, edhe krijimtaria artistike që e merr dhe rimerr atë temë. Kurse në rastin tonë kemi të bëjmë me një sëmundje në vazhdim, me një sëmundje kronike që nuk është shëruar dhe prandaj nuk ka krijuar antikorpet e veta. Mungesa e ndjenjës së drejtësisë, mungesa e ndjeshmërisë ndaj atye që u është shkatërrua jeta dhe familja dhe fëmijët nga terrori komunist, ose thënë ndryshe mungesa e empatisë ndaj tyre, mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë individuale në atë krim kolektiv, hedhja e fajit gjithmonë jashtë vetes, janë simptoma që shfaqen sot rëndom në raportet e shqiptarëve me shqiptarët e që reflektohen edhe në mënyrën se si i kanë ndërtuar marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me drejtësinë edhe në kapitalizëm. Pra absolutisht nuk kemi të bëjmë me shprehje lirie dhe demokracie, as tolerance, por kemi të bëjmë me një paaftësi reagimi të një trupi që, ashtu si ai i të sëmurit me SIDA, e ka të shkatërruar sistemin imunitar.
Ndërtimi i një sistemi imunitar ndaj asaj të keqeje që shfaqet e rishfaqet në forma të ndryshme është i domosdoshëm dhe nevojë urgjente do të thoja, për rizgjimin moral të shoqërisë. Mbetem i mendimit se ndotja e së tashmes është vepër e së kaluarës dhe se, nga ana jetër, e kaluara nuk mund të pastrohet dot pa u pastruar e tashmja. Personalisht nuk jam skeptik për vënien e ligjeve kufizuese sepse besoj më shumë në ligjet morale të shkruara në ndërgjegjet e njerëzve, por nga ana tjetër jam për marrjen e inisiativave që do t’i vinin përpara përgjegjësisë, qoftë edhe thjeshtë morale, pa përjashtuar ato ligjore, ata që fyejnë kujtimin e mijëra viktimave të pafajshme duke nxjerrë përditë në faqet e para të gazetave fytyrat e xhelat[ëve të tyre madje edhe duke na folur për humanizmin e këtyre kriminelëve.


Në një debat televiziv të së enjtes keni akuzuar opozitën se po merret vetëm me "procedurën": "procedura e shkarkimit të KRRTSH", "procedura e votimit për mocionin ndaj Topallit". dhe se po shmanget nga thelbi i përmbajtjes së problmeve. Nga ana tjetër a nuk mund të themi se demokracisa është procedurë ose më saktë se po nuk u respektua procedura nuk kemi demokraci?

Më saktë kritika ime është se opozita kërkon ta përqendrojë debatin politik mbi procedurën duke tentuar të shmangë kështu qëllimisht debatin mbi problemet që kanë bërë të lindë ky debat mbi procedurën. Le ta ilustroj me një shembull ndër të shumtit: Sistemi i korrupsionit apo shteti i kapur nga mafja ka bërë të lindë nevoja e ndryshimeve në Prokurori sepse për këdo është e qartë se Prokuroria dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk kanë punuar me ndershmëri dhe përkushtim dhe duke respektuar ligjin, por si të kapur. Çështja e parë që shtrohet ndaj forcave politike është kjo: a duhet apo nuk duhet shkarkuar Prokurori i Përgjithshëm. Ky është thelbi i çështjes sipas meje. Forcat politike që mendojnë se lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet pa një Prokurori efikase, energjike, duhet të shprehen qartë mbi këtë problem. Dhe po të jetë i qartë ky vullnet zgjidhet shumë më lehtë edhe problemi i mënyrës së shkarkimit të Prokurorit, i procedurave të cilat pa dyshim duhen respektuar, por edhe ndryshuar kur përvoja na tregon se ligji ka boshllëqe apo ambiguitete që mund të shfrytëzohen për bllokime të tjetërqëllimshme. Sipas meje taktika e opozitës është që duke qenë kundër shkarkimit të Prokurorit sepse e ka pjesë të sistemit të vet, ta mbajë debatin politik të mbërthyer në procedurat e shkarkimit të tij, duke vënë theksin tek rreziku që mund të paraqesë ndonjë shkelje proceduriale apo ndonjë interpretim i ligjit si shkelje, duke thërritur në ndihmë edhe Perëndimin të cilit i kujtojnë Berishën e 1997-tës, për të penguar kështu të hidhet hapi i ndryshimit mu pse ata, në thelb, nuk duan ndryshimin. Kështu ne mund të rrimë tre vjet pa e ndryshuar dot prokurorin e ndërkohë të shkojmë në zgjedhje të reja pa hedhur asnjë hap në luftën kundër korrupsionit. Debati mbi procedurën në këtë rast shfrytëzohet për obstruksion; si penguese dhe frenuese i ndryshimit dhe madje si fshehës i qëllimit të vërtetë të përdorimit të tij. Edhe ky shembull tregon se demokracia nuk mund të reduktohet në procedurë. Procedura ekziston për t’i shërbyer demokracisë kurse demokracia nuk ekziston për t’i shërbyer procedurës.


Kur keni kaluar së fundi në një librari dhe a mund të na thoni një libër të fundit që keni blerë apo që ju ka bërë përshtypje në stendë?

Përgjithësisht në librari shkoj mbas rekomandimit të ndonjë miku për ndonjë libër apo leximit në ndonjë gazetë të recensionit të ndonjë libri që më duket se mund të më interesojë dhe jo nga një ritual i kalimit herë pas here në librari për të parë se çfarë ka dalë. Kjo ndoshta edhe pse libraritë tona në përgjithësi nuk janë ashtu dhe aq ndjellëse me vendosjen që kanë dhe hapësirat e mjediset që kanë dhe pluhurin përreth që kanë. Shumica e tyre kanë hapësira të ngushta kioskash mjerane, veçanërisht po t’i krahasosh me kafe baret tona. Kam përshtypjen, madje, se, ashtu si kinematë, janë më të pakta në numër sesa ç’ishin në kohën e diktaturës, ndonëse qyteti është katër pesë fishuar në numër banorësh. Dhe kjo është fatkeqësi do të thoja veçanërisht duke patur parasysh të rinjtë sepse, nëse ne tashmë e kemi krijuar një raport me librin dhe e kërkojmë atë kudo, të rinjtë duhet të kenë edhe tërheqjen e jashtëme. Por, nga ana tjetër, kjo pamje e jashtëme është shfaqje e botës dhe vlerave të brendshme të shoqërisë sonë.
Për herë të fundit në Tiranë kam blerë dy libra në Librarinë Bardha që është një librari e mirë: “Historia e një të pafati” të Imre Kertesz dhe një libër me ese të poetëve të njohur të shekullit 20-të mbi Danten. Pas tyre kam blerë në Itali “Homo Poeticus” një libër me ese dhe intervista të Danillo Kish dhe një libër mbi filozofen Anna Harendt. Tani kam marrë nëpërmjet e-mailit njoftimin se është botuar në shqip libri i shkrimtarit polak Andrzej Stasiuk “Rrugës për në Babadag”, dhe do të shkoj ta ble. Është një shkrimtar shumë i mirë i kohës një reportazh i gjatë i të cilit mbi Shqipërnë e viteve 2000, shumë interesant, do të botohet në numrin e ardhshëm të Përpjekjes, me temë “Si na shohin”.
Nga çka thashë mund të bjerë në sy mungesa e kontaktit me autorët shqiptarë, por nuk është kështu sepse qoftë edhe nëpërmjet botimit të tyre në revistën Përpjekja e ruaj këtë kontakt, që, sigurisht, ka preferencat e veta. (Standart, 25 shkurt 2006)

No comments: